Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Sulejman Dida:Ditar nga takimi me Ali Podrimen

Shko poshtë

Sulejman Dida:Ditar nga takimi me Ali Podrimen Empty Sulejman Dida:Ditar nga takimi me Ali Podrimen

Mesazh nga Agim Gashi Wed Aug 01, 2012 10:50 pm

Ditar nga takimi me Ali Podrimen

"Aliu, një burrë i urtë, që edhe në pamje fizike dukej si një reduktim i atij portreti që shohim në kopertinën e pasme të librave të tij ku shfaqet i ri dhe plot shëndet poetik si një statujë antike me flokun e rrëzuar mbi ballin e mençëm, tashmë rreth 70 vjeç, siç na tregoi më vonë, u emocionua gjithashtu"

Sulejman Dida

Sulejman Dida:Ditar nga takimi me Ali Podrimen Ali_podrimja-300x196

Lajmi i vdekjes së poetit të mirënjohur, Ali Podrimja, më pikëlloi pa masë, ashtu siç ka pikëlluar çdo shqiptar të brezit tim, e në mënyrë të veçantë fisin e poetëve. Ai, si rrallëkush u bë shumë i njohur që në moshë të re me përmbledhjet e vjershave “Hija e Tokës”,(1960) dhe “Thirrje”(1961), vepra të cilat ndikuan aq shumë në edukimin estetik dhe veçanërisht atdhetar, në zgjimin e vetëdijes kombëtare dhe injektimin e adrenalinës për të qenë krenarë që jemi shqiptarë. Që në atë kohë, brezat e nxënësve dhe studentëve në mbarë trojet shqiptare mësuan përmendësh elegjinë “Zgjohu Kosovë”, si dhe plot vjersha të tjera të librave të mëvonshëm deri te libri i fundit poetik “Lum Lumi” (1982) që vlerësohet nga kritika si arritja kryesore e Podrimes dhe një nga majat e poezisë së sotme shqipe. Vjershat e tij, të fillimit dhe ato të mëvonshme janë një metaforë e fuqishme që shpreh shpirtin e trazuar të kombit, janë një thirrje e jashtëzakonshme si ajo që i bëhet njeriut për ta zgjuar nga koma e gjatë, vargjet e tij janë pikërisht ato thirrje të dashurisë që u shndërruan në profil të rinisë shqiptare për disa dekada me radhë. Vargjet e Podrimes u bënë lajtmotivi themelor i luftës për lirinë e Kosovës, por edhe të shqiptarëve në kuptimin e lirimit nga vargonjtë e diktaturës. Ai këto ditë u nda nga jeta, por vepra e tij do të mbetet ylli ndriçues, pika e referimit për brezat. Në vijim dëshiroj t’ju përcjell fletë nga ditari i fundvitit të shkuar ku kam përshkruar emocionet e takimit tim të parë me poetin. Kjo ka ndodhur në datën 25 dhjetor kur erdhi në Radio Kukësi së bashku me Rexhep Ferrin, Smajl Smakajn etj. Ai e ka vizituar edhe një herë tjetër Kukësin, aty nga muaji mars i këtij viti, ku siç më kanë treguar mikpritësit e tij, ishte shprehur se po vinte për herë të fundit në Kukës, duke parandier ndoshta ndarjen e shpejtë nga jeta.

Ali Podrimja dhe Rexhep Ferri në Radio Kukësi

Petriti, drejtori i radios më kishte thënë para do ditësh se do të vinte në Kukës Ali Podrimja me disa shokë të tij, por nuk e pata marrë seriozisht. Nuk e di përse, jo se nuk desha t’i besoj një mundësie të tillë, që poetë të mëdhenj si Podrimja të shkelin edhe në Kukës, por thjesht nuk e mora seriozisht. Ndoshta edhe për faktin që me Petritin vendosëm një marrëveshje për dy libra, botime të fundit të Aliut që i kishte gjetur në Kosovë dhe që e lamë që të m’i sillte. Doja të mësoja diçka më shumë për poezitë e dekadës së fundit të shkruara prej Aliut, por nuk i solli. Megjithatë, ndërsa po shkruaja lajmet në zyrë, aty nga ora 11.00 vjen një koleg i teknikës dhe thotë qetësisht: po të thërret drejtori. Lashë çfarë kisha në dorë dhe dola e u nisa kah drejtoria. Më kishte dalë mendsh që atë të shtunë do të vinte Ali Podrimja. Ali Podrimja, siç do ta njihja pas pak sekondash, të cilin asnjëherë nuk e kisha takuar dhe as e kisha parë në televizor, po ngjitej shkallëve bashkë me disa burra të tjerë. Mes tyre Petriti, krejt i qetë më bëri me dorë kah një burrë i imët, të cilin grupi e kishte nxjerrë në krye. Nga kopertinat e librave kisha krijuar një vizion tjetër për të. E kisha menduar më të ri, më të bëshëm, më të gjatë. Në një kopertinë libri, ose në disa prej tyre, siç kujtova në çast, fotografia-bust e tregonte Aliun një djalosh të pashëm me krye pak të përkulur anash, një karakteristikë e shtatlartëve. Një prej mysafirëve, që siç mësova aty, ishte Rexhep Ferri, një piktor shumë i njohur, ndoshta e kishte kapur befasinë që shfaqa për Aliun dhe foli pa e pyetur: “Në kopertinën e librit ka dalë kur ka qenë ma i ri dhe duket sikur nuk ngjan shumë”. Unë nuk e fsheha befasinë, por edhe emocionet që po takoja dorën me Ali Podrimen. Gjatë bisedës, i thashë se shqiptarët janë këtu ku janë, në kuptimin kulturor dhe politik edhe falë artit poetik të tij. Ne, them për brezin tim, jemi rritur me poezitë e tua, vargjet e tua na kanë bërë që ta duam më shumë atdheun dhe që të kuptojmë në thelb domethënien e qenies shqiptare, i thashë dhe i përmenda disa nga poezitë e ciklit “Zgjohu Kosovë”, të botuar në një përmbledhje shumë vite më parë në Tiranë. “Zgjohu oj, a po e ndien vajin tim/ a po e sheh si t’i kam ngulë sytë/ mu në zemër, mu në shpirt/ si ti kam hedhë duert rreth belit/ me t’përqafu, unë ashti yt?/ Zgjohu, Kosovë! / Nga degët e mia të thyera kush po dahet/ këtë vatër kush po e lë…”

Aliu, një burrë i urtë, që edhe në pamje fizike dukej si një reduktim i atij portreti që shohim në kopertinën e pasme të librave të tij ku shfaqet i ri dhe plot shëndet poetik si një statujë antike me flokun e rrëzuar mbi ballin e mençëm, tashmë rreth 70 vjeç, siç na tregoi më vonë, u emocionua gjithashtu. Të paktën këtë gjë e vura re pa mëdyshje, dhe nisi të interpretojë disa nga vjershat e tij të fundit me të cilat, prapëseprapë nuk m’u duk ai i madhi që kemi lexuar në dekadat e shkuara. M’u bë se kishte hy në hullinë e përgjithshme të vargëzuesve të përditshëm. Ndoshta ka dashur t’i ngushëllojë prodhuesit e sotëm të vjershërimit, si të thuash, e shihni edhe unë shkruaj vjersha të zakonshme e monotone ashtu si ju. E kishte humbur energjinë e dikurshme, atë energji që ka derdhë nëpër vjershat e famshme në rininë e tij, flaka poetike e ka humb fuqinë ndriçuese, ose si i thonë, fuqinë lëbyrëse. Kishte do poezi kushtuar babës, d.m.th, ndoshta atdheut, por pa atë furinë e vargut dhe ëmbëlsinë e gjuhës së popullit që ka dhënë në vjershat e rinisë. Sidoqoftë bëra sikur më pëlqyen vjershat që ai interpretoi, sepse gjithsesi ishin pak më të mira se shumë nga vjershat që mbahen sot si përfaqësuese të vlerave shqiptare të poezisë. Aliu ishte bërë më shumë filozof në bisedë dhe më i lehtë në vargje. Merakun për atdheun ai tashti e shprehte me fjalë dhe ndoshta nuk kishte nevojë imperative për të përdorur figura dhe metafora si dikur. Gjatë bisedës, të cilën me lejen e tij e regjistrova për radio, tha shqetësimin e vet historik për faktin që dy pjesët kryesore shqiptare vijojnë edhe sot të kenë kufi mes tyre. Tani që Kosova është e pavarur, nuk duhet të ketë kufij, qoftë edhe të butë apo të depërtueshëm. Ky ishte meraku i tij. “Por sidoqoftë mundemi të bëjmë bashkimin e disa elementëve të tjerë, si të kulturës, të medias, të shkollës e kështu me radhë”, tha ai. “Pse të mos ketë një botim periodik të Prishtinës në Kukës, apo të paktën në Tiranë, si kryeqytet që është. Pse të mos shtypen gazeta dhe libra njëlloj edhe në Kukës edhe në Prizren, edhe në Shkodër apo në Shkup…”. Ndërsa Aliu po thoshte këto fjalë, Rexhep Ferri, një nga mysafirët e tjerë, gjithashtu personalitet kulturor, përmendi faktin që ende në kufi të kontrollojnë pasaportën dhe kjo gjë është, siç tha, medet për ne. Duke ndier nevojën e një fjale ngushëlluese për gjendjen aspak dinjitoze të dy pjesëve shqiptare në raport me kombet e tjera që ngrenë zërin e nuk lënë gjë pa bërë duke na hyrë në hise ne shqiptarëve, tregova një ngjarje të Korçës të vitit 1990, të konferencës së talenteve të reja, ku pata shkuar si delegat nga Kukësi. Atje unë mbajta një fjalim me 5 pika për Kosovën, sepse jam rritur me ëndrrën e Kosovës, dhe tri herë grupe të rinjsh nga rrethe të tjera ma ndërprenë fjalën duke brohoritur: “poshtë Kosova”, sepse komunizmi e konsideronte si të huaj Kosovën e si vlla të huajin. Imagjinoni, sot ata djem sigurisht që duhet të kenë ndryshuar dhe ndoshta turpërohen kur ta kujtojnë, por dua të them që, çfarë ka ndodhur mbi ne dhe ku kemi qenë, tani mjaft mirë kemi ecë…Kështu u fola mysafirëve. Ata po tundin kryet në shenjë miratimi duke thënë, po, po, ashtu ka qenë. Mbasi bëmë disa fotografi me ngut, grupi i mysafirëve me Petritin dolën në kafe e unë iu ktheva punës për lajmet në zyrë. Pak më vonë Urimi, operatori i ri, më njoftoi se kishin shkuar për drekë te një restorant peshku. Mbasi bëra lajmet, u bashkova me ta. U ndjeva mangët për faktin që nuk pata një libër timin për t’ia dhuruar Podrimes dhe të tjerëve. Desha të kthehem në zyrë për të marrë të paktën ndonjë libër të kolegëve, por nuk më dhanë kohë. “Hajt se e rregullojmë një herë tjetër, kur të shkojmë në Prishtinë, dhe do të shkojmë bashkë ndonjë ditë, do të marrim edhe librat me vete”, tha Petriti duke shtuar se librin “Beja”, duke qenë se unë nuk kisha kopje rezervë, do ta merrte të vetin personal që ia kam dhanë kur e kam botuar, dhe do t’ia jepte Podrimes për ta lexuar. Dhe i foli bukur me pasion për Benë, e Podrimja tha se do të kishte kënaqësinë ta lexonte. I gjeta në mes të drekës, kamerieri më pyeti se me çfarë mundej të më shërbente e i thashë të më sillte një peshk, ndërkohë gjeta diku një gotë të lirë dhe e mbusha me verë të kuqe. “Mirëserdhe në Kukës o princi i poezisë shqipe”, iu drejtova Ali Podrimes. “Ndihem komod të pi një gotë verë me Ali Podrimen, ndihem në shtëpinë time- iu drejtova prezentëve. Asnjëherë nuk do ta kisha besuar se do gjendesha një ditë në një tryezë me Podrimen, aq shumë e kam çmuar këtë poet brilant sa do të isha i lumtur sikur qoftë edhe hija e tij të binte mbi mua ndërsa kalon këtej pari”, thashë i emocionuar. Dhe duke iu drejtuar tryezës fola prapë: “Është më i madhi poet shqiptar që jeton”.

Pas takimit, ndërsa po ktheheshim në radio, Petriti tha se shprehjet e mia kishin qenë një poezi interesante dhe komentuam se fjalë të tilla thuhen zakonisht për dikë, personalitet i madh vetëm pasi ai të ketë vdekur, por Ali Podrimja hyn tek ata gjeni, të cilët e meritojnë një përcaktim maksimal edhe duke qenë gjallë.

25 dhjetor 2011
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi