Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Frank Shkreli:Lëvdata për lugatin

Shko poshtë

Frank Shkreli:Lëvdata për lugatin Empty Frank Shkreli:Lëvdata për lugatin

Mesazh nga Agim Gashi Thu Apr 14, 2011 10:18 pm


Lëvdata për lugatin

Nga Frank Shkreli
Frank Shkreli:Lëvdata për lugatin Stalin_hoxha


Disa media në Kosovë njoftojnë se i ashtuquajturi “Fronti popullor i Kosovës për mbrojtjen dhe kultivimin e veprimtarisë revolucionare të shokut Enver Hoxha” ka mbajtur një tubim përkujtimor në qytetin Ferizaj me rastin e 26 vjetorit të vdekjes së diktatorit shqiptar. Gjatë atij tubimi, organizatorët lavdëruan diktatorin shqiptar, si një shpëtimtar të kombit dhe premtuan se organizata e tyre do të zgjerojë aktivitetin dhe influencën e saj edhe në qytete e zona të tjera të Kosovës.

Çuditërisht, edhe në një tubim tjetër në Zvicër, në përkujtim të përvjetorit të demonstratave të vitit 1981 në Kosovë, ku sipas njoftimeve të shtypit ishin të ftuar edhe ish-kryeministri i Kosovës, Bajram Kosumi, dhe ish-presidenti i Shqipërisë, Rexhep Mejdani, u brohorit “Enver Hoxha – Enver Hoxha”.

Në tubim, Enver Hoxha u lëvdua dhe u përkujtua si “mbrojtës” i Kosovës, si një “figurë shumë dimensionale”, e cila “goditi rëndë agjenturat dhe qendrat e spiunimit ndërkombëtar” dhe si njeri që “shpëtoi ri-copëtimin e vendit tonë”. Ka mundësi që edhe gjetiu në trojet shqiptare të jetë përkujtuar përvjetori i vdekjes së lugatit.

Në këto tubime, Enver Hoxha u përkujtua si mbrojtës i Kosovës, por politika e regjimit komunist të Enver Hoxhës karshi Kosovës ishte e qartë që prej fillimit të miqësisë së tij me armiqtë shekullor të kombit shqiptar: me serbo-malazezët gjatë luftës dhe pas Luftës së dytë Botërore, me miqësinë e mëvonshme të regjimit të Tiranës me rusët dhe me në fund me regjimin komunist kinez të Mao Ce Dunit. Përveç disa fjalimeve boshe bombastike, ajo ishte një politikë kryekëput kundër Kosovës dhe kundër interesave të kombit shqiptar. Këta aleatë të Enver Hoxhës dhe të regjimit të tij ishin atëherë e janë edhe sot e kësaj dite kundër Kosovës dhe popullit shqiptar.

Kush janë sot, kundërshtarët me të përbetuar të pavarësisë së Kosovës dhe të interesave të kombit shqiptar në Ballkan? Janë pikërisht, serbët, rusët dhe kinezët, miqtë dhe përkrahësit me te ngushtë të Enver Hoxhës dhe regjimit të tij shtypës, ata të cilët sot përdorin çdo rast e mundësi për të luftuar njohjen e Kosovës si shtet i pavarur e sovran, duke penguar kështu anëtarësimin e saj në organizmat ndërkombëtare, siç është Organizata e Kombeve të Bashkuara.

Nuk është për tu habitur për nostalgjinë që mund të shprehin disa persona e grupe—brenda dhe jashtë Shqipërisë -- për Enver Hoxhën, pasi gjithmonë ka patur e do te ketë njerëz ideologjikë e fanatikë jo të mirë-informuar për të bërat e këqija të regjimit te tij kundër popullit të vet. Ajo që nuk është e qartë është agjenda e këtyre personave dhe grupeve të caktuara si edhe serioziteti i zbatimit të kësaj agjende. A është kjo një përpjekje për të mbuluar mizoritë e regjimit enverist, apo po përpiqen të krijojnë një histori gënjeshtrash në dëmin afatgjatë të kombit shqiptar?

Mirëpo, ajo që më habitë më shumë, nuk është shprehja e nostalgjisë të disave për diktatorin, qoftë në Shqipëri qoftë në Kosovë, por edhe në trojet tjera shqiptare, madje edhe në diasporë. Ajo që më çuditë pa masë dhe në të njëjtën kohë më dëshpëron është mosreagimi serioz ndaj këtyre dukurive nga media, nga komentues e vëzhgues, nga njerëz të arsimit e të kulturës, nga politika në përgjithësi, nga të shtypurit e të përndjekurit, nga shoqëria civile e tjerë. Si është e mundur që njeri prej “stalinëve të vegjël” të Evropës dhe njëri prej kasapëve me te egër të shekullit të kaluar, të konsiderohet si një udhëheqës me merita për kombin?

Megjithëse shumë vende të Evropës Lindore janë ballafaquar me të kaluarën e tyre komuniste -- dikush më shumë e dikush më pak – Gjermania është shembulli më i mirë i përballimit të dhimbshëm dhe të sinqertë me krimet e mëdha e të shëmtuara të regjimit nazist, por në të njëjtën kohë ka reflektuar edhe mbi përgjegjësinë e përbashkët, për ato që kanë ndodhur në atë vend. Kam frikë se mund të kalojnë vite të tëra para se kombi shqiptar të përballet sinqerisht dhe plotësisht me krimet e tmerrshme të periudhës hoxhiste. Mund te thuhet lehtë se për derisa kombi shqiptar nuk do të përballet në mënyrë të ndershme dhe të sinqertë me krimet dhe trashëgiminë e vërtetë të regjimit komunist të Enver Hoxhës – ashtu siç bëri Gjermania me të kaluarën e saj naziste –përpjekjet e kombit shqiptar për dinjitet, liri e demokraci dhe për bashkim kombëtar do të mbeten gjithnjë ëndërr e parealizueshme.

Prandaj, i dashur lexues, shkrimtar, gazetar, intelektual, politikan e tjerë, në qoftë se ia do të mirën vetes dhe shoqërisë shqiptare, përgjigju thirrjes së atyre, që nga regjimi hoxhist, vuajtën e dhanë jetën në kampet e përqendrimit e në burgje; përgjigju thirrjes së viktimave të masakrës së Tivarit; përgjigju thirrjes së kombit të vuajtur dhe të dëshmorëve të tij që dhanë jetën për të vërtetën e historisë.

Shkundu e mos rri i ngathtë – se heshtja nuk na ka hije.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi