Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Prend Buzhala:Ese- FJALA POETIKE, KJO VAJZË E RRUZULLIT , - ne manifestimin poetik PEGAS ALBANIA,Prishtine 21 shtator 2011

Shko poshtë

Prend Buzhala:Ese- FJALA POETIKE, KJO VAJZË E RRUZULLIT , - ne manifestimin poetik PEGAS ALBANIA,Prishtine 21 shtator 2011 Empty Prend Buzhala:Ese- FJALA POETIKE, KJO VAJZË E RRUZULLIT , - ne manifestimin poetik PEGAS ALBANIA,Prishtine 21 shtator 2011

Mesazh nga Agim Gashi Mon Sep 26, 2011 6:47 pm

Ese:Libri, leximi, shoqëria


FJALA POETIKE, KJO VAJZË E RRUZULLIT

Prend Buzhala:Ese- FJALA POETIKE, KJO VAJZË E RRUZULLIT , - ne manifestimin poetik PEGAS ALBANIA,Prishtine 21 shtator 2011 274248_1599663696_28219507_n

Shkruan:PREND BUZHALA

A ka popuj pa poezi?
A ka popuj pa art!?


Poezia shkruhet në mijëra gjuhë... Por ajo ligjëron Në Një Gjuhë – në atë të SHPIRTIT NJERËZOR.
*****

Deri në kohën e luftës, në Kosovë, pothuajse, në të gjitha regjimet, qe krijuar një rreth armiqësor ndaj librit në përgjithësi, po edhe ndaj krijimtarisë letrare në veçanti, gjithsesi për shkaqe joletrare, për shkaqe politike, shtypëse e skllavëruese. Me kësi rrethi shtypës regjimet sllave e parasllave dhe regjimet komuniste, qenë sjellë edhe me vetë liritë kolektive të popujve e të qytetarëve përgjithësisht.

1. Kujtesa ndaj Fjalës së Shkruar

Në këso rrethanash, vetë krijuesit e përhapën dhe e dhuruan librin e tyre në mungesë të bibliotekave, që libri si medium publik t’u gjendet pranë dashamirëve të tij. Kurse biblioteka e libri shqip kishin fatin tragjik, ashtu sikundër e përjetoi vetë populli. Shumë ndër krijuesit e përjetuan gjenocidin sllav mu në palcë: shumëkujt iu dogjën bibliotekat, dorëshkrimet, si dhe vlera të rëndësishme e të pazëvendësueshme kulturore. Nuk është e habitshme, prandaj, pse një mbishkrim i lashtë egjiptian thotë: “Libri është më i vlefshëm se të gjitha përmendoret e skalitura në figura, sepse libri vetë ndërton përmendore në zemrën e atij që e lexon.” E krijuesi nuk heshti., duke botuar qindra libra letrarë e të tjerë.

Po sot, në kushte krejt tjetërfare, në kushtet e frymimit të lirisë, kur veprojnë qindra botues, kur botohen mijëra libra, kaq e kaq gazeta, kaq e kaq revista, media të shkruara e elektronike, bota e internetit dhe e teknologjisë moderne informative, çka mund të thotë botimi i një libri dhe çfarë do të thotë të merresh me krijimtari artistike? Krijuesit vetëm mund ta vazhdojnë misionin e vet të dikurshëm për kujdesin ndaj Fjalës së Shkruar, të Fjalës Artistike, këtyre “vajzave të rruzullit”, si shprehet një krijues anglez. Ashtu si dje që shfaqnin prirjen e vet kundruall politikës së ditës, me atë të drejtën e shenjtë që tjetrit t’i jepet e drejta të mendojë ndryshe, të veprojë ndryshe, të ndiejë ndryshe, të kuvendojë ndryshe, kundruall Një Mendimi, Një libri, Një doktrine, Një gazete, Një radiotelevizioni, Një partie, pra kundruall monizmit të jetës shoqërore, ashtu sikundër eshke sot shkrimtari mund ta bëjë këtë me fjalën e urtë e të mençur kundruall furive e dallgëve të fjalëve të zbrazëta e që nuk thonë asgjë. E kuptojmë se sot secili kërkon të flasë, secili kërkon të shkruajë, të botojë libër, secili kërkon ta ketë të drejtën e fjalës, po pak kush prej të gjithë këtyre ka se çka të thotë. Fatkeqësisht, edhe sot, sikundër konstaton dijetari amerikan, Hart Wagner, shoqëria bashkëkohore është shndërruar në një mjedis armiqësor ndaj librit: “Këtu lexuesi ndeshet me një shoqëri ku qëllimi më i lartë është të jesh i gëzuar, librat digjen pasi ata shkaktojnë pakënaqësi. Mbajtja e librave është e ndaluar. Edhe leximi, si të jetë një veprimtari armiqësore, është nxjerrë jashtë ligjit.”

Gjithnjë fjala është për ekranin televiziv, për shoqërinë e internetit që e mbërthen shikuesin pas vetes. Sa herë është thënë që djegia e librave shpie në djegien e njerëzve. Prandaj, nuk është çudë pse në një shoqëri ku dekadenca e leximit merr përmasa alarmante, ku kërkohet vdekja e leximit dhe vdekja e librit, të mos kërkohet edhe vrasja apo djegia e njerëzve. Kurse kultura është viktima e parë, si gjithnjë gjatë historisë, e kësaj mendësie e politike. Nëse shkrimtarët kanë qenë e janë gjithnjë ata lexuesit idealë e idealistë, të etur për dije e me besim për ta ndryshuar jetën, atëherë hapja e librit përbën një akt të shenjtë. E krijuesit asgjë më shumë nuk kërkojnë se sa që të respektohet ky akt i shenjtë.

Atëherë poezia thur shenjat e saj të përsiatjeve, bëhet më meditative, që, kundruall realitetit “objektiv”, çuditërisht e paradoksalisht, zhvishet nga metafora dhe nga përmasa e përjetimit. Porse Teodor Adorno do të thoshte: “ Përvoja artistike bëhet autonome vetëm atëherë kur e hedh poshtë përjetimin. Rruga që të shpie te kjo gjë, i bie nëpërmes mospërfilljes, kurse emancipimi i artit i shpërfill produktet pornografike, kënaqësitë boshe…por, nëse e heqim a nuk e pranojmë secilën gjurmë përjetimi e ndjesie, aty për aty do të na imponohet pyetja: atëherë përse përgjithësisht ekzistuaka vepra artistike? Në të vërtetë, në veprat artistike, do të dilte sikur aq më pak ta përjetojmë, aq më mirë e kuptojmë.”

2. Mosmarrëveshje në marrëdhëniet e komunikimit lexues-poezi

Është thënë: poezia mbushullon, por edhe kërkon të mbushullohet, është sendërtuese, porse kërkon edhe të sendërtohet. Prandaj, nuk ka se si të mos lindin konflikte e mosmarrëveshje në marrëdhëniet e komunikimit lexues-poezi. Sepse poezia sikur shkon kah një lexues i zgjedhur, sikur e kërkon këtë lexues elitar, tek i ka shpallur faqe botës elitizmin estetik, rrymat avangarde, moderne e postmoderne, intelektualizimin e këngës lirike, kurse hermetizmin poetik e ka shpallur si normë të sajën. Të mos harrojmë: hermetizmi i viteve ’70 e këndej u mor si “normë” letrare, duke i thurë edhe “format” e veta me diskursin e saj sugjestiv, alegorizues, asociativ, pikërisht për shkak të censurës ideologjike që ekzistonte këndej. Ndërkohë që e ruajti edhe sot elitizmin aristokratik të thënies. Sikur poezia ngadalë po heq dorë nga publiku e që përbën një fenomen socioletrar. Nëse lexuesi bashkëkohor ngreh shpesh akuza kundruall poezisë moderne për shkak të paqartësisë së saj, për shkak se folësi lirik kruspulloset, rrudhet e struket në vetvete, për shkak të reduktimit e të pakësimit të forcës së komunikimit poetik me lexuesin apo për shkak se kjo poezi nuk merr parasysh se kujt i drejtohet; atëherë është obligim i kritikut e i leximit kritik që ta qartësojnë këtë hermetizëm a paqartësi, t’i gjejnë e t’i përkufizojnë vetë burimet e qenësisë e të qeniesimit të aktit poetik, t’i zhdrivillojnë e t’i mënjanojnë mjegullnajat e bashkat e këtyre mjegullave nga konfuzionet dhe jo t’i mistifikojnë ato. Më saktësisht, ta veçojnë, ta vënë re, ta shquajnë e ta përdallojnë paqartësinë nga urtia e thellë, të pakuptueshmen nga të folurit përçart, diskursin e mençurisë së fshehur nga kalamburet boshe, apo shumësinë semantike nga ekzibicionizmi i pacak me figura poetike. Në “horizontet e pritjes a të receptimit”, leximi kritik merr parasysh atë trikotominë e njohur autori-vepra-lexuesi, apo, sikundër thuhet në teorinë tradicionale të kritikës: për të qenë urë midis lexuesit dhe veprës.

3. Koha shpirtërore

Kurse Koha qëndron brenda njeriut, brenda krijuesit; është një kohë shpirtërore ajo që reflektohet e thuret brenda poezisë.

Ani se gjuha hap e krijon mundësitë e zbërthimit të enigmave jetësore, të fshehtësive të rruzullit tokësor a të rruzullimit përgjithësisht, mundësitë e realizimit të qenies sonë si njeri, megjithatë “gjuha nuk është shifër, shkrim i shifruar” (.F. G. Jünger). Të paktën, poeti e fton lexuesin ta shijojë fjalën poetike, të marrë pjesë në kënaqësinë e leximit, “në kënaqësinë e gostisë së gjuhës” (R. Bart).

4. Kritika, Leximi i Lirë

Leximi nuk i do kufizimet, ashtu sikundër as intepretimit të një shkrimi letrar nuk mund t’i vihen kufij; letërsia në vete ngërthen shumësinë e leximeve. Te e fundit, a nuk e ngërthejnë edhe librat e shenjtë Leximin si një mjeshtri e prirje të kryehershme, që nga Libri i Shenjtë i Hebrenjve, Talmudi, apo, sikundër thuhet, që nga dija talmudiane mbi 49 shtresat e kuptimeve a semantike në secilin fragment të Torës; apo nuk ta sugjeron sistemin e kodeve të leximit, së fundmi, edhe leximi i yjeve që e bëjnë te një pikturë dy njerëz? Dhe kështu detyrohesh të reflektosh mbi fenomenologjinë e leximit e të intepretimit...

Vetë teksti e krijon Interpretuesin e vet, kurse kritika gjithnjë e gjithnjë gjendet në shoqëri me motrën e saj që i rri te koka në të gjitha vështirësitë, sikundër është Praktika e Leximit. Gjithsesi që kritiku është si ai princi i përrallës me mbretër, të cilit i duhet të kalojë sa e sa vështirësi e pengesa për të arritur te Hirushja e tij, në këtë rast, për të arritur te qenësia e veprës: në radhë të parë, për ta përcaktuar këtë qenësi si tekst letrar e mandej si zhanër a si tipologji letrare... së andejmi, për t'i nxjerrë esencat e artit e të vlerave estetike. E vlerat e kanë të tillë natyrën e tyre: ato më shumë përjetohen se sa që kuptohen. Kurse kritikut, nganjëherë i duhet që edhe kështu të përplaset me botën e esencave, nocioneve, t’i krijojë vetë ato, t'i nxjerrë thelbet e kësaj qenësie arti, t’i formësojë e formojë teoritë dhe interpretimet mbas leximit të veprës. Te e fundit, Leximi i Lirë, që e sugjeruam më sipër, i detyron kritikët që ta tejkalojnë kërkesën e romantikëve për kritikun letrar, i cili u dashka ta kuptojë tekstin më mirë se sa vetë shkrimtari. Edhe njëherë: mu ashtu si Princi i Përrallës që i duhet të jetë më i shkathti nga të tjerët, për të sugjeruar gjithnjë brigje të reja semantike. Dhe, në këtë drejtim, gjithnjë do të shtrohet dilema: a do të identifiokhet e shkrihet plotësisht në shembëlltyrën e tekstit e të autorit? Kritiku, apo vepra dhe autori do të shkrihen e identifikohen në Modelin e shkrimit interpretues e lexues të kritikut? Prandaj, a nuk është kritiku ai që krijon besim të ri në tekst, që krijon pra domethënie të reja, semantizime të reja të tekstit, të urtisë a të bregut tjetër; të shfaqë dushike, dilema e të çshenjtërojë kulte e diktatura; dhe, së këndejmi, prej lexuesve besnikë, përsëri të krijojë lexues laikë, heretikë të rinj, nga laikët të krijojë besnikë, nga besnikët heretikë.

Mendjet krijuese të mileniumit të tretë, duan medoemos ta gjejnë shtegun dhe zgjidhjen e fshehtësive të vetëdijes, të ndriçimit të impulseve krijuese, ta gjejnë kuptimin e jetës e të literaturës. E pra, të na thonë se cilat janë vlerat e vërteta, cila është Vetëdija për Tekstin. Kurse arti mbetet edhe tash një fshehtësi, një univers përplot enigma e labirinte të pafund, tek i ngërthen njato hieroglifet e moçme egjiptase të fshehtësive magjike të botës që na rrethon, të ëndrrave që na japin aq besim e premtime, të dashurisë që asnjëherë nuk jepet (nuk përulet), e të jetës që secilën herë e më shumë vetëm na merr e asgjë nuk na jep. Kritika gjithnjë vjen mbas veprës, ani se ngandonjëherë ajo edhe i prin me kontekstin kulturor e shoqëror të momentit, në të cilin ajo krijohet, shkruhet; ashtu sikundër do të thoshte Hegel: "Kjo është fryma e epokës, e farkuar nga mendimet". Prandaj, nuk është thënë më kot se secila kohë e madje, secili autor, e ka Buzukun e vet, De Radën a Naimit e vet, Fishtën, Lasgushin a Migjenin e vet. Porse, secili kritik e ka gjedhen e vet të leximit. Epoka Moderne kërkonte vetëm Leximin e Tekstit, kurse që nga Niçeja e këndej, kërkonte vetëm Interpretimin. Dhe, ta përkujtojmë;: edhe kritika letrare shkon përtej kësaj "vetëm lexim teksti a vetëm Interpretim", për deri sa estetika e repetimit na sugjeron kontekstet e përmendura, apo struktarlistë e autorë si Bart-i etj do të nxjerrin trikotominë Autori-Vepra-Lexuesi. Apo në mes Mençurisë dhe Kreacionit.

5. Ndërkmëbimi dije –art

Pse jo, edhe kritika letrare, kur autori i saj po ashtu nuk mund ta sqarojë këtë dehje të kthjelltë, sikundër thoshin urtakët e moçëm indas, pra nuk mund ta sqarojë këtë impuls a imprezë artistike që e ka grishur ta shkruajë veprën letrare a të bëjë libër. Ndërsa shtigjet e leximit dhe të jetës të shpiejnë në berigje gjithnjë të reja. E, megjithatë, sado që kritika akademike pikësynon Ligjërimin e pastër nocionor, shkencor, pa të folurit metaforik; nuk mund t’i ikën kërkesës dhe prirjes së kryehershme të kritikës për të qëndruar në mes krijimit dhe dijes; në mes artit dhe shkencës. Për këtë gjë ta dhurojnë idenë mu esetë e këtij libri që nuk merren drejtpërdrejt me një vepër. Teoritë bashkëkohore letrare, sikundër janë kritika dekonstruksioniste e Zhak Derridasë, teoria e leximit, kritika antitetike, Kritika e re amerikane, dijet strukturaliste letrare, teoria e Vejn Butit apo e Mejer Ebramsit për domosdoshmërinë e pluralitetit në studimin e letërsisë, nga njëra anë; apo sikundër janë teknikat e nduarnduarta kulturore, doracakët e rregullat e diskurseve, semantika e figurës apo logjika e mediave; ekonomia e nevojave apo koha e sotme, e shenjuar si kohë e arritjeve të jashtëzakonshme teknike, tendencash globalizuese që të kemi sa më pak dije e sa më shumë të bëhemi të unifikueshëm, për t'i bërë të njëjta a shumë të ngjashme gjërat krtejtësisht të ndryshme, për t'i bërë të njëtrajtshme; të barabarta, të njësojta... të gjitha këto kanë çuar në aventura të shumta e të panumërta të shkrimeve mbi kritikën e mbi leximin veprës letrare. Dhe ndërkmëbimi dije -art, mençuri-kreacion, sikur nuk pranë si Vetëdije për Tekstin: kështu, Leximi e Interpretimi si Dije shndërrohen në kreacion, metoda e përzgjedhur kritike e krijon objektin e vet, e krijon pra Artin e Vet, kurse Kreacioni ta dikton e ta shqipton Nocionin, Vepra artistike ta zbulon Metaforën e Intelektit, ashtu sikundër po e lexojmë si metaforë të tillë edhe titullin e këtij libri. Dhe të gjitha këto së bashku, pra, ashtu sikundër e theksuam më lart, e krijojnë Vetëdijen për Tekstin. Te kjo harmoni, Leximi si i tillë, na detyron të themi se Arti Kritik na ndihmon të ruhemi nga ngërçet, nga fanitjet dhe nga përhitjet teorike letrare, kurse Dija, Intelekti a Mençuria na ndihmojnë të mos humbasin tej kufijve të leximit a të Vetëdijes për Tekstin. Ndërsa kritiku ndeshet e ballafaqohet me të gjitha këto shumësi: kohe, dijesh, artesh, impulsesh.

Prend Buzhala:Ese- FJALA POETIKE, KJO VAJZË E RRUZULLIT , - ne manifestimin poetik PEGAS ALBANIA,Prishtine 21 shtator 2011 307859_2238058123175_1599663696_2242857_1172502751_n

Me poetin Nehat S. Hoxha - secili takim me te eshte art më vete, secila paraqitje e tij eshte art me vete...
Prend Buzhala:Ese- FJALA POETIKE, KJO VAJZË E RRUZULLIT , - ne manifestimin poetik PEGAS ALBANIA,Prishtine 21 shtator 2011 309256_2238409811967_1599663696_2243062_1779513204_n
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi