Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Sabir Krasniqi: Marsi dhe shqiptarët

Shko poshtë

Sabir Krasniqi: Marsi dhe shqiptarët Empty Sabir Krasniqi: Marsi dhe shqiptarët

Mesazh nga Agim Gashi Mon Mar 23, 2009 2:09 am

Sabir Krasniqi: Marsi dhe shqiptarët Marsi%20dhe%20shqiptaret

Shkruan: Sabir KRASNIQI



MARSI DHE SHQIPTARËT

Emërtimi i Marsit me emra zotërash lufte, ka të bëjë me ngjyrën e kuqe që posedon ky planet. Për njerëzit e lashtësisë kjo dukje e kuqe e tij lidhej me forca të panjohura që zakonisht posedonin fuqi të mëdha mbinatyrore. Pasi ngjyrë të kuqe ka edhe zjarri dhe gjaku, ky planet merrej si simbol i luftërave, shkatërrimeve, djegieve etj. Dhe, po të shfletohet kronologjia botërore e krizave të luftës, dallohet qartë se shumica e sulmeve është ndërmarrë mu në muajin mars! Por, ne do ta pasqyrojmë këtu vetëm një historik të shkurtër të historisë sonë që ka lidhshmëri me fillimin e luftërave dhe kryengritjeve të armatosura në muajin mars.





Sabir Krasniqi: Marsi dhe shqiptarët Image002
Eqrem Çabej

Sipas shumë studiuesve eminentë të huaj e shqiptarë, siç janë: Meyr, Çabej etj, gjuha shqipe, më shumë se çdo gjuhë tjetër ballkanike, ruan emërtesat e lashta, të huazuara nga latinishtja, për ditët e javës e që kryesisht lidhen me emra planetësh që janë emërtuar sipas perëndive, siç janë: Marsi, Mërkuri, Saturni, Dielli dhe Hëna. Gjatë hulumtimeve që janë bërë për emrat e ditëve të javës në gjuhën shqipe, është ardhur deri te presupozimi se në shqipen e lashtë java ka filluar me të martën (Çabej), pra, Marsin – perëndinë e luftës, që lë të nënkuptohet se Marsi mund të ketë qenë edhe perëndi e shqiptarëve. Kjo ka shumë të ngjarë të jetë kështu, pasi që edhe në kalendarin e vjetër romak viti fillonte me 1 mars.

Deri tek ky përfundim është arritur gjatë përpjekjeve për shpjegimin e ditëve të javës: e enjte dhe e premte. Meqë ditët e tjera kanë huazime të lashta latine si: e diel – dies Solis „dita e Diellit“; e hëne - dies Lunaea „dita e Hënës“; e martë – dies Martius; e mërkurë – dies Mercuri; e shtunë - dies Saturni, ditët e enjte dhe e premte, me sufiksin – te, dalin më të errëta për shpjegim.


Sabir Krasniqi: Marsi dhe shqiptarët Image004

Marsi – Perëndia e luftës tek romakët e vjetër

Emrin e enjte, Mjeda e krahason me greqishten e vjetër, ené – „e treta ditë, dita e pasnesërme“ si një numëror rreshtor. Këtë version e pëlqen edhe Çabej si më të arsyeshëm, më të afërt dhe më të mbështetur nga të gjitha krahasimet tjera, edhe për faktin se ditët e javës edhe në shumë gjuhë tjera indoevropiane shënohen shpesh me numërorë rreshtorë, si: s.kr. vtornik „e martë” (e dyta), ćetvrtak „ e enjte“ ( e katërta), petak „e premte“ (e pesta); gr. e re: dheftera „e hënë“ (e dyta), triti „e martë“ (e treta), detarti „e mërkurë“ (e katërta) etj. Kur të krahasohen edhe emrat e muajve, gjithashtu me prejardhje latine, september „shtator“, octomber „tetor“, november „nëntor“, december „dhjetor“ që janë emërtuar sipas numërorëve rreshtorë: i shtati, i teti, i nënti, i dhjeti, si rrjedhojë e muajt të parë të vitit, që në periodën romake fillonte me 1 mars, atëherë supozimi i mësipërm se java te shqiptarët e lashtë do të ketë filluar të martën, dhe se krye-Hyji shqiptar do të ketë qenë Marsi, është i plotkuptimtë.

Emërtimin Mars e hasim në dy kuptime: te grekët, që e identifikuan me perëndinë e tyre të luftës – Ares, dhe tek romakët, të cilët në fillim e njihnin si perëndi të vegjetimit të tokës e të maleve,e më vonë si perëndi lufte. Prandaj, edhe fillimi i vitit tek romakët fillonte me muajin mars, me 1 mars, në muajin e ekunikosit (barasnatës) të pranverës, në muajin e ringjalljes së natyrës, që marrë realisht, është shumë më e natyrshme sesa fillimi i viti, sipas kalendarit të krishterë, me 1 janar.

Ndërsa emërtimi i Marsit me emra zotërash lufte, ka të bëjë me ngjyrën e kuqe që posedon ky planet. Për njerëzit e lashtësisë kjo dukje e kuqe e tij lidhej me forca të panjohura që zakonisht posedonin fuqi të mëdha mbinatyrore. Pasi ngjyrë të kuqe ka edhe zjarri dhe gjaku, ky planet merrej si simbol i luftërave, shkatërrimeve, djegieve etj. Dhe, po të shfletohet kronologjia botërore e krizave të luftës, dallohet qartë se shumica e sulmeve është ndërmarrë mu në muajin mars! Po i përmendim vetëm dy rastet më të fundit: sulmi i përbashkët i SHBA-së dhe britanezëve ndaj Irakut që filloi më 20 mars të vitit 2003, si dhe sulmi terrorist që ndodhi me 11 Mars 2004 në kryeqytetin e Spanjës, Madrid, ku vdiqën qindra dhe u plagosën mijëra vetë. Por, ne do ta pasqyrojmë këtu vetëm një historik të shkurtër të historisë sonë që ka lidhshmëri me fillimin e luftërave dhe kryengritjeve të armatosura në muajin mars:

- Më 27 mars 1881, qeveria e Stambollit dhe ajo e Athinës nënshkruan marrëveshjen e re kufitare, që i mundësoi Portës së Lartë veprime ushtarake ndaj autonomisë shqiptare. Po në atë muaj, ajo organizoi një ekspeditë ushtarake të përbërë nga 40 batalione në krye me Dervish Pashën që sulmuan forcat tona në krye me Sulejman Vokshin.

- Më 18 mars 1908 forcat turke, pas vrasjes së komandantit turk të xhandarmerisë në Gjirokastër, nisën ekspeditën ushtarake kundër luftëtarit të lirisë, Çerçiz Topulli, që njihet si Lufta e Mashkullores.

- Më 24 mars 1911 filloi kryengritja e madhe e udhëhequr nga Dedë Gjo Luli që shumë shpejt u shtri në gjithë Malësinë e Shkodrës. Pas dy javë luftimesh të suksesshme, ata arritën që më 6 prill, ta ngritin flamurin shqiptar në majën e Bratilës së Hotit.

- Më 22 mars 1913, Konferenca e Ambasadorëve në Londër, vendosi të copëtojë rëndë trojet shqiptare duke shkëputur nga Shqipëria gjithë Kosovën dhe Çamërinë si dhe viset tjera shqiptare, si: Tetovën, Dibrën, Gostivarin etj, që pati si pasojë kryengritje të shumta të armatosura.

- Më 7 mars 1914, arriti në Durrës, si princ i Shqipërisë, gjermani Vilhelm Vid, i zgjedhur nga fuqitë e mëdha në Konferencën e Ambasadorëve në Londër.

- Më 7 mars 1919, delegacioni i qeverisë shqiptare që shkoi në Konferencën e Paqes, që u mbajt në Paris (1919-1920), ia paraqiti kësaj konference propozimin që në krahinat shqiptare që kishin mbetur jashtë kufijve të vitit 1913, të vendoseshin forcat e SHBA-së për t’i administruar ato (90 vite më vonë forcat e NATO-s, të udhëhequra nga SHBA-ja, u vendosën në Kosovë).

- Në mars 1920, u krijuan disa komitete të „Mbrojtjes kombëtare“ për çlirimin e krahinave të pushtuara nga Italia dhe Mbretëria Serbo-Kroate-Sllovene. Disa muaj më vonë filloi sulmi i kryengritësve shqiptarë në krahinën e Vlorës që së shpejti u shndërrua në një kryengritje të të gjithë popullit shqiptar.

- Më 25 mars 1939, qeveria italiane ia paraqiti Ahmet Zogut një traktat për nënshtrimin e Shqipërisë. Dy javë më vonë trupat fashiste italiane sulmuan Shqipërinë.

- Më 11 mars 1981, në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, filluan demonstratat e studentëve për lirinë e popullit shqiptarë të Kosovës dhe të viseve tjera shqiptare në Jugosllavi e që u përhapën në shumë qendra të tjera të Kosovës, si më 26 mars në Prizren etj.

- Më 23 mars 1989, Kuvendi i Kosovës, me direktiva nga Serbia, miratoi amendamentet kushtetuese nëpërmjet të cilave u hoq plotësisht subjektiviteti politik dhe ekonomik i Kosovës. Popullata shqiptare e revoltuar nga kjo tradhti (meqë prej 136 delegatëve shqiptarë në këtë kuvend, vetëm dhjetë prej tyre refuzuan këtë miratim) vërshoi rrugët me demonstrata masive që u shuan me gjak nga okupatori serbomadh.

- Më 26 mars 1990, populli i Kavajës, për herë të parë, pas një periudhe të gjatë nën regjimin komunist, mori guximin dhe shpërtheu në një demonstratë të fuqishme antikomuniste, që u shtyp me dhunë, por që ndikoi dukshëm në ndryshimet pluraliste në Shqipëri, të cilat pasuan një vit më vonë.

Sabir Krasniqi: Marsi dhe shqiptarët Image006
Adem Jashari

- Më 5 mars 1998, forca të mëdha ushtarako-policore serbe rrethuan Prekazin legjendar. Epiqendër ishin kullat e Jasharajve ku u zhvilluan luftime të rrepta për tri ditë e net rresht mes forcave të UÇK-së, të udhëhequra nga Komandanti Legjendar, Adem Jashari, dhe makinerisë së rëndë serbe. Në këto luftim ra heroikisht komandanti, Adem Jashari, dhe 47 anëtarë të tjerë të lagjes Jasharaj.

- Më 24 mars 1999, NATO filloi sulmet ajrore mbi ushtrinë, policinë dhe forcat paramilitare serbe, si kundërpërgjigje ndaj dhunës dhe masakrave që zhvillonin ato mbi popullatën shqiptare dhe, pas tre muaj bombardimesh, e detyroi Beogradin të kapitullojë dhe e detyroi atë që t’i tërheqë të gjitha forcat e armatosura nga Kosova.

- Më 17 mars 2004 shpërthyen trazirat në Kosovë ku humbën jetën me dhjetëra dhe u plagosën me mijëra protestues. Shkaktar i këtyre trazirave ishte mbytja e tre fëmijëve shqiptarë nga fshati Çabër në lumin Ibër, si pasojë e kërcënimit dhe ndjekjes nga ekstremistët serbë, si dhe bllokimi i aksit rrugor Prishtinë – Shkup në Çagllavicë, po ashtu nga ekstremistët serbë.

- Më 8 mars 2005 Kryeministri i Kosovës dhe luftëtari i lirisë Ramush Haradinaj, bashkë me dy bashkëluftëtarë të tij, akuzohet nga Tribunali i Hagës për krime lufte, dhe me 9 mars 2005, ai shkon vullnetarisht në Hagë.

A është kjo lidhshmëri reale, që besohej edhe nga popujt e lashtë, të cilët mu për këtë edhe e kanë emërtuar Marsin me emra zotërash lufte, apo është kjo vetëm rastësi? Pyetje që hapë debate e polemika të shumta! Përgjigjja, megjithatë, mungon!
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi