Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Ben Blushi "Te Jetosh Ne Ishull"

Faqja 4 e 7 Previous  1, 2, 3, 4, 5, 6, 7  Next

Shko poshtë

Ben Blushi "Te Jetosh Ne Ishull" - Faqe 4 Empty Re: Ben Blushi "Te Jetosh Ne Ishull"

Mesazh nga Rrebele Wed Jan 07, 2009 4:32 am

Më duket sikur ti e di ku është babai, e pyeti Sara që ishte ngurtësuar dhe kishte mbledhur duart mbi kraharor. Jo, tha Mihali. Ndoshta ai nuk do që ne ta marrim vesh se ku ka shkuar, tha Sara. Mihal Komneni ngriti kokën dhe e pa Sarën sikur donte t’i vidhte një sekret. Erdha mbrëmë në fshat, foli ai. Shtëpia ishte e mbyllur dhe shkova te Hana. Ajo më tha se çelësat e shtëpisë Arianiti t’i kishte lënë ty. Doja të vija që mbrëmë t’i merrja, por kur ajo më tha se yt shoq është bërë mysliman, ndërrova mendje dhe fjeta tek ajo.
Unë nuk e kisha parë kurrë Hanën. Babai e donte shumë dhe luante me të. Por ai thoshte se ndryshe nga gjithë Komnenet, kur ajo humbte, e linte lojën pa u ankuar. Ashtu m’u duk dhe mua. Është shumë e bukur, si nëna e vet, por është pa humor, si i ati. M’u duk sikur e përdor bukurinë që ka si një mobilie për të dekoruar shtëpinë. Nuk mendon shumë dhe kjo e mban ende të freskët. Flet shkurt dhe përgjigjet vetëm kur e pyesin. Kur e pyeta për babanë ajo më tha se ditën që iku ai kishte thënë se ti e dije se ku do të shkonte. Hana është e bindur se ti e di, por nuk e thua. Por ajo beson ato që dëgjon pa u përpjekur të gjejë kuptimin e vërtetë të fjalëve. Hana ka luajtur, por nuk ka biseduar me Arianitin dhe prandaj nuk mund ta kuptoje se çfarë ka thënë ai.
Sipas teje, çfarë ka thënë babai, pyeti Sara. Ka thënë që ti duhet ta zbulosh se ku ka shkuar, duke ecur mbi gjurmët e jetës së tij. Ti më provove se unë nuk i di të gjitha gjurmët, tha Sara. Unë të dhashë një gjurmë dhe ato që kanë mbetur duhet t’i gjesh duke ndjekur shenjat. Unë jam një shenjë, por nuk jam e vetmja dhe as e fundit, tha Mihali. Cilat shenja, pyeti Sara. Shenjat që ai ka lënë mbi njerëzit dhe veprat që krijoi, ia ktheu Mihali. Po më thua të lexoj një nga një gurët e kalldrëmeve që shtroi në fshat, apo të shikoj si rrjedh uji në çezmat pre guri që ndërtoi dhe të përpiqem të kuptoj se në cilin breg të botës mbaroi udhëtimi i Arianit Komnenit, pyeti Sara me nerv dhe iu kujtua Ibrahimi, që thoshte se Arianiti i kishte trajtuar më mirë kalldrëmet se njerëzit. Kaq shpejt u lodhe, e cyti Mihali që kishte marrë pamjen e një njeriu që e ka tërhequr gjahun aty ku do. babai të ka treguar për prejardhjen e Komnenëve dhe dashurinë e tij me nënën tënde, por kjo është njësoj si të kënaqesh me rrotullimin e dallëndyshes në një ditë vere, pa e kuptuar se sa shumë rrugë ka bërë për të ardhur mbi qiellin tënd, se nga cilët dimra ka ikur, se si ka humbur shoqet nëpër cikna, se si i ka shpëtuar rrebesheve mbi oqeane, se si ka plagosur krahët në stuhi, se si i ka dredhuar zogjve grabitqarë, se si në lartësi është dashuruar, duke harruar se mund t’i merreshin mendtë, se si është çlodhur nga dashuria duke u mbështetur mbi krahët e të dashurit, se si e ka ngritur folenë e vet duke i ngjitur tullat e saj me gojë, se si i ka ushqyer të vegjlit duke këputur mish nga mishi i saj, se si ka rënë, është ngritur dhe prapë ka rënë dhe prapë është ngritur, derisa ka vendosur të niset për udhëtimin e fundit, pasi mjeshtërinë e jetës ia ka mësuar edhe foshnjave të veta. Dallëndyshja e di që nuk mund të vdesë pa i rritur fëmijët e vet dhe kur është e sigurt se kjo ka ndodhur zgjedh një vend për të vdekur, të cilin askush nuk e di. Kush më thotë ku është varri i dallëndyshes? Askush. Vetëm të vegjlit mund ta gjejnë atë nga shenjat që ka lënë në ajër, nga aroma e kashtës së folesë, nga puplat që kanë rënë rrugës, nga drejtimi i erës, nga gjethet e pyllit që imitojnë krahun e nënës së tyre dhe pa dyshim nga nevoja që ka çdo qenie e gjallë për të kuptuar se aty ku mbaron udhëtimi i prindit fillon udhëtimi yt, sepse bota jeton përmes vazhdimësisë së trashëgueshme. Unë erdha që në mëngjes për të fjetur këtu por nuk më lanë shenjat e tij. Hija e babait, gjurma e tij në oborr, shija e arrave që hante, flokët e bardhë mbi velenxë, një cep i përthyer libri, palosja e çarçafit dhe plloça e ciflosur nga këmba e tij nuk më lanë të flija. I ndoqa gjithë ditën për të kuptuar më shumë. Nuhata, shijova, preka, pashë dhe dëgjova. Do isha nisur duke ecur pas këtyre shenjave deri në fund të botës, po të mos e kuptoja se Arianit Komneni nuk më pret mua, por ty. Ai të pret ty, sepse ti i ndryshove drejtimin jetës së tij dhe ai ka vazhduar në atë drejtim, si një dallëndyshe që e di se, po ndryshoi rrugën, të vegjlit që i vijnë pas, do ngatërrohen. Kam kohë që e mendoj, por sot, kur shtriva trupin tim aty ku babai është shtrirë për herë të fundit, kuptova se unë nuk jam udhëtari, por jam shenja. Kam ardhur si një shenjë që ti të më lexosh dhe të vazhdosh rrugën, dallëndyshja ime.
Rrebele
Rrebele
Moderator
Moderator

Numri i postimeve : 484
Registration date : 06/01/2009

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Ben Blushi "Te Jetosh Ne Ishull" - Faqe 4 Empty Re: Ben Blushi "Te Jetosh Ne Ishull"

Mesazh nga Rrebele Wed Jan 07, 2009 4:32 am

Mihal Komneni kishte marrë një ngjyrë purpuri dhe flokët i ishin shpupuritur, si në një fluturim. I rregulloi me ngadalë me dorën e madhe si krehër dhe e pa Sarën me sy të çmallur. Babai më mësoi të eci, ti po më mëson të fluturoj, tha Sara dhe u ngrit. Do donte të rrinte akoma me të vëllanë, ta përqafonte ashtu siç nuk kishte pasur rast ta bënte kur ishte e vogël, por e dinte që në krahët e tij do qante duke derdhur lotët e gjithë fëmijërisë së vet që kishte kaluar shumë shpejt, duke u mbajtur në krahët e babait që fluturonte nga dimri në verë dhe nga furtuna ën qetësi. Mori Anën për dore dhe, duke dalë, iu duk sikur dëgjoi zërin e Mihalit që thoshte: Dallëndyshja i lë shenjat në ajër. Ngriti kokën lart, por shiu i rrëshqiti mbi faqe. Si lot. Duke ecur, këmba iu pengua në një gur kalldrëmi që ishte më i madh se të tjerët. Nuk jam akoma gati t’i ndjek të gjitha shenjat, tha Sara me vete dhe shtrëngoi fort dorën e Anës që ishte zgjuar drejt saj në errësirë.


22

Në fillim të korrikut, Ana mbushi dy vjeç. Shiu vazhdonte prej dy javësh dhe oborri ishte mbushur me pellgje jeshile. Shtëpia e tyre dukej si një kazan i hapur nga lart që priste të mbyllje, ndërsa shtëpia e re ishte e çrregullt. Për shkak të shiut, djemtë luanin gjithë ditën brenda dhe dhomat i ngjanin një depoje në të cilën një herë sënduku fshihej poshtë krevatit dhe pastaj qilimi e mbulonte krevatin si çarçaf. Ta festojmë ditëlindjen e vajzës, tha Ibrahimi. Këtu është e pamundur, tha Sara që përpiqej më kot të vinte rregull. E festojmë të dielën në shtëpinë e babait. Ftojmë Hanën, Mihalin dhe Metodin. Duket si një meshë Komnenësh, tha Ibrahimi. Kur u martova, Arianiti më nxori jashtë nga mesha e Kretës, por tani nuk më zbon dot më. Do t’i them Mihalit që të mos vishet me rrobat e babait që të të dalë frika, ia ktheu Sara. Po ne si do vishemi, pyeti Aliu. Unë do vishem si Paridi, tha Niko dhe pyeti Sarën: Si vishej Paridi? Në kohët e lashta ishte ngrohtë dhe njerëzit visheshin lehtë, me një këmishë linoje dhe me sandale. Paridi i kishte flokët e gjatë dhe i mbante të kapura me një lidhëse të kaltër. Sandalet i kam, por flokët si t’i zgjas, pyeti Niko duke i ngritur balluket përpjetë. Lyeji me ujë me sheqer dhe do të ngrijnë e do duken më të gjata, i tha Jani duke qeshur. Do t’i lyej, tha Niko, dhe pastaj nuk do t’i pres derisa të më zgjaten si të Paridit. Po ti Muhamed si do vishesh, e pyeti Ibrahimi. Muhamedi uli kokën dhe duke parë thonjtë e vegjël dhe të bardhë tha: Unë do vë një çallmë që t’i ngjaj Muhamedit. Ibrahimi pa Sarën në sy, por nuk foli. Ti nuk mund të jesh Muhamedi sepse ai u bë mysliman kur u bë burrë. Sa ishte i vogël ai nuk mbante çallmë, foli Jani duke iu drejtuar Ibrahimit, sikur i kërkonte të ndërhynte. Kur ishte i vogël Muhamedi nuk e dinte që do bëhej mysliman dhe prandaj nuk mbante çallmë. Unë kam lindur mysliman dhe do sillem si një Muhamed i rritur, tha Muhamedi. Po pse zgjedh Muhamedin që nuk dinte të luftonte si gjithë burrat e tjerë. Po deshe të jap unë Skënderbeun ose Akilin që kanë bërë luftëra dhe jo muhabet si Muhamedi, tha Aliu. Tani nuk kam ç’t’i bëj, tha Muhamedi që ngriti kokën dhe pa nga Ibrahimi. Këtë e ka vendosur babai kur më vuri emrin. Babai ju ka vënë të gjithëve emra shumë të bukur, por ju nuk mund të jetoni si njerëzit që ju keni marrë emrin, tha Sara. Edhe Ana ka emrin e nënës suaj, por kur ajo të rritet njerëzit do ta kenë gjetur ilaçin e kolerës. Edhe unë kështu dua, tha Aliu. Babai më ka thënë se unë kam emrin e Ali Tepelenës, po unë nuk dua t’i ngjaj atij, se dajë Llambro thotë se ai vjedh bagëti dhe gra. Unë dua të kem edhe dele, edhe gra, por duke luftuar, jo duke vjedhur. Po ti baba emrin e kujt ke, pyeti Niko. Ibrahimi vuri buzën në gaz dhe tha: Unë kam emrin e një burri të mençur, i cili gjithë jetën eci nëpër fusha dhe male duke kërkuar tokë për të ngritur një fshat, për popullin e vet. Po ti nuk ke ecur nëpër male dhe fusha për të gjetur një fshat për ne, sepse fshatin e kishte ngritur babai i Sarës, tha Aliu. Prandaj unë nuk jam ai që më dha emrin dhe po ashtu edhe ju nuk jeni si ata që ju dhanë emrat, tha Ibrahimi. Megjithatë vishuni si të doni sepse është festa e Anës. Kur u bë kisha e fshatit ishte një ditë feste dhe unë u vesha si dhëndër. Po tani që nuk je dhëndër, nuk shkon më në kishë, pyeti Niko duke parë Sarën. Babai shkon prapë në kishë, por vetëm kur vdesin njerëz, tha Muhamedi dhe doli nga dhoma.

Të dielën që pa gdhirë, Ibrahimi theri një qengj, i ndau veç këmbët dhe lëkurën, i hoqi të përbrendshmet dhe e shpoi tejpërtej me hell. Binte shi dhe ai i tha Janit ta ndizte prushin brenda shtëpisë, aty ku Naumi dhe Andrea kishin sajuar një si kolibe të mbuluar për të fjetur. Jani rrotullonte hellin, ndërsa tymi fluturonte si i çmendur mbi shtëpinë pa çati.
Nga dreka, mishi i qengjit ishte skuqur në hell dhe kishte nisur të pikonte. Është gati, tha Ibrahimi. Sara i futi ushqimet e ngrohta nëpër trasta që ua dha djemve, Jani mori qengjin që Ibrahimi e ndau në copa të mëdha dhe u nisën.
Nikoja kishte ngrirë flokët që i mbante me një pe të kaltër, Muhamedi kishte vënë një peshqir mbi kokë që e kishte lidhur si çallmë, ndërsa Aliu me këpucë të zeza, për të mbrojtur thembrën, mbante në brez një shpatë pa majë që Jani ia kishte sajuar duke kryqëzuar dy dërrasa. Djemtë, të ngarkuar, ecnin përpara, ndërsa pas tyre vinte Sara dhe Ibrahimi që mbanin Ana Komnenën për dore. Duken sikur po shkojnë në luftë, tha Ibrahimi duke i parë. Ashtu duken, tha Sara, princi, hoxha dhe ushtari. Një ushtri e kompletuar që lufton pa shkak dhe fiton pa pasoja.
Kur hynë brenda, tryeza ishte shtruar dhe Mihal Komneni, që kishte veshur një këmishë të bardhë të qëndisur, ishte ulur në krye, me një gotë verë përpara. Mirë se erdhët, tha Mihali. Ka pesëdhjetë vjet që Komnenët nuk mblidhen as për ditëlindje, as për vdekje. hana filloi të qeshte kur pa djemtë, ndërsa Metodi vuri syzet e rrumbullakëta dhe i drejtoi nga çallma e Muhamedit.
U ulën. Mihali në krye dhe Sara përballë tij, në fund të tavolinës. Në të djathtë Ibrahim, Hana, Jani dhe Metodi, ndërsa majtas, Niko, Muhamedi, Aliu dhe Ana që mori një pirun dhe filloi ta përplaste mbi pjatë. Gëzuar, tha Ibrahimi.
Filluan të hanin dhe Mihali i tha Ibrahimit: Ushqimi është feja më e bukur sepse nuk ka kufizime. Të lashtët thoshin se fetë kanë lindur në tavolinë, pasi njerëzit hanin dhe fillonin të bisedonin, tha Metodi. Por meqë njerëzit kishin shije të ndryshme, lindën fe të ndryshme. Dikush nuk e donte mishin, dikush donte vetëm një lloj mishi, dikush donte edhe mishin, edhe verën, dikush nuk donte verën, por donte mishin. Kësisoj, fetë që lindën, kufizuan ushqimin sipas shijeve të njerëzve që i krijuan ato dhe njerëzit u ndanë fillimisht nga ushqimi. Po unë që i dua të gjitha, qeshi Mihali duke ngritur një gotë verë, në cilën fe futem unë? Ty nuk do të të kishin pranuar në atë tavolinë sepse ti do t’i kishe ngrënë të gjitha dhe sot do kishim vetëm një fe, tha Metodi. Sikur t’ia kishin lënë këtë gjë në dorë Mihalit, sot nuk do kishim as kisha, as xhami, por do faleshim në kuzhinë përpara një pjate mish dhe një gote me verë, tha Sara duke ushqyer Anën. Sa mirë do ishte, tha Hana, ndërsa djemtë filluan të qeshnin.
Rrebele
Rrebele
Moderator
Moderator

Numri i postimeve : 484
Registration date : 06/01/2009

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Ben Blushi "Te Jetosh Ne Ishull" - Faqe 4 Empty Re: Ben Blushi "Te Jetosh Ne Ishull"

Mesazh nga Rrebele Wed Jan 07, 2009 4:33 am

Si i kanë emrat këta djem, pyeti Mihali. Ky është Jani, tha Ibrahimi. Ky këtu ngjitur me ty është Niko, ai është Muhamedi dhe ai është Aliu. Emra të denjë për një tavolinë ku ka çdo gjë, por ku jo çdo gjë mund të hahet, tha Mihali dhe pyeti: Nga i kanë marrë këta emra? Jani ka emrin e babait tim, tha Ibrahimi. E kam njohur Janin, tha Mihali. Ai u lind në fshat dhe nuk e njohu babanë e tij që u vra në Kretë. Niko ka emrin e vëllait të gjyshit tim, vazhdoi Ibrahimi. Nuk e kam njohur, por thonë se ai ishte një djalë i hedhur që i kishte qejf vajzat dhe prandaj u vra, tha Mihali me një zë të qetë. Unë nuk e kam më emrin Niko, tani quhem Parid, tha Niko që u skuq dhe pa nga Sara. Mihali qeshi fort, ndërsa Metodi picërroi sytë pas xhamave që ishin veshur me avull ushqimesh të ngrohta. Po pse e ke ndërruar emrin Niko, e pyeti Hana. Unë jam Paridi që vrau Akilin, tha Niko. Ai ishte djali më i bukur që caktonte se kush nga perëndeshat ishte më e bukura. Paridi ishte frikacak dhe për një grua e shkatërroi Trojën. Ti je i gatshëm ta shkatërrosh fshatin për një grua, pyeti Mihali. Niko dukej i hutuar, ndërsa Aliu filloi të qeshte. Babai më ka thënë se ne nuk do bëjmë ato që kanë bërë njerëzit që na dhanë emrat, tha Niko. Këtu nuk kanë mbetur më gra për të cilat ia vlen kjo sakrificë, tha Hana duke parë nga Muhamedi që e mbante çallmën të ulur dhe shikonte gishtat e vet. Po ti, Muhamed, kujt ia ke marrë emrin, pyeti Metod Antrakidi. Unë kam emrin e profetit, tha Muhamedi pa e ngritur çallmën. Muhamedi e dinte se çfarë do bënin njerëzit në të ardhmen. Ti çfarë di për ne, e pyeti Mihali. Unë di që Sara do të iki për të gjetur varrin e babait, tha Muhamedi me një zë të ngadaltë që i bëri të gjithë të lënë ushqimin në mes për ta dëgjuar. Dhe ti beson se do ta gjejë, e pyeti Metodi. Një grua që e ka fytyrën të mbushur me rrudha e di dhe ajo do t’ia tregojë Sarës, tha Muhamedi. Të gjithë heshtën, ndërsa Mihali psherëtiu. Në qoftë se kjo është e vërtetë, unë do të të blej një çallmë të re me gurë të çmuar, tha Hana. Nuk dua çallmë, foli Muhamedi duke parë Hanën me sytë e kaltër. M’i jep paratë për të ndërtuar një xhami për babanë. Xhamia do ta lërë gjithë fshatin pa gjumë se myslimanët falen pesë herë në ditë, tha Metodi. Po të jetë pesë herë në ditë unë nuk do shkoj se duhet të ushqej breshkën, tha Aliu dhe ngriti mbi tavolinë dorezën e shpatës që dukej si kryq. Po ti, shpatar i vogël, emrin e kujt ke marrë, iu drejtua Mihali duke parë nga Ibrahimi. Ka emrin e Ali Tepelenës, që më ndihmoi kur u bëra mysliman, tha Ibrahimi dhe e pa Mihalin drejt e në sy. Si të ndihmoi, pyeti Metodi që kishte filluar të hante kuleç me djathë. Ibrahimi u bë gati të përgjigjej, por Mihal Komneni foli i pari. Kur Ibrahimi u bë mysliman, fshati nuk e pranoi dhe pleqësia vendosi ta dëbonte. Do t’ia kishin arritur, po të mos vinte Ali Tepelena që i rrahu burrat e fshatit dhe e prishi rrethimin që ata i kishin bërë Ibrahimit. Ali Tepelena bisedoi me babanë, që në atë kohë ishte kryetar i pleqësisë dhe pothuajse ranë dakord që Ibrahimi të qëndronte në fshat, por me kusht që djemtë e tij të mos merrnin vajza të krishtera për gra. Por të nesërmen Ali Tepelena mashtroi babanë e Hanës, që u bë edhe ai mysliman. Arianit Komneni iku nga fshati dhe pleqësia nuk u mblodh më. Më vonë, Ibrahimi u martua me Sarën. Apo jo Ibrahim, e pyeti Mihali duke përfunduar. Po, tha Ibrahimi, kështu është. Ali Tepelena më ndihmoi në një ditë të vështirë dhe unë i vura emrin djalit për nder të tij. Hakmarrje e zgjuar, tha Metodi duke parë nga Sara, i more Arianit Komnenit atë që nuk donte të a jepte. Po pse nuk donte babai i Sarës që ne të martoheshim në fshat, pyeti Paridi. Arianit Komneni mendonte se myslimanët duhet të martohen me myslimanët dhe të krishterët me të krishterët, tha Ibrahimi. Nuk e kishte keq, foli Mihal Komneni. Pulat martohen me gjelat dhe jo me patat. Po pse gjeli që bëhet mysliman quhet patë, pyeti Aliu.
Të gjithë qeshën dhe Muhamedi tha: Kafshët nuk janë as myslimane, as të krishtera sepse ato nuk flasin. Po memecët çfarë janë, tha Paridi. Memecët janë si një orë që e mat kohën, por i mungon akrepi për ta treguar, tha Metodi. Ndërsa kafshët nuk flasin sepse nuk mendojnë. Perëndia e ka shtëpinë në kokat tona. Në qoftë se ne nuk mendojmë, nuk ka perëndi dhe nuk ka fe. Babai thotë se perëndia është shumë e madhe dhe koka ime nuk e nxë, tha Aliu që dukej i hutuar. Perëndia rri në kokën e çdo njeriu. Po të mos ishin njerëzit, nuk do kishte perëndi, tha Sara që gjithë kohën shikonte Mihal Komnenin që argëtohej me pyetjet e djemve. Njerëzit e kanë krijuar perëndinë apo perëndia ka krijuar njerëzit, pyeti Paridi. Pyetje e vështirë, tha Metod Antrakidi dhe u mbështet në karrige. Kush gjen përgjigjen e pyetjes tënde ka zbuluar kuptimin e botës. Të gjithë njerëzit besojnë se ka perëndi, por askush nuk e di ku është, si është, sa e madhe është, si e ka trupin, a ka trup, a ka flokë, sy, veshë, këmbë dhe duar si ne, ku jeton, me se ushqehet, ku fle dhe a fle. Asnjeri nuk e ka parë perëndinë dhe prandaj shumë njerëz besojnë se perëndia jeton në mendimet e tyre dhe në qoftë se ata nuk mendojnë, nuk ka perëndi. Po në qoftë se unë nuk mendoj, atëherë perëndia vdes, pyeti Aliu. Këtë nuk e bën dot sepse edhe kur nuk mendon, ti mendon se si të mos mendosh, tha Muhamedi. Sara i bëri shenjë Mihal Komnenit, si për t’i thënë se kjo nuk ishte një bisedë që duhej vazhduar, por ai dukej më i përqendruar se djemtë.
Rrebele
Rrebele
Moderator
Moderator

Numri i postimeve : 484
Registration date : 06/01/2009

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Ben Blushi "Te Jetosh Ne Ishull" - Faqe 4 Empty Re: Ben Blushi "Te Jetosh Ne Ishull"

Mesazh nga Rrebele Wed Jan 07, 2009 4:33 am

Përgjigjja e pyetjes së Paridit është shumë e thjeshtë Metod, tha Mihali duke qeshur. Njeriu dhe perëndia janë si pula me vezën. Veza bën pulën dhe pula bën vezën. Në qoftë se ke njërën, i ke të dyja, në qoftë se nuk ke njërën, nuk ke as tjetrën. Njeriu është si pula sepse ai ka sy, gojë dhe ecën, tha Aliu. Jo, tha Paridi. Njeriu është si veza, ndërsa perëndia është si pula, sepse veza bën vetëm një pulë, ndërsa pula bën shumë vezë dhe perëndia ka bërë shumë njerëz.
Perëndia nuk është as pulë, as vezë, tha Muhamedi, fytyra e të cilit ishte bërë rozë. Perëndia është vetë njeriu. Njeriu mund të bëjë çdo gjë, ndërsa perëndia nuk bën dot çdo gjë që bën njeriu. Njeriu lind njeriun. Në qoftë se gjithë njerëzit nuk lindin më njerëz të tjerë, si Hana, atëherë një ditë nuk do ketë më njerëz dhe nuk do ketë më as perëndi. Perëndia nuk jeton dot pa njerëz, ndërsa njerëzit jetojnë pa perëndinë. Sara thotë se grekët e lashtë kishin shumë perëndi. Myslimanët dhe të krishterët thonë se ka vetëm një perëndi, por ka edhe njerëz që thonë se nuk ka fare perëndi dhe ata jetojnë si gjithë ne të tjerët dhe nuk iu ndodh asgjë.
Hana ishte ngurtësuar në karrigen e vet dhe duke iu drejtuar Muhamedit i tha: Xhaxhai yt nuk bënte fëmijë, ndërsa unë mund të bëj po të martohem me një burrë tjetër. Edhe Muhamedi këtë tha. Ti nuk je një pulë pa vezë, por je një pulë pa gjel, tha Mihal Komneni për të qetësuar mbesën. Nuk ka më gjela në këtë fshat, tha Hana dhe u çua e doli në oborr. Fustani i bukur vishnjë i rrinte ngushtë dhe format e drejta të trupit të saj u holluan, pas syzeve miope të Metodit. T’i lëmë të vdekurit në punën e tyre, foli Ibrahimi. Metod Antrakidi e shihte Muhamedin me kureshtje, ndërsa Sara kishte marrë Anën në prehër dhe po i jepte një copë kek.
Sa vjeç janë djemtë, pyeti Mihal Komneni. Ibrahimi rrinte i menduar dhe nuk e dëgjoi. Unë jam shtatëmbëdhjetë vjeç, tha Jani. Niko është pesëmbëdhjetë, Muhamedi dymbëdhjetë dhe Aliu dhjetë vjeç. Nuk jam Niko, jam Paridi, tha Niko, ta thashë një herë. Jani nuk foli, por e pa të vëllanë me inat, ndërsa Ibrahimi u përmend dhe u kthye nga i biri. Ti nuk bëhesh dot Parid, po u solle si Niko. Kur njeriu ndërron emrin, ndërron edhe sjelljen, tha Ibrahimi. Unë do ta ndryshoj sjelljen, siç ndryshove ti baba, kur u bëre Ibrahim. Tani je më i urtë dhe e dëgjon Sarën më shumë se nënën tonë. Ibrahimi pa Mihal Komnenin që buzëqeshte nga fjalët e Paridit dhe tha: Djemtë na futën në lojërat e tyre dhe tani nuk dalim dot. Edhe ne i kemi futur në lojërat tona dhe ata nuk do dalin dot asnjëherë, ia ktheu Mihali. Ç’do të thuash, e pyeti Ibrahimi duke mbledhur vetullat. Dua të them se kur ti u bëre mysliman, solle në fshat një lodër të ngatërruar që i zëvendësoi gjithë lodrat e kalamajve, siç e pe dhe sot, tha Mihal Komneni. Këtë lodër nuk e solla unë. Atë e solli Turqia, siç solli ushtrinë, taksat dhe ligjet. Edhe vëllai yt u bë mysliman dhe për këtë nuk e kam fajin unë, tha Ibrahimi. Gjergji nuk besonte në Islam. Ai do të bëhej edhe indian sikur ta dinte se kjo e torturonte babanë e vet. Ai kishte arsye të tjera dhe unë besoj se ai u bë mysliman vetëm për t’u hakmarrë ndaj babait, tha Mihali po pse duhej të hakmerrej yt vëlla ndaj Arianit Komnenit, pyeti Metodi. Histori e gjatë, tha Mihali që u shtriq në karrige, ndërsa këmisha e qëndisur i lëvizi si gjethe në trup.
Gjergj Komneni dyshonte se gruaja e tij ishte motra e Arianit Komnenit, tha Jani me zë të ulët. Ibrahimi e pa Janin vëngër, ndërsa Sara e lëshoi Anën mbi qilim dhe, duke u zgjatur mbi tavolinë, e pyeti: Kush ta ka thënë ty këtë? Ma ka treguar Thanasi, tha Jani. Atij ia kishte treguar Ali Tepelena, të cilit ia kishte thënë vetë Gjergji, ditën që ata u takuan në shtëpinë tonë. Ali Tepelena është një mashtrues, tha Sara. Po atëherë vajzë e kujt ishte nëna e Hanës, pyeti Jani. Kjo nuk dihet, por tani nuk ka më asnjë rëndësi, tha Mihal Komneni duke dashur ta mbyllte bisedën.
Kjo dihet, tha Hana dhe të gjithë kthyen kokën.

Hana ishte futur në shtëpi dhe askush nuk e kishte parë. Ajo e ndiqte bisedën në këmbë, ndërsa fustani i lagur i ishte ngjitur në trup dhe flokët i pikonin mbi qafën e bardhë dhe të gjatë. Nëna ime ishte vajza e gjyshit të babait tim. Ai e mësoi këtë gjë pasi ata u martuan dhe pasi linda unë. Ditën që vdiq, babai erdhi në shtëpi dhe ma tha duke u dridhur nga ethet e kolerës. Ai u martua me hallën e vet dhe këtë nuk ia fali kurrë Arianitit, i cili e dinte por nuk ia kishte thënë. Është e pamundur, foli Sara dhe pa me ngulm nga Mihal Komneni duke pritur që edhe ai të kundërshtonte. Por Mihali ishte mbështetur fort në karrige dhe nuk fliste. Koka i ishte varur mbi qëndisma dhe flokët e bardhë e kishin humbur krehjen. Është e vërtetë, tha Hana dhe u ul në vendin e saj, përballë Muhamedit. Ngriti kokën lart dhe i drejtoi sytë nga Sara. Në këtë fshat vetëm tre veta i kanë pasur sytë jeshilë. Babai i Arianit Komnenit, nëna ime dhe unë. Nëna nuk mund të ishte vajza e xhaxhait të Mihalit sepse ai ishte shterpë. Por ajo nuk ishte as vajza e vëllait të gjyshit të Ibrahimit sepse përndryshe im atë, që e dinte të vërtetën, nuk do më kishte lënë të martohesha me Vasilin që ishte nip i tij. Unë jam një Komnene edhe nga babai, edhe nga nëna dhe për këtë më vjen mirë.
Sara nuk fliste dhe e mbante kokën mbi pjatë ku sytë jeshilë të Hana Komnenës mbinin si një gjethe maruleje. Ibrahimi kishte afruar Anën pas vetes dhe mendonte se si fatet e dy familjeve ishin pleksur për të mos u ndarë më. Lindja e Anës ishte një fryt i përbashkët i dy pemëve, që prej shekujsh rrinin pranë e pranë, derisa një ditë kishin vendosur të përqafoheshin, për t’u ngrohur nga acari.
Ti je një grua e bukur që nuk duhet të plakesh duke kthyer kokën prapa, tha në mes të heshtjes Mihal Komneni duke e parë me qetësi mbesën e vet. Gratë nuk i plak e shkuara, por mungesa e burrit, tha Hana dhe u përlot. Ti je e re dhe e bukur, tha Sara për ta ngushëlluar dhe e largoi marulen nga pjata e vet. Po të kisha një fëmijë, jeta ime do ishte ndryshe, tha Hana, por me sa duket pulat jeshile të racës sonë nuk bëjnë vezë me gjelat e shtëpisë së Ibrahimit. E provoi nëna ime, e provova dhe unë, por më kot. Ku i dihet, tha Metod Antrakidi dhe Mihal Komneni filloi të qeshte fort dhe u çua nga karrigia e shkoi të përqafonte Hanën. U gabova kur thashë se ti je një grua pa humor, por një Komnene nuk mund të jetë kurrë e mërzitshme, tha ai dhe iu drejtua Ibrahimit: Gëzuar Ibrahim! Mëkatet e tua u lanë ditën që linde një Komnene, e cila sot u bë dy vjeç. Gëzuar, tha Ibrahimi duke ngritur gotën e verës mbi kokën e Anës. Mëkatet tona janë si gurë kalldrëmi, po i shkele të tregojnë rrugën. Gëzuar, tha dhe Sara që shkoi të përqafonte Hana Komnenën, e cila e mbante dorën e Mihalit si një gjerdan mbi qafë. Metod Antrakidi hoqi syzet, i la mbi tavolinë dhe i foli Ibrahimit. Urim i mençur, por jo gjithmonë i vërtetë. Rrugët e Voskopojës ishin të gjitha të shtruara dhe aty ku mbaronte kalldrëmi fillonte balta. Por një ditë balta u fut në qytet dhe e mbuloi kalldrëmin. Ne ikëm dhe balta mbeti e mbushur me gjurmët e mëkatit. Po t’i ndjekësh ato gjurmë, vetëm rrugën e barbarisë mund të gjesh.
Çfarë është Voskopoja, pyeti Paridi. Metodit i doli frymë nga gjoksi dhe zhurma e firomës së tij i ngjau një guri që shkëputet nga balta. Ngriti kokën nga Mihal Komneni dhe e pa në sy sikur po i merrte leje. Tregoja, ia bëri Mihali me kokë.
Rrebele
Rrebele
Moderator
Moderator

Numri i postimeve : 484
Registration date : 06/01/2009

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Ben Blushi "Te Jetosh Ne Ishull" - Faqe 4 Empty Re: Ben Blushi "Te Jetosh Ne Ishull"

Mesazh nga Rrebele Wed Jan 07, 2009 4:33 am

23

Voskopoja ishte një qytet i bukur jo shumë larg fshatit tuaj. Voskopoja ishte një botë e vogël e mbledhur në një dorë malesh. Aty kishte çdo gjë. Kishte ditë, kishte natë, kishte diell, kishte hënë, kishte qetësi, kishte fllad, kishte lule, kishte livadhe, kishte ketra, kishte lepuj, kishte zjarr, kishte vjeshtë, kishte pranverë, kishte pyll, kishte yll, kishte eklips, kishte zogj, kishte dashuri, kishte paqe, kishte nder, kishte falje, kishte ëmbëlsi, kishte jetë, kishte muzikë, kishte violinë, kishte martesa, kishte vdekje, kishte lindje, kishte djem, kishte vajza, kishte mësues, kishte nxënës, kishte shkolla, kishte dyqane, kishte drita, kishte rrugë, kishte hane, kishte kuaj, kishte shtëpi, kishte kisha, kishte priftërinj, kishte kambana, kishte mesha, kishte manastir, kishte libra, kishte germa, kishte shtypshkronja, kishte bibliotekë, kishte ikona, kishte piktura, kishte pemë, kishte dëborë, kishte lugina, kishte kroje, kishte ujë, kishte çezma, kishte pragje, kishte oborre, kishte lulishte, kishte shatërvanë, kishte mullinj, kishte qelq, kishte basma, kishte sëndukë, kishte flori, kishte para, kishte fëmijë, kishte lodra, kishte monumente, kishte mermer, kishte arkitektë, kishte ura, kishte kanale, kishte azil, kishte spital, kishte jetimore, kishte tregtarë, kishte punishte, kishte magazina, kishte pëlhura, kishte mëndafshe, kishte kafe, kishte sheqer, kishte kallaj, kishte xham, kishte kadife, kishte hekur, kishte bakër, kishte plumb, kishte pambuk, kishte atllas, kishte pasqyra, kishte gota, kishte porcelan, kishte lëkurë, kishte ilaçe, kishte tekstile, kishte armë, kishte pisqolla, kishte vaj, kishte miell, kishte lesh, kishte velenxa, kishte duhan, kishte turistë, kishte marangozë, kishte druvarë, kishte fajdexhinj, kishte shkrimtarë, kishte këngëtarë, kishte bujq, kishte kovaçë, kishte samarxhinj, kishte kallajxhinj, kishte jorganxhinj, kishte bravapunues, kishte thikëpunues, kishte oxhakpunues, kishte berber, kishte xherahe, kishte barinj, kishte rrobaqepës, kishte kazanxhinj, kishte bojaxhinj, kishte qemerxhinj, kishte muratorë, kishte gurskalitës, kishte opingar, kishte armëtarë, kishte liri, kishte veri, kishte perëndim, kishte rregull, kishte ligje, kishte shqiptarë, kishte grekë, kishte jevgj, kishte të krishterë dhe prandaj kishte dhe alfabet.
Na lodhe, i tha Sara, më mirë na thuaj se çfarë nuk kishte. Metod Antrakidi mori frymë dhe pa nga Ibrahimi sikur t’i kërkonte falje. Nuk kishte myslimanë, tha. Nuk gënjen, ndërhyri Mihal Komneni që rrinte në këmbë duke numëruar sendet e Metodit, por ka harruar të thotë se në Voskopojë kishte edhe Komnenë.
Po syzet e tua kush i bëri, kazanxhiu apo muratori, pyeti Aliu dhe Ibrahimi qeshi. Syzet i kam blerë në Venedik dhe kur i vura për herë të parë nxënësit në Voskopojë më quajtën Mektodysyz Prapakidi. Kurse unë do të të quaja Me-kto-syz-ëndrra-kishi, tha Hana.
Ti nuk ndryshon shumë nga gratë e Voskopojës që u dashuruan me syzet e Metodit, foli Mihali. Aq sukses patën syzet e tij në qytet, saqë gratë filluan t’u kërkonin burrave apo të dashurve të tyre tregtarë të vinin syze sepse kështu dukeshin më të rinj dhe më të zgjuar. Burrat që filluan të mbanin syze quheshin nga të dashurat me përkëdheli mektosyçka. Njëherë i shkova një zonje të re në shtëpi kur burri tregtar kishte ikur në Rumani. Për t’ia bërë qejfin i mora syzet Metodit. Ajo u kënaq sepse e quajti këtë një shenjë respekti dhe atë natë e ndau vetminë me mua. Ndërsa njëherë tjetër që Metodit i duheshin syzet, unë shkova pa to dhe ajo më zboi dhe më tha: Ik Paktosyçka. Por dikush që më kishte parë i tha burrit të saj se një burrë me syze ia vizitonte gruan kur ai nuk ishte. burri i zuri pritë Metodit në shkollë dhe e rrahu në sy të nxënësve. Faqet iu ënjtën dhe syzet iu thyen derisa i porositëm një palë të tjera pas dy muajsh. Por, kur erdhën syzet, faqet e Metodit ishin akoma të nxira.
Djemtë qeshën dhe Hana e zuri Mihal Komnenin lehtë nga flokët sikur po e dënonte. Mihali gjithmonë i ka gjetur gratë me sytë e të tjerëve, tha Metodi. Po, tha Ibrahimi, kur ishte i ri Mihali shikonte Zoicën me sytë e Mihalit. Hana dhe Sara panë nga Ibrahimi për të kuptuar se ç’donte të thoshte, por Mihal Komneni i ra Metodit lehtë në sup dhe i tha: Çfarë the se nuk kishte në Voskopojë?
Harrova të them se në Voskopojë kishte shumë myshk. Në pranverë kur shkrinte dëbora livadhet përreth qytetit mbusheshin me një myshk bojë vjollcë që kur dielli e zinte në perëndim dukej blu. Gratë e mblidhnin myshkun dhe bënin parfume për vete dhe ilaçe për fëmijët. Në këtë stinë Voskopoja mbante era myshk dhe gratë mbarseshin duke e mbledhur. Gjinjtë, flokët, sqetullat dhe gjithë trupi ua thithte këtë aromë, që i dehte burrat e tyre. Shumica e fëmijëve të Voskopojës janë zënë në pranverë kur myshku ngrinte petalet e veta të vogla mbi tokë dhe kanë lindur në dimër kur, nën dëborë, myshku ushqehej me lagështi për të nxjerrë prapë kokën në pranverë. Myshku ia lidh barrën grave të dobëta dhe ia qetëson qarkullimin e gjakut burrave të lodhur. Nga myshku i është vënë emri Voskopojës që në kohët e lashta latinët e quajtën Muskopolis, ose Qyteti i Myshkut. Disa të mençur thonë se myshku, përveç aftësive shëronjëse, i dikto trurit të njeriut një dashuri më të madhe për natyrën, për artet, për të bukurën dhe për veten. Kjo mund të jetë e vërtetë sepse voskopojarët kanë qenë artistë të lindur dhe narcizistë të marrë dhe kjo dashuri për veten e ka zbukuruar qytetin. Por, vitet e fundit, tregtarët e mëdhenj, që financonin shkollat dhe librat, nuk pranonin që fëmijëve dhe të huajve t’u mësohej se Voskopoja ishte qyteti i arteve. Ata kërkonin që Voskopoja të mbahej mend si një qytet i ngritur nga tregtarët dhe kështu vendosi edhe këshilli i të katërmbëdhjetëve, i cili jepte leje për botimet tona. Këshilli përbëhej nga përfaqësues të tregtarëve dhe kur këta u ankuan për një botim të Akademisë që quhej Voskopoja-Qyteti i artit kishtar, libri u ndalua të shitej dhe nuk u fut në bibliotekë. Këshilli vendosi që libri të rishkruhej dhe ai doli pas një viti me titullin Voskopoja, Tregtia, Arti dhe Kishat. Ambroz Gusta, që shkroi këtë histori të shkurtër të Voskopojës, gjeti një të mesme midis tregtarëve dhe priftërinjve dhe kështu libri u shtyp.
Rrebele
Rrebele
Moderator
Moderator

Numri i postimeve : 484
Registration date : 06/01/2009

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Ben Blushi "Te Jetosh Ne Ishull" - Faqe 4 Empty Re: Ben Blushi "Te Jetosh Ne Ishull"

Mesazh nga Rrebele Wed Jan 07, 2009 4:34 am

Por është e vërtetë se tregtarët kanë dhënë shumë për qytetin. Në qoftë se Voskopoja ishte si një trup i gjallë, tregtarët dhe zanatçinjtë ishin duart dhe këmbët, artistët ishin sytë dhe veshët, ndërsa priftërinjtë ishin truri. Pjesa tjetër ishin gojë që hanin dhe flisnin për tre të parët.
Voskopoja është në mes të udhës që shkon nga Adriatiku në Selanik dhe në Stamboll. Duke qenë midis maleve, ajo i ngjan një magazine natyrore ku karvanët pushonin, mallrat shkëmbeheshin dhe kuajt ndërroheshin. Tregtarët vendosën rregulla të forta për sigurinë e magazinave të tyre, të cilat ruheshin me burra të armatosur që paguheshin shtrenjtë. Mallrat që shkarkoheshin në portet e Adriatikut, tregtarët e Voskopojës i merrnin dhe i shpërndanin në të gjithë Perandorinë Turke dhe prej andej sillnin mallra që i duheshin hungarezëve, austriakëve dhe venedikasve. Tregtarët rrinin gjithë kohën nëpër rrugë dhe nëpër porte e dogana, ndërsa me paratë e tyre zanatçinjtë ndërtuan shtëpi të mëdha, rrugë, ujësjellës, shkolla, kisha dhe lulishte. Gjatë dimrit, kur rrugët bllokoheshin nga dëbora, tregtarët rrinin në qytet me gratë e tyre dhe me fëmijët, duke iu rrëfyer për qytetet që kishin parë dhe për madhështinë e tyre. Fëmijët donin të mësonin më shumë se baballarët dhe këta mblodhën para dhe ngritën shkollat, ku në fillim priftërinjtë u bënë mësues. Por kur fëmijët mbaruan shkollat ata nuk deshën të bëhen të gjithë priftërinj dhe disa u bënë tregtarë si etërit, disa ikën për të vazhduar studimet në shkolla të mëdha në Itali dhe Austri dhe disa mbetën duke u bërë mësues të fëmijëve të tjerë. 
Voskopoja u rrit dhe qyteti u nda në trembëdhjetë lagje. Zanatçinjtë u grumbulluan në lagje sipas zanateve të tyre dhe kështu u formua lagjja e bakërxhinjve, arpunuesve, armëtarëve, këpucarëve, bojaxhinjve, ndërtuesve, kazanxhinjve, jorganxhinjve, sapunxhinjve, rrobaqepësve, samarxhinjve, lëkurxhinjve dhe artistëve. Secila nga trembëdhjetë lagjet zgjidhte një herë në vit një përfaqësues në këshillin e të trembëdhjetëve që drejtonte qytetin dhe vendoste për rregullin, për oraret e punës, për ndërtimet e reja, si dhe jepte leje për të ardhurit në Voskopojë. Qyteti u pasurua dhe mjaft fshatarë nga viset përreth, por edhe grekë që vinin për të gjetur punë atje. Në qoftë se këshilli i të trembëdhjetëve nuk e pranonte, të huajit nuk i jepej tokë për të ndërtuar shtëpi dhe lagjet nuk kishin të drejtë ta strehonin. Këshilli zgjidhte një kryetar, i cili drejtonte punimet e tij dhe vuloste vendimet që merrte këshilli.
Në vitin 1712 kryetar i Këshillit të të trembëdhjetëve ishte Johan Vulgari, babai i Eugjen Vulgarit të ndritur që përktheu Volterin dhe që u bë mësues në të gjitha shkollat e mëdha greke nga Kostandinopoja në More. Johan Vulgari vinte nga lagjja e sapunxhinjve. Ai kishte qëndruar dhjetë vjet kryetar i këshillit të të trembëdhjetëve dhe mendonte se ishte i pazëvendësueshëm. Ishte bërë fodull dhe i pasjellshëm. Nuk pyeste shumë për këshillin dhe kishte filluar t’i merrte vendimet në kokë të tij. Në vitin 1706 disa tregtarëve të lëkurëve u ishin mbytur dy anije të mëdha me mall në Durrës. Ata i kishin kërkuar ndihmë Johan Vulgarit që të shkonte bashkë me ta në Durrës për t’u kërkuar autoriteteve të portit që t’u paguanin atyre paratë për dëmin. Por Johan Vulgari nuk shkoi në Durrës dhe tregtarët i humbën paratë e tyre. Në qytet u hap fjala se një natë, duke pirë me shokët e tij Johan Vulgari kishte thënë: Më mirë që u mbyt lëkura në det se era e saj na qelbte qytetin. Që atëherë tregtarët e lëkurës ishin në hasmëri me Johanin dhe votonin gjithnjë kundër tij.
Në 1712 do të bëheshin zgjedhjet për këshillin dhe për kryetarin e ri. Tregtarët e lëkurës u lidhën me përfaqësues të tjerë në këshill dhe arritën të bënin aleatë edhe gjashtë prej tyre. Johan Vulgari e mori vesh se kundërshtarët e tij kishin mbledhur shtatë vota në këshill dhe ai nuk mund të zgjidhej më kryetar i të trembëdhjetëve vetëm me gjashtë votat që kishte. Atëherë, pa pyetur këshillin, Johani vendosi që në Voskopojë të ngrihej një lagje e re me të huaj, e cila do të ishte lagjja e katërmbëdhjetë. Ai firmosi menjëherë kërkesat e shumë fshatarëve që prisnin prej vitesh të bëheshin qytetarë të Voskopojës dhe i dha atyre të drejtën e votës dhe të përfaqësimit në Këshill. Shumica e tyre ishin myslimanë të ardhur nga fshatrat e Kolonjës, Devollit dhe Beratit, të cilët deri atëherë nuk ishin pranuar në qytet. Kundërshtarët në këshill bënë zhurmë dhe u ankuan se Johan Vulgari po ngrinte një lagje me të huaj dhe me myslimanë në Voskopojë dhe çështja i shkoi kadiut të Korçës. Kadiu i dha të drejtë Johan Vulgarit duke thënë se Voskopoja ishte një qytet në Perandorinë Turke dhe myslimanët nuk mund të përjashtoheshin nga asnjë vend dhe se çdo vendim, që nuk i lejonte ata të jetonin ku të donin nuk do të ishte i vlefshëm. Kështu, këshilli i të trembëdhjetëve u bë me katërmbëdhjetë vetë dhe kur u votua, Johan Vulgari mori shtatë vota pro dhe shtatë kundër dhe vazhdoi të qëndronte kryetar, por kishte humbur mbështetjen e shumicës së qytetit dhe sidomos të priftërinjve, të cilët u acaruan nga ardhja e myslimanëve. Për t’i zbutur, Johan Vulgari, që ishte një i krishterë dinak i dha atyre para, nga arka e këshillit, për mbaruar katedralen e madhe të Shën Mërisë në qendër të Voskopojës, e cila kishte filluar prej 1696 dhe ende nuk kishte përfunduar. Muret dhe dhomat e katedrales ishin ngritur, por ajo kishte mbetur bosh nga brenda, si një haur i madh. Njerëzit që i zinte nata në Voskopojë e përdornin ndërtesën për të fjetur dhe për të çlodhur kuajt. Johan Vulgari thirri piktorët më të mirë nga Korça dhe Berati dhe këta pikturuan afreske dhe ikona të shkëlqyera dhe të ndritshme me luspa, të cilët e habitën gjithë qytetin. Njëri prej tyre ishte David Selenica. Kur ai pikturonte, hipur mbi skelat e larta, fëmijë, pleq dhe gra mblidheshin duke e kundruar dhe harronin se bojërat e tij u pikonin mbi rroba. Një mëngjes, dy gra që erdhën nga fushat, pasi kishin mbledhur myshk, u ndalën duke parë piktorin që ishte përlyer i gjithi me bojëra dhe dukej si një ylber. Ju pëlqen, i pyeti Davidi që e kishte zakon të fliste me njerëzit kur punonte. E bukur, por e ftohtë, tha njëra nga gratë. Një kishë pa lule është si një shtëpi pa grua. David Selenica e la punën për tri ditë dhe u mendua gjatë për fjalët e gruas. Kur u kthye mbi skelë, sytë i kishin marrë ngjyrë livadhi dhe në thilenë e këmishës kishte vënë një gjethe myshku. Atë ditë, për herë të parë, David Selenica pikturoi në muret e një kishe rrush, grurë, bukë, hardhi, lule me shumë ngjyra dhe myshk bojëvjollce. Murgjit e ngurtë të Voskopojës shkuan te Davidi dhe e pyetën se pse kishte dalë nga korniza e rreptë e pikturës kishtare dhe ai duke qeshur i tha: Engjëjt dhe shenjtorët kanë jetuar në natyrë. Ata janë ushqyer me rrush dhe janë shëruar me myshk prandaj jetojnë akoma.
Rrebele
Rrebele
Moderator
Moderator

Numri i postimeve : 484
Registration date : 06/01/2009

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Ben Blushi "Te Jetosh Ne Ishull" - Faqe 4 Empty Re: Ben Blushi "Te Jetosh Ne Ishull"

Mesazh nga Rrebele Wed Jan 07, 2009 4:34 am

Katedralja e Shën mërisë përfundoi atë vit, pas trembëdhjetë vite pritje dhe Johan Vulgari i tha këshillit se po të mos ishte zgjedhur kryetar ajo nuk do të mbaronte kurrë. Për të përjetësuar vitin e zgjedhjes së tij Johani i kërkoi gurgdhendësve që në portën e madhe të hyrjes të shënonin vitin 1712 si vit i ndërtimit të katedrales. Për t’i bërë qejfin edhe priftërinjve, por edhe myslimanëve që e ndihmuan të zgjidhej, Johan Vulgari vendosi që data e ndërtimit të gdhendej edhe sipas kalendarit grek edhe sipas atij arab, dhe kështu u bë.
Katedralja u përurua të dielën më datë 2 tetor 1712 dhe më shumë se një mijë veta morën pjesë në meshën e madhe. Kur njerëzit dilnin të mahnitur nga bukuria e katedrales, djem dhe vajza të vogla, të porositur nga Johan Vulgari, i gostitnin besimtarët me rrush dhe kumbulla, të cilat i mbanin në shporta prej kashte.
Por, siç thashë, që nga viti 1712, Voskopoja u bë me katërmbëdhjetë lagje, por tani ishin të huaj ata që vendosnin për punët e këshillit. Johan Vulgari u lëshoi të huajve toka të reja për shtëpi dhe iu dha të drejtë fëmijëve të tyre të studionin në shkollat e Voskopojës. Në lagjen e tyre të re u ndërtua edhe jetimorja e Voskopojës ku strehoheshin fëmijët jetimë të ushtarëve të vrarë apo fëmijë të gjetur që filluan të vinin edhe nga Korça dhe fshatrat përreth. Disa nga këta fëmijë, kur u rritën, krijuan më pas banda të armatosura që kërcënonin tregtarët dhe në qoftë se këta nuk u jepnin para ata u merrnin mallin, por edhe i vrisnin. Disa vjet më vonë kur lagjja e të huajve u zmadhua, përfaqësuesi i tyre në këshill kërkoi që të ndërtohej një xhami. Johan Vulgari, duke qenë peng i tyre hezitoi, por këtu humbi mbështetjen e përfaqësuesve të tjerë, të cilët u bashkuan dhe e shkarkuan Johanin si kryetar. Këshilli u bë një dhe vendimi për ngritjen e xhamisë nuk u mor kurrë. Për të zbutur myslimanët që ishin shtuar në numër, tregtarët vendosën t’i jepnin atyre para për të rregulluar lagjen me rrugë, me kalldrëme, me çezma dhe mjaft prej tyre i morën në punë për të shoqëruar karvanët.
Në 1730 shkollat e Voskopojës kishin nxjerrë mjaft të rinj të etur për të mësuar dhe disa prej tyre ishin kthyer nga shkollat që kishin bërë në perëndim. Ata kishin studiuar artin dhe filozofinë e italianëve, francezëve dhe gjermanëve dhe kishin mësuar të bënin libra. Por librat e tyre nuk mund t’i shtypnin në Evropë sepse kjo kushtonte, prandaj ata i kërkuan këshillit para për ngritjen e një shtypshkronje, e cila u ble në Venedik dhe shtypi për shumë vjet me dhjetëra libra dhe përkthime dhiatash nga autorët voskopojarë. Ditën që shtypshkronja erdhi me karvanë në Voskopojë, fëmijë, pleq, burra dhe gra, të krishterë e myslimanë, u grumbulluan në sheshin e qytetit duke parë sesi shkarkoheshin nga samarët e kuajve pjesët dhe rrotat e zeza prej hekuri. Ato u morën një nga një dhe u vendosën në një bodrum në themelet e Katedrales së Shën Mërisë. Dy italianë erdhën nga Venediku dhe i bënë pjesët bashkë. Ata sollën bojë dhe letër dhe ditën që nga makina doli faqja e parë në Voskopojë u bë festë.
Kryetari i Këshillit doli përpara njerëzve dhe tha: Voskopojarë, tregtarë, priftërinj dhe zanatçinj, shkrimtarë, nxënës dhe mësues, burra dhe gra. Të gjithë ju tani mund të flini të qetë. Edhe sikur qyteti ynë të digjet dhe të harrohet, kjo shtypshkronjë do t’u tregojë brezave lavdinë tonë. Njerëzit gëzonin dhe fëmijët fusnin kokën nëpër të çarat e bodrumit të kishës për të parë shtypshkronjën që bënte zhurmë, si një kafshë e uritur që përtyp letër. Pasi italianët u larguan, punët në shtypshkronjë i drejtoi Grigor Jeromonaku, një murg i ri i cili flinte në katedrale natë ditë dhe vajrat që i derdheshin në kokë dhe copat e letrës prej pambuku që i mbushnin flokët, bënë që fëmijët ta kishin frikë, sepse dukej gjithnjë si një fantazmë. Grigori i rregullonte fletët prej pambuku dhe i priste, e pastaj murgjit e tjerë i lidhnin me kujdes duke shpuar faqet një nga një me disa thika dhe gërshërë që i kishin sjellë italianët. Grigori i vizatonte kapakët e librave dhe i mbushte me figura shenjtorësh dhe fëmijësh të rrethuar me fletë si dhe kafshë biblike, por shpesh edhe pagane. Kur u shtyp libri i parë që ishte një alokuthi për Teodorën, ose një libër shërbesash, Grigori e zbukuroi kapakun me një vizatim të kalit Pegasus që fluturonte mbi Voskopojë. Kur e pyetën se pse zgjodhi Pegasin, ai tha se dituria është një gjë që vjen dhe ikën njëlloj si ai kalë i bardhë që askush nuk e mban dot, nëse nuk ia pret krahët.
Kur në vitin 1750 u formua Akademia në Voskopojë erdhën shumë të rinj nga qytete të tjera për të studiuar. Ato ishin ditët më të ëmbla të qytetit. Studentë të rinj, të veshur me këmisha të bardha dhe flokë të gjata, ecnin rrugëve të qytetit me libra në duar duke folur për filozofët dhe për letërsinë. Vajzat e Voskopojës dilnin në dyert e shtëpive dhe shikonin djemtë. Këta u flisnin dhe u kërkonin takime. Shumë të rinj u afruan dhe në mbrëmje Voskopoja i ngjante një biblioteke të madhe, ku njerëzit mësonin të lexonin libra për të shkruar pusulla dashurie. Baballarët tregtarë ktheheshin nga udhëtimet e tyre dhe i gjenin vajzat ose djemtë të fejuar. Tavernat ishin të mbushura me ceremoni fejesash dhe dasmash, kremtimi i të cilave nuk bëhej më vetëm nëpër shtëpi. Krushqitë mbylleshin nëpër këto taverna që në darkë jehonin nga këngët, urimet dhe shkëmbimet e pajave. Studentët kishin vendet e tyre ku plekseshin me njëri-tjetrin në netët e gjata të dimrit dhe pinin duhan që e përzienin me pak myshk të thatë që ta merrte mendjen de që plakat e qytetit zakonisht e përdornin për të nxjerrë një çaj që i qetëson stomakët e lodhur. Në këto taverna, në mbrëmje, mblidheshin këngëtarë, piktorë dhe poetë, të cilët pasi pinin, recitonin poezitë e tyre me vargje të lehta dhe ritmike duke hipur majë karrigeve. Kur poezia pëlqehej, studentët i përplasnin gotat e drunjta mbi tavolinë. Këto taverna ishin nëpër rrugicat e ngushta të qytetit dhe shpesh njerëzit ankoheshin nga zhurma e studentëve dhe poetëve të dehur. Njëherë, në një tavernë në lagjen e kazanxhinjve, njëri prej poetëve po festonte ditëlindjen me shokët e tij. Poeti kishte marrë disa muzikantë që i ranë violinave dhe buzukëve deri në mëngjes. Aq zhurmë dhe potere u bë atë natë, saqë kazanxhinjtë dolën nga shtëpitë dhe i kërkuan djemve ta ndalnin festën, por këta u tallën dhe vazhduan të këndojnë. Atëherë kazanxhinjtë morën kazanët e tyre, shkuan te dera e tavernës dhe filluan t’i binin kazanëve me shufra hekuri. Djemtë u shurdhuan dhe ikën me vrap, ndërsa kazanxhinjtë i ndiqnin nga pas duke i sharë dhe duke i rënë kazanëve si daulle. Që atëherë doli fjala se kazanxhinjtë e Voskopojës rrahin kazanët e tyre.
Rrebele
Rrebele
Moderator
Moderator

Numri i postimeve : 484
Registration date : 06/01/2009

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Ben Blushi "Te Jetosh Ne Ishull" - Faqe 4 Empty Re: Ben Blushi "Te Jetosh Ne Ishull"

Mesazh nga Rrebele Wed Jan 07, 2009 4:35 am

Por jo gjithmonë Voskopoja ishte kaq e virtytshme dhe idilike. Pasuria u shtua, por bashkë me të u rrit edhe zilia. Turqia kishte marrë nën kontroll shumicën e porteve të Adriatikut dhe mjaft tregtarëve iu mbyllën rrugët për në Venedik. Vetë Venediku ishte dobësuar pas luftërave të gjata me turqit dhe porte të tjera si Gjenova, Napoli apo Trieste kishin marrë fuqi në det duke përfituar nga armiqësia e venedikasve me Portën e Lartë. Konkurrenca e fortë që tregtarët kishin me njëri-tjetrin kishte nxitur hasmërinë mes tyre dhe shumë prej tregtarëve mbetën pa punë. Fshatarët, jetimë, myslimanë, çobanë, karvanarë të liruar dhe njerëz të papunë e dembelë kishte plot nëpër qytet. Disa prej tyre kishin krijuar banda të rrezikshme dhe të mëdha siç ishte banda e çobanëve, banda e myslimanëve dhe banda e sevdallinjve që rrëmbente vajza të varfra dhe shiste me para tek udhëtarët e uritur. Zakonisht, bandat krijoheshin mbi bazën e lagjeve dhe në mes të viteve gjashtëdhjetë pothuajse çdo lagje kishte bandën e vet që e mbronte nga bandat e lagjes tjetër. Këta burra të ashpër i zinin pusi njëri-tjetrit natën dhe në Voskopojë njerëzit filluan të kenë frikë dhe të mbyllen në shtëpi pa u ngrysur. Tregtarët detyroheshin t’i paguanin bandat që të mos u grabisnin depot dhe natën, nëpër taverna, banditët pinin dhe ndanin paratë. Zënkat që kishin mes tyre tregtarët e dobësuan këshillin e të katërmbëdhjetëve, i cili e mbyllte njërin sy përballë fuqisë së bandave sepse pa ndihmën e tyre ishte bërë e vështirë të fitoje vota për t’u zgjedhur sërish.
Një djalë i fortë dhe qejfi që ishte kryetar i bandës së çobanëve dhe kishte shumë armë sepse ishte formuar në lagjen e armëtarëve, mendoi se kishte ardhur dita që ai të zgjidhej anëtar i këshillit të të katërmbëdhjetëve.
Kur u bënë zgjedhjet në vitin 1764, ai doli nëpër lagje dhe u tha njerëzve se nëse zgjidhej në këshill ai do t’i hiqte taksat për të varfrit dhe do t’i detyronte tregtarët të paguanin më shumë para për të ndërtuar azile për pleqtë dhe spitale të reja për të sëmurët. Marin Kurila ishte i gjatë, i bukur dhe një orator i shkëlqyer. Ai kishte mësuar të lexonte dhe historitë e tij të dashurisë e kishin bërë të famshëm. Kur vendosi të zgjidhej në këshill, Marin Kurila i shkurtoi flokët e zinj, mbathi një palë pantallona shajaku me rrip të trashë, qëndisi dy pisqolla të arta që kryqëzoheshin në këmishën e tij, vari një kryq të bardhë në kyçin e dorës së majtë, lidhi një shall të kuq në qafë dhe shkoi derë më derë të takonte njerëzit. Burrat e kishin frikë, por gratë hutoheshin nga bukuria e tij. Kur ai dilte nëpër lagje në pranverë, njerëzia dilnin nëpër sokakë. Përpara tij ecte një djalë i vogël që e kishin mësuar të bërtiste: Marin Kurila, mbrojtësi i Voskopojës. Marini ndalonte dhe bisedonte me burrat dhe i hidhte vështrime të ëmbla grave dhe vajzave. Ai u premtoi të gjithëve atë që i kërkuan. I përqafonte pleqtë dhe i ledhatonte fëmijët e vegjël që filluan t’i kërkojnë prindërve që t’i vishnin si ai. Shumë shpejt djemtë dhe burrat e lagjes së armëtarëve lidhën shalle të kuq në qafë dhe filluan t’i qëndisnin këmishët me armë të vogla prej mëndafshi. Vajzat e reja shkonin në kishë dhe luteshin për Marin Kurilën. Në atë kohë, përfaqësues i lagjes së armëtarëve në këshillin e të katërmbëdhjetëve ishte një tregtar i madh armësh, i cili kishte shumë miq sepse gjithmonë i kishte mbrojtur interesat e tyre dhe në saje të tij lagjja kishte përfituar shumë para për ndërtime nga arka e këshillit. Ai kishte një vajzë të bukur, së cilës thonë se Marin Kurila ia mori mendjen duke i premtuar se do martohej me të. Marini i hipte kalit, dilte jashtë Voskopojës, shkonte në livadh dhe i sillte vajzës tufa me lule të freskëta. Në mbrëmje, kur mbaronte takimet nëpër lagje, Marini e lidhte shallin e kuq te doreza prej hekuri e shtëpisë së vajzës dhe ajo dilte dhe e merrte shallin e tij, që e mbante gjithë natën poshtë jastëkut, për t’ia lënë në të njëjtin vend të nesërmen në mëngjes. Marin Kurila që kalonte netët nëpër taverna me shokët e tij, një herë shkoi në tavernën e poetëve dhe e detyroi njërin prej tyre t’i bënte një poezi për të dashurën. Nuk e kam parë kurrë atë vajzë dhe nuk e bëj dot, i tha poeti. Po ta kishe parë nuk do ishe kaq budalla, ia ktheu Marin Kurila dhe të gjithë qeshën. Po çfarë të shkruaj, e pyeti poeti i frikësuar. Marin Kurila u mendua, hipi mbi një karrige siç bënin poetët kur recitonin dhe tha: Shkruaj që shalli im do bëhet kurorë mbi kokën e nuses, kurse sytë e saj do bëhen vetulla e pisqollës time. Poeti shkroi një vjershë me tri strofa të gjata dhe i tha Marinit t’i gjente një titull. Titulli është: Marin Kurila i drejtohet së shtrenjtës vashë, tha ai dhe e firmosi në fund. Njerëzit e Kurilës ia çuan vajzës poezinë dhe ajo nuk fjeti gjithë natën duke ëndërruar.
Me ndihmën e kësaj vajze, Marin Kurila u takua një natë me babanë e saj dhe të nesërmen ky shpalli se nuk donte të zgjidhej më në këshill dhe se do të mbështeste Marinin. I ati i vajzës thirri gjithë armëtarët e tjerë dhe i bindi të bënin të njëjtën gjë. Marin Kurila u kërkoi atyre para dhe i premtoi se pasi të zgjidhej ai do të detyronte këshillin, që, duke kushtëzuar tregtinë me qytete të tjera si Korça, Janina, Berati dhe Elbasani, të nënshkruhej një pakt, sipas të cilit tregtinë e armëve në gjithë këto qytete kishin të drejtë ta kryenin vetëm tregtarët e Voskopojës. Do bashkoj gjithë bandat e Voskopojës dhe do kemi një ushtri më të pasur dhe më të fortë nga gjithë qytetet e tjera. Në qoftë se ata nuk na e japin paqen për armët tona, ne do t’ua marrim paqen me armët tona, thoshte Kurila duke i hipnotizuar tregtarët siç kishte bërë me vajzat e tyre.
Fama e Marin Kurilës së bukur dhe të fortë u përhap me shpejtësi në gjithë qytetin. Djemtë e lagjes së armëtarëve shkonin në shkollë me shallet e kuq të Kurilës në qafë dhe i mburreshin shokëve nga lagjet e tjera për forcën dhe trimërinë e tij. Burrat flisnin për Marinin dhe gratë kishin kureshtje për ta parë si vishej dhe si fliste. Marini filloi të shkonte pasditeve në lagjet e tjera dhe kur takonte njerëzit u thosh se ai ishte mbrojtësi i Voskopojës dhe se kur të zgjidhej në këshill, qyteti do ndryshonte, shkollat do shtoheshin, dhe do të kishte rregull. Do t’i përzë gjithë hajdutët, të papunët dhe dembelët nga ky qytet, tha Marin Kurila një ditë. Kush nuk është i aftë të gjejë një punë, nuk ka pse jeton këtu. Kush vjedh, dëbohet. Kush vret, shkishërohet. Në Voskopojë do jetojnë vetëm ata që dinë të lexojnë, që shkojnë në kishë dhe që punojnë. Fëmijët në shkollë, gratë në shtëpi, burrat në punë, kjo është Voskopoja ime, bërtiste Marin Kurila kur njerëzit grumbulloheshin duke dëgjuar fjalimet e tij të zjarrta që gjithmonë mbylleshin me thirrjet e shokëve të tij: Marin Kurila po vjen, Voskopoja po shkëlqen! Marini ishte bërë mjeshtër i fjalimeve përpara turmave, të cilat e dëgjonin me gojën hapur. Një ditë kur ai po fliste, një burrë, që më vonë u mor vesh se ishte vënë nga vetë Kurila dhe ishte shok bande me të, thirri: Marina Kurila duhet të bëhet kryetar i qytetit. Njerëzit e dëgjuan dhe filluan t’i kërkonin në kor Marin Kurilës që të pranonte. Perëndia vendos dhe unë bindem, tha Marin Kurila solemnisht dhe bëri kryqin duke parë nga qielli. Njerëzit u përlotën dhe u falën bashkë me të. Të nesërmen Marin Kurila doli në qytet me një mantel të gjatë të bardhë në të cilin kishte qëndisur stemën e Voskopojës dhe një kryq të gjatë që rrethohej nga dy pisqolla të harkuara. Me hap të madh dhe duke i folur të gjithë njerëzve që i ndeshi në rrugë, ai hyri në kishë dhe mori pjesë në meshë. Njerëzit i hapnin rrugën dhe Marin Kurila u ul në vendin e parë përballë altarit, hoqi pelerinën dhe e palosi me kujdes mbi gjunjë. Kur doli nga kisha kaloi përballë ndërtesës ku mblidhej këshilli dhe u ndal duke e parë. Njerëzit rrinin rreth tij dhe prisnin se çfarë do të thoshte, por Marin Kurila vuri dorën mbi stemën që kishte në gjoks dhe nuk foli. Tri ditë me radhë nuk doli nga shtëpia dhe i kërkoi shokëve të tij t’i thërrisnin një për një përfaqësuesit e lagjeve të tjera. Pesë prej tyre erdhën në takim, por përfaqësuesi i sapunxhinjve, që ishte dhe kryetar i qytetit, i bllokoi të tjerët, mes të cilëve përfaqësuesin e lëkurëpunuesve dhe për shkak të tyre dhe atë të këpucarëve. Po ashtu përfaqësuesi i bakërxhinjve, që nuk erdhi vetë, bindi edhe atë të kazanxhinjve. Edhe jorganxhinjtë dhe rrobaqepësit nuk u dukën në shtëpinë e Marin Kurilës dhe bashkë me ta as përfaqësuesi i lagjes së të huajve, të cilët kishin frikë se Marin Kurila do t’i dëbonte ata nga Voskopoja.
Rrebele
Rrebele
Moderator
Moderator

Numri i postimeve : 484
Registration date : 06/01/2009

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Ben Blushi "Te Jetosh Ne Ishull" - Faqe 4 Empty Re: Ben Blushi "Te Jetosh Ne Ishull"

Mesazh nga Rrebele Wed Jan 07, 2009 4:35 am

Që nga koha e Johan Vulgarit, gjithë qytetin e kishin drejtuar përfaqësuesit e lagjes së sapunxhinjve, të cilët kishin aleatë të fortë në këshill ku votat ishin të lidhura sipas interesave dhe zanateve. Marin Kurila e kuptoi se me këtë ndarje votash ai nuk do mund të zgjidhej kryetar dhe shkoi në të gjitha tavernat e qytetit duke sharë kryetarin e këshillit. Voskopoja është turpëruar që kur këtë qytet e drejtojnë sapunxhinjtë, tha ai. Por mëkatet e Voskopojës nuk lahen me sapun. Voskopoja nuk mund të jetë qyteti i sapunit, por ai do të jetë qyteti i armëve dhe i burrave që dinë t’i përdorin ato. Sapunët janë për gratë dhe armët janë për burat. Jorganët janë për frikacakët dhe këpucët janë për zbatharakët. Këshilli i qytetit është kthyer në një bandë të tregtarëve të poshtër që u shesin njerëzve sapun të përdorur, jorganë të shkurtër dhe këpucë me lëkurë gomari. Do ta shkatërroj këtë këshill sepse koha është e armëtarëve dhe jo e këpucarëve, koha është e burrave trima dhe jo e jorganëve me vrima.
Marin Kurila fliste dhe manteli i tij e mbulonte gjithë tavernën e mbushur plot me burra me sy të kuq. Ai akuzonte edhe lagjen e të huajve dhe thoshte se Voskopoja ishte prishur që ditën që Johan Sapunxhiu, siç e quante ai Johan Vulgarin, i pranoi ata në këshill dhe e bëri qytetin me katërmbëdhjetë lagje. Kur erdhën ata, filluan vjedhjet dhe poshtërimet. Vajzat tona kanë frikë të dalin në rrugë nga të papunët dhe dembelët që rrinë në qoshet e rrugëve dhe u flasin me fjalë të ndyra. Qyteti e humbi bekimin e perëndisë kur prishi numrin 13 që është numri magjik, sepse 13 ishin dhe Krishti bashkë me apostujt e tij dhe 13 vjet u deshën për ndërtimin e Katedrales së Shën Mërisë. Do ta bëjmë Voskopojën prapë qytetin e numrit trembëdhjetë, thoshte Marin Kurila dhe e puthte trembëdhjetë herë kryqin e qëndisur mbi pelerinën e bardhë.
Një natë, pesë ditë para zgjedhjeve të këshillit, pas shumë fjalimeve të zjarrta ku merrnin pjesë të gjithë, shokët e përcollën Marinin në shtëpi. Pastaj u drejtuan pa zhurmë në lagjen e sapunxhinjve hapën depot e sapunit, i çanë thasët e mbushur dhe sapunin e shpërndanë nëpër kalldrëmet me gurë. Atë mëngjes ra një shi i qetë dhe kur njerëzit dolën nga shtëpitë shumë prej tyre shkanë dhe disa pleq thyen krahët dhe kërbishtet, pa e kuptuar se pse. Kur tregtarët panë depot e boshatisura dhe thasët e shqyer i kërkuan këshillit të mblidhet dhe të dënojë bandën e çobanëve, të cilën e akuzuan për grabitje.
Tri ditë para zgjedhjeve, Marin Kurila u thirr në këshill për t’u pyetur për ngjarjet. Ai shkoi me vonesë në mbledhje dhe, megjithëse i thanë të ulej, qëndroi gjithë kohën në këmbë. Kur anëtarët e këshillit flisnin, Marin Kurila qeshte dhe e shikonte kryetarin në bebe të syrit. Nga jashtë dëgjohej zhurma që bënin shokët e Marin Kurilës bashkë me dhjetëra djem të rinj, të cilët mbanin në qafë shallin e kuqe. Kur u pyet, Marini e mohoi se banda e tij kishte gisht në hapjen e depove. Ne nuk na duhet sapun sepse nuk kemi mëkate për të larë, tha ai. Shkoni të kërkoni diku tjetër. Përfaqësuesi i këpucarëve ishte më i egri dhe e quante Marin Kurilën zbatharak. Ndërsa përfaqësuesi i lagjes së të huajve i propozoi këshillit që Marin Kurila të përjashtohej nga zgjedhjet, sepse në rast se ai fitonte, paqja në qytet ishte e rrezikuar. Atë e mbështetën edhe disa anëtarë të tjerë, por aleatët e Kurilës në këshill dhe sidomos babai i vajzës kundërshtuan dhe e mbrojtën fort. Në fund, të katërmbëdhjetë ranë dakord që propozimin ta vendosnin me votë të fshehtë. Morën një gotë të madhe balte dhe aty hodhën votat një nga një. Votimi doli shtatë me shtatë dhe Marin Kurila u tall dhe tha: Ja pse duhet që ky këshill të ketë trembëdhjetë vetë. Dhe ashtu do jetë pas disa ditësh. Ai falënderoi babanë e të dashurës, hapi pelerinën, përplasi takat fort dhe doli. Jashtë u prit si një hero dhe gjithë natën festoi në tavernë duke pirë. Ndaj të gdhirë u tha shokëve se do shkonte tek e dashura dhe iku duke kënduar.
Në mëngjes e gjetën të vrarë përpara shtëpisë së vet. I kishin ngulur një thikë në ijë dhe një në zemër, aty ku mbante stemën e Voskopojës. Fytyra e tij e bukur ishte zbardhur, ndërsa shallin e kuq e kishin ngulur me thikë mbi derën e shtëpisë. Shalli lëvizte nga era, por, si një rob, nuk lirohej dot nga thika. Pelerina e bardhë e Marin Kurilës kishte mbuluar gurët e gjakosur të kalldrëmit. Shokët e tij e ngritën dhe pasi e pastruan dhe e zbukuruan e shtrinë mbi një shtrat të madh hekuri në oborrin e shtëpisë së tij. Gjithë lagjja e armëtarëve u mblodh për të parë Marin Kurilën. Gratë qanin dhe burrat shtrëngonin muskujt e qafës që i kishin lidhur me shalle të kuqe. E dashura e Marinit e kishte kapur shallin e tij me karfica mbi kokë, si një kurorë mbi flokët e saj të verdha. Pasdite, trupin e Marinit e çuan në Katedralen e Shën Mërisë jashtë dyerve të së cilës rrinin mijëra njerëz të trembur. Kur mbaroi mesha, shokët e mbajtën Marin Kurilën në krahë dhe e shëtitën nëpër të gjitha lagjet e qytetit, me përjashtim të lagjes së sapunxhinjve dhe të të huajve. Në të errur arritën në varreza. Gjithë njerëzit që shoqëruan trupin ndezën qirinj dhe qyteti nga lart dukej si një kishë e madhe në natën e pashkës. Pas varrimit njerëzit nxituan të futen nëpër shtëpi dhe i shuan qirinjtë shpejt. Kur u zgjuan, mbi kryqin e madh të Katedrales së Shën Mërisë, ishte lidhur një shall i kuq, ndërsa në lagjen e të huajve u gjetën 14 të vdekur mes të cilëve edhe përfaqësuesi i tyre që kishte propozuar përjashtimin e Marin Kurilës. Kryetari i këshillit dha dorëheqjen, ndërsa tregtari i madh i armëve mori të bijën, ngarkoi karvanët dhe u largua nga qyteti.
Rrebele
Rrebele
Moderator
Moderator

Numri i postimeve : 484
Registration date : 06/01/2009

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Ben Blushi "Te Jetosh Ne Ishull" - Faqe 4 Empty Re: Ben Blushi "Te Jetosh Ne Ishull"

Mesazh nga Rrebele Wed Jan 07, 2009 4:35 am

Shokët e Marin Kurilës vunë një tra të madh në hyrje të qytetit dhe nuk lejonin asnjëri të dilte apo të hynte pa lejen e tyre. Këshilli u shpërnda dhe ata morën në dorë qytetin. Karvanët me mall që hynin në qytet kontrolloheshin një për një dhe tregtarëve u merrej një taksë në hyrje. Tregtia e sapunëve dhe lëkurëve u ndalua. Tregtarëve iu kërkua t’i hiqnin nga puna gjithë hyzmeqarët nga lagjja e të huajve dhe sidomos myslimanët. Nëpër lagje u caktuan grupe djemsh të armatosur, të cilët mbanin shalle të kuq dhe i pyesnin njerëzit ku shkonin dhe nga vinin. Burgu i qytetit u mor nën kontroll dhe për disa javë me dhjetëra të huaj, tregtarë të sapunit dhe myslimanë u mbyllën atje. Oraret e lëvizjes në qytet ndryshuan. Askush nuk lejohej të dilte nga shtëpia pas orës gjashtë të mbrëmjes. Shokët e Marin Kurilës i kërkuan Grigor Jeromonakut që të shtypte disa lajmërime, të cilat u varën në muret e çdo lagjeje dhe që përcaktonin ndalimet që ata kishin vendosur. Grigori në fillim kundërshtoi dhe tha se mbyllja e qytetit do ta izolonte Voskopojën, por ata e kërcënuan dhe i thanë se nëse nuk bindej, shtypshkronja do të mbyllej dhe ai do burgosej. Grigori u zbut dhe për dy ditë me radhë punoi për të shtypur lajmërimet. Në to shpjegohej se masat e reja ishin vendosur pas vrasjes së Marin Kurilës për të cilën akuzohej një pjesë e këshillit të vjetër, si dhe myslimanët e lagjes së të huajve. Masat do të kishin një kohëzgjatje të papërcaktuar, siç thuhej, deri në vendosjen e qetësisë në qytet dhe ngritjen e këshillit të ri prej trembëdhjetë anëtarësh. Në lajmërim thuhej se zgjedhjet, për vetë kushtet që ishin krijuar, pas vrasjes së Marin Kurilës ishin të pamundura. Por, derisa fajtorët të gjendeshin dhe të dënoheshin, masat e mëposhtme ishin të domosdoshme. Hartuesit shkruanin se këto masa merreshin për të mirën e qytetarëve të Voskopojës, jeta dhe pasuria e të cilëve ishte e rrezikuar nga bandat e të huajve, të cilët kishin një plan të fshehtë për të pushtuar qytetin dhe për të dëbuar të gjithë qytetarët e tij, duke iu marrë atyre shtëpitë dhe pasuritë.
Masat ishin: 1. Ndalohet dalja nga shtëpia pas orës gjashtë në mbrëmje. 2. Asnjë dyqan dhe tavernë nuk hapet pas kësaj ore. 3. Tavernat nuk mund t’u shesin klientëve të tyre verë pas orës dy të drekës. 4. Tregtia e sapunëve dhe e lëkurëve nuk lejohet. 5. Në shkolla nuk pranohen fëmijë nga lagjja e të huajve. 6. Mësuesit t’u tregojnë nxënësve se Voskopoja u sulmua nga disa të huaj dhe tregtarë të lidhur me ta, të cilët vranë pabesisht qytetarin e nderuar, mbrojtësin e Voskopojës, Marin Kurila. 7. Të gjithë nxënësit do të mbajnë, në shenjë kujtimi për Marin Kurilën, një shall të kuq të lidhur në qafë. 8. Asnjë burrë nuk lejohet të mbajë armë. 9. Këshilli i qytetit do të përbëhet nga 13 anëtarë. 10. Zgjedhjet për këshillin do të mbahen kur nëntë masat e para të jenë respektuar nga gjithë qytetarët.
Grigori u zverdh kur dëgjoi masat. Qyteti do shkatërrohet nëse këto masa zbatohen, u tha ai shokëve të Marin Kurilës dhe u kërkoi të mos i dëbonin fëmijët e lagjes së të huajve nga shkollat. Shumë shpejt nuk do ketë më lagje të të huajve, thanë ata dhe i kërkuan murgut të punonte shpejt. Megjithatë, Grigori bëri një ndryshim në masën e fundit. Djemtë i kishin diktuar të shkruante se zgjedhjet për këshillin do të mbahen kur nëntë masat e para të jenë zbatuar nga gjithë qytetarët, ndërsa Grigori e zëvendësoi fjalën zbatuar me respektuar. Shokët e Kurilës ishin gjithë kohën të zënë duke kontrolluar nëpër lagje dhe nuk e vunë re këtë ndryshim në lajmërimet që i ngjitën gjithandej brenda mëngjesit. Kur e pyeta Grigorin se ku ishte ndryshimi mes zbatimit dhe respektimit, ai më tha se një masë e zbatuar është shumë më detyruese sesa një masë e respektuar. Ka njerëz që e respektojnë ortodoksinë dhe ata mbajnë kreshmë vetëm tri ditët e fundit përpara pashkës, ndërsa ata që e zbatojnë doktrinën e mbajnë kreshmën pa asnjë kompromis, për 40 ditë rresht. Ky është ndryshimi, tha Grigori. Për të parët, pashka vjen më shpejt, ndërsa për të dytët vjen më vonë.

Natën e parë të shpalljes së masave në lagjen e të huajve u dëgjuan armë dhe zjarret që dilnin nga tytat e tyre e shpuan tejpërtej natën e gjatë të Voskopojës. Shokët e Marin Kurilës shkuan atje me ngut, por nuk zbuluan dot se kush kishte qëlluar. Nuk kishte të vrarë dhe u tha se myslimanët kishin qëlluar për t’u thënë djemve me shall të kuq se ata nuk do t’i dorëzonin armët dhe se nuk i pranonin masat. Shokët e Marinit vunë gurë të mëdhenj në të gjitha hyrjet e lagjes së të huajve dhe disa prej tyre u caktuan të bëjnë rojë ditë e natë, duke mos lënë askënd të dilte jashtë. Por të shtënat vazhduan edhe natën tjetër si dhe shumë ditë me radhë. Thuhej se në lagjen e të huajve disa burra ishin organizuar dhe po bëheshin gati për të sulmuar. Tregtarët u frikësuan dhe shumë prej tyre filluan të mbledhin plaçkat dhe të largohen nga qyteti bashkë me familjet. Shtëpitë u mbyllën dhe magazinat me mall pothuajse u zbrazën. Kuajt e karvanëve u lanë të lirë dhe ata ishin të vetmit që bridhnin nëpër qytet pa iu bindur masave dhe orareve të ndalimit. Vdekjet u shtuan dhe doktorët, që mund t’i vizitonin të sëmurët vetëm gjatë ditës, thoshin se ishin shtuar sëmundjet e zemrës nga frika dhe pasiguria familjet i qanin të vdekurit gjithë natën me qirinj të vegjël dhe prisnin mëngjesin për t’i varrosur. Dasmat u pakësuan dhe gjithnjë e më pak udhëtarët vinin në Voskopojë. Tavernat u mbyllën sepse askush nuk shkonte më atje. Pas ndalimit të sapunit gratë nisën t’i lajnë rrobat në lumë duke i fërkuar fort pas gurëve për t’u hequr njollat dhe erën e djersës. Fëmijëve që luanin nëpër shkolla nisën t’u hapen këpucët e përdorura, por lëkurë për këpucë të reja nuk kishte. Këpucët e prishura i çonin te këpucarët dhe radha përpara dyqaneve të tyre u shtua. Ndërkohë, krismat në lagjen e të huajve nuk pushonin dhe armët filluan të zbrazen edhe ditën. Disa nga shokët e Marin Kurilës përfituan nga ikja e shumë tregtarëve dhe i hapën shtëpitë dhe depot e tyre dhe vodhën çfarë gjetën brenda. Duke qenë se ishin të vetmit që kishin të drejtë të lëviznin natën, ata ngarkonin sëndukë me plaçka, abazhurë të shtrenjtë, ora muri, filxhanë, pjata dhe lugë italiane që i merrnin nga shtëpitë e boshatisura duke i shpënë në shtëpinë e tyre. Bodrumet e tyre u mbushën me mall nga depot dhe kur njerëzit kishin nevojë të blinin ndonjë gjë, ata filluan të shisnin dhe të merrnin paratë.
Rrebele
Rrebele
Moderator
Moderator

Numri i postimeve : 484
Registration date : 06/01/2009

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Ben Blushi "Te Jetosh Ne Ishull" - Faqe 4 Empty Re: Ben Blushi "Te Jetosh Ne Ishull"

Mesazh nga Rrebele Wed Jan 07, 2009 4:36 am

Ishte një ditë e nxehtë dhe njerëzve nuk u hahej mish. Pazari ishte zgjuar i pari dhe pas tij ishte zgjuar qyteti. Zakonisht, qyteti lodhej në pazar dhe çlodhej në kishë. Por ishte e diel dhe jo të gjithë punonin. Ishte një ditë pazari dhe jo të gjithë shkonin në kishë. Fshatarët kishin ditën e tyre të punës. Qytetarët kishin ditën e kishës dhe të pazarit. Gratë dilnin nga mesha e mëngjesit, shkonin në pazar, ku i frynin trastat si gjinj, dhe pastaj ktheheshin në shtëpi. Kur ato vonoheshin pas gjërave të panevojshme, fëmijët i prisnin me gojë hapur. Burrat pinin duhan në hije dhe shikonin gratë. Kafshët rrinin në diell dhe, duke pritur të shiteshin, shikonin burrat. Ata që kishin vapë freskoheshin në liqen. Por qyteti ishte në mes të maleve dhe jo të gjithë dinin not.

Deri kur u mbyll pazari ai nuk i shiti dot dy delet e tij. Mblodhi paratë që kishte fituar dhe u nis.
Xhamia ishte në të dalë të qytetit. Në dimër ajo rrugë ishte e pushtuar nga balta, por atë ditë bënte zheg dhe toka digjte mbi kokë dhe nën këmbë. Dera e xhamisë ishte e mbyllur. Ai trokiti me një gur mbi portën e vogël. Imami u shfaq pas pak duke lidhur tyrben mbi kokën e rruar. Alekum Selam. Mirëdita, i tha ai. Dua të bëhem mysliman. Urdhëro, e ftoi imami. Je i pari që vjen sot. Të krishterët merren me tregti të dielave. U fut brenda dhe pati ftohtë. U ulën të dy përballë njëri-tjetrit mbi një rrogoz, i cili në anën e tij dukej më pak i përdorur. Xhamia ishte bosh. Dielli hynte me zor nga katër kamare të vogla, të shpërndara nga një në çdo faqe muri. Në një cep të errët mezi dukej një tenxhere e madhe dhe pranë saj bukë dhe disa kokrra ullinj. Je në shtëpinë e Zotit, i tha imami, si për t’i thënë mos u habit. A ha Zoti ullinj, qeshi ai duke u përpjekur ta ngrohte xhaminë me shaka. Imamit nuk i lëvizi asnjë muskul. Ullinjtë i ha unë. Doktorët thonë se bëjnë mirë për veshkat.

Pse do të vish në Islam, e pyeti thatë imami, pa e lënë të vazhdonte udhëtimin e tij nëpër muret bosh të xhamisë. Aliu iu përgjigj se nuk kishte ndonjë shkak, por mendonte se Islami është një gjë që duhet provuar. Unë fitoj sa për t’u ushqyer, nisi të shpjegonte. Nuk kam ndonjë arsye të veçantë. Islami është feja e Perandorisë dhe unë e respektoj si një shtetas i rregullt. Nga Islami vijnë ligjet, taksat, ushtria dhe drejtësia. E këto nuk mund t’i zbatosh si duhet po nuk njohe burimin e tyre të vërtetë. Shpejt ose vonë, të gjithë do të bëhen myslimanë. Babai më ka thënë që punën e sotme mos e lër për nesër. Unë zgjohem herët në mëngjes, si kafshët që shes dhe shëroj, prandaj nuk e kam vështirë të falem në oraret që përcakton feja juaj. Njoh shumë të tjerë që do të ishin bërë myslimanë në qoftë se do të kishin regjimin e bagëtive.
Sa vjeç je? Tridhjetë e nëntë i mbusha në korrik. Ka myslimanë të tjerë në fshatin tënd? Jo, tha ai, unë do të jem i pari. Njeh ndonjë mysliman tjetër? Kroi kokën dhe u kujtua. Njoh Ali Tepelenën. Ç’është ky, tha imami. Aliu është kusar. I zë pritë karvanëve dhe grabit ushqime, mallra dhe kafshë, që pastaj i shet. Kohët e fundit ka marrë një titull nga Stambolli dhe trimat e tij e thërrasin dervenxhi. Tani kontrollon rrugët dhe grykat nga kalojnë karvanët dhe i ka bërë zap gjithë kusarët e tjerë. Askush nuk vjedh dot pa lejen e tij. Para disa muajsh u fsheh në shtëpinë time se e ndiqnin ushtarët e Kurt Pashës për ta vrarë. Kuajt i sjell tek unë për t’i shëruar dhe prandaj jemi njohur. A të ka folur Aliu për Islamin? Po. Njëherë ai më tha se sikur Muhamedi të ishte shqiptar, grekët do ta kishin vrarë atë. Imami nuk lëvizi, por diçka mërmëriti. Në qoftë se Muhamedi do të ishte shqiptar, grekët do të ishin çifutë dhe çifutët nuk e vranë dot Muhamedin. Megjithatë, Muhamedi nuk mund të ishte shqiptar. Të gjithë profetët kanë lindur në shkretëtirë aty ku nuk ka ujë dhe nuk ka dimër. Ne kemi shumë ujë dhe shumë dimër.
Imami futi dorën poshtë rrogozit dhe nxori një libër të verdhë me shkronja të mëdha arabe. Ky është Kurani. Është libri me porosi që Allahu i dha Muhamedit përmes të dërguarit të tij, engjëllit Xhebrail. Këtu tregohet se çfarë duhet të bëjë një mysliman. Dhe po ashtu se çfarë nuk duhet të bëjë. Mos harro se gjërat që nuk duhet të bësh, janë më të rëndësishme se ato që duhet të bësh. Kurani është libri i ndalimit dhe jo i lejimit. Ti nuk mund ta lexosh Kuranin, por unë do të të them disa gjëra, të cilat, nëse i pranon, do të të dallojnë ty nga të tjerët, nga të pafetë.
Islam do të thotë paqe. Paqja mund të mbretërojë mes njerëzve nëse ata i dedikohen Allahut dhe ndjekin rregullat që ai ka përcaktuar. Këto rregulla Zoti ia tha Muhamedit që ky t’ia thoshte njerëzve. Muhamedi shkroi Kuranin, megjithëse deri 40 vjeç nuk dinte as shkrim, as këndim, njësoj si ti sot. Kjo është një nga dëshmitë se ai ishte i dërguar i Allahut, porositë e të cilit për herë të parë i erdhën rreth vitit 610 kur ai jetonte në Mekë, me gruan e tij Hatixhe. Gjatë jetës së tij Muhamedi pati shumë gra të tjera. Kur ai vdiq, në prehrin e gruas së tij më të dashur Aishes, Meka, Medina dhe shumica e Arabisë kishin pranuar Islamin. Kurani i ka njohur të gjithë profetët e tjerë përpara Muhamedit, përfshi Musain, profetin e çifutëve dhe Isain e të krishterëve. Por Muhamedi është profeti i fundit. Prandaj dhe Islami është feja e vetme e Allahut. Qëllimi i profetëve të tjerë ka qenë të paralajmëronin dhe të bënin gati botën për misionin e Muhamedit, kështu që të krishterët e kanë detyrim që të kthejnë fenë e tyre në Islam. Jezu Krishti po të ishte gjallë do t’i bashkohej fesë së Muhamedit.
Imami ndaloi dhe e futi Kuranin nën rrogoz. Këto që po them duhet t’i dish sepse të krishterët e fshatit do të të prozvalin dhe do përpiqen të të poshtërojnë kur t’u thuash se je mysliman. Mos u mërzit. Të gjithë profetët janë sharë nga fshati i vet. Ti më the se do të bëhesh mysliman. Unë të pyeta pse. Më the se Islami është një gjë që duhet provuar sepse herët apo vonë të gjithë do të vijnë në Islam. Kjo është e vërtetë. Një ditë, të gjithë do të bëhen myslimanë. Por jo për arsyet që the ti. Unë do të t’i jap arsyet, ti do t’i jetosh dhe më pas do t’ia japësh të tjerëve.
Islami ka pesë kushte. Nëse ti i pranon, atëherë je mysliman. I pranoj, tha ai me një frymë. Ishte ftohtë dhe drita e diellit nga kamaret e xhamisë kishte nisur të dobësohej. Duro, i tha imami. Do të t’i them një nga një. Ngrihu në këmbë.
Ai u ngrit dhe pas tij u ngrit dhe imami. Gjysma e fytyrës i ndriçohej akoma nga drita e pasdites. Gjysma tjetër po kridhej gradualisht në errësirë. Islami dhe Krishterimi janë si hëna dhe dielli, mendoi ai. Të dyja kanë marrë përsipër të ndriçojnë botën, por kur njëri ikën vjen dita dhe kur ikën tjetri vjen nata. Tani jam në muzg. Dielli me hënën po ndërrojnë vendet si Krishterimi me Islamin në shpirtin tim. Deri në fund të jetës do të përpiqem të kuptoj kush është dielli dhe kush është hëna nga të dy, u zotua ai me vete dhe u përqendrua prapë tek imami, fytyra e të cilit kishte hyrë në hije.
A pranon se nuk ka Zot tjetër veç Allahut dhe se Muhamedi është robi dhe i dërguari i tij?
Bota është më e qetë tani që e udhëheq vetëm një Zot. Në kohën e grekëve të lashtë kishte shumë zota që bëheshin xhelozë për njëri-tjetrin dhe bota ishte lëmsh. E pranoj, tha ai.
A pranon t’i falesh Allahut, pesë herë në ditë namaz? E pranoj, por ç’më ndodh nëse falem gjashtë herë? Nuk të ndodh gjë, i tha imami, por nuk duhet ta bësh. Në fillim Zoti i tha Muhamedit se myslimanët duhet të faleshin pesëdhjetë herë në ditë, por Musai, profeti i çifutëve i tha Muhamedit t’i kërkonte më pak falje sepse kjo do të ishte e lodhshme për besimtarët. Pas shumë kërkesave që bëri Muhamedi, numri i faljeve u vendos të ishte pesë. Kjo në saje të çifutëve që bëjnë tregti edhe me faljet për Zotin. Ka pasur të drejtë Musai, i tha ai. Pesëdhjetë herë në ditë do të thotë që mos bënim asgjë tjetër, por veç të faleshim. Allahu na i njeh dobësitë tona, prandaj korrigjon ndëshkimet, sqaroi imami dhe vazhdoi.
A pranon të mbash ramazan? Ç’është ramazani, pyeti ai. Ramazani është muaji i nëntë i vitit. Është muaji kur Muhamedit iu shfaq për herë të parë engjëlli me porositë e Allahut. Ky është dhe muaji i agjërimit, muaji kur myslimanët i dedikohen Zotit të tyre, duke mos ngrënë, duke mos pirë dhe duke mos i prekur me dorë gratë e tyre. Ramazani përbën agjërimin kryesor, ndërsa gjatë vitit Islami ka edhe shumë lloje të tjera agjërimesh, si agjërimi i muajit të shabanit, agjërimi i gjashtë ditëve të muajit sherval, që është muaji që vjen pas ramazanit, agjërimi i ditës së ashures, agjërimi i xhumasë, i ditës së premte etj. këto do t’i mësosh me kohë dhe unë do të të kujtoj herë pas here, por mos harro se agjërimi i ramazanit është kusht për ty si për çdo mysliman tjetër. Gjatë ramazanit as duhet të shash, as të bërtasësh, as të zihesh, as të shpifësh apo të theshmosesh. Nëse të godasin, mos u kthe dorë dhe thuaju se je në agjërim. Agjërimi është shkëputja e njeriut nga kërkesat e trupit, nga stomaku dhe epshet që ndjellin gratë. Ramazanin do ta nisësh pas disa ditësh, sapo të shikosh hënën e re të muajit shtator. Po në qoftë se ka re si ta dalloj hënën, pyeti ai. Asnjë re nuk mund të ndalojë takimin e një myslimani me Zotin e vet, u përgjigj imami. Të krishterët hanë diçka kur agjërojnë, pyeti prapë ai. Si mund të duroj një muaj pa ngrënë? Të krishterët agjërojnë 40 ditë rresht përpara Pashkës dhe po ashtu gjatë vitit kanë agjërime të tjera. Megjithatë, ti mund të hash dy herë në ditë. Do hash diçka të ëmbël, mundësisht hurma me ujë kur perëndon dielli, dhe ky është iftari. Pastaj do falësh namazin e mbrëmjes. Ndërsa në mëngjes, kur fillon agimi, gjithnjë përpara namazit të parë, mund të fusësh një kafshatë në gojë dhe ky është syfyri. Agjërimi është sakrifica më e madhe që një mysliman bën për të respektuar Zotin e vet. Kur agjëron, ti i thua Allahut se nuk ke ardhur në jetë vetëm për të mbushur stomakun tënd me mish kafshe dhe për të fryrë barkun e sat shoqeje me mish njeriu. Po lopët, viçat, delet dhe qengjat e mi a duhet t’i detyroj të mbajnë ramazan, tha ai pafajësisht. Imami bëri një ngërdheshje si i bezdisur e megjithatë vazhdoi. Agjërimi është një sakrificë e ndërgjegjshme. Ty nuk të kontrollon kush nëse ha, nëse pi apo nëse kënaq gruan tënde. Gjatë agjërimit je përballë Zotit dhe ndërgjegjes tënde. Kafsha ka shpirt, por nuk ka ndërgjegje, prandaj vetësakrifikimi i saj nuk parashikohet në Kuran. As Muhamedi nuk e detyronte devenë e tij, Kasun që të agjëronte. Kafshët e tua nuk do të bëhen myslimane sepse edhe para kësaj dite nuk janë të krishtera, shtoi imami. E pranoj, tha ai. E pranoj ramazanin. Kur t’i them gruas se është një kusht ajo do të më kuptojë, kurse kafshët e mia nuk do kuptojnë asgjë dhe do vazhdojnë të më duan njëlloj. Vazhdojmë, nxitoi imami duke parë diellin që fshihej pas dritareve. Pas pak duhet të jap ezanin.
Kushti i katërt i islamit është dhënia e zekatit. Zekat do të thotë që t’u japësh të varfërve ushqim, rroba dhe t’i ndihmosh. Zekati nuk është lëmoshë, por është ndarje pasurie. Muhamedi mendonte se i varfri ka të drejtë të përfitojë nga pasuria e të kamurit. Zakonisht zekati shpërndahet pas sakrificës, pas agjërimit, pra në fund të ramazanit. Mund të japësh edhe para. Ai u mendua një copë herë dhe tha: Në fshat ka shumë të varfër. Nëse unë u jap të gjithëve zekat ç’më mbetet për vete? Ramazani më duket më i arsyeshëm se të detyron të kursesh, kurse zekati paska shumë harxhe. Po a nuk do varfërohem unë një ditë duke i falur vazhdimisht të tjerëve pjesë nga pasuria ime? Atëherë ti do të jetosh duke u ushqyer nga zekati që do të shpërndajnë të tjerët, u përgjigj imami. Ky është Islami. Jep pasuri që të marrësh paqe. A e pranon këtë kusht? Imami po humbte durimin. Atij iu duk se, sikur të rezistonte dhe pak imami do ta nxirrte jashtë duke mos e përzgjedhur si mysliman. Megjithatë, vendosi të bëjë edhe një përpjekje. Përmbushja e këtij kushti, siç ia kishte përshkruar imami, nuk e bindte. Si mund të falte nga një dele, apo një viç në fund të çdo agjërimi? Ti më the se që të bëhem mysliman duhet të plotësoj kushtet e Islamit, guxoi ai të pyeste imamin. Po, i tha imami, ashtu është. Që unë të bëhem mysliman duhet të jap zekat, apo jo? po, tha imami i çuditur nga ngulmimi. Po ai që përfiton zekat a duhet të jetë mysliman? Besoj se po, u përgjigj imami i hutuar. Në fshat unë jam myslimani i vetëm dhe nuk e di sa kohë do të vazhdojë të jetë kështu. Të gjithë të varfrit e fshatit janë të krishterë. A duhet t’i fal pasurinë që Allahu ma dha mua atyre që nuk i falen Allahut? Imami nuk foli, pro instinktivisht vuri dorën mbi Kuranin e mbuluar me rrogoz. A duhet të përfitojnë zekat të krishterët, këtë dua të them, përfundoi ai kur kuptoi se kishte fituar superioritet logjik që në ditën e parë të abetares islame. Këtë nuk e di, i tha imami që u ndie keq. Ndoshta duhet të presësh derisa në fshat të vijnë myslimanët e tjerë. E pranoj, shpejtoi ai. Pranoj se do filloj të jap zekat ditën që në fshat një i varfër do të bëhet mysliman. E pranoj kushtin. Ka akoma? Edhe një, u çlirua imami.
Rrebele
Rrebele
Moderator
Moderator

Numri i postimeve : 484
Registration date : 06/01/2009

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Ben Blushi "Te Jetosh Ne Ishull" - Faqe 4 Empty Re: Ben Blushi "Te Jetosh Ne Ishull"

Mesazh nga Rrebele Wed Jan 07, 2009 4:37 am

Të ngopur me para dhe mall, djemtë kishin dëshirë të argëtoheshin. Vendosën të hapin një tavernë vetëm për vete në të cilën gjatë natës pinin verë me mish të pjekur. Vajzat, që më parë banda e sevdallinjve ua shiste udhëtarëve, i morën dhe pasi i vinin të kërcenin mbi tavolina i fusnin në një shtëpi të madhe bosh dhe flinin me to. Djemtë lodheshin gjatë ditës duke shitur mall dhe natën duke u kënaqur me vajza dhe me pije. Kontrollet nëpër qytet u zbutën dhe rojat e lodhur i zinte gjumi shpejt. Por shumë tregtarë kishin ikur dhe ushqimet në qytet u rralluan. Kripa, sheqeri, mielli e kafja u pakësuan dhe ato pak thasë që kishin vjedhur nga depot, djemtë i shisnin me çmime të larta. Nga sëmundjet dhe vdekjet e shpeshta, ilaçet mbaruan dhe myshku i thatë që përdornin plakat nuk i zëvendësonte dot. Letra e shtypshkronjës u harxhua dhe puna u ndërpre. Grigori dhe murgjit e tjerë u mbyllën në manastir dhe luteshin për ditë më të mira.
Një mëngjes, te trari në hyrje të qytetit shkuan pesë murgj. Ata i thanë djemve se donin të shkonin në Korçë për të marrë letër dhe disa ilaçe. Djemtë kërkuan t’i kontrollonin murgjit e ngarkuar me trasta të mëdha, por këta hapën pelerinat e zeza dhe nga poshtë tyre nxorën pisqolla dhe filluan të qëllojnë. Pesë shokë të Marin Kurilës mbetën të vrarë dhe bashkë me ta dhe njëri nga murgjit. Katër të tjerë u zhdukën të hipur mbi kuaj. Kur kontrolluan murgun e vrarë doli se ai ishte një mysliman nga lagjja e të huajve që ishte maskuar me veladon. Në trup i gjetën dy pisqolla dhe tre breza me fishekë.
Atë natë, shokët e Marin Kurilës vranë dhjetë myslimanë, por nuk hynë dot në brendësi të lagjes së tyre. Myslimanët dilnin në dritaret e shtëpive të tyre, pas dyerve dhe mbi mure qëllonin si të çmendur. Për tri ditë në lagjen e të huajve u bë luftë. Qëllohej nga të gjitha anët dhe shumë njerëz u vranë sepse plumbat u hynin nga dritaret dhe i vrisnin në shtrat apo në tavolinë duke ngrënë bukë. Myslimanët ishin mbledhur dhe siç pritej kishin filluar sulmin. U mor vesh se katër murgjit e maskuar kishin zbritur në Korçë për të njoftuar turqit se një bandë kishte pushtuar Voskopojën duke dëbuar dhe duke vrarë myslimanët. Disa nga shokët e Marin Kurilës u trembën kur dikush tha se pritej që turqit të vinin për të pushtuar Voskopojën. Ata morën familjet, ngarkuan kuajt me mallin që kishin vjedhur dhe ikën. Njerëzit filluan të ankohen dhe i akuzuan shokët e Marin Kurilës se pasi kishin shkatërruar qytetin tani po iknin duke i lënë në dorë të turqve. Thuhej se turqit do të vinin dhe do mbyllnin kishat, shkollat dhe shtypshkronjën dhe do caktonin një nga myslimanët si bej të Voskopojës, duke e zhdukur fare këshillin që qeveriste prej dyqind vjetësh. Paniku e rrënoi edhe më shumë Voskopojën. Me qindra njerëz u lëshuan mbi kuaj duke lënë në shtëpi vetëm pleq dhe plaka që nuk lëviznin dot. Duke ikur, ata shisnin për dy aspra shtëpitë, mobiljet, apo gjëra të tjera dhe çfarë nuk shitej, hidhej. Rrugët e lagjeve u mbushën me dërrasa, krevate, djepe, tavolina, kanistra tenxhere, pjata të thyera, dyshekë dhe rroba të palara, të cilat u bënë kapicë, duke bllokuar rrugicat. Askush nuk i pastronte më rrugët që ishin bërë pis dhe ishin mbushur me gurë dhe bajga kuajsh e kufoma qensh dhe macesh që kishin ngordhur nga uria. Myslimanët filluan të dalin nga lagjja e tyre dhe bastisën shtëpitë e boshatisura, të cilat shpesh i pushtonin duke u vendosur në to. Shokët e Marin Kurilës ishin të frikësuar. Një natë, ata u mblodhën në shtëpinë e Marinit për të vendosur se çfarë do të bënin. Atje filluan të zihen duke akuzuar njëri-tjetrin si fajtor për vjedhjet, shkatërrimet, për urinë dhe braktisjen e qytetit.
Dikur, njëri prej tyre, me shpatulla të gjera dhe shall të kuq, filloi të fliste dhe të gjithë pushuan duke e dëgjuar. Ky ishte Isaku, djali i motrës së madhe të Marin Kurilës. Isaku ishte më i gjatë dhe më i ri se Marini. Ai i mbante flokët e lëshuar mbi supe dhe mbi këmishën e bardhë bashkë me dy pisqollat kishte qëndisur dhe një K të madhe të që njerëzit thoshin se ishte në nderim të familjes së tij.
Isaku ishte një kokë më i madh se të tjerët. Kishte qenë student dhe Marin Kurila e kishte mbajtur pas kur dilte të takonte njerëzit nëpër lagje. Isaku mbante pelerinën e bardhë të Marin Kurilës, së cilës ia kishte pastruar gjakun. I ngjante dajës në bukuri, por ishte më i bardhë dhe më i qetë se ai. Që kur Marini ishte vrarë, Isaku kishte drejtuar lagjen e armëtarëve dhe i kishte ndaluar shokët e tij të hapnin depot e armëve dhe të vidhnin nëpër shtëpitë e tregtarëve të lagjes. Isaku i lejonte mjekët të vizitonin pleqtë dhe të sëmurët gjatë natës dhe pastaj i shoqëronte ata deri në shtëpi për t’u siguruar se nuk i ngiste kush rrugës. Njëherë ai kishte gjetur në rrugë një mysliman të plagosur dhe e kishte çuar në shtëpi. Kur kishte hyrë në lagjen e të huajve duke e mbajtur të plagosurin në krahë, disa myslimanë i kishin drejtuar armën, por Isaku kishte vazhduar të ecte pa u trembur. Ia kishte dorëzuar djalin e përgjakur të atit të habitur dhe më vonë kishte dërguar një doktor për t’i hequr plumbat që kishte në trup. Atë natë myslimanët nuk kishin qëlluar dhe qyteti kishte qenë i qetë.
Por të nesërmen çdo gjë kishte nisur si më parë.
Kur Isaku u ngrit në këmbë, shokëve të tij iu duk sikur ishte ngjallur Marin Kurila. I kishte rënë një çehre e purpurt mbi fytyrë, ndërsa flokët e gjatë e tregonin më të vendosur dhe më trim se Marini.
Rrebele
Rrebele
Moderator
Moderator

Numri i postimeve : 484
Registration date : 06/01/2009

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Ben Blushi "Te Jetosh Ne Ishull" - Faqe 4 Empty Re: Ben Blushi "Te Jetosh Ne Ishull"

Mesazh nga Rrebele Wed Jan 07, 2009 4:37 am

Po të ishte Marin Kurila gjallë punët nuk do kishin ardhur në këtë pikë, foli ai dhe të tjerët heshtën. Marin Kurila donte të lartësonte dhe të mbronte Voskopojën, kurse ju e përdhosët dhe sulmuat. Ai u nxitua, por ne e shtymë në greminë. Ai kishte një besim, por besimin e tij ne e përdorëm. Ai u nxitua kur vendosi të bëhej kryetar i këshillit, por ne duhet ta kishim kuptuar se zgjedhja e tij do t’i frikësonte tregtarët e sapunit dhe të huajt, siç ndodhi. Ne treguam se ishim tahmaqarë dhe nuk i folëm Marinit, i cili gaboi dhe e lexoi frikën e qytetit ndaj nesh si dashuri. Kjo i kushtoi jetën. Duhet të jemi të qartë se jo gjithë Voskopoja na ka dashur. Shumica e njerëzve na ka pasur frikë dhe nuk ka pasur besim te ne. Banditët dinë të sulmojnë dhe jo të mbrojnë, ndërsa Voskopoja kishte nevojë për mbrojtje dhe jo për sulm. Voskopoja ka qenë qyteti i diturisë. Dituria u shtua nga liria që kishin tregtarët për të blerë dhe artistët për të lexuar. Por këta i kanë frikë armët dhe qyteti mori tatëpjetën ditën që Marin Kurila tha se Voskopoja do ishte qyteti i armëve. Unë e nderoj guximin e Marin Kurilës, por ai u tregua naiv. Pasi ai vdiq, ne u bëmë të poshtër. Naivitetin e tij për një Voskopojë pa të huaj ne e kthyem në qëllim për një Voskopojë vetëm për vete. Sot, Voskopoja nuk është ajo që ishte dhe as ajo që duhej të ishte dhe, nëse vazhdon kështu, shumë shpejt do zbrazet. Myslimanët janë organizuar dhe kanë marrë zemër. Njerëzit kanë filluar të ikin të tmerruar dhe tregtia ka marë fund. Fëmijët nuk shkojnë më në shkolla sepse prindërit nuk i lënë të dalin vetëm depot janë bosh dhe uria është në prag. Ne jemi kthyer në një tufë hajdutësh te të cilët nuk beson më kush. Kemi vjedhur shtëpitë e të tjerëve, kemi shkatërruar depot dhe mallrat e tyre i kemi shitur sikur të ishin tonat. Spitali nuk ka më ilaçe dhe rrugët janë mbushur me kafshë të ngordhura. Taksat nuk mblidhen dhe këshilli nuk merr më vendime, sepse këshill nuk ka. Dhjetë masat që ne morëm nuk e ndihmuan qytetin, por ia vështirësuan jetën njerëzve. Ato duhet të ndryshojnë një orë e më parë. Këshilli duhej të ngrihej shpejt dhe qyteti të pastrohet. Duhet t’i kërkojmë myslimanëve paqe dhe t’i lejojmë fëmijët e tyre të kthehen në shkolla. Tregtarët të fillojnë punën nga e para dhe askush nuk duhet të pengojë më tregtinë e tyre. Tavernat duhet të hapen dhe Voskopojës t’i kthehet qetësia dhe muzika. Të gjithë ne do dorëzojmë çdo gjë që kemi vjedhur dhe do t’i shpërndajmë njerëzve me racion ushqimet falas derisa të hapen dyqanet dhe depot të mbushen me mall të ri. Do t’u kërkojmë njerëzve të pastrojnë rrugët nga plehrat dhe kafshët e ngordhura. Do ta heqim trarin në hyrje të qytetit dhe të gjithë do lejohen të lëvizin të lirë. Do dorëzojmë armët dhe do t’u kërkojmë të gjithëve të bëjnë të njëjtën gjë. Do t’i dërgojmë fjalë atyre që kanë ikur, të kthehen dhe të vazhdojnë jetën qetësisht si më parë. Shumë shpejt do të bëjmë zgjedhjet dhe këshilli do të ngrihet dhe do të drejtojë qytetin. Duhet të bisedojmë me myslimanët përpara se të vijnë turqit për t’i ndihmuar dhe për të na vrarë të gjithëve. Do nxjerrim nga burgu të gjithë ata që janë aty pa një vendim këshilli. Kur qetësia të jetë rikthyer ne do merremi secili me punët tona dhe banda jonë do të shpërndahet duke i bërë më në fund një nder Voskopojës.
Isaku u ul dhe pelerina e bardhë iu palos mbi gjunjët e fortë. Shokët e tij rrinin pa folur, por dukej se disave nuk i kishte pëlqyer ajo që ai kishte thënë. Ti po i kthen myslimanët në qytet, tha njëri prej tyre. Ata vranë Marinin dhe akoma nuk e kanë larë gjakun e derdhur.
Paqja e Voskopojës është më e çmuar se jeta e Marin Kurilës, tha Isaku. Në qoftë se nuk kthejmë paqen me çdo kusht, do rrezikojmë dhe jetët tona dhe jo vetëm kaq. Voskopoja do të zhduket nga faqja e dheut dhe ne nuk do jemi gjallë as për të ndezur një qiri për shpirtin e saj. Po pse duhet të bëjmë paqe me myslimanët kur mund t’i dëbojmë nga qyteti dhe të jetojmë si më parë, pyeti dikush. Isaku e pa me qetësi shokun dhe u përgjigj: Jetojmë në Perandorinë Turke dhe jo në Venedik. Kjo perandori është ngritur për të mbrojtur myslimanët dhe për t’i zgjeruar territoret e tyre siç ka ndodhur në treqind vitet e fundit. Voskopoja ka qenë e pastër për shumë vjet falë diplomacisë dhe jo luftës baballarët tanë u morën me tregti dhe me arte duke furnizuar perandorinë me mallra që turqit nuk i kishin. Kështu u pasuruan dhe e blenë me para paqen me turqit duke e mbajtur qytetin të paprekur dhe të pavarur. Por kjo paqe nuk mund të ishte e përjetshme sepse paratë nuk mjaftojnë kurrë për të blerë lirinë. Gjithë fshatrat përreth, që ishin më të varfër dhe më të paditur se ne, u kthyen në Islam dhe nga varfëria u shtuan dhe kërkuan të vijnë këtu. Një ditë kjo do të ndodhte, siç ndodhi. Me luftë ne nuk i mundim dot turqit. Në qoftë se nuk duam ta humbim atë që kemi trashëguar duhet të kërkojmë paqe, duke e ndarë qytetin me ta. Përndryshe ne do të na zbojnë dhe qyteti do t’u mbetet atyre. Kush nuk do vritet do syrgjynoset dhe po të më pyesni se kë zgjedh nga të dyja, nuk e di kush është më e hidhur.
Ky është nënshtrim, u hodh njëri nga burrat. Ne jemi shumë afër fitores. Myslimanët janë akoma të dobët dhe nuk kanë shumë armë dhe ne mund t’i përzëmë nga qyteti. Marin Kurila donte t’i nxirrte ata nga këshilli dhe pastaj duke kontrolluar këshillin ne do t’ua kishim marrë atyre tokat dhe do t’i kishim dëbuar një herë e mirë nga Voskopoja. Paqja me ta nuk ka të ardhme sepse myslimanët asnjëherë nuk e kanë respektuar paqen me të krishterët, tha burri dhe disa të tjerë e përkrahën, por Isaku nuk i a të flisnin.
Rrebele
Rrebele
Moderator
Moderator

Numri i postimeve : 484
Registration date : 06/01/2009

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Ben Blushi "Te Jetosh Ne Ishull" - Faqe 4 Empty Re: Ben Blushi "Te Jetosh Ne Ishull"

Mesazh nga Rrebele Wed Jan 07, 2009 4:38 am

Ju jetoni në një ishull pa e ditur, filloi të fliste Isaku. Ishullarët janë njerëz të vetmuar dhe vetmia i ka bërë të mendojnë. Ata kanë vetëm një qëllim: sesi ta shpëtojnë ishullin e tyre nga stuhitë dhe pushtuesit. Për t’ia arritur kësaj, ata përdorin çdo dredhi dhe kur dredhitë nuk pinë më ujë përdorin luftën. Por lufta është arma e fundit që përdorin pasi i kanë ofruar të huajve paqen, qetësinë, strehimin dhe mënyrën e tyre të jetesës. Ka shumë udhëtarë që thonë se njerëzit e ishujve janë mikpritës. Në fakt, kjo është një dredhi që ata e kanë përsosur në mijëra vjet për të shpëtuar atë pak tokë që kanë nga deti dhe piratët. Ishullarët kanë një rregull. Ata i pranojnë të huajt dhe njerëzit që vijnë nga deti vetëm në qoftë se këta mësojnë notin. Pas notit ata u mësojnë të huajve peshkimin, pastaj i tregojnë si të ndërtojnë varka dhe anije, pastaj sesi të gatuajnë peshkun, pastaj sesi të ngrenë diga për të zbutur egërsinë e detit që kafshon ishullin, pastaj sesi të presin gjatë dimrit duke u ushqyer me durim dhe pastaj sesi gjatë verës të ruajnë ushqim edhe për dimrin tjetër. Kur i huaji i ka mësuar të gjitha këto, ai pa e kuptuar është bërë një ishullar. Dhe ky ishullar i ri, pa e kuptuar, ka vetëm një qëllim: se si të ruajë të pavarur ishullin e vet duke përdorur mjeshtërinë që të tjerët i mësuan atij. Voskopoja është një ishull i krishterë, i cili i ka shpëtuar deri sot pushtimit duke përdorur këto dredhi. Myslimanët këtu janë si të huaj. Në qoftë se i sulmon, ata do të sulmojnë sepse deti i ka hedhur në ishull dhe ata nuk mund të kthehen më pas. Luftën e fiton më kollaj ai që do të shkatërrojë, sesa ai që do të mbrojë. Të shkatërrosh është më e lehtë se të mbrosh dhe prandaj turqit deri më sot kanë pasur vetëm fitore në tokat tona. Njeriu që mbron është i kujdesshëm siç jemi ne, sepse ai nuk do që duke luftuar rrugët të prishen, shtëpitë të digjen, kishat të zbrazen dhe pasuritë të vidhen. Ai që shkatërron nuk i mendon këto sepse ai nuk ka asnjë ndjenjë për tokën që ka vendosur të pushtojë. E do me çdo kusht atë copë tokë, me shtëpi apo pa shtëpi, me kisha apo pa kisha, me njerëz apo pa njerëz. Në qoftë se ne vazhdojmë luftën, dashuria që kemi për qytetin, për çdo gur dhe sokak ku jemi rritur dhe jemi bërë burra do të na bëjë më të dobët. Myslimanët nuk kanë akoma dashuri për Voskopojën dhe ata janë gati të shkretojnë çdo gjë vetëm që të mbeten këtu. Ata e dinë se një qytet i shkatërruar është më mirë se mali apo fusha nga kanë ardhur dhe ku ata duhet të kthehen, në qoftë se humbin. Prandaj, miqtë e mi, unë them se ne duhet të sillemi si ishullarët. Duhet ta shpëtojmë ishullin tonë nga zhdukja, duke i mësuar të huajt të jetojnë dhe të sillen si ne. Duhet t’i bindim ata të besojnë se ne kemi vendosur t’i ndajmë pasuritë dhe artin tonë me ta. Në këtë mënyrë fëmijët e tyre do shkojnë në shkolla, ata do mësojnë se toka është ushqim i trupit dhe perëndia është një burim i shpirtit, do mësojmë zanatet tona, do bëhen bakërxhinj, këpucarë, sapunxhinj, jorganxhinj, kërcimtarë dhe në fund do bëhen voskopojarë. Kur t’i kenë mësuar të gjitha këto, ata nuk do kenë më interes të shkatërrojnë qytetin e tyre, por përkundrazi do luftojnë bashkë me ne për të mbrojtur sepse kështu do të mbrojnë shtëpitë dhe pasuritë e tyre.
E di që ju duket e pamundur dhe e padenjë, por unë shoh që tani ditën kur myslimanët do luftojnë për të mbrojtur kishat tona. Fëmijët e tyre do jenë ngrohur si zogjtë nën lëvozhgën e vezëve të ashkës dhe në verë kryqet e kishave do t’u bëjnë hije pleqve të përvëluar nga vapa. Le të mendojnë se Islami i tyre ngroh një jorgan, por unë jam i bindur se krishterimi ynë i begatë do t’u duket si një jastëk, mbi të cilin koka çlodhet duke parë ëndrra të bukura me bollëk dhe lumturi. Myslimanët e Voskopojës janë akoma si të huajt në ishull. Janë të egër, të hutuar dhe të uritur. Vetëm një gjë nuk mund ta pranojnë ata: të kthehen prapa duke rrezikuar të zhyten në thellësinë dhe pabesinë e detit. Në qoftë se u jep për të ngrënë, i jep një strehë dhe i mëson notin, ata do zbuten dhe do punojnë për të pasur ato që ne i kemi dhe që ata nuk i kanë, sepse nuk mund t’i sillnin me vete nëpër det.
Por ka edhe diçka tjetër. Myslimanët e Voskopojës janë shqiptarë siç jemi edhe ne. Gjyshërit e tyre kanë qenë të krishterë, por fshatrat ku ata kanë jetuar nuk kanë pasur pasurinë dhe diturinë e Voskopojës dhe prandaj ata u bënë myslimanë duke besuar se Islami do t’u jepte atë që u mungonte. Sot janë më të varfër, por nuk mund të kthehen më pas sepse Islami është shteti dhe shteti është ushtria dhe ushtria është forca dhe forca është trupi dhe trupi është shpirti dhe shpirti është Islami. Ata janë myslimanë, por akoma nuk janë turq. Në qoftë se ishullarët do t’i zbonin të huajt, ata e dinin se piratët do t’i merrnin ata dhe bashkë me ta do vinin të pushtonin ishullin. Në qoftë se ne i zbojmë shqiptarët myslimanë nga qyteti ata do shkojnë te turqit dhe të gjithë bashkë do vijnë dhe do na zbojnë ne nga Voskopoja. Kjo do të ishte një luftë e humbur. Kështu kanë gabuar shumë burra të mençur përpara nesh, pa e kuptuar se duke i quajtur turq, shqiptarët myslimanë, në fakt, i kanë hedhur ata si armë në duart e turqve. Me ato duar turqit kanë luftuar dhe kanë pushtuar fshatrat dhe qytetet tona. Në të vërtetë shqiptarët kanë luftuar kundër shqiptarëve dhe njëra palë besonte se luftonte kundër turqve, ndërsa pala tjetër ngushëllohej se luftonte kundër grekëve. Kësisoj nuk ka mbetur asnjë pëllëmbë Shqipëri dhe kujtdo që fitonte i thuhej se fitoi si turk dhe kujtdo që humbte i thuhej se humbi ngaqë ishte grek. Voskopoja nuk është një ishull ku turqit luftojnë me grekët. Voskopoja është një tokë ku shqiptarët akoma nuk kanë arsye të luftojnë me shqiptarët. Familja ime ka pesëqind vjet që ka luftuar me turqit dhe ka mbetur shqiptare sepse ka mësuar artin e të jetuarit në ishull. Siç ju thashë, në ishull, duhet të dish të presësh të kalojë dimri duke u ushqyer me durimin tënd. Kur vjen pranvera, deti zbutet, qielli pastrohet dhe trupi i çlodhur e ushqen shpirtin e menduar. Atëherë njeriu e kupton se po të kishte dalë në det në dimër, ndoshta nuk do të ishte kthyer më në shtëpinë e tij dhe dallgët do ta kishin nxjerë në breg me sy të mbushur me rërë, që nuk e shijojnë dot diellin që shkëlqen dhe lartësohet. Ja pra, pse ia vlen të durosh, sepse turqit nuk janë një dimër i përjetshëm. Ata kanë ndaluar përkohësisht në ishullin tonë. Do hanë, do pinë, do vjedhin, do rrëmbejnë, do mbjellin rrënjët e Islamit aty ku toka e pranon dhe pastaj do t’i hipin anijeve dhe do ikin. Rrugës do mbyten në det nga gjithë kjo peshë dhe ne do ta shijojmë këtë mrekulli në bregun e ishullit tonë. Pastaj do kthehemi në qytet dhe do pastrojmë rrugët, oborret, tavernat dhe shkollat. Tokën e shkelur do ta rimbjellim prapë, siç kemi bërë në shekuj.
Rrebele
Rrebele
Moderator
Moderator

Numri i postimeve : 484
Registration date : 06/01/2009

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Ben Blushi "Te Jetosh Ne Ishull" - Faqe 4 Empty Re: Ben Blushi "Te Jetosh Ne Ishull"

Mesazh nga Rrebele Wed Jan 07, 2009 4:38 am

Isaku pushoi, ndërsa sytë jeshilë i shkëlqenin si një gjethe në mëngjes. Burrat e tjerë nuk folën më dhe nisën të largohen një nga një. Duke dalë, njëri prej tyre, i cili ishte poet i tha: Nëse Marin Kurila ishte naiv, ti je romantik. Romantikët shkruajnë poezi në mes të luftës dhe prandaj humbin. Por unë zgjedh romantikët sepse në poezitë e tyre humbësit kanë gjithmonë të drejtë.
Në qoftë se bën një poezi për mua, shkruaj që do doja të jetoja në një ishull ku njerëzit lindin duke e ditur notin, siç dinë të shohin pa ua mësuar njeri, tha Isaku dhe buzëqeshi. Nuk e di a ka mbetur më letër për poezi në këtë qytet, tha poeti dhe u largua.
Isaku doli të nesërmen nga shtëpia pa pelerinën e bardhë. Pranvera kishte ardhur dhe ai ndjeu këmishën t’i largohej nga trupi si për t’i ikur nxehtësisë së mishit. Ishte një nga ato ditë të gjata pranvere që duken të shkurtra kur mendon për të punuar, por që asnjëherë nuk mjaftojnë për të mbaruar një punë. Kur filloi të ecte në rrugicën ku kishin vrarë Marin Kurilën, dielli ishte ngritur mbi pullaze dhe ai e ndjeu të nxehtën në faqe. Një djalë i vogël doli me vrap nga shtëpia dhe pas tij u duk e ëma që e thirri: Marin mos harro shallin. Është vapë, i tha djali dhe duke vazhduar të vraponte shtoi: mësuesit nuk na kërkojnë më ta mbajmë shallin të lidhur në qafë. Gruas i mbeti shalli i kuq në dorë dhe kur pa Isakun ajo e mblodhi shallin në grushtin e vet, sikur po fshihte një dëshmi. Isaku vazhdoi dhe në fund të rrugicës pa disa nga shokët e tij që po bisedonin, ndërsa shallet i vareshin mbi supe. Në Voskopojë duhet të hapen shkolla për të rriturit, mendoi ai dhe i thirri. Ata u mblodhën dhe Isaku i tha t’i grisnin shpalljet me dhjetë masat që ishin varur në të gjitha lagjet e qytetit. Djemtë panë njëri-tjetrin në sy dhe u shpërndanë duke i ndarë mes tyre lagjet ku do të shkonin. Njerëzit mblidheshin të habitur dhe djemtë me shall të kuq u thoshin se masat kanë ndryshuar dhe se në qytet mund të dilet edhe pas orës gjashtë të mbrëmjes. Shokët e Isakut morën karrocat e disa tregtarëve dhe nisën të pastrojnë rrugët nga kufomat e kafshëve, gurët dhe mobiliet e hedhura nga ata që kishin ikur. Trau i madh në hyrje të qytetit u hoq dhe bashkë me të edhe pirgu i gurëve që kishte bllokuar lagjen e të huajve.
Isaku shkoi te Grigor Jermonaku dhe i kërkoi të shtypte një lajmërim të ri. Nuk ka më letër për të mbuluar Voskopojën, tha murgu duke e parë Isakun me mosbesim. Më duhet letër për ta zbuluar Voskopojën, tha Isaku. Grigori nuk e kuptoi dhe Isaku i tha se ishte vendosur që dhjetë masat të ndryshonin. Shkruaj, i tha dhe filloi të fliste:
1. Voskopoja është pronë e gjithë qytetarëve të vet. 2. Të gjithë janë të lirë të dalin kur të duan dhe pa kufizim në Voskopojë. 3. Dyqanet dhe tavernat hapen për të gjithë. 4. Të gjithë fëmijët e Voskopojës pranohen në shkollë. 5. Mësuesit duhet t’i mësojnë fëmijëve se trazirat në qytet ndodhën për shkak të anulimit të zgjedhjeve. 6. Asnjë burrë nuk lejohet të dalë i armatosur në rrugë pa lejen e Këshillit të qytetit. 7. Lirohen nga burgu të gjithë ata që janë aty, pas fillimit të trazirave. 8. Në Voskopojë qytetarët janë të lirë të shesin dhe të blejnë çdo mall që u duhet. 9. Këshilli i qytetit do të përbëhet nga katërmbëdhjetë anëtarë. 10. Zgjedhjet për Këshillin e qytetit do të mbahen për një muaj.
Grigor Jermonaku u ngashërye dhe ia shtrëngoi duart e ftohta Isakut. Ti i hape dyert e Voskopojës dhe tani engjëjt do kthehen prapë në qytet, tha Grigori. Mund të kthehen kur të duan madje edhe pas orës gjashtë, foli Isaku dhe iku.

Të nesërmen, dhjetë masat e reja u varën nëpër mure, aty ku masat e vjetra kishin lënë një njollë djerse. Njerëzit u mblodhën për t’i lexuar dhe fëmijët filluan të vrapojnë duke i thënë prindërve të tyre se rrugët ishin hapur dhe oraret kishin ndryshuar. Isaku doli nëpër lagje dhe i tha njerëzve se tani ata duhet t’i ktheheshin punës, kishës, shkollave dhe tregtisë dhe se mund të shkonin prapë në taverna. Furrat e bukës u hapën dhe disa tregtarë morën karvanët dhe u hodhën në Korçë për të blerë miell, kripë, verë dhe ilaçe. Rrugicat u pastruan dhe studentët nisën të mbushin tavernat pas mesnate. Krismat në qytet ishin rralluar megjithëse nga lagjja e të huajve dëgjoheshin herë pas here të shtëna gjatë natës. Isaku shkoi vetë në shkollë dhe i pyeti mësuesit nëse fëmijët e lagjes së të huajve kishin filluar të vinin. Akoma jo, i tha njëri nga mësuesit. Nuk u ka dalë frika dhe mendojnë se kjo është një hile për t’i nxjerrë ata nga lagjja dhe pastaj për t’i ndëshkuar e për t’i dëbuar fare nga qyteti. Myslimanët thonë se nuk mund t’i besojmë nipit të Marin Kurilës.
Isaku mori disa nga shokët e tij dhe shkoi në burg. Dhjetë djem me shalle të kuq rrinin te dera dhe Isaku u kërkoi çelësat. Hapi derën dhe i tha atyre që ishin brenda të dilnin. Një nga një, njerëzit e palarë dhe të pangrënë dolën në diell duke mbajtur duart mbi sytë e pamësuar nga drita. Në krye të tyre qëndronte një burrë i gjatë me flokë të verdhë të ndara në mes, i cili kur doli jashtë, zbathi këpucët, përveshi pantallonat, u ul në gjunjë dhe filloi të falej. Pas tij u falën edhe burrat e tjerë. Ndërkohë që ata faleshin, disa nga shokët e Isakut kthyen kurrizin për të mos i parë, por ai i bëri shenjë dhe ata u kthyen prapë duke dëgjuar në heshtje fjalë arabisht që nuk i kuptonin. Isaku priti sa u mbaruan dhe kur burri i gjatë u ngrit duke pastruar gjunjët ai e pyeti si quhej.
Unë jam Sali Benishi, tha burri pa e parë Isakun në sy. Je i lirë të shkosh në shtëpi, tha Isaku. Mund t’i dërgosh fëmijët e tu në shkollë dhe të punosh për të fituar bukën tënde. Askush nuk do të të burgosë, nëse nuk vjedh dhe nuk vret. Thuaji të gjithëve se në Voskopojë asnjëri nuk burgoset se është mysliman.
Burri ngriti kokën, por çehrja e tij e verdhë nuk ndryshoi. Të krishterët na burgosën, por Allahu na shpëtoi, tha Sali Benishi. Unë i falem vetëm atij. Falu, por mo sharro të punosh, në Voskopojë ka vend edhe për Zotin tënd, tha Isaku dhe u largua. Sali Benishi mbeti në këmbë dhe Isaku ndjeu mbi kurriz sytë e tij të ftohtë që iu ngulën si thikë.
U kthye dhe i tha: Do takohemi prapë Sali Benishi.
Rrebele
Rrebele
Moderator
Moderator

Numri i postimeve : 484
Registration date : 06/01/2009

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Ben Blushi "Te Jetosh Ne Ishull" - Faqe 4 Empty Re: Ben Blushi "Te Jetosh Ne Ishull"

Mesazh nga Rrebele Wed Jan 07, 2009 4:39 am

Brenda disa ditësh, Voskopoja u pastrua nga pluhurat dhe filloi të shkëlqente. Pranvera dhe masat e reja i kishin çelur njerëzit që zgjoheshin herët dhe flinin vonë. Gratë i lanë rrugicat e pista duke derdhur ujë me kova dhe vajzat i kruan një nga një gurët e ndotur të kalldrëmeve.
Një të premte në drekë, një karvan i madh me sapun mbërriti në qytet pas shumë muajsh. Gratë u sulën te depot e sapunit dhe u kthyen në shtëpi me mësallat të mbushura me kallëpe të verdhë, të prerë në formë kutish. Për disa ditë gjithë qyteti mbajti era sapun. Gratë i zhveshën burrat dhe fëmijët e tyre dhe i detyruan të rrinë në shtëpi derisa ato të lanin rrobat dhe pastaj t’i thanin, duke i nderur në diell. Burrat e zhveshur nga këmishët dhe pantallonat dilnin në dritare dhe prej andej bisedonin me njëri-tjetrin. Krahët lakuriq u vareshin në majë të avllive, ndërsa këmbët pa pantallona dukeshin më të dobëta. Megjithëse të zhveshur, ata nuk i ndërprenë bisedat dhe duke folur me njëri-tjetrin në distancë u bërtisnin grave, të cilat ishin përkulur mbi rrobat e tyre në oborr duke hequr me sapun, me ujë dhe me shkumë djersët e thara të kohës së trazirave. Fëmijët ishin më të paturpshëm. Ata vazhduan të dilnin në rrugë me brekët e tyre të gjata, të cilat, kur rrëzoheshin, u griseshin duke u nxjerrë në shesh mollaqet e kuqe të rrumbullakëta. Kur burrat dolën pas dy ditësh, këmishët, xhaketat, jelekët dhe pantallonat e tyre dukeshin si të reja. Si njerëz të etur që sapo kanë dalë nga deti, ata u sulën nëpër taverna, por, megjithatë, era e verës nuk e mundi dot erën e sapunit që vazhdoi gati për dy javë të shponte hundët e Voskopojës.
Pasi i lanë dhe i thanë burrat, gratë u lëshuan nëpër livadhe duke mbledhur myshk. E këpusnin filizin e njomë me dy gishta dhe pluhuri që ngrihej në ajër u zbriste mbi flokë dhe në gushë dhe nga larg ato dukeshin si hije bojëvjollcë. Isaku i shikonte nga dritarja e shtëpisë dhe ato i ngjanin si një pikturë me flutura që ushqehen pas gjumit të dimrit.
Qyteti ishte i qetë. Tregtarët i kishin mbushur depot me mall, ndërsa zanatçinjtë i mbushën dyqanet me njerëz. Meshat e pashkës së prillit kishin nisur dhe priftërinjtë këndonin liturgjitë duke shkundur hundët nga myshku i rrobave të grave që bënin kryq me kryet përmbysur. Shalli i kuq i marin Kurilës ishte ende i varur mbi kryqin e madh të katedrales nga ku mund të shihej prej çdo shtëpie. Të huajt dhe myslimanët i kishin kthyer fëmijët nëpër shkolla, por këta nuk i mbanin kurrë shallet e kuq në qafë. Një mik, që priste djalin te dera e shkollës, i kishte thënë Isakut se fëmijët myslimanë dalloheshin sepse ishin të gjithë pa shall. Ditën që gruaja ia lau shallin, djali i tij nuk pranoi të shkonte në shkollë. Më quajnë mysliman, i kishte thënë të atit.
Ndërkohë, shokët e Isakut i kthyen mobiliet dhe orenditë që kishin marrë nga shtëpitë e braktisura. Isaku dilte çdo ditë nëpër qytet dhe rrugët i dukeshin më të mëdha. Ai takonte njerëz, i jepte dorën grave që pastronin sokakët, bisedonte me burrat dhe luante me fëmijët. Këta e ndiqnin nga pas dhe i kërkonin t’u tregonte pisqollat. Nuk më duhen, thoshte Isaku dhe djemtë i shikonin me habi. Në Voskopojë gjahu i njerëzve është i ndaluar. Fëmijët nuk e kuptonin Isakun dhe ai përfitonte nga stepja e tyre dhe vazhdonte rrugën. Në darkë shkonte në tavernë ku mblidheshin shokët e tij, studentët dhe poetët. Riti i recitimit mbi tavolina ishte rikthyer dhe vera e bënte leximin më ritmik. Poetët ishin të vetmit që kishin përfituar nga ditët e trazirave dhe tani mbanin radhë nëpër taverna, për të lexuar vargjet që kishin shkruar kur rrugët ishin mbushur me kufoma kafshësh dhe kur qielli ndizej nga krismat e natës.
Një natë, poeti që e kishte quajtur romantik, iu afrua Isakut me një gotë verë në dorë, me këmishë të zbërthyer dhe me balluket e gjata që i mbulonin sytë. E kam bërë atë poezinë me ishull, tha ai, por e kam bërë për vete dhe jo për ty. Në ishull ka vend për të gjithë ata që dinë not, ia ktheu Isaku duke i hedhur dorën mbi sup. Ta recitoj, e pyeti poeti dhe Isaku afroi një karrige dhe i bëri shenjë shokëve që të pushonin. Poeti hipi mbi karrige dhe dikush i afroi një qiri. Taverna u errësua, ndërsa koka e poetit ndriçoi si një diell i varur në tavan. Poeti qëndroi një çast pa folur dhe diku ngriti dorën lart dhe filloi:

Jam ulur mbi diell
dhe shoh ishullin e shpirtit tim,
hëna ndriçon kur ishulli fle.
Jam ulur mbi hënë
dhe prek ishullin e trupit tim,
një vashë vizaton mbi rërë një njeri që noton.
Jam ulur mbi ishull
dhe shquaj detin që tund veten në djep,
dallgët ngrihen mbi hënën që mbytet
dhe njeriu shtrihet mbi rërë si kryq.
Jam ulur mbi kujtimet e mia
dhe shoh veten mbi det,
mësova notin për të ardhur në ishull,
e harrova, për të mos ikur.
Jam ulur mbi det
dhe shoh ishullin tim,
sa e pamundur të jetosh në ishull,
sa bukur të vdesësh atje.
Poeti fshiu buzët, si për të zhdukur një gjurmë që mund të kishte lënë aty poezia, zbriti nga karrigia dhe u ul. Kishte dalë nga rrethi që ndriçonte qiriu dhe tani ishte në errësirë. Isaku ngriti dorën dhe qirinjtë u ndezën. Poeti rrinte i mbështetur në karrige dhe krahët i ishin varur poshtë si një të mbyturi. E bukur, por e dhimbshme, tha Isaku. Zbrit nga hëna se atje nuk ka vend edhe për ty edhe për Muhamedin dhe hajde të notojmë bashkë në një gotë verë. Poeti ngriti kokën dhe tha: Unë jam i mbytur, si të notoj? Ti ke shpëtuar sepse ke ardhur në ishull, u përgjigj Isaku dhe i zgjati gotën e verës. Por poeti nuk e pa gotën sepse sytë i kishte të mbuluar nga balluket ose ndoshta ngaqë nuk e kishte mendjen atje. Dora e Isakut mbeti e zgjatur në ajër dhe poeti tha: Të dy kemi ardhur në ishull, por ti ke ardhur për të jetuar, ndërsa unë për të vdekur.
Isaku u ngrit, e përqafoi dhe i afroi gotën te buzët. Atë natë poeti piu deri në harrim. Kur e çuan në shtëpi duke e mbajtur në krahë, para se të flinte ai tha: Sa bukur të vdesësh në ishull.
Rrebele
Rrebele
Moderator
Moderator

Numri i postimeve : 484
Registration date : 06/01/2009

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Ben Blushi "Te Jetosh Ne Ishull" - Faqe 4 Empty Re: Ben Blushi "Te Jetosh Ne Ishull"

Mesazh nga Rrebele Wed Jan 07, 2009 4:39 am

Ato ditë shumë familje u rikthyen në qytet. Por jo të gjithëve u kishte dalë frika nga ditët e trazirave. Shumë prej tregtarëve kishin ikur në Korçë dhe atje kishin marrë shtëpi duke vazhduar tregtinë. Por Korça ishte një treg armiqësor për voskopojarët. Atje, turqit vendosnin për çdo gjë. Tregtarët që ktheheshin tregonin se Korça i ngjante Voskopojës në ditët e trazirave. Pazari ishte i mbushur me baltë ku të zhyteshin këmbët gjer në gju, ndërsa lypësit vidhnin dhe i shponin thasët me thika. Turqit zgërdhiheshin dhe u kërkonin tregtarëve para për çdo kafshë të ngarkuar me mall. Në mbrëmje, rrugët ishin të pasigurta dhe vajzat e gratë nuk mund të dilnin të vetme. Tregtarët që u kthyen i thanë Isakut se në Korçë flitej se turqit kishin vendosur t’i jepnin fund pavarësisë së Voskopojës dhe se ata po armatosnin fshehurazi myslimanët për t’i përgatitur për sulmin. Që kur trau në hyrje të qytetit ishte hequr, karvanët që vinin në qytet nuk kontrolloheshin më. Djemtë me shall të kuq i kishin thënë Isakut se burrat e maskuar si murgj që kishin vrarë rojat ishin kthyer në qytet të ngarkuar me armë që i kishin shpërndarë në lagjen e re. Myslimanët po armatosen, i tha një nga djemtë Isakut. Duhet t’i mbajmë armët dhe të rinisim kontrollet në qytet.
Por Isaku kundërshtoi. Qyteti po rilind, tha ai. Kjo rilindje është fryt i besimit. Njerëzit po kthehen në punë, burat po vazhdojnë tregtinë, fëmijët shkojnë në shkollë, gratë ndjekin meshat dhe myslimanët nuk kanë frikë. Të gjithë besojnë se Voskopojës mund t’i kthehet shkëlqimi që ka pasur. Ne i kemi thënë njerëzve që Voskopoja do të jetë një qytet pa armë dhe ata na kanë besuar. Por në qoftë se ne i ndryshojmë dhjetë masat atëherë edhe të krishterët edhe myslimanët do ta humbin besimin te ne dhe do na quajnë një bandë që kërkon të zaptojë qytetin. Duhet t’i qetësojmë njerëzit derisa të mbahen zgjedhjet dhe kur të ngrihet Këshilli i ri të gjithë do binden si më parë.
Ishte mesnatë. Isaku hodhi vështrimin nga dritarja dhe pa sesi qielli mbi lagjen e myslimanëve mbushej me zjarre, të cilat ushqeheshin me barutin që shpërndanin tytat e armëve të panjohura. Isaku nuk lëvizi, por ndjeu se ato rrufe, që vinin nga toka dhe jo nga qielli, po i vrisnin sytë. Megjithatë mbeti ashtu pa lëvizur derisa shokët e tij u larguan një nga një nëpër natë. Ai i shikonte si ecnin nëpër rrugicë, me kokat ulur dhe duart e gjata, që dukeshin si armë të pambushura.

Isakun e zgjuan në të gdhirë dhe i thanë se muret e qytetit ishin mbushur me disa vizatime të profetit Muhamed. Isaku u mbath shpejt nëpër gjumë dhe doli bashkë me diellin. Para se të nisej futi dy pisqolla në brez. Muret e bardha, afër lagjes së myslimanëve, nxinin. Ata që i kishin vizatuar duhej të kishin duar të shkathëta dhe të stërvitura me portrete njerëzish.
Fytyra e Muhamedit ishte e njëjta me të gjithë vizatimet, por pozicionet e trupit ishin të ndryshme. Flokët i kishte në ngjyrë të çelët dhe të ndara në mes, ndërsa hundën e kishte të gjatë dhe veshët të vegjël. Faqet dukeshin të mbushura, si të një njeriu të ushqyer mirë. Sytë e profetit ishin të vegjël dhe shkëlqenin si ato të dikujt që bën një pyetje duke e ditur se tjetri nuk e di përgjigjen.
Në vizatimin e parë, Muhamedi i kishte hipur mbrapsht një deveje të dobët dhe të lodhur, ndërsa në dorë mbante një gotë verë të mbushur plot. Deveja tundej, por vera nuk derdhej dhe profeti e shtrëngonte gotën fort me gishtërinjtë e tij të mbushur me unaza. Mbi kokë kishte një çallmë ngjyrëvjollcë, që ishte një bojë të cilën piktorët e qytetit e nxirrnin nga fletët e thara të myshkut. Muhamedi buzëqeshte nga muri dhe dukej sikur thoshte: Deveja tundet pa u dehur.
Disa hapa më tutje ishte një vizatim më i madh. Profeti ishte shtrirë shend e verë në kurriz dhe ishte i zhveshur nga mesi e lart. Tri gra e ledhatonin duke parë me smirë njëra-tjetrën, si rivale. Njëra prej tyre, që dukej më e re, i fërkonte barkun, tjetra i mbante me kujdes këmbët e zbathura dhe e treta i kishte afruar gojën e hapur te veshi, sikur diçka i pëshpëriste kundër dy grave të tjera. Kjo grua dukej dhe më e lumtur dhe profeti në atë çast i ishte dedikuar asaj, por pa harruar kënaqësinë që i vinte nga fundi i barkut dhe nga këmbët. Çallma e profetit ishte po ajo, por ngjyra e saj vinte në të verdhë si ngjyra e shkretëtirës dhe nga kjo kuptohej se ngjarja zhvillohej në natyrë dhe jo brenda një shtëpie. Nga të tri gratë, ajo që i fërkonte barkun ishte më e re dhe shumë e bukur, por nuk arrinte dot të fshihte xhelozinë kur shikonte që dora e saj nuk i jepte profetit zjarrminë që i jepte veshi i njomur nga gjuha e gruas tjetër. Gruaja që zgjatej te këmbët kishte një nishan në faqe dhe flokë të gjatë dhe të zinj që i derdheshin mbi trup, ndërsa e treta, ajo që i fliste në vesh kishte gjinj të mëdhenj që i kërcenin mbi këmishën e zbërthyer dhe një dorë e Muhamedit ishte drejtuar atje, por pa arritur t’i kapte dot. Muhamedi, megjithëse i shtrirë, dukej me pak bark, por shpatullat i kishte të mëdha dhe mbi gjoks qimet i ishin ngritur gjithë epsh.
Mbi një mur tjetër, në cepin e një shtëpie në të cilën banonte një kazanxhi i vjetër, profeti Muhamed ishte vizatuar duke ecur në një rrugë, nga dy anët e të cilës dalloheshin minare të vogla. Binte shi, por profeti mbante një pe të gjatë në dorë, me të cilin kishte lidhur një re të zezë që e tërhiqte nga pas, si një çadër. Poshtë minareve ishin fshehur njerëz, të cilët, duke u qullur nga rrebeshi, shikonin profetin që bënte shëtitje në shi, pa u lagur, duke e tërhequr renë pas vetes si një dele që ecën në qiell.
Rrebele
Rrebele
Moderator
Moderator

Numri i postimeve : 484
Registration date : 06/01/2009

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Ben Blushi "Te Jetosh Ne Ishull" - Faqe 4 Empty Re: Ben Blushi "Te Jetosh Ne Ishull"

Mesazh nga Rrebele Wed Jan 07, 2009 4:39 am

Vizatimi tjetër tregonte profetin duke lexuar Kuranin. Ai ishte kërrusur mbi librin dhe sytë e tij shikonin mbi kapak sikur donin t’i bënin një pyetje kalimtarësh. Muhamedi dukej i zgjuar, por dinak. Mbi kapakun e librit shkruhej: KURANATA, që Isaku e lexoi ngadalë si: Ku ra nata? Ne të gjithë e dimë përgjigjen, tha njëri nga shokët e Isakut pasi e lexoi pyetjen me zë. Isaku nuk fliste dhe vazhdonte të shikonte fytyrën e Muhamedit. Se me kë ngjan, mendoi dhe u kthye për të parë edhe një herë të gjithë vizatimet, por burri që lexonte Kuranin nuk i ngjante asnjërit prej Muhamedanëve të tjerë, të cilët nuk dukeshin dinakë, por të kënaqur dhe shumë të shpenguar.
Kishte zbardhur dhe njerëzit kishin nisur të dalin nga shtëpitë. Disa gra u mblodhën përpara vizatimit ku Muhamedi ishte me tri gratë e tij dhe filluan të qeshnin. Isaku u largua dhe dëgjoi gratë që shikonin Muhamedin, ndërsa njëra prej tyre i tha shoqeve: Me se i ushqen kaq shumë gra?
Deri në mesditë vizatimet i kishte parë shumica e burrave dhe grave në qytet. Ata mbanin radhë dhe shtyheshin me bërryla duke hapur rrugën drejt vizatimeve. Fëmijët e vegjël futeshin në mes të të rriturve dhe pasi iknin u tregonin të tjerëve ato që ata akoma nuk i kishin parë për shkak të dyndjes. Pasdite u hap fjala se një grup myslimanësh të armatosur po vinin te vizatimet. Njerëzit vrapuan të hyjnë nëpër shtëpi dhe burrat qëndruan pas dyerve, ndërsa gratë shikonin rrugën të fshehura pas perdeve. Isaku i tha shokëve të tij t’i linin myslimanët të afroheshin, pa i penguar. Kur rruga mbeti bosh, një zhurmë hapash të rëndë u ngrit mbi lagje dhe tridhjetë burra të armatosur, në krye të të cilëve qëndronte Sali Benishi, mbushën rrugicat e ngushta.
Sali Benishi i kaloi vizatimet një nga një duke shtrënguar dhëmbët dhe në fund pështyu në tokë dhe ngriti kokën drejt qiellit. Të prishen, i tha shokëve dhe iku. Burrat morën gurë dhe hekur dhe nisën të prishin trupat dhe fytyrat. Gota me verë dhe libri i profetit u zhdukën që në fillim dhe pastaj me radhë gratë, devetë, minaret, çallmat dhe shkretëtira.
Kur ra nata, KURANATA nuk dukej më mbi muret e gërvishtur që ngjanin si qilima të përdorur dhe të ngrënë nga mola. Siluetat e prishura të Muhamedit ndriçoheshin nga hëna dhe dukeshin si hije të gdhendura në mur. Sali Benishi nuk doli nga shtëpia. Burrat erdhën dhe i thanë se i kishin prishur të gjitha vizatimet. Ata rrinin këmbëkryq në dhomën e madhe të shtëpisë së tij, por Sali Benishi heshtte. Flokët e ndara në mes i kishin rënë mbi ballë dhe buzët e holla lëviznin vazhdimisht, sikur flisnin pa zë. Dikur ai ngriti kokën dhe tha: Nuk mjafton të vrasësh, duhet të dish pse. Burat e tjerë nuk folën dhe ai thirri dy prej tyre dhe i tha të niseshin për në Korçë për të takuar një hoxhë. Kur ata dolën, Sali Benishi mbeti vetëm.
Nata mbuloi qytetin. Nën lehjet e qenve të rrugës, Voskopoja dukej edhe më e vetmuar. Sali Benishi dëgjoi një copë herë piskamat e shpeshta që vinin nga rruga dhe qentë iu dukën më të frikësuar se në netët e tjera. Duket sikur po i ndjek hija e profetit, mendoi. Fiku qirinjtë e dhomës ku flinte dhe u shtri bashkë me hijen e tij.

Kur ishte i vogël, në fshatin e tij buzë malit kishte mësuar të zhdukte hijet.
Shtrihej në tokë dhe hija fshihej poshtë trupit të tij. Bëhej njësh me pemën dhe hija hynte në lëvoren e trashë dhe nuk dilte prej andej, derisa ai të lëvizte gishtin. Kridhej në përrua dhe hija mbytej në ujë dhe pastaj dilte e lagur dhe e mërdhirë për ta ndjekur lakuriq në kërkim të diellit. Gjatë ditës, ai priste me durim, si një orë natyrore, çastin kur dielli dhe hëna ndriçonin njëkohësisht. Atë moment në botë nuk kishte asnjë hije. Ai rrinte mbi një pllajë të vogël mbi fshat dhe shikonte oxhaqet e lartë, minaren e fshatit, kafshët që ktheheshin nga kullotat, arrat e mëdha që ngriheshin mbi muret e trashë, burrat e veshur me të zeza që dilnin për namazin e darkës dhe gratë që rrinin në oborr duke larë plloçat e verdha të pasdites. Të gjithë dukeshin të vetmuar. Hijet i kishin braktisur. Dielli dhe hëna nuk i lëshonin rrugë njëri-tjetrit dhe hija e njërit asgjësonte hijen e tjetrit. Ai ngrinte kokën lart si një ujk që kërkon një sinjal dhe priste me durim hijen e tij. E dinte se, pas pak, ajo do të afrohej në drejtim të kundërt me hënën dhe pasi t’i hynte në trup dhe të merrte formën e tij do të dilte prej andej e hollë, opake dhe e bindur për ta ndjekur deri të nesërmen në të njëjtën orë, kur do të zhdukej prapë pasi të kalonte nga dielli te hëna.
Pse e ka bërë Zoti hijen, e kishte pyetur një ditë një shoku i tij. Që të na provojë se në botë ka dritë, i tha ai. Po si zhduket hija, kishte vazhduar shoku. Kur botën e ndriçojnë dy drita njëkohësisht atëherë hija zhduket sepse ajo nuk mund t’i shërbejë dy padronëve në të njëjtën kohë. Zoti është një dhe në botë nuk mund të ketë dy drita. Po pse kur dielli dhe hëna janë mbi qiell hijet zhduken, kishte pyetur shoku. Në këtë kohë gjithë hijet e botës shkojnë nga dielli te hëna dhe derisa vazhdon ky kalim, mbi tokë nuk ka asnjë hije, kishte thënë ai. Ka ndonjë trup pa hije në botë, kishte vazhduar shoku. Po, tha ai duke ngritur kokën lart. Tri gjëra nuk kanë hije. Zoti, të vdekurit dhe fëmijët në barkun e nënës. Po pse këta të tre nuk kanë hije, pyeti shoku. Sepse këta të tre nuk i sheh dot askush.
Dielli po binte ngadalë mbi horizont dhe ai i tha shokut të kthehej me fytyrë nga hëna. E ndien si po të hyn hija në trup, e kishte pyetur. Jo, i kishte thënë djali. Ndiej vetëm një ftohtësirë mbi lëkurë. Janë këmbët e hijes, kishte thënë ai. Ajo ecën lakuriq mbi lëkurën tënde, i merr erë, pastaj mat gjatësinë, peshën, moshën, numëron gishtat, qimet e flokëve, largësinë e veshëve nga hunda, trashësinë e qafës, gjerësinë e shpatullave dhe boshllëkun mes këmbëve dhe pasi i lexon të gjitha këto, del nga trupi pa bërë asnjë gabim. Hija është sipërfaqësore. Asaj nuk i duhet sa herë rreh zemra jote, a është i mbushur stomaku yt, a marrin frymë mushkëritë, a kanë ujë veshkat e tua dhe a mendon koka jote apo jo. hija ka vetëm dy përmasa: gjatësi dhe gjerësi. Ajo nuk ka thellësi dhe nuk tregon nëse je i gëzuar apo i trishtuar, i kamur apo i varfër, i ngrënë apo i pangrënë, i drejtë apo i mbrapshtë, i krishterë apo mysliman, punëtor apo dembel, i mençur apo i metë, i qetë apo nevrik, i martuar apo beqar. Hija tregon vetëm nëse je i gjallë apo i vdekur. Hija është i vetmi vizatim në botë që ecën. Të gjitha vizatimet e tjera mbeten siç janë bërë, ndërsa hija lëviz dhe ndryshon, sepse hija është vizatimi që na bën Zot sa herë që na sheh. Zoti na sheh pa pushim dhe prandaj hija nuk na ndahet. Zoti nuk na sheh më kur ikim nga kjo botë dhe prandaj kur vdesim nuk kemi hije. Zotit i mjafton që jemi gjallë prandaj vizatimi i tij nuk tregon nëse jemi mirë apo keq, nëse jemi të lumtur apo të mërzitur, nëse jemi të ushqyer apo të uritur, të nginjur apo të etur, besimtarë apo të pafe. Zoti na ka sjellë në jetë, por jetën duhet ta rregullojmë vetë. Ai e ka bërë hijen tonë si një vizatim pa ngjyra, ndërsa vizatimet e tjera që bëjnë njerëzit kanë ngjyra dhe ato rrëfejnë lotët, të qeshurën, mërzinë, shpresën, varfërinë, unazat, dhëmbët, krenarinë, poshtërimin dhe besimin.
Shoku e dëgjonte me sy të mbyllur, i kthyer me fytyrë nga hëna. Hapi sytë, i tha ai. Djali hapi sytë dhe pa hijen që i rrinte pas. Fshati, poshtë këmbëve të tyre, ishte errur dhe hija e minares së gjatë përplasej mbi hënën. Dielli ishte zhdukur dhe ata zbritën në fshat.
Rrebele
Rrebele
Moderator
Moderator

Numri i postimeve : 484
Registration date : 06/01/2009

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Ben Blushi "Te Jetosh Ne Ishull" - Faqe 4 Empty Re: Ben Blushi "Te Jetosh Ne Ishull"

Mesazh nga Rrebele Wed Jan 07, 2009 4:40 am

Ai kishte mbetur jetim kur ishte shumë i vogël. Të atin nuk e kishte njohur. E ëma shkonte për dru në pyll dhe e merrte me vete. Nën zhurmën e sëpatave ai shihte të ëmën si dobësohej, si i bëheshin duart me kallo dhe flokët që i zbardheshin. Ajo vdiq në pyll. Një barë dru e zuri mbi vete dhe i mori shpirtin. Atë e rriti gjyshi që e çonte në pyll të mblidhte shkarpa dhe kur u forcua filloi t’i priste vetë drutë, t’i barabiste dhe t’i sillte në fshat, në fillim me krahë dhe pastaj me mushka. Një ditë u zu me disa djem më të rritur nga fisi më i madh i fshatit. Ata e zhveshën dhe e goditën me stape të gjatë në trup. Nga goditjet, i rrodhi gjak nga hundët dhe i mbeti një shenjë në kurriz. Kur plaga u mbyll në mes të shpatullave i mbeti një shenjë, në formë molle. Plaka që e mjekoi ia pa vragën e tharë dhe i tha gjyshit se djali kishte në shpinë shenjën e profetit. Kur vdiq dhe gjyshi, ai mbeti vetëm. Bënte dru për të tjerë dhe ushqehej keq. Fisi më i madh i fshatit kishte zaptuar shumicën e pyllit dhe nuk i linte të tjerët të prisnin dru.
Kur mbeti pa pyll, ai hyri në punë te Hatixheja, një grua e ve, e cila kishte trashëguar disa ngastra pyll nga i shoqi që kishte vdekur. Ai ngrihej herët, shkonte në pyll, priste dru dhe kur kthehej në fshat pastronte oborrin e shtëpisë së vejushës, ushqente kafshët dhe flinte në haur. Hatixheja bleu disa parcela dhe pylli i saj u rrit. Ajo filloi të shiste dru në qytet dhe i besoi atij karvanët me mushka. Ai mori disa djem të vegjël që bënin dru dhe vetë shkonte në qytet hipur majë mushkave, në dimër dhe në verë. Ato vite bëri shumë ftohtë dhe çmimi i druve u rrit. Karvanët u shtuan dhe Hatixheja bëri para me të cilat e zgjeroi shtëpinë dhe i tha atij një dhomë të vogël me një mangall që ngrohte muret e bardha dhe këmbët e tij të lagura dhe të djersitura nga rruga.
Hatixheja ishte pesëmbëdhjetë vjet më e madhe se ai. Kur kishte qenë e re ishte mbajtur si një grua e bukur, e bëshme, me vithe të gjera dhe me gjinj të kërcyer. Tani flokët i ishin thinjur pak te tëmthat, por lëkura ishte ende e pastër dhe sytë e zinj e tregonin edhe më të ndjeshme. Ishte nga ato gra, të cilat e kthejnë moshën në pjekuri dhe pjekurinë në nxehtësi. Kur ai ngarkonte karvanët herët në mëngjes, Hatixheja dilte në dritare me një këmishë të bardhë, e cila i hapej pak duke i treguar qafën e bardhë dhe gjinjtë e fryrë nga vetmia. Ai e shikonte dhe fërkonte mushkat që ngroheshin nga dora e tij. Kur kthehet, pas disa ditësh, ajo e priste dhe në sytë e saj ai lexonte boshllëkun e një nate të gjatë në një krevat me dy jastëkë ku prehej vetëm një kokë.
Një natë ai erdhi vonë, i lagur dhe i lodhur nga rruga. Mangallin e gjeti të ndezur. Hoqi këpucët, çorapet e qullëta, nderi këmishën mbi stol dhe u fut në rroba. Këmbët i kishin ngrirë dhe hijet e prushit që digjej luanin si diej druri mbi tavan. Kur u hap dera, ai ishte zgjuar. Një hije e bardhë u afrua te shtrati dhe u fut brenda. Ishte Hatixheja. E ngrohtë dhe e rrumbullakët ajo iu afrua dhe ai ndjeu frymën e saj të nxehtë në qafë. Ajo nuk foli, por zgjati dorën e butë dhe ia vuri në mes të këmbëve. Sali Benishi dëgjoi gjakun e tij që nisi t’i gurgullonte në vena duke ia forcuar trupin e flashkët. E zhveshi gruan shpejt dhe futi kokën në sqetullën e saj si kaçube, plot qime të gjata dhe të lagura nga djersa. Nuk ishte shtrirë kurrë mbi një grua, por instinkti e drejtonte si një deve të etur që kërkon gjurmën e ujit nën lëkurën e shkretëtirës. Hatixheja lëvizte nën peshën e tij si një kodër rëre që ndryshon formë, derisa zbutet, drejtohet, shtrihet, derdhet, epohet, harkohet dhe pastaj humb lartësinë në një fushë të gjerë dhe të ngrohtë. Ai ecte mbi kodrat dhe fushat e trupit të Hatixhesë, gjersa, më në fund, gjeti një oazë të pyllëzuar, u ngul atje dhe piu sa u ngop. Në atë freski, trupi iu lag, e uji i rrodhi në qafë, në gjoks dhe nëpër këmbë. Hatixheja, e lëshuar, kishte hapur kanalet e saj të thara dhe të përvëluara nga vitet, si një tokë që pas shumë kohësh njomet nga shiu. Kur ritmi i valles së Sali Benishit ishte qetësuar, Hatixheja hapi gojën e dirsur dhe tha: Po digjem, por nuk dua të shuhem.
Për tri ditë nuk u ngritën nga krevati. Mangalli digjej ngadalë dhe prushi nën çarçafë ia përcëllonte kaçubën e vaditur Hatixhesë. Sali Benishi zbriste zbathur poshtë në kuzhinë dhe aty merrte turshi, djathë, qumësht, mollë dhe reçel me bajame dhe të dy hanin mbi shtresa. Ajo qëronte mollët dhe thithte turshitë që zbrazeshin si llastikë të shpuar e që pastaj Sali Benishi i kafshonte deri në rrëzë dhe farat e vogla shpërndaheshin mbi jastëk. Pastaj ai e shuante djegësirën e turshive me qumësht të ftohtë që i derdhej mbi gjoksin e ashpër dhe që aty kërcente mbi gjinjtë e fortë dhe të lartë të Hatixhesë. Ai fuste gishtin në pjatën me reçel bajameje dhe ia lyente asaj buzët që shkëlqenin në errësirë si një luleshtrydhe që del nga ferra. Një natë, kur atë e kishte zënë gjumi, ajo e zgjoi dhe i tha: Nuk do t’i hipësh më mushkave se ato nuk pjellin. Tani, ti je kali im. Sali Benishi uli kokën mbi barkun lakuriq të gruas dhe iu duk sikur pa hijen e një fëmije që hante turshi.
Pas tri javësh u martuan. Fshati u habit dhe fisi më i madh u tall me Sali Benishin dhe hapën fjalë se ai e mori Hatixhenë për samar, ndërsa ajo u martua me një kalë. Por Hatixheja ishte një grua e fortë dhe e pasur dhe fshati nuk guxoi ta përfliste për një kohë të gjatë. Natën e dasmës ajo e mbajti qiriun të ndezur dhe ai e shikonte sesi ajo i hiqte një nga një tylet e bardha, këmishën, brezin, çorapet e mëndafshta dhe të brendshmet derisa tulet e saj, ende të forta dhe të disiplinuara, lëshuan një erë parfumi që e mbushi dhomën. Ai i tha ta shuante qiriun, por Hatixheja nuk pranoi dhe, kur ai u shtri mbi bark duke djersitur, ajo i kaloi dorën mbi shenjën e mollës në mes të shpatullave dhe i tha: Profeti im, deveja jote mbarsi oazën time dhe në vend të pemëve mbiu një njeri.
Pas nëntë muajsh lindi një djalë. Karvanët shkonin në qytet me dru dhe ktheheshin me para. Pylli i Hatixhesë rritej dhe ata merrnin fshatarë të tjerë që prisnin dru dhe i ngarkonin. Shtëpia u zgjerua me dhoma të mëdha dhe Sali Benishi ftonte miq, kushërinj dhe vëllezërit e tij për darka dhe ziafete. Për disa vjet lindën katër vajza dhe një djalë tjetër dhe shtëpia u mbush. Ai luante me fëmijët që kishin lindur dhe Hatixheja i kishte gjithnjë gjinjtë e fryrë nga qumështi që i linte njolla të freskëta mbi këmishë. Fisi më i madh i fshatit vazhdonte të fliste me maraz dhe karvanarët e tyre, kur ndesheshin rrugës, kthenin kokën nga ana tjetër, ndërsa mushkat, si për të respektuar të zotët, shtynin me barqe njëra-tjetrën
Rrebele
Rrebele
Moderator
Moderator

Numri i postimeve : 484
Registration date : 06/01/2009

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Ben Blushi "Te Jetosh Ne Ishull" - Faqe 4 Empty Re: Ben Blushi "Te Jetosh Ne Ishull"

Mesazh nga Rrebele Wed Jan 07, 2009 4:40 am

Një ditë dimri, nëntë mushka të ngarkuara me dru, bashkë me dy karvanarë rrëshqitën dhe ranë në greminë. Malli i atij viti humbi dhe dy burrave dhe mushkave iu gjetën kockat vetëm kur shkriu dëbora, por ujqit i kishin copëtuar dhe askush nuk i njohu më. Sali Benishi i tha Hatixhesë se këtë punë e kishte bërë fisi më i madh për t’u prishur tregtinë e drurëve dhe për t’u marrë klientët në qytet. Një natë, Sali Benishi nuk u kthye në shtëpi dhe kur erdhi në mëngjes i tha Hatixhesë se e kishte rrëzuar në humnerë karvanin e fisit më të madh. Dymbëdhjetë mushkat ishin shtyrë njëra pas tjetrës në dëborë dhe kishin përfunduar në fund të malit. Ulërimat e kafshëve të tmerruara nuk iu shqitën nga veshët Sali Benishit për tri javë. Por fisi më i madh i kishte dalluar gjurmët e Sali Benishit në dëborë dhe pas kësaj filloi lufta. Ata ishin një fis i madh dhe bura të armatosur bllokuan rrugët që lidhnin fshatin me qytetin dhe nuk lejuan më që karvanët e Hatixhesë të kalonin. Dimri ishte i ashpër dhe stivat me dru mbushën oborrin e shtëpisë. Sali Benishi i shikonte nga dritarja e dhomës dhe shtrëngonte dhëmbët. Ishte i pafuqishëm.
Atë dimër, djali i madh u sëmur dhe vdiq nga ethet. Në fshat u hap fjala se ai kishte një sëmundje të keqe dhe askush nuk shkeli në shtëpinë e tyre për shumë kohë. Hatixheja i rrinte fëmijëve te koka dhe Sali Benishi mbushte mangallin me dru të vegjël për të ngrohur dhomat. Kur dimri iku, rrugët u hapën nga dëbora, por njerëzit e fisit të madh nuk e hoqën ndalimin. Sali Benishi mori një natë një nga mushkat e tij të forta dhe u nis. Burat e ndaluan në dalje të fshatit, por ai nuk u lëkund. Më lini të kaloj, tha dhe i grahu mushkës. Por ata e shtynë dhe ai ra nga mushka e koka iu përplas pas një guri. Kur u përmend e pa veten gjithë baltë në prehrin e Hatixhesë, e cila i vinte lecka me raki në ballë dhe këmbët ia kishte mbështjellë me velenxë të mbushur me mollë të shtypura. Sali Benishi nuk mbante mend çfarë i kishte ndodhur, por fliste në jerm dhe i thoshte Hatixhesë se kishte shumë ftohtë. Ajo i hidhte velenxa mbi trup dhe i shtrydhte raki te tëmthat e tendosur. Një natë Sali Benishi u zgjua dhe i tha Hatixhesë se ai kishte qenë në një shpellë dhe atje kishte parë një engjëll që i tregonte disa shkronja të mëdha të gdhendura në muret e saj. Por ai nuk dinte të lexonte dhe nga sikleti i kishte dalë gjumi. Hatixheja e mbuloi Sali Benishin që fjeti tri ditë rresht pa lëvizur. Herë pas here buzët e tij hapeshin dhe dukej sikur ai habitej nga diçka që shikonte në gjumë. Shtatë javë, Sali Benishi nuk doli nga shtëpia. Fliste shumë pak dhe fjalët që thoshte i kombinonte dhe ato dukeshin si porosi që nuk i drejtoheshin askujt, por nga pak të gjithëve. Dukej sikur lexonte fjalët e engjëllit në muret e shpellës. Fliste për pyjet, për drurët, për zogjtë, për bimët, për barërat, për ujin, për erën, për dëborën, për freskinë, për hënën, për kafshët, për macet, për kuajt, për gratë dhe fëmijët. Unë jam guri që i mungon shtëpisë për të mbaruar, thoshte dhe i kërkonte Hatixhesë qumësht. Një ditë, ai kishte dalë në dritare dhe po shikonte në oborr Hatixhenë që bisedonte me një karvanar të ri, mustaqet e verdha të të cilit sapo kishin mbirë. Hatixheja iu afrua dhe karvanarit të ri i mbetën sytë te gjinjtë e saj të fryrë dhe të kërcyer. Kur ajo hyri në shtëpi, Sali Benishi i vrenjtur ishte mbuluar me një velenxë dhe tha: Ti do mbulohesh sepse sytë e zbuluar të burrave kanë lënë gjurmë në trupin tënd. Hatixheja vuri një shami në kokë dhe këmishën nuk e zbërtheu më kurrë.
Drutë mbetën edhe ca kohë në oborr derisa u dogjën për të ngrohur shtëpinë. Sali Benishi nuk doli më në pyll për dru dhe në shtëpi nisën të mungojnë buka, mielli, turshitë dhe djathi. Hatixheja e mërzitur vendosi ta shiste pyllin te fisi më i madh, por ata i thanë se nuk u duhej dhe ajo ia shiti një familje tjetër me një çmim shumë të ulët. Djali tjetër, i vogli, vdiq pas dy vjetësh nga të njëjtat ethe si djali i madh dhe Hatixheja nuk doli më nga shtëpia. Sali Benishi i tha të iknin nga fshati sepse aty nuk mund të jetonin më, por ajo nuk pranoi dhe u shtri e sëmurë derisa vdiq në krahët e tij.
Kur e varrosi gruan, Sali Benishi ia hoqi shallin nga koka, e krehu dhe ia zbuloi pak këmishën mbi gjinjtë e mëdhenj dhe të bardhë. I mori erë sqetullave të saj dhe qau. Lotët e tij të djegur ranë mbi gjoksin e Hatixhesë dhe u thanë duke nxjerrë një aromë molle të pjekur. I dërrmuar nga vetmia, me katër vajza të vogla që silleshin nëpër shtëpi duke veshur me radhë rrobat dhe këpucët e Hatixhesë, Sali Benishi ra prapë në jerm. Një shoku i tij karvanar, që i kishte qëndruar besnik familjes, Bari Bakri u kujdes për të dhe i solli ushqime dhe mollë të shtypura që ia vinte te këmbët, siç kishte bërë Hatixheja për ta sjellë në vete. Një natë, Sali Benishi u zgjua dhe u nis te shtëpia e fisit të madh. Në errësirë, turrat e druve ngriheshin mbi muret e lartë të shtëpisë. Ai ndezi zjarr duke pjekur dy gurë stralli pas një lecke të thatë dhe të vaisur dhe e hodhi mbi dru. Zjarri e mbuloi gjithë fshatin atë natë. Njerëzit dilnin nga shtëpia dhe i hidhnin velenxa dhe ujë me kazanë druve, por për dy ditë zjarri nuk u shua, duke e shkrumbuar shtëpinë e vjetër të fisit të madh.
Sali Benishi u fsheh atë natë në shtëpinë e Bari Bakrit. Duhet të ikësh nga fshati, i tha ai. Ata do të të gjejnë dhe do të të vrasin. Të nesërmen, kur akoma hiri i shtëpisë rrinte si një re mbi fshat, ai i çoi vajzat te vëllezërit e tij dhe vetë u kthye në shtëpi për të bërë gati mushkat dhe plaçkat. Kur u ngjit në pllajë, u kthye dhe pa fshatin. Ishte pasdite dhe dielli e hëna ndriçonin njëkohësisht.
Koha më e mirë për t’u nisur. Po ta ndiqnin, nuk do t’ia gjenin dot hijen.
Rrebele
Rrebele
Moderator
Moderator

Numri i postimeve : 484
Registration date : 06/01/2009

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Ben Blushi "Te Jetosh Ne Ishull" - Faqe 4 Empty Re: Ben Blushi "Te Jetosh Ne Ishull"

Mesazh nga Rrebele Wed Jan 07, 2009 4:40 am

Pas pesë ditësh ishte në Voskopojë.
Ishte viti 1761 dhe myslimanëve u jepej strehim në qytet, sepse ata vendosnin për shumicën e votave në këshillin e të katërmbëdhjetëve. Zuri punë pranë një tregtari që shiste dru në Korçë dhe atij i eci puna dhe e ndihmoi Sali Benishin të gjente një shtëpi. Në qytet ai u miqësua me myslimanët e tjerë dhe i jepte atyre porosi, të cilat i vinin atij në gjumë nga një zë i panjohur. Ndryshe nga fshati i tij, këtu e besonin. Voskopoja ishte një qytet i krishterë dhe myslimanët jetonin me shpresën se në këtë qytet një ditë do të kishin vendin e merituar. Burat mblidheshin në darkë pas punëve dhe Sali Benishi fliste gjatë për Zotin, për engjëjt, për lumenjtë, për të mirën, për të keqen, për zakonet, për gratë dhe për veshjet.
Pas disa muajsh, në Voskopojë, erdhi miku i tij Bari Bakri që i tha se në fshat fisi i madh e kishte kërkuar për një muaj në pyll ku mendonin se ai ishte fshehur, por nuk e kishin gjetur dot dhe kishin hapur fjalë se ai kishte rënë në humnerë dhe kishte vdekur nga e ftohta. Më mirë që besojnë se jam i vdekur, tha Sali Benishi. Sa isha gjallë nuk më besonin.
Bari Bakri kishte sjellë në Voskopojë edhe familjen e tij. Gruan, tri vajzat dhe një djalë. Pas vdekjes së Hatixhesë, Sali Benishi jetonte vetëm dhe shkonte pothuajse çdo natë në shtëpinë e Bari Bakrit ku dy burrat hanin dhe bisedonin duke djegur duhan të lirë, ndërsa fëmijët luanin.
Vajza e dytë e Bari Bakrit ishte fëmija më i dashur i shtëpisë. Quhej Aishe. Kur erdhi në Voskopojë ajo ishte dymbëdhjetë vjeç. Këshilli i të katërmbëdhjetëve, që në kohën e Johan Vulgarit, i kishte dhënë të drejtë fëmijëve myslimanë të ndiqnin shkollat dhe Aishja shkonte çdo mëngjes në klasën e vajzave. Ajo ngrihej herët, lahej, pastronte veshët, mblidhte flokët e zinj që i vinin deri në bel, ngrinte jakën e këmishës që e forconte çdo darkë me niseshte, lidhte një verore me pe jeshil dhe të verdhë në kyçin e dorës dhe nisej. Aishja ishte e zgjuar dhe shumë e bukur. Kur ecte nëpër kalldrëmet e lagjeve të krishtera djemtë mblidheshin duke e parë dhe ajo ecte ngadalë me sytë e përmbysur si për t’ua zgjatur atyre kënaqësinë. Në shkollë Aishja lexonte vjersha, mblidhte shumë shpejt numrat që pastaj i pjesëtonte, i zbriste dhe i shumëzonte.
Kur mbushi trembëdhjetë vjeç Aishja u zgjat me gati dy pëllëmbë. Nuk është më fëmijë, por një grua, i tha e shoqja Bari Bakrit. Ky e shihte vajzën, së cilës i ishin zgjatur gjymtyrët, kofshët i ishin bashkuar dhe gjinjtë e vegjël i ishin forcuar dhe i ishin kthyer në dy kodra të mbjella. Kur i lëshonte flokët e gjata, në shtëpi përhapej një erë e fortë myshku. Aishja përdorte një krem myshku bojëvjollcë, që shoqet e veta të krishtera e zienin dhe pastaj e përzienin me vezë derisa, duke u rrahur, bëhej i kaltër dhe me të lyenin flokët për t’i zbutur dhe për t’i shkëlqyer si astar. Kur Aishja lahej, të shtunave, era e myshkut dilte në oborr dhe gjithë mëhalla nuhaste vajzën që lahej. Nën sqetulla i kishin dalë ca qime të vogla të zeza si furçat që përdorte David Selenica për të ngjyrosur pranverën, ndërsa kur skuqej në faqe i nxinte një push i zi dhe shumë i ndjeshëm. Një ditë, Aishja doli nga banja lakuriq dhe kur e ëma e pa u habit dhe i tha të shoqit se vajza po rritej duke u larë dhe duke u fërkuar. Mos e lër të lahet kaq shpesh, i tha Bari Bakri.
Sali Benishi që tymoste duhan me Bari Bakrin, u deh një natë nga era e flokëve të Aishës kur kjo u solli kafenë në dhomën e bukës. Era e myshkut u përzje me erën e hidhur të kafesë dhe ai ndjeu një të prerë në stomak, pastaj djersë të ftohta i zbritën mbi mollën në mes të shpatullave dhe këmbët iu ftohën. Mbështeti kokën pas jastëkut të kadifenjtë që Bari Bakri e kishte sjellë nga fshati dhe e zuri gjumi.
Kur u zgjua, pa Bar Bakrin që i rrinte përballë me një tas të mbushur me copa mollë që pluskonin në uthull. Këpucët ia kishin zbathur dhe tëmthat i kishte të lagur. Çfarë kam bërë, e pyeti ai Bari Bakrin që e shikonte i prekur. Ke kërkuar një grua, i tha Bari Bakri. Më ke treguar gjithë natën si flije me Hatixhenë, si e zhvishje, si haje turshi me gjizë, si pije qumësht në krevat, si ia mbuloje gruas lëkurën me ajkë të trashë dhe shumë gjëra të tjera. Sali Benishi vuri bërrylat mbi jastëk dhe u zgjat nga Bari Bakri. Po për gjinjtë e Hatixhesë të rrëfeva, e pyeti. Bari Bakri e pa në sy, uli kokën dhe i zgjati një gotë qumësht të ftohtë.
Atë ditë, Sali Benishi nuk shkoi në punë dhe për tri javë nuk u takua me Bari Bakrin. I vinte turp dhe e shmangte rrugën e shtëpisë së tij. Pas pune, endej i vetëm në rrugët e Voskopojës dhe nganjëherë afrohej te tavernat e zhurmshme të studentëve, në lagjen e kazanxhinjve. Zgjaste kokën nga dritaret e vogla dhe në mes të tymit shikonte djem me këmisha të bardha që pinin verë të kuqe me pastërma dhe hipnin mbi tavolina duke recituar. Sali Benishi nuk dëgjonte dot se çfarë thuhej brenda, por, kur dera hapej dhe ai tërhiqej në errësirë që të mos e shihnin, studentët dilnin gjithë zhurmë dhe merrnin rrugën drejt një shtëpie të veçuar në lagjen e jorganxhinjve. Sa afroheshin atje, pushonin dhe qetësonin hapat. Sali Benishi i ndiqte dhe shihte se si ata trokisnin pesë herë duke numëruar me kujdes në portën e vogël, që pas pesë trokitjesh të rregullta e hapte një grua e bëshme dhe e shëndoshë, e veshur me tyl dhe me duart me unaza alumini. Qirinjtë e dhomave të shtëpisë fikeshin një nga një dhe kur studentët dilnin, Sali Benishi dëgjonte se si i tregonin njëri-tjetrit për gratë me të cilat kishin fjetur në shtëpinë e veçuar. Atëherë ai ndihej edhe më i vetmuar. Shkonte në shtëpi, zhvishej dhe futej në rroba. Derisa e zinte gjumi luante me hijet në tavan dhe kafshonte mollë të paqëruara.
Rrebele
Rrebele
Moderator
Moderator

Numri i postimeve : 484
Registration date : 06/01/2009

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Ben Blushi "Te Jetosh Ne Ishull" - Faqe 4 Empty Re: Ben Blushi "Te Jetosh Ne Ishull"

Mesazh nga Rrebele Wed Jan 07, 2009 4:41 am

Në një natë të tillë, u hap dera dhe në dhomë hyri Bari Bakri. Sali Benishi u ngrit dhe të dy burrat u ulën përballë njëri-tjetrit. E gjete gruan, e pyeti Bari Bakri. Nuk kam aq fat, u përgjigj Sali Benishi dhe lëvizi brenda këmishës së vet ët zhubrosur, sikur donte të ikte nga biseda. Por Bari Bakri ia nguli sytë fort dhe Sali Benishi e kuptoi se ai nuk kishte ardhur vetëm për t’i bërë një pyetje. Nganjëherë fatin e kërkojmë aty ku ai nuk është dhe harrojmë se ai ka formën e gjërave që njohim. E kërkojmë në pyll, por ai është në prush, e kërkojmë në qiell, e ai është në tokë, e kërkojmë në rrugë e ai është në shtëpi, e kërkojmë te Zoti, por ai është te njeriu, e kërkojmë te tjetri, por ai fshihet te ne. Ne mendojmë se fati është një gjë e panjohur, por në të vërtetë ai fshihet te gjërat e njohura. Ti po kërkon një grua të panjohur që të të rehatojë trupin, të të përkëdhelë barkun, të të qërojë mollën dhe të të pleqërojë duke ndezur mangallin e shpirtit tënd. Të kam parë se si endesh rrugëve i humbur duke kërkuar fatin në dyer që nuk hapen dhe që, në qoftë se hapen, janë rast, por nuk janë fat. Njerëzit e ngatërrojnë kollaj rastin me fatin. Rast është çdo grua që na del përpara në rrugë, ndërsa fat është gruaja që fusim në shtëpi dhe e mbajmë aty gjithë jetën. Rasti është një mollë që e gjejmë në shesh dhe e kafshojmë si të zilepsur për të shuar etjen që sjell rendja pa drejtim. Fati është një pemë që e mbjellim vetë, e ujisim, ia presim bistakët, e shartojmë, ia mbledhim gjethet e bardha, ia drejtojmë lastarin me një dru të fortë, ia mbledhim kokrrat me lëng, pastaj i qërojmë një nga një dhe këtë shije e kemi në gojë në fund të çdo dite, në fund të çdo viti deri në fund të jetës.
Kam ardhur të të them të martohesh me Aishen, tha Bari Bakri dhe fytyra iu bë e murrme, si një verë e vjetër që hapet para se të skuqet si uthull. Aishen, pyeti Sali Benishi dhe këmbët iu ftohën, ndërsa një erë myshku iu ngjit nga stomaku dhe i doli nga hundët. Aishja është më e vogël se vajzat e mia. Unë dua një grua, tha me gjysmë zëri dhe ndjeu që molla në mes të shpatullave iu lëngëzua. Aishja është një fëmijë që po bëhet grua, tha Bari Bakri. Ti ke rastin ta krijosh fatin tënd. Unë po të jap një pemë që e kam mbjellë vetë. Merre, mbille në bahçen tënde, krasite, drejtoje me forcë nëse të duket e shtrembër, pritja sythat që rriten si thonj të tepërt, shartoje me trungun tënd, mbuloje me lëkurën tënde nga ngrica e dimrit, mos lër njeri t’ia prekë lulet në verë dhe shumë shpejt nga degët e saj do dalin fryte të bukura që do të ta mbushin gojën me lëng kur t’i shijosh.
Aishja është bërë grua, tha Bari Bakri dhe uli kokën sikur t’i besonte tjetrit një sekret. Do bindesh kur ta lash.
Dy burrat mbetën pranë mangallit që po shuhej, deri në mesnatë. Bari Bakri fliste dhe Sali Benishi dëgjonte i mbështetur në jastëk, gjersa e zuri gjumi. Bari Bakri e mbuloi, shoi prushin e fjetur dhe iku.
Pas tri ditësh e solli Aishen në shtëpi. Sali Benishi qëndroi pas dritares dhe pa Bari Bakrin që ecte përpara dhe pas tij vinte e shoqja që mbante Aishen për dore. Këmbët e të treve ngjiteshin në shkallët e drunjta të shtëpisë derisa në korridor u ndanë dhe vazhduan në drejtime të ndryshme. Bari Bakri hyri në dhomën e Sali Benishit, ndërsa dy gratë në dhomën tjetër. Të trashëgoheni, i tha Bari Bakri dhe e puthi në faqe. Pas pak në dhomë hyri dhe gruaja e Bari Bakrit. Sytë i kishte të skuqur dhe shamia e flokëve i kishte rënë mbi supe. Sali Benishi u ngrit në këmbë dhe u drejtua nga ajo si një njeri që pret të mësojë se si përdoret dhurata që i kanë sjellë.
Gruaja e Bari Bakrit rregulloi shaminë dhe tha: Aishja nuk e pi qumështin. Para se të shkojë në shkollë do një vezë të zier me sheqer dhe në darkë çaj trëndafili, djathë dhe bukë misri të thekur. Kur i vijnë ato, hidhi limon në çaj dhe bëri supë me piper që t’i mblidhet barku.
Gruaja e Bari Bakrit fliste për ushqimet, për rrobat, për librat, për punët e shtëpisë, për ciklet dhe sëmundjet e Aishes dhe Sali Benishi përpiqej të tregohej i vëmendshëm, por era e kremit të myshkut që dilte nga dhoma tjetër e kishte shpërqendruar. Gruaja fliste me duart që i zgjaste nga vetja, si për të frenuar ankthin dhe kur mbaroi tha: Mos e lër të lahet shumë se do bëhet më e gjatë se ty dhe mos e prek me dorë pa u bërë katërmbëdhjetë vjeç. Sa vjeç është, e pyeti Sali Benishi duke kthyer kokën nga Bari Bakri. Para pesë muajsh mbushi trembëdhjetë, tha gruaja që i hodhi një sy dhomës, rrëmuja e së cilës nuk i pëlqeu.
Kur prindërit e Aishes ikën, Sali Benishi doli në dritare. Bari Bakri ecte përpara, ndërsa pas tij çapitej e shoqja që rregullonte shaminë që i binte vazhdimisht mbi sup. Pasi eci pak, ajo ktheu kokën dhe një lot i madh shkëlqeu në diell.
Sali Benishi u tërhoq në errësirën e dhomës së tij dhe u ul. Pas pak u ngrit dhe u afrua te dera. Zgjati veshin, por nga dhoma tjetër nuk vinte asnjë zhurmë. U kthye në shtrat dhe u mbështet mbi jastëkun e ri, të qëndisur nga Hatixheja, të cilin e kishte nxjerrë atë mëngjes nga sënduku i kujtimeve që kishte sjellë nga fshati. Vuri duart pas kokës, por i largoi prapë, se iu duk sikur i pengonin dëgjimin. U ngrit dhe shkoi te dera. E hapi ngadalë, por dhoma ngjitur ishte e shurdhët. U kthye dhe u ul prapë. Pastaj u çua dhe doli me hapa të vegjël duke ecur majë gishtave në korridor. Vuri veshin te dera e dhomës së Aishes, por përsëri nuk dëgjoi gjë. E mbështeti kokën në dërrasën e ashpër të derës, aq sa lëkura iu gërric te balli, por asnjë tingull nuk mbërriti deri te veshi i tij. Mbajti frymën dhe mbeti në majë të gishtave sa vetja iu duk si i varur në parvaz. U kthye në dhomë dhe u shtri duke e lënë derën pak të hapur. Natën lëvizte kokën mbi jastëk dhe zhurma e puplave ngrihej në tavan. Flokët e tij bënë hije të çrregullta në mur derisa atë e zuri gjumi.
Rrebele
Rrebele
Moderator
Moderator

Numri i postimeve : 484
Registration date : 06/01/2009

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Ben Blushi "Te Jetosh Ne Ishull" - Faqe 4 Empty Re: Ben Blushi "Te Jetosh Ne Ishull"

Mesazh nga Rrebele Wed Jan 07, 2009 4:41 am

Kur u gdhi, u ngrit, veshi një këmishë të pastër dhe të pazhubrosur, lau sytë, i ndau me vizë flokët në mes dhe zbriti në kuzhinë. Zjeu një vezë dhe e qëroi me kujdes lëvozhgën që e ciflosi lehtë me një majë luge. Veza e ngrohtë i djersiu në dorë kur ai ia preu pak majën dhe e kuqja doli si një kokë zoçke që ngrihet nga gjumi në mëngjes. E rregulloi vezën mbi një pjatë të pastër dhe mbushi një filxhan kafeje përgjysmë me sheqer. Nga sënduku i Hatixhesë tërhoqi një pecetë bojë rozë, të palosur katër herë dhe bashkë me pjatën dhe filxhanin i vendosi të gjitha në një tabaka prej druri. Futi dorën në xhep dhe nxori një çelës të madh që varej në një pe jeshil dhe e lëshoi në cep të tabakasë. U ngjit lart në majë të gishtave dhe e la tabakanë përpara derës së Aishes. Hyri në dhomën e vet dhe u mbështet te dera, të cilën e la të hapur aq sa dukej e kuqja e vezës që e ndriçonte korridorin si prush prej mishi.
Nga rruga vinin zërat e tregtarëve dhe zanatçinjve që niseshin për në punë dhe pak më vonë ai dëgjoi dhe fëmijët që dolën për në shkollë. Dera e dhomës u hap dhe ai pa Aishen që tërhoqi tabakanë brenda dhe pastaj doli në korridor e veshur me një këmishë nate të kaltër, që i mbulonte këmbët deri te kyçet. Ishte zbathur dhe flokët e lëshuara i dukeshin si një shall i zi. Ajo shkoi në banjë dhe ai dëgjoi një kovë me ujë që u derdh me forcë. Një erë myshku e mbushi gjithë shtëpinë dhe Sali Benishi u mbajt fort pas derës, si i dehur. Aishja u kthye në dhomë, me flokë të krehur drejt dhe këmishën të lagur pak, në mes të këmbëve. Ai dëgjoi zhurmën e një luge mbi pjatë dhe pastaj pa Aishen që doli nga dhoma dhe zbriti në rrugë. U afrua me shpejtësi te dritarja dhe e ndoqi me sy. Aishja kishte veshur një bluzë të verdhë leshi, me mëngë të gjata, një fund të zi, çorape të kuqe dhe flokët i kishte lidhur pas koke. Në qafë, i varej çelësi i madh që lëkundej si një kryq. Dy burra që po kalonin kthyen kokën, por Aishja vazhdoi të ecte derisa u zhduk pas kthesës. Sali Benishi shkoi në dhomën e saj dhe desh u përplas pas tabakasë që ishte derdhur gjithandej. Në një cep, ishte një bocë me rroba, ndërsa mbi krevatin e prishur ai pa një palë breçka të vogla që kishin një njollë të freskët ngjyrëtrëndafili. I ngriti dhe i fshehu poshtë jastëkut. Rregulloi krevatin, mori tabakanë dhe duke zbritur e hëngri vezën e mbetur.
Kur doli në rrugë, ktheu kokën në drejtimin që kishte marrë Aishja, por pa vetëm hijen e vet të madhe që zgjatej gjithë gunga mbi kalldrëm. Kur u kthye nga puna në mbrëmje, dera e shtëpisë ishte e hapur. U ngjit lart dhe vuri veshin te dera e Aishes, por nuk dëgjoi gjë. Pasi u zhvesh, theku bukë misri, zjeu çaj, mbushi dhe një pjatë me shegë dhe i la përpara derës. Kur u shtri, dëgjoi flokët e Aishes që fërfëllinë në korridor. Tabakaja me ushqime u zvarrit dhe dera u mbyll. Në mëngjes zjeu prapë vezë me sheqer dhe qëndroi në dritare kur Aishja doli për në shkollë. Flokët i kishte lëshuar dhe kishte mbathur çorape të shkurtra. Mishi i bardhë i pulpave të mbuluara me push dukej si i lyer me sheqer.
Për një javë Sali Benishi nuk foli me Aishen. I dukej vetja si një gjahtar, i cili mban një kanarinë në kafaz duke e ditur që po i foli asaj do t’i bien pendët dhe ai ka frikë ta shohë lakuriq. Ziente çdo mëngjes vezë dhe në darkë kur kthehej thekte bukë me çaj të nxehtë. Një ditë, kur erdhi nga puna dhe u shtri në krevat, dera e dhomës së tij u shty ngadalë dhe Aishja, e veshur me rrobat e shkollës, qëndroi në prag. Ai u ngrit mbi bërryla dhe u drejtua nga vajza. Pse e zien vezën aq lluqe, i tha ajo pa hyrë brenda. Sali Benishi nuk foli, por supet e tij lëvizën dhe molla në mes të shpatullave iu mbush me djersë. Aishja nuk priti që ai të përgjigjej, por vazhdoi: Mund të më bësh një supë me piper se më dhemb barku? Ai bëri të ngrihej, por u kujtua se ishte i zhveshur dhe mbuloi këmbët me jorgan. Aishja u kthye në dhomën e saj dhe ai u vesh dhe zbriti në kuzhinë. Kur supa ishte gati ai preu një fetë limon dhe e përzjeu disa herë. Pastaj hodhi pak piper dhe e provoi hidhësirën me një majë luge. U ngjit lart dhe trokiti në derën e Aishes. Ajo e hapi dhe Sali Benishi e pa për herë të parë nga afër. Kishte veshur këmishën e kaltër të natës, poshtë së cilës gjinjtë e vegjël dukeshin si dy mollë të fshehura nën çarçaf. Faqet i ishin skuqur dhe disa quka të kuqe i kishin mbirë si lule mbi mollëza. Sytë e Aishes ishin të zinj, ndërsa vetullat e trasha i ishin bashkuar në ballë. Veshët e bardhë i kishte shpuar dhe secili prej tyre kishte një gropë të vogël që dukej si nishan. Buzët e Aishes ishin të thara dhe Sali Benishi mendoi se vajza kishte ethe. I zgjati pjatën e supës. Ajo e mori dhe avulli iu ngjit në faqe dhe ia lëvizi pak flokët. Para se të mbyllte derën, Aishja ngriti kokën dhe tha: Nesër nuk do shkoj në shkollë. 
Kur erdhi vera, Aishja i hoqi çorapet e leshit. Shkonte në shkollë me sandale dhe këmishën e mbante të zbërthyer. Një ditë, kur ai u kthye në drekë, e gjeti në oborr duke luajtur me dy shoqe. Sali Benishi i përshëndeti dhe dy vajzat e tjera filluan të qeshnin kur Aishja pëshpëriti diçka që ai nuk e dëgjoi. Maji ishte i nxehtë dhe vajzat ishin djersitur duke vrapuar dhe i kishin përveshur llërët e këmishëve të bardha të shkollës. Fundet e shkurtra iu ngriheshin lart dhe Sali Benishi rrinte pas dritares dhe shikonte kofshët e tyre të pakujdesshme që zbuloheshin duke u rritur. Kur i përcolli shoqet, Aishja u ngjit lart dhe ai dëgjoi ujin që filloi të derdhej në banjë. Doli në majë të gishtave dhe afroi kokën te dera. Një erë e mirë sapuni i erdhi në hundë, ndërsa sfungjeri shqitej me zhurmë nga lëkura e djersitur e Aishes. Kur ai e shtyu derën, Aishja lakuriq ishte ulur mbi një stol duke fshirë krahët. Ajo u ngrit në këmbë dhe u mbështet pas murit, por nuk u mbulua dhe nuk dukej e frikësuar. Uji i rridhte në të gjithë trupin, ndërsa thithkat e zeza të gjinjve i ishin fryrë nga peshqiri që sapo i kishte fërkuar. Sali Benishi ndjeu një fryrje të padurueshme në mes të këmbëve dhe, duke shkelur mbi shkumë, e kapi vajzën me një dorë nga flokët dhe dorën tjetër e futi në mes të kofshëve të lagura. Një gisht iu thith nga një sfungjer prej mishi dhe mbeti aty. Aishja mjaulliu dhe e kafshoi fort në gjoks, por Sali Benishit kjo dhimbje iu duk si pickimi i kanarinës lakuriqe, mbi dorën e stërvitur të gjuetarit. Vajza qëndroi në ajër, me këmbë të hapura, duke u mbajtur me dhëmbë pas mishit të thatë si pastërma të Sali Benishit. Ajo nuk i shkëputi dhëmbët edhe kur Sali Benishi u fut i gjithi brenda saj dhe mbeti atje derisa një zhurmë prej veze lluqe të qëruar doli nga fundi i barkut të Aishes. Kur Sali Benishi u tërhoq, mbi lëkurën e tij të vjetër, dhëmbët e Aishes kishin vizatuar një kokërr arre. Shkuma e sapunit ishte bërë e kuqe dhe peshqiri dukej si një mjellmë e plagosur mbi ujë. Sali Benishi u fut në dhomë dhe të nesërmen iku në punë pa e zier vezën e Aishes. E ushqeva derisa u bë grua, mendoi me vete kur doli në rrugë.
Rrebele
Rrebele
Moderator
Moderator

Numri i postimeve : 484
Registration date : 06/01/2009

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Ben Blushi "Te Jetosh Ne Ishull" - Faqe 4 Empty Re: Ben Blushi "Te Jetosh Ne Ishull"

Mesazh nga Rrebele Wed Jan 07, 2009 4:41 am

Gjatë gjithë verës, Sali Benishi hynte çdo natë në banjën e Aishes kur binte mbrëmja. Vajza nuk fliste, por kafshonte kokrrën e arrës që zmadhohej dhe ngrihej si grusht mbi gjoksin e Sali Benishit. Peshqiri nuk skuqej më dhe kur Sali Benishi ikte Aishja fuste një sapun në vendin që ai kishte lënë bosh. Në mëngjes ajo zgjohej e para dhe bënte trahana me spec djegës dhe me vaj të djegur, ndërsa në darkë, pasi burri ikte nga banja, ajo vishej, zbriste në kuzhinë me shapka dhe piqte patëllxhanë me domate dhe mish viçi të grirë në një tigan balte që Sali Benishi e kishte kujtim nga Hatixheja.
Një ditë, gjatë trazirave të vitit 1764, Aishja erdhi nga shkolla me një shall të kuq në qafë. Cepat e shallit i mbulonin gjinjtë e rritur dhe Sali Benishi u vrenjt. Kush ta dha këtë shall, e pyeti duke parë nën vetulla. Ma dhanë në shkollë, tha Aishja. Është shalli i Marin Kurilës që do shpëtojë Voskopojën. Sali Benishit i ranë vetullat mbi sy. E ke takuar ti Marin Kurilën? Kaloi sot përpara shkollës dhe gjithë vajzat dolën në dritare për ta parë. Ishte shumë i bukur dhe i larë, tha Aishja dhe u fut në dhomën e saj. Në mbrëmje, kur Sali Benishi shkoi në banjë për të kryer detyrën e burrit të shtëpisë, Aishja ishte si gjithnjë lakuriq, por shallin nuk e kishte hequr nga qafa. Atë natë, Sali Benishit nuk iu përsërit fryrja e zakonshme dhe Aishja nuk e kafshoi më kokrrën e arrës.
Gjuetari dhe kanarina e kishin mendjen jashtë kafazit në rrugët e Voskopojës që kishin filluar të mbuloheshin me shalle të kuq. Aishja priti si çdo natë me këmbët hapur, por muskuli i Sali Benishit u shtri si një patëllxhan i fishkur mbi tigan. Kur u bë qull nga djersët e moshës dhe nga turpi i burrit, Sali Benishi u tendos dhe i tha Aishes: Kafsho, kafsho kanarina ime. Por Aishja nuk e kafshoi, si një kanarinë e ngopur me ushqimin e gjuetarit. Sali Benishi e shtyu dhe iku si një kafshë që i varet bishti përpara. I mbuluar me djersë, u fut në çarçafë dhe filloi të dridhej. Plaga e pangacmuar mbi gjoks i ishte ënjtur dhe ai e shtrëngonte fort, por ajo nuk dhembte dhe Sali Benishi rënkonte. Nuk fjeti gjithë natën dhe në mëngjes u ngrit dhe e priti Aishen te dera e dhomës. Kur ajo doli me shallin e kuq të lidhur në qafë, Sali Benishi e kapi fort nga flokët, i futi dorën poshtë shallit dhe ia shqeu. Aishes iu varën flokët mbi fytyrë dhe ai pa sytë e saj që shkëlqen nga egërsia. E mori shallin e grisur dhe u fut në dhomën e vet. Nga dritarja pa Aishen që ecte me kokën ulur, si një vajzë që sapo i kanë hequr perçen. 

Të nesërmen nuk e la më Aishen të shkonte në shkollë. Voskopoja filloi të vlonte nga fjalime e zjarrta të Marin Kurilës dhe Sali Benishi bashkë me disa myslimanë të tjerë, mblidheshin çdo natë në shtëpinë e Bari Bakrit. Natën që u vra Marin Kurila, Sali Benishi mbylli dritaren me batanije dhe e mori Aishen në krevatin e tij për herë të parë. Pse qëllojnë kështu, e pyeti vajza. Kanë vrarë Marin Kurilën, i tha ai. Ishte shumë i bukur, tha Aishja duke lexuar si horoskop shenjën që Sali Benishi kishte në kurriz. Ishalla nuk ia kanë prishur fytyrën.
Pas dy ditësh, Sali Benishin e futën në burg dhe Aishja mbeti vetëm për disa muaj. Shkoi të flinte në shtëpinë e Bari Bakrit dhe pasi krihej në mëngjes dhe i lyente flokët me krem dilte me shoqet në livadhet e myshqeve dhe kthehej pasdite. Ato kohë, fytyra i qeshte. Gjoksi iu rrit dhe pushi i këmbëve iu zgjat. Një natë u vonua shumë dhe Bari Bakri u nis për ta kërkuar. Muzgu i tetorit kishte rënë dhe ngjyrat e myshqeve ishin errësuar. Bari Bakri eci një copë herë, derisa në errësirë dalloi disa këmisha të bardha që lëviznin duke u përzier me njëra-tjetrën. U afrua dhe pa Aishen me dy djem më të mëdhenj se ajo me shall të kuqe. Vajza rrinte ulur dhe po puthej me njërin nga djemtë, ndërsa djali tjetër, me flokë të verdhë, kishte mbështetur kokën në prehrin e saj dhe i kishte futur një dorë poshtë fustanit. Kur Bari Bakri i thirri, djemtë u ngritën, ia dhanë vrapit dhe u zhdukën si hijet e tyre në muzg. Aishja rregulloi fustanin dhe eci në drejtim të të atit. Ç’po bëje ashtu, u çor Bari Bakri me sy të shqyer. Po mësoja fëmijët se si puthet, tha Aishja dhe mori për nga shtëpia. Mëkat, bërtiti Bari Bakri, ti je e martuar. Burri im nuk më puth, baba, tha Aishja dhe vazhdoi rrugën duke shkelur mbi myshqe. Bari Bakri nuk foli por e ndoqi nga prapa si ujku plak këlyshin e vet të pabindur.
Kur Sali Benishi doli nga burgu, e gjeti shtëpinë rrëmujë, të mbushur me pluhur dhe oborrin plot me barut të djegur. Pas një jave ai solli në shtëpi Xhuvrijen dhe dyshemetë filluan të shkëlqenin. Xhuvrija ishte një grua e krishterë në moshën e Sali Benishit. Ajo kishte qenë e martuar me një tregtar sapunësh, i cili u vra nga shokët e Marin Kurilës, i akuzuar si pjesëmarrës në vrasjen e tij. Shtëpia e saj u dogj dhe depot e sapunit të burrit u bastisën. Djali i vetëm studionte në Vjenë dhe nuk ishte kthyer më.
Sali Benishi e takoi një natë në një rrugë të errët ku ajo priste si mace e uritur një nga shokët e Marin Kurilës. Ç’po bën këtu grua, i tha. Po pres të vras vrasësin e burrit tim, tha gruaja. Jemi nisur në të njëjtën rrugë, tha Sali Benishi. Gruaja kishte flokë të zinj, qafën e kishte të zeshkët dhe në faqe i nxinte një nishan që lëshonte një hije në formë katrori. E pa Sali Benishin në sy dhe hëna e plotë ia zverdhi buzët e rreshkura. Kur i tregoi për burrin, për djalin, për djegien e shtëpisë, për vjedhjen e mallit dhe ditët që kishte kaluar duke u endur si jetime nëpër Voskopojë, Sali Benishit iu dhimbs. Plaga e Aishes mbi gjoks i ishte tharë dhe atij iu kujtua Hatixheja. Më mungon, por Zoti po ma zëvendëson, mendoi dhe nguli sytë mbi nishanin e zi që lëvizte i shqetësuar.
Rrebele
Rrebele
Moderator
Moderator

Numri i postimeve : 484
Registration date : 06/01/2009

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Ben Blushi "Te Jetosh Ne Ishull" - Faqe 4 Empty Re: Ben Blushi "Te Jetosh Ne Ishull"

Mesazh nga Rrebele Wed Jan 07, 2009 4:42 am

Si quhesh, e pyeti. Sofije, u përgjigj gruaja dhe rregulloi flokët si një pelë që ngre jelen, para se t’i vënë samarin. Hajde në shtëpinë time Xhuvrije, tha Sali Benishi dhe eci përpara. Je i martuar, e pyeti gruaja, duke e ndjekur. Jam i martuar me një fëmijë që ka nevojë për një nënë, tha Sali Benishi dhe shtoi: Unë jam mysliman Xhuvrije dhe mund të kem katër gra. Atë natë Xhuvrija fjeti në kuzhinë. Sali Benishi shkoi në dhomën e tij dhe nuk u fut në banjën e Aishes. Në mëngjes shtëpia dukej më e pastër. Xhuvrija kishte fshirë pluhurat, kishte larë tiganët dhe pjatat, i kishte hedhur ujë oborrit të djegur dhe i kishte skuqur Sali Benishit një mëlçi pule me gjalpë.
Aishja ishte zgjuar herët nga zhurmat e enëve që laheshin dhe kur pa Sali Benishin i tha: Na duhej një pastruese. Shtëpisë i duhej një grua dhe ty të duhej një nënë, tha Sali Benishi dhe zbriti shkallët duke ndjekur erën e mëlçisë. Xhuvrija solli disa mobilie që i kishin shpëtuar djegies nga shtëpia e saj. Shkallët i veshi me një qilim të gjatë me viza të kuqe dhe të zeza, mbi tavolinë vendosi një shandan argjendi dhe raftet i mbushi me enë porcelani që burri i saj i kishte blerë në Venedik. Solli dhe një sënduk të madh të mbushur me rrobat e burrit dhe ia dha Sali Benishit që i provoi një nga një, ndërsa Aishja qeshte dhe Xhuvrija i zgjaste çorapet e lara. Burri yt paska qenë i shkurtër, tha Aishja kur pa kyçet e Sali Benishit që dilnin jashtë pantallonave. Djali është më i gjatë se i ti, tha Xhuvrija dhe mbuloi nishanin me dorë.
Në darkë, Sali Benishi shkoi në takimin e zakonshëm në shtëpinë e Bari Bakrit i veshur me kostum të zi, me jakë të trashë dhe këpucë të pastra prej frëngu që kur i hoqi, lëshuan një erë të mirë që mbushi korridorin e Bari Bakrit. Pse je veshur si kaur, e pyeti gruaja e Bari Bakrit. Jam martuar me një grua të krishterë, tha Sali Benishi dhe e puthi Bari Bakrin e skuqur në faqe. Gruaja e Bari Bakrit doli nga dhoma, tërhoqi derën me zhurmë dhe pështyu mbi këpucët që ndriçonin hajatin e errët të shtëpisë.
Kur Sali Benishi e mori Xhuvrijen në dhomën e tij, pa se gjithë trupin e kishte të mbushur me nishane. Në kurriz tre nishane të mëdhenj formonin një yllësi, por kishte dhe nishane më të vegjël që ecnin në rresht pas njëri-tjetrit, deri te horizonti i hollë i belit të saj. Gjinjtë i kishin rënë dhe kërthiza kishte humbur nën palat e barkut. Por gruaja ishte e lehtë dhe punëtore dhe Sali Benishit nuk iu duk më vetja si një mësues i punëve të trupit. Duke ndjekur kalldrëmin e nishaneve në kurrizin e saj, Sali Benishi dëgjoi një zhurmë në korridor dhe një palë qerpikë që u ngjitën pas derës. Ndaloi dhe ngriti kokën. Duhet të jetë Aishja, tha Xhuvrija që rregulloi frymëmarrjen. Po mëson duke na parë. Sali Benishi qeshi dhe vazhdoi të ecte.
I shtrirë në krevatin e tij, Sali Benishi shikonte hijet dhe kujtonte ditët kur Voskopoja ishte më e qetë dhe Aishja lante trupin, ndërsa Xhuvrija lante shtëpinë. Vizatimet e profetit i silleshin si hije me ngjyra mbi tavan. Sidomos vizatimi ku profeti ishte i shtrirë dhe tri gra e përkëdhelnin ia kishte prishur gjumin. Ato tri gra dukeshin si gratë e tij. Hatixhja bujare me gjinj të mëdhenj, Aishja e re dhe xheloze dhe Xhuvrija e vuajtur me nishan në faqe. Nuk kishte rëndësi kush i kishte bërë ato vizatime. Kushdo qoftë, ajo dorë nuk kishte fyer vetëm profetin dhe duhej të pritej. E zuri gjumi me ngjyrat e vizatimeve në sy. Në dhomën tjetër, Aishja flinte, ndërsa Xhuvrija ishte zgjuar për t’i skuqur një mëlçi me gjak. 
Dy ditë më vonë në Voskopojë erdhi një hoxhë. Ai mbante një çallmë jeshile në kokë dhe ecte duke fshirë rrugët me xhyben që e ndiqte nga pas si bisht. Ishte një burrë i gjatë dhe i hollë dhe disa qime nën mjekër e tregonin edhe më të gjatë. Duke ecur, ai nuk i fliste askujt, por kalonte nëpër gishta një palë tespihe të verdha, rruazat e mëdha të së cilës dukeshin si hurma të vogla që lëviznin me shpejtësi.
Hoxha kaloi përpara katedrales, pastaj u fut në lagjen e armëtarëve dhe u drejtua nga lagjja e re. E dinte rrugën, a thua se kishte qenë edhe më parë në Voskopojë.
Fëmijët nuk kishin parë kurrë hoxhë. Ata e ndiqnin nga pas duke u përpjekur të gjenin sa gogla kishte tespihja e tij. Një djalë me shall të kuq i doli hoxhës përpara dhe i tha: Sa gurë ka tespihja jote? Hoxha ndaloi, ngriti tespihen mbi kokën e djalit dhe goglat u skuqën nga rrezet e diellit. Numëroji, tha hoxha duke ia afruar djalit tespihen. Ai i numëroi një nga një, por rruazat e lëmuara binin me shpejtësi mbi njëra-tjetrën dhe djali që e ndjeu se po ngatërrohej tha: Katërmbëdhjetë. Hoxha ia afroi edhe më shumë pranë fytyrës dhe duke fërkuar mjekrën e vogël tha: Numëroji prapë. Djali, që kishte nisur të djersitej nga sikleti, zgjati gishtin mbi tespihe dhe i kaloi rruazat edhe një herë duke shtrënguar mes gishtave çdo gur që numëronte, në mënyrë që ai të mos binte poshtë dhe të numërohej dy herë. Kur mbaroi, mori frymë dhe tha: Trembëdhjetë.
Po, tha hoxha, aq janë.
Pse janë trembëdhjetë, e pyeti një djalë tjetër që ishte afruar duke parë. Trembëdhjeta është numri i hurmës dhe hurma është fruti i Muhamedit, tha hoxha. Djemtë panë njëri-tjetrin në sy. Rreth tyre ishin grumbulluar shumë fëmijë të tjerë, ndërsa gratë kishin dalë nëpër dyer dhe dëgjonin. Kush është Muhamedi, pyeti një djalë i vogël të ëmën. Ai burri me tri gra që ishte vizatuar në mur, tha gruaja.
Hoxha bëri sikur nuk e dëgjoi dhe pyeti djemtë: Sa germa ka fjala hurmë? Pesë germa, u përgjigj djali me shall të kuq. Aq ka, tha hoxha dhe vazhdoi: Alfabeti juaj grek ka 24 germa dhe h-ja është germa e njëzetedytë, o-ja është germa e pesëmbëdhjetë, r-ja është e shtatëmbëdhjeta, m-ja e dymbëdhjeta dhe a-ja e para. Fjala hurmë shkruhet hurma. Sa është shuma e gjithë këtyre numrave, i pyeti hoxha djemtë. Ata filluan të numërojnë të gjithë në kor dhe kur njëri ngatërrohej tjerët e korrigjonin. Gjashtëdhjetë e shtatë, tha pas pak njëri nga djemtë. Hoxha rrotulloi tespihet në dorë dhe tha: gjashtëdhjeteshtata formohet nga një gjashtë dhe një shtatë. Sa bëjnë gjashtë edhe shtatë? Trembëdhjetë, thanë djemtë me një zë. Prandaj tespihet e mia kanë trembëdhjetë rruaza.
Një nga shokët e Isakut që e kishte ndjekur hoxhën nëpër qytet pa u vënë re dhe që ishte afruar për të dëgjuar bisedën e tij me fëmijët tha: Tespihja ka rruaza sa ç’ka mëhalla Voskopoja.
Hoxha e dëgjoi dhe ktheu kokën. Tespihja lëvizi me shpejtësi në dorën e tij të thatë, ndërsa qimet e mjekrës iu zgjatën nga shoku i Isakut. Voskopoja ka trembëdhjetë lagje, por unë kam ardhur t’i ndërroj tespihet. Më kanë thënë se këtu ka zanatçinj të zotë që i shpojnë gurët me plumb. Do t’i shtoj edhe një gur nga Voskopoja tespihes time, tha hoxha dhe duke skërmitur dhëmbët shtoi: Do ta bëj tespihen me katërmbëdhjetë gurë.
Djemtë e vegjël me shall të kuq nuk e dëgjuan. Ata kishin mësuar nga hoxha një lojë të re dhe duke thirrur me zë të lartë emrat e njëri-tjetrit filluan t’i numërojnë germat, sipas renditjes në alfabet.
Shoku i Isakut u afrua dhe qimet e hoxhës i prekën supin. Në Voskopojë nuk bëhen tespihe me qime, por me litar. Qimja jote është shumë e hollë dhe nuk e mban peshën e gurëve. Hoxha e pa djalin drejt e në sy, rrotulloi tespihet që kërcitën si të pickuara nga gishtat e tij dhe duke lëvizur tha: Trupi varet në litar, por shpirti varet në qime.
Djali e shoqëri me sy derisa ai u fut në lagjen e të huajve ku disa burra që po e prisnin i puthën dorën. Nga larg, kokat e tyre të përkulura dukeshin si gurë tespihe.
Rrebele
Rrebele
Moderator
Moderator

Numri i postimeve : 484
Registration date : 06/01/2009

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Ben Blushi "Te Jetosh Ne Ishull" - Faqe 4 Empty Re: Ben Blushi "Te Jetosh Ne Ishull"

Mesazh nga Sponsored content


Sponsored content


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Faqja 4 e 7 Previous  1, 2, 3, 4, 5, 6, 7  Next

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi