Fotaq Andrea: Guri i shpirtit
Faqja 1 e 1
Fotaq Andrea: Guri i shpirtit
Tregim
Fotaq Andrea
GURI I SHPIRTIT
Lulit e Turit.*
Kish gati një javë që nënë Sanoja jetonte me një boshllëk në gjoks, një nga ato lloj zbrazëtish mbushur me ankth ndjellakeq, që si kthetra të gllabërojnë fytin e ta mbajnë fort shtrënguar, dhe po aq pamëshirshëm të ngërthjenë edhe stomakun poshtë, në tkurrje të plotë. Mundohej të largonte mendjen me ato dy çika punë shtëpie, një fshesë, një leckë, pluhurat mbi divan e karrige, mbi bufe e tavolinë, i jepte edhe një fshesë avllisë dhe ujiste ngadalë ca borzilokë e karafila mbjellë në saksi me dorë të saj. Çapitej koshtit e avllisë me një kërrusje të lehtë, me një hap të ngadaltë, nën ritmin e një rënkimi monoton, me një pafundësi « ëh, ëh, ëh », që nuk i reshtnin as ditë as natë, sikur vetë jeta e saj të qenkësh shtrat lëngatë për atë trup imcak e të rreshkët, veshur që në rini, kokë e këmbë, me të zeza.
Jo më shumë se para një dite i kish ikur nga shtëpia bija e vetme, Vitoja, me të cilën kish lidhur jetën që pas vdekjes të lumëziut burrë, që i kish sosur ditët e veta nga veremi, pa shkuar dot as tre mote martesë me të. Dhe krejt jeta i kish shkuar që atëherë me shatë e lopatë në kooperativë, me futë në brez për mbledhje ullinjsh, me kosha perimesh e duaj gruri mbi kurriz. E kish rritur atë të uruar bijë me mund të madh, me vetë frymën e saj, si i thonë fjalës, duke e nxjerrë lekun me thonj, dhe domosdo, e kish si dritën e syrit. Sa e pat në shkollë, në tetëvjeçare, veç fukarallëkut të përhershëm, s’kish pasur ndonjë problem tjetër për të. Vërtet i qe sëmurë një herë keq, po mjeku i fshatit, njeri i mirë e i dashur nga fshatarët, e kish nisur menjëherë në qytet, dhe e kish shtruar në spital. I kishte marrë e bija ftohmë të rëndë në mushkri, « bronkopnëmoni », siç thosh ajo, dhe temperatura s’i binte për qamet. U shkulën shoqet dhe mësuesit e i vanë në qytet, se e donin Viton e saj, e kish nëna kapetane, të hedhur në punët e shtëpisë dhe të zonjën në mësime. Pale edhe nur të bukur, me leshra pis të zeza, lastar e vetullhollë.
Por kishin ardhur pastajna ca kohë të tjera, kur njerëzia s’e kish më mendjen as për punë e as për lumë, por vetëm për det e qytet, “ik, të ikim!” Kooperativa u prish, arat u shkretuan, drurët u prenë, u ndanë ca dynymë, por kush t’i punonte, e me se ? U lidhën edhe nga një pension e u dhanë edhe ndopak ndihma, por hajt të mbahej gjallë shpirti me to ! Erdh e u tret bijë e mëmës sa u tha e u bë gjilpërë, se i ikën shoqet dhe tërë rinia, kush këtu, e kush atje.
Donte e gjora vajzë të vazhdonte të mesmen për t’u bërë infermiere. I thosh asaj të shuare mëmë të shisnin shtëpinë e katandinë, të linin fshatin për t’u vendosur në qytet, pranë xhaxhait të saj, se të tërë kishin lënë pendët, si t’i kish rënë flama fshatit. Por ajo, Sanoja kokëmushkë, jo që jo, në të vetën, as që i mbushej mendja për të braktisur fshatin. “Atje kish lidhur jetën, atje do soste ditët!”- siç thosh. Punonte atë çikë kosht, mbante dhe ca pula e një lopë dhe i hipte mëngjes për mëngjes autobusit e shkonte në qytet për të shitur qumështin dhe një dorë erëzash a ndonjë zarzavatë apo frutë të stinës. Arrinin kështu të mbanin frymën gjallë, mëmë e bijë, e të shtynin ditët. Kurse në qytet, ç’do të bënte, me se të merrej ? Tërë jetën qe mësuar me punë, dhe puna, siç dihet, të mban gjallë. Mirëpo, ja që na qenkësh edhe halli i çupës, e hall i madh se ! Se e kish të re në moshë dhe s’kish pse lidhte jetën pas baltës, pa punë, pa shoqe, pa të ardhme. E më atëherë, i kunati i premtoi për t’ia marrë çupën në punë me të hapur dyqanin e tij në një lagje mes qytetit, dhe kështu vajza ta kish më të lehtë për të vazhduar edhe shkollën. U detyrua Sano zeza, më në fund, ta linte të bijën të vente në qytet tek i ungji, ku punonte tërë ditën në dyqan, pa të kërrente ndonjë lekë, që ia jepte asaj të gjore mëmë.
Ja kështu, e bija në qytet dhe ajo në fshat, u shtynë si u shtynë nja katër-pesë vite me radhë, por pa shkollë e pa lumë për Viton. Dhe veç kur një ditë, na i ngrihet mendja çupës o do ikë në Itali, o s’ka, te kushërinjtë e vetë, që qenë rregulluar atje për bukuri, me punë e me katandi, siç thoshin. Dhe vërtet, a nuk e kishin ndihmuar ata Xhemalin, babanë e tyre, për të ngritur e hapur atë çikë dyqan mes qytetit ? Eh, e shkreta Sano! Ajo mezi priste të jepte çupën më ndonjë vend të mirë për ta martuar, andej nga qyteti, sepse sapo i kish mbushur të njëzetat, kurse e bija një e dy : « Nëno, do iki unë; nëno, s’rrihet më këtu; nëno, do të të marr edhe ty me vete; ç’ke ti, s’të lë kurrë vetëm Vitoja tënde ! » e plot e plot lutje e premtime si këto. Pale kur e ëma ia zinte në gojë martesën : i hidhej çupa në kokë për ta kundërshtuar e për t’i thënë se tani s’martohen më vajzat aq të reja si përpara, dhe se ka plot djem të mirë edhe në Itali, ku do vazhdonte edhe shkollë, edhe punë, si gjithë dynjaja.
Pa ç’pa, më në fund, e gjora nënë, pas të luturash e stërluturash të së bijës, u detyrua të shesë atë lopë që ia mbante shpirtin gjallë, për t’ia dhënë lekët Vitos, që edhe vetë kishte vënë, sakaq, diçka mënjanë. Por prapë, i duhej një shumë e madhe për të paguar tërë atë udhëtim me gomone, siç iknin herë pas here tutje klandestinët, dhe këto ia plotësoi shpejt i ungji.
Vitoja, tanimë, sa s’fluturonte nga gëzimi, dhe në pritje të ditës për t’u nisur në Itali, ndenji me të ëmën një muaj të tërë në fshat. Tek e shihte mëmën me gjemi të mbytura, zinte dhe e merrte hopa në krahë, e rrotullonte tre-katër herë nëpër dhomë, aq sa ajo i lutej : « Boll se më more mendtë! » Pastaj, ia niste nga të puthurat e përkëdhelitë, në faqe, ballë, sy e gushë për t’ia larguar krejt mërzinë. Papo një herë, na kish gjetur çupa edhe aparat fotografik, dhe tek lahej mëma në banjë - se vajza e donte gjithnjë llamps të pastër -, kjo fup! hap derën dhe nis e fotografon mëmën ashtu karkacul siç qe! Ajo shty e kjo fotografo, ajo mbulohu e kjo zbulo, ajo bërtit e sha dhe kjo qesh e fotografo, derisa e kish mbyllur çupa derën e e kish lënë mëmën të shpëlahej rehat me ujët e kovës që merrnin në pus. Një herë tjetër, ia kish hequr shaminë e zezë nga koka, dhe krejt flokët e thinjura, të rralluara e fijeholla ia kish bërë dy gërsheta, që ia ngriti majë kokës, ia kapi me kapëse, dhe ia leu edhe buzët me të kuq. Madje këmbënguli që ta vishte edhe me pantallonat e saj xhins, po mëma seç pati atë hop, edhe mori inat. E ajo aherë, hoqi dorë tek e pa të vrenjtur. Kur ish kohë e mirë, mëngjeseve a pasditeve vonë, rrinin pastajna të dyja bashkë në avlli, mëma mbi një stol të vogël e me shtiza në duar, ajo mbi gurin e shtëpisë, secila zhytur në botën e vet, tek-tuk me ndonjë shkëmbim batutash.
* * *
Ishte ditë e martë kur u shfaq papritur para avllisë një djalë, që zbriti nga vetura dhe kërkoi Viton e saj. Mëmës iu duk djali levend, dhe sikur iu ngroh shpirti. Ish i mbajtur, i ri në moshë dhe dukej serioz. Ajo e sajna, doli nga shtëpia me hap të shpejtë, duke i tundur lehtë, mu si rosë, ato vithe të vogla shtrënguar në xhins, që ia kish larë kushedi sa herë në foshnjëri me ujët e ftohtë të pusit. Se ç’thanë kokë më kokë të rinjtë, dhe vajza, sikur të kish kapur qiellin me dorë, hop! një të kërcyer me njërën këmbë pakëz në hava, edhe e puthi djalin drejt e në faqe. Mëmës, veç kur iu errën sytë. Pastajna, djali përshëndeti mëmën gjithë mirësjellje, i hipi veturës, edhe iku. Vetëm atëherë Vitoja e saj kërceu përpjetë, gjithë këmbë e krahë në ajër dhe, tek iu hov së ëmës në qafë, i dha lajmin e gëzuar :
- Nëno, nëno, për një javë nisem !
Ajo foli kështu, por asaj të gjore në vend iu nxi gjithçka, iu bllokua frymëmarrja dhe iu këput koka në sup të së bijës. E mori vajza hopa dhe e nderi në shtrat, i hodhi ujë në fytyrë, ia fërkoi fort me raki faqe, duar, gjoks e këmbë dhe e solli në vete. Pastaj, të dyja u shkrehën në vaj e përgjërim, në krahë të shoshoqit, për një kohë të gjatë.
Atë natë, as njëra, as tjetra, nuk vunë gjë në gojë dhe ranë për gjumë në dhomën e vetme ku kishin fjetur gjithnjë bashkë, në dy shtretër të vegjël përkarshi, bërë me llastikë kamerdareje traktori. Por hem njëra, hem tjetra s’gjenin rehat, lëviz sa në njërin krah në tjetrin, duke e kërkuar më kot atë gjumë të shuar që s’po u vinte. Rreth mesnatës, të parën e zuri gjumi çupën, që zu të flasë në ëndërr, sikur po sherrosej me dikë. Plaka u vuri veshin fjalëve, për të marrë vesh diçka, por ato i vinin të pakuptueshme, të ndërprera, të rrokshme. Rrinte mëma me sy hapët në përpimën e errësirës duke u përpjekur të fashitë mendimet, tek i qenë pleksur rrëmujshëm në kokë e s’i shqiteshin, si një lumë turbullimë, i pamëshirshëm. Vonë, shumë vonë, në një terr të zbërdhulët, pa e ditur as vetë në qe në ëndërr a zhgjëndërr, iu shfaq para syve në tavan një si kuçedër, që spërdridhej e hidhte valle, e nga goja s’nxirrte flakë, por gjarpërinj të zinj, që aty-aty treteshin e shuheshin. Brofi në këmbë tek pandehu se kishin përpirë Viton, po çupë e mëmës flinte e qetë.
Sapo kishte rënë fije agu i parë dhe një dritë e zbehtë që përshkonte degët e hardhisë dhe perden e tylit po luante gëzueshëm në gjysmëhije të tavanit.
Mëma u ngrit pa zhurmë, u vesh, vuri xhezven për kafe mbi një gazierë të vogël, që ia kish sjellë e bija nga qyteti, dhe bëri një kafe farmak të hidhur, për t’i mbledhur barkun. Doli në avlli, u ul te stoli dhe zu ta rrufisë ende të nxehtë, duke u përpirë edhe vetë në mendime të thella : “Ç’të qe vallë ajo ëndërr e keqe që sapo kish parë ? Kuçedër, që lëshonte nga goja tërë ata piko gjarpërinj të zinj !? Bobo, bijë e nënës, po merr veten në qafë! Po shkon drejt kuçedrës !” Ç’të bënte ? Si ta ndalte ? Si t’i prishte mendjen ? Vërviste veten në humnerë të njëmijë e një pyetjeve, pa mundur të dalë dot që andej me një vendim a përgjigje të vetme.
Atëherë, s’iu durua më. Pa orën dhe qe pesë e gjysmë. Më gjashtë, autobusi i parë i linjës nisej nga fshati për në qytet. U vesh, edhe e mbajti frymën fill e te kunati.
Ai u çudit tek e pa në derë të dyqanit aq herët, por ajo s’priti më gjatë dhe iu zbraz atij :
- More Xhemal, ku do ma çosh çupën ti ? Në gojë të kuçedrës ? S’kam sy e vesh unë të shoh e të dëgjoj se ç’bëhet në këtë dynja ? I marrin vajzat e i gjezdisin për porstituta, ua djegin edhe mishin me cigarë e i çojnë në njëmijë horra dhe mëmat s’i shohin kurrë me sy ?! Më gjeni mua, juve, të zezën plakë, dhe doni të më hiqni edhe beben e syrit ?! Jo, jo, jo, jo ! S’e lë kurrë, çupën, unë, të ma marrin zuzarët! E kam rritë me thërrime, dhe ti e di mirë këtë ! Vërtet, edhe ti më ke ndihmuar, dhe ta di për nder, po jo të më merrni çupën e të ma çoni te kuçedra !
- E shoh, moj kunatë, që paske parë ëndërr të keqe, dhe të drejtë ke! - i foli tjetri me të qetë. - Me ç’na shohin sytë, të jap njëmijë herë të drejtë. Po ti, ama, s’e paske njohur mirë Xhemalin një jetë të tërë! Unë, moj, ta bëjë atë gjë për Viton ? Po unë atë e kam bijën time, moj, siç e ke edhe ti! Në kam dy djem, kam edhe dy vajza, se Viton e kam amanet nga tim vëlla që kur mbylli sytë, i shkreti. Po hajt tani, vemi pimë një kafe e të qetësohesh. Shko, futu brenda në shtëpi e thuaj Marës të vijë të më zëvendësojë. Ja erdha.
Ato fjalë sikur të kishin qenë ilaç për mëmën e gjorë, se aty për aty u qetësua. « E po ky Xhemali, gjithmonë gojëmbël me mua! po thosh me vete. Kot që po i bie më qafë ».
Kur erdhi i kunati, u ulën të dy tok në kolltuk, nga ato alla frëngat, më të fundit, që asaj i vinte zor të rehatohej në to, dhe ai ia mbërtheu duart në të vetat e i foli me zë të prekur :
- Mjerë ato mëma, Sano, që s’dinë ku i kanë çupat! Të drejtë ke, njëmijë herë, o kunatë. Ja që kështu erdhi dita. Marrin vajzat e djemtë rrugët nga anë e anës e ku nuk venë, në Itali, Greqi, Amerikë, Evropë, vetëm e vetëm për një copë punë. Se ç’të bëjnë këtu? Duan të hanë. Po duam të hamë edhe ne nga duart e tyre. Ja që këtu punë s’ka, ti e di. Hajt të shohësh listat në dyqanin tim, sa vetë kam që s’më paguajnë dot për ushqimet që marrin. Mezi mbajnë frymën gjallë njerëzit e shkretë. Pse s’i dua edhe unë fëmijët t’i kem këtu, t’i martojë e të rrisë nipër e mbesa ? Edhe mua më djeg xhani për ta, dhe vetëm tek ata më rri mendja, në do ta dish : si janë, si m’u gdhinë, sa punojnë, sa lodhen e rropaten? Janë krejt vetëm, në derë të botës, po shyqyr që kanë njëri-tjetrin. Dhe Vitua, ti e di, do vejë tek ata, se i kanë gjetur punë, dhe po punove e mësove dhe gjuhën, pronari i tyre do t’i bëjë garancinë që të marri kartërat e të jetë në rregull. Ç’pandeh ti, se do e lë unë Viton, bijën time, të më marrë udhët, pale për ato punët e liga që më flet ti !? Pse, s’i di unë të gjitha këto ?
- Po jo, more Xhemal, t’u bëfsha, kam frikë, e kam çupë të vetme. Erdhi dje një djalë me viturë para shpisë, edhe e kërkoi. Se ç’i tha, çu-çu, në vesh.
- Po unë, moj e uruar, e dërgova atë. Është i biri i Metes, Mete agronomit, që ka punuar në fshat. A e mban mend ? Është djalë i mirë, Sanooo, të gjithë e njohin.
- Ku e di unë e gjora! Se pse kam frikë që do ikë. E re është, mund të bëjë edhe të prapa. Ç’nuk na shohin sitë. Na nashti, na nxjerrin edhe barkun jashtë !
- Po ti, s’e paske njohur tët bijë ? Po Vitua është ta pish në kupë, moj e uruar ! Pesë vjet që punoi në dyqanin tim, s’iu dëgjua njëherë zëri, po vetëm fjalë të mirë me këdo. Ua qante hallet të shkretëve njerëz, si ti e si unë. Po tani, të rinj janë, nuk do rrinë me brekushe e poture si ne dikur, ja që do vishen sipas kohës. S’ka pse të kesh frikë !
- Po mirë, ja më thuaj, kjo e imja, fup i kërceu më qafë, edhe e puthi. Ç’qe ajo që bëri në sitë e mi ?
- Dëgjomë, një çikë, Sano : vajzës s’ke pse t’ia kesh frikën, se e ke të pjekur, dhe jo trushkulur. Ajo di ç’bën, di t’i zgjedhë edhe shokët, edhe shoqet. E pra, me djalin e Metes, sikur i kanë lidhur telat. Kështu më duket mua, se i kam parë ca herë bashkë… Edhe ai do vejë në Itali, dhe me Gimin, tim bir që është atje, janë shokë moj, që në vegjëli. Do kenë shoshoqin, shyqyr nuk thua ?
- Aaa, kështu na qenka puna ! Bota di plot gjëra, e unë fukaresha, atje në fshat, s’dikam asgjë ! Po mirë, i fejojmë aherna, e pastaj të ikin. Ç’është kjo punë kështu, ueueu, me nxit ! Ka kohë, le të ikin më vonë!
- Nuk thua shyqyr, të ikin një orë e më parë ! Unë s’e nisa që në fillim, se Vitua ishte e vogël. Papo duheshin rregulluar edhe ata, të mitë, atje në Itali, me punë e me kartëra. Tani që u rregulluan e që i gjetën edhe punë çupës, posi jo, të niset, një orë e më parë. Se s’dihet ç’ndodh dhe bllokohen rrugët.
- Nuk e di Xhemal, nuk e di, po unë se ç’kam një frikë ! – ia ktheu e kunata me zë të dridhur.
- Frikë të tërë kemi pasur. Dhe kemi, normale është. Por duhet vështruar përpara, Sano. Ja, edhe ti, shite atë dreq shtëpie në fshat dhe eja këtu tek unë! Do rrimë sa do rrimë bashkë, do na martohen dhe fëmija andej nga janë, dhe kur të na bëjnë kartërat, do vemi edhe ne pas tyre, t’u rrisim kalamajtë. Të shohim edhe ne dy ditë të bardha më në fund.
- Ku e di unë, ku e di unë, e shkreta ! – foli nëna gjithë psherëtima dhe lotët i shkuan çurg.
Atë çast, ia behu Vitua. Tek ish zgjuar dhe kish vënë re që e ëma kish veshur rrobat e qytetit, e kishte marrë me mend që duhej të qe nisur për aty. I kish hipur autobusit të dytë dhe kish rendur si e marrë nga meraku për të. Dukej që s’kish fjetur mirë. Sa e pa, iu hodh nënës në qafë, dhe s’i shqitej.
- Po pse mi nënë, bën kështu ! Unë të kam thënë që s’të lë ! Do të të marrë me vete, ke për të parë, fillimi është një çikë i vështirë. Gjithë bota janë rregulluar, do rregullohemi edhe ne, ja, do shohësh !
Zunë të dyja të putheshin e të ngalaseshin, sikur të ish pikërisht ai çasti i ndarjes. Xhemali u prek, dhe sytë iu mbushën me lot.
- Ika unë, - tha - se Mara s’ia del dot vetëm në dyqan.
* * *
Që nga ajo ditë, nënës seç iu lidh një xhumbë në gjoks, xhumbë e fortë, gur, që s’i shqitej. Sa herë në vetmi, i binte me grusht gjoksit, për të lehtësuar dhimbjen, por ajo, e mallkuar, ish aty, kish hedhur rrënjë, në thellësi të vetë shpirtit. Dhe vetëm kur rënkonte « ëh, ëh, ëh », sikur lehtësohej njëfarësoj, si ajo kokëza e tenxheres me presion, që lë ngadalë të shfryjë avullin për të mos shpërthyer. E kish mbledhur disi veten pas fjalëve të Xhemalit, dhe përpiqej të mos e jepte veten përpara vajzës. Po prapë, natën në gjumë e ditën në vegim, s’i shqitej kuçedra me gjarpërinjtë e zinj nga sytë. Ata, tashmë, i rrëshqisnin në brendësi të trupit, që nga koka, dhe i strukeshin shi aty, në fole të tyre, te xhumba, brendapërbrenda gjoksit të saj të tharë.
Erdhi më në fund edhe çasti i ndarjes. Bija e mëmës mori me vete vetëm një çantë të vogël shpine, një bluzë, një xhins, nja dy të brendshme, një kuti çamçakëzi, që s’e hiqte nga goja, disa fotografi, ku kish dalë me të, dhe rrobat e turpit. S’donte t’i merrte karkanaqet që i përgatiti e ëma, se do t’i kishte bezdi rrugës, siç i tha. Por ajo kish ngulur këmbë, dhe e bija, për t’i bërë qejfin, mori vetëm gjysmat. Te avllia e priste djali i Mete agronomit, që nëna, si u nda me të bijën tërë lot e njëmijë urata e bekime, e përqafoi e e puthi edhe atë, si ta kish birin e saj.
- Ma ki kujdes çupën, jeto, se e kam dritën e sirit ! - i tha ajo. - Hajt tani, paçi uratën që të dy, e u bëftë dritë ngado që të veni !
Ata i hipën veturës e ikën, kurse ajo u shemb në divan e për çudi, nuk ia plasi të qarit. Po ama nuk i shqiti sytë nga tavani. Iu duk, një hop, se pa aty kuçedrën, që po i nxirrte tashmë gjuhën e tallej me të, por këtë radhë, pa gjarpërinjtë e zinj nëpër gojë.
« Ma more të keqen edhe ti ! - foli nëna nëpër dhëmbë, si me inat e si për t’i dhënë zemër vetes. - E kam çupën në dorë të sigurt, në do ta dish... te djali i Mete agronomit! E ti, plaç aty ku je, se ata do martonen bashkë e s’piesin për ty ! Dinë t’i dalin zot vetes !» Foli kështu ashpër, duke mallkuar të keqen, që të plaste mu si qelq. Edhe e vërviti në shesh, tërë forcë, gotën e kristaltë me ujë që kishte në dorë një copë herë, e që u thye me krisje të thatë.
Doli në avlli, vështroi gjurmët ende të freskëta të veturës mbi udhën e pluhurt, treti shikimin deri në zhdukjen e tyre, pastaj ia nisi rënkimit “ëh, ëh, ëh”, dhe shikimi iu ngul te guri i shtëpisë : ish vendi i përhershëm ku i ulej e bija, i lartë sa dy pëllëmbët e veta. E kishin aty qëkurse qe ngritur shtëpia, mbetur nga gurët e themelit, si më i madhi që qe. Ish i përhimë, i lëmuar, i latuar, i larë nga shiu e i tharë nga dielli e era. Ish ai, që më mirë se kushdo, ia njihte nënës gjithë dertet e saj.
Ajo e ledhatoi si zakonisht, e lëvizi nga vendi, për të parë në mos qe futur nën të ndonjë cfurk a gjë e keqe dhe, pastaj, u ul në stol, në krahë të tij, si të kish vajzën mbi të.
Ëh, ëh, ëh ! rënkonte nëna. Fësh, fësh, fësh! bënte dora e saj e ashpër mbi sipërfaqe të gurit...
Dhe orë të tëra nuk luajti vendit, me të vetmen pamje në kokë, ikjen e çupës, me ato sy që i ndrinin nga lotët, me ato leshra të gjata pis të zeza, me atë fytyrë borë të bardhë dhe dorën tundur nga pas xhamit të makinës.
Veç tre a katër kafeve që piu, tërë atë ditë, s’vuri gjë në gojë. Në pasdite vonë, koha u zymtësua, filloi erë dhe nisën ca pika të mëdha shiu. « Do më laget, bijë e nënës, kushedi ku është? » - tha me vete.
Ra për të fjetur, më herët nga zakonisht, por s’e zinte gjumi. Tërë natën bubulliu e vetëtiu dhe qielli krejt shkarkoi lot, si vetë lotët e mëmës së gjorë në shtrat. Nuk kish drita, si përherë kur bënte kohë e keqe, dhe kish ndezur një qiri. Mbi mur, shfaqej tanimë hija e saj stërmadhe në anë të shtratit, duke shkulur faqet me duar : « Pupu ç’bëra, pse e lashë unë korba, të ikë ! Nga m’u tha gojë e shkretë dhe pranova ! Na tashti dhe tërë ki qamet ! Pupu ç’më gjeti ! Bobo çupa ! »
Ndenji një hop dhe, veç kur i dha gajret vetes : « Po boll, moj Sano, boll, mos ndill keq ! Ç’është kështu me ti ! Të vogël s’e ke ! E rrite dhe e bëre të zonjën e vetes ! Nuk thua shiqir që rrite vajzë për së mbari ! Jo si shoqet e saj që s’dihet nga janë ? Pastaj, vetëm s’e ke, si të tha Xhemali ! Pa kujtoi një çikë fjalët e tij ! »
Jepte e merrte kësisoj me veten, por laku i ankthit e kish kapur fort në grykë, pa dashur kurrsesi ta lëshojë. Një hop iu duk se qenë vetë gjarpërinjtë që po e mbanin mbërthyer përreth gjoksit e grykës. « Hëni, u shofshi, forca, me mua plakën merruni, shpirtin ma nxirrni çika-çika, veç atyre mos u ndodhtë gjë ! » mallkonte e uronte plaka me gjithë zemër që t’i binte asaj e liga mbi kokë dhe jo të rinjve...
Të nesërit, qielli krejt u ça, me një kthjellimë, pastërtimë e llamburimë kristal të ajrit. E dërrmuar nga një natë e tërë pa gjumë, nëna doli në avlli të marrë frymë lirisht. Zgjidhi shaminë, krehu leshrat, mbështolli me kujdes, si gjithnjë, flokë të mbetur në krehër, që shpejt i futi në xhep të futës, si të rraste në të ndonjë mister, dhe çeli grykën e pusit për të lëshuar kovën brenda tij. U hodhi një grusht ujë syve, fërkoi fort damarët e qafës dhe nisi të zvarret me « ëh-ëhën » e zakontë kalldrëmit të avllisë. Vështroi hardhinë që kish nisur të bulëzonte, qershinë e kumbullën gati edhe ato për të shpërthyer në lule dhe, si çdo fillim pranvere, iu kujtua i ziu burrë që kish mbjellë ato pemë. Pasandaj, sytë i ngelën mbërthyer një hop mbi gur të shtëpisë. U përkul dhe e preku me dorë, si t’i thosh “mirëmëngjesi”. Hyri në shtëpi për të larguar mendjen nga tërë këto, dhe zu të merret me dy çikat mobla, tek u dha një leckë pluhurave. Por pa e kuptuar as vetë, kishte hapur tashmë dy sirtarët e komosë ku vajza kish lënë teshat.
U mori erë bluzave e këmishëve dhe duar e këmbë zunë t’i dridhen. S’po ndihej mirë as brenda shtëpisë, as jashtë në oborr. Po i merreshin mendtë, por edhe të nderej në shtrat, kish frikë. Nuk e ndjente veten të fuqishme të përballej me kuçedrën, kur tashmë kryet i zëzëllonin nga tensioni i lartë! Me siguri, ai dreq përbindëshi do t’i shfaqej sa të mbyllte një çikë sytë a të dremiste.
Atëherë, tha me vete t’i bënte vizitë Shaqes e të pinte kafenë me të. Mori tre lugë të vogla me kafe të bluar brenda një qeske të vogël plastike, u hodhi përsipër një lugë sheqer dhe shkoi te gjitonia, me të cilën qante hallet herë pas here dhe që i qe gjendur në të mirë e në të keq.
Kur i dha lajmin e vajzës që i iku, Shaqja i hodhi krahët në qafë dhe e uroi :
- Shyqyr, shyqyr, më në fund ! E priftë e mbara ngado që të vejë, vaftë e ardhtë shëndoshë, Sano! As mos ia ki merakun! Ke çupë, për kokë të çupës, gjithë bota ta kanë zili!
Ajo atëherë ia hapi krejt barkun : për frikën që ndjente, për kuçedrën që i dilte në ëndërr, për gjarpërinjtë në gjoks e rreth qafës, për djalin e agronomit, për njerëzit që i prisnin në Itali, dhe plot e plot lajme të tjera, të mira e të këqija bashkë, që një moshë e thyer e ka të nevojshme t’ia përsërisë jo vetëm vetes, por edhe t’ia besojë të tjerëve për t’u ndjerë sa më pranë realitetit, jetës, njerëzve, duke dashur kështu të luftojë vetminë dhe vitet mbi kurriz.
Shaqja e mbajti me zor për drekë, duke u shtjerë një çikë më shumë ujë fasuleve, siç i tha, për të nxjerrë një pjatë më tepër nga sa e kishte llogaritur. I shoqi dhe i biri i ktheheshin vetëm në darkë në shtëpi, tek punonin bashkë në ndërtime.
* * *
Duhej të qe pasdite vonë, kur ato po kuvendonin në oborr me shtizat nëpër duar, dhe kur vjen një veturë që u ndal mu para shtëpisë. Zbritën tre-katër vetë dhe Xhemali mes tyre. Tek pa kunatin fytyrëprishur krejt, me këmbët që i merreshin dhe krahët e dridhura drejt saj, nëna ia dha në kupë të qiellit ulërimës. Ai e pushtoi në gjoks, dhe zu të ngashërehet, duke lëshuar lot të nxehtë mbi shaminë e saj të zezë. Ajo s’arriti dot të mbarojë pyetjen klithmë :
- Xhemal, çupa… ?
Pa vetëm një tundje koke miratimi dhe aty-aty, u zalis. Një nga të sapoardhurit, i bëri në vend një gjilpërë.
Sakaq, shpërtheu ulërima ngjethëse e Shaqes :
- Korba… korba, bijë e nënës !…
Njerëzit e fshatit u dyndën menjëherë aty, si zakonisht, për ditë të zezë.
Atë natë me furtunë të marrë, Otrantoja kishte përpirë gjëmshëm edhe një gomone tjetër me tetë klandestinë të mjerë shqiptarë…
Kishin kaluar tashmë edhe të dyzetat, dhe nënës i qe tharë krejt liqen i lotëve dhe zemra i kish marrë plasarima të thella, si tokë e zhuritur. Bënte jakë e eja në shtëpi e avlli, me një përvajë të përvijueshme, monotone, zvarritëse, teksa rënkimet « ëh, ëh ! » i qenë kthyer tanimë në klithje të gjëmshme e të gjëmimshme, në « oh, oh ! » të lemerishme. Do kish dashur me mijëra herë t’i jepte fund vetes, me të tëra format! Por prapë e shihte vetëvrasjen si rrugën më të lehtë të shpëtimit tek pyeste veten : “Kush do t’ia qante çupën e saj? Kush do t’i shkonte te varri me atë tabut mbushur me gurë? Kush do kuvendonte me të? Kush do t’ia prekte e t’ia lante teshat e sirtarit? Kush do ta puthte në fotografi vajzën flori të nënës?”
Hapte pusin, e matej të hidhej brenda, por në çast shihte mbi ujë fytyrën e së bijës duke iu lutur : « Mos, nënë! ». Merrte gurin e shtëpisë dhe donte të përplaste kokën mbi të, por shihte sakaq vajzën ulur mbi gur, tek i thoshte : « Mos, nënë! ». E kështu me radhë, sa herë i shkonte mendja t’i jepte fund vetes me thikë në zemër, me kazma në gjoks, me bar miu në gotë. Asohere, lëshohej krejt, me sytë në tavan duke parë kuçedrën e duke bëlbëzuar :
- Më munde, moj qëne, ma more vajzën, ma thave shpirtin !… Gjarpërinj i kishe dallgët, gjarpërinj të zinj….Siç deshe, bëre, moj u shofshë ! Ç’kërkon tani ?…Më do dhe mua! Ja ku më ke ! Merrmë, merrmë moj lanete, u djegsh e u përvëlofshë !… Më sheh që vuaj, që qaj, ë ? Hë, më pushon dot ? Unë qaj, e ti të plasësh, s’më pengon dot !…
Dhe ia niste nga vajtimi me zë të lartë, që të ngjethte mishtë :
Mos të thashë moj, mos ik,
Mos më lërë kallogre !
O bijo, ku më je ?
O Vito, pse më le ?
Ku je bijë e nënës-ë,
Syrrush e vetullzez-ë.
Më shkretove shtëpi,
U thafsh o det i zi !
O bijo, ku të ka nëna ?
O e bukura si hëna !
O det i mallkuar-ë,
Që më more çupën-ë.
Qan nëno kërcuria,
O Vito, nusi-a,
Buzë karafili-a,
Lule trëndelini-a.
O Otranto, Otrant-o,
Vajte more Viton-o.
U djegsh e u bëfsh hi !
Se më shkretove shtëpi !
Maraznë dot s’e nxora,
Viton-ë nuk e martova.
Bijë, nëna po të qan,
Po të qan e s’gjen derman.
Të qan guri, të qan pragu,
Bijë po të qan oxhaku !
Bijë re brenda në det,
Të hanë pishqit moj e shkretë.
Kur delje, rrije te porta,
Seç të kishin zili bota.
Moj e bukura prej nurit,
Si thëllëxa majë gurit.
Moj e hequra si bari,
E kulluara si ari.
Gëzimzezë që s’u gëzove,
Jetën-ë s’e trashëgove.
U çkul kuçedra nga rrënja,
Në det të vrau brënda…
Ishte një qarje e tillë me ligje pa sosmë, kur fjalët i buronin nga shpirti, shoqëruar me një « ëh, ëh » vajtuese, rrëqethëse, dhe në çdo rast do kish vargje të reja, njëri më i dhimbshëm se tjetri. Tanimë, damarët e qafës, të lirshëm nga gjarpërinjtë e ankthit, kishin nisur e i qenë fryrë egër nga vajtimi i pandalshëm, kurse zbrazëtinë në gjoks e mbushte përditë me gurin e shtëpisë, që e mbante fort të shtrënguar, si të shtrëngonte të bijën. Merrte dhe e përkundte, e ledhatonte me gishtat e rreshkët dhe nuk shqitej dot prej tij. Edhe pse ish disi i rëndë për moshë të saj, asaj i dukej pendë i lehtë, e vinte në pëqi dhe mbështeste faqen e tharë në faqe të tij, tek vajtonte : « Të mban nëna në dorë, Vito nuse me kurorë,… të mban nëna në pëqi, Vito folmë një fjalë dhe ti ».
Shumë shpejt, guri u kthye në simbol ngushëllimi, shoqërimi, vajtimi, tek nxirre nga gjoksi dhe vinte mbi të fotografinë e çupës gjithandej nëpër shtëpi e avlli, dhe njerëzit çuditeshin si arrinte ajo plakë të mbante shtrënguar në gjoks tërë atë gurë, duke e përkundur oborrit si foshnjë në gji. Mundoheshin t’ia hiqnin nga krahët, Shqaja e para, duke i thënë se « nuk është mirë ashtu, është i rëndë për ty », por ajo kundërshtonte ashpër :
- Po këtu më ulej Viiitua, moj, bijë e nënës-ë ! S’ma çqit dot njeriii nga krahët-ë. Kam bijën timeee këtu, e kam larë me lot !
Dhe zinte e ngjeshte buzët e dridhura mbi të, si t’i jepte frymë, si të merrte frymë. Duart përcillnin aty tërë energjinë e saj të brendshme, sikurse dhe zemra të rrahurat e veta. Krejt shpirti i saj depërtonte në të, komunikonte me të.
- Të keqen nënaaa, të keqen nëna ! - i thosh me zërin kujë të dhimbjes e të përgjërimit. -Vetëm ti, jeto, më mba gjallë, vetëm ti, jeto, më shuan mallë !
I fliste gurit, si të qe dikush aty, me të cilin kuvendonte. Dhe ia pasonin në çast një varg « oh, oh, oh ! », ulërimat e shpirtit të nënës shamizezë, që të mbushnin trupin me morrnica…
Një nip i saj, që si shumëkush i shkonte shpesh në shtëpi për të mos e lënë vetëm ato ditë të zeza, u mundua një herë t’ia fshihte gurin, por nëna ia dha sakaq kujës në kupë të qiellit, si t’i kish vdekur ndonjë evlat tjetër, duke u lutur e duke u përshpirtur :
- Amani, mos ma hiqni, mos ma hiqni gurin e shpirtit, amani, vetëm ai më ka mbetë !
Dhe me t’ia dhënë, u qetësua, dhe zu ta përkundë e të përkundë edhe veten mbi të, duke belbëzuar fjalë të ngrohta lumë, ku nuk kuptohej më në i fliste vajzës a gurit, apo të dyve bashkë.
Shtator 2002
*Subjektin e kësaj rrëfenje, për nënën dhe gurin që ajo mbante në gji, e kam nga shkrimtarja Luljeta Danaj, tek ma rrëfente me tone shumë prekëse dhe me zërin e saj karakteristik të dridhur ëmbël - që i buron nga shpirti i lartë artistik -, kur ishim një darkë në një nga lokalet e qendrës së Tiranës, së bashku me të shoqin e saj energjik e simpatik Artur Sokolin.

Agim Gashi- Administrator
- Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008
Similar topics
» Fotaq Andrea:Hija
» Fotaq Andrea: Moj shqiptarka këmbëlehtë
» Fotaq Andrea: Dine Doraci
» Fotaq Andrea: Puthja e jetës…
» Fotaq Andrea:Puthja e jetës…

Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
Tue Mar 14, 2017 8:17 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ - SHIPTARËT NUK JANË "ME BYTHË NË PRUSH", PËR TË FALUR TOKAT
Mon Feb 27, 2017 6:54 pm nga Agim Gashi
» Akuzat kundër Shefqet Krasniqit Prokurorisë ia kishte konfirmuar edhe BIK-u (Dokument)
Mon Feb 27, 2017 5:20 pm nga Agim Gashi
» Aktakuzë kundër imamit Shefqet Krasniqi
Mon Feb 27, 2017 4:32 pm nga Agim Gashi
» Zbulohen tensionet gjatë dialogut në Bruksel, Nikoliqi Thaçit: Ti je kriminel
Fri Feb 03, 2017 7:40 pm nga Agim Gashi
» Faruk Tasholli - RJEPENI NANËN
Fri Feb 03, 2017 12:22 pm nga Agim Gashi
» FAMILJA E HAKI IMERIT: AI U VRA NË KOHËN KUR NË PUSHTET ISHIN HASHIM THAÇI E REXHEP SELIMI
Wed Jan 25, 2017 12:39 am nga Agim Gashi
» AGIM GASHI - O NE TREN PËR MITROVICË
Wed Jan 18, 2017 11:08 pm nga Agim Gashi
» Vëllai i tij u pajtua me Thaçin, por ja si ishte kidnapuar Haki Imeri në Brojë e më pas ishte vrarë
Wed Jan 18, 2017 8:13 pm nga Agim Gashi
» Fadil Maloku:Aferim, Prokurori e Kosovës!
Wed Jan 18, 2017 8:00 pm nga Agim Gashi
» Djali i Haki Imerit del kundër axhës: Nuk ia fali Thaçit, nuk dua drejtësi kanunore
Wed Jan 18, 2017 7:12 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ:Copëza biografike dhe kujtime për Ibrahim Rugovën
Wed Jan 18, 2017 5:13 pm nga Agim Gashi
» Presidenti Thaçi i “lahet me 124 pleq” Imer Imerit se nuk ka gisht në vrasjen e vëllait të tij
Wed Jan 18, 2017 4:00 pm nga Agim Gashi
» Adem Salihaj akuza të rënda ndaj Hashim Thaçit, ja si po mundohet të shpërlahet nga krimet e shumta që ka bërë
Wed Jan 18, 2017 3:53 pm nga Agim Gashi
» Ndodh edhe ky skandal: Njeriu që grisi fotografinë e Presidentit Rugova merr certifikatën e veteranit të UÇK-së
Tue Jan 17, 2017 7:55 pm nga Agim Gashi
» BERAT ARMAGEDONI:Lamtumirë, Joshua i Pejës!
Tue Jan 17, 2017 12:15 am nga Agim Gashi
» Biografia e Presidentit Rugova - Biografi e shkurtër
Mon Jan 16, 2017 10:32 pm nga Agim Gashi
» ILIR MUHARREMI : Treni provokativ, artistët në gjumë
Sun Jan 15, 2017 11:32 pm nga Agim Gashi
» Përveç ROSU-së, ky është shqiptari që rrezikoi jetën për ta ndalur trenin e Serbisë
Sun Jan 15, 2017 9:53 pm nga Agim Gashi
» ENVER PETROVCI - IN MEMORIAM SEFEDIN NUREDINIT- SEFA
Sun Jan 15, 2017 9:07 pm nga Agim Gashi