Berisha: Edi Rama, fotokopje e diktatorit Enver Hoxha
Faqja 1 e 1

Në prag të Ditës Kombëtare të Rinisë, 8 dhjetori, kryeministri Sali Berisha zhvilloi dje një bashkëbisedim me studentët e Universitetit “Aleksandër Moisiu”, në Durrës. “Me protestat e vjeshtës së 1990-s, të rinjtë gjunjëzuan diktaturën më të egër dhe më të pamëshirshme që Europa kishte njohur pas Luftës së Dytë Botërore”, tha gjatë takimit, kryeministri Berisha
“Me pavarësinë e Kosovës, iu vu kurora një shekulli të ndritur në historinë e shqiptarëve”
Një interesim i jashtëzakonshëm i të rinjve durrsakë shoqëroi dje takimin e kryeministrit Sali Berisha, me studentët e Universitetit “Aleksandër Moisiu”, në Durrës. Me ftesë të studentëve dhe të rinjve të qytetit bregdetar, në prag të 8 Dhjetorit, Ditës së Rinisë, Berisha bashkëbisedoi me ta për më shumë se 2 orë, për çështje të ndryshme si arsimi i lartë, zhvillimi ekonomik, integrimi i vendit në BE si dhe për festën që po afron, 8 Dhjetorin, Ditën e Rinisë, kur 21 vjet më parë diktatura komuniste do gjunjëzohej nga vrulli i të rinjve për liri.
Në fjalën e tij kryeministri Berisha theksoi se 8 Dhjetori i vitit 1990, është një datë që meriton nderimin më të madh ndërsa shtoi se pas Pavarësisë së Shqipërisë, është viti më përcaktues për shqiptarët. Këtu Berisha solli në vëmendje krimet barbare të komunizmit ndaj grave dhe burrave shqiptarë, thjesht e vetëm se pse ata besonin në idealin e lirisë. “8 Dhjetori është një datë që meriton nderimin më të madh, pasi, në vlerësimin dhe memorien time, duke e menduar dhe rimenduar shumë herë, pas vitit të pavarësisë së Shqipërisë, viti ’90 është viti më përcaktues në historinë e shqiptarëve.
Në këtë kontekst, viti që solli rinia studentore e vendit mund të konsiderohet pa asnjë hezitim si “annus mirabilis”, si viti i mrekullive.
“Kjo për ju, për moshën tuaj, nuk është kaq e lehtë të realizohet, por për gjithë të tjerët që kanë lindur para jush e që kanë kaluar vite rinie nën regjimin më të egër që Europa kishte njohur pas luftës, siç ishte regjimi hoxhist, ka kuptimin e vet. Dhe këtu unë dua të ndalem pak, përse viti ’90 ishte dhe do të mbetet për shqiptarët ‘annus mirabilis’, viti i mrekullive. Së pari, lëvizja studentore gjunjëzoi në Tiranë, regjimin më të egër, diktaturën më të egër, më të pamëshirë, që Europa kishte njohur. Unë do t’ju jap vetëm dy të dhëna për këtë. E para, në Shqipëri, lufta e klasave dhe makineria e saj ekzekutoi, persekutoi, burgosi, internoi dy herë më shumë qytetarë, se në të gjitha vendet ish-komuniste të marra së bashku, përveç Bashkimit Sovjetik, të cilit nuk ia di statistikat, por, pak ditë më parë, gjatë një dreke me Mikhail Gorbaçov, një nga ata 2-3 personalitetet më të mëdha të shekullit që shkoi, i cili me rolin e qëndrimin e tij kontribuoi në mënyrën më të jashtëzakonshme në shembjen e murit komunist, kur unë i dhashë statistikën zyrtare, - duke i thënë: Zoti President, vetëm gra, sipas statistikave dhe regjistrit zyrtar, në Shqipëri janë pushkatuar 800 gra, prej të cilave edhe nëna shtatzëna, - ai u trondit jashtë mase”, u shpreh Berisha.
Kryeministri theksoi se regjimi komunist e ushtronte barbarinë e tij në marrjen e jetëve të shqiptarëve, edhe përmes urisë dhe sëmundjeve. Ndonëse Tirana ishte më e privilegjuar, Berisha, përmes tollonave që përcaktonin sasinë e ushqimit që do konsumoje, e kundërta ndodhte në zonat e thella, kryesisht fshatrat, të cilave u shërbehej vetëm kripë, sheqer dhe vaj.
“Regjimi që përjetonim ne dhe për fat të keq, kjo është ana e panjohur për shqiptarët, në dallim nga të gjitha regjimet ish-komuniste, ka vrarë, ka ekzekutuar shumë herë më tepër mes urisë dhe sëmundjes, sesa me burgjet dhe skuadrat e pushkatimit. Kjo nuk njihej, sepse në Tiranë, por edhe në qytete të tjera, ishim të privilegjuar, pasi kishim një tollon dhe tolloni - juve ju duket çudi sot - përcaktonte se do të merrje një pako gjalp, një kilogram mish, pra, këtë lloj marrëdhënieje, ndërsa ata qytetarë shqiptare, që shtriheshin nga Vermoshi në Delvinë, në mënyrë absolute merrnin për vite të tëra vetëm kripën, sheqerin, vajin dhe këtë nga një kilogram dhe bukën e misrit. Këta krijonin sëmundje të tmerrshme dhe sëmundje të tjera. Sot, të tregosh sesi familjet shqiptare filluan t’i përshtaten ose të reagojnë ndaj këtij mjerimi, është legjendë, madje shkuar me dhjetëra herë legjendës së Migjenit. Migjeni përshkruan familjet dhe laren që ushqenin pranë vatrës. Por në Kolonjë, në Tropojë e në shumë e shumë rrethe të tjera, aq sa e pabesueshme duket sot, familjet, pavarësisht nga besimi i tyre fetar, rrisnin derrin në dhomën e miqve, duke u kujdesur të mos i ndihej zhurma, sepse regjimi i çoi ato në kufijtë e shuarjes. Mortaliteti infantil ishte ndër më të lartit në botë, si edhe shumë tregues të tjerë. Mjerimi, të dashur të rinj dhe të reja, është një mekanizëm i tmerrshëm topitjeje për njeriun dhe qytetarin. Por, aq sa mund të duket paradoksale, ai ishte një mekanizëm i stërfuqishëm shtypjeje dhe indoktrinimi. Për ata, të cilët e njihnin Shqipërinë, sistemi në Shqipëri ishte një sistem skllavërues, në kuptimin absolut të fjalës. Por ishin të paktë ata që jetonin në qytete, të cilët kishin njerëz dhe e dinin se çfarë ndodhte në periferinë e vendit. Ndaj edhe Shqipëria u katandis në vitin 1992, si viti me 204 dollarë të ardhura për frymë. Ky ishte regjimi. Ndaj edhe unë them se për shqiptarët, ky është ‘annus mirabilis’, një vit mrekullie”, tha Berisha.
Në bashkëbisedimin me të rinjtë, Berisha i informoi ata pikërisht në vitin 1990, kur kishin filluar demonstratat kundër regjimit dhe ishte shfuqizuar ligji për tradhtinë, regjimi që ishte drejt shembjes, ekzekutoi 83 të rinj sipas regjistrave, se pse ata kishin nisur rrugën e botës së lirë, duke besuar në idealin e lirisë.
“Moshatarët tuaj, në atë dhjetor të ’90-s, përballeshin me një regjim, i cili, edhe pasi kishte hequr dënimin për tradhti ndaj atdheut për kalimin e kufirit, ekzekutoi 83 bashkëmoshatarë tuaj, sipas regjistrave, të cilët u nisën për në botën e lirë, duke besuar se tashmë, përderisa ligji i tradhtisë ndaj atdheut u anulua, u hoq nga parlamenti, do të mund të kalonin kufirin dhe të dilnin në botën e lirë. Dhe jo vetëm që u ekzekutuan, por, si në asnjë vend tjetër, në Sarandë, në Shkodër, trupat e tyre të vdekur u zvarriten në rrugët e qytetit, në aktin më makabër, në krimin më të shëmtuar kundër njeriut dhe njerëzimit. E gjitha kjo, për të terrorizuar të tjerët, që ata të mos mund të dilnin”.
Kreu i qeverisë theksoi më tej se, “shqiptarët pothuajse ishin projektuar të qëndronin në fatin e tyre, pasi nuk kishte komb që hyri në vitin ’90 më fatkeq se kombi ynë: brenda në një varfëri, mjerim dhe shtypje ekstreme, jashtë i shtypur. Këta ishin shqiptarët në vitin ’90, të shtypur në Kosovë, të shtypur në Maqedoni, të shtypur në Malin e Zi dhe po kaq të mjeruar dhe të shtypur në Shqipëri. Në këto rrethana, unë dua t’ju rrëfej një të vërtetë profesionale. Ndonëse i vendosur t’i kundërvihem atij regjimi me çdo çmim dhe me çdo kusht dhe kisha filluar shkrimet dhe qëndrimet e mia, nuk kisha besuar kurrë se një ditë do të shihja ndonjë ditë të lirë. Ne ishim në izolim të plotë. Dhe këtë terr të madh, këtë perde të rëndë, e çorrën të rinjtë e universiteteve të Tiranës, të cilët u ngritën me 8 dhjetor. Përballja ishte ndër më të egrat. Ndaj dhe unë e quaj këtë ‘annus mirabilis’ të tyre”, tha më tej Berisha.
Duke përshkruar të gjithë kalvarin e tranzicionit të Shqipërisë pas rrëzimit të diktaturës dhe shpalljes së pluralizmit, kryeministri theksoi se këto 20 vite Shqipëria ka bërë ndryshime të mëdha, teksa sot është anëtare e NATO-s dhe një nga aspirantet potenciale të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Në këtë pikë kryeministri i bëri thirrje Partisë Socialiste të kontribuojë për perspektivën evropiane të vendit, ndërsa kujtoi se PS ka qenë edhe kundër anëtarësimit në NATO, për të cilin ka bërë edhe rezoluta në Kuvend. “Vendi ecën drejt një procesi të sigurt për anëtarësimin në BE, por ky proces u pengua nga kreu i opozitës për qëllime të pastra politike. Nuk them se ai është anti-europian. Opozita ka qenë anti-NATO, por jo anti-europiane. Rama besoi se duke bllokuar qeverinë dhe vendin, do të vinte më shpejt në pushtet, por më 8 maj mori përgjigjen që meriton”. Kreu i ekzekutivit, falënderoi studentët për ftesën, ndërsa uroi të gjithë të rinjtë për Festën e 8 dhjetorit.
“Ju falënderoj shumë përzemërsisht për ftesën që më keni bërë dhe shfrytëzoj rastin t’ju përshëndes ju, studentëve të pranishëm në këtë sallë, të përshëndes të gjithë studentet dhe studentët e Universitetit të Durrësit, të përshëndes rektorin dhe trupën pedagogjike, të përshëndes zyrtarët e pranishëm këtu, ministra e deputetë. Përshëndes gjithashtu, të gjithë studentët shqiptarë, në pragun e një ngjarje ndër më të mëdhatë në historinë tonë kombëtare, 8 dhjetorit, ditës së demonstratës të rinisë studentore në Tiranë, që sot është edhe dita Kombëtare e Rinisë”, tha më tej kreu i qeverisë, ndërsa më pas vijoi bashkëbisedimin me studentët, duke iu përgjigjur interesit të tyre.
Kryeministri i përgjigjet interesit të studentëve:
Kohët e fundit janë shkruar dy libra. Ne jemi kurioz të dimë a i keni lexuar Kurbanin e Ramës dhe Enver Hoxhën e Fevziut. Ka një përpjekje për të shkruar histori. A mendoni se ka ardhur koha për t’u rishkruar historia?
Në këtë rast më ka ndodhur e kundërta. Normalisht, unë duhet të lexoja librin e kundërshtarit politik, sepse librat e kundërshtarëve duhet t’i lexosh gjithnjë. Nuk e kam lexuar, por kam ndjekur mediat, shtypin e shkruar dhe kam lexuar shumë paragrafe dhe pasazhe të tij. Si rregull, unë nuk lexoj memorie, kam një koncept timin për memoriet, por nuk më ka penguar kjo që ta lexoj. Libri, siç keni konstatuar, është përgënjeshtruar universalisht, sepse rezulton që autori, gjatë shkrimit të tij, ka harruar se janë me qindra dëshmitarë, të cilët i njohin ngjarjet ndryshe nga ato që i përshkruan ai. Por edhe kjo nuk është një pengesë serioze për mua, për ta lexuar. Rama ka të regjistruar në politike zinxhirin më të gjatë të disfatave politike. Politika është fitore e disfata, por Rama ka zinxhirin më të gjatë të disfatave absolute dhe rezulton se ai nuk është marrë aspak me analizën e tyre, çka do të më interesonte, sepse njeriu në politikë është i detyruar të analizojë fitore dhe humbje dhe analizimi i fitoreve dhe humbjeve në politikë është detyra më e vështirë për politikanin. Këtë ai e ka injoruar. Ka edhe një moment, përse unë nuk e kam lexuar. Nuk e kam lexuar, sepse nga pasazhet që ka botuar shtypi, rezulton se ai operon në mënyrën më të vjetër me armikun e brendshëm dhe kjo për njeriun e lirë është kryekëput e papranueshme. Gjatë 20 viteve në politikë, unë kam pasur dhe kam me dhjetëra bashkëpunëtorë, që sot bashkëpunojnë me mua, ose që kanë kaluar në kampet e tjera. Po marr dy prej tyre, Spartak Ngjelën dhe Preç Zogaj. Dua t’ju tregoj një gjë intime. Sa herë që bie fjala për ta, absolutisht, kujtoj vetëm momentet e bashkëpunimit me ta. Sa herë që bie fjala për avokatin, unë kujtoj fushatën e tij, me të cilën ai kontribuoi, për kryetar bashkie të Tiranës dhe e mundi zotin Rama. Tani ju e dëgjoni vetë se çfarë flet e thotë ai në media. U ndala në këtë moment për të thënë se nuk mund të operosh kurrë, nuk mund ta trajtosh bashkëpunëtorin tënd si një armik. P. sh.:., merrni qëndrimin e zotit Rama ndaj ish Kryeministrit Fatos Nano. Fatos Nano ka qenë kundërshtari im më kryesor. Unë dhe ai jemi në dy kampe, por mënyra sesi e përshkruan ai, Fatos Nanon, absolutisht, është mënyra më primitive njerëzore, e cila është identike me ato të Enver Hoxhës, për Haxhi Lleshin, për Zai Fundon apo për ndonjë tjetër, të cilin ai e ka ekzekutuar. A mund të pajtohemi me këtë? Të ndalemi te ky moment. Dakord, Sali Berisha është armiku i jashtëm për të dhe le të shkruajë. Unë nuk e konsideroj armik atë. Absolutisht jo. Por një njeri që e mori nga Parisi dhe e bëri ministër, të cilin e kandidoi për kryetar bashkie dhe kryetar bashkie e bëri Partia Socialiste, pasi nuk bëhet kush kryetar bashkie në Tiranë pa parti, nuk ka njëri që të fitojë individualisht, pa mbështetje partiake, në Tiranë, cilido qoftë ai mbi këtë tokë, pra, ky njëri e solli nga Parisi, e bëri ministër, e propozoi për kryetar bashkie dhe në fund, ai punoi së bashku me mua për rrëzimin e tij, se sheshet e MJAFT-it i mbushte PD-ja. Duhet ta shohësh të vërtetën siç është, në sy, sepse këtë e dinë të gjithë. E rrëzova dhe çfarë bëri ai? I ofroi postin e kryetarit të partisë dhe iku, por edhe mund të mos ikte. Zotëria ka pësuar vetë personalisht disfatë pas disfate, edhe disfatën më të rëndë personale dhe nuk ikën. Fatos Nano humbi zgjedhjet dhe iku, ka qëndruar në interferencë. Tani, kur ti merr dhe shkruan me kaq urrejtje ndaj tij, ti shpalos klishenë më të vjetër të doktrinës totalitare, se vetëm aty mund të gjesh një qëndrim të tillë. E njëjta edhe ndaj Ilir Metës, i cili në Partinë Socialiste ka merita shumë të mëdha. Kur ata deputetë bënin rezoluta në parlament kundër meje, kundër Partisë Demokratike, për anëtarësimin në NATO dhe rezolutat kundër janë njëra pas tjetrës, Ilir Meta ishte kundër, Pandeli Majko ishte kundër, sepse ata ishin pro Aleancës së Atlantikut. Ata mbanin me vete atë ideal të lëvizjes studentore dhe ata mund të ishin në Partinë Demokratike, por zgjodhën Partinë Socialiste dhe nuk bënë gabim, e zgjodhëm me qëllim rinovimi. Ndaj, kur ti vjen dhe e gjen gati, ti, me bashkëpunëtorët e tu, duhet të mendosh se sot është një botë e lirë, nuk është më koha e diktaturës. Këta janë fatlumë, se ky do t’ju bënte atyre atë që ju ka bërë Enveri kundërshtarëve. Ndaj nuk mund të lexohet ky libër, sepse përbën në këtë aspekt, modelin më primitiv të qëndrimit, model klasor tipik, sepse, vetëm kur udhëhiqesh nga lufta e klasave, mund t’ia lejosh vetes të shkruash për ata, me të cilët ke një përpjekje të përbashkët. E them edhe njëherë, unë nuk shkruaj memorie, por nuk mund të konceptoj kurrë që për ish bashkëpunëtorët e mi të shkruaj duke shkelmuar mbi meritën e tyre.
Lexoni librin e dytë, mbi diktatorin. Autori ka paraqitur në mënyrën më të dokumentuar mizoritë e tij, për të mbajtur pushtetin. Libri nuk ka paraqitur batërdinë e tij nëpërmjet urisë dhe sëmundjeve, por ka paraqitur të gjithë qëndrimet e tij dhe pa asnjë pasion politik. Gjykojë vetë. Ai ka paraqitur qëndrimin e tij ndaj çështjes kombëtare, ka paraqitur me gojën e tij, me ditarin e tij se çfarë qëndrimi kishte dhe sesa i nënshtruar ishte ai ndaj Dushatit dhe Popoviçit. Mendoj se ky libër hedh dritë mbi bazë dokumentesh, gjer sot, asnjë të përgënjeshtruar. Kush ishte Enver Hoxha? Një vrasës, që në vitet e parë të karrierës së tij politike. Një diktator i egër, i cili eliminoi një nga një bashkëpunëtorët dhe shokët e tij, imagjino pastaj se çfarë ndodhte më të tjerët. Të tjerët ishin anonim për të. Jeni shumë fatlumë që në memorien tuaj, ju nuk keni copëza të asaj periudhe, e cila për të gjithë ata që e kanë jetuar është një jetë e këputur, janë vite të këputura jetë, në variantin më real. Pra, libri ndriçon dhe historia, për mendimin tim, duhet të shkruhet. As ju nuk e njihni historinë, as unë nuk e njoh historinë e vendit tim. E kam theksuar dhe e theksoj se mund të njoh shumë mirë historinë e një vendi tjetër, por jo të vendit tim, sepse ajo ishte e ndaluar dhe thellësisht e interpretuar mbi bazën e kultit të diktatorit, se si të ndërtohej kulti i diktatorit, ku banditi ishte bërë hero dhe themeluesit ishin shndërruar në tradhtarë. Cila është historia sot, cila duhet të jetë e vërteta e dokumenteve? Ne kemi histori qëndrese, kemi pasur dritëhijet tona, kemi bërë gabimet tona. Por kurora me pavarësinë e Kosovës bëhet një histori ndër më të ndriturat e një kombi. Një komb jetim, një komb, i cili historikisht, gjatë shekullit që shkoi, është mbështetur fuqishëm nga SHBA dhe ka fituar. Ne duhet t`i nxjerrim dhe ju duhet t`i mësoni. Shqiptarët duhet ta mësojnë historinë e tyre, siç ishte. Ajo nuk ka qenë kurrë rozë, nuk ka qenë kurrë kryekëput në pozitive dhe negative, siç duan ta paraqesin sot, me klishe tërësisht negative. Historia duhet të dalë siç është dhe unë besoj se ky vit, viti i 100 vjetorit të pavarësisë, do të jetë një frymëzim i madh për historianët tanë, do të jetë një frymëzim i madh për studiuesit tanë, që të nxjerrin të vërtetat historike të Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Ju keni drejtuar vendin dy herë. Cila ka qenë reforma juaj me e vështirë?
Momentet më të vështira të karrierës sime politike kanë qenë dy. Ka qenë terapia e shokut. Çfarë ishte terapia e shokut? Në vitin ’92, Presidenti i Republikës merrte 16 dollarë rrogë, qytetarët merrnin 4 deri në 8 dollarë. Çmimet ishin simbolike, një kilogram bukë kushtonte 26 qindarka, sepse i tillë ishte deformimi i tregut që kishim trashëguar. Tani duhej që të liberalizoje çmimet dhe fillimisht, një grup produktesh më jetike si buka, mielli, sheqeri, orizi, gjalpi, vaji e të tjerë u mbrojtën, u mbajtën çmime të kontrolluara dhe u quajtën grupi i shportës. Mirëpo, nga njëra ana, ishte grupi i shportës, nga ana tjetër, tregu që nuk pranonte kurrë të punonte me këto çmime. Askush nuk kishte interes të punonte tokën. Duhej të importoje me 100 dhe të shisje me 2.5. Pra, një spirale ekonomike shkatërrimtare dhe rruga ishte që t`i nxirrje në treg dhe të liberalizojë çmimet. Ne e bëmë këtë dhe momenti ka qenë ky. Në një moment nga FMN u kërkua që buka të rritej dhjetë here. Unë thashë jo, buka do të rritet dhe do të dalë në treg me atë çmim.
Ata kërkonin një çmim patjetër të përcaktuar 30 apo 60 lekë të vjetra, nëse nuk gaboj, unë nuk rashë dakord dhe bëra atë që mendova. Më thanë se nëse ndodh ndonjë destabilizim, do të kisha përgjegjësi vetë. Unë u them dakord dhe i rritëm çmimet. Sigurisht që ishte dhimbje, ishte shumë e vështirë, sepse në të vërtetë çdo kafshatë numërohej, por, absolutisht, ishte e vetmja rrugë për të mbushur dyqanet, të cilat ishin bosh. Sikundër magazinat tona ishin bosh, sepse ishte punuar vetëm 20 për qind e tokës bujqësore. Në fund të katër viteve, ne patëm një rritje prej 15 herë të çmimeve dhe një rritje prej 19 herë të rrogave. Pra, ne arritëm të shmangim pasojat. Ky ka qenë momenti i parë i vështirë.
Moment tjetër i vështirë, shumë i rëndë për mua, ishte momenti i skemave piramidale. Ne nuk dinim se çfarë ishin. Ato filluan në vitin ‘91 dhe në mënyrë absolute, asnjëri nuk kishte dijeni se çfarë ishin ato, të paktën për mua. Cilat ishin njohuritë për to do t’ju jap një shembull. Në 17 janar të vitit ‘96, Guvernatori i Bankës Qendrore më bën një letër, ku më paralajmëron për rrezikun e tyre dhe më kërkon që ato të shndërrohen në banka. Imagjinoni edhe ai vetë se çfarë koncepti kishte, që do ishte katastrofa më e madhe, nëse ato do të shkonin drejt bankave. Ato vetëm banka nuk mund të shndërroheshin kurrë. Ato u fuqizuan shumë, gjykata u dha të drejtë atyre, për fat të keq dhe vendosëm që cilado që ishte piramidë, ta bllokonim. I bllokuam dhe tani momenti ishte në ‘97. Kundërshtari im ju tha qytetarëve se do të paguante çdo qindarkë. Të paguajë çdo qindarkë do të thoshte t’ua merrje paratë atyre që nuk kishin marrë pjesë në skemat piramidale dhe t’ua jepje atyre që kishin humbur paratë. Kjo nuk kishte moral. Kishte të bënte edhe me një moment të tjetër. Në disa momente, kombi është si individi dhe nuk ka individ të pranojë një borxh që se ka marrë. Borxhi është i vjetër sa njeriu dhe unë ju thashë jo, nuk mund të paguaj asgjë. Një borxh që nuk është marrë, nuk mund të njihet. Shkova në një postulat të lashtë dhe i qëndrova atij. Nuk mund të bëja një akt të tillë moral, sepse kjo do të thoshte të njihja një borxh që nuk ishte marrë kurrë nga qeveria dhe u vërtetua që qeveria nuk kishte prekur asnjë qindarkë prej tyre. Duhej që të merrja para të taksapaguesve, që nuk ishin angazhuar në skemat piramidal dhe të shpërbleja këta të tjerët. Nuk e bëra. Gjithnjë e kam pasur në ndërgjegjen time, nëse e pata drejt apo bëra gabim dhe nuk besoj se kam bërë gabim, sepse ajo krizë u kalua, me gjithë se pati pasojat e veta, por u kalua në rrafshin ekonomik, shumë më shpejt, sesa, nëse krijoheshin spirale për zvarritjen e saj. Së dyti morali është moral. Njeriu nuk mund të njohë një borxh që nuk e ka marrë.
Sistemi i Bolonjës duket që ka imponuar një kërkesë të re ne tregun e punës. E thënë më qartë, për të gjetur një vend pune nuk mjaftojnë 3 vjet, por duhen 3+1 apo 3+2 dhe, ndërkohë që kostot e studimit janë rritur, oferta që vjen nga tregu i punës duket që nuk ka shumë lidhje me kërkesën, nga pikëpamja strukturore. Zoti Kryeministër, a mund ta konsiderojmë të suksesshëm kartën e Bolonjës në arsim dhe cilat, sipas gjykimit tuaj, janë pasojat në tregun e punës dhe në strukturën e të papunëve?
Procesi i Bolonjës është një proces europian, është një proces pan-europian. Europa e adaptoi këtë proces e frymëzuar nga modeli anglo-sakson, i cili, pa dyshim, për mua është model lider. Europa në union e adaptoi këtë model dhe mendoi se e ka pasur drejt. Absolutisht, synimi i tij më kryesor është përshtatja me tregun dhe ne duhet të bëjmë gjithçka që të zhdukim barrierat, të cilat pengojnë punësimin me tre vjeçarin. Synimi kryesor është të punësoheni me trevjeçarin dhe pastaj, ju të keni zgjidhje, nëse doni të ecni më tutje, ecni. Synimi kryesor është të këputej në mes një sistem burokratik, i cili ju impononte juve nga viti i parë, në vitin e pestë dhe nuk ju jepte mundësi. Por, sërish e them, për ju dhe për vendin, shkollimi juaj më i madh është interesi më i mirë, sepse unë këtë nuk mund ta fsheh, ne nuk kufizojmë. Jemi në një stad dhe ne duhet të kemi edhe mirëkuptimin. Cili është stadi? Ne të gjithë, së bashku, duam që Shqipëria të bëhet vend i zhvilluar, por Shqipëria bëhet vend i zhvilluar mbi bazën e dijes. Pa dije, Shqipëria nuk bëhet vend i zhvilluar. Duhet të dimë që kemi gjithsej 240 mijë të diplomuar në universitete. Ju garantoj që Shqipërisë i nevojiten 600-700 mijë.
Shpesh kemi dëgjuar të flitet që një nga prioritet e qeverisë në lidhje me edukimin do jetë formimi profesional. A ka qeveria një plan konkret?
Orientimi dhe formimi profesional është një nga çështjet më themelore që kemi dhe është një problem multidimensional. Sistemi, duhet të jemi realistë, në orientimin profesional, pas diplomimit, është në fillimet e tij. Por janë fillime të sigurta. Fakti që ne kemi liberalizuar dhe do të liberalizojmë edhe më tej masterin dhe më pas kurset, kjo është pikërisht për t’u dhënë mundësi të rinjve të orientohen drejt profesioneve, ku ata e shohin veten se japim më shumë, ose mund të sistemohen. Orientimi profesional ka problemin tjetër themelor të arsimit profesional, i cili në Shqipëri pësoi një rënie të lirë. Në vitin ’90, Shqipëria kishte rreth 540 shkolla të mesme, nga të cilat më pak se 50 gjimnaze dhe gjitha të tjerat shkolla bujqësore, të cilat formonin në drejtim të bujqësisë, kishte dhe një seri shkollash të tjera teknike, por të shumtat ishin shkolla bujqësore. Këto u mbyllën dhe pasojat qenë dy. Së pari, një rënie e menjëhershme e viteve të shkollimit tek shqiptarët, nga 11 tek 9. Së dyti, rënia e madhe e arsimit profesional, pasi nuk mund të vazhdohej në atë mënyrë, sepse nuk mund të kishe 400 shkolla bujqësore në Shqipëri. Kjo ishte absurde dhe ishte një sistem i bazuar mbi absurdin hiperkolektivist. Ne jemi përpjekur shumë në drejtim të arsimit profesional dhe ky është viti më shpresëdhënës. Kemi pasur vështirësi, sepse familjet nuk i çonin fëmijët në shkolla profesionale dhe vendosëm bursë për të gjithë ata që i dërgojnë në këto shkolla. Kjo funksionoi diçka, por jo dhe aq intensivisht. Këtë vit, nga njoftimet që kam nga Ministria e Arsimit, ka një rritje të ndjeshme. Raporti arsim profesional - arsim i përgjithshëm në vendet e BE është pothuajse 1 me 1. Tek ne, para dy vjetësh ka qenë 22%, sivjet shpresoj të jete 24%. Pra, ka një tendencë rritje dhe ne do të bëjmë gjithçka për ta rritur më tej. Ka pastaj edhe variante të tjera, në rast se kjo nuk funksionon në këtë formë, do të detyrohemi të fuqizojmë komponentin profesional në të gjitha shkollat, sepse prej tij nuk mund të hiqet dorë, është jetik për përshtatjen me tregun.
Duke dalë nga pyetjet e bëra deri më tani, dua të di cilët janë shkrimtarët tuaj më të preferuar, qoftë vendi apo të huaj, këngëtari juaj më i preferuar, lloji i pikturës që pëlqeni?
Me shkrimtarët unë kam një raport të tillë. Për vite të tëra mbaj njërin prej tre më shumë, pastaj kaloj tek tjetri. P.sh. në vit të dytë në Fakultet, gjatë gjithë vitit kam lexuar vetëm Dostojevskin dhe problemi ishte se duke lexuar edhe mjekësi, zhyteshe edhe me thellë sesa duhej në personazhin e tij. Pastaj kam qenë shumë i pasionuar pas Hygoit, Heminguejt, Markezit, Xhoisit. Me shkrimtarët, nuk qëndroj shumë besnik vetëm me një. Poetët i dua shumë. Lexoj poezi, i lexoj edhe si një lloj ushtrimi, sepse poezia të kërkon të përqendrohesh, nuk mund të lexosh poezi pa u përqendruar, por e dua dhe më disiplinon mendimin. Dëgjoj muzikë dhe iPad, iPhone i krijon një avantazh të jashtëzakonshëm njeriut. Avantazhi për mua është se më jep mundësi të dëgjoj edhe këngët e para që më kanë bërë përshtypje në jetë, kur kam qenë fëmijë 5-6 vjeç, edhe ato të sotme. Kam dashur shumë këngëtarë dhe vazhdoj t`i dua. Sidomos kur ke një fonoteke të pasur, të shtrirë në kohë. Natyrisht, unë kam listat e mia më të pëlqyera në iPhone dhe në këto lista do të gjesh Edith Piaf, por do të gjesh edhe Adel, apo Amy Winehouse. Dua t`ju rrëfej se unë për muzikën bashkëkohore kam si instruktore mbesën time, Sarën, 14 vjeç dhe unë i besoj zgjedhjeve që bën ajo.

Agim Gashi- Administrator
- Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008
Similar topics
» Berisha: Edi Rama, fotokopje e Enver Hoxhës
» Ferizaj: Festohet 103 vjetori i lindjes së diktatorit Enver Hoxha
» Kostaq Xoxa:Edi Rama, Enver Hoxha-2 i Shqipërisë
» Feti Zeneli:Rama si Enver Hoxha, kundër gjithë botës!!
» Xhafer Leci:Si kishte refuzuar Ibrahim Rugova të përkulej para varrit të diktatorit Enve Hoxha?

Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
Tue Mar 14, 2017 8:17 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ - SHIPTARËT NUK JANË "ME BYTHË NË PRUSH", PËR TË FALUR TOKAT
Mon Feb 27, 2017 6:54 pm nga Agim Gashi
» Akuzat kundër Shefqet Krasniqit Prokurorisë ia kishte konfirmuar edhe BIK-u (Dokument)
Mon Feb 27, 2017 5:20 pm nga Agim Gashi
» Aktakuzë kundër imamit Shefqet Krasniqi
Mon Feb 27, 2017 4:32 pm nga Agim Gashi
» Zbulohen tensionet gjatë dialogut në Bruksel, Nikoliqi Thaçit: Ti je kriminel
Fri Feb 03, 2017 7:40 pm nga Agim Gashi
» Faruk Tasholli - RJEPENI NANËN
Fri Feb 03, 2017 12:22 pm nga Agim Gashi
» FAMILJA E HAKI IMERIT: AI U VRA NË KOHËN KUR NË PUSHTET ISHIN HASHIM THAÇI E REXHEP SELIMI
Wed Jan 25, 2017 12:39 am nga Agim Gashi
» AGIM GASHI - O NE TREN PËR MITROVICË
Wed Jan 18, 2017 11:08 pm nga Agim Gashi
» Vëllai i tij u pajtua me Thaçin, por ja si ishte kidnapuar Haki Imeri në Brojë e më pas ishte vrarë
Wed Jan 18, 2017 8:13 pm nga Agim Gashi
» Fadil Maloku:Aferim, Prokurori e Kosovës!
Wed Jan 18, 2017 8:00 pm nga Agim Gashi
» Djali i Haki Imerit del kundër axhës: Nuk ia fali Thaçit, nuk dua drejtësi kanunore
Wed Jan 18, 2017 7:12 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ:Copëza biografike dhe kujtime për Ibrahim Rugovën
Wed Jan 18, 2017 5:13 pm nga Agim Gashi
» Presidenti Thaçi i “lahet me 124 pleq” Imer Imerit se nuk ka gisht në vrasjen e vëllait të tij
Wed Jan 18, 2017 4:00 pm nga Agim Gashi
» Adem Salihaj akuza të rënda ndaj Hashim Thaçit, ja si po mundohet të shpërlahet nga krimet e shumta që ka bërë
Wed Jan 18, 2017 3:53 pm nga Agim Gashi
» Ndodh edhe ky skandal: Njeriu që grisi fotografinë e Presidentit Rugova merr certifikatën e veteranit të UÇK-së
Tue Jan 17, 2017 7:55 pm nga Agim Gashi
» BERAT ARMAGEDONI:Lamtumirë, Joshua i Pejës!
Tue Jan 17, 2017 12:15 am nga Agim Gashi
» Biografia e Presidentit Rugova - Biografi e shkurtër
Mon Jan 16, 2017 10:32 pm nga Agim Gashi
» ILIR MUHARREMI : Treni provokativ, artistët në gjumë
Sun Jan 15, 2017 11:32 pm nga Agim Gashi
» Përveç ROSU-së, ky është shqiptari që rrezikoi jetën për ta ndalur trenin e Serbisë
Sun Jan 15, 2017 9:53 pm nga Agim Gashi
» ENVER PETROVCI - IN MEMORIAM SEFEDIN NUREDINIT- SEFA
Sun Jan 15, 2017 9:07 pm nga Agim Gashi