Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Mustafa Nano:NATO-n na e dhuruan, BE-në duhet ta fitojmë

Shko poshtë

Mustafa Nano:NATO-n na e dhuruan, BE-në duhet ta fitojmë Empty Mustafa Nano:NATO-n na e dhuruan, BE-në duhet ta fitojmë

Mesazh nga Agim Gashi Sat Apr 04, 2009 11:14 pm

Mustafa Nano:NATO-n na e dhuruan, BE-në duhet ta fitojmë Photo_22
NATO-n na e dhuruan, BE-në duhet ta fitojmë
Anëtarësimi në NATO - nuk duhet harruar kjo - na erdhi në radhë të parë e mbi të gjitha si një gjest "bujarie" nga ana e të mëdhenjve në ca koniunktura të caktuara ndërkombëtare e rajonale, ndërsa anëtarësimi në BE do të jetë një proces që e përjashton një "zemërgjerësi" të këtij lloji e të këtyre dozave.

Nga OpEd - Të Tjerë më 02.04.2009 në ora 14:01

Mustafa Nano

Shqiptarët e zakonshëm - të gjithë e dimë këtë gjë - nuk janë në gjendje të bëjnë arsyetime e konsiderata të stërholluara lidhur me çështje të politikës së jashtme. E, megjithatë, mbi 90% e banorëve të vendit të shqipeve kanë dëshiruar prej kohësh (dhe po e mirëpresin këto ditë) një prej zhvillimeve më interesante gjeostrategjike e gjeoushtarake në favor të atdheut të tyre, d.m.th. anëtarësimin në NATO. Në mënyrën më paradoksale e më fatlume, mungesa e dijeve dhe njohurive ka dhënë e ka nxitur (po legjitimon e po përshëndet gjithashtu) të njëjtin orientim e aspiratë gjeopolitike, që do të përcaktonin dhe dijet e njohuritë e plota të çështjes në fjalë. Është e qartë pra, se edhe arsyetimet më nazike të natyrës akademike do të çonin ujë në të njëjtin burim. Një vend si Shqipëria ka shumë qar e pakëz qeder (e ky qeder merr rëndom e kryesisht formën e një palo fature financiare, gjë që na bën të mos e përfillim fare) nga anëtarësimi në NATO. Një vend i madh e i rëndësishëm edhe mund të mos ketë arsye për të demonstruar shumë entuziazëm në një rrethanë të tillë, por Shqipëria nuk është as vend i madh, as i rëndësishëm; përveç kësaj, vende të tjera kompakte në pikëpamje etnike e religjioze dhe solide në pikëpamje të formimit të tyre historik e kombëtar edhe mund t‘i lejojnë vetes ndonjë naze apo vickël në rrugë e sipër drejt anëtarësimit në NATO, ndërsa shqiptarët, për arsye që kanë të bëjnë me energjitë e tyre nacionale ende të hapërdara, nuk mund t‘ia lejojnë vetes këtë luks.

Por, avantazhet e anëtarësimit në NATO nuk fillojnë e mbarojnë me përsiatje të kësaj natyre. Ka të mira të tjera kjo punë. Dhe e mira e parë ka lidhje me faktin që ne po bëhemi pjesë e klubit ushtarak më të fuqishëm të botës. Në terma më konkretë, kjo do të thotë se ushtarakisht Shqipëria bëhet po aq e mbrojtur dhe e sigurt, sa edhe një vend tjetër i së njëjtës organizatë, sidozot Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo do të thotë akoma që Shqipëria do të ketë tash e tutje një koeficient lëndueshmërie e cenueshmërie të barabartë me zero. Epo, të dashur miq, ky është një zhvillim epokal; Shqipëria, qysh nga momenti i krijimit të shtetit e deri disa vite më parë, ka fqinjëruar frikshëm me rrezikun e pushtimit e të copëtimit të vet të mëtejshëm. Tash e tutje ky rrezik nuk ekziston më; përkundrazi, ekzistojnë shanse të jashtëzakonshme të një afirmimi progresiv kombëtar, gjë që do të na bëjë më të zëshëm e më të begenisshëm në rajon e paksa më gjerë.

Më tej, nuk duhet të na dalë nga mendja që ky klub ushtarak është gjithashtu një klub demokratik. Kjo do të thotë se NATO është një aleancë mes vendeve më demokratike të botës. Dhe është gjë e bukur ta mendosh, që një nga këto vende është Shqipëria. Shqipëria është vend demokratik? - mund të ngrejë pyetjen ndonjë demokrat tepër qibar. Sigurisht, ne që jetojmë këtu e dimë fare mirë se Shqipëria nuk është një demokraci liberale, se në Shqipëri nuk ka rule of law, nuk ka institucione, nuk ka rregulla të lojës etj., etj., e megjithatë nuk ka arsye të shqetësohemi prej faktit që Shqipërisë i është dhënë badge-i i një vendi demokratik; nuk ka arsye të shqetësohemi, pasi ky anëtarësim, të paktën në teori - megjithëse ne shqiptarët s‘e kemi për gjë t‘i bëjmë karshillëk të gjitha teorive të botës - do të vërë vetvetiu në lëvizje ca skrupuj më shumë tek establishment-i politik; kjo do të sjellë një qasje të re ndaj rregullave, ndaj normave, ndaj ligjeve, ndaj institucioneve, ndaj kushtetutës etj. Në këtë kuptim, anëtarësimi në NATO, ndonëse nuk ngrihet mbi arritje demokratike, në fakt i nxit dhe i promovon arritje të këtij lloji. Ah, nëse nesër qëllon që - fjala vjen - të prishen zgjedhjet, kjo nuk do të thotë se anëtarësimi në NATO nuk ka fuqi të censurojë energjitë negative e vullnetet e këqija të politikanëve të një vendi; përkundrazi, kjo do të tregojë se një takëm politikanësh shqiptarë janë në gjendje të mundin çdo kontekst historik, jo vetëm duke dëmtuar veten, por edhe vendin. Të presim e të shohim! Me shpresën që të mos shohim asgjë të kësaj natyre.

E, në qoftë kështu, qari i këtij anëtarësimi do të preket ca më shumë prej shqiptarëve. Pas kësaj, Shqipëria do të shihet prej investitorëve të huaj si një vend që prodhon siguri për të tjerë e që garanton siguri për vete. Të jesh anëtare e Organizatës së Paktit të Atlantikut të Veriut do të thotë të kesh marrë një alamet patente të besueshmërisë në arenën ndërkombëtare. Afërmendsh, investitorët e rëndësishëm të botës nuk janë aq budallenj sa të kushtëzohen vetëm prej këtij fakti (ka edhe indikatorë të tjerë me peshë, mbi bazën e të cilëve vlerësohet fuqia ndjellëse e një vendi për kapitalin e huaj), por nuk mund të mohohet ama që anëtarësimi në NATO na nxjerr përfundimisht nga harta e zonave, ku bëhen luftëra, apo nga harta e zonave - kjo pak më pak - që pësojnë efektet e luftërave.
Dhe do të jetë ky anëtarësim që, i shoqëruar - me shpresë te Zoti - me zhvillime pozitive në oborrin tonë, do t‘i japë një ritëm të ri procesit të anëtarësimit në organizatën tjetër ndërkombëtare, në Bashkimin Evropian. Ky është objektivi i madh i shqiptarëve, për arritjen e të cilit do të duhet më shumë kohë e më shumë prova pjekurie. Anëtarësimi në NATO - nuk duhet harruar kjo - na erdhi në radhë të parë e mbi të gjitha si një gjest "bujarie" nga ana e të mëdhenjve në ca koniunktura të caktuara ndërkombëtare e rajonale, ndërsa anëtarësimi në BE do të jetë një proces që e përjashton një "zemërgjerësi" të këtij lloji e të këtyre dozave. Shkurt hesapi, anëtarësimi në NATO erdhi kaq shpejt edhe prej tekave të rrethanave ndërkombëtare, ndërsa anëtarësimin në BE do të duhet - në një masë shumë të madhe - ta fitojmë ne vetë. Dhe është e sigurt që ky anëtarësim nuk mund të fitohet në kushtet kur vendi drejtohet jo nga ligjet e nga institucionet, por nga ca klane e tribu, që këtej nga anët tona ne nuk e kemi për gjë t‘i quajmë partira.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi