Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Abdirahim Idrizi:Poliklinika "Galaxy"

Shko poshtë

Abdirahim Idrizi:Poliklinika "Galaxy" Empty Abdirahim Idrizi:Poliklinika "Galaxy"

Mesazh nga Agim Gashi Sun Apr 12, 2009 2:54 am

Abdirahim Idrizi: Poliklinika''Galaxy'

Abdirahim Idrizi:Poliklinika "Galaxy" U1_GalaxyParathënie
Kjo monografi është për secilin që do të dijë më tepër për shërbimet shëndetësore dhe menaxhimin, si para lufte ashtu edhe pas lufte, në Poliklinikën “GALAXY”.
Kur ta lexoni këtë monografi, do të mësoni se si të arrihet ajo që vërtet meritohet dhe a e vlen të investosh dhe të punosh pa u lodhur në një kohë të egër e të rrezikshme të okupimit.
Për fusha të ndryshme të shëndetësisë, për punë në Poliklinikë, kam angazhuar specialistë të lëmenjve përkatës dhe puna ka qenë ekipore, kurse idetë dhe investimet kanë qenë private; të miat dhe të familjes sime.
Ideja për investime të shumave të mëdha në vitin 1990, ndërkaq, ka qenë e rrezikshme, meqenëse, që në fillim nuk premtonte një të ardhme të mirë. Nga Kosova njerëzit largoheshin, sepse u kanosej rreziku fizik dhe ekonomik, kurse unë isha i vetëdijshëm se, ndonëse në shërbim të arsyes dhe të së vërtetës, në jetë rrallëkush ia qëllon. Mirëpo, ata persona (të rrallë), që ia qëllojnë në jetë, janë të suksesshëm, janë të arsyeshëm para vetes, familjes, shoqërisë, Zotit.
Qëllimi im ka qenë vetëm e vetëm t’u përshtatesha nevojës dhe arsyes, kurse sot, pas shtatë vjet lirie, vendosa të mblidhja dëshmi dhe dëshmitarë që, nëpërmjet paraqitjes në monografi, do të jenë një lloj pasqyre e punës së bërë në këtë institucion shëndetësor.
Ky libër-monografi është përqendruar në tri rrafshe:
Historiku i Poliklinikës GALAXY
Suksesi në menaxhim
Organizimi i shërbimeve shëndetësore në sektorin privat të shëndetësisë.
Mënyrat, metodat, strategjitë dhe teknikat, që do t’i ndeshni në këtë monografi, janë provuar dhe janë dëshmuar gjatë 17 vjetëve të përvojës sime praktike, të lodhshme dhe me shumë batica e zbatica.
Këtë monografi ua kushtoj atyre që kanë pasur nevoja shëndetësore dhe janë shëruar e të cilët i përshëndes me kënaqësi. Posaçërisht dhe me krenari përshëndes:
Të plagosurit e lirisë, numri i të cilëve (të operuar) është mbi 80. Ndonëse mungojnë dokumente, për këtë ka dëshmi dhe dëshmitarë.
Bashkëpunëtorët, mjekët që kanë pasur mundësinë të ushtrojnë veprimtarinë e vet: mbajtjen e provimeve të magjistraturës për Ass. Dr. Suheda Latifi Hoxha, specializime për Dr. Arijeta Zherka Saraqini, kirurgji - Dr. Adem Rusta – kirurgji etj., provime, praktika, teoria e studentëve. Në një vit akademik kanë kaluar 150 studentë.
Studentët e demonstratave të Tetorit të vitit 1997, shih dokumentin e studentëve (me emër dhe mbiemër) që kanë kërkuar ndihmë në Galaxy
Mjekët që kanë kryer praktikën në Poliklinikë (për çdo vit akademik kanë vijuar praktikën 20 mjekë)
Përfaqësuesin e Përgjithshëm Politik të UÇK-së, Zotin Adem Demaçi, që me kërkesë të datës 05.12.1998, e nënshkruar nga ai vetë, i është drejtuar Poliklinikës.
Komandën e Zonës Operative të Llapit, për Urdhëresën nga UÇK-ja, e nënshkruar nga zëvendëskomandanti i Zonës Operative të Llapit.
U jam mirënjohës dhe i përshëndes nga zemra të gjithë ata që më kanë ndihmuar pas lufte në rindërtimin dhe riorganizimin e Poliklinikës “GALAXY”, si nga aspekti material ashtu edhe nga aspekti moral.
Jam i kënaqur që lexuesve kam arritur t’u ofroj material informativ dhe të kenë në dorë e të shpalosin këto fletë, që për ne paraqesin një kapital madhor, dhëntë Zoti të mos na përsëritet e keqja.
Ka dëshmi e dëshmitarë që mund të na ndihmojnë për plotësimin e dëshmive dokumentare të veprimtarisë sonë, andaj i lus ata që të dhënat dhe dokumentet eventuale që neve na mungojnë të na i ofrojnë, do t’u jemi mirënjohës dhe me ndihmën e tyre do të pasurohet kjo monografi.
Vlera më e madhe e këtyre dëshmive është demonstruar me të dhëna të vërteta, reale, me dorëshkrime të pacientëve, të skanuara, me fotografi autentike dhe kronologjike të periudhës shumë të rëndësishme, herë-herë dramatike, të veprimtarisë sonë shëndetësore.
Nëpërmjet këtyre fakteve pasqyrohet shumë qartë ecuria e veprimtarisë sonë në shëndetësinë kosovare nga viti 1990.
Prandaj, mund të thuhet se Poliklinika ka ushtruar dhe vazhdon të ushtrojë me një përkushtim të lartë veprimtarinë që është e ndjeshme dhe humane. S’ka dyshim se të dhënat e paraqitura në këtë monografi do t’u ndihmojnë lexuesve të informohen për ecurinë, arritjet dhe sakrificat e synimet e këtij institucioni shëndetësor.
Poliklinika “GALAXY” përmendet me
mburrje e me shumë krenari,
ngase ka qenë vatra e vetme dhe e para
në shëndetësinë kosovare.
Në këtë vazhdë po ripërmendim këto argumente, me faksimilet shoqëruese:
1. Përfaqësuesi i përgjithshëm politik i atëhershëm i UÇK-së, zoti Adem Demaçi, me kërkesë të datës 05.12.1998, e nënshkruar nga ai, i është drejtuar Poliklinikës, shih dokumentin.
2. Urdhëresë nga UÇK-ja, Komanda e Zonës Operative të Llapit, e nënshkruar
nga zëvendëskomandanti i kësaj zone operative,
datë 21.01.1999, shih dokumentin e skanuar.
3. Vatër e vetme e arsimimit, shih kërkesën e Fakultetit të Mjekësisë, të vitit 1992, nënshkruar nga prodekani i atëhershëm për çështje mësimore, Prof. Dr. Zef Gjoni.
4. Mirënjohje nga Fakulteti e Mjekësisë, nënshkruar nga dekani, Prof. Dr. Bajram Nura, viti 2004.
5. Vatër e vetme e shkollës së mesme të mjekësisë “Ali Sokoli”, shih kërkesën e nënshkruar nga drejtori.
6. Mirënjohje nga shkolla e mesme
“Ali Sokoli”, viti 2004.
7. Veprimtari, aktivisti i njohur i luftës, zotëri Shaban Hoxha, i cili me doktor Shpëtimin kishte kaluar nëpër shumë rreziqe, si veprimtar dhe dëshmitar i palodhshëm, ofron dëshmi, shih librin e tetë
“Feniksët e lirisë”, faqe 275,
sikurse edhe monografinë titulluar “Dr. Shpëtimi - shpëtimtar jete” të autorëve Ilaz Metaj dhe Ali Llunji.
8. Me respekt të madh duhet të përmend miqtë, shokët, familjarët për ndihmën dhe kontributin e dhënë pas lufte, pasi Poliklinika ishte
shkatërrua e vjedhur:
Pronarin e Organizatës Shëndetësore “GALAXY”,
Mehmet Idrizi, nga Tetova,
Shaip Idrizi nga Kroacia,
Elmaz Idrizi nga Tetova,
Prof. Dr. Ilir Tolajn,
Alatin Adilçe nga Stambolli,
Bardhyl Mahmuti nga Zvicra,
Prof. Dr. Sadi Bexhetin
Elmaze Vela-GALA
Pronarin e Televizionit privat TV-Art,
Artan Skenderi,
Miradije Statovcin, infermiere
Dr. Fatime Shkodrën,
Dr. Hajrulla Fejzën,
Fatmir Bekçeli,
Uran Rexhepi,
Hadi Ramizi nga Zvicra
Qenan Kasami,
Nevzat Asani,
Dr. Habil Bexhetin,
Rasim Mjekiçi nga Prishtina,
Ph. Haki Ejupi nga Prishtina,
Demirali Demiri nga Tetova,
Orhan Kabashi nga Tetova
Ali Ibrahimi - inspektor nga Tetova
Xheladin Sinani nga Tetova, z. Xhela
9. Përfaqësuesin e UÇK-së për Shëndetësi të Maqedonisë, Dr. Haqifin – stomatolog nga Prishtina, i lindur në Kërçovë, tash punon si stomatolog në Drenas, që mund të japë dëshmi të çmueshme.
Përfaqësuesin e atëhershëm politik për Kosovë, z. Pajazit Lika, si dëshmitar që, me iniciativën time personale,
Dr. Hasan Ibrahimi, Dr. Sadik Llulaku në vitin 2001 u inkuadruan në luftën e UÇK-së në Maqedoni dhe, falë Poliklinikës “Galaxy”, formuan Spitalin Ushtarak në Shipkovicë, me pajisje mjekësore nga kjo Poliklinikë.
Në Prizren na ka pritur gjenerali Gëzim Ostreni dhe zotëria me pseudonimin Haxhi Baba.
10. Gjeneralin Bardhyl Tahiri, të cilin disa vendës nga Maqedonia, si atdhetar, e propozuan që të inkuadrohej për të dhënë kontributin si profesionist, në luftën e shqiptarëve të Maqedonisë.
Bardhyl Tahiri një muaj ka pritur në Poliklinikë për t’u bërë verifikimi, që karakteristikat e gjeneralit të vinin nga Tirana për t’u inkuadruar në luftën e UÇK-së në Maqedoni. Pas një muaji, na ftuan në Prizren.
Në Prizren na pritën gjenerali Gëzim Ostreni, kështu që, falë disa miqve nga Tetova, si dhe falë Poliklinikës “GALAXY”, gjenerali Bardhyl Tahiri u
inkuadrua në UÇK-n e Maqedonis
Falë këtyre fakteve autentike, ne, sot, e kemi më lehtë të kuptojmë se duhet t’u përshtatemi nevojave dhe se veprimtaria shëndetësore është shumë e ndjeshme. Të gjitha shërbimet janë me interes, porse shëndeti, në radhë të parë, është human, nevojë sociale dhe vitale
për shtetin e Kosovës,
prandaj për të duhet të kemi kujdes të shtuar.
Nga këto shkrime - fakte të shkruara, të ilustruara me fotografi, faksimile dorëshkrimesh të thjeshta, por reale, mund të shihet e të vlerësohet shkalla e pjekurisë dhe e papjekurisë sonë edhe në fushë të shëndetësisë, që ka kryer misionin e vet para lufte, ka kaluar dhe po kalon edhe sot nëpër sprova të ndryshme, nëpër sfida të
rrezikshme dhe nëpër furtuna të shkaktuara
nga njerëz të pandërgjegjshëm.
Jam përpjekur që t’i përmbahem saktësisht autenticitetit të gjuhës së popullit, si në shprehje, ashtu edhe në komentime, që realitetin ta paraqes në
mënyrë sa më besnike.
Jam i vetëdijshëm që mbase nuk është modeste, porse, duke u ndier borxhli e përgjegjës para miqve e bashkëpunëtorëve - dëshirova dhe e pashë të arsyeshme që edhe në këtë mënyrë t’i ofroja mundësinë (sa më të lehtë) lexuesit që të mësojë më shumë
për Poliklinikën “GALAXY”.
vijon
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Abdirahim Idrizi:Poliklinika "Galaxy" Empty Re: Abdirahim Idrizi:Poliklinika "Galaxy"

Mesazh nga Agim Gashi Sun Apr 12, 2009 2:55 am

Se, dihet tashmë, njeriu, individi, është krijesë inteligjente, e pajisur me të menduar që të gjejë rrugën e vërtetë dhe të jetë i arsyeshëm në familje, në shoqëri e në jetë.
Unë, duke i lënë tre libra të jetës, të përvojës sime të hapur, shpreh dëshirën që t’i lexoni, se vetëm atëherë do të arsyetoheshin jeta, puna,
profesioni, shkrimet e mia...
Mirënjohja dhe respekti ju takojnë Juve, lexues të nderuar, pa ju asgjë nuk do të kishte kuptim.
Autori, Abdirahim Idrizi
Dëshmitë-Deklaratat
Të vërtetat e dëshmitarëve për të dhënat për Poliklinikën “GALAXY” Prishtinë.
Dëshmitë-Deklaratat
Të vërtetat e dëshmitarëve për të dhënat për Poliklinikën “GALAXY” Prishtinë.
1. Prof.Dr. Ilir Tolaj
2. Z. Shaban Hoxha
3. Z. Adem Demaçi
4. Z. Bardhyl Mahmuti
5. Prof. Daut Demaku
6. Z. Albin Kurti
7. Z. Driton Lajçi Z. Muhamet Mavraj
8. Dr Hajrulla Fejza
7. Mr. Ph. Haki Ejupi
8. Prof. Dr. Ymer Koçinaj
9. Dr. Fatime Shkodra
10. Dr. Mustafa Xhabiri
11. Z. Fatmir Bekqeli
12. Zonjusha Miradije Statovci
Poliklinika ,,GLALAXY,, që nga themelimi i saj në vitin 1990 shërbeu si bazë e rëndësishme mjekësore, edukative dhe shkencore. Në këtë institucion falë zemërgjerësisë dhe humanitetit të themeluesit dhe pronarit të saj z. Abdirahim Idrizi në kohën e boshllëkut institucional në shëndetësi dhe gjatë luftës në Kosovë u ofruan shërbime të panumërta shëndetësore, u organizua mësimi për studentë e nxënës të mjekësisë si dhe u dha ndihma e pakursyer për qytetarë dhe luftëtarë nga të gjitha anët. Në këtë periudhë janë dhënë edhe shumë pajisje e material tjetër sanitar për mbulimin e nevojave në teren.
Bashkë me mikun, kolegun dhe heroin e kombit Dr. Shpëtim Robajt, që sot nuk gjendet në mesin tonë dhe me kolegët tjerë që ishin pjesë e ekipit shëndetësor për zonat e luftës çdo ditë jemi takuar dhe jemi nisur për në teren nga Galaxia.
Edhe ditën fatale kur autovetura jonë hasi në fushë të minerar ne u nisëm për në teren nga Poliklinika “GALAXY”.
Unë falë zotit dhe fatit shpëtova dhe tani jam në gjendje të shkruaj këta rreshta
për Galax-i.
Kontributi i Poliklinikës “GALAXY” në sektorin privat shëndetësorë, është shumë i madh, prandaj mund të them se kjo Poliklinikë deri tani e ka përmbushur vizionin e saj dhe vazhdon edhe me tutje me një përkushtim të madh ofrimin e shërbimeve cilësore shëndetësore.
Prishtinë, 06.11.2007
Prof. Asc. Dr. Ilir Tolaj

Kur dimensioni humanitar harmonizohet me ndjenjat patriotike
Për banorët e Çarshisë së Epërme të Tetovës dhe tetovarët, që e njihnin mirë, burgosja e Abdirahim Idrizit nuk ishte asnjë befasi. Sepse të gjithë e njihnim se ishte një patriot dhe solidar dhe kishte prejardhjen nga një familje patriotike, që kurrë nuk iu nënshtrua politikës së okupatorëve të njëpasnjëshëm të territoreve tona. Pikërisht për këtë arsye e tërë familja Idrizi ishte një ferrë në sy të armikut.
Së bashku me Bejtush Brahim Shasivarin nga fshati Zhazhë-Mitrovicë, i cili më vonë u ekzekutua nga regjimi për shkak të trazirave në burgun famëkeq të Nishit, dhe me Ramadan Prenkun nga Mitrovica, u arrestuan dhe për 105 ditë rresht u keqtrajtua nga hetuesia ushtarake në Zagreb (1970). Edhe pse nuk kishin asnjë provë materiale, ku të mbështesnin akuzën e tyre, gjyqi dënoi me burg Bejtush Shasivarin dhe Abdirahim Idrizin, ndërsa Ramadan Prenkun e liroi.
I përndjekur familjarisht tërë jetën nga UDB-ja dhe OZN-a jugosllave Abdirahimi mundohej të gjente format e veprimtarisë patriotike aty ku ishte. Si në vendlindje ashtu edhe në Kroaci dhe Kosovë, udhërrëfim të jetës kishte patriotizmin dhe solidaritetin.
Në kontakt të vazhdueshëm me intelektualët e Universitetit të Prishtinës, Abdirahimi u ngjalli dyshime të mëdha për veprimtarinë e vet strukturave të UDB-së, sidomos asaj maqedonase.
Në këto vite të vështira të veprimtarisë, situatën e ndërlikon edhe më tepër fakti se aparatet represive të shtetit jugosllav organizuan atentatin kundër tij (1982). Abdirahimi i shpëtoi atentatit, me gjithë plagt e rënda.
Abdirahimi dhe familja e tij do të japin në vazhdimësi kontributin e tyre patriotik dhe ky aktivitet do të marrë përmasa të mëdha publike, sidomos në fund të viteve 1980.
Abrirahimi, si djalë i madh i familjes Idrizi, që u bë e njohur në mediet e vendit dhe ato ndërkombëtare, sidomos pas solidarizimit me Minatorët e Trepçës, u shqua në këtë periudhë historike, kur pushteti komunist jugosllav i numëronte ditët. Në shkurt të vitit 1989, kur kjo familje ndihmoi financiarisht minatorët si askush tjetër dhe mbështeti kërkesat politike për avancimin e të drejtave politike dhe kombëtare të Kosovës, koordinimi antishqiptar i pushteteve Beograd/Shkup nuk mungoi as këtë radhë. Ata i dëmtoi ekonomikisht dhe intensifikuan presionet e tjera, si në Tetovë ashtu edhe në Prishtinë. Megjithatë, kjo familje nuk u frikësua. Përkundrazi, edhe më tepër ishte e gatshme të ndihmonte që gjërat të ecnin përpara. Gjatë periudhës 1988-1989, kur unë udhëhiqja LPRK-në në Kosovë, një ndihmë të madhe logjistike dhe vendstrehim na është dhënë nga Abdirahimi.
Pas suprimimit të autonomisë dhe shkatërrimit të institucioneve të Kosovës nga regjimi i Millosheviqit, Abdirahimi riorienton veprimtarinë profesionale në shërbim të popullit. Vetëm ndjenjat patriotike dhe solidariteti që shquajnë Abrirahimin mund të shpjegojnë faktin se ai, duke mos qenë vetë mjek, hapi mundësi të shumta për një ekip profesionistësh (mjekë të profileve të ndryshme, infermiere etj.) që t’u ndodhen nevojtarëve pranë.
Në periudhë e luftës së UÇK-së, Abdirahimi ka dhënë një kontribut të veçantë. Kontributi bëhet edhe më i madh sidomos pas kërkesës së UÇK-së që Poliklinika “Galaksy” të vihet në shërbim të luftëtarëve të plagosur.
Përkushtimi patriotik i Abdirahim Idrizit do të gjejë dimensionin humanitar në këtë luftë vendimtare të popullit shqiptar të Kosovës. Të gjitha trajtimet mjekësore ndaj ushtarëve të UÇK-së në Poliklinikën “Galaksy” i ka bërë pa asnjë kompensim material dhe në përputhje me etikën profesionale.
Tetovë, 10 tetor 2007
Bardhyl Mahmuti
Ish-Përfaqësues Politik i UÇK-së
Ish-Ministër i Punëve të Jashtme të Kosovës
Tani Kryetar i Bashkimit Demokratik Shqiptar në Maqedoni

vijon
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Abdirahim Idrizi:Poliklinika "Galaxy" Empty Re: Abdirahim Idrizi:Poliklinika "Galaxy"

Mesazh nga Agim Gashi Sun Apr 12, 2009 2:56 am

Poliklinika “GALAXY” Prishtinë
Fillimi i vitit 1998 Kosovën e gjeti në prag të luftës. Paraqitjet e para të UÇK-së sinjalizuan një epokë të re për Kosovën. Ngjarjet e 5, 6 dhe 7 marsit në Prekaz dhe lufta heroike e Jasharajve, si dhe rënia heroike e komandantit legjendar Adem Jashari, bënë me dije se lufta kundër pushtetit tashmë kishte filluar. Ishte një mobilizim i përgjithshëm i qytetarëve të Kosovës për ta ndihmuar luftën e UÇK-së dhe popullatën, ishte orë e madhe e historisë, ishte zëri i atdheut, prandaj mobilizimi i gjithanshëm për të ofruar ndihma për qytetarët ishte i domosdoshëm.
Në këtë luftë kishte vend për të gjithë, për ushtarë, mjekë, profesorë dhe të gjitha shtresat e popullit. Në fillim të luftës kishte shumë të vrarë, por edhe shumë të plagosur, si nga ana e ushtarëve ashtu edhe nga popullata civile. Ishte nevojë e madhe, në veçanti për mjekë, barna dhe pajisje-aparatura mjekësore. Të gjitha këto në frontin e luftës na mungonin, mirëpo kishte njerëz që me përkushtim iu përgjigjen zërit të Atdheut.
Ndër institucionet e para shëndetësore, që u doli në ndihmë edhe ushtarëve edhe popullatës, ishte Poliklinika private “GALAXY” nga Prishtina. Ishte nder i madh për mua që nëpërmjet dëshmorit të kombit, Dr. Shpëtim Robajt, njoha pronarin-themeluesin e “GALAXY”, z. Abdirahim Idrizi, i cili për asnjë moment nuk hezitoi që me të gjitha mjetet të ndihmonte luftën, duke angazhuar maksimalisht tërë potencialin mjekësor dhe duke ofruar mjetet kirurgjike dhe barna.
Nga Poliklinika “GALAXY” kanë filluar të gjitha ndihmat, si me mjekë, ashtu edhe me pajisje, ishte kjo një promotor i të gjitha ndihmave për ambulancat dhe spitalet ushtarake të UÇK-së në Likoc të Drenicës.
Kontributi dhe ndihma e Poliklinikës “GALAXY” për luftën ishte e pazëvendësueshme, ishte në shërbim çdo kohe, në çdo orë, ditë, javë dhe muaj, prandaj unë e ndiej veten krenar që kam pasur privilegjin të njoh pronarin e Poliklinikës “GALAXY” dhe personelin mjekësor që asgjë nuk kursyen për t’u ardhur në ndihmë ushtarëve dhe popullit.
Kjo Poliklinikë ia fali Kosovës Dëshmorin e Kombit, Dr. Shpëtim Robajn, kjo shpëtoi shumë jetë. Me këtë rast, prandaj, dua të shërbehem me një thënie hebraike: “Ai që shpëton një jetë njeriu, ka shpëtuar botën” - e tillë ishte Poliklinika “GALAXY” me pronarin Abdirahim Idrizi.
Zoti i shpërbleftë!
Shaban Hoxha, veteran i Luftës së UÇK-së
Pak rreshta për një institucion të madh!
ESH “Galaxy” ka qenë plotësimi i parë i nevojave për shërbime shëndetësore, pas largimit të personelit shqiptar nga institucionet publike. Edhe pse në pronësi private, asnjëherë nuk ka refuzuar shërbime për kategoritë e rrezikuara sociale.
Mungesa e hapësirave të ushtrimit të praktikës profesionale për nxënës dhe studentë të mjekësisë është plotësuar në mënyrë të shkëlqyer në Galaxy.
Gjatë kohës së Luftës ka qenë vendtakim i mjekëve që shkonin në zonat e luftës dhe pika kryesore për furnizime emergjente në pajisje dhe material sanitar për ekipet e terrenit. Në mënyrë permanente dhe pa kompensim material ka ofruar shërbime shëndetësore për pjesëtarët e UÇK-së që i kishim në Prishtinë, ata që i sillnim kohë pas kohe si dhe për shumë qytetarë që me rrugë të ndryshme vinin në Prishtinë nga zonat e luftës e kishin nevojë për trajtim mjekësor.
Edhe në kohën e pasluftës, kontributi i Galaxy-së në përkujdesjen shëndetësore të qytetarëve është i pakontestueshëm. Nuk kam dëgjuar asnjëherë që dikujt i është refuzuar shërbimi për mungesë të parave.
Punësimi i një numri të konsiderueshëm të kuadrit mjekësor, me nivel të ndryshëm të përgatitjes profesionale, dhe sigurimi i ekzistencës për shumë familje është një meritë e jashtëzakonshme e Galaxy-së dhe pronarit të saj z. Abdirahim Idrizit.
Me respekt, Dr. Hajrullah Fejza, Mr. Sci, epidemiolog
Prishtinë, 2007 Veteran i Luftës së UÇK-së
Shëroheshin studentët dhe qytetarët
Fundi i viteve ’90 në Kosovë shënon fillimin e gjakderdhjes së re të popullit tonë liridashës. Protestat, demonstratat dhe më pas lufta çlirimtare u ribënë. Durimit të shtypjes dhe shpresës në politikanë i erdhi fundi. Ballafaqimi po bëhej gjithnjë e më i egër. Por, edhe vuajtjet dhe humbjet po rriteshin. Numri i shqiptarëve të rrahur, të plagosur dhe i atyre të vrarë, sa vinte e rritej. Të gjitha spitalet dhe klinikat publike ishin në duart e forcave të regjimit të Milosheviqit. Ambulancat dhe ordinancat private e morën barrën e shërimit dhe përkujdesjes për gjithë ata njerëz të lënduar e të plagosur. Funksioni i tyre mjekues u vu në shërbim të përpjekjeve kolektive për liri e pavarësi. Pa dyshim se këtu duhet veçuar ordinanca ‘Galaksy’. Ajo qe shndërruar në një ent shëndetësor, madje edhe në spital lufte, që pa kurrfarë kompensimi material trajtonte ata që kishin më së shumti nevojë. Të shëroheshin studentët dhe qytetarët e rrahur nëpër demonstrata dhe të plagosurit në luftë, ishte një punë shumë e rrezikshme dhe njëkohësisht e paçmueshme. Niveli i lartë human dhe kombëtar i punonjësve dhe drejtuesve të ambulancës ‘Galaksy’ ka qenë mbështetje e fuqishme e rezistencës së popullit tonë.
27 tetor 2007
Albin Kurti

Me mburrje si në aspektin shëndetësor,
arsimor dhe akademik
Me kënaqësi do të shkruaj dy reshta me të dhëna të vërteta për Poliklinikën “GALAXY”, që shërbeu si bazë e rëndësishme mjekësore, edukative edhe shkencore që nga viti 1990 deri në mars të vitit 1999, por që të njëjtën veprimtari me sukses është duke e zhvilluar edhe tani.
I pari i këtij lloji në Kosovë, kur këtu nuk kishte as edhe një organizatë të huaj humanitare, ky institucion shëndetësor ishte nisma e sistemit paralel shëndetësor.
Themeluesi - menaxheri Abdirahim Idrizi dhe personeli, e përkrahën fuqimisht rezistencën dhe luftën për lirinë e Kosovës, duke ofruar ndihmë të pakursyer mjekësore, aparaturë, pajisje dhe medikamente falas, si dhe përkrahje financiare e materiale.
Kontributi i Poliklinikës “GALAXY”, më së miri është personifikuar në jetën dhe veprën e njeriut, heroit të Kombit, Ass. Dr. Shpëtim Robaj.
Poliklinika “GALAXY”, me investimet dhe me punën e bërë, është shembull në organizimin më të mirë të sektorit privat shëndetësor. Është sfidë për sektorin publik të sistemit shëndetësor të Kosovës.
Ph. Mr. Haki Ejupi, tetor 2007
Poliklinika “GALAXY”
Në qoftë se do të gjykonim me logjikë të shëndoshë dhe reale, do të kuptonim se do të duhej t’i ishim mirënjohës Poliklinikës “GALAXY” dhe pronarit të saj. Unë, si dëshmitare, kam të dhëna të vërteta dhe mburrem që jam pjesë e stafit të kësaj Poliklinike.
Vizionar, modest, shumë i suksesshëm në familje e në shoqëri, z. Abdirahim Idrizi,
me karrierën e vet, posaçërisht atë 17-vjeçare në shëndetësi, është shembull i mirë për të gjithë. Ne, si bashkëpunëtorë të tij, mburremi për këtë. Me punë të palodhshme, me mendime të shëndosha, me qëndrim korrekt, na ka bërë për vete. Në një mjedis të tillë, edhe ne bashkëpunëtorët kemi mundur të shpalosim ide, kemi mundur të kontribuojmë në të mirë të familjes dhe shoqërisë, pra nuk jemi barrë e shoqërisë, falë idesë dhe kapitalit të themeluesit të Poliklinikës “GALAXY”, z. Abdirahim Idrizi, të cilit uroj shëndet, suksese të reja dhe i jam mirënjohëse që jam pjesë e stafit të Poliklinikës “GALAXY”.
Dr. Fatime Shkodra, specialiste e Mjekësisë Familjare

Të gjithë këta janë në Poliklinikën “GALAXY”
Pas 16 vjet punë në institucione shtetërore, në vitin 2000 për herë të parë, si urolog, fillova të punoja në një institucion privat, që është Poliklinika Galaxy dhe të ballafaqohesha me një përvojë të re. Infrastruktura, pajisjet më të avancuar në lëmin e urologjisë si dhe mënyra e menaxhimit, ofronin mundësi për diagnostikim më të lehtë të sëmundjeve si dhe trajtim më efikas të tyre, që është e mundur në kushtet e pasluftës. Personeli me moshë të re, por entuziast, kartoteka e kompjuterizuar, ambulanca dhe laboratori me aparaturë dhe pajisje më moderne dhe të saktë, salla operative komplete si dhe kushtet higjieno- sanitare të nivelit më të lartë, japin mundësinë e mjekimit më të mirë dhe më efikas të të sëmurëve që kërkojnë ndihmë në Poliklinikën “GALAXY”.
vijon
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Abdirahim Idrizi:Poliklinika "Galaxy" Empty Re: Abdirahim Idrizi:Poliklinika "Galaxy"

Mesazh nga Agim Gashi Sun Apr 12, 2009 2:56 am

Në saje të bashkëpunimit të mirë dhe kolegjialitetit ndërmjet mjekëve specialistë të lëmenjve të ndryshëm, jo vetëm në “Galaxy”, por edhe në institucione të tjera private, e shumë më pak me ato publike, është mundësuar diagnostikimi më i saktë dhe më i shpejtë i sëmundjeve të ndryshme si dhe mjekimi më adekuat i të sëmurëve. Po më duket se ekziston një brengë, që është edhe konflikt interesash, mes sektorit shoqëror dhe atij privat; ndonëse sektori privat paguan mirë dhe me kohë, prapëseprapë ekspertët-punëtorët hezitojnë të punësohen në këtë sektor. Po më duket që sektori shoqëror po minon besimin në institucione private.
Të gjitha këto janë mundësuar falë menaxhimit të mirë dhe vizionit të largët të z. Abdirahim Idrizit, që e ka kuptuar problematikën e shëndetësisë dhe i cili nuk kursen kohën, mjetet dhe energjinë e tij vitale për të avancuar edhe më tepër, në nivel më të lartë dhe me efikas, punën në Poliklinikën Galaxy, e cila në të kaluarën e vështirë ka qenë kështjellë e arsimit dhe shëndetësisë për gjithë popullatën e në të ardhmen do të jetë pjesë për mirëqenie shëndetësore.
Dr. Mustafa Xhabiri, specialist urolog
Për Poliklinikën “GALAXY”
Të shkruash dhe të thuash diçka për Poliklinikën “GALAXY”
në Prishtinë është shumë thjesht në shikim të parë. Mirëpo,
kur e njeh për së afërmi, kur kridhesh në problematikën e
saj, prej fillimit të veprimtarisë dhe gjeri më tani, e vëren se
nuk është lehtë të shkruhet asnjë rresht më i vogël për
veprimtarinë e Poliklinikës, pa pasur njohuri për punën e saj;
prej vetë idesë për themelimin e saj, themelimin dhe fillimin
e punës, vështirësitë e punës si dhe sukseset e arritura si
institucioni i parë privat shëndetësor në Kosovë.
Në fund të viteve ‘80 dhe fillim të viteve ’90, në shëndetësinë kosovare filluan të paraqiteshin pengesa sistemore nga pushteti i atëhershëm. Pushtetmbajtësit nisën largimet e personelit mjekësor nga klinikat me qëllim të caktuar, që popullatën ta linin pa ndihmë të duhur mjekësore, duke vazhduar të njëjtën politikë edhe më arsimin në të gjitha nivelet dhe fushat e tjera të jetës dhe veprimtarisë së popullatës.
Në këto kushte dhe në këtë kohë të egër dhe të paparashikuar për të ardhmen, u themelua dhe filloi punën Poliklinika “GALAXY”. Që në fillim në punën e saj u inkuadruan emrat më eminentë të mjekësisë së asaj kohe; personeli profesional i Fakultetit të Mjekësisë, Dekanati, Shkolla e mesme e mjekësisë “ALI SOKOLI” për shërbime arsimore, praktike dhe teorike.
Poliklinika i priti duarhapur studentët e Fakultetit dhe nxënësit e shkollës së mesme “ALI SOKOLI” deri në mars të vitit 1999.
Përveç studentëve dhe nxënësve, në Poliklinikë përgatiteshin disertacione të doktoratës, jepeshin provime e specializime përkatëse para profesorëve të universitetit që ishin të punësuar dhe që pa përtesë vinin në lokalet e Poliklinikës që t’u mundësonin kuadrove të reja aftësimin profesional.
Në fund të viteve ’90, kur situata ashpërsohej gjithnjë e më shumë nga ana e pushtetit të atëhershëm, Poliklinika iu adaptua kushteve dhe rrethanave të kohës dhe me veprimtarinë e saj u inkuadrua edhe në punën e ndihmave për popullatën e rrezikuar, ndihmave me materiale mjekësore të regjioneve të rrezikuara mjetet e Poliklinikës dhe personeli i tërë mjekësor, në ç’veprimtari ka prirë i ndjeri, Dr. Ass. Shpëtim Robaj.
Nga pronari i Poliklinikës, Dr. Shpëtimi ka pasur autorizime të plota për të marrë pajisje, e aparate që të dërgoheshin në rajonin e lirë të luftës.
Pas vjedhjes, shkatërrimit të plotë të Poliklinikës gjatë luftës, pas lufte, me angazhimin e mjeteve private të pronarit dhe familjes së tij, Poliklinika është rinovuar në tërësi në një institucion modern mjekësor, me aparate të reja dhe personel të kualifikuar mjekësor.
Fatmir Bekqeli

U desh të krijoheshin ordinanca, siç ishte
Poliklinika “GALAXY”
Pas okupimit klasik te viteve ‘90 nga regjimi i Serbisë, shqiptarët u detyruan të vetorganizoheshin në të gjitha aspektet e jetës. Ishte kjo betejë për ekzistencë. Kështu veproi Universiteti, i cili u themelua në depo kripe. Aty ishte edhe shpresa, sepse tek shqiptarët kripa sjell bereqet.
Edhe në aspektin e organizimit shëndetësor u veprua njësoj. U desh të krijoheshin ordinancat, siç ishte Galaxy, për t’u kujdesur për shëndetin e popullatës, edhe pse me kushte tejet të rënda pune. Studentët, rinia, populli ishin varfëruar tej mase. Spitalet ishin okupuar. Dolën në dritë ordinancat private, siç ishte “Galaxy”, e që ishte mu në kryq të kalimit të studentëve për në lagjen universitare Velania. Aty u është dhënë ndihmë mjekësore shumë studentëve, të rinjve, qytetarëve etj. Galaxy ka luajtur rol solidariteti, humanizmi dhe ka mbështetur veprimet politike-studentore. Shumë studentëve u është ofruar ndihma në Galaxy. Ndër ta jemi edhe ne. Faleminderit!
Driton Lajçi & Muhamet Mavraj

Unë në Poliklinikën “GALAXY”
Në Poliklinikën “GALAXY” jam inkuadruar në vitin1994, si infermiere - mami, dhe që në fillim kam vërejtur se personeli i Poliklinikës përcjell angazhimin e punëtorëve në punë, në bazë të kësaj vlerëson personelin sipas meritave dhe e avancon në punë e njëherësh edhe në të ardhura personale. Kam vërejtur se me të vërtet puna këtu vlerësohet dhe se pacientët janë në vend të parë, prandaj për këtë kemi lëvdata dhe falënderime nga ana e pacientëve, familjarëve të pacientëve dhe institucioneve të ndryshme.
Ka pasur lëvizje të madhe të kuadrit mjekësor, infermiereve, por asnjëherë nuk është dëgjuar se dikush që është larguar nga Poliklinika të ketë vërejtje në punën që ka dhënë në Poliklinikë.
Tani, si infermiere kryesore dhe anëtare e stafit menaxhues, vërej për së afërmi angazhimin e udhëheqjes që puna në Poliklinikë të zhvillohet në mënyrë sa më korrekte, të kërkohet angazhimi sa më i madh nga punëtorët, sepse janë krijuar kushte optimale të punës, ndërsa angazhimi dhe puna shpërblehen me të ardhura shtesë dhe të rregullta personale.
Dhe e vërteta për këtë qëndron në faktin se ne me punën profesionale që e bëjmë në Poliklinikën “GALAXY”, ia kemi dalë mbanë të ushtrojmë profesionin dhe të plotësojmë një kërkesë materiale për nevojat tona dhe të familjes, pra nuk jemi barrë e shtetit të Kosovës falë Poliklinikës “GALAXY”.
Ndihem krenare që punoj në një institucion shumë serioz, ku presim një të ardhme edhe më e mirë, por para së gjithash dëshiroj që Poliklinika “GALAXY” të ecë përpara në avancimin dhe zgjerimin e shërbimeve shëndetësore.
Miradije Statovci

Kërkesë nga Fakulteti i Mjekësisë
05.03.1992

Mirënjohje, 21.12. 2004
Kërkesë e shkollës së mesme të mjekësisë
“ALI SOKOLI”
Mirënjohje, 06.10.2004
Shkolla e Mesme e Mjekësisë 10.11.1998
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Abdirahim Idrizi:Poliklinika "Galaxy" Empty Re: Abdirahim Idrizi:Poliklinika "Galaxy"

Mesazh nga Sponsored content


Sponsored content


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi