Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Mentor Thaqi:Poezi kushtuar Epopesë së Koshares(Video)

Shko poshtë

Mentor Thaqi:Poezi kushtuar Epopesë së Koshares(Video) Empty Mentor Thaqi:Poezi kushtuar Epopesë së Koshares(Video)

Mesazh nga Agim Gashi Mon Apr 11, 2011 12:49 am

Mentor Thaqi:Poezi kushtuar Epopesë së Koshares(Video) 187669_100000582437455_3196303_n
Mentor Thaqi:Poezi kushtuar Epopesë së Koshares

Mentor Thaqi:Poezi kushtuar Epopesë së Koshares(Video) Kosharja

NË PËRVJETORIN E DYMBËDHJETË TË EPOPESË SË KOSHARES DHE LEGJENDARËVE TË SAJ: AGIM RAMADANI, SALIH QEKU, XHEMAJL FETAHU, ABAZ THAÇI, ...DHE GJITH DËSHMORËT TJERË. NDERIM!!!

LUTJA E MBARË

... dhe zbret nostalgjia, mbi qerpikët e lodhur,
Atdhedashuria, si shumë e përfolur,
mbi Shkëlzen ndalon.

Ah, moj bjeshkë, sa kapriçe më je!
Si sot, si dje, me dhe pa halle-një,
Zonjë e rëndë, inatçore para "të huajit",
e unë (s)´po e kuptoj veten (as)sot.

Diku vinte erë-mollë, që sillte era e jugut!
Jo mor jo, gabim jam,
e sillte "Perëndimi i egër", nga ato mollët e moqme,
si ato tonat "të kuqe" të hershme.
Ç´na vërshoi bereqeti!
- 2 -
... dhe s´kishte lehje qenësh, ujqër ishin bërë,
se vetmia vret dhe bën të marrësh malin.
- Mirëmëngjesi Dukagjin!
Ishte natë e mjegullt, mbarsuar me zymtësi.

Kullat nxirrnin tym, jo nga oxhaqet,
ata dëshmitarë të tymosjeve ishin.
Ah, botë e kthyer së prapthi!
(S)´na duhet toka pa njerëz!
Sa çudi! Edhe bishat e malit paskan ikur!
Athua ku se?!
Më mbyti dënesja e mallit të heshtur,
"Po bjen era more, re të zeza,
vijnë nga mali more, breza-breza,...".
Po, po, vijnë me sihariqin e shumëpritur,
Salihu bashkë me Agimin në Agun e Koshares,
fjalës lajmëtare, krahë Shqiponje,
nga Rrasa në Rrafsh!
- 3 -
Një qetësi-varri mbi Podgur, vret edhe Rekën...,
... dhe kthehet në pyetje-mortore
"Sa u bënë dhe a mbeti gjallë kush në hapsane"?1,
aty afër ku Selman Kadria ...., ah mendje e sëmuar,
lëri gjepurat sonte të paktën,
për hirë të djepit të përmbysur buzë hirit,
dhe sëpatës mbetur shkret,
në ato "Lugje të Verdha".

"Heu, n´Mitrovicë der´n´Boletin,
tanë Kosova a´ mblue në tim, ...".
O Ramë Bllaca,
po konak të madh paske pasë he burrë!,
vend për miqtë e dy vilajeteve,
të qon t´fala Hasi i thatë,
mbahu burrë, se i forti t´ka rënë pas.
- 4 -
Sy e veshë katër, njerzia, një qenë bërë atë natë,
me atë "çizmen" që shkeli "gurin",
mbi atë "S.." jo të rastësishëm mbi një shekull,
ato dy shkronja-sinonim i të parëve ndër të parët e Lirisë,
A-S, gurit,këmbën mbi RFJ (Re(pane)publika e Fëlliqur Jugosllave).
Sa bukur e ndiem dhe mirë i dëgjuam,
"Daullet e ndërgjegjes".
Të lumtë populli im!
Për herë të parë në Histori je kthyer kah duhet.
Qoftë drejtim i përjetshëm!
Amin!
Kështu qenë lutur të dymbëdhjetë Apostujt atëhere ...
Amin, sërish!

VS 23.5.07


ËNDËRR E QËLLIMSHME!

Mbrëmë fluturimthi, ëndërra,
në Bellé më shpuri,
rrasë pas rrase e
shkëmb pas shkëmbi,
edhe pak këtu, edhe pak atje, dhe ja maja!
Kur po i afroheshim Rrasës
së Çelisë,
para, si nga mjegulla na doli
një Vigan,
po kush tjetër pos Salih Qekut?!
Me atë buzëqeshjen unikale që adet e kishte
ngryka ngrykas, mirëseardhje na uroi.

- Ju kam dalë para, na tha,
se miqtë duhet pritur e përcjellur në besë, bukë e krypë,
e sa për zemër,
atë me bollëk e kemi.

Vendi është i rrëpirtë, e helbete mos ju ndodhë gjë.
E patëm pritur edhe Idriz Gilanin me shokë,
se të pabesët prita u kishin zënë
dhe bashkë u dogjëm e u poqëm
se qebesa ne malësorët korinë nuk e duam!

E shikoja Njeriun që kisha përkrah,
atë që Legjendë ishte e në Legjendë kish hy!
Kisha mallë për të, po po, malli më digjte
saqë as lotët currjel nuk ma nxorën gjumin
derisa ëndërra mbaroi ashtu si doja unë
por jo dhe aq gjatë sa do doja.

Kur po ndaheshim, na tha:
- Mi thuani vëllaut tim Smajlit dhe mikut tim Hafizit,
të kujdesen për fëmijët, se unë në Gjermani më nuk kthehem,
këtu jam në vendin dhe tokën time!

- II -

Legjendat zakonisht fillojnë me: ,,Na ishte njëherë ...,",
por k´saj here Legjenda fillon ndryshe dhe ka emër,
i thonë Salih Qeku, që nuk ësht e largët por kaq e afërt,
i freskët, i madhërishëm, i çetë, i heshtur
që aq shumë thotë, e mbi të gjitha është aq i prekshëm
sa dhe Legjenda për të ësht e gjallë po aq sa ajo
e Profesor Aganit, po aq edhe e Adem Jasharit
dhe Agim Ramadanit, e qebesa po aq edhe e
Jusufit, Kadriut e Bardhit apo e Enver Hadrit në mes t´Brukselit,
apo Hasan Prishtinës e besa edhe e vetë Presidentit Rugova
sepse edhe Ai Legjenden e tijë me ta e ndërtoi,
pra Legjenda e Tijë me Ata, ose Ai dhe Ata bashkë!
*****
Në cilën gjuhë të të shkruaj Salih Qeku?!,
ti Poligloti Dukagjinas, Bellagji den baba den,
se margjinalizimi yt me dhe pa dashje
këtu vend s´do të ketë!

Më kujtohet miku im Pranvera e zymtë e vitit 90,
kur Telallët e Djallit paralajmëronin përgjakje,
ata kasnecë të gjakut të mallkuar,
e Ti, troq e ndër sy ju pate thënë se:
-do të vijë dita kur do të marrin vesh realitetin
qoftë edhe me forcën e argumentit, si masë legjitime.

Dhe mbajë mend miku im,
kurë njëfarë çetniku, Borë Qukiçi, të quajti Nacionalist,
e Ti me buzëqeshje i the se Epitetet i don shumë, sidomos
kur vijnë nga një shoven si ai, mburresh me to,
e ai i egërsuar murmurinte diçka në mes dhëmbësh të rënë.
Ti si gjithnjë i matur: - Zotri, je në vendin dhe kohën e gabuar,
me njeriun e gabuar dhe i njeh zakonet tona,
andaj të lutem, kursej fjalët e rënda se të duhen për vete!

*****
Ah miku im, është e vështirë shumë
kur të japin identitetin që nuk e do dhe as që ekziston
edhe për vetë ata që donë të ta japin,
se njeriu ka vetëm ato që i dha Zoti: është ai që është!


*****

Kur kumbimi i këngës për "Patriotizmin Jugosllav",
po na zinte frymën para hundës,
ti kërkoje hapsirë çlirimtare nga kjo ngulfatje,
se Bota frikacakët nuk i donte e qebesa as ata vetveten.
Kur frika në palcë me hekur të ftohtë qe mbjellur,
e rrënjët edhe horizontal i shtrinte,
Ti miku im i the JO atijë fqiut tënd kolon ashtu si të parët tu,
se ne nuk jemi ju, jemi Shqiptarët me Plisa
ashtu si Albanci-t përtej gardhit që ju me shkurre gjëmbash
pusi në mes na e thurët!
E tevona miku im, atë frikën që mbollën me vete e morën,
se edhe në Tavolinat në "Qakorr" që kundërmonin Shlivovicë,
plumbi yt i gjeti!

Më ka mbetur në mendje ai Telegrami në "Königstrasse"
në Stuttgart:
- I dashuri miku im i shtrenjtë, Hafiz,
siç qemë pajtuar më heret, Ti bëje misionin tonë të paqes,
se luftës po i vie fundi. Rroftë Liria në Pavarësi!
Zoti e bekoftë Arbërinë!
- Salih Qeku, Ushtar i Dardanisë!
Koshare, ...... Prill 1999!

Pas shtatë vjetësh,
përtej shtatë katundeve e shtatë bjeshkëve,
po gjakoja nëpër Koshare.
Herë flisja me mua e herë vetmevete,
e qebesa më shumë me të rënët.
Doja të i përqafoja të gjithë një nga një,
bile së paku një tokje duarsh.
Dhe ashtu në rend
siç ju ka hije ushtarëve të Atdheut,
na pritën me nderime,
ata vetëm ashtu dijnë,
se dhe rënjen nderim e patën!
Dhe, ... shtruam Kuvendin,
e më pyetën për gjithçka,
por më së shumti për Mërgatën,
e të fala pas të falave,
që të mos ligshtohen
as sot si dikurë.

Të gjithë si dikurëmoti, burrat e moçëm,
flisnin një nga një,
e tevona kush tjetër pos Agimit e Xhemajlit!
Në fund si gjithmonë fjalëpak e kuptimplotë - Salihu:
- Ne bëmë atë çë ditëm e mundëm,
është e juaja të bëni të tjerat!
Ah, dhe ky lot i ngrohtë në mollëzat
plot vazhgë faqeve të mia,
e unë si ato plakat jetike rreth oxhaqeve
të shkretuara pa djemtë që heret ikën,
e ai pllugu i Selman Kovaçit ndryshkur ke pojata!

Ah, ah, na falë Salih Çeku he burrë i dheut,
për ligshtimin e mundshëm,
se dhe ne nga gjaku, mishi e kockat jemi,
e unë po ta thëm troç e ndër sy,
jam krenar që së paku u mundova
të të jem pranë e të të dëgjoj!
Dhe po të thëm Salih Çeku,
Hyseni tashmë është bërë burrë,
Migjeni qebesa hiç më pak se ai,
ndërsa Shota si Shota mik i dashur.
Po po, fëmijët po rriten ashtu të mëdhenjë si ti!

Një herë më heret, miku im,
ishim vetëm ne të dy dhe heshtja e ngurtë në mes nesh,
pastaj, gërmo ti andej, e gërmo unë këndej
deri sa ja shporrëm themelet
dhe pamë atë dritën e fjalës së lirë ndërmjet,
e tevona kur ti më nuk ishe këtu,
me vëllaun tim kapriqioz, e njëjta këngë e vjetër
ashtu si pas mesit të fillimit, apo në fillim të mesit para fundit,
ndrydh e shtrydh ndjenja e grushta,
e qebesa rrafsho e gërmo dhimbje e ofshamë.

Prill 2006-Janar 2009 VS



SHPIRTI DARDAN
(Kushtuar Epopesë së Koshares)

Zbriti n´Dardani,
si një Uragan,
shkreptimë n´kaltërsi,
Shpirti Ynë Dardan.

Fluturoi n´Koshare,
me krahë të Shqiponjës,
me pushkët çlirimtare,
n´atë Malsi t´Gjakovës.

Gurit ndarës këmbën,
Komandanti i vuri,
nisën trimat këngën,
me Hymn-Flamuri.

Pushka e Salihut, legjendare,
tmeroi Bajloz-Vogjen,
çka do t´gjenë n´Koshare,
do ta harrojsh Logjen.


Një Armatë e tërë,
ecte n´dritë të hënës,
Shkaut fatin n´gërshërë,
ja prenë Bijtë e Nënës.

Në ballë ish Salihi,
përkrah tijë Agimi,
Gjemajli, Abazi,
Mili, Mujidini.

Ushtimë Dukagjinit,
nga Topi i Agimit,
top tu bë Dyfeku,
Hero Salih Çeku.

Njaj Milazim Shala,
AB-së i qon t´fala,
i dashur vëlla,
n´Junik më Shkja s´ka.

Telegram i vjen:
-President Rugovës,
-Komandant Suprem,
i Shtetit të Kosovës,
nga Koshara trime
e Malësisë t´Gjakovës:

***Shkelqësia Juaj,
së shpejti do hyjmë,
nën udhëheqjen Tuaj,
Fitimtarë n´Prishtinë.***

Dhe erdhi e pritura,
nga mendje të ndritura,
e ne kemi mallë,
se i patëm n´ballë.

Fluturon Shqiponja,
e lirë n´Dardani,
Shpirti i Maleve Tona,
ju nderon. LAVDI!

Villingen-Schwenningen, 24.04.2007


KRISTE PUSHKA E KASIMIT

(Këngë e kënduar nga Naim Limani)

Moj Koshare tokë e shejtë,
e nderuar qofsh për jetë,
bijtë më tmirë të Arbërisë,
n´ty dëshmorë ju bënë lirisë.

(Si dikurë djemt e Merturit),
edhe sot djemt e Shqipnisë,
me betim para Flamurit,
nisën dasmen e Lirisë.

Ushtar trim dhe Kasim Uka,
shembullorë n´njësitin Delta,
si dikurë vetë Oso Kuka,
po shkëlqen nëpër beteja.

U nxi Rrasa e mbuloi tymi,
shkonte malit flakë e verdhë,
mitraloz po qet Kasimi,
breshri plumbash mbi shkie derdh.

(Gurin ndarës nga kufini,
kur me këmb shkeli Agimi,
loti i ngrohtë i gëzimit,
lagu faqen e Kasimit.)

Tfala t´zemres Rekës t´qetë,
mbahu e fortë, na prit, jem nisë,
nga Koshara si shigjetë,
me pishtarin e Lirisë.

Ku luftoi ai la nderim,
si drangu legjendë e luftës,
n´Ponoshec, Junik, Morinë,
kriste pushka e Kasim Ukës.

Me gjak t´njomë e skuqi tokën,
nderoi pragun dhe nënëloken,
një pishtar n´Áltar t´Lirisë,
Dëshmor Kombi i Pavarësisë.

DHE KËNDOI SHQIPJA ...

(Këngë e kënduar nga Shkodran Tolaj)

Buqasin Malet,
bjeshkë dhe v´rri,
kjo tokë nuk falet,
është Dardani,
është Djepi jonë,
është gjaku jonë,
Tokë e bekuar,
do t´rroj gjithmonë.

Ka kthy populli sytë nga lartë,
atje naltë i mbanë dhe shpresat,
bijtë e tijë atë Tokë në flakë,
hasmit ja marrin nga kthetrat.

Çjanë kto krisma rrufe moti?!
Çështë ky tym, kjo erë baroti?!
Mu ke Rrasa në Koshare,
k´to janë krismat çlirimtare!

Dhe këndoj Shqipja për herë t´parë,
deri sot s´e dëgjoj njeri,
veç në kohën e Motit t´Madh,
pat këndu ajo n´Shqipni.

Gurin e mallkuar,
Legjenda e shkeli,
nga fëmijëri e shkuar,
porosia erdhi:
më fal v´lla për kët ligshtim,
i thotë v´llau-vllaut të vet,
jemi rritë të dytë jetim,
njëri-tjetrin amanet.

Veç dy pika loti t´zemrës,
jo më shumë s´do t´derdhë për ty,
amanetin ta çoj n´vend,
të betohem n´kta dy sy!


Çjanë k´to krisma e k´to gjamë?!
Hasmat eshtrat k´tu i lanë!
Mu ke Rrasa në Koshare,
jehon kënga çlirimtare!

Dhe këndoj Shqipja për herë t´parë,
deri sot s´e dëgjoj njeri,
veq në kohën e Motit t´Madh,
sot këndon për Pavarësi!

Mentor Thaqi VS., 9-10.02.06

Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi