Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Lavdrim Lita: Nëse dëshiron të vdesësh, shto shpejtësinë...

Shko poshtë

Lavdrim Lita: Nëse dëshiron të vdesësh, shto shpejtësinë... Empty Lavdrim Lita: Nëse dëshiron të vdesësh, shto shpejtësinë...

Mesazh nga Agim Gashi Fri Jul 31, 2009 12:26 pm

Nëse dëshiron të vdesësh, shto shpejtësinë...

Nga Lavdrim Lita

Nisja: kur eci më këmbë nëpër Tiranë mendoj se më duhet një makinë. Veçse kur jam me makinë për në Durrës, mendoj se duhet të eci në këmbë. Ky vendim më vjen në mendje pasi shoh lapidarët plot lule plastike anës rrugës, të cilët nuk simbolizojnë dëshmorë, por janë dasmorë që kanë humbur jetën, siç më thotë një njeri i vjetër. Mësoj se shpejtësia të shkurton jetën. Pastaj gënjej veten se duhet të eci më këmbë. Është një zgjedhje që më shumë se nga dashuria për ekologjinë, më vjen nga frika. Frika si shtysë e statistikës së vdekjeve nga përplasjet toksh e makinave. Sidomos tani, kohë në të cilën shtohet si mizat pa punë numri i automjeteve që lëvizin, për shkak të fluksit të emigrantëve. Dhe përforcimi i radhëve të policisë me efektiva të reja sikur nuk mjafton, nëse mungon baza logjistike. Nëse pyet ekspertët e policisë rrugorë, ata të shpjegojnë, krahas regjistrimit të aksidenteve në mbarë vendin, edhe shkaqet e përgjakjes së rrugëve tona. Për dhjetë vitet e fundit rreth 2500 shqiptarë panafakë kanë vdekur aksidentalisht. Shkaku kryesor mbetet shkelja e rregullave të qarkullimit nga drejtuesit e automjeteve: e para midis tyre është klisheja “shpejtësia tej normave të lejuara”, më pas konsumimi i pijeve alkoolike dhe gjendja teknike e automjeteve zënë përqindjen më të madhe të aksidenteve të rënda.

Nxitimi për askund: Mbas aksidentit, gjëja më e parë që të kalon nëpër mend është: pse po nxitonin në atë mënyrë, për ku vallë? Se padija se ku po shkon të bën ta shkelësh gazin dërrasë... Kështu i thonë pilotët e vdekjes rritjes së shpejtësisë, për të ditur se çfarë i pret matanë superstradës. Në të shumtën e rasteve, shoferë e pasagjerë shkojnë sagllam nëpër shtëpizat e tyre, por kur ky rregull thyhet, për arsyet që sapo thamë, atëherë “shtëpia” në të cilën shkon është ajo e përjetshmja. Dukuria e marrëdhënies njeri/veturë ka njëfarë tragjikomedie brenda: për shembull, shërbimet funerale, të cilët në fund të fundit bëjnë punën e tyre, fërkojnë duart sa herë vjen gushti ose/dhe tetor-dhjetori ku piku i qefinëve shitet pa masë. “Kemi dalë për lek, kemi dalë për të fitu” - të thonë pa turp. Kanë të drejtë, do mbajnë fëmijët me bukë.

Gaz dhe frena dore: Makina është tradhtare dhe tragjedia është këtu: është shumë e vështirë të reflektosh se mund të bëhesh si një plumb dymbëdhjetë pikë shtatëshe në fluturim. Entuziastët e makinave të shpejtësisë do t’u thonë se s’është gjë të ecësh me 100 në orë. Mirëpo me 100 kilometra në orë do të thotë të bësh 27 metra për sekondë, një shpejtësi e tillë është një ngarkesë e papërmbajtshme për frenat dhe përqendrimin e një shoferi normal. Në pak sekonda, ai mjet katror motorik mund të shndërrohet në një elefant të tërbuar. Përplasje, kthim përmbys, devijim anash, çdo tip aksidenti shkakton një frenim tak-fak ose humbje të kontrollit të mjetit dhe duke qenë pasagjerët - pra ju - që kanë të njëjtin drejtin, të njëjtën shpejtësi me të, çdo sipërfaqe e brendshme dhe çdo cep i makinës kthehet në një plumb qorr që shpon, çan, drejtohet përballë jush: në mënyrë të pashmangshme. Nuk ka mbrojtje kundër ligjit të inercisë.

Kurthi i shpejtësisë: Shpejtësia është një temë që josh dhe prek përherë të gjithë, të rritur e fëmijë, specialistë e amatorë, fanatikë të “Formula 1” dhe profanë. Sepse shpejtësia është një sfidë me vetveten, është një ndeshje, mund të mbajë brenda jetë a vdekje, fitore dhe humbje, risk, trimëri, papërgjegjshmëri, por edhe mprehtësi e kalkulim...siç thoshte edhe poeti futurist italian Marinetti “një veturë në shpejtësi e sipër është më e bukur se skulptura e fitores se Samotrakës”. Poeti e shkruante kështu në vitet 20-30 të shekullit XX ndjesinë e tij. Natyrisht po të kishte njohur shoferët shqiptarë të shekullit XXI, pa mëdyshje do të kishte ndërruar mendje. Në të vërtetë, po ta mendoni, ngase vjen shtytja për shpejtësi pa kufi do të gjendeshin në dilema: Është çështje arrogance, apo çështje mendjemadhësie, të dyja bashkë? Nuk e di me siguri, por më duket sikur ka një zhvlerësim ndaj jetës, ndaj jetës së tyre.

Mbërritja: Me përulësi poetit do t’i kishim shpjeguar se, shpejtësia e madhe sot është rrugica më e shkurtër që të çon tek vdekja, e cila paraqitet medoemos në momentet kur ustai përzihet me alkool dhe drogë. Edhe pse shoferët shqiptarët e dinë mirë se po të shtypësh “gazin dërrasë” duhet të kesh vetëdijen e menjëhershme se krah teje është ulur këmbëkryq vdekja, s’e vrasin hesapin fare. Madje sikur i shton oreksin vetushqyes për një dozë bis adrenalinëe të pastër, e cila vjen nga basti i ndeshjes epike midis natyrës dhe makinës të arbitruar nga njeriu-shofer, që kuptohet vetiu se e ka një thembër Akili. Nëse e kemi parë këtë toksh midis llamarinave, duhet të dini se jo ka patjetër të humbur - pardon të vdekur - dhe mos kujtoni së është vetëm rast i izoluar, por është thjesht ballina e ditëve të përditshme. Ky stigmatizim nuk është moral, sepse nuk mund t’i bëhet moral një të papërgjegjshmi, po është thjeshtë një konstatim i pasojave të nxitimit të tepërt.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi