Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

AGIM GASHI:LAMENT PËR ALI PODRIMËN

Shko poshtë

AGIM GASHI:LAMENT PËR ALI PODRIMËN Empty AGIM GASHI:LAMENT PËR ALI PODRIMËN

Mesazh nga Agim Gashi Sun Jul 21, 2013 10:02 pm

AGIM GASHI:LAMENT PËR ALI PODRIMËN Duke-e-pire-nga-nje-qaj

AGIM GASHI:LAMENT PËR ALI PODRIMËN

I dashur vlla Ali!
I dashur Poeti i Kombit!
Po t’i shkruaj këto rrjeshta në Parkun e Rurit, në Düren. Ti e di se kur mbushem me mallin e atdheut dhe nënës sime, unë ia msy parkut ku shfryhem duke folë me Lumin Rur.
Sa here të kemi përmend edhe Ty, nuk mundem t’i numuroj.
Edhe Ruri sot është i shqetësuar, buçet nga valët dhe më duket se tërë rrjedhën e ka shndërruar në lot. Unë dhe Ruri nuk e kemi të lehtë të kontrollojmë dhimbjen, këtë dhimbje që solli largimi yt prej nesh, këtë dhimbje që ndiejmë, kur kufoma jote akoma nuk është shtrirë të pushojë në tokën e Arbërit, në atë tokë, për të cilën u shkrumove për së gjalli mbi shtatë dekada.
Këtu në brigjet e Rurit të shqetësuar, unë miku yt derdh lot, ndërsa mijëra kujtime më vërtiten në kokë.
Sa vjet kishim pa u takuar? Shumë! Që nga koha e pajtimit të gjaqeve. Jemi takuar në atë kohë me bindjen se edhe kështu ndihmonim atdheun dhe popullin e robëruar. Më kujtohen fjalët e tua: Pajtimi është gjëja më sublime e njeriut!
Fatkeqësisht unë u detyrova të ndahem nga atdheu, nga nëna, nga më të dashurit…
U ndava edhe nga Ti, i dashur Ali, por me shpresat se do të shifemi prap.
Kurbetin e shijoje edhe ti shpesh. Ishe si zogu në fluturim të hapësirave. E dije se në Evropë ke shumë miq.
Dhe një ditë, me një çantë të mbushur plot, me vargje me aromë atdheu, ia mbërrine Ti.
Erdhe aty ku isha unë, në rrugën Ellener nr.25 të Arnoldsweilerit ku ishte shtëpia ime e azilantëve. U përqafuam fort, lotuam pak e unë në shpirtin tënd lexoja brengën se ku ishte katandisur miku yt.
Ty pastaj të ofruan hotele me yje, banesa luksoze, por ti nuk ike nga unë.
Aty në shtëpinë e azilantëve, në një dhomë të vogël ta solla një shtrat, një tavolinë dhe një makinë shkrimi. Aty u ndjeve si në shtëpinë tënde. Aty, në atë varfëti, ishte zemra e mikut, e pasur në dashuri e mikpritje, isha unë, miku yt! Sytë e tu e shprehnin këtë!
Shkruaje pa ndal. Shkruaje për çdo gjë që duhej shkruar dhe ua përcillnim gazetave të ndryshme. Jo rrallë në shkrimet e tua, më bëre personazh, mua, mikun tënd, mikun e mallit dhe të brengës së përbashkët për atdheun. Uleshim në dhomën “tënde”, bisedonim e nganjëherë edhe qanim. Ti qaje për Lumin e unë për Nelin. Vajin, brengën dhe kafshatën i ndamë sëbashku., si miq, si vëllezër, edhe më shumë!
Me muaj nga aty brodhëm qyteteve të Evropës plakë për ‘u takuar me shqiptarët tanë, për t’i mbajtur gjallë në atë kohë të rëndë e të turbullt. Ti me vargjet e tua, e unë me këngët e mia, mbushnim sallat me dëgjues. Nuk ishin të rralla çastet kur mbusheshin me lot, mbusheshim edhe ne. Rëndë ishte kur qanin qindra njerëz përnjëherë.
Më thoshe: Po e zgjojmë mendjen e fjetur, po vjen dita e shqiptarëve, pa marrë parasysh se ku ata frymojnë.

AGIM GASHI:LAMENT PËR ALI PODRIMËN Ne-ore-letraro-muzikore-1998

Ne ore letraro-muzikore 1998


I dashur Ali!
Të kujtohet Brukseli, Boni, Viena, Kölni, Düseldorfi…?
Po Duisburgu të kujtohet? Atë natë ishim tre. Azem Shkreli që iku kaherë, Ti që ike tani dhe unë që do të vi pas jush. A e mban mend çfarë jehone pati ajo mbrëmje? Klubi nuk i zinte të gjithë. Ju dy poetët e mëdhenj lexonit nga një poezi, ndërsa unë ia thosha një kënge. Kështu deri në zbardhjen e mëngjesit kur ti the: „Kështu do të zbardhë së shpejti edhe Liria“! Azemi dhe unë ta pohuam këtë. Unë nuk mund t’i harroj kurrë ato orë!
Po Bonni a të kujtohet? Aty na e ndërprenë mbrëmjen, miku im. Ndjemë dhimbje për masën e shumtë që kishin ardhur për Ty e për mua. Ti u trondite nga kjo situatë, po nuk ishte në dorën tonë që ta ndryshonim. Më the mua e Selajdinit: „Ja si jemi ne shqiptarët. Del një karagjoz e prish çdo gjë“!
I dashur VLLA!
Unë kujtoj tani Farukun, Abedinin, Ilirin e shumë të tjerë që të nderonin, të donin e të respektonin! Kujtoj Veliun, që na ndihmoi me veturën e tij pa përtesë. I miri Veli, iku para teje.
Ti tani, miku im i shtrenjtë, je nisur për t’i takuar….. Veliun, Azemin, Rugovën, Abedinin….!
Çmallu me Lumin tënd, vëllai im! Ma tako dhe Nelin e dashur!…
I dashur Ali!
Të shoh të shtrirë në atë akivol francez e zemra më ngushtohet. Ti je shtrirë aty i heshtur e kurrë nuk do të flasësh më me njeri! Dhe nuk do ta dimë mendimin tënd të fundit, fjalën tënde të fundit, amanetin tënd të fundit.
Por dimë që të pat marrë malli për Lumin. Për këtë ti vdiqe në Francë. E dimë edhe pse vdiqe atje!
Aty pranë atij lumi të doli Lumi yt para e të tha:
-Babi, eja ikim. Nga këtu parajsën e kemi më afër! -
Lumi i dinte rrugët më të shkurtëra!
I dashur Vlla!
Desha të vij në varrimin tënd me gjithë sharkinë time. Planifikova që buzë varrit teënd të njomë të ta këndoj këngën për Ty. Por, më beso, o vlla i dashur, se nga ikja yte, më është zgjuar kanceri im í cili i ka shtue dhimbjet. Po do që sa më parë të ikim edhe ne: kanceri bashkë me mua.
Të qoftë i lehtë dheu amë!

I yti Agim Gashi!
24.07.1954-Pranë brigjeve të lumit RUR.


AGIM GASHI:LAMENT PËR ALI PODRIMËN 149
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi