Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Faik Aziz Zhilivoda:Kujtimet e mia për Aziz Zhilivodën (1)

Shko poshtë

Faik Aziz Zhilivoda:Kujtimet e mia për Aziz Zhilivodën (1) Empty Faik Aziz Zhilivoda:Kujtimet e mia për Aziz Zhilivodën (1)

Mesazh nga Agim Gashi Tue Sep 18, 2012 3:15 pm

Faik Aziz Zhilivoda

Faik Aziz Zhilivoda:Kujtimet e mia për Aziz Zhilivodën (1) 270706_501799186498556_842364962_n
Kujtimet e mia për Aziz Zhilivodën (1)

Më datën 27 shtator të vitit 1998 vendosa që të shkruaj një pjesë të së kaluarës së familjes Mujaj, për t'i kryer amanetet babgjyshit Mustafës, babës tim Aziz Zhilivodës dhe axhës tim Çerkinit, që aq shumë u sakrifikuan për ne. Gjithashtu dajëve të mi Avdiajve të Hadës dhe dajve të babës Abdullahajve të Vranidollit të Llapit dhe për t'i kryer obligimet e mia si bir i kësaj shtëpie.
Për të gjithë ata që mbajtën mbi supe tmerrin e kohës së turkut dhe shkaut dhe që qëndruan të patrembur dhe stoik gjatë gjithë jetës së tyre dhe na mësuan të jetojmë si njerëz të patrembur në ideale të larta kombëtare dhe njerëzore.
Lavdi i qoftë të madhit atë Gjergj Fishta që na e la "Lahutën e Malsis", si femijë e doja shumë këtë libër e tash ne të gjashtëdhjetat e vjetëve të mia i jam mirënjohës për të gjitha që na i la pas vetes.
Në bazë të gjeneratave që i mësova nga babgjyshi Mustafë Latifi. Paraardhësit tanë jetonin në Gllovotin, jo larg fshatit Zhilivodë, ku kemi jetuar. Deri në vitin 1980 në kohë të turkut, kjo familje i përkiste besimit të krishterë dhe i pari i familjes quhej Mikel Lekë Gjoni. Po në këtë vit pas kalimit në fe islame me dhunë edhe emrat është dashur të ndërrohen mjerisht. Në vijim të asaj kohe në atë fshat jetonte djali i madh i Mikelit, Muja i cili për shkaqe të mosdurimit të pushtetit turk detyrohet ta lëshojë shtëpinë dhe tokën dhe të ikë në malet e Çyçavicës. Ja po e shkruaj ngjarjen si e tregonte babgjyshi im.


Historiku i familjes Mujaj

Babgjyshi im ka qenë i mençur dhe i ka përcjellë kujtimet dhe amanetet e baballarëve të vet. Po në atë kohë sa ishin në fshatin Gllovotin, shkon Muja me marrë dru në malin e Çyçavicës, derisa ishin në mal, vjen një qaush i mbretit me disa tasildarë dhe zapti. Qaushi, shtatë tasildarë dhe katër zapti hyjnë në oborrin e shtëpisë së Mujës dhe pyesnin se ku është i zoti i shtëpisë!? Nëna e Mujës ju thotë së ai me djem janë shkuar me marrë dru në mal. Atëherë qaushi vret gjelin e shtëpisë dhe i thotë nënës së Mujës që ta përgatit për me ngrënë. Qaushi me zapti e tasildarë shkojnë në kullë dhe shtrihen të flenë.
Nuk vonohet shumë Muja dhe kthehet nga mali. Nëna i del përpara dhe e pyet:
- A u lodhe bre bir?
- Jo moj nanë, po ti a u lodhe? - e pyeti Muja, por Muja i sheh disa pika të gjakut në oborr dhe e pyet:
- Lumë nana, çka janë këto pika gjaku kështu? - pyeti Muja.
Nëna për mos mi treguar të birit, se e dinte se djemtë i zen hataja me turk i thotë:
- Biro e kam pre një gjel!
Në atë moment vjen një djalë i vëllaut të Mujës dhe i thotë: - Baba Mujë!?
- Fol ore bir!??
- Na e vrau qaushi gjelin! - thotë djali.
- Çfar çaushi ore!?
- Janë në kullë baba Mujë. - përgjigjet djali.
- Eu. - bërtet Muja, leni drutë bre, - ju bërtet vllaznive, rrokni martinat, - dhe hyjnë në kullë.
Qaushi me njerëzit e tij ishin kanë në gjumë.
- Qohuni bre qena, - ju kishte bërtit Muja.
- Kush ju dha leje të qitni me pushkë në oborrin tim dhe të vrisni pulat.
Pas pak fjalëve dëgjohen të shtëna në kullë, ku vritet qaushi i vetë njëmbëdhjeti. Ahëherë merr Muja anëtarët e familjes me ikë dhe me i shpëtue ata. E djegë shtepinë, pasurinë dhe gjithë turqit e vrarë dhe ia mësyen maleve të Çyçavicës ku edhe gjen strehim atje. Këtu ku kemi jetuar, prej të parëve tanë themelohet fshati Zhilivodë. Pastaj fillon Muja me e pre malin që ta bëntë tokë për bukë. Babgjyshi thoshte se shtatë herë ishte rrethue Muja prej ushtrisë dhe zaptisë së turkut, mirëpo Muja i thyente forcat turke me vllazni e djem. Një pjesë e mashkujve të Mujës ishin gjithnjë në roje, për mos me ju ra turqit tinëz siç e kanë pasur zakon. Muja vazhdon të punojë tokën buzë malit. Toka në mes të lumit Llap dhe Sitnicës ku tani është fshati Prelluzhë mbeti e ndjerë. Një ditë vjen një Beg prej Vushtrrisë dhe i thotë Mujës: - Nëse don me të shpëtue prej ekspeditave të turkut mundemi ta bëjmë një marrëveshje. Më jep toke dhe livadhet dhe unë ti hjeku qafe turqit.
Në atë kohë Muja jetonte në një bashkësi prej 63 anëtarësh. Mendohet Muja dhe konsultohet me vllazni dhe marrin vendim me e lanë tokën. I lanë afër 80 hektar tokë. Pasi Begu i merr tokat, i kolonizon me qerkez të ndjekur nga Rusia. Babgjyshi nuk e dinte në cilat vite kishin ndodhur këto ngjarje dhe sot e asaj dite qerkezët e kanë një pjesë të tokës sonë, e pjesën tjetër e kanë serbët e Prelluzhës. Pas okupimit të Kosovës në vitin 1912 nga Serbia vijnë zotrinjë taze të asaj kohe dhe secili i luante mexhat sipas nevojave të veta.
Maskara në mes të Krasmirovcit dhe Gradicës

Koha kalonte dhe vitet shkonin. Rëndohej pesha e robërisë mbi supet e të parëve tanë dhe në vitin 1919 poashtu në shtator, një ekspeditë e shkaut ia mësyen Çyçavicës dhe fshatit Zhilivodë. Pushka përhapet prej Zhilivode e deri në fshatin Kollë. Pas forcat serbe thehen nga shqiptarët, vijnë përforcime tjera nga ushtria serbe.
Në rrethin e Çyçavicës fillon lufta e madhe për jetë a vdekje. Pas shumë përpjekjeve nuk munden me i ba ballë forcave të Serbisë. Pjesa e luftëtarëve tanë tërhiqen thellë në zemrën e Çyçavicës. Po në këtë vit zihen 87 burra prej Kollës e deri në Zhilivodë nga forcat serbe. Të pa armatosur, pleq dhe të rinjtë pushkatohen dhe masakrohen që të gjithë në mes të fshatit Krasmirovc dhe Gradicë.
Në mes të këtyre të vrarëve nga shtëpia e Mujës ishte axha Shaban, vllau i babgjyshit tonë Mustafës, masakrohen në mënyrën më barbare. Në këtë masakër u vranë edhe Fazliu dhe Sejdiu 17 vjeçar.
Babgjyshi thoshte, - Kur jemi shkue me i marrë mashkujt tanë të vrarë, ishin kanë të zhveshur lakuriq. Teshat i kishin marrë fshatrat për rreth ku ishte bërë masakra. Mashkujt i kanë njohur përmes shenjave të trupit, aq keq ishin masakrue. I marrin 12 mashkujt në mes të tyre kishte qenë edhe një vajzë e masakruar. Vajza quhej Zylfie, e bija e Avdullit prej Zhilivode. Avdulli nuk kishte pas djem në atë kohë dhe vendosë që vajzën ta bëjë si djalë. Kurrë fshatarët e Zhilivodës nuk e kanë ditur se është vajzë dhe se emrin e ka pas Zylfie, por e kanë quajtur Syla i Avdullit. Pas kësaj masakre është konstatuar se Syla kishte qenë Zylfia, e bija e Avdullit 22 vjeçare.
Vllau i babgjyshit Shabani i vrarë i len 2 jetima Çerkinin dhe Qerimin.
Çerkini, Azizi dhe Qerimi e kanë pa babën e tyre, gjegjësisht axhën të masakruar dhe janë betuar te varri i tijse do ta marrin hakun e axhës Shaban dhe gjithë të tjerëve. Sipas tregimeve të babgjyshit tonë Mustafës shtëpia jonë e Mujajve mbeti në shënjestër të pushtetit të atëhershëm të Serbisë dhe gjatë krejt kohës fillon qëndresa prej burgimeve, persekutimeve, malltretimeve, vrasjeve dhe qëndrimi i paepur kombëtar dhe njerëzor. Vitet shkonin, koha kalonte.
Aziz Zhilivoda dhe pjesëmarrja e tij në NDSH

Baba jonë Azizi rritet, poashtu edhe Çerkini dhe Qerimi. Martohen që të tre dhe babgjyshi ia len përkujdesjen e shtëpisë Çerkinit. Baba, Azizi hynë në detyrën e xhandarmërisë shqiptare të asaj kohe. Në vitet që vijojnë Kosovën e ndajnë në mes gjermanët dhe italianët. Azizi gjendet në detyrë në Orllan të Podujevës, pastaj në Lluzhan dhe në fund në Besi. Disa vite më vonë kalon në Mitrovicë në gardën e Xhafer Devës. Pas largimit të gjermanëve dhe italianëve nga Kosova, shpartallohen këto formacione. Kosova pushtohet nga serbosllavët komunist. Këto formacione ndahen në grupe më të vogla dhe strehohen disa në Drenicë dhe disa në Çyçavicë.
Në atë kohë organizohen dhe riorganizohen formacione ushtarake nga Xhafer Deva, Marie Shllaku dhe Gjon Sereqi. Fillon lufta frontale dhe në prita kundër serbosllavëve. Po flasim vetëm për rrethin e Çyçavicës, Shalës dhe të Llapit, që na i la me gojë dhe shkrim baba ynë Aziz Zhilivoda.

Nga Faik Krasniqi.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Faik Aziz Zhilivoda:Kujtimet e mia për Aziz Zhilivodën (1) Empty Kujtimet e mia për Aziz Zhilivodën (2)

Mesazh nga Agim Gashi Tue Sep 18, 2012 3:28 pm

Faik Aziz Zhilivoda


Kujtimet e mia për Aziz Zhilivodën (2)


Faik Aziz Zhilivoda:Kujtimet e mia për Aziz Zhilivodën (1) 538828_501800086498466_887438523_n

Baba jonë Azizi rritet, poashtu edhe Çerkini dhe Qerimi. Martohen që të tre dhe babgjyshi ia len përkujdesjen e shtëpisë Çerkinit. Baba, Azizi hynë në detyrën e xhandarmërisë shqiptare të asaj kohe. Në vitet që vijojnë Kosovën e ndajnë në mes gjermanët dhe italianët. Azizi gjendet në detyrë në Orllan të Podujevës, pastaj në Lluzhan dhe në fund në Besi. Disa vite më vonë kalon në Mitrovicë në gardën e Xhafer Devës. Pas
largimit të gjermanëve dhe italianëve nga Kosova, shpartallohen këto formacione. Kosova pushtohet nga serbosllavët komunist. Këto formacione ndahen në grupe më të vogla dhe strehohen disa në Drenicë dhe disa në Çyçavicë. Në atë kohë organizohen dhe riorganizohen formacione ushtarake nga Xhafer Deva, Marie Shllaku dhe Gjon Sereqi. Fillon lufta frontale dhe në prita kundër serbosllavëve. Po flasim vetëm për rrethin e Çyçavicës, Shalës dhe të Llapit, që na i la me gojë dhe shkrim baba ynë Aziz Zhilivoda.Një pjesë të këtyre formacioneve i kanë rekomanduar në rrethin e Çyçavicës të quajtuar Artakoll. Aziz Zhilivoda, Hazir Gjaka dhe Ferat Hashim Strofci. Në pjesën e Shalës së Bajgorës e ka udhëhequr kryengritjen Ahmet Selaci dhe Adem Voca i Shalës. Në pjesë të Drenicës kanë mbajtur kontakte, konsultime dhe marrëveshje të vazhdueshme me Marie Shllakun, Gjon Sereqin, Ajet Gërgurin, Hilmi Zariqin, Miftar Bajraktarin, Bajram Dërgutin, bajraktarin e Gllogovcit, Ymer Berishen e shumë të tjerë. Mbajtën edhe strehimin e tyre në ushqim dhe mbathje e kanë bërë Bajram Zuka nga fshati Likoshan dhe Ilaz Gjemajli Lahi - Dervisholli nga fshati Gradicë.
Lufta dhe përpjekjet, organizimi dhe riorganizimi i sërishëm nën përkujdesjen e Gjon Sereqit, Marie Shllakut, Ymer Berishës, formohen grupe të vogla për rezistencë për Drenicë, komandatë ishin Shaban Polluzha dhe Mehmet Gradica
Burgosja e familjes së Azizit
Familjes së Azizit iu nënshtrohet malltretimi dhe burgimi. Në vitin 1946 burgosen krejt familja, prej babgjyshit 81 vjeç e deri të fëmija më i vogël në moshën 6 - muajshe. Në odën e Hajrë Isufit në Zhilivodë e mbajnë burgimin për gjashtë muaj rresht. Bukën e sillte nëna e Hajrës fshehtas prej serbëve "halla Mehreme". Një ditë hynë në një kontrollë në odën e Hajrës dhe i shohin ca trosha bukë. Në kontrollë bën pjesë edhe Sejdi Hasani. Sejdiu shkon në Shtab të OZN-ës dhe lajmëron shefin e Shtabit se familjen e ballistit po e ushqen halla Mehreme. Shefi i Shtabit një Kërst Kërstiqi i quajtuar Tushi vinte në burg. E fliste gjuhën shqipe shumë mirë. Ishtë bashkë me Simën dhe Çiçën, që kishin mbytë shqiptar me guxhum (shtagë). E marrin hallën Mehreme në pyetje dhe i thonë se pse i ushqen fëmijët e ballistit. Në praninë tonë Jonuz Rexhë Zhilivodës, plak i menqur dhe Sejdi Hasan spiunit, halla Mehreme iu drejtue me këto fjalë serbëve: "çfar pushteti jeni ju kur burgosni pleq e fëmijë, derisa unë jam gjallë kam me i ushqye edhe nëse më pushkatoni". Pastaj filluan ta marrin në pyetje nanën tonë: "masi nuk po mujmë me zënë Azizin qe sa kohë, me kë e ke këtë fëmijë gjashtë muajsh në prehër!? - E kam me burrin tim, Aziz Zhilivodën, - ia ktheu nëna. - Atëherë kush ia ka gatue bukën Azizit dhe bandave të tij dhe kush ia ka dërgue bukën? - Unë e kam gatue e nana e Azizit e ka dërgue deri te ara (ara e kishës). Prej atje e ka marrë bukën burri im me gjithë shokët e tij. Në atë moment u que në gjunj Jonuz Rexhë Zhilivoda dhe ka bërtit, - rrofsh e bija e Avdi Hoxhës së Hades. Qenke grua burrnore dhe fisnike.Pas fjalëve të Jonuzit ka ndërhye Sejdi spiuni me këto fjalë:
- Me pas kanë grua burrnore dhe fisnike ia kishte qitë tlyenin e vluem në vesh Azizit dhe e kish likfidue. Atëherë nëna ka fol: - O Sejdi Hasani, për herë të parë po të shoh edhe pse je i këtij katuni, me pas kan Azizi burrë si ti ja kisha qit tlyenin e vlumë n'vesh.
Sejdiu deshi të thotë edhe diçka, mirëpo shefi i OZN-ës i tha: - "mos grij pordhë, se ta ka mshelë gojën me m..t". Biseda mori fund. Shefi i tha hallës Mehreme që të binte bukë dhe të ushqente fëmijët, se nuk kishin faj ata. Pas shumë luftimeve dhe përpjekjeve Kosovën e okupuan edhe më shumë sllavokomunistët. Një pjesë e këtyre formacioneve dhe pjesëmarrës, sipas fjalëve të Aziz Zhilivodës kaluan në ilegalitet dhe vazhduan luftat.
Në burgun e Vushtërrisë
Erdhi vjeshta e vitit 1947, neve na dërguan në burgun e Vushtrrisë. Pas 2-3 ditëve e sollën edhe nënën e Sherfi Tërstenës, gruan e tij dhe një vëlla më të ri se Sherifi. Atë ditë na regjistronin në burg. Në regjistrim e sipër hynin Ali Shukriu dhe Rasim Qerkezi. Aliu ishte prokuror publik për Kosovë dhe Rasimi ishte shef i OZN-ës për Mitrovicë.
Aliu iu drejtua gjyshës tonë: - ti je nana e Aziz Zhilivodës? Lokja ia ktheu: - po unë vet! Aliu iu kthye dhe e kapi për flokësh: - ti je shtriga plakë që e ka pjellë Azizin, që na i ka vra 96 komunistë, bijtë ma të mirë të Jugosllavisë së Titos. Atëherë gjyshja iu drejtue me këto fjalë: - hiqi duart nga unë qen bir qeni, pushkë, topa e ushtri ke, ndiqe Azizin në mujsh me e zanë. Në atë moment gruas së Sherifit i ra të fikët, sepse e kishin torturue në Mitrovicë Vushtrri. I kishin ra krejt thonjtë e gishtave të dorës. Nëna e Sherifit i kishte ende teshat e lagëta, që e kishin hedh në Ibër. Pas këtyre fjalëve dolën Aliu dhe Rasimi jashtë. Ne vazhduam jetën tonë nëpër burgje. Në dimër të vitit 1947 ishte ofrua koha e lindjes për gruan e axhës Hajrizi. Gruan e liruan dhe shkoi te baba i saj në Brezhnicë. Në prill të vitit 1948, na erdhi lajmi se kishte lindë djalë. E pagëzuam prej burgut me emrin Ahmet. Ahmet Krasniqi, që do të ishte Ministri i ardhshëm i FARK-ut. Burgun e vazhduam në Vushtrri, një pjesë edhe në Prishtinës. Në vitet 1949-1950, na kthyen në burgun e Vushtrrisë. Pasi i mbushnin burgjet me shqiptarë, neve na dërgonin përsëri në një burg privat, shtëpi private . Në shtator të vitit 1950 na liruan prej burgut dhe u kthyem në Zhilivodë. Vazhduan ndjekjet dhe përndjekjet edhe në Zhilivodë. Ishim në një skamje të madhe. Ndihmën më të madhe me ushqim dhe veshëmbathje na kanë bërë dajtë e Hades. Filluan burgimet dhe malltretimet e të afërmëve tanë. U burgosën nipat , Bajram dhe Selim Zuka të Likoshanit, nipi Xhjemajl Preniqi dhe miku Isë Rexhepi nga Hadeja. U burgosën shumë burra në atë kohë, Ilaz Xhemajl Dervisholli me gjithë vëllaun e tij Sadikun, shumë burra prej fshatit Dobroshevc dhe lagjia e Morinëve të Akrashticës së Vushtrrisë, dajtë e babgjyshit prej Kutllovcit të Shalës së Bajgorës. Pësuan krejt dashamirët tanë nëpër burgje prej Nishit e deri në Goliotok. Familja jonë nuk kishtë asnjë të drejtë, si qytetare ashtu edhe njerëzore. Poashtu edhe e drejta e shkollimit kishte humbur. Mirreshim vetëm me punë të rënda fizike. Kur kishim me punue tokën tonë duhej të lajmëroheshim të këshilltarët komunist të fshatit që ta dinin se ku jemi. Kjo gjendje ka vazhduar deri pas vitit 1966, pas Plenumit në Brione ku i kanë qërue hesapet sllavo-komunistët. Pas Plenumit kemi marrë frymë më lirë dhe i kemi kryer shkollat privatisht. Unë, Faiku i Azizit kam kryer shkollën fillore, të mesme dhe atë të lartë, të gjitha këto privatisht, poashtu edhe vëllau i vogël Shaipi. Që të dy jemi punësuar në Elektroekonominë e Kosovës. Më vonë fillon ndjekja e familjës sonë përsëri. Unë përjashtohem nga vendi i punës. Shaipi operohet nga një shpërthim i gjakut në kokë dhe më vonë emigron në Suedi me gjithë familjen e tij, ku gjendet edhe tani. (vijon)
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Faik Aziz Zhilivoda:Kujtimet e mia për Aziz Zhilivodën (1) Empty Kujtimet e mia për Aziz Zhilivodën (3)

Mesazh nga Agim Gashi Tue Sep 18, 2012 3:30 pm

Faik Aziz Zhilivoda
Kujtimet e mia për Aziz Zhilivodën (3)
Faik Aziz Zhilivoda:Kujtimet e mia për Aziz Zhilivodën (1) 538828_501800086498466_887438523_n

Në kohën sa ishim në burg në vitet 1947-1948 në Vushtrri, axhës Hajriz, Çerkinit dhe Qerimit iu vendosën prangat në këmbë me nga 45 kg për copë.
Çerkinin dhe Qerimin i dërgojnë në burgun e Mitrovicës dhe pastaj në burgun e Prishtinës ku dënohen me nga 3 vite burg. Burgun e vuajtën në burgun e Nishit. Ne mbetëm në burgun e Vushtrrisë, sidomos në vitin 1948 kemi vuajtur edhe për kafshatë goje. Kujde

sin për ushqim e dha halla Fatë, motra e babës dhe Jakupi, djali i axhës Çerkin, i cili më së shumti pësoi si 13 vjeçar. Jakupi dhe gratë e Çerkinit dhe Qerimit ishin në liri.
OZN-a ishte vendosur në kullën tonë
Derisa ishim në burg, në kullën tonë ishte vendosur OZN-a me 110 ushtarë. Dëmet ekonomike që i pësuam në atë kohë ishin: dy penë ki, 7 bollica, 11 lopë, 5 viça, 75 copë dhi, 48 dele, për pula dhe bibat nuk i kemi numëruar.Pas pastrimeve etnike në polici, shqiptarët janë larguar nga vendi i punës për arsye absurde si: pse nuk je i martuar? pse je i martuar? etj. Në burg ishte si komandir vetëm një Din Bajraktari nga Gjakova. Dini bëri shumë kujdes të madh për familjen tonë. Na sillte meill misri, për qull sa të mos vdesim. Ndiej obligim të lartë familjar që edhe fëmija jonë i ka borxh respektin më të lartë Dinit, që më vonë u dënua me 20 vjet burg. Kam dëgjuar se Dini kishte strehuar kaçakun e maleve të Karadakut të Gjilanit, Hasan Ali Kerinikun. Pas dënimit dhe burgosjes së Dinit, Hasan Aliun e kanë qit në pritë dhe e kanë vrarë në vitin 1958. Këto fjalë i thashë se i kemi borxh Din Bajraktarit. Në burgun e Vushtrrisë na ka ndihmuar edhe një serb Tisa Sllaviq i Babimovcit dhe Mihajli edhe ky ishte serb. Serbët i morën burgjet në dorë dhe bënin çmos ta mposhtin popullin shqiptar. Burgjet u mbushnin për çdo ditë më shqiptarë nga vise të ndryshme të Kosovës, nga Drenica, nga Shala etj. Natën sikur i përbinte terri shqiptarët. Një pjesë e tyre janë masakruar, para shtëpisë së popit, pranë kalasë së Vushtrrisë. Më vonë këto varreza masive janë zbuluar me rastin e ndërtimit të ambulancës së re në Vushtrri. Në burgun e Vushtrrisë më kujtohen edhe disa burra të tjerë si: Sherif Tërrnava dhe Veli Aliu nga Zhilivoda, të cilët dinin për mbledhjen e ballistëve. Veliun e kishte mbajtur në një kosh të Badivukve të Vushtrrisë. Ashtu të zbathur dhe të zhveshur e sollën në qeli të burgut. Mishi i këmbëve i kishte rënë nga të ftohtit. Dini na i solli disa lakra turshi nga qyteti dhe gjyshja jonë Sherifja ia ka mjekuar këmbët me lakra, fshehtas nga komandanti i burgut me ndihmën e Dinit. Axha Veli qëndroi si burrat dhe nuk pranoi asgjë. Po të pranonte ai diçka, u pushkatonin edhe 120 persona prej Bellaçevcit e deri në Kollë. Një rast tjetër që më kujtohet, është edhe rasti kur një plaku, që kishte ndihmuar dhe kishte strehuar materialisht ballistët, OZN-a me gjithë bashkëpunëtorët e saj ia kishin dhunuar vajzën 18 vjeçare. Plaku vinte nga një fshat nga komuna e Vushtrrisë, nga një familje shumë bujare. Pas dhunimit, ajo mbetet shtatzënë. Ajo torturohet derisa ta pranoj se babai i saj e ka bërë këtë punë. Plaku dënohet me 15 vite burg dhe nga turpi për akuzat që serbi ia bëri vdiq në burgun e Nishit. Vajza lindi një djalë kur ajo po transportohej në burgun e Mitrovicës ku edhe u shuan lidhjet se çka ndodhi me vajzën. Në burg e sollën edhe Bajram Pasomën. Kishte qenë një burrë i zoti. Ai burgoset në Vushtrri, kishte ardhë me ble një plis dhe tri - katër shitore që kanë mbajtë plisa nuk ishte asnjë plis që i binte për qefi dhe bërtet: “nanën ...englezit, gjermanit, amerikanit e krejt atyre që e prunë Titën, që as plis për krye shqiptari nuk gjinet këtu”. Bajrami dënohet me 3 vjet burg. Prej torturave çmendet në burgun e Vushtrrisë. Ashtu i çmendur bërtiste: nesër po vritet Mustafë Zhilivoda (babgjyshi), nesër po vritet Sherifja e tij. Gjyshja frikësohej shumë. E shihte gjendjen e të gjithë neve fëmijëve të Azizit, pa bukë.
Kolonel Ahmet Krasniqi
Ahmet Krasniqi (1948-1998) kreu Shkollën Teknike, Dega e Maqinerisë në Prishtinë. Në vitin e dytë të shkollës së mesme kishte dalë shpallja për Akademinë Ushtarake. Duke ndejtë në kullë me ne, djemtë e Azizit, unë lexoja "Kujtimet e Hoxhë Kadrisë", kryetar i komitetit, "mbrojtja e tokave shqiptare". Në lexim e sipër kanë ardhur deri te besëlidhja e Junikut, kur janë thirrë krenjtë e shqiptarisë. Është ba besëlidhja për t'u dalë zot trojeve shqiptare. Në atë besëlidhje ka marrë pjesë edhe koloneli i xhanarisë së Shkupit Bajram Curri. Në kullën tonë u vendosë që Ahmeti të shkojë në Shkollën Ushtarake pas përfundimit të Shkollës Teknike. Të nesërmen jam shkue në Prishtinë për me u konsulltue me disa shokë rreth shkollimit të Ahmetit. Ndikimin më të madh në shkollimin e tij e ka pasur Metush Krasniqi Dajkovci dhe Hyrie Hana nga Gjakova me banim në Prishtinë. Poashtu edhe nga shokët e tij Sabri Novosella dhe Shefqet Jashari - Strofci. Kur i kemi dorëzuar dokumetat në Vushtrri, referenti për çështje ushtarake të komunës ishte një shqiptar i coftë. Nuk pranoi me i nënshkrue dokumentat, na quajti familje reakcionari dhe ballisti. U kthyen dokumenata në shtabin krahinor. Aty ishte një major serb. Ai na pyeti se pse nuk i kemi nënshkruar dokumetat në Vushtrri. Në Vushtrri na fyen se jemi familje balliste dhe se djemtë tanë nuk kanë të drejtë me u shkollue në Akademi Ushtarake. Pyetja jonë ishte se sa duhej familja jonë të ishte e dënuar për këtë punë dhe a kishe fund kjo mposhtje e familjes tonë. Majorit ia thamë edhe këto fjalë: - këto forma të diskriminimit të të miturve tanë dhe fëmijëve të baballarëve tanë janë dënuar në Plenumin e Brioneve dhe se dëshira jonë është të integrohemi në shoqëri. I treguam vuajtjet dhe peripetitë tonë prej fillimit, deri pas Plenumit dhe i thamë se nuk kemi nevojë me u la e shpërla para askujt. Gjatë gjithë kohës derisa ne flisnim majori dëgjonte me vëmendje. Majori nënshkroi dokumentat pa asnjë fjalë dhe uroi regjistrimin e Ahmetit. Ahmeti vazhdoi Akademinë Ushtarake në Beograd. Përveq neve djemtë e Azizit, e kanë ndihmuar edhe shokët e tij për moralin për ta kryer Akademinë. Ndër ta ishin: Metushi, Hyrija dhe Mehmet Gjoshi. Ahmeti e përfundoi Akademinë Ushtarake në Beograd dhe u caktua me detyra ushtarake në Zagreb të Kroacisë. Shpesh e kemi vizituar ne djemtë e Azizit, poashtu edhe shokët Metushi dhe Mehmeti.Për biografinë e Ahmetit dhe veprimtarinë e tij deri në ç'thurjen e Jugosllavisë mund të gjejmë në arkiv të ndryshme ushtarake të Kroacisë. Pas luftës në Kroaci ai largohet në Shqipëri, ku pas disa vizitave në Austri, në Zvicër, Gjermani dhe Norvegji emërtohet nga Qeveria e Bujar Bukoshit Ministër i Mbrojtjes dhe Komandant i FARK-ut. Mandej, sipas mendimit tim, fraksionet e ndryshme të bajraktarëve të UÇK-së dhe gjetiu në Kosovë, derisa marrëveshja në Norvegji me Adem Demaçin dhe shkrirja e ushtrive , FARK-ut dhe UÇK-së, në një armatë të Kosovës bëhet që Ahmeti me kthimin e tij në Tiranë të vritet në mënyrën më brutale. Gjithmonë sipas mendimit të familjes sonë, Ahmetin nuk e emëruam ne si Ministër për të uzurpua pronat e popullit. Ahmetin e emëroi vetë populli kur ka dalë në vota dhe ka fituar për Qeverinë e Bukoshit. I takon Qeverisë së Bukoshit që ta ndriçojë rastin e vrasjes së Ministrit të saj dhe birit të shtëpisë sonë. Një e vërtetë e pamohueshme që gjatë historisë së familjes sonë nuk ka ndodhë që t'ua kthejmë pushkën shqiptarëve. Kësaj radhe jemi habitur prej këtij veprimi dhe presim hulumtime nga faktorët relevant politik. .... Këto shënime janë bërë me rastin e përurimit të Shtatores së babës tim Aziz Zhilivoda. (FUND
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Faik Aziz Zhilivoda:Kujtimet e mia për Aziz Zhilivodën (1) Empty Re: Faik Aziz Zhilivoda:Kujtimet e mia për Aziz Zhilivodën (1)

Mesazh nga Sponsored content


Sponsored content


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi