Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Elida Buçpapaj: Heshtja shqiptare ndaj sjelljeve jodiplomatike të diplomatëve rusë

Shko poshtë

Elida Buçpapaj: Heshtja shqiptare ndaj sjelljeve jodiplomatike të diplomatëve rusë Empty Elida Buçpapaj: Heshtja shqiptare ndaj sjelljeve jodiplomatike të diplomatëve rusë

Mesazh nga Agim Gashi Tue Sep 20, 2011 10:55 pm


Elida Buçpapaj: Heshtja shqiptare ndaj sjelljeve jodiplomatike të diplomatëve rusë U1_ElidaBucpapaj
HESHTJA SHQIPTARE NDAJ SJELLJEVE JODIPLOMATIKE TË DIPLOMATËVE RUSË
Nga ELIDA BUÇPAPAJ
Gjatë javës që shkoi mbarë opinioni shqiptar ndoqi përmes ekranit të vogël dy skena të ekzekutuara njëra në Beograd dhe tjetra në Pallatin e Qelqtë në New York në një distancë kohore gati 24 orë larg njëra-tjetrës.
Në skenën e parë, gjatë forumit për sigurinë globale dhe krizën në Kosovë organizuar nga një think tank ku merrte pjesë presidenti serb Boris Tadiç dhe diplomatë perëndimorë, kemi parë se ambasadori rus Alexandër Konuzi në Beograd detyrohet të bojkotojë takimin pas reaksionit që shkaktoi retorika e fjalimit të tij, e cila të kujtonte tonet e kohës së Traktatit të Varshavës dhe Luftës të Ftohtë.
Diplomati rus Alexandër Konuzi gjatë takimit në fjalë tha se « Ne kemi të njëjtat interesa dhe ne do ta mbrojmë vendin tuaj, paçka se disa serbë duan që ta vendosin vendin e tyre nën influencën e Perëndimit », dhe ndërsa braktiste sallën kur një panelist serb i tha se « Rusia po bën përpjekje ta fusë Beogradin nën diktatin e Kremlinit » , Konuzi akuzoi NATO-n, KFOR-in dhe BE-në se po punonin kundër interesave të Serbisë, duke mos iu përmbajtur Rezolutës 1244, ndërsa lidërshipin serb e akuzoi se nuk po e mbronte territorin, duke iu referuar Kosovës si pjesë të Serbisë. Sulmi kundër NATO-s i Konuzit ishte nonsens pasi dihet se Rusia i është bashkangjitur që më 1994 programit të NATO-s të Partneritetit për Paqe, ndërsa prej 2002 është krijuar Këshilli NATO-Rusi për projekte të përbashkëta në çështjet e sigurisë.
Kur e shihje Konuzin, delirant gjatë një deklamacioni tipik ultranacionalist serb, nga ata që po përdorin ultrasit në veriun e Mitrovicës, të cilët në vend të fotografive të Sheshelit apo Milosheviçit, sot vendosin fotografinë e Putinit, të krijonte përshtypjen se diplomati rus nuk ishte esëll, ndërsa dehja e tij nuk ishte shkaktuar nga një Vodkë Gorbaçov, por nga një vodkë e kohës të stagnacionit të Brezhnjevit.
Skena e dytë u zhvillua në Pallatin e Qelqit në OKB, midis Ministrit të Jashtëm të Kosovës Enver Hoxhaj dhe Ambasadorit rus në OKB, ku ndërsa ministri Hoxhaj pas takimit të Këshillit të Sigurimit po bënte një deklaratë përpara gazetarëve, afrohet Vitali Churkin dhe i thotë me nervozizëm: « Nuk ke të drejtë të jesh aty dhe të flasësh pa prezencën e UNMIK-ut», ndërsa përgjigja e Hoxhaj: « I don't think so, let me speak » - « Nuk mendoj kështu, më lejoni të flas ». Dhe pastaj pamë të gjithë se posa e përfundon deklaratën, Ministri Hoxhaj drejtohet nga Churkin dhe i shtrin dorën, ndërsa diplomati rus pas kësaj reagon më i zbutur duke thënë se « respekton përfaqësuesit e Prishtinës dhe gjithmonë i dëgjon me vëmendje kur vijnë e flasin në OKB, por ata në ndërtesën e OKB-së nuk mund të flasin pa prezencën e UNMIK-ut, sepse, sipas tij, në OKB ka rregulla, duke justifikuar veprimin e tij se "Ishte thjesht këshillë miqësore. Nuk është se e grushtova zotin Hoxhaj", tha Churkin.
Në fakt, puna nuk kishte shkuar deri në grushtim, por qëndrimi i zotit Churkin ishte i paimagjinueshëm, i denjë ta cilësosh si skandaloz, pasi një diplomati karriere, si është ai, nuk i falen sjellje jodiplomatike si ajo me Ministrin e Jashtëm të Kosovës, i cili nga ana e tij, pasi shprehu qëndrimin e shtetit që përfaqëson shkoi dhe i shtrëngoi dorën përfaqësuesit të shtetit që e kundërshton pavarësinë e Kosovës, shtet pas të cilit tani trimërohet segmenti i ultranacionalistëve serbë të kohës të Milosheviçit.
Qendrimi i Churkinit ishte provokativ dhe jashtë çdo etike apo kodi të diplomacisë bashkëkohore, pasi liria e fjalës në fund të fundit është njëra prej lirive themelore të njeriut, ndërsa shteti i Kosovës është tashmë një realitet i pamohushëm, i paprekshëm, i patjetërsueshëm, dhe është vetëm çështje kohe kur Kosova do të ketë edhe ndejtësen e vet në OKB. Siç thotë edhe Vuk Drashkoviç se « Edhe pa njohjen formale, Kosova ekziston. Me diplomaci është e pamundur të kthehet sovraniteti mbi Kosovën, e humbur para 12 vitesh. Nëse do të tentonim me luftë, do të përjetonim një katastrofë nacionale. Duke vazhduar me politikë joreale dhe të parealizueshme do të humbnim edhe BE-në, do të ndodhte eksodi i serbëve nga Kosova, ndërsa Serbia sërish do të bëhej faktor trazirash i rajonit, rob i politikës tragjike të konfliktit me të gjithë», nëvizon Drashkoviç në një intervistë për gazetën « Veçernje Novosti», të cilën e ka botuar QIK.
Ky është realiteti dhe prej këndej duhet të rrjedhë vetë realpolitika, edhe për diplomatët e diplomacinë ruse, pasi të dyja sjelljet, edhe ajo e Kanuzit në Beograd, edhe ajo e Churkinit në OKB ishin të papërshtatëshme, si të kohës kur Hrushovi nxirrte këpucën dhe me të i binte tavolinës. Pra diçka thellësisht anakronike. Rusia duhet t'i afrohet SHBA dhe Perëndimit si aleat, si pjesë e Europës, jo me mentalitetin e vjetër të superfuqisë por me mentalitetin e ri si partner i SHBA dhe Europës. Natyrisht skenat që i pamë me sytë tanë lënë shumë për të dëshiruar.
Shumë për të dëshiruar la edhe mosreagimi i palës shqiptare, heshtja e diplomacisë shqiptare në Tiranë dhe shtetit të Kosovës, që u mjaftua me reagimin e Enver Hoxhajt, ndërsa Parlamenti i Kosovës dremiti dhe heshti ashtu si Tirana zyrtare, e cila nuk reagoi në asnjë nivel. As në nivel diplomatik, as në nivel shtetëror, në asnjë lloj niveli. Por heshtje të tilla nuk lidhen assesi me proverbat « Fjala e argjendtë, heshtja e artë » apo « Heshtja kapak floriri ».
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi