Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

ENVER BYTYÇI:Dilema e Maqedonisë: Të jetë multietnike apo të shuhet si shtet?

Shko poshtë

ENVER BYTYÇI:Dilema e Maqedonisë: Të jetë multietnike apo të shuhet si shtet? Empty ENVER BYTYÇI:Dilema e Maqedonisë: Të jetë multietnike apo të shuhet si shtet?

Mesazh nga Agim Gashi Tue Sep 13, 2011 8:59 pm

ENVER BYTYÇI:Dilema e Maqedonisë: Të jetë multietnike apo të shuhet si shtet? 275100_812907206_1826989_n

Dilema e Maqedonisë: Të jetë multietnike apo të shuhet si shtet?

ENVER BYTYÇI

12/09/2011

Para dy ditësh qeveria e Gruevskit ka festuar me një ceremoni madhështore 20-vjetorin e krijimit të shtetit maqedonas. Në sheshin qendror të Shkupit janë bërë manifestime të shumta dhe gjithçka ngjante me modelin bufatorik të diktatorëve, të cilët nuk i kanë munguar botës së shkuar e madje nuk i mungojnë as botës së sotme të globalizimit. Kryeministri i Maqedonisë e kishte vënë veten në rolin e Aleksandrit të Madh, duke u përpjekur që të eklipsonte bustin gjigant të tij të vendosur në qendër të kryeqytetit. Ndërkaq partitë politike shqiptare e kishin bojkotuar këtë manifestim, sepse ato ndihen të përçmuara, të diskriminuara dhe të përjashtuara nga jeta politike, sociale e kulturore e shtetit të Maqedonisë. Bojkoti shqiptar i festës së 20-vjetorit të krijimit të shtetit të parë të Maqedonisë së kohëve moderne, por me një fobi të pazakontë ndaj të tjerëve, ka sjellë në vëmendje edhe një herë dilemën nëse Maqedonia do të jetë ose jo një shtet multietnik i të gjithë qytetarëve të saj, apo do të vijojë të mbetet shtet i vetëm maqedonasve, çka do të thotë do të vijojë ta shkatërrojë qenien e vet shtetformuese. Bota demokratike, dhe shqiptarët në krah të saj, kanë filluar të ridimensionojnë pikëpamjet e tyre rreth idesë së shtetit maqedonas dhe të rikujtojnë se vendi do të përballet me një valë të re dhune e problemesh, të cilat mund ta çojnë atë në një krizë të ngjashme me atë të vitit 2001. Për këtë arsye, festimet e manifestimet e maqedonasve për të përkujtuar 20-vjetorin e krijimit të shtetit kanë shërbyer si sinjal i pranisë së konfliktit etnik në këtë vend.
Gjithkush që ka ndjekur fjalimet, koncertet, qëndrimet, pjesëmarrjen dhe entuziazmin e festës së javës së kaluar në Shkup, ka fituar përshtypjen se qeveria e sotme e Gruevskit nuk ka tjetër shqetësim, veç atij të dominimit të vendit, të shoqërisë dhe të institucioneve shtetërore nga elementi etnik maqedonas. Shumëkush e ka interpretuar këtë ditë feste të maqedonasve si karshillëk dhe shprehje force ndaj shqiptarëve etnikë në Maqedoni. Jo pak janë ata analistë dhe ekspertë, të cilët e shohin Gruevskin dhe qeverinë e tij si kërcënim për multietnicitetin e shtetit të Maqedonisë dhe festimet e 20-vjetorit të pavarësisë si provokim të ndjenjave të shqiptarëve. Në të vërtetë, që prej dhjetë vitesh nga kur ishte nënshkruar marrëveshja e Ohrit, kanë kaluar shumë kohë dhe janë ndërmarrë shumë pak hapa konkretë për ta ndryshuar jo vetëm mentalitetin e udhëheqësve maqedonas, por as kornizën ligjore në dobi të shtetit multietnik maqedonas. Partitë politike dhe shqiptarët në këtë vend, megjithëse përbëjnë një numër të konsiderueshëm, mbi 30 për qind të popullsisë, nuk kanë mundur të imponojnë një qëndrim ndryshe nga ai që u shfaq para tri ditësh në Shkup nga ana e kreut të qeverisë, Gruevski.
Është thënë e stërthënë se shkak i kësaj situate diskriminimi e injorimi të shqiptarëve nuk është vetëm qeveria e Shkupit, por edhe fragmentarizimi i subjekteve politike shqiptare. Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, para pak ditësh, në një prononcim për një gazetë maqedonase ka shënuar si arritje të suksesshme mbartjen e postit të ministrit të Mbrojtjes te një shqiptar. Por edhe pse ky është e mbetet një sukses i rëndësishëm, nuk ka mundur ta zgjidhë konfliktin etnik në këtë vend, konflikt i cili duket se mbartet në mentalitetin dhe psikologjinë e udhëheqësit politik kryesor, kryeministrit të vendit, Nikolla Gruevski. Në një vend demokratik nuk janë postet ato që përcaktojnë shkallën e demokracisë. Ndarja e përfaqësimi me poste qeveritare shënon thjesht minimumin e një standardi të caktuar, por për më keq akoma, mund të shërbejë si dekor në dobi të manipulimit dhe fshehjes të së vërtetës të diskriminimit dhe injorimit të faktorit shqiptar në Maqedoni. Në ish-Jugosllavi nuk kishin munguar ministrat shqiptarë në kabinetet serbe e jugosllave, madje dhe gjatë periudhës së para autonomisë së vitit 1974, por kjo nuk kishte mundur ta përmirësonte pozitën e shqiptarëve në këtë vend. Sllobodan Milosheviçi do të dëshironte të kishte shumë shqiptarë në qeverisjen e tij të kohës së luftës dhe kërcënimit me shfarosje të shqiptarëve etnikë në Kosovë. Ndërkaq, mund të besohet se ai e humbi luftën, sepse nuk mundi më të gjente qoftë dhe një aleat të vetëm në popullsinë dymilionëshe të shqiptarëve në këtë vend.
Nëse vëzhgojmë me vëmendje atë çfarë u paraqit javën e kaluar në Shkup, atëherë mund të vihen re disa paralelizma me atë që kishte ndodhur më 28 qershor 1989 në Fushë-Kosovë, kur kreu i Serbisë, Milosheviç, kishte manifestuar para një milion serbëve të transportuar prej Serbisë së sotme, me qëllim provokimin dhe imponimin e politikës së tij shfarosëse të shqiptarëve në Kosovë. Së paku mund të thuhet se Gruevski ka dëshmuar në Shkupin e para tri ditëve se ai e adhuron idenë e diktatorit serb dhe në stilin e tij ka provokuar ndjenjat e shqiptarëve në Maqedoni. Nëse Gruevski nuk është i kalibrit të Milosheviçit dhe nuk e ka forcën e tij për të vënë kontroll të plotë e për të imponuar politikat e diskriminimit ndaj shqiptarëve, atëherë kjo nuk ka të bëjë me vullnetin e formimin e tij politik nacionalist, por me vetë rrethanat e ndryshme, në të cilat ai vepron. Nga ana tjetër, në rastin e Shkupit ne shohim një reagim të zbutur të shqiptarëve dhe të komunitetit ndërkombëtar. Ndoshta kjo vjen si pasojë e mungesës së frikës para një invazioni etnik të maqedonasve në shtetin e Maqedonisë, frikë e cila shihet se nuk ekziston. Ndoshta llogaritet se Gruevski vetëm sa bën demagogji dhe vepron me metodat e Milosheviçit thjesht për të fituar kapital politik të brendshëm. Por kjo nuk do të thotë se veprimet e tij i kontribuojnë paqes e stabilitetit në këtë vend, aq më pak ardhmërisë së Maqedonisë si shtet multietnik.

Që Maqedonia nuk mund të jetojë ndryshe, veçse si shtet multietnik, është tashmë një opsion i parevokueshëm. Ndoshta udhëheqësit e tipit të Gruevskit nuk e kuptojnë erën e re në marrëdhëniet ndërkombëtare, si dhe epokën e globalizimit në të cilën të gjitha kombet janë të “dënuara” të bashkëjetojnë me njëri-tjetrin. Ndoshta ata besojnë se me metoda të tilla mund t’i shërbejnë një pjese të qytetarëve të vendit, qoftë kjo dhe shumicë. Por askush nuk beson se ndonjë politikan që predikon ndarjen dhe diskriminimin mund ta forcojë shtetin, përvjetorin e të cilit e feston me tamtame të mëdha e ndërkohë në mungesë të plotë të një elementi etnik imponues, siç janë shqiptarët në Maqedoni. Kur kthehesh pas dhe shikon ngjarjet e vitit 2001, mund të vesh re lehtësisht faktin se në atë konflikt shqiptarët ishin faktori kryesor imponues në zgjidhjen e krizës maqedonase. Dhe, nëse Gruevski kthen kokën e analizon atë çfarë ka ndodhur më 2001, ai nuk mund të jetë indiferent ndaj shpërfilljes që u ka bërë dhe u bën shqiptarëve në këtë vend. Nëse ai gjithashtu mendon se në një kohë pa limit mund t’i përçajë dhe sundojë shqiptarët e subjektet politike shqiptare në Maqedoni, edhe kjo llogari do të rezultojë e dështuar, thjesht për shkak se koha bën punën e saj.
Ndoshta Gruevskit i konvenon që ta shkatërrojë shtetin e Maqedonisë, pikërisht duke festuar kësisoj përvjetorin e 20-të të krijimit të tij. Pikërisht kjo strategji duhet t’i shqetësojë shqiptarët në këtë vend. Dhe për këtë arsye ata kanë mundësi që të imponojnë politika dhe strategjitë e forcimit të shtetit, të demokratizimit të tij, të implementimit të ligjeve të tilla, në të cilat shqiptarët të jenë juridikisht e kushtetutshmërish të barabartë me maqedonasit. Shqiptarët nuk kanë asnjë arsye të kërkojnë federalizimin e vendit, për çka është shumë i interesuar Gruevski e pasuesit e tij. Por ata kanë mundësi dhe arsye të besojnë se tani, pas dhjetë vitesh, ka ardhur moment i ndryshimeve kushtetuese të radhës, me të cilat mund e duhen vendosur mekanizma votimi e vendimmarrjeje, ku të sigurohet konsensusi i të dy etnive të cilat e përbëjnë Maqedoninë, shqiptarëve dhe maqedonasve. Kjo alternativë është e domosdoshme për çështjet kapitale të ndërtimit dhe funksionimit të shtetit, për përfaqësimin e vendimmarrjen në institucionet shtetërore, për imponimin e konsensusit në projektet e mëdha të zhvillimit e deri të hartimit të teksteve shkollore e akademike. Përdorimi i simboleve kombëtare dhe i gjuhës shqipe është vetëm ana formale e vendosjes së raporteve multietnike në Maqedoni, ndërsa ndryshimet përmbajtjesore kushtetuese, që sjellin konsensusin në vendimmarrje, janë dhe mbeten detyrimisht elementi themelor i bashkëjetesës së kombeve në këtë vend. Partitë politike shqiptare provokacionit të Gruevskit kanë mundësi dhe arsye t’i përgjigjen me implementimin e një filozofie politike gjithëpërfshirëse, me qëllim që shteti i Maqedonisë të mund të festojë edhe përvjetorë të tjerë, por jo më në modelin e festës të 20-vjetorit të tij.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi