Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Gorani: Ministri për veriun?!

Shko poshtë

Gorani: Ministri për veriun?! Empty Gorani: Ministri për veriun?!

Mesazh nga Agim Gashi Fri Oct 21, 2011 9:35 pm


Gorani: Ministri për veriun?!

Gorani: Ministri për veriun?! 440-gorani-21tKëshilltari i kryeministrit, Dukagjin Gorani

Një ministri për veriun - është kjo ide e lansuar nga këshilltari i kryeministrit, Dukagjin Gorani, për integrimin më të lehtë të veriut.

Interpretimi nga aspekti qeveritar i kërkesës së Komisionit Evropian për agjendën gjithëpërfshirëse për veriun, sipas Goranit, do të nënkuptonte krijimin e një ministrie të tillë, e cila do të duhej të ndihmonte në integrimin përmes mjeteve ekonomike e politike.

“Me definimin e veriut si çështje e një rëndësie të jashtëzakonshme në kontekstin praktik, kjo do të nënkuptonte përgatitjet për formimin e një ministrie. Nëse situata në veri interpretohet si çështje praktike dhe madhore, interpretimi i saj institucional shumë lehtë do të mund të nënkuptonte formimin e një ministrie”, tha Gorani.

Ai i bëri këto komente në një debat mbi agjendën gjithëpërfshirëse për veriun, të organizuar nga Grupi për Studime Politike dhe Ekonomike, si dhe Lëvizja Evropiane në Kosovë.

Në një studim që kanë bërë këto dy organizata thuhet se agjenda duhet të zbatohet pas një presioni ndaj Serbisë për të hequr dorë nga strukturat paralele.

Me shtruarjen e kërkesës për një agjendë të tillë nga Komisioni Evropian, këto organizata vlerësojnë se KE-ja njeh autoritetin e Kosovës që ta fusë nën kontroll veriun.

Në studim thuhet se KE-ja ka konfirmuar se Serbia nuk duhet të ketë ndonjë rol në Kosovën veriore. Në studim po ashtu sugjerohet se në veri duhet gjetur një udhëheqje e re, si dhe integrimi të bëhet përmes një strategjie ekonomike e politike.

Por, të gjitha këto nuk duket të jenë punë të lehta, në kohën kur në veri po vazhdon aksioni i KFOR-it për heqjen e barrikadave, të vendosura nga serbët.

Këshilltari i kryeministrit, Dukagjin Gorani, tha se tërë barra për veriun i ka rënë qeverisë dhe në këtë kuadër “nuk e ka mbështetjen as të opozitës dhe as të shoqërisë civile”.

Por, përfaqësues të shoqërisë civile për një peshë të tillë të përgjegjësisë fajësojnë vetë qeverinë që nuk ka qenë më transparente dhe e hapur në përfshirjen e të gjithëve në procesin për integrimin e veriut.

Ndërkohë, analisti Agron Bajrami, vetë agjendën e propozuar nga KE-ja, e sheh me skepticizëm.

“Nuk jam i bindur se kjo kërkesë, apo ky paragraf i shtruar nga Komisioni Evropian, me të cilin kërkohet një agjendë gjithëpërfshirëse për veriun, është në fakt një strategji e tyre për integrimin e veriut në shtetin e Kosovës. Më shumë mendoj se është një përpjekje për ta hedhur topin e përgjegjësisë në oborrin kosovar”.

“Me këtë dua të them se në momentin kur Qeveria pranon se duhet ta hartojë një plan të ri, ajo e merr përgjegjësinë jo vetëm për atë çka do të ndodhë tutje, por edhe për atë se çka ka ndodhur deri tash”, tha Bajrami.

Sipas analistit tjetër, Belul Beqaj, është dashur të shkojnë disa vjet që zyrtarët evropianë të kuptojnë se zgjidhja për veriun gjendet te Plani Ahtisari.

“Këta zotërinj të Bashkimit Evropian kanë filluar ta kuptojnë se Plani i Ahtisarit është zgjidhje më e mirë, sepse po thonë se duhet ta kemi një agjendë gjithëpërfshirëse, e Plani i Ahtisarit kemi thënë se është një plan gjithëpërfshirës”, u shpreh Beqaj.

Sido që të jetë, këshilltari i kryeministrit, Dukagjin Gorani, kërkoi nga opozita, e në veçanti nga shoqëria civile, që të mos bëjë presion mbi qeverinë për ndërmarrjen e aksioneve në veri.

Sipas tij, aksionet e forcës atje mund t’i kthehen bumerang shtetit të Kosovës.

“Aksioni i koordinuar policor ose i sektorit të sigurisë karshi këtyre strukturave, shumë lehtë rrezikon të interpretohet dhe të përdoret si aksion i dhunës shqiptare kundër popullit serb. Krejt ne e dimë se qëllimi i strukturave kriminale atje është që ta shohin policinë shqiptare duke i rrahur banorët serbë”.

“Kjo është një taktikë e thjeshtë ballkanike, që nganjëherë ka dhe nganjëherë nuk ka sukses. Qeveria e Kosovës nuk e ka ndërmend që shtetësinë e vet ta dëshmojë përmes demonstrimit të dhunës dhe forcës”, tha Gorani.

Komisioni Evropian ka kërkuar agjendën gjithëpërfshirëse për veriun gjatë publikimit të Raportit të Progresit për Kosovën, por, deri më tash, nuk janë bërë publike detaje se si do të mund të dukej një agjendë e tillë. (rel)
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi