Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Nis Kosova e Re

Shko poshtë

Nis Kosova e Re Empty Nis Kosova e Re

Mesazh nga Agim Gashi Wed Jul 15, 2009 7:01 pm

Nis Kosova e Re



Nis Kosova e Re Konferenca-15
Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për ndërtimin e Termocentralit Kosova e Re. Kryeministri Hashim Thaçi ka prezantuar sot një strategji me pesë pika veprimi, ku secila fazë do të shkojë paralelisht me tjetrën, për të zgjidhur, siç është thënë, problemin kronik të energjisë në Kosovë.

Faza e parë përfshin ndërtimin e Termocentralit Kosova e Re dhe hapjen e mihjes në Sibovc. Ndihmë për këtë do të japë Banka Botërore. Madhësia e përgjithshme e TC Kosova e Re do të jetë 2000 megavat, e ndërtuar në dy faza – faza e parë prej 1000 megavatesh do të ndërtohet menjëherë.
“Kosova e Re do të zhvillohet me teknologjinë më të re të termocentraleve super-kritike dhe me mundësinë për t’u pajisur për kapjen dhe ruajtjen e karbonit. Ajo do t’i përmbushë standardet evropiane të ambientit dhe ato sociale, si dhe do të vendosë një standard të ri teknologjik në rajonin tonë”, ka thënë kryeministri Hashim Thaçi.
Faza e dytë është privatizimi i Termocentralit Kosova B.
“Qeveria e Republikës së Kosovës dhe partnerët tonë parashohin një partneritet publik-privat për Kosovën B, që do të tërheqë kapitalin e nevojshëm privat për rehabilitimin dhe privatizimin e saj”, ka thënë kryeministri Thaçi.
Faza e tretë ka të bëjë me mbylljen e Termocentralit Kosova A.
“Me përkrahjen e Komisionit Evropian, Qeveria e Kosovës përkushtohet për mbylljen dhe dekomisionimin e Kosovës A, sa më shpejt që kjo të jetë e mundur, në mënyrë që të adresojë brengat serioze për ambientin dhe shëndetin, të lidhura me këtë termocentral”, është shprehur Thaçi.
Faza e katërt përfshin privatizimin e distribuimit të KEK-ut. Dhe, e katërta, kërkimi për energjinë alternative.
Për zbatimin e të gjitha këtyre masave, Qeveria do ta ketë partneritetin e vazhdueshëm dhe përkrahjen nga Banka Botërore, Qeveria e SHBA-së dhe Komisioni Evropian, ka thënë kryeministri Thaçi, në një konferencë për gazetarë.Nis Kosova e Re Konferenca-2


Prishtinë, 15 korrik 2009
Deklaratë e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në konferencën e sotme për media, pas marrjes së vendimit në mbledhjen e sotme të qeverisë për ndërtimin e Termocentralit Kosova e Re
Qeveria e Republikës së Kosovës është duke lëvizur përpara me projektin për termocentralin Kosova e Re, pas një serie të mbledhjeve të Komitetit Drejtues të Projektit në dy javët e kaluara.
Këto veprime janë pjesë e një strategjie më të gjerë për sektorin e energjisë dhe kanë për qëllim furnizimin e qëndrueshëm dhe kualitativ me energji.
Reformimi i sektorit të energjisë do të promovojë rritjen e shpejtë ekonomike dhe do ta përshpejtojë anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian.
Plani ynë për energjinë kërkon pjesëmarrje të gjerë:
Duhet të sigurojmë pagesën e faturave tona dhe zvogëlimin e energjisë së humbur.
Duhet të sigurojmë investimet financiare në hapjen e mihjeve të reja, ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese, rehabilitimin e njësive ekzistuese gjeneruese dhe zgjerimin e rrjeteve tona të transmisionit dhe shpërndarjes.
Qeveria e Kosovës bashkë me Komisionin Evropian, USAID-in dhe Bankën Botërore do të organizojnë një takim të Partnerëve të Kosovës për Energji gjatë këtij viti për të harmonizuar modalitetet dhe gjetur rrugën më të mirë për të tërhequr investimet private në sektorin e energjisë.
Këto veprime janë në interes të qytetarëve të Kosovës dhe kanë përkrahjen e fuqishme të bashkësisë ndërkombëtare.
Ne iu jemi mirënjohës Komisionit Evropian, Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) dhe Bankës Botërore, të cilët na kanë ndihmuar në modernizimin e sektorit të energjisë në Kosovë.
Duke u bazuar në këtë bashkëpunim, ne bashkërisht kemi formuluar një strategji të bazuar në pesë pika veprimi, ku secila fazë do të shkojë paralelisht me tjetrën, për të zgjidhur problemin kronik të energjisë në Kosovë.
1. Termocentrali Kosova e Re: Termocentrali Kosova e Re dhe hapja e mihjes në Sibovc do të shkojnë përpara me ndihmën e vazhdueshme të Bankës Botërore.
2. Termocentrali do të sigurojë energji të mjaftueshme dhe të qëndrueshme për konsumin vendor dhe për eksportin ndërkombëtar.
Kosova e Re do të zhvillohet me teknologjinë më të re të termocentraleve super-kritike dhe me mundësinë për t’u pajisur për kapjen dhe ruajtjen e karbonit.
Ajo do t’i përmbushë standardet evropiane të ambientit dhe ato sociale, si dhe do të vendos një standard të ri teknologjik në rajonin tonë.
Ne jemi përcaktuar që madhësia e përgjithshme të jetë 2000 MË e ndërtuar në dy faza – faza e parë prej 1000 MË do të ndërtohet menjëherë.
Lokacioni pranë termocentralit Kosova B do t’i ofrohet investitorit të ardhshëm për të ndërtuar termocentralin Kosova e Re.
Depozitat e linjitit në veri të mihjeve të tashme të Bardhit dhe Mirashit - Mihja e re e Sibovcit – do t’i ofrohet investitorit të ardhshëm për zhvillim në baza koncesioni.
Kosova do të ketë përfitime të konsiderueshme ekonomike nga ky projekt nëpërmjet mekanizmave të ndryshëm të tërheqjes së të ardhurave, për shembull, nëpërmjet taksave, tantiemave, aksioneve etj., që do të përfshihen në marrëveshjen me investitorin e ardhshëm.
3. Termocentrali Kosova B: Termocentrali Kosova B paraqet pjesën më të rëndësishme të gjenerimit të tashëm vendor të energjisë dhe është një prej shtyllave të sektorit të energjisë në Kosovë.
Qeveria e Republikës së Kosovës dhe partnerët tonë, parashohin një partneritet publik-privat për Kosovën B, që do të tërheq kapitalin e nevojshëm privat për rehabilitimin dhe privatizimin e saj.
4. Termocentrali Kosova A: Me përkrahjen e Komisionit Evropian, Qeveria e Kosovës përkushtohet për mbylljen dhe dekomisionimin e Kosovës A, sa më shpejtë që kjo të jetë e mundur, në mënyrë që të adresojë brengat serioze për ambientin dhe shëndetin të lidhura me këtë termocentral.
Ne po synojmë që dekomisionimi të kompletohet gjatë periudhës së vitit 2014- 2015. Ky pozicion është në pajtim me obligimet që dalin nga Marrëveshja për Komunitetin Energjetik, që flet për mbylljen e këtij termocentrali më së largu deri në fund të vitit 2017.
Zbatimi me kohë i projektit Kosova e Re do të kompensonte prodhimin e zvogëluar të energjisë nga Kosova A.
5. Distribuimi i KEK-ut: Në fund të vitit 2008, Qeveria ka marrë vendim për të privatizuar funksionin e distribuimit në KEK.
Modalitetet e privatizimit do të shqyrtohen në javët që vijnë, me ndihmën e një këshilltari për transaksion, që do të emërohet së shpejti.
Qeveria është e bindur se privatizimi i distribuimit të KEK-ut do të mundësojë investimet e nevojshme për ngritjen e rrjetit të distribucionit dhe uljen e humbjeve teknike.
Kjo do të përmirësojë tutje performansën fianciare të kompanisë për distribuim, e cila do të shërbente si një partner i besueshëm për investitorët e Kosovës B dhe Kosovës së Re.
6. Energjia alternative: Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për zhvillimin e hidro-potencialit të ripërtërishëm kosovar për gjenerim të energjisë, dhe për hulumtim për energji solare dhe energji të bazuar në erë.
Për këtë qëllim, së bashku më Bankën Botërore e kemi përfunduar studimin e fizibilitetit për hidrocentralin e Zhurit.
Hidrocentrali i Zhurit do të jetë projekti më i madh hidroenergjetik i Kosovës, i cili do t’u ofrohet investitorëve potencialë nga sektori privat nëpërmjet një procesi të hapur, transparent dhe konkurrues.
Në fund, për zbatimin e të gjitha këtyre masave, Qeveria do ta ketë partneritetin e vazhdueshëm dhe përkrahjen nga Banka Botërore, Qeveria e SHBA-së dhe Komisioni Evropian.
Transparenca do të jetë elementi kyç që do ta përcjellë çdo fazë të zbatimit të këtyre projekteve.
Zbatimi i kësaj strategjie do të kërkojë jo vetëm ekspertizën teknike, por edhe kontribut të konsiderueshëm financiar, si dhe garancinë nga donatorët dhe investitorët privatë.
Unë jam i bindur se së bashku me partnerët tanë, ne do ta zgjidhim krizën energjetike në Kosovë dhe Kosova do fillojë ta vërë në funksion potencialin e saj në fushën e energjisë në tërë rajonin.
Një gjë e tillë, iu mundëson qytetarëve të Kosovës furnizim të rregullt me energji elektrike, bizneseve rrymë të pandërprerë dhe kjo do bëjë që shumë investitorë të tjerë ti orientojnë investimet e tyre në Kosovë.
Faleminderit!
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Nis Kosova e Re Empty Opozita kritikon vendimin e qeverisë

Mesazh nga Agim Gashi Wed Jul 15, 2009 7:05 pm

Opozita kritikon vendimin e qeverisë


Nis Kosova e Re -800px-

Vendimi për nisjen e ndërtimit të Termocentralit “Kosova e Re” ka nxitur reagime në mesin e opozitës dhe ekspertëve. Disa kritikojnë qeverinë për shkelje të strategjisë së mëhershme, të tjerët e vlerësojnë të duhur vendimin e qeverisë.

Përfaqësues të opozitës dhe ekspertë për çështje ekonomike japin vlerësime të kundërta rreth vendimit të qeverisë, për fillimin e realizimit të projektit më të madh kapital deri më tani në Kosovë - “Kosova e Re”.
Ethem Çeku, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës si dhe ish-ministër i Energjisë dhe Minierave në kohën kur është përgatitur projekti, thotë se qeveria ka shkelur Strategjinë e Zhvillimit Energjetik të Kosovës 2005-2015.
Në këtë strategji, sipas tij, ishte paraparë që termocentrali të ndërtohet me kapacitet instalues 2100 megavate. Ndërkaq, qeveria sot ka vendosur që “Kosova e Re” fillimisht të ndërtohet me kapacitet prodhues prej 1000 megavatesh, e më pas të rritet edhe për 1000 megavate tjera.
Për këtë arsye, Ethem Çeku, vendimin e qeverisë e quan politik.
“Asnjë institucion tjetër vendor dhe ndërkombëtar nuk mund të bëjë ndryshime në parlament. Projekti mund të pësojë ndryshime vetëm me votën e deputetëve të Parlamentit në Parlamentin e Kosovës, sepse strategjia e aprovuar 2005-2015, është aprovuar në këtë Parlament të Kosovës”.
“Dhe, ky parlament e ka fuqinë e plotë, është sovrani, për të ndryshuar në 1000 apo në çfarëdo kapaciteti, në bazë të analizave, të cilat i bëjnë ekspertë eminentë”, thotë Çeku.
Edhe Besa Gaxherri, deputete në Kuvendin e Kosovës, nga Lidhja Demokratike e Dardanisë, pohon se Qeveria e Kosovës ka zvarritur tej mase realizimin e këtij projekti.
“Janë gati dy vjet që këta kanë marrë mandatin dhe asnjë hap nuk ka lëvizur tutje. Përkundrazi, ky proces është degjeneruar, ka devijuar dhe situatën e kemi çfarë e kemi”, shprehet Gaxherri.
Në anën tjetër, ekspertë të ekonomisë, me gjithë zvarritjen e deritashme të projektit, vendimin e sotëm të qeverisë e vlerësojnë si të duhur.
Berat Rukiqi, sekretar në Odën Ekonomike të Kosovës, thotë se Oda edhe më herët ka kërkuar nga qeveria që të përshpejtohen procedurat për projektet kapitale.
“Një investim që është paralajmëruar për këtë projekt, rreth 3.5 miliardë euro, është një investim që Kosovës do t’i ndihmojë në të gjitha aspektet, qoftë në sjelljen e investimeve tjera përcjellëse, qoftë në rritjen e vendeve të reja të punës”, thotë Rukiqi.
Por, përfaqësues të opozitës thonë se papërgjegjësia dhe joserioziteti i qeverisë karshi Termocentralit “Kosova e Re” lidhet edhe me tërheqjen nga procesi tenderues i kompanisë energjetike gjermane, RVE AG.
Besa Gaxherri thotë se tërheqja e ofertës së kësaj kompanie është mjaft shqetësuese dhe, siç thotë ajo, paraqet sinjal alarmues për largimin e investitorëve potencialë.
“Vërtet kjo është zhgënjyese, është dëshpëruese, në kohën kur bota po kalon një krizë globale financiare”.
“Përkundër asaj që ne kemi pasur mundësi që t’i shfrytëzojmë momentet e tilla, çfarë i kemi pasur, kjo qeveri nuk është në gjendje që të jetë e përgatitur, të jetë korrekte, të jetë transparente dhe t’i joshë investitorët, por reagon apo vepron në të kundërtën”, deklaron Gaxherri.
Ndryshe, në deklaratën e saj, kompania RVE AG thotë se është tërhequr nga projekti për shkak të “çështjeve të ndërlikueshmërisë dhe nivelit të projektit”.
Por, ish-ministri i Energjisë, Ethem Çeku, thotë se tërheqja e kësaj kompanie është mesazhi më i keq i mundshëm për zhvillimin ekonomik, për investimet e huaja dhe, siç u shpreh ai, për pasqyrën jo të mirë të klimës investive në Kosovë.
“Kemi një gjendje mjaft kaotike. Qeveria duhet të bëjë përpjekje maksimale që t’i mbajë në garë kompanitë”, thotë Çeku.
Edhe eksperti Rukiqi konsideron se tërheqja e kompanisë gjermane nuk është sinjal pozitiv për klimën investive në përgjithësi, por në projektin “Kosova e Re”, sipas tij, nuk do të ketë ndikim.
“Kjo nuk do të thotë që edhe ata tre, që janë si konkurrentë, do të tërhiqen dhe do t’i ndjekin hapat e njëjtë. Sigurisht, nuk është sinjal i mirë, nuk është sinjal pozitiv, por nuk besoj se do të dëmtojë konkurrencën për këtë projekt”, vlerëson Rukiqi.
Kostoja e projektit “Kosova e Re”, sipas llogaritjeve të ekspertëve ndërkombëtarë, do të jetë 3.5 miliardë euro. / REL /
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi