Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

At Anton Kçira i Kishës Katolike në Miçigan del në pension

Shko poshtë

At Anton Kçira i Kishës Katolike në Miçigan del në pension Empty At Anton Kçira i Kishës Katolike në Miçigan del në pension

Mesazh nga Agim Gashi Mon Jun 27, 2011 9:19 pm


At Anton Kçira i Kishës Katolike në Miçigan del në pension

At Anton Kçira i Kishës Katolike në Miçigan del në pension A-Anton_Kqira_300


Komuniteti katolik shqiptar në Roçester Hills afër Detroit, organizoi dje një ceremoni te posaçme kushtuar Don Anton Kçirës me rastin e daljes në pension. Për t'a nderuar kishin ardhur përfaqësues të lartë nga Dioqeza e Dietroit, zyrtarë të lartë bashkiakë e shtetërorë të Miçiganit, ligjvënësi i zonës në Kongres, veprimtarë e udhëheqës nga mbarë komuniteti shqiptar në Amerikën e Veriut.

Shumë rrugë çojnë në majë. Por disa njerëz ngjiten duke hapur udhë të reja. Ata quhen nismëtarë, si rilindasit, gjejnë një cështje që u dhimbset dhe i përkushtojnë punën dhe jetën.







Ismail Qemali, p.sh., zgjodhi krijimin e shtetit, ide që ishte harruar për 500 vjet. Fishta përqafoi poezinë si mjet për të rizgjuar vetëdije e qytetërim kombëtar. Noli ndoqi disa rrugë, po ishte autoqefalia brenda kombit, që e përjetësoi. Konica u lartësua me mendim iluminist, estetik dhe publicistikë. Nënë Tereza, me bamirësi e dashuri. Për këto e shumë figura të tjera, të gjitha ishin rrugë mundimesh, që vetëm kur kapërcehen, shihen si rrugë lavdie.

Mendime vijnë, ndërsa shihet se brezat ndërrohen – çdo ditë, një nga një – jo në grup. Dje, Don Anton Kçira, pas një udhe të përpjetë 40 vjecare, arriti majat dhe u ul per te marre frymë. Kreun e vendit në famulli, ia dorëzoi një prifti të ri, at Fran Kola, i cili vjen në këtë detyrë pas një përvoje 20 vjeçare në arqipeshkëvinë e Kosovës. Ishte një ndërrim postesh sipas ritit fetar, por që nga pikëpamja laike i ngjan një kalimi të pushtetit, proces nga i cili politikanët mund të marrin shembull.

Krahasuar me ortodoksët e myslimanët, fillimet e shqiptarëve katolikëve në Shtetet e Bashkuar janë relativisht të vona. Radhët e
tyre në Amerikë u shtuan dukshëm vetëm pas luftës së dytë botërore, kur katolikët u bënë "gjahu" i preferuar i komunistëve në pushtet; shumë prej besimtarëve morrën arratinë. Don Anton Kçira i përket pikërisht atij brezi, që ikën natën nën kërcenime plumbash, duke hapur shtigje të reja.

Don Antoni u shërbeu shqiptarëve të Amerikës për disa dekada. Gjurmët e punës së tij në zhvillimet e jetës kulturore e fetare të shqiptarëve në mërgim, duken qartë. Kisha e Shën Palit në Roçester Hills, e ndërtuar para 10 vitesh me nismën e don Antonit, mund të thuhet se është vepra i tij. Kjo kishë - në mos më e madhja - është një nga kishat më të mëdha katolike të shqiptarëve brenda dhe jashtë trojeve të tyre.

Nën drejtimin e don Antonit, besimtarët e Kishës së Shën Palit, kanë dhuruar qindra mijëra, disa thonë 1 milionë dollarë ndihma gjatë dhe pas luftës, për viktimat në Kosovë, përveç ndihmave për rimëkëmbjen e kishave dhe fesë në Shqipëri, që dolën të shkatërruara nga lufta e ftohtë.

Gjurmë të veprimtarisë përkushtuese fetare e atdhetare të don Anton Kçirës, janë gjithashtu përmendoret e Skënderbeut dhe Nënë Terezës në hyrje të oborrit te Kishes. Këto punime individuale të skulptorëve të njohur Kreshnik Xhiku e Vasiljev Nini, me madhështinë dhe stilin e tyre, mbajnë gjallë kujtesën historike shqiptare në dhe të huaj. Ato përçojnë vlerat e një kombi, veçanërisht kur tërheqin vemendjen e kalimtarit të panjohur, i cili kur i sheh s’mund të rrijë pa u interesuar e pyetur “E kujt është kjo kishë? Nga cili vend janë këta heronj?”

Këto janë konkretizime të nismave largpamëse të don Anton Kçirës në krye të Kishës. Janë gjurmët të ngurtësuara që ai lë pas, ndërsa largohet për t'u shlodhur.

Një drejtues mund t’i udheheqë të gjithë, por nuk mund t’i kenaqë të gjithë. Edhe rruga e don Antonit në krye të Kishës nuk ka qenë e shtruar. Para pak vitesh ai u bë objekt kritikash nga disa pjestarë të komunitetit, "për disa deklarata anti-shqiptare”, thonë ata. Don Antoni vazhdimisht është përpjekur të sqarojë se fjalët e tij janë shpërdorur, duke u nxjerrë qëllimisht jashtë kontekstit.

Për shqiptarin, feja është pjesë e traditës. Don Antoni është njeri i fesë. Dhe shqiptari gjithmonë e ka respektuar fenë e vet. Shpesh, ka respektuar më shumë fenë e tjetrit. Nga ky këndvështrim, lind edhe toleranca. Don Antoni thotë se si shqiptar, ka respekt për fenë islame, dhe se fjalët e ashpra ai i ka përdorur vetëm kundër terroristëve islamikë, me të cilët Amerika është në luftë.

Në ceremoninë me rastin e daljes së tij në pension, kishte përfaqësues të bashkësive islame, ortodokse, ligjvënës, udhëheqës vendorë e veprimtarë të komunitetit.

Në fund, dita e djeshme morri kuptimin e ndërrimit të brezave, kalimit të pushtetit, dorëzimit të detyrës, hapjes së udhës, shkëmbimit të përvojës, krijimit të mundësive për brezin pasardhës. Dje, më 26 qershor Don Antoni dha meshën e fundit. Nga sot, kisha katolike shqiptare e Shën Palit në Rochester Hills drejtohet nga famullitari i ri nga dioqeza e Kosovës, i përndershmi Fran Kola, të cilët besimtarët në kishë e pritën me duartrokitje, shenjë votë-besimi.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi