Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Kampioni për kryetar

Shko poshtë

Kampioni për kryetar Empty Kampioni për kryetar

Mesazh nga Agim Gashi Sun Sep 27, 2009 11:03 pm

Kampioni për kryetar
Liberali nga Shtërpca beson se serbët nuk do ta dëgjojnë Beogradin dhe do të dalin në zgjedhje, ndërsa e kanë kuptuar se me bojkotimin e zgjedhjeve asgjë nuk kanë fituar. Akuzon zyrtarët komunalë se po pasurohen duke shitur patriotizëm. Beson se komuna e tij ka perspektivën më të mirë nga të gjitha komunat ku jetojnë serbët. Kandidati për kryetar të Shtërpcës, Slagjan Ilic flet për Express.






Kampioni për kryetar Sllagjan_iliq-490x320


Nga Bardh Frangu

Shtatë herë kampioni i ish-Jugosllavisë në skijim, në disiplinat alpine dhe pjesëmarrës në Olimpiadën e Francës, në vitin 1992, ekonomisti 40-vjeçar nga Shtërpca, Sllagjan Ilic, synon postin e kryetarit të Komunës së Shtërpcës në zgjedhjet komunale të 15 nëntorit. Kandidati i Lëvizjes Demokratike Serbe nga Shtërpca synon të kthehet në postin e kryetarit të Komunës. Ai qe zgjedhur kryetar komune në vitin 2002, por pas dy vitesh dha dorëheqje. Në këtë garë atë e ndjekin 6 kandidatë.

Express: Çka synon Lëvizja Demokratike Serbe dhe përse u përcaktuat që të jeni kandidati i saj për kryetar komune të Shtërpcës?
Slgjan Ilic:
Kjo është ajo lëvizja që doli në zgjedhjet e 2002 dhe fitoi. Kjo lëvizje ekziston vetëm në Shtërpcë dhe është formuar me të vetmin qëllim që t’i përfaqësojë para së gjithash interesat e komunitetit serb në rrethanat e reja të krijuara pas luftës në Kosovë. Si i tillë, ky subjekt politik jep llogari për qëndrimet e veta politike vetëm para komunitetit që përfaqëson. Në këtë kuptim ky subjekt dallon shumë nga partitë politike, liderët lokalë të të cilave u japin llogari shefave të tyre në Beograd. Lëvizjes sime dhe mua na intereson politika lokale dhe zgjidhja e problemeve në këtë nivel, të cilat nuk kanë ndonjë lidhje me politikat e larta.

Express: Cilat ishin motivet që dhatë dorëheqje nga posti i kryetarit të Komunës, përkatësisht çka ka ndryshuar që ta synoni sërish këtë post?
Sllagjan Ilic:
Po, isha kryetar komune nga viti 2002 deri në 2004. Për një muaj kam dhënë dorëheqje dy herë. Arsyet për këtë ishin të thjeshta. Jam njeri i parimeve. Integriteti im nuk ka mundur t’i përballojë nënçmimet e vazhdueshme të partnerëve të mi të koalicionit, të cilët edhe m’i kishin dhënë votat në zgjedhjet për kryetar.

Express: Cilat ishin pakënaqësitë e partnerëve?
Slagjan Ilic:
Ata kërkonin që t’u plotësoja kërkesa shumë personale në udhëheqjen e politikës, duke harruar se ne ishim aty të zhvillonim politika për të gjitha komunitetet dhe për të gjithë qytetarët. Mbase ky është një problem shumë i pranishëm në hapësirat ballkanase. Në këto hapësira politikanët nuk e dinë apo nuk duan ta dinë se për çka në fakt duhet të merren me politikë.

Express: Ka vite që Komuna e Shtërpcës udhëhiqet nga struktura paralele dhe struktura të emëruar nga ndërkombëtarët dhe nga vendorët; kush janë fajtorët për këtë dhe cilat janë pasojat?
Slagjan Ilic:
Pasojat janë katastrofale për të gjitha komunitetet. Në vend që Komuna të zhvillohet dhe të mundësojë futjen e kapitalit privat në zhvillimin e turizmit, në mënyrë që të zgjidhë problemin e papunësisë dhe të varfërisë, pushtetarët shfrytëzojnë këtë kaos për pasurim personal. Ata këtë e bëjnë duke propaganduar patriotizëm të rrejshëm, në mënyrë që askush të mos mund t’ju thotë gjë, meqë në emër të patriotizmit është e lejueshme çdo gjë. Ata edhe kur vjedhin, këtë e bëjnë në emër të patriotizmit. Për gjendjen në komunën tonë, para së gjithash është fajtor bashkësia ndërkombëtare. Po të kishte dashur ajo, deri në këtë gjendje nuk do të vinte. Për fat të keq kjo gjendje dikujt i konvenon edhe në Beograd, edhe në Prishtinë. Gjendja në të cilën nuk dihet kush ha e kush pi, njerëzve nga këto qendra u intereson.

Express: Iniciativat qytetare nuk funksionojnë në Kosovë, përse besoni ju në to?
Slagjan Ilic:
Do të përgjigjem në mënyrë metaforike. Sikur të mund ta zhvendosja komunën e Shtërpcës me njerëzit e saj sa më larg Prishtinës dhe Beogradit, besoj se do të mund të jetonim shkëlqyeshëm pranë njëri-tjetrit dhe do të bashkëpunonim në të gjitha fushat ku interesi është i përbashkët. Që ta thjeshtësojë këtë dua të them se pengesat për iniciativa qytetare dhe për koekzistencë të komuniteteve është fakti se njerëzit merren me politika të larta.

Express: Sa beson që serbët do të dalin në këto zgjedhje dhe çka nëse del një numër fare simbolik?
Slagjan Ilic:
Mendoj se do të dal një numër i mjaftueshëm sa për t’i dhënë legjitimitet kryetarit të ardhshëm të Komunës. Edhe disponimi te njerëzit ka ndërruar, sepse po e kuptojnë se asgjë nuk kanë fituar me bojkotin e zgjedhjeve. Në favor të kësaj flet edhe fakti se në komunën e Shtërpcës janë shtatë kandidatë për kryetar komune. Po nëse dalin vërtet shumë pak votues, kjo do të krijonte një situatë shumë të komplikuar, sepse mund të na zgjatet gjendja që e kemi sot, mbase edhe për më keq mund të ngjajë që politikisht të destabilizohet komuna.

Express: Ka shenja se edhe ndonjë nga shqiptarët mund të votojë për ju, ndërsa e dinë se kandidati i tyre nuk mund të fitojë në komunën me shumicë serbe; sa shpresoni në këtë?
Slagjan Ilic:
Kam numër të madh të miqve nga komuniteti shqiptar, si nga komuna jonë, ashtu edhe jashtë saj. E di që disa nga ta do të votonin për mua, por njësoj e di se nuk do të ishte politikisht e dobishme as për ta, por as për mua. Por pres me besim se këto gjëra për pak vite edhe do të ndodhin. E kur këto të ndodhin, do të jetë shenja më e mirë se jemi në rrugë të pajtimit dhe prosperitetit.

Express: Komuna e Shtërpcës është në një hapësirë gjeografike specifike; si e sheh perspektivën e saj?
Slagjan Ilic:
Shtërpca ka një të ardhme më të ndritshme nga të gjitha komunat e tjera në Kosovë, në të cilat jetojnë serbët dhe atë si në aspektin politik, ashtu edhe në atë ekonomik. E them këtë mbështetur në fakte. Ka perspektivë ekonomike, sepse është e rrethuar me bukuri natyrore dhe si e tillë mundëson një zhvillim të madh të turizmit, nga i cili do të fitonin të gjitha komunitetet. Në këtë mënyrë njerëzit do të merreshin me mirëqenien e tyre, e jo me politikën.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi