Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Ilir Çumani: ''Vuvi'' foli...

Shko poshtë

Ilir Çumani: ''Vuvi'' foli... Empty Ilir Çumani: ''Vuvi'' foli...

Mesazh nga Agim Gashi Thu Jan 08, 2009 3:01 am





Ilir Çumani: ''Vuvi'' foli... U1_IlirCumani
Ilir Çumani
“VUVI“ FOLI...
Nga Ilir ÇUMANI*
Më kujtohet kur isha fëmijë, nxënës në klasën e pestë, kam lexuar një tregim të shkrimtarit tonë të madh Prof.Dhimitër Shuteriqi. Tregimi mbante titullin: “ Vuv, vet…”.
Afërsisht, subjekti i tregimit bënte fjalë për një familje në të cilën kishte ardhur në jetë fëmija e parë që ishte djalë. Mirëpo, edhe pse i mbushi një vjeç, fëmija ende ai nuk bëlbëzonte dhe nuk reagonte ndaj zhurmave të mjedisit ku jetonte e rrethohej nga njerëzit. Ky fakt përbënte një shqetësim për të gjithë familjen, veçanërisht për prindërit e tij, të cilët u shqetësuan edhe më shumë kur e kuptuan se fëmija as fliste dhe as dëgjonte edhe kur i mbushi dy vjeç.
Kështu kaloi viti i tretë dhe hyri viti katërt, e sërish fëmija nuk fliste dhe nuk dëgjonte, por vetëm qeshte edhe qante…
Mes gjithë atij shqetësimi të madh ku jetonin së bashku prindërit e fëmijës, gjyshi edhe gjyshja, tezja, halla, daja, krahas çasteve gazmore që krijoheshin brenda kësaj familjeje, shpesh kishte edhe situata tensionuese e zemërimi të cilat nuk mungonin. Jo rrallë herë, prindërit të dëshpëruar dhe të nxehur me këtë fat të tyre, e shkarkonin të gjithë zemërimin tek fëmija duke i bërtitur:- “Po fol more vuv, se na plase…!”. Ky refren përsëritej e ripërsëritej nga familjarët e kësaj shtëpie duke lozur por edhe duke e sharë fëmijën që nuk fliste e nuk dëgjonte edhe pse po rritej. Shpesh, kur fëmija “shahej” me nofkën “vuv”, ai reagonte duke ngrysur vetullat. Këtë gjest, e bënte për të shprehur në mënyrën më të mirë revoltën që ai kishte. Porse një ditë, teksa i përsëritej e njëjta sharje, çuditërisht fëmija i habiti të gjithë familjarët, duke i lënë të gjithë si të ngrirë. Ai shpërthehu gjithë inat ndaj të atit duke u shtrënguar aq shumë, saqë belbëzoi për herë të parë fjalët: “Vuv vet..!, që në gjuhën e tij do të thoshte se, “vuv” ishte i ati që i bërtiste dhe e shante përditë. Kjo bëri që të gjithë të pranishmit të mbeteshin me gojë hapur dhe të befasuar, ngaqë fëmija foli… Pastaj plasën të qeshurat dhe hareja mbuloi të gjithë pjestarët e shtëpisë.
Nëse këto ditë nuk do të qëllonte rastësisht të lexoja një artikull të botuar pak kohë më parë në një të përditshme, mbase s’do të merrja mundimin të shkruaja këto radhë.
Edhe pse kam qënë tepër i vëmendshëm ndaj shtypit lidhur me debatin publik të shumëdiskutuar kohët e fundit mbi akuzat për shpërdorimet, vjedhjet dhe abuzimet e ndodhura në shtëpinë e fëmijës “Zyber Hallulli”, shkrimi në fjalë, çuditërisht më kishte kaluar pa e lexuar.
Artikulli i gazetës me titull: “Fëmijët dhe njerëzit në nevojë s’kanë nevojë për iluzione”, mbante firmën e njërit prej titullarëve që prej vitesh ka punuar dhe drejtuar në dikasterin e drejtorisë së përgjithshme të Shërbimit Social Shtetëror.
Autori i këtij shkrimi prej afro katër kolona fund e krye, është paraqitur para lexuesit si “analist” apo “komentues” i problematikës sociale, edhe pse ka nguruar të prezantohet normalisht me funksionin dhe detyrën që mbulon në dikasterin e sipërpërmendur. Për më tepër, kur merr përsipër të prezantohet me një temë kaq delikate si ajo që trajton në atë artikull, pikërisht për fëmijët jetimë dhe shtresat e tjera në nevojë.
Me një gjuhë paksa të zgjedhur gazetareske e me fraza bombastike, me terma të huazuara, por gjithsesi agresive dhe tepër cinike në stilin bizantin, ai gjuan me shigjeta helmatisëse të gjithë ata që demaskuan dhe bënë publike skandalet dhe abuzimet e ndodhura në Shtëpinë e Fëmijës “Zyber Hallulli”.
Ndërkohë, ai merr përsipër të bëjë edhe “avokatinë” e vetvetes, por, edhe të stafit të ngushtë të ish - shefes së tij të larguar pak muaj më parë nga institucioni aq shumë i përfolur dhe i akuzuar për korrupsion e shpërdorim fondesh në kurriz të fëmijëve jetimë, që rriten në institucione shtetërore, apo qëndra të tjera rezidenciale sociale publike dhe që varen pikërisht nga dikasteri që ai drejton.
Falë aftësisë së tij për të bërë lojra fjalësh, me një përzgjedhje të “admirueshme” të natyrës filozofike, ai “artikulon bukur” dhe me “delikatesë” fraza e frazeologji për çdo fenomen dhe dukuri që është prezente në mjedisin tonë shoqëror, por që për fat të keq, protagonistët janë pikërisht ata, grupet në nevojë, invalidët, tetraplegjikët dhe paraplegjikët, romët, shurdhët dhe të verbërit, të moshuarit e vetmuar, jetimët, etj.
Duke qënë i pranishëm hera – herës në median e shkruar, në rastin konkret, artikullshkruesi prezantohet si një demagog i përkryer; penetron lehtë e me shumë finesë në opinionin publik me diversionin e tij dashakeqës për të kompleksuar me ndjenjën e fajit këdo dhe cilindo, mbase edhe viktimën e tij, që në rastin konkret janë vetë fëmijët jetimë.
I vënë në rolin e specialistit, artikullshkruesi, i cili për vite me radhë ka qënë një ndër drejtuesit kryesor të Shërbimit Social Shtetëror, paraqet një panoramë të përgjithshme të shërbimeve sociale në vendin tonë, teksa i referohet të dhënave, shifrave, statistikave, kapaciteteve, burimeve virtuale dhe nevojave të mëdha që ka shteti. Por, nga ana tjetër, nuk nguron të mburret për të vënë theksin mbi “modalitetet”, “tipologjitë dhe strategjitë” që ka hartuar dhe “implementuar suksesshëm” dikasteri që ka drejtuar ai përsa i përket politikave sociale të shtetit në trajtimin e shtresave në nevojë dhe grupeve të interesit. Me një retorikë të zgjuar dhe plot sofizma, por, gjithësesi edhe me një ngarkesë emocionale e patetike, ai e manipulon lexuesin duke u paraqitur si “hulumtues” me “argumentin e realitetit” në të cilën ndodhen institucionet e shtetit dhe shoqëria shqiptare, në përballjen e tyre me vështirësitë e mëdha për t’ju përgjigjur kërkesave dhe nevojave të njerëzve pa përkrahje, veçanërisht në raport me shtresat e margjinalizuara dhe ato vulnerabël. Ndaj, artikullshkruesi duke “qarë e vajtuar me oooiiii… për shtetin dhe qeverinë”, për “pamundësinë” e zgjerimit të dimensionit social, bën thirrje që të mos u besohet shumë atyre që akuzojnë dhe demaskojnë qoftë edhe ish - nënëpunësit e shtetit të cilët ashiqare kanë qënë abuzues, plaçkitës dhe vjedhës të jetimëve; të mos u vihet veshi atyre që “çirren dhe bërtasin” për të mbrojtur të drejtat të fëmijëve, sepse këta fëmijë ka se kush i mbron….
Më tej ai citon:- “E keqja e fushatës aktuale, është se në këtë betejë sociale midis shtetit (strukturave të shërbimit social) dhe ndonjë OJF-je, po shfaqen në mënyrë intensive dhe me shumë agresivitet, ide spekullative nga njerëz, jo ose gjysëm profesionistë, të cilët në forma të ndryshme, bëjnë thirrje për një zgjerim të mëtejshëm të dimensionit social të shtetit, tej kapaciteteve dhe mundësive të tij, duke nihiluar ndërkaq të gjithë punën dhe shërbimin e ofruar deri tani veçanërisht nga strukturat rezidenciale të shërbimit publik. Në emër dhe shpesh si përfaqësues të grupeve të interesit të shtresave në nevojë, disa prej tyre me pretenciozitet dhe të vetëndierë të çuditshëm, përpiqen të lozin publikisht me kartën e humanizmit dhe të demagogjisë sociale….”
Me një fjalë, artikullshkruesi, e përkufizon në mënyrën më spekullative e dashakeqëse si një “betejë sociale midis shtetit (strukturave të shërbimit social) dhe ndonjë OJF-je”, të gjithë përpjekjen dhe luftën pa kompromis që shoqëria civile ka bërë dhe po bënë për të mbrojtur integritetin e grupeve të interesit nga dhuna dhe padrejtësitë shoqërore, arroganca, diskriminimi dhe abuzimi që individë të papërgjegjshëm dhe të pamoralshëm që përfaqësohen dhe flasin në emër të shtetit, abuzojnë, vjedhin dhe shpërdorojnë detyrën që u është besuar, duke sjell për pasoj viktimizimin e grupeve të targetit të cilëve ata u shërbejnë.
Artikullshkruesi, në mënyrë paranojake demonstron një servilizëm klasik, gjoja si “mbrojtës i imazhit” të institucionit të përfolur, nihilon dhe krijon artificialisht një konflikt institucional midis institucioneve shtetërore dhe OJF-ve akuzuese; manovron si një pehlivan për të shmangur vëmendjen e opinionit publik nga përgjegjësitë individuale në aferat korruptive të personave përgjegjës të implikuar në vjedhje e abuzime me jetimët. Të gjithë këtë performancë, e shfaq me shumë zell e intensitet, për të fituar simpatinë e shefave të tij për mbrojtjen që i bënë shtetit. Mirëpo nga ana tjetër, ai harron se institucionet dhe ligjet e shtetit janë dhe duhet të jenë të shejnta, të pakompromentueshme e të paprekshme edhe nga ata që bëjnë “mbrojtësin fanatik” të shtetit dhe të ligjit.
Mbase kurrë nuk do ta kisha njohur nga afër artikullshkruesin steriotip, nëse nuk do të përballesha aksidentalisht me të në një debat televiziv në televizonin publik “Klan”, ku isha i ftuar në studio për të diskutuar se ç’farë po ndodhte realisht sot me institucionet e foshnjave dhe të shtëpive të fëmijës të degraduara nga korrupsioni anembanë vendit. Ç’farë përgjegjësish binin mbi dikasterin e Shërbimit Social Shtetëror, i cili merrej me administrimin e fondeve që taksapaguesit shqiptarë kontribuojnë në mënyrë korrekte edhe për atë pjesë të brishtë dhe të pambrojtur të shoqërisë shqiptare, pra edhe për të vegjëlit pa kujdes prindëror.
Pas 15 vjetësh, ishte hera e parë që institucioni më i përfolur nga të gjitha grupet e interesit që i përkasin shtresës sociale, përfaqësohej në një debat të hapur publik për të sqaruar pozicionin e vet lidhur mbi ato akuza që i adresoheshin drejtuesve të shtëpisë së fëmijës “Zyber Hallulli”, dhe drejtuesve kryesor të Shërbimit Social Shtetëror. Edhe pse përfaqësues të shumtë të medias dhe OJF – ve, kishin kërkuar disa herë dhe në kohë të ndryshme të merrnin prononcime zyrtare nga ky institucion, askush nuk pati guxuar dhe nuk guxonte të dilte në përballje me publikun në një debat të hapur për opinionin e gjërë.
Të gjithë mëkatarët përgjegjës, strukeshin në skutat më të errëta për të mos u dukur askund.
Mbase, ish - drejtuesit kryesor të këtij institucioni e kishin zgjedhur këtë mënyrë, si mundësinë më të mirë për t’iu shmangur transparencës dhe këtij debati publik, duke heshtur dhe mbyllur dyert për median, me idenë se çudia zgjat vetëm 3 ditë dhe çdo gjë më pas harrohet… Kështu që ky institucion, e kishte gjetur “kodin” për t’i kaluar lehtë situatat e nxehta të debatit publik, duke u “bunkerizuar” dhe mbyllur rrugët e komunikimit me median e publikun, nëpërmjet “shurdhërisë” dhe “memecërisë”.
Mirëpo këtë radhë nuk ndodhi kështu.
Me bërjen publike të fakteve korruptive dhe abuzimeve të shumta të ndodhura në Shtëpinë e Fëmijës “Zyber Hallulli”, me angazhimin dhe qëndrimin konsistent të medias për të zbardhur deri në fund të vertetat për ç’farë po ndodhte realisht brenda mureve të institucioneve të jetimoreve këto vitet e fundit; nga ana tjetër, edhe solidariteti që u shfaq nga një pjesë e shëndoshë e opinionit të gjerë publik, bëri që institucioni kaq shumë i përfolur, të përballej në një debat televiziv me përfaqësuesin e tij para publikut.
E ndërsa më vjen ndërmend episodi i “vuvit” që rëfeva në fillim të shkrimit, ende vazhdoj të ndihem keq kur kujtoj se si përfaqësuesi i këtij institucioni kaq të përfolur, i cili nga zori, apo i urdhëruar nga shefat e tij, pranoi të përballej në këtë debat publik.
Ai në mënyrë mjerane, përpëlitej përmes frazave steriotipe, duke anashkaluar të gjitha faktet për të cilat i kërkohej shpjegim me anën e pyetjeve që unë i drejtoja. Dhe ky përfaqësues, ishte pikërisht artikullshkruesi që më nxiti të shkruaj këto radhë, i cili, në vend që të fliste me argumenta, shfryu me arrogancën e vet të gjithë dufin 15 vjeçar të institucionit korruptiv që përfaqësonte.
vijon
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Ilir Çumani: ''Vuvi'' foli... Empty Re: Ilir Çumani: ''Vuvi'' foli...

Mesazh nga Agim Gashi Thu Jan 08, 2009 3:06 am

Ai thotë se : “Njerëzit në nevojë e veçanërisht fëmijët jetimë, nuk kanë nevojë për iluzione e ide sociale utopike, të lëshuara pa kujdes dhe me dashakeqësi, në “eterin mediatik”, për të bërë “show”, apo për ca përfitime të tjera, që qëndrojnë në thelb të intensitetit dhe “ndjeshmërisë sociale personale”, të shitura pa para në publik”.
Mirëpo ky artikullshkrues, nuk është në gjëndje të thotë hapur se, përse nga 36 fëmijë jetimë që ka ky institucion, 7 prej tyre kanë kaluar me bronkopneumoni të rëndë në këtë dimër të ftohtë për shkak të mungesës së ngrohjes, edhe pse shteti vetëm për ngrohjen e fëmijëve paguan 3.000.000 lekë të reja në vit për shtëpinë e fëmijës “Zyber Hallulli ?!
Përse nuk ekzistojnë në magazinën e këtij institucioni pajisjet e shumta elektroshtëpiake, veshëmbathjet, donacione të dhuruara me aq bujari nga bisnesmenë e donatorë të ndryshëm, të cilat do të shërbenin për të përmirësuar kushtet e kësaj shtëpie fëmije?! Përse nuk figurojnë të dokumentuara të gjitha donacionet e dhuruara në të holla në dokumentat e financës së këtij institucioni?! Kush i ka përfituar ato?! Përse fëmijët nuk kanë as minimalisht shërbimin mjekësor, psikosocial dhe edukativ, aq të domosdoshëm për t’ju garantuar atyre një të ardhme të sigurtë si qytetar të denjë të këtij vendi?!
Përse fëmijët normalë duhet të bashkëjetojnë brenda të njëjtit institucion me fëmijë që kanë probleme mendore; dhe këta të fundit përballen me kalvarin e gjatë të rrugëtimit për të shkuar dhe ardhur në këmbë çdo ditë nga shkolla, ndërkohë, që automjeti i institucionit përdorej për punët private në favor të drejtueses se institucionit dhe familjarëve të saj!? Përse fëmijët duhet të jetojnë në mjediset plot lagështirë, kur shteti ka vënë në dispozicion shuma të konsiderueshme për restaurimin dhe mirëmbajtjen e mjedisit të banimit?!
Përse duhej të mbrohej me kaq fanatizëm ish - drejtuesja e këtij institucioni, e akuzuar tashmë me fakte që provojnë katërcipërisht veprimtarinë e saj korruptive dhe abuzive, ndërsa grupet e auditimit në mënyrë të qëllimshme janë bërë palë për të mbuluar këto afera korruptive të ndodhura në kurriz të fëmijëve jetimë?!
Përse pjesa më e madhe e fëmijëve jetimë në këto institucione dalin krejtësisht anafalbetë, të kequshqyer dhe të traumatizuar, ndërsa fati i tyre nuk dihet më pas, sepse ashkush nuk interesohet më për ta?!
E, meqënëse trumpetoni me të madhe “modalitetet” e rikthimit të fëmijës pranë familjes biologjike, përse në këto 4 vjetët e fundit statistikat e birësimeve janë në kuotat zero, ndërsa Komiteti Shqiptar i Birësimeve akuzon drejtëpërsëdrejti shtëpitë e fëmijëve dhe drejtorinë e përgjithshme të Shërbimit Social Shtetëror të cilat nuk kanë bërë asnjë përpjekje për t’ju ofruar këtyre fëmijëve në nevojë një familje të re dhe të ngrohtë alternative – birësuese ?!
Ja, për këto dhe shumë gjëra të tjera si këto, në mënyrën më të sinqertë e të penduar duhet të kishte folur artikullshkruesi. Më shumë se retorikat dhe lojrat e fjalëve që ai i ka për zemër, do të bënte mirë të sqaronte pozicionin dhe përgjegjësitë e institucionit që përfaqëson.
Me këto retorika, zotëria në fjalë përpiqet të re(Tush)oj të gjitha të vërtetat mbi skandalet e ndodhura me jetimët në këto 15 vjetët e tranzicionit.
Ngase, për hir të së vërtetës, kjo ka qënë një nga periudhat më të zeza në historinë 88 - vjeçare të këtyre institucioneve anembanë vendit.
E, nëse “vuvi” në tregimin e Shuteriqit foli, artikullshkruesi nuk tha asgjë për ata fëmijë që shpresojnë të paktën një mbështetje modeste, reale dhe të sinqertë nga shteti.
Ky është realiteti i jetimeve në vendin tonë. Zoti i shpëtoftë dhe i ndihmoftë …!
V.O
* Drejtor i Përgjithshëm i Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë
Shkrimi është botuar në gazetën “Ballkan” dhe “Standart”
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Ilir Çumani: ''Vuvi'' foli... Empty Re: Ilir Çumani: ''Vuvi'' foli...

Mesazh nga Agim Gashi Thu Jan 08, 2009 3:08 am

Kadri Alia, ky matrapaz social, abuzues me jetimët





- Kryetari i Shoqatës së Jetimëve Kadri Alia, fenomeni spekulativ që s’nguron të mashtroj edhe Presidentin e Republikës z. Bamir Topi, edhe Kryeministrin z. Sali Berisha –



Nga Ilir ÇUMANI*


I ndodhur përmes dilemës nëse duhej të bëja replikë apo jo me z.Kadri Alia, të vetëquajturin “president i jetimëve”, (Zoti na ruajt, është pak si luks dhe ironi në të njëjtën kohë të thuash se edhe jetimët na paskan “PRESIDENT” ), zgjodha për transparencë, në repekt të lexuesit dhe opinionit të gjerë publik t’a bëjë atë.

Vendosa të bëjë replikën në radhë të parë si njeri publik, si njohës dhe respektues i ligjit, por, edhe si përfaqësues i medias, njëkohësisht edhe me obligimin moral e qytetar për të mos lejuar këdo dhe cilindo të spekuloj dhe abuzoj me atë pjesë të pambrojtur të shoqërisë, siç janë fëmijët pa kujdes prindëror.

Shkak për këtë replikë të detyruar, ka qenë një shkrim i vonuar në përgjigje të komentit tim me titull: “Këta hamës, me maskën e “bamirësisë”, botuar në gazetën “Albania”, datë14.Tetor.2008.

Në të vërtetë, duke e njohur kodin etik të gazetarit, jam përpjekur të mos e personalizoja atë shkrim, por të merresha me thelbin e problemeve, shqetësimeve dhe halleve të shumta që kanë sot jetimët në mbarë vendin, shkaqet që e kanë rënduar edhe më shumë dramën e jetës së tyre.

Nga ana tjetër, nënvizoja ato fenomene negative dhe dukuri spekulative, me karakter abuziv në kurriz të fëmijëve jetimë, të shkaktuara nga ata njerëz që morali i vetëm i tyre është babëzia.

Para së gjithash, që në titullin e shkrimit, theksoja dukshëm se shkaktarët e vërtetë të dramës së dhimbshme të jetimëve janë ata, “baballarët” e shoqatës së jetimëve, të cilët, me sy të çapëlyer plot neps edhe epsh, prej 15 vjetësh “ushqehen” si hamës në “pjatën e jetimëve”, por që në fund të fundit, asgjë nuk kanë bërë për të vegjëlit pa kujdes prindëror.

Më lejoni të dashur lexues të citoj një pjesë nga ai shkrim, për të cilin mendoj se kjo ka qënë edhe arsyeja që i ka çoroditur artikullshkruesit në përgjigjen e tyre të vonuar:

Në komentin tim, shkruaj:

“Me maskën e thinjave në kokë, ndonjërin prej tyre e dëgjon shpesh të “qajë” në ekstazë me ulërimën ndjellakeqëse: “Jam babai i jetimëve, prandaj më ndihmoni….”.

Mbase në rrethana të ngjashme si kjo, ka lindur edhe rrëfimi i mençur popullor me “Baba Aliun dhe 40 hajdutë…”. Ky rrëfim ka brenda sarkazmën e dhimbshme që edhe sot e kësaj dite përcillet brez pasi brezi me të qeshura therrëse.

A nuk ishte Vehbi Alimuça, ky goxha burrë - trupëmadh, me flokë të bardhë si bora që thërriste përmes delirit: “Jam babai i fukarenjëve, ndaj do t’i bëjë të gjithë të pasur…?! Mirëpo Vehbiun dhe firmën e tij mashtruese e besuan të gjithë shqiptarët. Ndaj, ç’të keqe ka që një tjetër “Ali Baba” të mashtroj edhe fëmijët jetimë !?

Kjo ngjan vërtetë si një ëndërr me babagjyshin e Vitit te Ri. Mirëpo, ëndrra mbetet ëndërr. Ndonjëherë edhe vret… Sidomos fëmijët pa kujdes prindëror.

Sepse këta sharlatanë - social, ashtu si personazhi grotesk i Nastradinit, janë kthyer në “gjobëvënës” të njerëzve të ndershëm të bisnesit dhe fondacioneve arabe që veprojnë në Shqipëri, duke u gllabëruar para me anë të mashtrimit në emër të “bamirësisë” për jetimët.

Të njëjtën gjë bëjnë edhe me ambasadat e akredituara në vendin tonë. Mjerisht, këto para përfundojnë në xhepat e tyre dhe nuk përdoren aspak për ata fëmijë. Kjo është e trishtueshme, sepse ky nuk është vetëm një turp, por më së shumti është edhe një krim social.

Lypset më shumë vigjilencë nga ana e përfaqësuesve të bisnesit, fondacioneve dhe Trupi Dipllomatik, me qëllim që kontributi i tyre të mos shpërdorohet nga këta individë, të cilët, si pleq të lajthitur dhe të trullosur nga makutëria, sillen vërdallë rrugëve të Tiranës dhe Durrësit në pritje të “gjahut” të radhës…”

Kjo ishte edhe fabula e këtij komenti, që me sa duket, përmes metaforës dhe krahasimeve i ka përcëlluar dhe djegur keq hamësit e vërtetë të jetimëve, Kadri Alinë dhe bashkëpunëtorin e tij fanatik, financierin e shoqatës se jetimëve Rruzhdi Memaga.

Në fillim, dyshova për autorësinë e atyre radhëve në gazetë. Dyshova, sepse e njoh mirë kulturën, formimin, shkollimin e pakët dhe kapacitetin e z. Kadri Alia. Në të kundërtën, nuk do të merrja mundimin të prekja tastierën e kompjuterit dhe të radhisja këto radhë.

Në të vërtetë, shkrimi me titull “Me kë e ke, z. Çumani?”, i botuar në gazetën “Albania” datë 06.11.2008, dhe i ribotuar me të njëjtën përmbajtje në gazetën “SOT”, datë. 08.11.2008, ka për autor “kalemxhiun” e financave në shoqatën e jetimëve z. Ruzhdi Memaga.

Si “akrobat dhe mjeshtër i kopsitjes” së shifrave me donacione të marra që prej 10 vjetësh në shoqatën e jetimëve, ai tentoi kësaj radhe të ushtronte edhe “artin” e të shkruarit në gazetë. Por, kësaj radhe, jo duke e hedhur firmën si autor i shkrimit, (ashtu siç nënëshkruan rëndomë nëpër blloqe faturash), por, duke i’a “dhuruar” kënaqësinë e autorësisë “PRESIDENTIT” të jetimëve, “Baba Ali” – KADRI ALIA, i cili ndonjëherë kënaqet edhe me “pak”.

Nga ana tjetër, shkrimi – replikë ishte mjeran, fund e krye me pervesitete, nervozizëm, xhelozi, cinizëm, shpifje e përbaltje, që nxirrte në pah natyrën e vërtetë perverse, karakterin e deformuar të shashkë-artikullshkruesit Rruzhdi Memaga, dikur komisar i zellshëm e fanatik në format e edukimit politik në ushtri.

Shashkë-artikullshkruesit Memaga - Alia, spekullojnë në mënyrën më djallëzore, duke i atribuar shoqatës së jetimëve të gjitha akuzat që janë ngritur dhe ngrihen vetëm ndaj tyre.

Me instiktin e zanatit të vjetër të bufetierit dhe kamarierit, Kadri Alia bën “avokatinë” e shoqatës dhe “mbrojtësin” e disa njerëzve të korruptuar të shtetit të përfshirë me të në marëdhënie okulte.

Ai tenton t’i transferojë të gjitha akuzat që i adresohen në mënyrë publike, tek shoqata e jetimëve.

Këtë e bënë me shumë demagogji e keqdashje, për të larguar vëmendjen e të gjithëve për abuzimet e tij me jetimët, dhe për të penalizuar të gjithë shoqatën në mënyrë kolektive, pa asnjë bazë, me qëllimin e vetëm për të fituar imunitet nga bëmat e tij. Këto bëma, ai i quan “shpifje”, por në të vërtetë, akuzat ndaj tij vijnë drejtëpërsëdrejti nga njerëzit brenda shoqatës ku ai drejton.

Në fakt, gjithmonë kam qenë i vetëdijshëm se në shoqatën e jetimëve, ka edhe njerëz dinjitoz, të ndershëm dhe të përkushtuar.

Por vetëm kaq është mundësia e tyre, sepse nëpër duar u kanë mbetur vetëm “çelësat e kashtës”.

Ata janë të detyruar të veprojnë ashtu si i porosit “Baba Ali” – Kadriu dhe këshilltari i tij, financier Rruzhdiu.

Në atë artikull të lodhur dhe përpëlitës, nuk mungojnë edhe citime me të ashtuquajtura shkresa e stërshkresa, me data e numra vendimesh, të hartuara dhe vulosura plot nur e bukuri me shijen e “kapter” Rruzhdiut dhe të “PRESIDENT” Kadriut.

Shkresa të cilat, “vërtetojnë luftën triumfatore” mbi babëzinë që këta “baballarë me thinja” na paskan bërë “kundër korrupsionit”, ndaj atyre individëve që për hir të së vërtetës, s’kanë qenë gjë tjetër, veçse kundërshtarë dhe viktima të pisllëqeve dhe orgjive që kanë për autor të vetëm dhe skenaristë “PRESIDENT Baba Ali” – Kadriun dhe kapter Rruzhdiun.

Shashkë-artikullshkruesit, përmes delirit dhe egos të sëmurë, na mburren se na paskan marrë një dekoratë nga ish- Presidenti Moisiu.

Duke patur respekt dhe simpati për institucionin e Presidentit, më lejoni të bëjë me dije gjithë opinionin publik, se ju dhe vetëm ju KADRI ALIA, e keni përbaltur këtë Institucion – Nderi, pavarësisht se në ç’rrethana është marrë ajo dekoratë; mbi ç’merita dhe vlerash është dhënë ajo; pavarësisht cili titullar me influencë në MPÇSSHB - që ti e ke quajtur “Miku im Ministër” padrejtësisht ka penetruar deri tek Presidenti i Republikës për të lëshuar atë dekoratë.

Dhe ju, “PRESIDENT Baba Ali” - Kadri Alia, në shenjë falenderimi e mirënjohjeje, i bëtë këtij ministri telefonatën e fundit “dëshpëruese dhe ngushëlluese” pas largimit të tij nga detyra : - “Alo! Zoti Ministër! Jam Kadri Alia. Më erdhi keq që të larguan nga detyra e ministrit. Por këta pushtetarët e korruptuar nuk i duan njerëzit e ndershëm si puna jote….”.

Të vjen edhe për të qarë, edhe për të qeshur.

Por këto nuk janë aspak çudira në Shqipërinë tonë të lodhur nga korrupsioni dhe tranzicioni i gjatë. Sepse këtu tek ne, gjithçka bënë vaki. Për këtë arsye ka dalë edhe një fjalë e urtë dhe e mençur e popullit tonë për tranzicionin, kur thotë se në këtë kohë: “…u ngritën halet, që të rrëzojnë Malet”.

Në njërën nga këto të dyja, zgjidhe veten se ku bënë pjesë z. “PRESIDENT Baba Ali” -KADRI ALIA.

Në të vërtetë, mua nuk më shqetëson aspak kjo, por diçka tjetër që është më serioze.

Për shkak të defiçencës morale, shoqërore, kulturore dhe intelektuale, ju e keni përdorur atë dekoratë si një “relike tregu” të këmbimit para – mall - para.

Për të qenë më i qartë më lexuesin, z. “PRESIDENT Baba Ali” Kadri Alia, ju shëtitni si Nastradini me atë dekoratë në çantën tuaj rrugëve të Durrësit, Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, duke kërkuar dhe lypur para pa dinjitet tek bisnesmenë, fondacione apo edhe ambasada, kinse për “ndihma” në emër të fëmijëve jetimë.

Mjafton vetëm kaq të marrë vesh i nderuari ish - Presidenti Moisiu, jam i sigurt se edhe vetë ai do të bindet se gabimi i vetëm dhe i paqëllimshëm në ushtrimin e funksioneve të tij presidenciale është ajo dekoratë që ti e mban padrejtësisht dhe pa asnjë lloj merite në emër të shoqatës.



vijon
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Ilir Çumani: ''Vuvi'' foli... Empty Re: Ilir Çumani: ''Vuvi'' foli...

Mesazh nga Agim Gashi Thu Jan 08, 2009 3:08 am

Ju jeni bërë tepër qesharak dhe keni hyrë në librin e barsoletave me atë dekoratë, të cilën, herë e mbani në çantë kur ju nevojitet për rrugë, dhe ndonjëherë e mbani në zyrë kur planifikoni ndonjë takim me bisnesmenë dhe donatorë.

Kështu keni vepruar dhe veproni edhe me portretet e personaliteteve shtetërore dhe shoqërore, duke i ndërruar çdo ditë fotot e tyre në zyrën e shoqatës, sipas oreksit dhe interesave tuaja meskine e të fëlliqura.

Për këto arsye, kam të drejtë për të thënë se ju luani me trafikun e influencës si një pehlivan dhe matrapaz social, në përpjekjet tuaja të dëshpëruara për të përbaltur edhe emrin e mirë të Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëvë Shqiptarë, që ka bërë dhe po bënë një luftë të hapur dhe pa kompromis me individët abuzues si puna juaj.

Lufta jonë e hapur ka qenë transparente, për të bërë një avokati të pastër dhe të drejtë në mbrojtje të jetimëve nga abuzuesit permanent si brenda institucioneve shtetërore, ashtu edhe brenda Shoqërisë Civile, ku ju aderoni padrejtësisht dhe e mbani peng atë shoqatë që prej 10 vjetësh, me forma dhe mjete spekulative, pa zgjedhje e të zgjedhur, pa mekanizma dhe struktura funksionale.

Ju jeni i kontestuar dhe i braktisur edhe nga ata pak anëtarë që tashmë ju kanë mbetur, sepse nuk besojnë më tek ju.

Fakti se jeni i papranueshëm nga një pjesë e mirë e degëve të shoqatave të jetimëve si në Tiranë, Sarandë, Korçë, Vlorë, Berat, Burrel, Laç, Lushnjë, Ersekë, Elbasan, tregon se ju nuk jeni legjitim në detyrën që pretendoni se e meritoni.

Por, sfida më e madhe e Institutit tonë, është rikuperimi i imazhit të përbaltur që ju i keni bërë komunitetit të jetimëve, duke e çuar fatin e tyre tragjik në kufijt e ekstremit të mjerimit, të përbuzjes kolektive, të indiferencës shtetërore dhe përjashtimit social.

Fakti se Instituti Kombëtar i Integrimit të Jetimëve Shqiptarë është kthyer në një faktor të rëndësishëm dhe komplementar në zhvillimin shoqëror të vendit, si një organizëm shpresëdhënës i vlerave dhe i dinjitetit njerëzor për atë pjesë të brishtë dhe të pambrojtur siç janë fëmijët pa kujdes prindëror, tregon më së miri se e ardhmja e jetimëve nuk mund të përfaqësohet më nga ju, por nga ata njerëz intelektual dhe me integritet moral, që kanë përvoja jetësore të njëjta me atë të fëmijëve jetimë, që në fund të fundit, kanë vizione e potenciale, ide dhe kapacitete, alternativa dhe vlera morale të dobishme për të gjithë ata që shpresojnë për një të ardhme akoma më të mirë.

Së fundi, duke marrë shkas nga disa ankesa për ju dhe letra të mbërritura në zyrën time që prej 2 vjetësh, me shpresën se do të ishte në të mirën e sensibilizimit dhe ndërgjegjësimit të opinonit publik thënia e disa të vërtetave që e kanë përdhosur dhe cënuar rëndë institucionin tradicional të bamirësisë së shqiptarit, vendosa të flasë në mënyrë më të drejtëpërdrejtë me ju, jo duke ju akuzuar, por duke ju pyetur publikisht::

1. z. “PRESIDENT Baba - Ali”, KADRI ALIA, kur Shqipëria digjej në vitin 1997, a keni qenë i ftuar në një seminar për jetimët në Danimarkë dhe për ç’arsye jeni kthyer 2 javë me vonesë në Shqipëri!? Nëse po, a keni kërkuar Azil Politik duke e shfrytëzuar këtë eveniment human ndërkombëtar për jetimët dhe duke i braktisuar përfundimisht ata? Shteti Danez nëpërmjet zyrë së emigracionit për këtë gjest të ulët tuajin, a ju ka shpallur person NON GRATA !?

2. A keni marrë gjatë këtyre 10 viteve nga Ambasada greke viza në emër të jetimëve për emigracion, dhe a i keni shitur ato te persona të tjerë me dhrahmi, euro e dollarë!?

3. A është e vërtetë që jetimëve familjarë dhe të pastrehë, me iniciale K.T, ( ka paguar 50.000 Lekë të reja), V.H, (ka paguar 30.000 lekë të reja), L.H (ka paguar 80.000 lekë të reja) ju kanë paguar me këto vlera për shkak të rryshfetit të kërkuar nga ju !?

4. Ju s’nguroni të manipuloni për të fituar kredite morale kur përmendni në publik dhe në këtë artikull disa emra të nderuar të bisnesit shqiptar si, Presidentin e kompanisë “Alpet” z. Ibrahim Aktoz, Presidentin e Universitetit “UFO” z. Astrit Veliaj, Administratorin e njërës prej Univeriteteve private z. Henri Çili, apo edhe organizatën UNICEF, të cilët sipas jush, kanë një partneritet dhe ju paskan besuar kur ju kanë ofruar ndihmë. Unë të siguroj që nuk është kështu. Ata më së shumti kanë besuar dhe ndihmuar çështjen e jetimëve dhe jetimët, pa menduar se ka njerëz spekullant, grykës dhe abuzues si puna jote, pa menduar se ndihma e tyre është shpërdoruar nga matrapazë kalibri si puna jote.

Dhe me që jemi në këtë fushë, unë do t’ju kujtoja zotërinjve të nderuar me anën e një pyetje publike që po ta drejtoj se, a është e vërtetë se pikërisht një koleg i tyre i nderuar, bisnesmen nga Durrësi, i ndjeri Monapat Aliko, ka rënë viktimë e një mashtrimi spektakolar nga ana juaj të cilit i keni grabitur me anën e mashtrimit në vitin 1994 shumën prej 15.000.000 lekë, shumë të cilën kurrë nuk e morri prej jush!? A është e vërtetë se pikërisht kjo ishte edhe arsyeja që shkaktoi zëmëratën e të ndjerit Aliko që pasoi edhe incidentin e një atentati me armë zjarri në klubin e njohur të Alo Bizhgës në Durrës, kundër teje!?

5. A është e vërtetë që shuma prej 1.000 USD, e dhuruar kesh nga ambasada greke për fëmijët jetimë në vitin 2000, dhe shuma prej 150.000 lekë të reja e dhuruar nga Kisha Orthodokse Autoqefale nëpërmjet zyrës së projekteve “Dhiakonia Agape” nuk u është dhënë jetimëve, por me urdhërin tuaj kjo shumë është ndarë si shpërblim për anëtarët e kryesisë së shoqatës !?

6. A është e vërtetë që juve ju akuzojnë për shitjen e mauneve me miell, të destinuara për bukën e gojës të nënave dhe fëmijëve jetimë !?

7. A është e vërtetë që ju akuzojnë për shpërdorimin e vlerës së 500.000 lekëve rinj që Kompania “Vodafonë Albania” ka dhënë për fëmijët jetimë në Ditën e Jetimëve më 20 Maj 2007!? A është e vërtetë që kjo vlerë nuk është përdorur për 600 fëmijët jetimë, por ju u keni dhënë atyre dhurata dhe hamburger në vlerën 100 – 200 lekë për fëmijë, ndërsa faturat kalkuloheshin nga financieri shashkë-artikullshkrues Rruzhdi Memaga me shifra që justifikonin vlerën e 500.000 lekëve të reja !? Të njëjtën pyetje do të bëja edhe për vlerën prej 470.00 të rinj, që ka akorduar UNICEF më 20 maj, 2008. Si janë përdorur këto para?

8. A është e vërtetë që në iftarin që shtroi Ambasadori i Arabisë Saudite, i cili u kishte përgatitur si dhuratë fëmijëve jetimë zarfa me nga 2.000 lekë të rinj, ju i keni futur në çantë sekretares tuaj 7 zarfa me lekë dhe të nesërmen kolegët tuaj në shoqatë ju uronin për kostumin e ri që kishit veshur!?

9. A është e vërtetë, se me paratë e kuotizacioneve të jetimëve që i paguajnë në shoqatë për mbarëvajtjen e punëve, ju keni afro 3 vjet që i shpenzoni personalisht këto para çdo ditë nga 300 lekë të rinj, për vajtje-ardhje me destinacion Durrës-Tiranë-Durrës!? Dhe, a është e vërtetë se brenda kryesisë, ky veprim i juaj është konsideruar shkelje dhe abuzim me detyrën ku dhe jeni detyruar për t’i kthyer këto para të shpenzuara padrejtësisht në arkën e shoqatës!?

10. A është e vërtetë se me vulën e shoqatës që vetë e përdorni, ju emëroni me komandim kryetarë shoqatash nëpër rrethe, që nuk janë rritur jetimë dhe s’kanë asnjë lidhje me jetimët, pa përfillur strukturat e shoqatës, ndërmjet tyre edhe një punonjëse dogane në Pogradec, duke shkelur rregulloren dhe statutin e shoqatës!? A është e vërtetë se këta që ju komandoni, zëvendësojnë ata që ju braktisin dhe ju lënë vetëm juve!?
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Ilir Çumani: ''Vuvi'' foli... Empty Re: Ilir Çumani: ''Vuvi'' foli...

Mesazh nga Agim Gashi Thu Jan 08, 2009 3:09 am

11. A është e vërtetë se në takimin me Presidentin e Republikës z. Bamir Topi, më datë 14.Shkurt.2008, qëllimisht ju keni mënjanuar në këtë takim protokollar anëtarët e këshillit Drejtues të Shoqatës, (të cilët janë edhe kundërshtarët e tu), dhe si të tillë keni prezantuar në takim kompjuteristen, sekretaren dhe financierin, (i cili, ky i fundit sipas statutit nuk mund të marrë pjesë ne protokolle të tilla) !? Pra, a e keni mashtruar Presidentin e Republikës z. Bamir Topi!?

12. Në takimin që Kryeministri organizoi me OJF-të që merren me jetimët në sallën e Hotel Tirana - International në qershor të këtij viti, a është e vërtetë që ju e mashtruat z. Berisha se në Shqipëri ka 80.000 familje me fëmijë jetimë !? Nëse po, cila ishte arsyeja e këtij mashtrimi publik dhe mediatik!?

13. Ju z.Kadri jeni shumë i kujdesshëm në përdorimin e fondit prej 800.000 lekë të rinj që shteti i jep si ndihmë çdo vit shoqatës së jetimëve për mbarëvajtjen e punëve.

Për këtë, ju mbani dokumentacion të rregullt dhe shpesh mburreni se Kontrolli i Lartë i Shtetit ju ka gjetur në rregull.

Pyetja ime është: për pjesën e donimeve nga bisnesmenë e fondacionet arabe, individë, persona fizik dhe juridik, ambasadat e huaja, etj, (e cila është edhe pjesa me e konsiderueshme e të ardhurave në shoqatën tuaj), pse nuk arkëtohen dhe pasqyrohen në librin e arkëtimeve të shoqatës!?

A është e vërtetë se për këtë arsye, ju dhe ndihmësi juaj financieri Rruzhdi Memaga keni zhdukur dokumentacionin financiar për pjesën e dokumentacionit të donimeve sepse nuk e keni kurajon të përballeni me donatorët për paratë e përfitura prej tyre për shkak të mirëbesimit që kanë patur tek ju!?

Dhe në fakt, nëse do të ndërhynte këtu Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe krimi ekonomik, ju nuk do t’a kishit kurrë shansin të mburreshit se KLSH ju ka gjetur në rregull.

14. Një pyetje kam edhe për ju z. shashkë-artikullshkrues Rruzhdi Memaga. Në vitin 1995, kur ish-kryeministri Aleksandër Meksi akordoi 5 bursa për të drejta studimi në shkollat e larta për të rinjtë jetimë, përveç 2 jetimëve që i përfituan ato, të tjerat cilëve j’ua keni shitur!?

Pyetje e ngjashme si kjo është edhe për ju z. “PRESIDENT Baba-Ali”, KADRI ALIA. Në kohën e “Qeverisë Nano”, bursat për shkollë të lartë që u dhanë nga Ministria e Arsimit për jetimët, disa prej tyre kujt i’a keni shitur!?

15. Ndërsa kjo është një pyetje pak “konfidenciale” për të dy ju.

Ç’farë ju lidh ju z. shashkë-artikullshkrues Rruzhdi Memaga me vendin e quajtur “Ylli i Detit”, që ndodhet në vendin midis Plepave dhe Kavajës? A keni ndonjë pronë ku ju çdo verë kaloni pushimet tuaja plot relaks!? Po pronë tjetër pas ish - Ambasadës Jugosllave në rrugën e “Durrësit” në Tiranë a keni, dhe në emër të kujt!? Nëse i keni këto dhe diçka më shumë se kaq, me ç’farë parash i keni blerë si i papunë prej 20 vitesh, tani në pension!?

Po ju z. “PRESIDENT Baba Ali” - KADRI ALIA, a keni ndonjë pronë në Golem të Kavajës, përveç apartamentit 1+1 që ju thoni se e keni në Durrës!? Nëse e keni, me ç’farë parash e keni blerë si i papunë prej 10 vjetësh në krye si “PRESIDENT – FALAS” i jetimëve!?

16. A është e vërtetë z. “PRESIDENT Baba-Ali” – KADRI ALIA, se me instiktin e profesionit të vjetër që ju keni, po ngulmoni me çdo kusht t’i mbushni mëndjen Kryetarit të Bashkisë së Vlorës z. Shpëtim Gjika dhe z. Vangjush Dako, Kryetar i Bashkisë së Durrësit, për të të vënë në dispozicion toka dhe troje për të “ndërtuar” pallate për jetimët, me paratë që do të na “vijnë si lumë dhe bujarisht nga Bota Arabe”!? Nëse po, a janë transparente këto para që sipas jush do të “bëhet Deti Kos” edhe për jetimët e gjorë !? A është e vërtetë se në përpjekjet dhe marëdhëniet tuaja okulte, ju keni premtuar dhe premtoni përqindje e ku ta di unë se ç’farë, për të gjithë ata që do të ndihmojnë në “realizimin e këtij projekti të madh” për jetimët !? Unë dëshirojë dhe uroj që të gjitha këto të mos jenë të vërteta. Sepse mendja ime që nuk “shkon dhe aq larg sa mendja jote e ndritur”, më thotë se 2 kryebashkiakët e nderuar z. Gjika dhe z. Dako nuk kanë lajthitur akoma që të besojnë tek mashtrimet dhe fantazitë e tua utopike.

17. Ndërsa kjo e fundit nuk është pyetje, por është një akuzë e drejtëpërdrejtë që unë ju bëjë në publik si dëshmitar okular.

Përse mashtroni donatorët, institucionet shtetërore, tryezat e rrumbullakëta dhe ngado që shkoni duke thënë dhe u mburrur se ju keni qenë nismëtari i themelimit të Shoqatës së Jetimëve?

Ju kujtoj se kur ne, një grup nismëtarësh të vërtetë, ish – fëmijë të rritur jetimë nëpër Shtëpitë e Fëmijëve të përbërë nga Hekuran Hysa, Faik Bollati, Ilir Çumani, Shpetim Çarçani dhe Bashkim Rustemi, themeluam atë shoqatë në Mars të vitit 1991 dhe deri në janar të vitit 1997, fytyrën tuaj as e kemi parë dhe as e kemi njohur deri atëherë, sepse ju punonit në zanatin tuaj të preferuar në lokalet e Durrësit si bufetier dhe kamarier. Ndaj mos gënje, sepse të ka dalë boja me kohë. Me këto mashtrime dhe protagonizma shterpë, je kthyer në një personazh grotesk për të gjithë ata që të njohin.

Të njohin i madh e i vogël në qytetin tënd të Durrësit. Ke vite që e braktis fshehurazi dhe vjedhurazi çdo ditë këtë qytet, sepse del herët që në mëngjes nga shtëpia për të ardhur në Tiranë. Në Tiranën e madhe e të zhurmëshme, ku ti vërdallitesh që prej 10 vjetësh si ujku përmes mjegullës, i uritur dhe me dhëmbë të skërmitura si grabitqar. Pastaj rikthehesh vonë në të ngrysur, në “strofkullën” tënde atje në Durrës, për të mos parë askush nga ata që të njohin.

Pyetje të tjera si këto, kam shumë, por nuk dua të zgjatem.

Ndërsa për shpifjet dhe fyerjet në adresë të personit tim pa baza dhe fakte, ju kujtoj se keni konsumuar veprat penale të fyerjes, (neni 119, Kodi Penal) dhe të shpifjes, (nenin 120 Kodi Penal), për të cilat ju personalisht do të përballeni me mua përpara organeve të drejtësisë.

Dhe, për t’ju hequr merakun z. “PRESIDENT” Baba Ali – Kadri ALIA, po të deklaroj publikisht se e vetmja pasuri e imja është një apartament i blerë në vitin 2000, saktësisht 3 – vjet më parë se të merrja detyrën e Drejtorit të Institutit.

Pasuria tjetër e imja është familja, bashkëshortja dhe fëmijët të cilët i rrisim me dinjitet dhe pa cene e vese të shëmtuara si këto që u përmendën në këtë shkrim për ju.

Ju kujtoj gjithashtu, se në gjithë këto vite të tranzicionit, kam punuar si asistent i çështjeve ligjore pranë zyrave të shërbimit të avokatisë, ku kam qenë një nga tatimpaguesit e rregullt që nga viti 1994 e deri tani. Ende vazhdoj të paguaj detyrimet si tatimpagues edhe për ty z. “PRESIDENT-FALAS” i jetimëve, por edhe për kolegun tuaj shashkë-artikullushkruesin Rruzhdi Memaga, që prej 20 vjetësh jetoni me asistencën dhe lëmoshat e jetimëve dhe mbuloni kokën si struci në rërë.

Mbase, do të më duhej t’i kërkoja ndjesë lexuesit për kohën që i mora. Ndoshta edhe për ndonjë shprehje që më detyruan të dalë nga etika ime profesionale, por në fund, po e mbyll sërish me një fjalë të urtë të popullit që thotë: “Mos u zhyt në një llucë me derrat, se me derrat do të ngatërrojnë…”.

Ndaj, nuk kam ndërmend të zhytem në këtë llucë, sepse ngado që shkoni, kundërrmoni erën e keqe të pisllëkut tuaj social…







Shënim:



Ky Koment, është botuar në gazetënAlbania”, “Republika”, “SOT”,


Zyra e Shtypit
Pranë
INSTITUTIT KOMBËTAR TË INTEGRIMIT TË JETIMËVE SHQIPTARTË


* Drejtor i Përgjithshëm i Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Ilir Çumani: ''Vuvi'' foli... Empty Re: Ilir Çumani: ''Vuvi'' foli...

Mesazh nga Sponsored content


Sponsored content


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi