Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Traboini: Përtej Itakës - Rrethina njëqind e një...

Shko poshtë

Traboini: Përtej Itakës - Rrethina njëqind e një... Empty Traboini: Përtej Itakës - Rrethina njëqind e një...

Mesazh nga Agim Gashi Thu Jan 08, 2009 2:45 am

Traboini: Përtej Itakës - Rrethina njëqind e një...








PËRTEJ ITAKËS
Thërrime nga tryeza poetike 2008


RRETHANA NJËQIND E NJË...


Ndenjëm aq herë duke pirë klubeve kafè
ndonjë drekë modeste tek Shallvaret
e kemi ngrënë gjithashtu
kohë për ti thënë gjërat kemi patur
por njeriu shpesh nuk thotë
ato që duhet të thotë, me shkak a pa shkak
të njëqind rrethanave.

Por në rastin tonë
orakujt e Shën Mosdashjes shpallën rrethanën
njëqind e një - ta zemë një qerthull si ky:
unë vija të takoja
(aq shumë kam ardhur në atë zyrë)
e ti konfuze mbi shkarravina letrash
më percillje tek shefi...

Shefi yt ishte i sjellshëm, goxha burrë
por të gjithë shefat janë shefa
e unë si natyrë, nuk e ndjehem mirë
në prani të bosave të letrave
anipse, dikur, në rininë time
që nuk di ku e harrova, e lashë a me humbi
kam qënë dhe unë një farë dreq shefi.

Kështu papritur na u shfaq
epilogun vrastar i dëshirave
ca nga shefi e ca nga prishaqejfi
lajmi, politika, Sheratoni, Amerika
shto greven e mosurinimit parlamentar
që i ktheu në WC të gjitha gazetat
bashkë nuk i thamë të gjitha
në krevat... nuk e pimë një kafè
e për dashurinë nuk folëm asnjë fjalë...

25 nëntor 2008



AI SHI ...


Të panë të nxitoje në rrugën e Liceut
ca re inatçore qiellit dyndeshin
rrepat e vetmuar, të zhveshur dot s'të mbronin
pikë pikë mbi ty
floknaja e diellit po lagej në shi

o Zot të mos kish rënë ai shi fundnëntori
mbi ty të paktën të mos binte
që flokët e qullura në prëhër të tjetërkujt
të mos vareshin e kërkonin
të thaheshin me puthje.

Ah, ai shiu i Liceut
ai pikëllim nëntori në sy
ato re inatçore nga erdhën, si u dynden?!
Ai shi që ma lagu e shkriu dashurinë
tashmë rigon mbi vetminë time
e shpirti si pus, pika pika i mbledh
në thellësi.

Tërë botën ta lagëte
por ty e mua kurrsesi
… ai shi.

2 dhjetor 2008



EGËRSHANE

Si qënie egërshane mund të marrim jetë
por s’ kemi frymë magjie t'i ngjallim të vdekurit
edhe me ndjesitë ndodh kështu
ato vdesin a vriten në luftë si njerëzit
kanë edhe ato vrasësit dhe varrëmihsit e tyre
edhe një varr ku u hedhin lule dhe lotë
nën kryq a gjysëm hënë, varet prej njerëzve.

por magji ringjallje për kadavrat ndjesore
në këtë botë nuk gjënden, ndaj:
më kot më ndjell
më kot miklohesh me fjalë
më kot e vesh fustanin e kaltër
më kot i lyen buzët me të kuq flake përvëluese
me kot e puq këmbën me këmbë ndjellaqejf

më kot i shtrin gishtrinjtë në buzë për të më prekur
më kot përpiqesh të ringjallësh të vrarët e mi
edhe ti, si ato, në gjoksin tim ke vdekur...



NIMFA E THESALISË

E meriton lotin tënd në parzmin e diellit.
mos thuaj jo. Harro mentalitetin
e gruas së lodhur nga hallet e jeta
prano atë çfarë shpirti im të afron:
Je aq e mirë, o Zot
nuk gjen të tilla nimfa në shtat dete
fatlum është ai që në prehrin tënd
gjen prehje.

Mjer ne, që brigjet e Thesalisë
kurrë s' i prekëm.


ELIKSIR

I lutem zotit të mbytem në dallgë
në dallgët detit se deti je ti
zotit i lutem të puth buzët e tua
të më mbeshtjellësh në krahë
të më marrësh në gji…

pastaj një përflakje
mes dallgëve shaluar thellësia e pret
direkun anijes të zhytet në det.



ËNDËRRIM LIRIK

Lirikës ku ti shfaqesh si hyjni njerëzore
si shpirti i shpirtit të një Alieni këngëtar
nuk guxoj ti ve emrin tënd.
Në vend të një varese me perla, nuk guxoj
të ve një tulipan gjaku në parzmin e hijshëm.
Nuk dua tia shtoj retë karvaneve të qiellit
nuk dua ti pikëlloj zogjtë e kaltërsive
por ti hyjni njerëzore, mjafton që ti e di
mjafton që ti e ndjen
mjafton që të nxisë ta shohesh jetën të bukur
e ti thuash vetes "praj ti melankoli budallaqe
ka plot njerëz në këtë botë që më duan
që më dëshërojnë, që thurin ëndërrza të arta
me milione pikëzime që përbëjnë imazhin tim".

Thuaj vetes praj dhe prano dashurinë e rrezeve të diellit!
Veç mua, eh, mua, lërmë që edhe me tej në lirika të ëndërroj
anipse emrit tënd ta përmend, nuk guxoj, hyjnia ime!
Nuk guxoj!


SHOGËLINË

Jam ai që jam, anipse
kurrë veten nuk e dita ndryshe çfarë mund të isha
jam ai që jam, gjysmak si gjysmagjeli i përrallës
edhe kjo botë si përrallë po më duket
me ujq e dhelpra dhe gaforre të kuqe
me qukapikë që zgerlaqen pas drurëve të kalbur
për krimba
…jam ai që jam, i ikur prej gjithkujt e gjithçkaje
ngase më duket e mangët qenia, e shogët
dy bujashka mbi kokë, ca letra nën sqetull

me nje bisht qeni ndën shalë
më nje fshesë të madhe sa vetja
me të cilën mas meridiane e paralele
pa harruar shkretirat dhe ekuinoksin e qiellit
tuj fshi rrugë e sheshe, hotele e zyra qeverish
ku njerëzit rrëfehen e mëkatojnë për ditë
herë si robër e herë si zota.

… në kontinetin e ri jam Half &Half
gjysma tjetër në kontinentin e vjetër
rinia ime nën diktaturë
në liri të cungueme në botën e vjetër
shogëlinë më bëhet jeta, ndaj ngutem
ngutem të iki prej gjysmës cullake
me shpresë të kotë se në këtë botë
diku duhet të gjëndet
e dashura e diellit - gjysma tjetër.


ÇMIMI I KALTËR

Ç'i dua çmimet e tjera veç titullit Pendëkaltër
me të cilin vetën poetikisht e laurova
ç'i dua çmimet kur i kam një pale flatra
me të cilat fluturoj kur e ku të dua
në të gjitha hapsirat e globit

nuk e ndrroj të kaltrën me asnjë ngjyrë
stinët le të ndrrohen sipas dëshirës
as strofat, as vargjet as qëllimet e jetës

nuk mund ti ringjyej
e arta tek e arta, e argjëndëta në pasqyrë
e kaltra i takon detit e qiellit dhe flatrave te mia.



KËSHILLË VETES

Për më të bukurin art që ke krijuar
mendo sikur nuk ke bërë veç një hiçmosgjë
se nga momenti që nis e fluturon
nëpër qiejt e pafundëm të delir-ëndërrimit

se në të pasosurin Olimp e ke vënë këmbën,
poezia të shket si rërë nëpër gishtrinjt
era e shpërndan kamos nëpër botë
por kurrnjë kokrrizë rëre, më nuk vjen tek ty...



HYMN QELIZAVE

Ju pafundësi qelizash, fijzash mishi e gjaku
që bini therror e më nuk griheni në jetë
ju bëni fli qënien tuaj për të tjerë

kush veç jush do ta mbronte këtë ngrehinë
që shkon e vjen në dy kontinente
si sonambul në erë

ju e veç ju, gardiane të palodhur të jetës
që vdisni, vetëm e vetëm
që kështjëllen time të mos e lini të bjerë!


PASTORALE

Fërshkëllej motivin:
"moj e mirë që me shkon me dhen
a shkon vetëm a me tjetër kend"
dhe zgjat dorën të prek gjinj të butë bareshe
që të verbojnë prej klumshtit e dritës
dhe harrohem, drithërohem tek mbështjell në gjoks
veç duhmen e detit e shkulmet e erës...


SUVALË DETI

Ç'ma ke atë trill deti, o mik kaltërsive
me pulbardha e dallgë m'u shfaqe në prak
me Homerin e madh mjekërrshkumbë deti
tek grindet për Helenen me Esenini zemërak

ma solle detin në shtëpinë time
kaq shumë kaltërsi kurrë nuk pata mik
hapa dyert e zemrën, por prap ca det mbeti
ua shpërndave komshijve në Nju Ingland.


DHE GJENI DHE TË VITHISUR

Poetit lunxhot Nase Jani

O bo-bo si është katandisur
ky poeti mendjekrisur
kudo shkon, libra me vete
Pelegrin* sa e sa shtete
ky i shkretë për poezinë
si Aliu në Janinë
për një greke dha mbreterinë.
...lëreni të qetë bandillin
le t’ja shpleksë gershetat Diellit
si një femër t'a pushtojë
zjarr me zjarr ta puthë në gojë
zjarr me zjarr e buzë në buzë
Diellin djeg poeti shpuzë.
...le t' këndojë me zogjtë e malit
shpirti t’i përvelojë prej mallit
për luginë të Lunxherisë
për Stegopulin e fëmijërisë
për atë strehë e për atë portë
për atë nënë që flë nën dhè
për gjithë njerëzit që janë atje
se nuk dihet, më s'i sheh.
...lëreni të flasë me vete
si detari nëpër dete
pa drejtim varka kur vete
për një ëndërr që e tundon
për legjenden që pikëllon
për një shpend që thërret "Gjon"
të thur vargje e metafora
për një mështeknë që mbuloi bora
sepse tjetër s'i zë dora.
...lëreni të ziun njeri
të hajë fruta të puthë gjinj
ta pijë veren bashkë me sisë
në eliksir të dashurisë
si qiri të digjet, tretet
sa pikë fryme të mos i mbetet
se kështu e thotë dhe vetë
në çdo strofë e në çdo vjershë
poet Lunxhi, kapedani
varg e shpirt si Ali Asllani.
...lëreni të shkojë tek retë
me një torbë të mbledh rrufetë
nëpër ishuj e Mesdheut
me sirena të harbohet
mendja do ti vijë prapë
do vajtojë për një Itakë
do vajtojë me kujë e lotë
plakur rrudhur si një Zorbë
vitet ngrysur nëpër botë.
...prap do rëndë si shterg fundvere
i marros pas ndonjë Eve
se kështu janë gjithe poetët
harrakatët e kësaj jete
mbjellin korrin dashuri
për ca nimfa në Shqipëri
për ca greke nëpër ishuj
flokëharlisur e kokëkrisur
si vetë zoti i ka stisur
dhe gjeni dhe të vithisur.


AFORIZEM PERSKAJOR

Gjarpëri nuk mund të bëhet lepur kurrë
se veshët s’do ta linin të fshihej nën gur

mizoria me mirësinë me një gërmë fillojnë
por janë të ndryshme e kurrë nuk takojnë.

Jagua, Otello nuk mund të mendohet
e ti pjelle zgerlaqe spiunësh të zi

me nje buzëqeshje djalli nën masken e engjellit
ti gaforre e kuqe, si mund të quhesh njeri....




Posted by Editor: TRABOINI

Traboini: Përtej Itakës - Rrethina njëqind e një... Vidieo+Poem Traboini: Përtej Itakës - Rrethina njëqind e një... CirclearANTOLOGJIA VIRTUALE -PORTAL
Keep your face to the sunshine and you cannot see the shadow. - Helene Keller
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi