Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Aleksandër Stipçeviq: Udhëpërshkruesit kroatë nëpër Shqipëri

Shko poshtë

Aleksandër Stipçeviq: Udhëpërshkruesit kroatë nëpër Shqipëri Empty Aleksandër Stipçeviq: Udhëpërshkruesit kroatë nëpër Shqipëri

Mesazh nga Agim Gashi Tue Jan 06, 2009 1:02 am

UDHЁPЁRSHKRUESIT KROATЁ NЁPЁR SHQIPЁRI
Akademik Prof. dr. Aleksander Stipçeviq
1. HYRJE
Shumё kroatё nga motive dhe arsye tё ndryshme e kanё vizituar Shqipёrinё, respektivisht ato vende ku kanё jetuar shqiptarёt dhe kanё shkruar mbi atё se çfarё kanё parё dhe pёrjetuar atje. Kanё udhёtuar si luftёtarё, udhёtarё, priftёrinj, murgj, tregtarё, spiunё dhe kureshtarё qё nga mesjeta e deri mё sot. Shumё kroatё as nuk kanё shkuar dhe as qё e kanё pasur ndёrmend t’u shkonin nё vizitё shqiptarёve, por ёshtё dashur tё lundrojnё pёrgjatё bregdetit shqiptar kur kanё udhёtuar me anije pёr nё Greqi, Turqi, Palestinё dhe vende tё tjera tё Mesdheut lindor. Disa nga ata nё raportet e tyre kanё pёrmendur bregdetin shqiptar dhe atё çfarё kanё mundur tё kenё parё nga kuverta e anijes, ndёrsa disa tё tjerё tё preokupuar me udhёtimin e tyre nё vendet tjera tё Levantit nuk u kanё kushtuar vёmendje porteve shqiptare, nё tё cilat duhej tё ankoroheshin anijet e tyre, dhe as njerёzve qё takonin atje. Megjithatё, nё mesin e atyre udhёtarёve ka pasur edhe tё tillё qё nuk kanё mundur t’i bёjnё ballё kureshtjes dhe na kanё lёnё lajme interesante, sado qё tё shkurtra, mbi bregdetin e Shqipёrisё. Njёri nga ata ka qenё edhe françeskani Jakov Pletikosa (1704-1769). Nuk mund ta fusim nё radhёt e udhёpёrshkruesve qё kanё rrugёtuar nёpёr Shqipёri, mirёpo, kёtu po e pёrmendim ngase nё librin e tij Udhёtimi pёr nё Jerusalem, ka pёrshkruar takimin me njё anije luftarake nga Mleti pёrpara Durrёsit, portit mё tё madh dhe mё tё rёndёsishёm strategjik nё bregdetin shqiptar. Pletikosa as qё ka shkelur nё bregdetin shqiptar dhe as qё pёrshkruar ndonjё gjё qё, eventualisht, ka parё nga anija me tё cilёn nxitonte pёr nё Palestinё.
Pёr dallim nga Pletikosa dhe shumё tё tjerёve qё nxitonin pёr tё arritur nё vendet e largёta, disa udhёtarё tё tjerё kanё qenё mё kureshtar. Futeshin nё tokat shqiptare, pёrshkruanin viset qё i shihnin dhe njerёzit qё takonin dhe kanё lёnё shumё pёrshkrime interesante, interesante edhe pёr lexuesit e sotёm, por qё kanё qenё shumё mё interesant pёr bashkёkohёsit e tyre.
2. UDHЁTARЁT DHE UDHЁPЁRSHKRUESIT
Nuk munden qё tё gjithё kroatёt qё kanё shkruar mbi Shqipёrinё dhe shqiptarёt tё futen nё radhёt e udhёpёrshkruesve, ngase raportet e tyre mbi atё se çfarё kanё pёrjetuar dhe parё kanё pasur qё qёllime dhe synime tё ndryshme dhe pёr kёtё arsye shkrimet e tyre do t’i ndajmё nё tri grupe, prej tё cilave vetёm grupi i parё mund tё futen nё radhёn e udhёpёrshkrimeve, nё kuptimin e plotё tё fjalёs.
2.1. Me sa e dimё, pёrshkrimin mё tё vjetёr mbi viset veriore tё Shqipёrisё e ka dhёnё humanisti dhe luftёtari i njohur Koriolan Cipiko (1425-1493), anёtar i familjes sё shquar dhe arsimuar Cipiko nga Trogiri. Vetё i mbante detyrat e rёndёsishme nё Trogir dhe nё Mljet, ndёrsa kur turqit pushtuan gadishullin Eube nё Greqi (1470) dhe kur mljetasit ndёrmorёn fushatё ushtarake kundёr turqve nё krye me Petar Mocenigёn, nё tё mori pjesё edhe Koriolani ynё si komandant i anijes luftarake nga Trogiri. Por, ai ka luftuar kundёr turqve edhe nё Azinё e Vogёl, Peloponez dhe gjetiu, po ashtu ka marrё pjesё edhe nё operacionet luftarake kundёr turqve nё Shqipёrinё veriore, posaçёrisht nё rrethimin e qytetit tё Shkodrёs. Tё gjitha betejat qё ka marrё pjesё i ka pёrshkruar nё veprёn Petri Mocenici imperatoris gesta, tё cilёn e ka shtypur nё Mljet, nё vitin 1477.
Duke pёrshkruar sulmin e turqve nё Shkodёr, Cipiko flet mbi liqenin e Shkodrёs, mbi lumenjtё Bunёn dhe Drinin, mbi plleshmёrinё e jashtёzakonshme tё tokёs rreth liqenit, mbi vreshtat dhe ullishtet. Pёr shkak tё moçaleve, bregdetin e asaj ane e mbulojnё pyjet pёr prerje, tё cilat janё tё pёrshtatshme pёr ndёrtimin e anijeve. Pёr kёtё arsye Otomani qё po shpreson – duket se – se do ta pushtojё krejt botёn, e konsideron atё vend, pёr shkak tё dy lumenjve, shumё tё pёrshtatshёm pёr tё ushqyer ushtrinё dhe pёr ndёrtimin e anijeve, dhe pёr ruajtjen e anijeve, ka vendosur tё pushtojё Shkodrёn, qytetin kryesor dhe kёshtjellёn e gjithё asaj ane. Me kёto arsyetime Cipiko paralajmёron mletasit mbi rёndёsinё e Shkodrёs, pёr interesat e pushtimeve tё tyre tё mёtutjeshme nё atё pjesё tё Europёs dhe pёr kёtё arsye nё librin e vet ai jep tё dhёna tё hollёsishme tё veçorive gjeografike tё Shkodrёs dhe mbi taktikёn qё kishin aplikuar mbrojtёsit e Shkodrёs. Nё mёnyrё tё hollёsishme ka pёrshkruar operacionet luftarake tё turqve nё pёrpjekjet pёr tё pushtuar atё qytet, por ёshtё interesant tё pёrmendet edhe fakti se Cipiko e di se vendi ku gjendet Shkodra quhet Shqipёri, mirёpo luftёtarёt shqiptarё qё kanё luftuar nё anёn e mletasve kundёr turqёve, i quan ilirё, e jo shqiptarё. Si njeri me arsim humanist e ka ditur se banorёt e Shqipёrisё kanё jetuar nё po tё njёjtat vende ku nё kohёt e lashta kishin jetuar fise tё ndryshme ilire, dhe ka menduar se do tё ishte me vend dhe me mend qё pasardhёsit e tyre t’i quante me emёr nga kohёt e lashta. Ai me simpati flet mbi trimёrinё e tyre, mbi taktikat e luftёs dhe mbi mёnyrёn se si i zmbrapsnin sulmet e armiqve nё Shkodrёn e fortifikuar duke i vrarё mё shumё se 3.000 ushtarё turq.
Njё ndёr udhёpёrshkruesit mё interesant nёpёr Shqipёri ka qenё Ivan Kukuljeviq Sakcinski. Nё vitin 1856, Kukuljeviq kishte vizituar Shqipёrinё nё kuadёr tё njё udhёtimi shkencor pёr nё Itali. Atij Shqipёria nuk iu duk aq interesante si hulumtues i librave dhe i dorёshkrimeve tё vjetra tё rёndёsishme pёr historinё e Kroacisё, ngase nё qytetet shqiptare nuk kishte materiale tё tilla, por gjatё rrugёtimit pёr nё Itali ai ka qёndruar nё tokёn e shqiptarёve dhe, si hulumtues kurioz, nuk ka mundur tё mos i pёrshkruajё atё qё iu ka dukur interesante.
Qёllimi i rrugёtimit tё Kukuljeviqit ka qenё Italia, por pasi qё nuk kishte lidhje tё drejtpёrdrejt tё lundrimit ndёrmjet porteve kroate dhe atyre italiane, atёherё ka qenё i detyruar tё udhёtojё nga Kotori me anije me avull, sё pari nё ishullin Krf, dhemё pas tё niset pёr nё Itali. Nё atё rrugёtim, anija ёshtё ndalur nё disa vende nё bregdetin shqiptar, dhe pёr kёtё arsye ka patur mundёsi t’i vizitojё disa qytete bregdetare nё atё vend. Kishte vizituar Durrёsin, ku kishte jetuar Ciceroni nё ekzil, ndёrsa ushtria detare e Cezarit kishte festuar fitoren, mirёpo, siç thotё Kukuljeviq, tash nuk ka kurrfarё pёrmendoresh as tё sunduesve grekё as romakё. Nё qytet i vёren dy kisha tё vjetra me kube tё shndёrruara nё xhami turke. Çfarё ka parё nё Durrёs, nuk e ka fascinuar edhe aq shumё. Sipas tij: Kёshtjella ёshtё gjysmё e rrёnuar, ndёrsa pёrfundi mureve tё qytetit shtrihen disa topa tё vjetёr, tё cilёt i ruan njё ushtar turk, i mbёshtjellё me tallagan fare nuk lёviz dhe rri ulur si mumje egjiptiane.
Anija vazhdoi rrugёtimin e saj dhe u ndal nё Vlorё. Rrugёs pёr nё atё qytet mund tё shihen shumё kapitele tё kishave dhe ndёrtesave, ndёrsa pak mё larg nё kodrat e larta shquhet Kruja e famshme, froni i Skenderbeut dhe qyteti i Tiranёs me tetё xhamitё e saja, dhe me banorёt e saj shqiptarё tё njohur pёr shkak tё dinakёrisё sё tyre tё madhe.
Kёtu Kukuljeviq ishte ngatёrruar , ngase e kishte dёgjuar njёrin prej bashkudhёtarёve, i cili ia kishte dhёnё tё dhёnat e gabuara, pёr shkak se nga anija ai kurrsesi s’ka mundur tё shihte Krujёn duke udhёtuar prej Durrёsit pёr nё jug. Nё verzionin mё tё gjerё tё botuar mё vonё nё revistёn Vienac, nё vitin 1872, ka qenё mё preciz. Kur u nis anija nga Durrёsi dhe derisa lundronte pёr nё Vlorё, sipas fjalёve tё tij, nga deti i hapur kam parё nё tё majtё qytetin e Krujёs, selinё e famshme tё Gjurё Skenderbegut, tё rrethuar me kodёr, nё tё cilin shkёlqente dёbora. Natyrisht se Kukuljeviq nuk ka mundur tё mos e pёrmend Krujёn ngase pikёrisht nё atё kёshtjellё u patёn zhvilluar ngjarjet qё i kishte pёrshkruar rreth vitit 1840, nё dramёn e papёrfunduar Skenderbeg, tё dorёshkrimi i tё cilёs ruhet nё Arkivin e AASHK nё Zagreb. Nё kёtё verzion tё udhёpёrshkrimit ai mё hollёsisht pёrshkruan edhe Tiranёn: Shtёpitё e tyre janё dykatёshe dhe janё tё rrethuara me kopshte dhe pemishte tё bukura. Xhamitё e tyre stolisen nga plepat dhe qiparisat e lartё, ndёrsa vendi karakterizohet me njё pastёrti tё rrallё.
Nga kuverta e anijes qё lundronte pёr nё jug, Kukuljeviq kurrgjё nga e gjithё kjo s’ka mundur tё shihte, ngase Kruja dhe Tirana janё goxha larg nё veri.
Nё Vlorё takon shqiptarё, tё cilёt i pёrshkruan kёsisoj: Qё tё gjithё kishin shtat tё bukur dhe fytyra tё bukura, gjysma e tyre kishin hundёshkabe, ndёrsa gjysma tjetёr ishin hundёdrejtё. Disa ishin flokёverdhё, disa flokёzi, ama tё gjithё kishin shikim prej trimi, sytё e mprehtё e tё çakёrdisur te disa tregonin egёrsinё e skajshme, ashtu qё nё ta as qё mund tё shikoje, dhe padashur m’u kujtua Apiani, i cili mbi ilirёt e lashtё thotё, se kishin sy qё tё kallin datёn ose qё tё magjepsin.
Kukuljeviq ka patur njohuri mbi qytetet e mёdha antike nё bregdetin shqiptar dhe e ka shfrytёzuar kohёn e shkurtёr qё e kishte nё dispozicion, dhe qё me shpejtёsi t’i shihte ato mbeturina arkeologjike nga kohёt e lashta, por edhe t’i vёshtronte qytetet e atёhershme dhe banorёt qё jetonin nё to. Nё Vlorё ia ka dalё mbanё qё tё vizitonte qytetin dhe rrethinёn: Para se tё niseshim, e vizitova rrethinёn. Qyteti Jablon (Vlora) shtrihet nё kodёr, i ka nja shtatё xhami dhe minare, njё konak tё madh Vlorida, njё nga familjet mё tё vjetra dhe mё tё respektuara arbanase. Janё nja 400 shtёpi, tё shpёrndara dhe tё fshehura pas kaçubave, ullinjve dhe pemёve tё tjera, nga ana e pasme qytetin e rrethojnё kodrat e zhveshura shkёmbore, pjesё tё maleve himariote, tё cilat sjellin vapё tё padurueshme, kur t’ia mёsyen dielli. Nё kodrёn tjetёr shtrihet fshati Kaninё me ndёrtime tё rrёnuara qё dikur i takonte Kraleviq Markos.
Duke lёnё pas vete bregdetin shqiptar mendimet e tij ktheheshin tek Skenderbeu, te heroi qё nё Europёn krishtere u bё simbol i rezistencёs kundёr turqve. Duke shёtitur nё kuvertё tё anijes iu kujtua epoka e madhe e Skenderbeg Kastriotiqit, kur kodrat e larta, qё kalonin pranё meje, ringjallnin heronjtё e pavdekshёm qё sfidonin çdo gjё qё ishte e fuqishme, perandorinё e atёhershme turke, dhe kur Shqipёria e vogёl ishte nё ballё tё krishterimit.
Nё Shqipёri kanё shkuar priftёrinj e murgj tё shumtё, tё cilёt, disa prej tyre me shёrbim zyrtar, ndёrsa tё tjerёt sipas bindjeve tё tyre, pёrshkruanin atё çfarё shihnin dhe pёrjetonin nё mesin e shqiptarёve. Posaçёrisht mё tё shpeshtё kanё qenё françeskanёt, tё cilёt nё mesin e shqiptarёve shkonin si misionarё, klerikё dhe mёsuesё. Ata nuk kanё qenё tё detyrueshёm t’i dёrgojnё raportet e veta nё Romё, por nё mesin e tyre ka pasur edhe tё atillё qё i kanё dёrguar dorёshkrimet e veta krye nё vehte. Nga fundi i shekullit XIX dhe nё fillim tё shekullit XX janё shkruar dy udhёpёrshkrime tё rёndёsishme nga pena e françeskanёve kroatё.
I pari ka qenё françeskani boshnjak Lovro Mihaçeviq (1856-1920). Nga gjenerali i urdhёrit françeskian, nё vitin 1883, ka qenё emёruar mёsues i rinisё françeskane dhe kryetar i kolegjiumit lokal dhe famullitar i kuvendit nё Troshanё, nё Shqipёri. Nё ato detyra, Mihaçeviq, ka qendruar dhjetё vjet. Pasi qё u pat kthyer nё Bosnjё, nё vitin 1903 pat marrё nga Roma dekretin me tё cilin emёrohej provincial i parё i provincёs françeskane tё sapoformuar nё Shkodёr. Qysh nё vitin 1907, sipas kallёzimit tё tij, mё ёshtё dashur tё pёrshkoja tёrё Shqipёrinё bashkё me Epirin dhe Maqedoninё, çdokund nga mё shtrihej provinca françeskane qё ma kishin besuar. E dinte se gjatё rrugёs time tё vёshtirё katёrmujore do tё shihja e tё vёreja shumёçka interesante e tё rёndёsishme, kёshtu qё i shkruante pёrceptimet e veta qё t’i kem si kujtim tё kёndshёm.
Nё atё rrugё nuk e kam kursyer as vullnetin e as gjёrat materiale qё tё shihja dhe tё studioja sa mё mirё kёtё vend tё guximshёm. Me t’u kthyer nga ajo rrugё dhe duke dashur t’ua kthente borxhin shqiptarёve, tё cilёt e kishin pranuar dhe gostitur per merak, kishte vendosur qё t’i publikonte vёzhgimet e tija.
Tё mos harrojmё se vendimin pёr botimin e udhёpёrshkrimit tё tij kishte marrё nё kohёn pikёrisht pas shpalljes sё pavarёsisё sё Shqipёrisё. Kёtё e potencon vetё Mihaçeviq nё parathёnien e udhёpёrshkrimit tё tij: E tash, ku populli trim i Shqipёrisё nё horizont tё Europёs lufton pёr lirinё e vet, mё bie ndёrmend, qё kёto shёnime tё mia t’i qes nё dritё dhe qё populli kroat tё mёsojё diçka mbi Shqipёrinё dhe bile deri diku t’ua kthej borxhin shqiptarёve trima pёr takimet mbresёlёnёse, pёr ndjenjat e dashurisё dhe respektit, me tё cilat mё kanё stёrmbushur gjatё katёrmbёdhjetё vjetёve tё qёndrimit tim nё mesin e tyre.
Udhёpёrshkrimi i Mihaçeviqit pёrmban nё fillim pёrshkrimin e vendeve qё i ka pёrshkuar. Nё pёrcjellje tё tre shqiptarёve ishte nisur nga Shkodra pёr nё brendinё e viseve malore. Ka vizituar fiset Hoti dhe Klimenti, pastaj krahinёn e Mirditёs, qytetet: Lezhёn, Durrёsin, Krujёn, Tiranёn dhe gjitha qytetet tjera deri nё Janinё nё Epir (tash nё Greqinё veriore). Ka pёrshkruar gjendjen e kishave nё disa kuvende, mirёpo nё udhёpёrshkrimet e tij mbizotёrojnё tё dhёnat mbi njerёzit qё ka takuar, zakonet e tyre, vendbanimet e tyre dhe shtёpitё ku jetonin. Pёrveç kёsaj, ai po ashtu, ka vizituar edhe kuvendet shqiptare nё Kosovё (Prizren) dhe Maqedoni.
vijon
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Aleksandër Stipçeviq: Udhëpërshkruesit kroatë nëpër Shqipëri Empty Re: Aleksandër Stipçeviq: Udhëpërshkruesit kroatë nëpër Shqipëri

Mesazh nga Agim Gashi Tue Jan 06, 2009 1:03 am

Kapitull tё veçantё i ka kushtuar Kishёs Katolike nё Shqipёri (f.70-83), si dhe Zakoneve arbanase (f.88-119). Sado qё nuk mund tё thuhet se ka zbuluar shumёçka nga ajo qё dihej mё parё mbi zakonet nё fshatin shqiptar, megjithatё Mihaçeviq nё mёnyrё tё qartё dhe goxha besnikёrisht ka shkruar mbi tё gjitha zakonet e vjetra tradicionale, disa prej tё cilёve ishin zakone tipike pёr shoqёrinё rurale shqiptare. Vёmendje tё posaçme i ka kushtuar besёs, pastaj gjakmarrjes qё ishte goxha e pёrhapur nё atё kohё, po ashtu edhe zakoneve qё kishin tё bёjnё me fejesёn dhe martesёn. Nё mёnyrё piktoreske shkruan mbi veshjen e pasur popullore, mbi edukimin familjar dhe jetёn familjare, etj. Kapitull tё veçantё i ka kushtuar letёrsisё popullore, gojore, dhe nё fund ka bёrё edhe njё vёshtrim mbi veprimtarinё letrare tё shqiptarёve. Vlen tё pёrmendet se udhёpёrshkrimi i tij nё vitin 1913 ёshtё publikuar nё formё tё shkurtuar nё gjuhёn sllovake, por po nё tё njёjtin vit edhe pёrkthimi nё gjermanisht ёshtё botuar, gjё qё mё sё miri flet se libri ёshtё shkruar dhe botuar nё kohёn e duhur, kur interesimi mbi shqiptarёt ёshtё rritur me tё madhe pёr shkak tё ngjarjeve politike qё ndodhnin nё atё vend.
Mihaçeviq e kishte mёsuar gjuhёn shqipe pёr bukuri, ishte shoqёruar me shqiptarё dhe i donte ata, dhe pёr kёtё arsye mund t’i besohet se e njihte mirё popullin shqiptar, historinё e tij dhe rrethanat nё tё cilat jetonte. Nё tё vёrtetё, Mihaçeviq nuk u ndal vetёm nё librin e sipёrmendur tё udhёpёrshkrimit. Por nё vitin 1912 botoi nё Sarajevё librin Skica nga historia shqiptare.
Duhet pёrmendur kёtu, se bash nё kohёn kur Mihaçeviq botonte librat e tij, mbi Shqipёrinё dhe shqiptarёt, albanalogu mё i madh kroat Milan Shufflay shkruante studime tё shkёlyeshme dhe libra. Mes tjerash, pat planifikuar tё shkruante, sado qё me ndihmёn e ekspertёve tё tjerё, njё libёr voluminoz me titull Historia e Shqipёrisё nё gjuhёn gjermane nё gjashtё vёllime, si dhe vepra tё tjera themelore mbi historinё e Shqipёrisё.
Mihaçeviq ende ka qenё nё Shqipёri, kur nё vitin 1890, kapituli i rregullt françeskan, i cili u mbajt nё Guçja Gorё, par vendosur tё dёrgonte si mёsues dhe edukator nё seminarin e Troshanit afёr Lezhёs, nё veriun e Shqipёrisё, fratin Josip Dobroslav Bozhiqin (1860-1900).
Bozhiq ka qenё tejet inteligjent, ama ka pasur temperament tё papёrmbajtur. Nё mёnyrё tё shastisur luftonte pёr interesat kroate nё Bosnjё dhe Hercegovinё, dhe pёr shkak tё kёsaj lufte nё atdhe krijoi shumё armiq. Sipas fjalёve tё tij, vendimi pёr t’u dёrguar nё Shqipёri, nё tё vёrtetё nёnkuptonte njёfarёlloj internimi. Nuk ka qenё i lumtur, por i zemёruar ngase duhej tё shkonte atje, mirёpo kur u vendos nё Epir, nё atdheun e Kastriotiq Jurjes, afёr Lezhёs, menjёherё populli i huaj, me gjuhё tё huaj, me gjak dhe zakone tё huaja u dashurua nё tё sikur tё ishte bir i tij, si vёlla dhe baba, ashtu qё nga tё gjitha anёt e Shqipёrisё, bile edhe nga Prizreni, nxitonin te ai dhe kёrkonin prehje shpirtёrore, pёr t’i ndihmuar sadopak trupit.
Nё Shqipёri, Bozhiq qёndroi vetёm njё vit. Megjithatё, pёr atё kohё tё shkurtёr arriti tё shkruante disa artikuj, nё tё cilёt dёshmonte se goxha mirё e njihte jetёn dhe zakonet e shqiptarёve me tё cilёt kishte pasur kontakte. Gjatё vitit 1891, pat botuar nё revistёn Glas Hercegovca fejtonin nё nёntё vazhdime nёn titullin e pёrbashkёt Shqipёria. Pasi qё nёvitin 1892 u kthye nga Shqipёria nё Bosnjё, donte qё atё fejton ta botonte si libёr tё veçantё nёn titullin Shqipёria. Skica mbi popullin dhe historinё e Shqipёrisё deri nё rёnien e saj nё duart e turqve 1571, dhe kёtё dёshironte ta bёnte te shtypёshkronja dhe botuesi Spindler dhe Lőchner. Ёshtё shtypur vetёm tabaku i parё (f.1-16), dhe pastai pasoi ndalimi. Dorёshkrimin ia patёn konfiskuar, ashtu qё nuk e dimё se sa do tё ndryshonte teksti nё libёr nga teksti i botuar nё Glas Hercegovca. Duket se Bozhiq ka ndryshuar shumё gjёra nё tekst ngase pushteti do tё intervenonte gjatё botimit tё fejtonit nё atё revistё. Nё fakt, teksti i fejtonit ёshtё shumё i shkurtёr dhe gjithsesi nuk do tё ishte i mjaftueshёm pёr t’u botuar nё formё tё librit – nuk do tё dilnin mё shumё se dyzet faqe!
Sado qё Bozhiq pёr njё kohё tё shkurtёr ka qёndruar nё mesin e shqiptarёve, e ka mёsuar gjuhёn shqipe dhe i ka pasur tё njohura zakonet dhe jetёn e tyre. Ai shkruan mbi shqiptarёt me simpati tё mёdha, por i qet nё shesh edhe anёt e tyre tё kёqija, p.sh. pёrçarjen e tyre politike, analfabetizmin etj., por i shqyrton edhe vёshtirёsitё politike nё tё cilat e shtynin popullin shqiptar fuqitё e mёdha tё asaj kohe.
Mihaçeviq dhe Bozhiq nuk kanё qenё tё vetmit françeskanё kroatё, tё cilёt si misionarё dhe mёsuesё qёndruan nё Shqipёri. I kemi tё njohur shumё emra tё respektuar françeskan, tё cilёt kanё kryer detyra tё rёndёsishme nё Shqipёri, posaçёrisht pas vitit 1883, nё kohёn kur sipas dёshirёs sё gjeneralit tё urdhёrit françeskan dhe me mbёshtetjen e autoriteteve austro-hungareze, autoritetet kroate patёn marrё kolegjiumin pёr edukimin e rinisё nё kuvendin e Troshanit.
Mё vonё, posaçёrisht pas mbarimit tё Luftёs sё Dytё Botёrore, shumё kroatё e kanё vizituar Shqipёrinё dhe pas kthimit kanё shkruar mbi Shqipёrinё dhe shqiptarёt. Kryesisht gazetarёt kanё qenё tё zellshёm pёr tё shkruar mbi Shqipёrinё gjatё sundimit tё Enver Hoxhёs, pёr ta Shqipёria ka qenё temё e dashur. Ndoshta mё i njohuri nё mesin e gazetarёve ka qenё Pero Zllatar, i cili nё atё vend ka qёndruar shumё herё. I shkruante pёrshtypjet e veta mbi njerёzit e zakonshёm, mbi politikanёt, letrarёt dhe tё tjerёt qё vinte nё kontakt. Rezultatin e udhёtimeve tё veta nё Shqipёrinё e atёhershme tё mbyllur hermetikisht e ka botuar nё tri vёllime: Glasnik iz Tirane: Albanija u eri Envera Hoxhe. 1. Dnevnici s putovanja, Zagreb, Grafički zavod Hrvatske, 1984. (f.244). Nё atё libёr janё shёnimet ditore nga udhёtimet e autorit nё vitet 1965, 1970, 1979 dhe 1982. Nё po tё njёjtin vit dhe te po i njёjti botues zagrebas ёshtё botuar pjesa e dytё e asaj vepre me titull Gospodar zemlje orlova. Albanija u eri Envera Hoxhe. 2. Politički životopis (f.332). Vёllimin e tretё me titull Enver Hoxha. Politička biografija e ka botuar nё Beograd , te shtёpia botuese Rad, 1986.
Pёr ne kёtu, vёllimi i parё ёshtё mё interesanti, nё tё cilin Zlatar si gazetar i shquar pёrshkruan situatёn e turbullt nё Shqipёri nёn tiraninё e Enver Hoxhёs. Ai libёr nuk zё vend tё lartё as nё gazetari kulmore dhe as nё literaturёn kulmore tё udhёpёrshkrimit, por ai tipik pёr udhёpёrshkrime tё ngjashme gazetareske, tё cilёt nё atё kohё gjenin material me bollёk pёr observime interesante qё tek lexuesit e atёhershёm, dhe bile mё shumё tek lexuesit e sotёm, shkaktonin dhe shkaktojnё habi, dhe ngandonjёherё, neveri.
Pavarёsisht se udhёpёrshkrimi i Zlatarit ngjallё emocione pёr shkak tё raporteve jonjerёzore dhe ahistorike qё mbizotёronin nё atё kohё nё Shqipёri, nuk ka dilemё se, nga distanca e sotme kohore, udhёpёrshkrimi i tij ka rёndёsinё e dёshmisё autentike pёr njё nga periudhat mё tё dhimshme dhe mё tё fatkёqija nё historinё e gjatё tё popullit shqiptar.
2.2. Nё grupin e dytё tё shkrimeve i kemi pёrfshirё vizitat apostulike
Kur Kisha e Romёs pas koncilit tё Tridenit futi praksёn qё peshkopёt, respektivisht pёrfaqёsuesit e tyre t’i vizitojnё tё gjtiha kuvendet tё dioqezave tё tyre dhe mbi gjendjen e tyre me shkrim ta informojnё Romёn, atёherё vetvetiu u bё zakon qё nё dioqeza nё tokat shqiptare tё vendosёn murgjit dhe fretёrit nga Kroacia, ngase nё Romё me tё drejt vlerёsonin se ata ishin mё tё pёrshtatshmit qё tё merrnin detyrat kishtare nё Shqipёri. Papёt e Romёs patёn vlerёsuar se klerikёt, françeskanёt dhe dominikanёt kroatё i njihnin mirё rrethanat nё Shqipёri, po ashtu ata do tё dinin mё sё miri tё komunikonin me turqit qё kishin okupuar Shqipёrinё.
Sipas njё praktike tashmё veç tё stabilizuar, peshkopёt sё pari duhej tё shkruanin raporte tё hollёsishme mbi rrethanat religjioze, por nёnkuptohej se peshkopёt duhej tё trajtonin edhe rrethanat nё tё cilat jetonin besimtarёt e besimit katolik nёn sundimin turk, po ashtu duhej tё shkruanin mbi raportet e atyre besimtarёve me ata qё kishin kaluar nё fenё islame, por duhej tё shkruanin nё raportet e tyre edhe mbi gjendjen e kishave, mbi plaçkitjet dhe rrёnimet e objekteve kishtare, mbi zullumet e nёpunёsve dhe ushtarёve turq ndaj tё krishterёve dhe gjёra tё ngjashme. Pikёrisht pёr kёtё arsye, vizitat apostulike sjellin tё dhёna jashtёzakonisht interesante mbi jetёn e katolikёve dhe çdo gjёje qё kishte tё bёnte me Kishёn, dhe mund tё thuhet se ato raporte nё shumё elemente kanё karakteristika tё pёrshkrimeve informative me njё varg vrojtimesh interesante etnografike, por edhe pёrshkrimesh gjeografike, si dhe tё dhёna qё kanё qenё goxha tё rёndёsishme pёr analistёt ushtarakё nё Vatikan dhe nё pёrgjithёsi nё Europёn perёndimore.
Fatkeqёsisht, shumica e atyre raporteve deri mё sot nuk janё botuar dhe studjuar, por ajo qё ёshtё e njohur deri mё sot flet mjaft qartё mbi rёndёsinё e tyre tё madhe pёr t’u njohtuar me rrethanat shqiptare.
Kёtu duhet tё cekim se vizitat apostulike nuk mund tё trajtohen si literaturё udhёpёrshkrimi, por as nuk kemi mundur dhe as kemi guxuar t’i lёmё anash, ngase nёse jo pёr shkak tё karakteristikave formale dhe qёllimit tё tyre, atёherё sipas pёrmbajtjes renditen nё shkrime qё zakonisht ne i quajmё udhёpёrshkrime .
Sipas radhёs kronologjike, sё pari duhet tё pёrmendim françeskanin Dominik Andrijasheviq (1572-1632), françeskan me prejardhje nga fshati Ravno nё Hercegovinё. Ka qenё tip qё s’i linte dy gurё bashkё, dhe mes tjerash kishte planifikuar tё organizonte njё kryengritje tё besimtarёve tё krishterё kundёr autoriteteve turke nё Shqipёri. Ka qenё emёruar peshkop i Shkodrёs, dhe derisa ishte nё atё detyrё kishte meremetuar kishat dhe kuvendet kishtare, kishte vendosur rregullin dhe disciplinёn e klerikut nё dioqezё. Kishte njohuri shumё tё mira mbi rrethanat e atjeshme dhe pёr to i kishte shkruar raporte Propagandёs pёr pёrhapjen e fesё (De propaganda Fide), tё cilat pёr shkak tё planeve komplotiste tё autorit kundёr turqve, janё shumё interesante jo vetёm pёr arsye tё njohjes sё rrethanave kishtare nё veri tё Shqipёrisё.
Tё dhёna goxha interesante dhe tё sakta mbi Shqipёrinё dhe shqiptarёt gjejmё nё vizitёn apostulike tё rabjanit Marin Biza (1570-1625). Bizza nё njё kohё ka kryer detyrёn e arqipeshkopit nё Tivar, dhe nё atё cilёsi e pati vizituar popullatёn katolike nё vitin 1610 nё arqipeshkёvinё e tij. Raportin e vet ia pat dorёzuar Papёs Pali i V-stё nё Romё nё vitin 1612. Nё atё vizitё apostulike ka pёrshkruar gjendjen e katolikёve nё Novi Pazar, Svaç, Prijepolje, Plevё, Konavle, Kotor, Tivar, Shkodёr, Durrёs, Trepçё, Budvё dhe nё vendet tjera ku jetonin shqiptarёt. Nё atё udhёtim kishte shkruar njё raport tё gjerё me titull Relatione della visita fatta da me Marino Bizzi, arcivescovo d’Antivari, nelle parti della Turchia, Antivari, Albania et Servia alla Santita di Nostro Signore papa Paolo Quinto.
Raporti pёrmban gjendjen e katolikёve qё jetonin nё sundimin turk, po ashtu edhe gjendjen e kishave dhe kuvendeve. Ёshtё interesant se me angazhimin e bashkёqytetarit tё tij, rabjanit Mahmud Pasha, iu ishte mundёsuar qё tё vizitonte Tivarin, i cili nё atё kohё ishte nёn sundimin turk.
vijon
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Aleksandër Stipçeviq: Udhëpërshkruesit kroatë nëpër Shqipëri Empty Re: Aleksandër Stipçeviq: Udhëpërshkruesit kroatë nëpër Shqipëri

Mesazh nga Agim Gashi Tue Jan 06, 2009 1:04 am

Sipas njё praktike tё rёndomtё Bizza nuk ndalet nё pёrshkrimin e objekteve fetare dhe tё besimtarёve katolikё, por jep edhe tё dhёna interesante mbi gjuhёt qё flisnin banorёt e arqipeshkёvisё sё tij, mbi rrethanave politike, mbi autoritetet lokale turke dhe marrёdhёnieve tё tyre me popullin, mbi familjet e shquara shqiptare, mbi kёshtjellat dhe tё ngjashme. Po ashtu janё shumё interesante pёr historianёt e sotёm, arkeologёt dhe historianёt e artit pёrshkrimet e hollёsishme tё inventarit kishtar nё disa kisha, dhe mbi gjendjen e vetё kishave nё kohёn kur ai i kishte vizituar. Pjesa mё e madhe tё asaj qё ai kishte parё nё kisha, ёshtё fjala pёr veprat artistike dhe sendeve tjera, nё ndёrkohё janё shkatёrruar nga turqit, dhe nga pasojat e kohёs. Bizza flet edhe mbi zakonet shqiptare, mbi shtёpitё dhe vendbanimet e tyre, mbi marrёdhёniet ndёrmjet midis katolikёve shqiptarё dhe autoriteteve turke. Posaçёrisht bie nё sy se ky raport ka mё pak aso tё dhёnash qё zakonisht gjenden nёpёr vizitat apostulike, ndёrsa mё shumё ka tё dhёna mbi jetёn dhe rrethanat nё tё cilat jetonin katolikёt nёn pushtimin turk. Shpresherё Bizza bёn ekskurzione historike rreth vendeve qё i ka vizituar, flet edhe mbi Betejёn e Kosovёs kur e pёrshkruan Fushё Kosovёn, etj.
Mbi rёndёsinё e kёtij raporti pёr rekonstruimin e ngjarjeve historike na ka paralajmёruar qysh mё parё historiani i shquar gjerman Leopold Ranke, mirёpo kjo ndodhi pasi qё Franjo Raçki e kishte botuar nё tёrёsi, atёherё u bё e qartё rёndёsia e kёtij raporti pёr njohjen e popullit shqiptar nё kohёn e okupimit turk. Simbas fjalёve tё Raçkut Raporti i Marin Bizzas ёshtё i njё rёndёsi tё veçantё pёr shkak se ka tё bёjё me vendet e gadishullit ballkanik, pёr tё cilat mё herёt ka pasur shumё mё pak raporte tё tilla, nё emёr tё viseve perёndimore bregdetare nga Tivari deri te Durrёsi, pastaj prapatokat malore shqiptare tё asaj Srbie tё moçme.
Prej tё gjithё vizituesve apostulik kroatё qё kanё qёndruar nё tokat shqiptare dhe qё i kanё dёrguar raportet e veta nё Romё, pa dyshim se mё i rёndёsishmi ёshtё Vicko Zmajeviq. I lindur nё Perast, nё gjirin e Bokёs sё Kotorit, nё vitin 1670. Pas mbarimit tё studimeve pёr teologji nё Romё, kthehet nё vendlindje, mirёpo, qysh nё vitin 1701 emёrohet argjipeshk dhe vizitor apostulik pёr Serbi, Shqipёri, Maqedoni dhe Bullgari. Detyrёn e vizitorit apostulik e ka ruajtur edhe pas vitit 1713 kur u pat emёruar argjipeshk i Zarёs. Nё rolin e vizitorit apostulik viziton veriun e Shqipёrisё nё vitin 1702 dhe nё raportin e vet nga ai udhёtim jep njё pёrshkrim tё trishtё tё gjendjes sё grigjёs katolike nёn sundimin turk.
Zmajeviq ka qenё person i besimit tё madh nё kurien e Romёs, dhe pёr kёtё arsye atje raportet e tij lexoheshin me shumё kujdes. I lexojmё me interes edhe sot, ngase ai ka dhёnё tё dhёna tё hollёsishme mbi vuajtjet e grigjёs katolike nga turqit, mbi rrёnimin e kishave dhe kuvendeve, persekutimeve tё priftёrinjve dhe murgjve. Pёrveç kёsaj Zmajeviq ka dhёnё informacione tё sakta tё jetёs shoqёrore dhe ekonomike tё shqiptarёve nё ato kohra tё vёshtira.
Nuk ka shumё shkrime nga ajo kohё nё tё cilat ka aq informacione precize dhe tё sigurta mbi veriun e Shqipёrisё, dhe nёse Zmajeviq nuk i ka pёrshkuar viset shqiptare si udhёpёrshkrues, por si vizitor apostulik, raportet e tij i kanё tё gjitha karakteristikat e njё udhёpёrshkrimi, tё atij udhёpёrshkrimi tё shkruar nga njeriu qё e njihte pёr mrekulli situatёn politike, kulturore dhe biles edhe atё ushtarake nё Shqipёrinё turke.
Nё radhёn e autoriteteve tё larta kishtare qё kanё qёndruar nё Shqipёri dhe qё kanё shkruar mbi atё se çfarё kanё parё dhe pёrjetuar atje duhet pёrmendur dubrovnikasin Beninj Albertinin (1789-1838). Ky ka qenё fraçeskan, tё cilin Papa Grguri XVI e kishte emёruar argjipeshk tё Zarёs. Albertini ka qenё shumё i arsimuar, ka shkruar poezi dhe poezi tё rastit, por i ka shkruar, dhe sipas Milja Brlekut dhe i ka botuar, veprat Descriptio ecclesiastica unversae Albaniae dhe Constitutiones synodales Dioecesis Scodrensis, tё cilat, me sa e dimё, nuk janё ruajtur. Prej vetё titujve shihet qartё se ato kanё qenё vepra me pёrmbajtje kishtare, mirёpo vepra e parё e tij (Descriptio...), pa dyshim, pёrmbante tё dhёna mbi gjendjen e kishave nё argjipeshkvinё e Shkodrёs, gjatё kohёs tё sundimit turk.
Pёr krejt atё çfarё ka ndodhur nё Shqipёri gjatё sundimit turk, kanё qenё goxha tё interesuara Fuqitё e Mёdha nё Perёndim, posaçёrisht Venediku, dhe pёr kёtё arsye, ai pat zhvilluar njё veprimtari goxha aktive tё drejtuar kundёr turqve. Nё ato aktivitete qenё pёrfshirё edhe kroatёt, posaçёrisht kotorasit dhe dubrovnikasit, tё cilёt mё sё miri se kushdo tjetёr nё Europё njihnin botёn turke. Kёtu arrijmё deri te grupi i fundit i shkrimeve, tё cilat nuk mund tё konsiderohen si udhёpёrshkrime, por qё pёrmbajnё shumё elemente tё literaturёs udhpёrshkruese.
2.3. Historiani italian Paolo Preto ka shkruar njё libёr voluminoz mbi aktivitetet tё spiunazhit dhe kundёrspiunazhit mljetas, nё tё cilin kishte konstatuar se Dubrovniku ka qenё derё e Orientit pёr tё krishterё dhe derё e Perёndimit pёr turq.
Dubrovnikasit dhe kroatёt tjerё nga qytetet bregdetare tё jugut tё Kroacisё shpeshherё kanё udhёtuar nё misione diplomatike, si tregtarё, si marinarё etj., drejt Levantit dhe patjetёr ёshtё dashur tё ndaleshin nёpёr portet shqiptare. Dhe kёsisoj kanё pasur rast tё njohin vende nёn okupimin turk. Pёrpos kёsaj, kanё njohtuar personalisht edhe pashallarёt turq dhe autoritete tjera civile dhe ushtarake. Pёr kёtё arsye kroatёt nё sytё e mljetasve dhe tё tjerёve nё Perёndim gёzonin famё si njohёs tё mirё tё tokave shqiptare. Kёtё fakt mё sё miri e shfrytёzuan mljetasit, tё cilёt me ryshfete, ose duke shfrytёzuar dinakёrinё e tyre, por edhe fuqinё politike dhe ekonomike, angazhonin individ pёr tё mbledhur tё dhёna ushtarake dhe informata tjera nё pronat turke.
Kёtu nuk mund t’i pёrmendim tё gjithё kroatёt qё janё marrё me spiunazh dhe qё dёrgonin raporte tё fshehta nё Venedik dhe Dubrovnik mbi situatёn nё Shqipёri, mirёpo vёmendja jonё pёrqendrohet nё raportin qё kishte shkruar Marijan Bolica, anёtar i familjes sё njohur kotorase. Nё vitin 1614, ai kishte hartuar njё udhёpёrshkrim tё rёndёsishёm, nё tё vёrtetё, njё raport spiunazhi ku kishte dhёnё informacione tё vlefshme mbi Shkodrёn dhe sanxhakun e Shkodrёs.
Marijan Bolica kishte studiuar drejtёsinё nё Padovё, ku kishte doktoruar nё tё dy tё drejtat, ndёrsa mё pas njё kohё kishte kryer detyra tё rёndёsishme nё Kotor. Si shtetas mljetas, kishte qёndruar nё Shkodёr, atёbotё nёn sundimin turk, dhe i njihte goxha mirё rrethanat nё sanxhakun e Shkodrёs. Pas kthimit nga udhёtimi, kishte shkruar njё raport tё hollёsishёm me titull Relatione et descritione del sangiacato di Scuttari, dove si ha piena contezza della cittŕ et siti, loro villagi, case et laboratori, riti, costumi, havere et armi di quei popoli, et quanto di considerabile mińutamente si contenga in quel ducato: fatta da Mariano Bolizza nobile di Cattaro. Nga vetё titulli ёshtё e qartё qё Bolica ka shkruar jo vetёm pёr sistemin administrativ tё sanxhakut tё Shkodrёs, por nё mёnyrё tё hollёsishme ka pёrshkruar, sipas fjalёve tё Shime Ljubiq, tё gjitha vendet qё pёrbёnin njё komunё, zyrtarёt e tyre veç e veç, numrin e shtёpive dhe banorёve, sa prej tyre janё tё aftё pёr armё, profesionin e tyre, mirёqenien, religjionin etj. I pёrshkruan lumenjtё, malet, rrugёt, etj. Posaçёrisht janё interesante pёrshkrimet e tij mbi peshkimin dhe gjuetinё nё liqenin e Shkodrёs dhe rreth tij dhe lumenjve tё tij.
Sh. Ljubiq sjellё nё po tё njёjtin numёr tё revistёs Starina edhe tekstin e njё raporti mё tё hershёmnga viti 1570, i cili gjendet nё Arkivin e HAZU (AASHK). Sipas njё shёnimi nё tё, Ljubiq konkludon se atё e ka shkruar Antun Bisanti. Dorёshkrimi mban titullin Relazione dell’ Albania e sue cittá, fiumi, monti, luoghi, piani, confini etc. Fatta l’anno 1570. Autori i kёtij raporti e njeh mirё Shqipёrinё, dhe shkruan mbi Lezhёn, Shkodrёn, Durrёsin, Krujёn, Vlorёn dhe Ulqinin.
Nё arkivin shtetёror tё Mljetit (Archivio di Stato di Venezia) Ljubiq e ka gjetur edhe njё pёrshkrim tё shkurtёr tё Shqipёrisё nga shekulli i XVI.
Ky dorёshkrimi i fundit, ёshtё i njёjtё sikur raporti qё e kishte shkruar Marijan Bolica, dhe qё tё dy kanё mbaruar nё duart e mljetasve. Kjo nuk ёshtё gjё e rastit, ngase ёshtё e qartё se kanё qenё tё porositur dhe tё paguar nga mljetasit.
Historiani i sipёrmendur italian Paolo Preto pёrmend pikёrisht familjen prestigjioze dhe tё pasur Bolica nga Kotori si faktor tё rёndёsishёm nё aktivitetet e spiunazhit tё mljetasve kundёr autoriteteve turke. Me kёtё punё nuk ёshtё marrё vetёm Marijani, por edhe anёtarёt tjerё tё familjes – Benedikti, Franjo, Vicko dhe tё tjerёt, pёr tё cilёt Preto thotё se kanё qenё udhёheqёs tё vёrtetё tё shёrbimit sekret mljetas nё Dalmaci.
Raporte tё fshehta pёr mljetasit, por edhe pёr Republikёn e Dubrovnikut shkruajnё edhe shumё diplomatё tё tjerё dhe spiunё profesionist, por pavarёsisht qёllimit tё atyre raporteve nё to gjejmё pёrshkrime interesante gjeografike, hidrografike, etnografike dhe tё dhёna tё tjera mbi Shqipёrinё dhe shqiptarёt. Deri mё tash janё botuar disa raporte tё tilla prej tё cilёve nxjerrim tё dhёna shumё interesante, pёr shumёçka janё shumё mё interesante sesa ato qё i gjejmё nё udhёpёrshkrimet qё autorёt i kanё shkruar pёr t’i botuar.
3. Mund tё konkludojmё se kroatёt gjithmonё kanё shkruar me simpati mbi shqiptarёt, mbi tё kaluarёn e tyre tё lavdishme, zakonet e tyre, vendbanimet dhe qytetet. Veçanёrisht nё mёnyrё pozitive kanё shkruar mbi luftёn e tyre kundёr armikut tё pёrbashkёt, ngase bash shqiptarёt e kanё dhёnё heroin, Skenderbeun, i cili u bё simbol i rezistencёs kundёr osmanёve pёr tё gjithё tё krishterёt. Simpatitё ndaj shqiptarёve janё plotёsisht tё kuptueshme, nёse e kujtojmё se shqiptarёt dhe kroatёt kurrё nuk kanё luftuar ndёrmjet vete, dhe se kurrё nuk kanё pasur ndaj njёri-tjetrit pretendime territoriale. Shumё shqiptarё qё kanё ardhur, qё nga mesjeta e deri nё ditёt e sotme, nё tokat kroate, kanё begatuar skenёn kulturore kroate nё fushёn artistike dhe shkencore, ndёrsa kroatёt nё anёn tjetёr kanё ndihmuar luftёn e shqiptarёve pёr pavarёsi aq sa kanё mundur dhe sa kanё guxuar. Literatura udhёpёrshkruese ka dhёnё pa dyshim kontribut nё njohjen e tё kaluarёs shqiptare te kroatёt.
(Perktheu nga kroatishtja . Mr.sci. Xhafer Syla)
____________
Me shkas
Akademik Aleksander Stipçeviq: Shqiptarët e sotëm, pasardhës autentikë të ilirëve
“Ne flasim gjuhen arbereshe mes nesh”, tha nje buzembremje te fresket korriku, akademiku i njohur kroat, Aleksander Stipcevic. Ishte nje takim i organizuar ne kuader te Panairit te Tete te Librit Shqip, qe po mbahet prej ditesh ne qytetin e lashte te Ulqinit, ku fteses per pjesemarrje nuk kish nguruar t’i pergjigjej edhe nje nga personalitetet me te njohura te botes akademike te te gjithe Mesdheut. Aleksander Stipcevic, 78 vjec, i njohur ne Shqiperi nga viti 2002 me botimin e tij enciklopedik “Iliret, historia, jeta kultura, simbolet e kultit“, nga Zara e Kroacise, por me te pare nga Shestani, nje zone malore, rreth 60 kilometra larg Ulqinit, vendbanim ku kane qene vendosur shume arbereshe, tha se “ne kete vizite te pare te tij i kishte pelqyer shume Ulqini, por edhe fshati i prejardhjes se tij”. “E kisha deshire te kahershme te vizitoja token e te pareve te mi. Me pelqyen malet dhe relievi“, tha Stipcevic, i cili preferoi qe per disa minuta t’u drejtohej te pranishmeve te ketij takimi me gjuhen e paraardhesve te tij, ashtu sikunder ai ka preferuar qe ne cdo rrethane politike te pohoje pa droje prejardhjen e tij shqiptare. “Kam deshire te flas shqipen qe di nga te paret e mi“, tha akademiku i njohur kroat, i fokusuar ne kete takim nga media te ndryshme, por dhe i ndjekur me interes te plote nga pjesetare te jetes kulturore te qytetit te Ulqinit, nje qytet i dyzuar mes lartesise qe ofron relievi shkembor dhe butesia e bregut te detit. Dhe ndoshta ky takim, mbi nje teme aq shume te diskutuar mbi iliret, nuk do te kishte pasur vend me te mire per t’u organizuar se sa ketu ne Ulqin, qyteti ilir i cili ne lashtesine e tij shtrihej nga Kepi i Mendres ne veri deri ku lumi Buna derdhet ne detin Adriatik. Nje nga emrat e njohur te iliriografise, bibliografise, i nderuar dhe nga Presidenca shqiptare disa vite me pare me Urdhrin e Larte “Naim Frasheri” u zgjodh te botohej edhe ne shqip nga perkujdesja e nje prej botuesve te njohur shqiptare, Fatmir Toci. ATSH Arbereshet
“Jam duke punuar per nje liber te ri qe ju kushtohet arberesheve”, ka pohuar Aleksander Stipcevic, akademiku kroat nga Zara e Kroacise, qe ne kete vizite te tij te pare ne Ulqin ka pasur kenaqesi te vizitoje edhe Shestanin, fshatin e te pareve te tij.
Pёrgatiti pёr ZSH: Kadri Mani
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Aleksandër Stipçeviq: Udhëpërshkruesit kroatë nëpër Shqipëri Empty Re: Aleksandër Stipçeviq: Udhëpërshkruesit kroatë nëpër Shqipëri

Mesazh nga Sponsored content


Sponsored content


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi