Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Zëri i zemrës shqiptare: Vaçja jonë kombëtare mbush 70 vjeç

Shko poshtë

Zëri i zemrës shqiptare: Vaçja jonë kombëtare mbush 70 vjeç Empty Zëri i zemrës shqiptare: Vaçja jonë kombëtare mbush 70 vjeç

Mesazh nga Agim Gashi Wed Apr 08, 2009 12:21 am

Zëri i zemrës shqiptare: Vaçja jonë kombëtare mbush 70 vjeç





Zëri i zemrës shqiptare: Vaçja jonë kombëtare mbush 70 vjeç U1_Vace-Zela
Nderi i Kombit, Vaçe Zela


Ekskluzive


Zëri i zemrës shqiptare: Vaçja jonë kombëtare mbush 70 vjeç U1_VaceZela
Vaçja me bashkëshortin Pjetër dhe vajzën Irma
Zëri i zemrës shqiptare: Vaçja jonë kombëtare mbush 70 vjeç


Nga Alfred Papuçiu*


7 prill 2009, Vaçe Zela jonë kombëtare mbush 70-të vjeç. Atje në Bazel,
të Zvicrës larg Atdheut, pranë bashkëshortit dhe vajzës së saj që
kujdesen pandërprerë për të, ajo me kurajo përballon sëmundjen. Cdo
ditë, të afërm, bashkëkombas në Zvicër por edhe gjetiu në Diasporë,
Shqipëri, Kosovë e vise, interesohen për shëndetin e saj. Ajo
përgjigjet shpesh herë vetë në telefon, me zërin e saj të kulluar,
shpesh të ulët, për shkak të dobësisë që i ka shkaktuar sëmundja. Por
mbi të gjitha të bën përshtypje modestia e saj, vlerat e saj njerëzore
që ja ka transmetuar edhe të bijës Irmës, e cila është integruar në
shoqërinë zvicerane, duke dhënë ndihmesën e saj të çmuar. Irma ka
mbaruar Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Tiranës, në degën
statistikë, shkëlqyeshëm. Atëhere u emërua edhe pedagoge. Tani punon
në Institutin e Statistikave në Bazel dhe është një ekonomiste e
shquar. Përveç profesionit të nderuar që ushtron ajo ka shkruar edhe
poezi.


Le
të bëjmë një digresion që lidhet me familjen e Vaçe Zelës dhe modestinë
e saj. Bashkëshorti i saj Pjetër Rodiqi është një intelektual fisnik i
cili më tepër të flet për Vaçen dhe të bijën, megjithëse dhe vetë ka
dhënë një ndihmesë të çmuar për çështjen shqiptare, në fushën e tij të
dashur, përkthimit. Ai ka përkthyer nga gjermanishtja tre libra
dokumentarë e publiçistikë për Ballkanin, Shqipërinë dhe Kosovën,
botuar nga shtëpia botuese « Rozafa ». Libri « Shqipëria » ka për
autore Christine von Kohl. « Ballkani, faktor qëndrueshmërie apo
pështjellimi“ është shkruar po nga Christine von Kohl dhe bashkëshorti
i saj Wolfang Libal dhe libri i tretë është një vepër jo pak e njohur
për lexuesin shqiptar, i rëndësishëm për burimet që na jep një
albanolog si W. Von Hahn, me « Nëpër viset e Vardarit ». Libri «
Shqiptarët » shtjellon çështjen e identitetit kombëtar të shqiptarëve
që nga koha e pushtimit osman dhe më pas udhën e vështirë që ka kaluar
ky vend drejt modernitetit, megjithë kohën e humbur nën diktaturën e
E.Hoxhës.


Ndërsa
Vaçja kënaqet duke dëgjuar shpesh herë muzikën tonë kombëtare,
bashkëshorti i saj që i qëndron pranë gjithë kohën, me fisnikërinë e
tij të veçantë vazhdon punën e tij hulumtuese për të na dhënë vepra të
tjera. Vaçja jonë zemër artë dhe me zë të veçantë, është përfshirë në
librin e 500 personaliteteve me më tepër influencë në botë dhe është e
vetmja shqiptare që ka marrë këtë çmim nga Instituti i Biografive në
Amerikë. Ajo ka marrë shumë çmime dhe dekorata, por mbi të gjitha ndjen
kënaqësi të veçantë dhe shpreh mirënjohjen për kujdesin që tregohet nga
bashkëkombasit e saj dhe personalitetet e vendit së saj mëmë. Këtë vit
ajo është Personaliteti i vitit 2009.


Modestia
e saj shprehet edhe në kujtimet e saj të hershme: „Mbaj mend që,
prindërit e mi nuk donin të bëhesha artiste, kinse unë kisha lindur në
një familje ku kënga ishte ulur këmbëkryq, në shpirtin e të gjithëve »,
kujton Vaçja. « Nuk di si të shprehem, as kënga nuk ka ardhur tek unë,
as kam shkuar unë te kënga. Si të them, unë e kam ndjerë veten një me
këngën, kam qenë brenda saj. Linda në një familje ku, edhe po të doja,
nuk mund t’i ikja këngës »
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Zëri i zemrës shqiptare: Vaçja jonë kombëtare mbush 70 vjeç Empty Re: Zëri i zemrës shqiptare: Vaçja jonë kombëtare mbush 70 vjeç

Mesazh nga Agim Gashi Wed Apr 08, 2009 12:22 am


Zëri i zemrës shqiptare: Vaçja jonë kombëtare mbush 70 vjeç U1_1
Vaçja, Ana Oxa dhe e bija e Vaçes Irma
Megjithë
gjendjen shëndetësore jo të mirë aktualisht, ajo pranoi me kënaqësi të
japë një intervistë si kjo më poshtë për gazetën « Tirana Observer »,
apo edhe të tjera më parë, duke shprehur në të njëjtën kohë me modesti
se nuk ka bërë ndonjë gjë të madhe gjatë jetës së saj, vetëm ka dhënë
një mesazh modest nëpërmjet muzikës popullit të vet mirëdashës dhe
fisnik. Kjo modesti e ka karakterizuar dhe e karakterizon gjithmonë
Vaçen tonë kombëtare, çdo herë që flet me të. Një kujtim i bukur dhe
tepër domethënës për Vaçen tonë kombëtare është edhe monografia e As.
Prof. Nexhat A. Agolli me titull « Vaçe Zela…magjia e këngës shqiptare”
që kemi bindjen se do të pasohet nga të tjera. Më poshtë do të jepen
dhe disa vlerësime, pasi për mungesë vendi nuk mund të përfshihen këtu
me qindra fjalë - shprehje e mirënjohjes ndaj Vaçes sonë kombëtare, nga
bashkëkombas artistë, kompozitorë, shkrimtarë, personalitete të vendit
por edhe këngëdashës të huaj që kanë patur fatin ta dëgjojnë zërin e
saj kumbues dhe të ëmbël. Cdonjeri nga ne e ka për fat të veçantë kur
flet me të dhe ne të gjithë urojmë që Vaçe Zela të rrojë akoma edhe
disa dhjetëveçarë dhe ta kemi në gjirin tonë duke kënduar apo duke
shijuar qindra e qindra këngët e saj të pavdekëshme.


*Shkrimtar, publiçist, Gjenevë, më 5 prill 2009

***

Zëri i zemrës shqiptare: Vaçja jonë kombëtare mbush 70 vjeç U1_VaceZela1Koncerti-surprizë në 70-vjetorin e Vaçe Zelës

Nga Alma Mile - Gazeta Panorama, 6 Prill 2009


Shtëpia
është e mbushur plot njerëz. Irma, e bija shpesh e ngatërron zilen e
telefonit me të derës. Nuk ia merrte mendja se ndonëse jetojnë në një
vend të huaj, do të kishin kaq shumë vizita. Janë të shumtë ata që duan
të urojnë artisten e madhe në 70-vjetorin e lindjes. Dhe ajo është e
lumtur. Nuk e fsheh dot përmallimin, teksa njerëzit i shprehin
mirënjohjen për çka ajo ka dhënë për skenën dhe këngën shqiptare. Zëri
i dridhet teksa nxiton të thotë se është publiku dhe skena shqiptare,
që i kanë dhënë shumë asaj. Data 7 prill e vitit 1939, nuk ishte edhe
aq e zezë. Në ditën kur Italia fashiste pushtoi Shqipërinë, në Lushnje
do të lindte një artiste e madhe. Ajo do të bëhej zonja e skenës
shqiptare. Këngëtarja e madhe Vaçe Zela ka nesër ditëlindjen. Mbush
plot 70 vjeç. Edhe pse zakoni e do që urimet të jepen në datën e
caktuar, shumë dashamirës kanë nxituar që ta urojnë sa më parë. E prej
ditësh shtëpia e tyre në Zvicër pret e përcjell mysafirë. “Janë ditë
tepër të ngatërruara. Shtëpia është vazhdimisht me njerëz”, - thotë
Irma, vajza e këngëtares. Por gëzimi ishte i paimagjinueshëm kur në
shtëpinë e tyre mbërriti një grup vizitorësh nga Tirana, përfaqësues së
presidencës dhe Radio Televizionit Publik Shqiptar. Ata i përcollën
urimet nga të gjithë shqiptarët dhe i dorëzuan edhe disa dhurata nga
ana e Presidentit Shqiptar Bamir Topi dhe bashkëshortja e tij Teuta.
Një prej dhuratave ishte një mikrofon i larë në ar, i punuar
posaçërisht me këtë rast. Në pllakatin e tij shkruhej “Vaçe Zelës si
një grua, si një zë, si një mit. Nga Presidenti i Republikës, Bamir
Topi dhe Zonja e parë Teuta Topi”. Ndërsa dhurata e dytë ishte një
“letër” në formë papirusi e gdhendur në dru, ku shkruhej: “Perlës së
muzikës shqiptare nga të gjithë shqiptarët”. Gjithashtu e nënshkruar
nga Presidenti dhe zonja e parë. Ishte një surprizë e papërshkrueshme
për këngëtaren, e cila me duart që i dridhen mban në duar mikrofonin.
Ndoshta do të kishte dashur që të ishte një mikrofon i vërtetë e të
mund të përcillte edhe një herë zërin e saj të fuqishëm, tek gjithë
shqiptarët. Por emocioni e mbyt dhe e ka të vështirë ta shprehë me
fjalë gjithë çka ndjen. Por surpriza nuk ka mbaruar këtu. Ajo, e
vërteta është në Tiranë. Nesër, në Pallatin e Kongreseve, nën
patronazhin e Zonjës së Parë, Teuta Topi, zhvillohet një mbrëmje
“Gala”, për nder të këngëtares. “Vaçe Zela, një grua, një zë, një mit”,
titullohet koncerti, i pari i këtij lloji kushtuar këngëtares. Është
një staf i madh në numër, që prej një viti po punon për organizimin e
kësaj mbrëmjeje. Koordinatorja e këtij aktiviteti, Alma Hoti, thotë se
koncerti është konceptuar si një mbrëmje, ku këngët më të mira të
interpretuara nga Vaçe Zela, gërshetohen me kujtime kolegësh e miqsh.
“Është një nder i jashtëzakonshëm që na bëhet. Flas edhe në emrin e
Vaçes, jemi me të vërtetë shumë të gëzuar dhe të prekur”, - thotë
Pjetri, bashkëshorti i këngëtares.
Për mbrëmjen “Gala” janë
përzgjedhur 15 këngë, të cilat të orkestruara nga kompozitori dhe
orkestruesi Adrian Hila, vijnë përmes interpretimit të këngëtarëve të
njohur të skenës shqiptare, mes të cilëve janë Qemal Kërtusha, Myfarete
Laze, Irma dhe Eranda Libohova, Vikena Kamenica, Sidrit Bejleri,
Juliana Pasha, Endri dhe Stefi, etj. I ftuar special është këngëtari
nga Kosova Naim Krasniqi. Disa nga këngët që do të këndohen janë “Valsi
i lumturisë”, “Natën vonë”, “Mesnatë”, “Nënave shqiptare”, “Rrjedh në
këngë e ligjërime”, “Nuk e fshehim dashurinë”, “Flakë e borë”, etj. Në
respekt të këngëtares dhe të magjisë që ajo përcillte me zërin e saj,
të gjitha këngët do të këndohen live. Brenda karakterit të këngëtares,
skenografia është konceptuar e thjeshtë, pa butaforia. Në qendër do të
jetë një monitor gjigand, ku do të shfaqen pamje nga aktivitetet, ku ka
marrë pjesë Vaçe Zela, festivale, koncerte, intervista. Këto pamje do
të shoqërojnë brezin e ri të këngëtarëve, teksa sjellin në një variant
të ri, këngët e interpretuara nga artistja. Ky koncert mbështetet nga
Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Radio Televizioni
Publik Shqiptar, etj. Sipas koordinatores së projektit është parë një
gatishmëri e plotë nga të gjitha institucionet për të kontribuuar në
realizimin e kësaj mbrëmjeje. Për nder të këngëtares, viti 2009 është
shpallur nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, si
“Viti Vaçe Zela”.


E pazëvendësueshmja e skenës

U
zbulua rastësisht në moshë të re në Lushnjë, për t’u bërë më vonë zëri
i pazëvendësueshëm i këngës shqiptare. Pavarësisht kohës kur u kënduan,
këngët e saj mbeten popullore dhe ndër më të preferuarat nga publiku.
Për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore, u bënë vite që Vaçe Zela
e ka reduktuar në mënyrë dramatike aktivitetin muzikor. Megjithatë, ajo
mbetet ende e pazëvendësueshme në skenën shqiptare. Vaçe Zela ka marrë
pjesë në të gjitha festivalet e muzikës në radio dhe më vonë në Radio
Televizion Shqiptar, që prej organizimit të parë të tyre, në vitin 1962
dhe deri në vitin 1980, kur u largua nga skena si fituese e çmimit të
parë me këngën “Shoqet tona ilegale”. Prej vitesh jeton në Zvicër me
familjen e saj, bashkëshortin dhe të bijën. Ajo është nderuar me
Urdhrin “Nderi i Kombit” nga presidenti Alfred Moisiu.


Zela, 11 çmime të para në festival

Prej
vitit 1962, deri në vitin 1980, ajo fitoi 11 herë çmimin e Festivalit
të Këngës në RTSH. Ishte kënga “Fëmija e parë” me muzikë të Abdullah
Grimcit dhe tekst të Dionis Bubanit, që do t’i jepte të parin trofe
këngëtares Vaçe Zela, aso kohe 23 vjeçe. Por çmimet do të ndiqnin njëri
tjetrin. Në festivalin e dytë do të fitonte me këngën “Flakë e borë”,
në të tretin “Sot jam 20 vjeç”, në të pestin “Shqiponja e lirisë”, në
të gjashtin “Këngë për Shkurte Vatën”. Është nderuar gjithashtu, me
çmim të parë në një duet me Ramiz Kovaçin me këngën “Mësuesit hero”,
për të vijuar me këngët “Mesnatë”, “Gjurmët e arta”, “Nënë moj do pres
gërshetin”, “Gonxhe në pemën e lirisë” dhe “Shoqet tona ilegale” në
vitin 1980.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Zëri i zemrës shqiptare: Vaçja jonë kombëtare mbush 70 vjeç Empty Re: Zëri i zemrës shqiptare: Vaçja jonë kombëtare mbush 70 vjeç

Mesazh nga Agim Gashi Wed Apr 08, 2009 12:23 am

***

Zëri i zemrës shqiptare: Vaçja jonë kombëtare mbush 70 vjeç U1_7Vaçe Zela: Kam një dëshirë të marrë për skenën

Ikona e muzikës shqiptare flet për "Shqip"

Nga Oliverta Lila - Gazeta Shqip, 6 Prill 2009

E
mallëngjen çdo fjalë shqip që dëgjon përmes telefonit. Psherëtima që
ndihet e tradhton. Veçanërisht në ditë të shënuara të jetës. Në anën
tjetër të receptorit, Vaçe Zela përpiqet t‘i japë formë mendimit. Nesër
mbush plot 70 vjeçe. "Mos më ngacmoni se çfarë ndiej. E kam të pamundur
ta përshkruaj". Zëri i saj i butë, me një ton lutës, nuk e ka më forcën
që mbushte çdo cep të skenës. Nuk është e vështirë të kuptosh se
sëmundja e disa viteve, malli, emocioni që e çon deri në përlotje, janë
pjesë e këtij komunikimi telefonik. Legjenda e këngës shqiptare ka vite
që përvjetorët i feston larg në Zvicër, në shtëpinë e vajzës së saj.
Këto ditë, zilja e telefonit do të bjerë më shpesh. Urimet nuk mungojnë
asnjëherë nga Tirana. Ajo, simboli i gjallë i këngës, nuk harron të
thotë se i mungon gjithçka shqiptare. Udhëtimi drejt vendit të saj i
duket gjithnjë e më shumë një ëndërr. Që prej fillimit të vitit, në
Tiranë filloi të përflitej për një ardhje të mundshme të saj. Një
70-vjetor, një mall mbytës i këngëtares për t‘u kthyer dhe një dëshirë
e publikut për ta parë e ndjerë nga afër, do të ishin justifikime të
mjaftueshme për t‘i bërë sfidë sëmundjes. Por ndodh që ajo është edhe
më kokëfortë se vullneti i këngëtares. "Do të doja shumë të kisha
ardhur. Që para dy muajsh, së bashku me familjen e kishim menduar se do
të udhëtonim për në Tiranë. Dëshironim që këtë përvjetor ta festonim
aty, t‘i mblidhnim të gjithë njerëzit. Por gjendja ime shëndetësore
këto ditë është përkeqësuar dhe nuk mundem të vij", thotë me keqardhje
këngëtarja e njohur. Ndërsa ngushëllohet nga fakti se familjarët do të
udhëtojnë drejt Zvicrës, do t‘i bashkohen vajzës dhe bashkëshortit të
saj në këtë ditë gëzimi. Pranon se i kanë ardhur disa ftesa nga Tirana
për aktivitete që ishin menduar të organizoheshin në këtë përvjetor për
nder të saj. A do të doje ta festoje në Tiranë këtë përvjetor? Një
"ahhhhh" e stërgjatur nuk të lë vend për komente.


"Shumë"
- e shqiptuar nga e madhja Vaçe Zela i ngjan gati një dëshire
fëmijërore. "Unë kam kohë që mendoj të vij. Në këtë periudhë më kanë
ardhur edhe disa ftesa nga Tirana, por nuk u ktheva një përgjigje
përfundimtare. Gjithçka varej nga gjendja ime shëndetësore. Ndërsa tani
hoqëm dorë nga kjo ide", thotë Vaçe Zela, teksa merr frymë thellë.
Emocioni është "armiku" i saj. Ia gëlltit fjalët. Çfarë i mungon nga
Shqipëria? "I gjithë populli. Skena më mungon aq shumë". Me siguri që
mes pauzave të komunikimit fjalët turbullohen nga një valë kujtimesh.
Tashmë nuk mund të pretendohet që të marrë mikrofonin për nostalgjikët
e shumtë që e ndiqnin në çdo dalje në skenë. Ajo që mund të pritej
ishte vetëm një ngjitje simbolike e saj dhe një përshëndetje për
publikun, që e mbajnë si ikonën e këngës shqiptare. "Sa dëshirë do të
kisha të ngjitesha edhe njëherë në skenë. Por kjo është e kotë tani.
Janë dëshira të marra", psherëtin nga telefoni. Por me aq sa mundet e
ruan ende lidhjen me Shqipërinë. Ka shqiptarë që shkojnë e takojnë në
shtëpinë në Zvicër. Ndërsa televizioni është një dritare ku ajo
përjeton paksa ato që ndodhin në Shqipëri. Atmosfera e anëtarësimit në
NATO nuk i ka shpëtuar. "Sot (dje) jam e mrekulluar. Sa bukur ishte",
shprehet këngëtarja. E nëse e pyet se cilën nga këngët e saj do të
donte ta kishte si himn në 70-vjetorin e saj, nuk ndan asnjërën. "Çdo
këngë që kam kënduar", është përgjigjja. Vetë shprehet se tashmë dëgjon
shumë rrallë këngë shqiptare. Ajo që u bë këngëtarja më e dashur,
modeli i paarritshëm për aspirantët e rinj, do të lindte më 7 prill të
1939-ës në qytetin e Lushnjës. Talenti i saj do të spikaste që e vogël,
ku prezantohet në aktivitetet e ndryshme që organizoheshin në qytetin e
saj. Sa mall ndjen ajo për vendlindjen? "Mezi pres që ta shoh. Ta shoh
si është bërë, si ka ndryshuar". Prej këtij qyteti të vogël do të niste
rrugëtimi i saj. Skena e festivalit të këngës, ku shënon rreth 30
pjesëmarrje, do ta njihte si këngëtaren më të suksesshme. Çmime të
shumta do të vinin nga interpretimi në interpretim. Këngët "Çelu si
mimoza", "Djaloshi dhe shiu", "E dua vendin tim", "Ëndrra ime",
"Lemza", "Nënave shqiptare", "O diell i ri", "Sot mbusha 20 vjet", "Të
lumtur të dua", "Moj e bukura Shqipëri", e shumë të tjera do të mbeten
gjatë në kujtesë. Sot ato i dëgjojmë të risjella nga këngëtarët më të
rinj shqiptarë. Në këto raste përvjetorësh të kujtohen natyrshëm edhe
vlerësimet që i kanë shkuar këngëtares për kontributin e saj. "Artiste
e Merituar" në ‘73-in, "Artiste e Popullit" në ‘77-ën, "Mjeshtre e
madhe e punës", "Qytetare nderi e Lushnjës". Po në qytetin e lindjes,
kinoteatrit iu vu emri i saj dhe u ngrit një bust, ndërsa Presidenti
Moisiu i akordoi titullin "Nderi i Kombit", u shpall "Qytetare Nderi e
Qarkut të Fierit". Çmime i vijnë edhe nga jashtë territorit të
Shqipërisë. Vaçe Zela ka marrë "Diskun e Artë" nga Amerika për
kontribut në shoqëri në vitin ‘97, është zgjedhur gruaja e vitit
‘97-‘98 në Kembrixh të Anglisë, "Mikrofoni i Artë" nga Ministria e
Kulturës e Kosovës, "Çmimi i karrierës" e shumë të tjera. Ndërsa
Institutit Biografik Amerikan e rreshton në botimin e tij ndër 500
njerëzit më me influencë. Në 70-vjetorin e lindjes, Ministria e
Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, e ka shpallur një nga tri
personalitetet e vitit, së bashku me poetin Lasgush Poradeci dhe
skulptorin Odise Paskali. Viti 1991 do të shënonte ngjitjen e fundit në
skenë për të, pikërisht në Zvicër, në një koncert për shqiptarët që
jetonin atje. Këngët e saj, zëri i cilësuar brilant, gjenden e dëgjohen
me dëshirë edhe sot. Ajo ka vetëm dy fjalë për ta përshkruar se si e
bën të ndihet kjo gjë: "Jam e lumtur!"


***

Zëri i zemrës shqiptare: Vaçja jonë kombëtare mbush 70 vjeç U1_cmim2Jam më kosovare se askush tjetër

Nga Shaip Beqiri - Gazeta Bota Sot, 6 Prill 2009

Vaçe
Zela në 70-vjetorin e lindjes flet në një intervistë ekskluzive për
“Bota sot”, për dashurinë e saj ndaj këngës dhe ndaj Kosovës.

Pas
mëdyshjesh jo të vogla, të cilat ia diktonte gjendja e saj
shëndetësore, me të cilën përballet një kohë të gjatë, një ditë më tha
midis rënkimesh: Eja, të pres! Nuk e ndjeva gëzimin që e pritja. Ishte
një hutim që më doli së toku me mëdyshjen e papritur: mos e kisha
bezdisur dhe deshi të më hiqte qafe...


Sa
u përshëndeta me të pardje, m`u zhdavarit reja e çdo përfytyrimi
tjetër! Para meje mbeti e pastër fytyra e këngëtares së adhuruar, të
cilën e kisha ndjekur gjithmonë me pasion si askënd tjetër.


Ajo
shtrydh të gjitha forcat në vete që t`i përgjigjet kërkesës sime për
këtë bisedë të shkurtë. Ndërkaq unë përpiqem të kap sa më shumë mesazhe
të saj artikuluar me një kthjelltësi jo aq lehtë të përftuar. Në këtë
përpjekje na ndihmon shumë e bija e saj Irma me zellin për t`i dalë në
ndihmë të ëmës për çdo gjë. Pranë kemi edhe të zotin e shtëpisë, zotëri
Pjetër Rodiqin, i cili me krenari zë ngoje origjinën e familjes së tij
nga Janjeva.


Vaçja
nuk lë pa theksuar me ngashërim brengën e saj për sëmundjen që goditi
poetin e mikun e saj, Xhevahir Spahiun, para disa ditësh. Mirëpo
përnjëherë fytyrën ia kaplon një buzëqeshje për kumtin kurajoz që ka
marrë nga të afërmit e poetit për përmirësimin e gjendjes së tij.


Qe
një kohë të gjatë Vaçe Zela jeton në Basel të Zvicrës, ku është duke
bërë kurimin nga një sëmundje, e cila mjerisht ia ndërpreu këngën...
Por kënga e saj nuk do të shuhet kurrë. Vetë këngëtarja jonë lindi në
këngë dhe do të mbetet përgjithmonë piedestali më i lartë i këngës pa
mbarim. Pamundësinë për ta ngritur atë ende më lart, atje ku mund ta
shpurte sall fuqia e saj e jashtëzakonshme, tash e bën me diçka tjetër:
me buzëqeshjen e saj rrëzëlluese, si një diell që s`perëndon kurrë në
fytyrën e saj engjëllore.


Kënga ka qenë jeta ime

Bota sot: Keni një repertor të gjerë këngësh. I dëgjoni tash ato dhe si i përjetoni?

Zela:
Këngët e mia i dëgjoj tepër rrallë. Mund të dëgjoj një apo dy sosh në
një rast, por jo më shumë. Ato më mallëngjejnë, prekem shumë, sa s`mund
të përmbahem… Dhe kjo gjendje nuk i shkon situatës sime. Ndiej dhembje,
sepse kënga ka qenë jeta ime.


Bota sot: Kur keni kënduar për herë të fundit?

Zela:
Për herë të fundit kam kënduar në një turne nëpër Zvicër më 1991, të
cilin e kishte organizuar botuesi i gazetës “Rilindja”. Kemi qenë një
grup i vogël këngëtarësh.


Bota sot: Po në Kosovë?

Zela:
Në Kosovë kam qenë vetëm një herë më 1979. Ai ka qenë turneu më i bukur
në gjithë karrierën time. Mua nuk më caktonin për në Kosovë asnjëherë…
Herën e vetme shkova me Radiotelevizionin Shqiptar. Ishim pesë
këngëtarë dhe jemi shoqëruar nga Orkestra simfonike e Radiotelevizionit
të Prishtinës.



vijon
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Zëri i zemrës shqiptare: Vaçja jonë kombëtare mbush 70 vjeç Empty Re: Zëri i zemrës shqiptare: Vaçja jonë kombëtare mbush 70 vjeç

Mesazh nga Agim Gashi Wed Apr 08, 2009 12:24 am

Bota sot: Me cilët këngëtarë të Kosovës jeni takuar atëherë?

Zela: Me Nexhmije Pagarushën…

Bota sot: Për të parën herë e takonit atëherë ?

Zela: Po, për herë të parë takova Nexhmijen në Prishtinë.

Bota sot: Si e vlerësoni Nexhmijen dhe këngëtarët e tjerë të Kosovës ?

Zela:
Nexhmija është pikë imja e dobët. I kam ndier në shpirt gjithnjë këngët
e saj. Kosova ka pasur këngëtarë të talentuar të këngës së lehtë. Pas
Nexhmijes, më ka pëlqyer shumë edhe Bashkim Paçuku, një talent shumë i
madh, pastaj Shpresa Gashi dhe Shpresa Berisha.


Flamurin shqiptar e shpalosa për Kosovën

Bota sot: Çfarë ju ka mbetur tjetër në kujtesë nga Prishtina, Kosova?…

Zela:
Kemi qenë të vendosur në hotelin Grand. Ato ditë kanë qenë pjesa më e
lumtur e gjithë jetës sime. Kam kënduar në sallat më të famshme të
botës, që nga ato të Parisit e tutje, por shkëlqimin e sallave të
Kosovës dhe ngrohtësinë e atij publiku të mrekullueshëm nuk e kam hasur
kurrë. Aty kam përjetuar të shkallmoheshin dyert për t`i çelur udhë
këngës sime… Prishtina ishte diçka e veçantë. Ajo më dha një kënaqësi
që një artist tepër rrallë e përjeton në karrierën e vet. Asaj
kënaqësie, për të mos e lënë të plotë me tërë shkëlqimin e vet,
kujdeseshin t`i hidhnin ndonjë hije rojat që kishim me vete prej këndej
dhe ato që na ndiqnin hap më hap edhe prej andej…


Bota sot: Po tash, si e shihni Kosovën pa ato hije?…

Zela:
Oh! Kam ndjekur me ankth tërë dramën e madhe nëpër të cilën kaloi
Kosova. Ditën e lirisë së saj e kam pritur me gëzim të madh, sikundër
edhe kurorëzimin e atyre përpjekjeve me shpalljen e Pavarësisë së
Kosovës. Për ditën e 17 shkurtit të vitit të kaluar dua të ju rrëfej
një histori të shkurtër, e cila lidhet me vendlindjen time dhe Ditën e
Kosovës: Fëmijët e një shkolle të Lushnjës më kishin bërë një urim
nëpërmjet kartolinash para shtatë-tetë vjetësh, duke më dërguar me to
një flamur kombëtar. Për çdo 28 Nëntor atë flamur e shpalos këtu në
shtëpinë ku banojmë në Basel. Me këtë kremtim tashmë janë mësuar edhe
fqinjët tanë zviceranë, të cilët vijnë të na urojnë. Mirëpo, ata ishin
befasuar me shpalosjen e re që i bëmë flamurit para se të gdhinte 17
shkurti i vitit të kaluar. E qitëm flamurin që më dërguan vogëlushët e
vendlindjes sime për Ditën e Madhe të Kosovës. Edhe këtë herë erdhën
fqinjët tanë dhe kremtuan me ne. Ishte një gjë madhështore. Ah!
Kosova...


Shumëkush
më thoshte që e kisha nga Pjetri këtë ndjenjë të dashurisë kosovare…
Mua më është dukur vetja më tepër kosovare. Gjithnjë jam ndier më
kosovare se askush tjetër.


Bota
sot: Po Pjetrin ku e gjetët? Ta mori mendjen me bukuri apo me
kosovarizëm!… - e pyesim për të shoqin, në përpjekje për freskim të
bisedimit me të.


Zela: Me të dyja. Ka qenë i bukur dhe i mençur shumë…

Bota
sot: Ndërkaq ajo thërret të motrën, Florën, e cila ka ardhur në vizitë
nga Tirana, por nguron të hyjë brenda… E shfrytëzoj rastin të marr vesh
diçka më shumë për familjen e saj të mbetur në Shqipëri…


Zela:
Kam tre vëllezër dhe dy motra. Të gjithë jetojnë në Tiranë. Unë kam
qenë e lidhur shumë me familjen. Kam qenë më madhja dhe kam dashur
gjithnjë t`i kem pranë vetes edhe të tjerët. Kur kam ardhur në Tiranë
në fund të vjetëve `50, i kam marrë edhe ata me vete. Nuk mund të rrija
pa familje.


Bota sot: Si ia nisët këngës, kur ju lindi dashuria për lulet?

Zela:
Këngën e kam nisur shumë e vogël, kur isha nëntë vjeçe. Sa u rrita nisa
të merresha me lulet. Kam pasur një shtëpi shumë të varfër… Dhe çka nuk
kishte aty – jo brenda saj, por në kopsht. Gjithnjë mbillja, mbillja,
mbillja lule… Kështu kam vazhduar edhe në shtëpinë në Tiranë, edhe këtu
– në Zvicër.


***

Zëri i zemrës shqiptare: Vaçja jonë kombëtare mbush 70 vjeç U1_cmim1Gëzuar ditëlindjen Vaçe! Ne shqiptarët duam të rrosh më shumë se 100 vjeç.

Intervistë me Artisten e Popullit Vaçe Zela

Mendohet që presidenti Topi do të bëjë një dekorim special, a i vlerësoni këto dekorata që ju bëjnë personalitetet?

Natyrisht.
E kam të vështirë t’jua shpreh me fjalë, se ç’do të thotë kjo për mua.
Unë jam larguar prej skenës shqiptare gati një çerek shekulli më parë,
prandaj çdo vlerësim që më bëhet në këto kushte, merr një domethënie të
veçantë. Kjo më lumturon, madje është pak të them, dhe nuk e teproj
aspak se m’a shton jetën, në kuptimin e mirëfilltë të kësaj fjale : më
shton jetën. Dhe mua pra nuk më mbetet gjë tjetër veçse të ritheksoj me
sinqeritetin tim më të madh, nga thellësia e zemrës mirënjohëse. Mund
ta konsideroja një dukuri të çuditshme faktin që ndonëse kam marrë një
numër « të madh » vlerësimesh (po e them me modesti), megjithatë çdo
konsideratë e tillë shoqërohet gjithnjë me emocione të veçanta tek unë.
Veçanërisht tani në kushtet e sëmundjes, këto rriten me progresion
gjeometrik. Për shembull, vitin e kaluar, pikërisht presidenti Bamir
Topi, më uroi midis shumë të tjerëve për ditëlindjen. Këtë e vlerësoj
tepër dhe me mirënjohje të thellë.


A
jeni në dijeni që edhe brezi i ri e ka mësuar tashmë që këngëtarja më e
madhe e të gjitha kohërave për muzikën shqipe quhet Vaçe Zela?


Është
e vërtetë. Dhe kjo më lumturon. Përmes shtypit, për të cilin, nëpërmjet
Internetit, më vëne në dijeni bashkëshorti Pjetër dhe vajza Irma. e kam
ndjerë vërtetësinë e këtij pohimi. Megjithatë, shpresoj që të jetë
kështu si thoni ju, sepse këtu gjej, veç të tjerash, jo vetëm një
vlerësim të ndihmesës sime modeste, por edhe të dashurisë që kanë
njerëzit për vlerat e mirëfillta të motiveve muzikore që kanë frymëzuar
edhe kompozitorët e brezit tim. Gëzohem me gjithë shpirt për këtë.


Cili është pengu yt gjatë gjithë karrierës?

Nuk
jam në gjendje t’u jap një përgjigje të saktë për ato emocione që unë
kam përjetuar në skenën shqiptare dhe siç thashë edhe më lart, vazhdoj
të përjetoj dhe të ndjej edhe sot e kësaj dite, dashurinë dhe afërsinë
njerëzore që më dhurojnë vlerësimi, ndoshta edhe i tepruar, i arritjeve
të mija lëmin e këngës. Publiku shqiptar më kanë dhënë dhe s’rresht të
më japë emocione të pakrahasueshme, që vetëm bashkëkombasit kudo që
janë në Atdhe apo Diasporë, janë në gjendje t’i dhurojnë.


Cila është ajo këngë e re e muzikës shqipe që ju ka lënë mbresa?

Për
fat të keq, për shkak të gjëndjes sime jo të mirë shëndetsore, më duhet
të pohoj, për të qënë thellesisht e sinqertë, se të paktën gjatë
dhjetëvjeçarit të fundit nuk kam qënë në gjendje të ndjej në vazhdimësi
arritjet e muzikës së sotme shqipe.

Gazeta « Tirana Observer » 5 prill 2009


***

Zëri i zemrës shqiptare: Vaçja jonë kombëtare mbush 70 vjeç U1_8Mendime për Vaçe Zelën

«
Unë mund të them pa asnjë lëkundje se Vaçe Zela, si artiste e madhe,
hapi një epokë të re në të kënduarën e këngës shqiptare dhe u bë
nismëtare e një kulture moderne në këtë fushë. Ajo këngën e zgjoi dhe e
bëri një organizëm të gjallë, ku lëvizën e vibruan të gjitha molekulat
dhe celulat. Në këtë organizëm ajo nuk la asnjë pjesëz të fjetur dhe të
dremitur. Edhe lashtësinë e e këngëve popullore e afroi dhe e bëri të
sotme dhe moderne. Edhe krijimet e kompozitorëve i pasuroi dhe ua rriti
vlerat. Me mjeshtërinë e një këngëtareje të shquar ua rriti dëshirën
kompozitorëve për të krijuar këngë dhe ua nxiti zellin në një garë të
madhe artistike, ashtu siç hyjnë në garë vrapuesit në një stadium
madhështor »
Dritëro Agolli, shkrimtar


«
Vaçe Zela ishte një nga këngëtaret më në zë të gjysmës së dytë të
shekullit që shkoi,e cila pushtoi skenën shqiptare : fillimisht me
këngën popullore dhe, krahas saj, në vazhdimësi, edhe me këngën e
muzikës së lehtë. Në të dy këto zhanre muzikore, ajo arriti një kulm që
nuk do të shlyhet nga kujtesa artistike. Një yllësi që ndriçoi mendjen
muzikore shqiptare për afër dyzet vjet radhazi me zërin e saj aq të
ngrohtë e të gjithpushtetshëm. Dy zëra në kohë të ndryshme të fenomenit
Vaçe : në të parën, adoleshente dhe në të dytën, madhore. Mes tyre një
periudhë e gjatë, e shtrirë në kohë dhe në hapësirë mes dy caqeve nga
ku nisi dhe arriti zenithin këngëtarja jonë e shquar. Një lëvizje
drejtvizore, e pangjashme me atë të tokës rreth vetes dhe diellit, por
me një trajektore më të gjatë, do të thoja kozmike. Në kufijtë e kësaj
trajektoreje ne përjetuam zërin e saj të magjishëm.
As. Prof. Nexhat A. Agolli
Nga monografia e tij « Vaçe Zela…magjia e këngës shqiptare »


Kur
e pyetën kritiken Zana Shuteriqi për mendimin e shprehur prej saj që, e
konsideron Vaçe Zelën një Edith Piaf të këngës shqiptare, ajo u
përgjigj: „Natyrisht, unë kam patur parasysh këngëtaren franceze si
vlerë kombëtare që arriti me muzikën e lehtë të vendit të saj. Edhe sot
emri i saj përmendet si pikë referimi edhe pse kanë dalë këngëtarë të
rinj. Prandaj, duke parë te Vaçe Zela të njëjtën vlerë historike, si
fenomen artistik, dhe po atë glorifikim të personalitetit të saj, e kam
konsideruar këngëtaren tonë si një Edith Piaf të muzikës shqiptare“.
Zana Shuteriqi (nga monografia „Vaçe Zela…magjia e këngës shqiptare“)


«
Ishte fat, për ne njerëzit e artit, të kishim mes nesh një këngëtare si
Vaçe Zela, për vokalin e saj të shkëlqyeshëm në të gjithë komponentet.
Kishte një forcë të madhe interpretative që lidhje me shkallën e lartë
të frymëzimit artistik. Përdorte një mjeshtëri të veçantë të kënduari,
ku gjenin vend ngjyrime të shumta.
Këngëtarja e shquar ka kënduar më
së shumti me zë gjoksi. Si mezosoprano këndonte në dinamika të
ndryshme, shumë të larmishme, në « piano », « mezo forte » etj., simbas
tipit të këngëve që i shkonin vokalit të saj. Rëndësi i jepte edhe
gjestit (këtë ja kishte mësuar shkolla e dramës), sepse ky e afronte me
mjedisin, shikuesin në skenë, që ajo për asnjë çast nuk e nxirrte
jashtë fokusit të syrit të saj. Kishte një vesh muzikor të përsosur
(këngët, fillimisht, i ka mësuar me vesh)… Talenti- inteligjenca
muzikore dhe intuita- kur unë drejtoja këngën e saj më krijonin gjendje
emocionale (nuk më vjen zorr ta them) sa më drithërohej trupi ».
Ferdinand Deda, dirigjent


«
Kur Vaçja erdhi në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore u paraqit
si këngëtare e muzikës së lehtë. Gjithsesi, këngën popullore e kishte
për shpirt. Burimet dhe frymëzimin për këtë lloj kënge e pati nga
shtëpia, sidomos e ëma. Me zërin dhe muzikalitetin e saj, ajo tregoi
aftësi të rralla me disa këngë popullore të përpunuara nga unë në ato
vite. Vaçe Zela u dallua për interpretime dinjitoze, jo vetëm në këngët
e trevës myzeqare (popullore ose të përpunuara), por edhe më gjërë në
këngët toske, madje dhe në ato dibrane e shkodrane të cilat i ngriti në
nivele të larta artistike… Më këngët që këndoi, popullore dhe të
muzikës së lehtë, ajo krijoi stilin e vet, të cilin e imituan të tjerët
me kalimin e kohës. Mbeti gjithmonë një këngëtare e veçantë »
Prof. Tish Daija, kompozitor


«
Vaçe Zelën e kam patur mike të shtëpisë. Me sa duket la lidhi dëshira
për të kënduar. Prandaj edhe bashkëpunuam për arsyen e thjeshtë se
këngët e mija (të kompozuara) i pëlqenin, i shkonin natyrës së vokalit
të saj. Vaçja kishte një inteligjencë natyrale. Ia ka bërë « hyzmetin »
këngës, në të gjitha vështrimet. Dhe gjithmonë, ia ka arritur qëllimit.
Vaçja ishte edhe njeri i sakrificës. E vendosur në atë që kërkonte të
bënte. Madje, ishte kurajoze, trime. Për këto cilësi, çdo këngëtare
duhet t’ia ketë zili. Në shpirt ishte thellësisht humane, demokrate në
mendime. Edhe si njeri ishte e drejtë, e dashur. Me kontributin që i
solli këngës shqiptare, Vaçja mbeti një artiste e madhe, një patriote e
vërtetë“.
Avni Mula, Artist i Popullit

«Ecja
e saj në skenë, qëndrimi përpara mikrofonit të krijonin përshtypjen që
të gjitha qelizat e trupit të Vaçes ishin të veshura me të. Nga ky zë
kam marrë edhe unë, dhe është fat i madh për mua. Por mos të harrojmë
që « zëri Zela » ka transmetuar vokalin e mrekullueshëm të nënës Maja.
Nuk është se e bëmë me fjalë, unë të merresha me këngën popullore dhe
Vaçja me këngën e lehtë. Jo, aspak nuk ka ndodhur kështu. Ishte diçka
krejt spontane që u morëm secili me llojin e këngës që dëshironte. Në
qoftë se nuk do të ishte Vaçe Zla, nuk do të ekzistonte në muzikën
shqiptare mbiemri Zela. Gjithsesi, unë përpara saj isha një fije bari,
ajo mësuesja ime »

vijon
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Zëri i zemrës shqiptare: Vaçja jonë kombëtare mbush 70 vjeç Empty Re: Zëri i zemrës shqiptare: Vaçja jonë kombëtare mbush 70 vjeç

Mesazh nga Agim Gashi Wed Apr 08, 2009 12:25 am

Hysni Zela, këngëtar

«
Lushnja ishte dhe qyteti i të ardhurve, i të përndjekurve dhe i të
internuarëve. Po të perifrazonim Pol Elyarin (poetin francez) Lushnja u
bë kryeqyteti i dhimbjes. Në këtë mjedis të dhimbjes rritet edhe Vaçja.
Ajo me zërin e saj sikur u dha zë…të pazëve ! Ishte mahnitëse. U bë
Afërdita e muzikës shqiptare. Zëri i saj mund të quhet pjesë e lirisë
së munguar ».
Visar Zhiti, poet


«Vaçja
ishte një këngëtare me zë veçantë. Kjo veçanti kishte të bënte me
gjithë formimin biologjik e intelektual. Ishte autodidakte si
këngëtare, gjithsesi kërkesat që formulonte ndaj këngës, deri në
përcjelljen e zërit tek dëgjuesi, i superonte në mënyrë të shkëlqyer,
me inteligjencën e saj, e cila merrte udhë, fillimisht, nëpërmjet
intuitës. Ajo mund të mos dinte të thoshte se çfarë i mungonte
krijimit, se vendosja apo zhvendosja e kadencave s’ishin në vendin e
duhur, se metrika (poetike), meloritmika (muzikore) dhe dinamika e
përzgjedhur nuk ishin në rregull. Veç, gjithmonë i binte në shenjë.
Shijet e saj të natyrshme, shumë të kultivuara, edhe pse (fillimisht) i
shprehte me fjalë e terma joprofesionale, në thelb ishin objektive, më
se të sakta, të domosdoshme për ta bërë këngën estetikisht të arritur.
Në rast se realizoheshin këto kërkesa, ti (dëgjues) do të ishe i sigurt
për suksesin e këngës. Në të kundërt, Vaçja nuk pranonte të këndonte
këngën. Këtë përballje me këngëtaren e kam përjetuar edhe unë si
kompozitor. Sa herë që e dëgjoj këngën time „Mësuesit hero“, më del
përpara Vaçja, me kërkesat e saja tepër profesionale dhe them: „Ajo
kishte të drejtë“.
Limoz Dizdari, Artist i Merituar


***

Mbretëresha e këngës, Nderi i Kombit, Vaçe Zela feston 70-vjetorin e lindjes

Ah, sikur të vijë edhe Vaçja…


Nga Agron Sejamini

Ikin
vitet... Plot 70 vjeç mbush Vaçja më 7 prill. Do të festohet ditëlindja
e mbretëreshës së këngës, por... jo vetëm një ditë. 2009-a, është
shpallur viti i Vaçes. Një sërë veprimtarish parashikon projekti i
këtij manifestimi gjithëvjetor, i organizuar nën vëmendjen e Ministrisë
së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Një album me këngët më të
hershme të saj, është duke u përgatitur, Ansambli i Këngëve dhe Valleve
Popullore do të organizojë një koncert festiv, ku do të interpretohen
këngët që ka kënduar Vaçja...
-Por më e bukur dhe më e
madhërishme, do të jetë sikur të vijë vetë Vaçja, dëshiron kompozitori
Gazmend Mullahi, shef i Sektorit të Arteve, në këtë ministri.

hënën, Shoqata Atdhetare Kulturore "Vlaga", do të ulë në "Sofra e
Shpiragut" mbi 100 mysafirë për të gëzuar ditëlindjen e madhe, të bijës
së tyre myzeqare. Do të përshëndesë maestro Zhani Ciko, do të recitojë
Artistja e Popullit, Margarita Xhepa, do të këndojë e vallëzojë
Ansambli Folklorik "Shqiponja"...e me radhë, pjesë të tjera vijojnë.
Por...
- Vetëm prezenca e Vaçes atë ditë, do të na mjaftonte për ta festuar madhërishëm, thotë kryetari i kësaj shoqate, Todi Mile.
-
Ah, sikur të vijë Vaçe Zela... Dhjetra njerëz e ndalojnë në udhë këto
ditë Hysni Zelën. E urojnë përzemërsisht dhe më pas, si me gjysëm zëri,
i shprehin atë që shumë dëshirojnë:
- Ishallah! Mbase vjen Vaçja këto ditë...!
Por...
edhe kjo fotografi e hershme e Vaçes, sikur shpreh dëshpërimin e saj që
nuk mundet të jetë dot mes nesh. Gjendja e saj shëndetësore nuk lejon
që ajo të lërë për pak ditë Zvicrën dhe të vijë në Shqipërinë e saj të
dashur... Gjithsesi...Edhe 100 vjet të tjera Vaçe Zela! Gëzofsh shëndet
dhe ditë të lumtura!
I mjaftoi ai zë që i fali Perëndia. Nuk
kishte nevojë për shkollë, sepse edhe vetë të shkolluarit, e patën të
vështirë të dallonin një talent të lindur për të kënduar. Zëri i saj u
zbulua dhe u vlerësua, kur ajo ende nuk kishte shkuar në shkollë.
Kishte ikur të mbushte ujë dhe udhës këndonte për qejfin e vet. Por, ja
që kishte kënaqur tej mase, me atë zë kumbues edhe disa gra, që shkonin
drejt asaj çezme... E ndjeu shumë atë çast ledhatues. Nga ajo ditë,
filloi të ngrinte edhe pak më shumë zënë kur shkonte për ujë, e
dëshiruar për ta komplimentuar përsëri dikush tjetër. Të paktën sa u bë
për shkollë, kishte flakur tej ndrojtjen... Zëri i saj u duartrokit
fuqishëm edhe nga shokët dhe shoqet e klasës, e më pas të shkollës,
teksa e dëgjonin në aktivitete artistike. Mes këtyre të kënaqurve nga
zëri brilant i kësaj vogëlusheje, del një njeri me emrin Aleks Dani që
do ta merrte për dore dhe do ta çonte në Shtëpinë e Kulturës. Shumë
shpejt filloi të këndojë edhe pse krijoi bezdi për shtatlartësinë dhe
veshjen. Në një zdrukthari u porosit një stol ku ajo hipte për të
arritur mikrofonin. Ndërsa i sollën për të veshur një palë rroba grash,
duke i dhënë pamjen e një gruaje të vogël. Pa filluar këngën,
ndjeheshin edhe buzëqeshje, por kur përfundonte oshëtinin pëshpëritjet.
"Sa zë të bukur paska!" Duke qenë se më shumë po shkëlqente në këngë,
se sa në librat e shkollës, u mendua që shkolla më e përshtatshme për
të në vazhdim, do të ishte Liceu Artistik në Tiranë. Me atë valixhe
druri ku kishte futur rrobat dhe bashkë me to, ëndrrën se do të bëhej
diçka, niset për konkurim. Si për t'u bërë të paharruar anëtarët e atij
komisioni, dhanë vlerësim jo pozitiv për lushnjaren. - Edhe sikur të
jesh talent, nuk mund të bëhesh këngëtare pa mbushur të paktën 18 vjeç,
lëshoi sqarimin njëri prej tyre. Kthehet e plagosur shpirtërsiht pranë
familjes... Madje u gëzuan, pasi nuk deshën që ta largonin vajzën nga
shtëpia. Por, nuk e "pranoi" Lushnja! Dashamirës dhe njerëz që
vlerësonin dhe besonin te zëri i saj, nuk iu bindën vendimit të atij
komisioni. Mirë e kishin! Nuk mund të gabojë një qytet i tërë, kur për
vite e kishin mirëpritur dhe duartrokitur në sa e sa interpretime.
Ende, kur nuk kishte nxjerrë plaçkat nga valixhja e nisin përsëri në
Tiranë. Këtë radhë, jo për shkollë artistike, por për të vazhduar një
shkollë tjetër. Mjafton të ishte në atë qytet, ku nuk mungonte shansi
për t'u dëgjuar dhe inkurajuar ai zë. Rregjistrohet në gjimnazin "Qemal
Stafa" dhe pranohet të qëndrojë në konviktin e Shkollës "Pedagogjike".
Kaq ju desh lushnjares, se pastaj dinte ajo t'i tregonte Tiranës se
kush ishte Vaçe Zela. Fillimisht, gati gjithë kohën e lirë e kalonte me
kitarën e bindur se atë do ta kishte krahun e djathtë, në ndonjë nga
shfaqjet e ardhshme që në atë kohë, ishin me shumicë në kryeqytet.
Krahas këngëve të muzikës së lehtë, mësoi edhe disa spanjolle,
italiane, franceze e latinoamerikane. Shumë shpejt, ajo u bë e njohur
në rrethet artistike studentore dhe në disa koncerte që organizoheshin
çdo fundjave. Aq sa, kur kthehet në Lushnjë, pas mbarimit të gjimnazit,
emërohet mësuese muzike. Edhe ato që mbronin diplomë për këtë vend
pune, nuk mund ta arrinin për profesionalizëm gjimnazisten. Jo thjesht
për zërin kumbues, por edhe për metodikën dhe pasionin që të ngallte te
nxënësit, dashurinë për muzikën. Për pak kohë se ajo ishte vetë e
zhurritur pas kësaj dashurie. Ndaj guxon dhe befason, kur hedh idenë se
do të niset për herë të tretë, drejt Tiranës. Këtë radhë ia kishte
hedhur sytë Institutit të Lartë të Arteve. Por edhe këtu me konkurim do
të ishte njëlloj si në Lice. I kujtohej Liceu dhe i hynin mornica në
trup. Ndaj, shmanget "pak" dhe konkuron për aktore. As ëndërr dhe as
talent kishte për dramaturgjinë, por deshte t'i jepte fund "dramës" së
fatit të saj. Nga Lushnja vinte, por Tirana e njihte si këngëtare. Ndaj
nuk u çudit komisioni kur ajo u paraqit me kitarë. Madje, edhe ata i
dëshironin këto minuta relaksi, duke harruar ta pyesnin për ndonjë
etyd, recitim, monolog a pjesë dramë. Gabimin e dikurshëm të komisionit
të kantos në Lice, e korigjon tani komisioni i dramës në Institutin e
Arteve. Vaçja pranohet studente për dramë... Të paktën, këtu nuk mundi
ta bëjë askush fajtore, pse nuk ishte studente e rregullt dhe e dalluar
në mësime. Ajo rifilloi të duartrokitet edhe më fuqishëm sa herë vihej
para mikrofonit. Tashmë, ftesat për ta patur pjesë të repertorit
artistik i vinin nga shumë institucione artistike. Zëri i saj, i
plotësuar me shumë elementë të tjerë, po e bënin një nga këngëtaret më
të denja të skenës shqiptare. Kur ishte në gjysmën e vitit të tretë,
për këngën, braktis studimet. Mbase nuk i duhej më shumë dramaturgjia.
Tashmë, jo në personazhin dramatik, por si këngëtare e motivuar për të
dhënë copëza ngjarjesh lirike dhe epike, meditime pafund për jetën, të
përcjella me botën e saj shpirtërore... Kështu në fillim të vitit 1962,
emërohet këngëtare profesioniste pranë Estradës së Ushtarit. As që i
kishte dalë ndonjëherë në ëndërr kjo që ndodhi në jetën e saj. Ndaj u
josh dhe u motivua aq shumë. Tre-katër shfaqje në javë jepte kjo trupë,
ku vendin kryesor e zinte humori. Por, më shumë se skeçeve dhe
parodive, shikuesit i gëzoheshin këngës që interpretonte Vaçe Zela.
Adresa ishte Estrada e Ushtrisë, pasi kishte filluar t'i përkiste dhe
pëlqente gjithë Shqipërisë. Këngët që ajo këndonte dëgjoheshin dhe
dëshiroheshin shumë. "Në një arë, në një lëndinë", "Doli ylli që me
natë" apo këngët e muzikës së lehtë: "Fëmija i parë", "Lemza",
"Djaloshi dhe shiu", "Ndritni ju llampa neoni", "S'di të vallëzoj",
"Valsi i lumturisë"... e detyruan Estradën e Shtetit që të bënte pjesë
të saj, këngëtaren Vaçe Zela. Janë vitet '59-'62, ku kampi socialist
ndjen një frymë pak më të lirë artistike, kaq e dëshiruar nga
shqiptarët e ndrydhur. Vaçe Zela ishte një nga promotorët e atij
ndryshimi së bashku me formacionin orkestral që e shoqëroi. Ndërtimi
dhe tingëllimi i kësaj orkestre kishte karakter frymor. Kjo bënte të
mundur që instrumentistët, sidomos ata të saksit, trompës, trombonit,
pianofortit, baterisë, të dilnin në role të veçantë, në funksion të
zhvillimit melodik e harmonik gjatë shoqërimit të këngëtarit. Kështu,
elementët teknikë dhe estetikë rinovues vinin nga të dy palët, nga
këngëtarja dhe orkestra. Nga artdashësit dhe specialistët, u ndje gjatë
kësaj kohe, se Vaçe Zela kishte hipur ose ishte drejt fronit të
Mbretëreshës së këngës së lehtë shqiptare...
Si e tillë, u
duartrokit dhe u vlerësua edhe kur interpretoi në skenat e botës. Me
zërin e saj dhe këngën shqiptare entuziazmoi edhe publikun grek. Gjatë
një shfaqje në sallë ndodhej edhe mbretëresha e tyre, Marinela.
Këndonte Vaçe Zela dhe nuk rreshtëte së duartrokituri Marinela. Dhe u
kthye në statujë, kur Vaçja pas këngëve shqiptare, filloi të këndojë
këngën e saj "Cavallo di bataglia". Nuk po merrej vesh nëse e pushtoi
xhelozia, cmira apo kënaqësia?! "U zgjua" kur mbaroi shkëlqimi i Vaçes.
Çohet me një tufë lulesh ndër duar dhe hypën në skenë, duke përqafuar
mbretëreshën shqiptare, nën atë lumë ovacionesh të një salle që ishte
ngritur e gjitha në këmbë. Po pse vetëm me kaq do të shuhej ai emocion?
Të nesërmen, Marinela shtron një darkë për nder të Ansamblit
shqiptar...
Vaçe Zela, ka çuar peshë Pallatin e Ssportit në
Milano, mbase si në asnjë ndeshje sportive. Vetëm me një këngë. Me
"Firence stanotte". Nuk u besonte syve dhe veshëve, ai publik i rritur
me këngë dhe këngëtarët e vet që sundonin botën, se një këngëtare
shqiptare do të shpaloste po aq bukur sa perlat shqiptare, edhe këngën
italiane. Vokali i bukur dhe i pasur i shpalosur me delikatesë lotoi
një publik të tërë... Por edhe atëhere kur harronte vargjet nuk
braktisej nga publiku mbretëresha jonë. Gjatë një turneu në Norvegji,
drejtuesit kërkuan që të këndohej edhe një këngë norvegjeze, që ishte
shumë e njohur. Pas tri orësh fillonte koncerti. Falë aftësisë dhe
mjeshtërisë së saj, gjithçka shkoi mirë gjatë përgatitjes. Ngjitet në
skenë dhe norvegjezët befasohen kur këngëtarja e madhe shqiptare nis të
interpretojë këngën e tyre më të dashur... Mirëpo... në mes të këngës
Vaçja harron tekstin. E zënë si në faj, nguroset nga sikleti. Si të
ishte dhënë komandë, të tre mijë spektatorët, çohen në këmbë dhe
vazhdojnë këngën, atje ku e la Vaçja. Emocione dhe sukses mbase edhe më
i madh se të mos kishte ndodhur harresa.
Ja pse, u bë aq e dashur
për shqiptarët e madhja Vaçe Zela. Sepse, diti të këndojë aq bukur dhe
të përfaqësojë aq denjësisht këngën shqiptare. Ndaj dhe i vendosi mbi
krye titullin e merituar "Nderi i Kombit" mbretëreshës së këngës
shqiptare... Ashtu siç e ka në zemër, ndaj dëshironte shumë ta kishte
edhe para syve në këtë gëzim të ditëlindjes së saj. Edhe 100 vjet
shëndet dhe lumturi, paç Vaçe Zela!



vijon
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Zëri i zemrës shqiptare: Vaçja jonë kombëtare mbush 70 vjeç Empty Re: Zëri i zemrës shqiptare: Vaçja jonë kombëtare mbush 70 vjeç

Mesazh nga Agim Gashi Wed Apr 08, 2009 12:26 am

***

Vlerësime për Nderin e Kombit, Vaçe Zelën

Avni Mula, Artist i Popullit
Vaçja
kishte një inteligjencë natyrale. Ia ka bërë "hyzmetin" këngës, në të
gjitha vështrimet. Dhe, gjithmonë ia ka arritur qëllimit. Vaçja ishte
edhe njeri i sakrificës. E vendosur në atë që kërkonte të bënte. Madje,
ishte kurajoze, trime. Për këto cilësi çdo këngëtare duhet t'ia ketë
zili. Në shpirt ishte thellësisht humane, demokrate në mendime. Edhe si
njeri ishte e drejtë, e dashur. Me kontributin që i solli këngës
shqiptare, Vaçja mbeti një artiste e madhe, një patriote e vërtetë".


Tish Daija, Artist i Popullit
Ishte
tepër skrupuloze. Përzgjedhjen e këngës e ngriti në kult, përtej të
zakonshmes, në mënyrë që t'i jepte mundësi zërit dhe vetes për
interpretime të shkëlqyera. Kur ndonjë këngë s'i përshtatej sadopak
natyrës së zërit të saj, ajo e braktiste. Zërin, këngën (si karakter)
ajo i shihte të lidhura ngushtë mes tyre...
Vaçe Zela ka pasur një
vokal të shkëlqyer. Ngjyrimet e zërit i ka përftuar në maksimum. I ka
përdorur me inteligjencë të gjitha veçoritë e zërit, duke i vënë në
veprim kur dhe si duhet, me vibrime të shkëlqyera: në portament,
glisando, melizmat, kantilenën dhe lëvizjet kolorature. Me këngët që
këndoi, popullore dhe të muzikës së lehtë, ajo krijoi stilin e vet, të
cilin e imituan të tjerët me kalimin e kohës. Mbeti gjithmonë një
këngëtare e veçantë".


Pavlina Nikaj, këngëtare
"Vaçja
kishte një vokal të përsosur, për rrjedhojë edhe një interpretim të
veçantë, perfekt, të cilin e vishte me një botë të madhe emocionale. Në
axhendën e saj kishte një repertor të pasur, madje të larmishëm, që
mund t'ia kishte zili çdo këngëtare: këngë popullore, këngë të muzikës
së lehtë, këngë partizane; ka kënduar baladën, romancën, në fillimet
saj edhe këngën e huaj. Dhe, në të gjitha këto është treguar një
mjeshtre e vërtetë. Si njeri, Vaçja ishte e dashur, vlerësuese
përkundrejt simotrave të saja këngëtare, të cilat i respektonte. Si
këngëtare ajo arriti një kulm. Për të gjitha këto cilësi, unë, si
këngëtare e kam adhuruar Vaçen".


***


Këngë të interpretuara nga Vaçe Zela

1. Rrjedh në këngë e ligjërime
2. Ku po shkon o partizan
3. Manushaqja
4. Ti që ke në sy lirinë
5. Mirëmëngjes
6. Një zambak i bardhë në gur
7. Këngë për Selam Salarinë
8. Valsi i lumturisë
9. Mall për mëmëdhenë
10. Këndoj
11. Marshojmë fitimtarë
12. Nënë moj do pres gërshetin
13. Trëndelinë
14. Motive
15. Dëshmorët e Pojskës (përp.)
16. Flakë e borë
17. Natën vonë
18. Doli ylli që me natë (Përp)
19. Sot këndoj
20. Kënga e krushqve
21. Me lule të bukura
22. Erë pranverore
23. Lulëkuqja
24. Jeho
25. Të lumtur të dua
26. Shqiponjë e lirë
27. Këngë e re
28. Për ty
29. Kur bie fyelli e çiftelia
30. Djaloshi dhe shiu
31. Gjyshes
32. Ylli partizan
33. Lemza
34. Këngë për aviatorin
35. Gonxhe në pemën e lirisë
36. Rrjedh në këngë e ligjërime
37. Mësuesit Hero
38. Këngë për Misto Mamen
39. Nuk është lodër dashuria
40. Çelu si mimoza
41. Sot jam njëzet vjeç
42. Fqinja
43. O diell i ri
44. Rritëm jetën tonë
45. Në shtëpinë tonë
46. Lule Shqipëri
47. Për liri s'të fal shqiptari
48. Nuk e fshehim dashurinë
49. Qeshu rini
50. Shokët
51. Lumi Ebro
52. Fëmija e parë
53. Kur jam pranë teje
54. Endrra ime
55. Endëses
56. Mes lulesh
57. Nusja e lirisë
58. Si agimi i kuq
59. Dita ditën me këngë e zgjon
60. Brezi im
61. Këngë për Shkurte Vatën
62. Mesnatë
63. Këngët e vendit tim
64. Dashuria
65. Gjurmë të arta
66. E dua vendin tim
67. Gëzon Malësia
68. Shoqet tona ilegale
69. Pushkë e zemër
70. Dritaren kërkoj
71. Jetë na dhuruat
72. E bukura More
73. Trëndelinë
74. Zunë fushat të lulëzojnë
75. Qeshu Myzeqe
76. Blegërin delja
Këngë partizane
77. Kënga e Azem Zenelit
78. Shqiponjat partizane
79. Ato maja rripa rripa
80. Marshi partizan
81. Dëshmorët e Pojskës
82. Partizani vogël
83. Dalngadalë po vjen behari
84. Kënga e Emin Durakut
Këngë të huaja
85. Firence stanotte sei bella
86. Chamino
87. Sei stato il primo amore
88. Suona, suona mia chitara
89. Granada
90. Malagenja
91. Antonio Vargas Serena
92. Esperanto
93. O violina cigana
94. Retiën la nuit
95. Gjinkalla (ruse)
96. Na u prish karroca (rumune)
97. Gjithë bota je ti (greke)


Marrë nga gazeta « Rilindja Demokratike » për ZSH A.Dalini

***


Vaçe Zela : koncert gala për 70 vjetorin e lindjes së saj

Qendra
Kulturore “Tirana“ në axhendën e saj artistike, koncert madhështor në
Pallatin e Kongreseve për legjendën e muzikës shqiptare


Legjenda
e muzikës së lehtë shqiptare, Vaçe Zela do të nderohet në 70-vjetorin e
saj me një koncert gala. Ky koncert është cilësuar si një prej
evenimenteve më të rëndësishme që do të zhvillojë Qendra Kulturore
“Tirana”, i cili do të mbledhë rreth tij dhe shumë artistë emra të
njohur të artit shqiptar. Koncerti që është menduar të realizohet në
datën 7 prill, në ditën e ditëlindjes së saj do të zhvillohet në
Pallatin e Kongreseve. Drejtori i këtij institucioni Kiço Londo është
shprehur se ky është një prej projekteve më interesante të qendrës së
metropolit, veçanërisht momenti i sjelljes në Tiranë të këngëtares së
mirënjohur të muzikës së lehtë shqiptare, Vaçe Zela. Megjithatë për
këtë gjithçka varet nga kushtet shëndetësore të këngëtares. “Në kuadër
të këtij aktiviteti, ne kemi programuar që të organizojmë një koncert
të madh në Pallatin e Kongreseve, si dhe disa aktivitete për figurën
dhe vlerat e saj në televizione, me këngë të Zelës nga artistë të
njohur shqiptar”, është shprehur drejtori Londo për koncertin që pritet
për këngëtaren e madhe. Ndërsa këngëtari Kozma Dushi tregon se
këngëtarja Vaçe Zela ishte një zë i madh në muzikën shqiptare. Sipas
tij, ajo është udhërrëfyesja e këngës së lehtë shqiptare.“Ajo është
këngëtarja më e madhe deri më sot e vendit tonë dhe e shqiptarëve, kudo
që janë. Ajo është udhërrëfyesja e këngës shqiptare të muzikës së lehtë
dhe asaj popullore por më shumë Vaçe Zela është simbol, ikona e muzikës
së lehtë shqiptare. Mbaj mend shumë këngë të bukura nga Vaçe Zela. Mbaj
mend këngën “Fëmija i parë”, apo në Festivalin e11-të “Natën vonë”.
Kënga u prit shumë bukur. Në natën e tretë në finale me këngën e saj
ajo e emocionoi sallën.
Kënga ishte me kompozim nga Tish Daija.
Vaçe Zela është një këngëtare, që ka kënduar tërë jetën live dhe sot
zëri i saj do të bënte hatanë. Ajo ishte një këngëtare shqiptare me një
zë të bukur dhe me profesionalizëm dhe kishte një interpretim të
veçantë“, u shpreh këngëtari Kozma Dushi. Koncerti që pritet është i
vetmi aktivitet më me rëndësi që është mbajtur në këto vite për
këngëtaren e njohur të skenave shqiptare. E nderuar në festivalin
maratonë të “Këngëve të shekullit”, këngëtarja ndonëse e ftuar, nuk ka
pasur mundësi të vijë, duke përshëndetur publikun shqiptar në lidhje të
drejtpërdrejtë me telefon. Koncerti që pritet të zhvillohet për
këngëtaren e madhe shqiptare do të ngjisë në skenë dhe shumë emra të
njohur të këngës shqiptare ndër vite.


***

Vaçe Zela "zëri" i jashtëzakonshëm në skenat shqiptare

Vaçe
Zela është artiste e popullit dhe këngëtare e njohur e skenave
shqiptare. Vaçe Zela ka një zë të jashtëzakonshëm. Këngët e saj në vite
mbeten popullore dhe të preferuara nga publiku. Këngëtarja Vaçe Zela
mbetet "zëri" i jashtëzakonshëm që mbushte me energji skenat shqiptare.
Ajo është një këngëtare e cila ka marrë pjesë në të gjitha festivalet e
muzikës në radio dhe më vonë në radio televizion që prej organizimit të
parë të tyre në vitin 1962 dhe deri në vitin 1981. Vaçe Zela ka një
kontribut të rëndësishëm edhe në muzikën e filmit në të cilin ka
interpretuar shumë këngë pjesë e muzikës së filmave. Prej disa vitesh
jeton në Zvicër. Ajo është nderuar me Urdhrin "Nderi i Kombit" nga
presidenti Alfred Moisiu. Disa nga këngët e saj më të njohura janë:
“Çelu si mimoza”, “Djaloshi dhe shiu“,“E dua vendin tim,“Ëndrra ime”,
“Fëmija i parë”,“Gjyshes“, “Këngët e vendit tim”, “Lemza“, “Sot jam 20
vjeç”, “Valsi i lumturisë”, “Nënë moj do pres gërshetin”, “ Nuk e
fshehim dashurinë”, “ O diell i ri”, “Për Arbërinë”, “Shoqet tona
ilegale”, “Shqiponja e lirisë”, “Të lumtur të dua”. etj.


Marrë nga gazeta « Sot » Për ZSH A.Dalini
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Zëri i zemrës shqiptare: Vaçja jonë kombëtare mbush 70 vjeç Empty Re: Zëri i zemrës shqiptare: Vaçja jonë kombëtare mbush 70 vjeç

Mesazh nga Sponsored content


Sponsored content


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi