Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Alfred Papuçiu: T’i përmbahemi vlerave të Kombit tonë të lashtë

Shko poshtë

Alfred Papuçiu: T’i përmbahemi vlerave të Kombit tonë të lashtë Empty Alfred Papuçiu: T’i përmbahemi vlerave të Kombit tonë të lashtë

Mesazh nga Agim Gashi Thu Sep 10, 2009 9:48 pm



Alfred Papuçiu: T’i përmbahemi vlerave të Kombit tonë të lashtë U1_AlfredPapuciu
T’i përmbahemi vlerave të Kombit tonë të lashtë

Nga Alfred Papuçiu

Kohët e fundit, çuditërisht, me ngulmimin e qeverisë demokratike në Shqipëri, për të njohur vlerat tona kombëtare, për t’i dhënë vendin e merituar historiografisë dhe letërsisë sonë, për të futur Shqipërinë de jure në Europën e Brukselit, apo për të patur një politikë ekuilibri me fqinjët, si dhe me vendet europiane, SHBA, NATO-n dhe organizma ndërkombëtare të sistemit të OKB-së, qarqe dhe persona të caktuar, parlamentarë opozitarë, shkrimtarucë, historianë, përkthyes, enkas, apo edhe të shtyrë, për të fituar disa kacidhe, apo për të fituar një « reputacion » (famë), si sahanlëpirës që janë, duan ta denigrojnë Kombin tonë dhe figurat e tij mbarëkombëtare. Njëri prej tyre, Rexhep Qosja, me titull Akademik dhe shqiptar ( ?!) na nxjerr tani letërsinë serbe më të përparuar se ajo shqiptare, në një kohë kur dihet botërisht se veprat e Ismail Kadaresë, Dritëro Agollit, Fatos Kongolit, e shumë të tjerëve janë botuar në Francë, në SHBA, në shumë vende europiane, të Amerikës Latine, të Azisë etj. Qitja e tij është « me helm » jo vetëm kundër të madhit tonë që i përket njerëzimit, Ismail Kadaresë, por edhe kundër gjithë letërsisë shqiptare, gjuhës sonë letrare, Rilindasve tanë, shkrimtarëve, që edhe atje në Diasporën e largët në Amerikë e kudo, kanë dhënë ndihmesën e tyre për zhvillimin e saj. Është e vërtetë se letërsia serbe ka kritizerë të fortë, të paguar mirë prej kohësh, nga lobi i fuqishëm serb në Europë dhe SHBA, që përpiqen të fusin hundët kudo në qarqet letrare europiane, edhe në Paris, e kudo në botë, por deri më sot ata nuk kanë mundur të ndalojnë që Ismail Kadare të botohet në

Alfred Papuçiu: T’i përmbahemi vlerave të Kombit tonë të lashtë U1_Kadare1
Kadare
40 gjuhë, do apo s’do Qosja. Është e vërtetë se Ismaili ynë mbarëkombëtar nuk e ka marrë akoma çmimin Nobël që i takon më tepër se kujdo tjetër sot, por grupi nismëtar në mbështetje të shkrimtarit tonë të madh që lexohet dhe nderohet jo vetëm në Francë, por edhe në SHBA, Itali, Spanjë, Gjermani, Britani e Madhe me çmime me prestigj ndërkombëtar, do të bëjë që edhe Komisioni i çmimit Nobël të arsyetojë me maturi dhe të mos marrë parasysh letrat paçavure të ndonjë shqiptaruci që lëshon atje anatema kundër një gjeniu të letrave shqiptare. Është qesharake të paraqesësh si karshillëk apo për të spostuar Ismail Kadarenë për çmimin Nobël, kandidatura jo serioze, në vend të tij, siç është vepruar enkas. Turp që nuk ndodh me kombet e tjerë ! E përshëndes Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi që pak më parë i dërgoi letër Komisionit të çmimit Nobël , duke mbështetur kandidaturën e shkrimtarit tonë mbarëkombëtar.

Argumentat janë të shumta për ecurinë në rrugë të mbarë të letërsisë sonë dhe atyre do t’u kthehemi së shpejti. Mendoj miqësisht që Rexhep Qosja duhet t’i lërë ndjenjat dhe mendimet e tij të piqen akoma sa nuk është vonë, të shkëputet nga padurimi dhe mllefi personal dhe nga çdo rrethanë e përkohëshme dhe të bëjë një autokritikë të thellë për shkarjet e tij. I kujtoj atij dhe atyre të tjerëve që po mundohen të hedhin baltë ndaj figurave tona kombëtare, ndër të tjerë edhe Skënderbeut, Nënë Terezës, se po mbajnë të njëjtin « fjalim » të përsëritur, si ai i një ambasadori të një vendi anëtar të OKB-së në Asamblenë e Përgjithëshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork. I nderuari ambasador të paktën u tregua i sinqertë që kur mbaroi fjalimin dhe e duatrokitën, edhe ata që flinin, kur ai fliste, tha me sarkazëm : « Faleminderit për vëmendjen, pasi ishte fjalimi që mbajta edhe vjet. Nuk i kam ndryshuar as edhe një presje ». Kështu dhe « postulatat » e Qoses » dhe disa të tjerëve, nuk do të « lëçiten » më, pasi janë bërë bajate.



Mua më vjen shumë mirë kur marr pjesë në mbledhje e seminare ndërkombëtare dhe krenohem duke thënë se jam shqiptar. Bashkëfolësit, me respekt më thonë : « Jeni nga vendi i Ismail Kadaresë ». « Nënë Tereza, shënjtore ka qënë shqiptare ».

Spinoza thoshte : « Më mirë t’u mësosh të tjerëve virtutet se sa të dënosh veset ; më mirë vlen gëzimi se sa trishtimi, më mirë vlen admirimi se sa përçmimi, më mirë vlen shembulli se sa turpi ». Me këto fjalë të tij, nuk dua t’i jap këtu dikujt mësime morali, por që çdonjeri nga bashkëatdhetarët tanë të bëhet zot i vetvetes, ashtu siç duhet të bëhet dhe gjykatësi i vetvetes. Me çfarë synimi ? Për të qënë më njerëzor, më i fortë, më i dashur, i sjellshëm, i arsyeshëm. Cdo arsye dhe arsyetim është universal, çdo kurajo për të shprehur sidomos të vertetën dhe jo të gënjeshtrën, është vetiake, e veçantë. Prandaj duhet kurajo për të menduar, siç duhet edhe për të luftuar apo argumentuar. Kurajua intelektuale, është refuzim, ndaj frikës, refuzim që t’i nështrohesh diçkaje tjetër që s’ka të bëjë me të vërtetën, edhe pse mund të të joshin dhe të paguajnë. Kjo është gjithashtu që cilësohet si mendjemprehtësi, kurajo për të jetuar me dinjitet, për të rezistuar, për të ngulmuar. Prandaj për t’u bërë ballë « qoftëlargëve » që vegjetojnë akoma në gjirin tonë dhe priren nga e keqja, nga fitimi personal, pa patur asnjë virtut, ka ardhur koha që kritikët tanë letrarë, edhe ata me tituj profesorë që « kanë rënë në letargji » (jo të gjithë) të shprehin me forcë dhe të mbrojnë vlerat e letërsisë sonë, ashtu si edhe historianët dhe institucionet tona që merren me historinë e Kombit në Shqipëri dhe në Kosovë, apo edhe Fakultetet ku mësojnë studentët historinë, të thonë me forcën e tyre të vertetat e historisë së Kombit tonë të lashtë. Por jo vetëm në shqip. Ashtu siç bën ushtria e madhe e historianëve serbë, grekë, apo edhe vendeve të tjera të Ballkanit dhe Europës, ato duhen përkthyer në gjuhë të huaj, për t’u rimarrë nga historianët botërorë. Dikur më kujtohet se kur punoja në një organizëm ndërkombëtar të Kombeve të Bashkuara, analizat për vendin tonë për ekonominë i bënte një ekonomist britanik, pasi megjithë kërkesat e përsëritura të Sekretariatit të atij organizmi për të ardhur ekspertë shqiptarë, edhe të paguar prej tij, nuk gjendeshin dot të tillë ( ?!). Dhe në to unë gjeja mangësi që i vija në dukje, natyrisht aq sa më lejohej dhe me takt. Nuk dua t’i bëj elozhe këtu ambasadorit shqiptar në Bernë Mehmet Elezi, por me fjalorin e tij të gjuhës shqipe ai i jep një ndihmë të madhe gjuhësisë shqiptare. Të njëjtën gjë mendoj se duhet të bëjnë edhe ambasadat tona jashtë, jo të bëjnë fjalorë apo të shkruajnë letërsinë apo historinë tonë, por të paktën të përçojnë në gjuhën e vendeve ku punojnë, vlerat e letërsisë dhe historisë sonë kombëtare. Luan Topçiu e bën këtë në Rumani. Ka edhe të tjerë që nuk po i përmend për mungesë vendi. Shaban Murati ka shkruar tre libra për Kosovën që duhet të jenë në tavolinat e çdo diplomati shqiptar të Kosovës dhe të Shqipërisë, për analizat dhe argumentat e bazuara që jep në mbrojtje të çështjes së drejtë të Kosovës dhe të domosdoshmërisë së njohjes së saj nga Bashkësia Ndërkombëtare, apo vendi që i takon në Kombet e Bashkuara dhe mbledhjet ndërkombëtare qofshin ato me karakter politik, edhe deri pjesëmarrje në veprimtari sportive ndërkombëtare. Por duhet bërë më tepër në këtë drejtim. Duhen popullarizuar edhe analizat dhe kumtimet e albanologëve apo historianëve, kritikëve letrarë botërorë që kanë ngritur vlerat e shqiptarëve, virtutet e tyre të mira, si Georges Castellan me « Historinë e Ballkanit », Robert d’Angely me shtatë librat e tij për gjuhën e lashtë shqipe, « Pellazgët », « Sekretin e Epitafeve », « Për Perandorinë Osmane ; shqiptarët e Epirit », « Etruskët në Perandorinë Bizantine », « Enigmën » ; « Gaius Plinius Secundus, i njohur si Plini Plaku (23-79 e.s), natyralist romak i famshëm që botoi në vitin 77 e.s. serinë madhështore prej 37 vëllimesh për historinë natyrore, të titulluar « Naturalis Historia ». Në vëllimin VII, ai shkruan : « Ilirët (arbërit) kanë krijuar të parin alfabet dhe romakët shkrimin e tyre e morën nga ilirët » ; një gjë është e qartë dhe e padiskutueshme : gjuha shqipe është një nga 9 gjuhët indoeuropiane më të vjetra dhe që nuk e ka prejardhjen nga ndonjë gjiuhë tjetër, por ka mbetur e paprekur, megjithëse Shqipëria ka qënë e pushtuar nga shumë të huaj gjatë shekujsh. Nuk bëj ndonjë zbulim kur theksoj se emri « shqip » është gjetur në shënime qysh në kohën e Ptolemeut. Që shqipja është një gjuhë e veçantë dhe e lashtë indoeuropiane, kjo është dëshmuar nga gjuhëtari gjerman Frans Bopp, më 1854. Christine von Kohl me librin « Shqipëria », si dhe librin që ajo ka shkruar me Wolfgang Libal « Ballkani faktor qëndrueshmërie apo pështjellimi në Europë », që janë përkthyer me mjeshtri nga gjermanishtja, nga miku im, Pjetër Rodiqi, bashkëshort i përkushtuar i Vaçe Zelës. Më lejoni, të nderuar lexues, t’u jap vetëm disa fjalë të shprehura prej saj në librin « Shqipëria » : « Nuk ka dyshim, ç’është e vërteta, se më vret ndërgjegja, kur kam parasysh që me këtë libër të vogël jam përpjekur të përshkruaj një vend dhe njerëzit e tij, pa zotëruar gjuhën e tyre, gjë që, gjithsesi, nuk është e këshillueshme…Kur Shqipëria « njolla e bardhë » në ndërgjegjen europiane deri në vitin 1985 kur vdiq Enver Hoxha, qe një vend i mbyllur, ajo u shëmbëllente thuajse si një parajsë e dëlirtë vizitorëve të pakët që lejoheshin të vinin nga Perëndimi. Shqipëria nuk është vetëm një
vend me bukuri të mahnitëshme. Duke pasur në sfond peizazhin dhe të kaluarën njerëzit e saj kanë shtjelluar një mendësi të tyre tejet origjinale e për shekuj me radhë këta dy faktorë kanë mrekulluar prore vizitorët e ardhur nga vendet e tjera. Shqiptarët shpeshherë janë admiruar, idealizuar dhe kundruar në një dritë romantike, por edhe janë mohuar apo nënvlerësuar. Ndaj tyre, ç’është e vërteta, është treguar vetëm në raste të rralla mirëkuptim, mirëpo edhe vetë ata nuk i kanë krijuar lehtësira mjedisit rrethues. Shqiptarët u përkasin popujve më të lashtë të kontinentit tonë, ata e ndiejnë veten si europianë dhe për shekuj me radhë kanë luftuar për të mbetur europianë. Fati dhe vetë mendësia vetjake kanë kërkuar prej tyre flijime tej mase të shumta. Ata kanë qenë të shtypur herë pas here e për një kohë të gjatë nga sundimtarët e huaj dhe tiranët e tyre »…Kur flitet për Shqipërinë e Shqiptarët, duhet folur edhe për Kosovën. Shqiptarët e Shqipërisë dhe të Kosovës janë pjestarë të të njëjtit popull, ndonëse me mbrujtje të ndryshme historike, nga njëra anë, qysh nga periudha e sundimit osman e, nga ana tjetër, nëpërmjet ndarjes shtetërore, si pasojë e Konferencës së Londrës të vitit 1913… »

vijon
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Alfred Papuçiu: T’i përmbahemi vlerave të Kombit tonë të lashtë Empty Re: Alfred Papuçiu: T’i përmbahemi vlerave të Kombit tonë të lashtë

Mesazh nga Agim Gashi Thu Sep 10, 2009 9:50 pm

Arkivi ynë Kombëtar « për dreq » është hapur për shkencëtarët vetëm në vitin 1989, dhe ndodhitë dhe zhvillimet janë regjistruar së shumti prej historianëve dhe kronistëve të fqinjëve, disa që mbanin një qëndrim miqësor, por të tjerë duke i paraqitur « si burime të besueshme » por që në fakt krahas vërtetësisë të fakteve për diktaturën enveriane, shtrëmbëronin historinë tonë. Siç duket Enver Hoxha dhe bashkëshortja e tij nuk donin që historiografia shqiptare të dilte jashtë caqeve të veprave të tij, « të vërtetave » të shprehura vetëm prej tij, të cilat edhe sot e kësaj dite « nostalgjikët » e gjorë i shpërndajnë në shkallët e apartamenteve ku jetojnë. Siç shpërndahen stemat me orët me kokën e tij…

Prandaj, ka ardhur koha, që si edhe vendet e tjera të qytetëruara, të bëjmë më tepër për zbulimin e vlerave tona kombëtare. Kryeministri Sali Berisha dhe qeveria që ai po kryeson në mandatin e dytë, nuk kanë mundësi të japin udhëzime pas udhëzimesh për këto çështje të rëndësishme, pasi duhet të ndjekin edhe politikën globale shqiptare të brëndëshme dhe të jashtme, ekuilibrin me fqinjët tanë të dëshiruar dhe të padëshiruar (nuk i zgjedh dot fqinjët), marrëdhëniet me shtetet e tjera europiane dashamirëse dhe skeptike pasi luhaten nga problemet e tyre nacionaliste dhe të minoriteteve që i përbëjnë (e kam fjalën për mosnjohjen e Pavarësisë dhe qeverisë së ligjshme të Kosovës), me NATO-n, SHBA etj. U përket institucioneve tona, në radhë të parë Akademisë së Shkencave, por edhe Institutit të Diasporës, si në Kosovë dhe në Shqipëri, shkencëtarëve tanë, të japin ndihmesën e tyre në këtë drejtim. Profesorët tanë me tituj që jetojnë jashtë shtetit, në Francë, Austri, Britani e Madhe, Gjermani,
vende të tjera europiane e deri në SHBA, krahas studimeve akademike për vendet ku jetojnë, duhet të marrin mundimin të gjejnë në arkivat e pasura të këtyre vendeve, apo biblioteka, argumenta që flasin për historinë, gjuhën, letërsinë, identitetin e vendit tonë. Cdonjeri duhet të mendojë që gjatë udhëtimeve jashtë , qofshin zyrtare apo edhe turistike që janë shtuar për ta, si dhe për parlamentarët shqiptarë, të « gërmojnë » në arkivat dhe bibliotekat e pasura të huaja ku shkojnë edhe për dy javë, apo më tepër. Cështjes shqiptare i shërbehet duke qënë i përkushtuar dhe jo duke braktisur Parlamentin shqiptar, siç vepron opozita tani. A mendojnë ata parlamentarë opozitarë se nuk i shërbejnë çështjes nga më madhoret tani, të futjes së Shqipërisë në Europën e Brukselit ? Ata vetë mund të shkojnë në Europë e gjetiu me viza Shengen apo pa viza me cilësinë e tyre si parlamentarë, si dhe marrin rroga të majme, të paguara nga taksapaguesit shqiptarë dhe nga bizneset që kanë bërë falë demokracisë. Por a mendojnë ata për atë popull që rri me orë të tëra në dyert e ambasadave për të marrë një vizë, për të shkuar sikur edhe disa ditë në « eldoradon » europiane ? Mendimet e kundërta duhet të rrihen në Parlamentin e popullit, ashtu siç veprohet edhe në vendet e tjera demokratike. Shembulli i Zvicrës është tepër domethënës : kur shtrohet problemi i mbrojtjes së çështjes kombëtare apo të popullit zviceran, parlamentarët e krahut të djathtë, të qendrës, apo të majtë vendosin bashkërisht në instancën më të lartë të Sovranit Popull. Dhe ata janë në unison, siç duhet të jemi ne të gjithë dhe të ndikojmë për hyrjen e Shqipërisë në Europë, për eliminimin e vizave për shqiptarët, siç u realizua « në mënyrë tinzare » për Beogradin, për Mlladiçin që mund të ikë me fytyrë tjetër, falë operacioneve estetike dhe pasaportës serbe. Natyrisht, këtu kanë dorë dhe qarqe të caktuara europiane që për interesa meskine të « qajnë ditën dhe të fusin thikën natën ».



Pra grindjet e kota pa bukë çojnë ujë në mullirin e armikut. Po krijohet qeveria e re shqiptare, me një koalicion partish. Dëgjojmë anatema nga më të ndryshmet që fatkeqësisht i fryn edhe shtypi shqiptar « i pavarur ». Në Francë, Presidenti Nikola Sarkozi, ministrin e punëve të jashtme, Bernard de Kushner e mori nga krahu i socialistëve, duke vlerësuar punën e tij në shërbim të interesave të Francës kur ka punuar me organizatat ndërkombëtare. Ai ka angazhuar edhe këshilltarë të tjerë të krahut të majtë, për probleme që lidhen me interesat kombëtare, pasi ata mund t’i hapin dritën jeshile problemeve që shtrohen në marrëdhëniet e Francës me vendet e tjera. Në SHBA, Presidenti i nderuar Barak Obama ka rreth tij një staf të përbërë edhe nga republikanë që kanë dhënë dhe do japin akoma më tepër për Kombin e tyre. Idealja do të ishte siç është në Zvicër : një koalicion i partive të ndryshme, një qeveri prej shtatë ministrash që përfaqësojnë grupimet e ndryshme politike. Por Konfederata Helvetike (e përbën një rast pothuajse unikal në botë dhe është një demokraci e formuar prej dekadash. Dëgjojmë anatema nga më monstruozet, që rimerren me qef nga shtypi europian i bulevardit, në një kohë që jo vetëm unë si shqiptar nga Shqipëria apo nga Kosova, por edhe miqtë tanë të huaj, shohin ndryshime të mëdha : autostrada, banka, shkolla, spitale të reja moderne, magazina si në Perëndim, dyqanet dhe restorantet plot me njerëz, të rinj të gëzuar. A ka probleme. Por cili vend është pa probleme. Edhe demokracitë më të vjetra në botë nuk mund t’i shuajnë dot problemet sociale që kanë që janë bërë të mprehta në këtë periudhë krize botërore…Pinjollët e E.Hoxhës dhe bashkëshortja e tij guxojnë akoma të na japin « mësimet » për të mirat në kohën e Enverit, duke përfituar nga « butësia » e demokracisë. A do të kishin guxim ta bënin një gjë të tillë, në kohën e merhumit ? Të mos ishte kjo demokraci, ata nuk do kishin bizneset e tyre « të frytshme“, por do të përfundonin si mijra shqiptarë të syrgjynosur nga diktatori. Apo si mijra të tjerë intelektualë se ishin fotografuar në një shfaqje të « Lulja e Kujtimit » të Foqion Postolit, pranë një të riu të « Ballit », pa bërë pjesë në këtë formacion politik dhe u dënuan për jetë shpirtërisht, apo ata që kishin shprehur pakënaqësi për prishjen e marrëdhënieve me sovjetikët, për mungesën e ushqimeve, për therjen makabre të bagëtive. A mendon ajo grua se një nga krimet më të mëdha që duhet ta brejë ndërgjegja ishte moslejimi i nënës, ish shoqe e saj e ngushtë, për të parë bijën e saj në shtratin e vdekjes ( ?!), etj etj.



Ditët e fundit lexova me kënaqësi për zhvillimin e një kolokiumi në Shkup, lidhur me dyshtetësinë nga disa organizata joqeveritare shqiptare. Do t’i kthehem përsëri këtij problemi madhor për Kombin tonë, për të cilin kam shkruar fillimisht, në 26 mars 2002 në shtypin tonë. Fletorja zyrtare e Republikës së Shqipërisë në çdo numër ka me dhjetra emra të qytetarëve tanë që lënë shtetësinë shqiptare, me dëshirë, apo të detyruar, pasi vendet ku janë vendosur nuk e pranojnë atë. Unë nuk mund të pranoj mendimin e një studenteje shqiptare që m’u shpreh në konfidencë gjatë një kolokiumi për Kushtetutën tonë, në Universitetin e Gjenevës, se kish qënë për disa vite në një shtet të huaj dhe atje vetë shqiptarët kishin pranuar shtetësinë e atij vendi. Ajo mund të pohonte më mirë se shqiptarët si popuj të vendeve të tjerë, për një arsye ose një tjetër, kishin qënë të detyruar të merrnin shtetësinë e vendit ku ishin vendosur. Nuk kishin zgjedhje tjetër, pasi ai vend nuk u jep mundësinë si Zvicra, e cila qysh më 1992, me ligj ka pranuar dyshtetësinë. Kurrë ndonjë shqiptar i ndershëm, qoftë ai nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia apo Mali i Zi nuk do të pranonte me dëshirë heqjen e përkatësisë si shqiptar, shtetas i një kombi të lashtë, një komb që ka ruajtur të pastër gjuhën, zakonet dhe gjithçka të mirë për t’ua lënë trashëgim brezave të ardhshëm, që një ditë do të kthehen në tokën e tyre të bukur, buzë detit në Velipojë, Durrës, Vlorë, Seman, Sarandë, buzë Liqenit të Ohrit dhe të Ulqinit, në malet e lartë e të bukur në Valbonë, në Kosovë e gjetiu. Nuk dëshiroj si mijra bashkëatdhetarë të mij në botë që brezat tanë të ardhshëm të mos dijnë se nga e kanë prejardhjen, duke humbur diçka shumë të shtrenjtë : identitetin e tyre kombëtar. Nuk dëshiroj që për shkak të « përkatësisë » së përkohëshme me pasaporta të ish-Jugosllavisë, disa bashkëatdhetarë tanë të tundohen për një çast, nga padrejtësia që ju bë shqiptarëve, dhe të përdorin më 1 janar 2010, « pasoshin » serb. Krenaria e përkatësisë si shqiptar, duhet të mposhtë kënaqësinë plot « helm » që ju jep Beogradi.


Gjithçka që shpreva më sipër janë vetëm mendime të mijat personale, nisur nga synimi që çdonjeri prej nesh, në Komb dhe jashtë tij, të japë ndihmesën sado edhe të vogël për mbrojtjen e vlerave tona kombëtare. Të mësohemi të duam fqinjin, edhe opozitarin, mikun, shokun, dhe seicili nga ne të respektojë edhe figurat tona mbarëkombëtare, si shënjtoren tonë të mirë, të urtë, paqësore, Nënë Terezën, e cila ndër të tjera jepte këtë mesazh : « Ajo që bëj unë është një pikë uji në oqean. Por nëse kjo pikë uji nuk do të ishte atje, uji do të mungonte”.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi