Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Fotaq Andrea:Hija

Shko poshtë

Fotaq Andrea:Hija Empty Fotaq Andrea:Hija

Mesazh nga Agim Gashi Wed Oct 28, 2009 2:38 am

Fotaq Andrea/Tregim

H I J A

Shpirtrat janë pilivesat e hijes

Viktor Hygo.

Hije më thonë,

Tek vij që nga errësirat e kohës,

Gjithkënd e gjithçka të shoqëroj,

Në kurorëzim e shkurorëzim me dritën,

Edhe diellin sundoj.

E pavdekshme jam, në Jetë e në Përtejjetë,

Shoqëruese e shpirtit në shtegtim të gjatë.

Rrëshqas e depërtoj kollajshëm gjithandej,

Përherë me vete mision e mister tek mbart.



E thjeshtë jam në përbërje,

Lakuriqësi e marrtë.



Mes ëndrrës edhe zhgjëndrrës, në vegim e ag,

Dridhem, luhatem, regëtij,

E vetëtij,

Kujtim tek jam, mbijetesë e shenjtërim,

E dukshme dhe e padukshme,

Në vetëdijë e pavetëdijë.

Po vij, të dashur miq - duke ju drejtuar juve, dhe jo nopranëve ! - t’ju flas, një e vetme, e përbashkët për të dy. Sepse edhe vetë ata, të dy, u shkrinë, u tretën brenda shoshoqit, u shndërruan në një dritësi të njëtrajtshme, me shpirtra të përpuqur. I shoqërova nga fillimi në mbarim, në atë fund pa fund, dhe vij t’ju dëshmoj, t’ju rrëfej, në kini durim, gjithë sa pashë me sy, sa dëgjova me veshë, sa preka me dorë, sa fola me fjalë nga vetë gojë e tyre, tek i përkëdhela, i qetësova, i përgjova, i përgjuma, i rizgjova e i përgjuma sërish, në atë luftë e ngërthim mes jetës e vdekjes.

Se s’e kisha të lehtë, edhe pse u orvata të vë baraspeshën midis lumturisë e dhimbjes, shpresës e fatalitetit, të qeshurës e të qarës, zgjimit e gjumit. S’kam qenë dhe s’do jem kurrë armike e vdekatërve. Kam qenë dhe jam e zellshme për t’i ndërgjegjësuar e përjetësuar.

Dëgjoheni, miq, rrëfenjën time, me gjakftohtësi, pa pasion marrak, dhe nuk dua të më jepni të drejtë, ashtu sikurse nuk dua të gjykoni a të peshoni ligjin fillestar, përfundimtar dhe fundfillestar, të tejtejshmen pavdekësi. S’dua t’ju mbaj leksion, ca më pak ndoca konfuzëve ateistë, për materien e imaterializuar, apo materien mendim e të teorizuar të relativitetit ajshtajnian. Dua t’ju flas me një gjuhë konkrete, mbase edhe disi të thekshme e të prekshme, por krejt të ndryshme nga gjuhë e ashpër e bunkerit, shi në atë kohë të bunkerit. Sepse, e gjithë sa ndodhi, filloi aty, e mbaroi aty, në kohë e në hapësirë të betontë. Në gjumë të tokës mëmë, ata, të dy, Mira dhe Miri, të mirë si vetë buka që hanin, janë duke u prehur tashmë përjetësisht…

Ishin ditë të bukura, plot diell e jetë, me gëlim e gumëzhimë natyre, me vallëzim fluturash e kandrrash, me cicërima e ciatje, me aroma erëndjellëse e erëdehëse bimësh dhe pemësh në lulëzim, mes një kaltërsie qiellore të tillë që ta përpinte shikimin. Gëzonin ata, gëzoja dhe unë, lodronin ata, lodroja dhe unë, në atë shëtitje të bukur të dëshirës dhe ëndrrës rinore, larg qytetit, zhurmës, vështrimit gjuajtës dhe gjuhës vrastare.

Po shijonin pranverë, pranverë natyre e moshe, po shijonin një të diel në diellësi, në atë vetmi të praruar që të fal gjiri i natyrës me lëngun e vet jetësor, duke u rrekur me eth e epsh shoqmëshoq në butësinë e shtufës, në shtrat të shqopës. Putheshin, përqafeshin, pinin e përpinin në buzët e njëri-tjetrit me krejt zjarrminë e dashurisë. Duheshin marrëzisht, por edhe druheshin po marrëzisht, e trembeshin si zogëza para skifterit nga një realitet shoqëror që i bënte të lëngonin. Se ç’ishin, në fund të fundit, të rinj engjëllorë, jo më shumë se shtatëmbëdhjetë pranvera !

Dhe ja, në një çast të tillë të trëndafiltë, veç kur ndjejnë hapa së largu, një fishkëllimë të gëzueshme. Ajo e shkretë zu të dridhej, « se mos i kapnin », siç tha me aq pafajësi. Ai, më i qetë, i vuri dorën te goja, dhe ashtu të fshehur në shqopishtë, panë tek kaptoi shtegun poshtë tyre një djalosh i gëzuar ushtar, që tundte rripin, me xhaketë shkopsitur dhe pa kapë mbi krye. Iku në punë të vet.

Atëherë, ata menduan të ktheheshin në shtëpi. Po prapë, kishin bërë dy orë rrugë në këmbë derisa kishin mbërritur aty, në gji të natyrës kondrinore, për atë gjysmë ore të artë që kaluan së toku. Pesëdhjetë metra mbi ta, një tunel ushtarak, beton i gjallë, rrinte gojëshqyer, si i habitur nga prani e ngrohtë njerëzore që kish dhunuar mjedisin e tij të militarizuar gjithë transhe. U joshën të rinjtë tek panë në krahë të tunelit një mimozë mizore me verdhësi shpërthyese. Djaloshi mori përpjetë, drejt pemës tunduese, për të bërë një tufë lule, tek tërhoqi vashën nxitimthi pas vetes. Gjithë harbim, zunë të mbledhin mimoza e të qëllonin shoshoqin me pjalmin dhe pushin e kokrrave verdhore që mbushnin degëzat…

Sërish ndjenë hapa dhe zëra bashkë. Këtë herë më pranë tyre, nga sipër. Ashtu siç qenë, braktisën lulet dhe vetëtimthi u futën në gojë të kuçedrës tunel. Ishte i ftohtë, i errët, bosh, si vetë boshësia asgjësuese. Hapat u afruan, u afruan edhe më, u ndodhën mu te pragu. Ata u bënë njësh me errësirën, rrafsh me paretin e ftohtë të çimentos. Befas, dëgjuan një zhurmë të fortë, shndërruar aty-aty në rrapëllimë oshëtitëse, që i ngriu në vend, i shtangu krejt, dhe përfundimisht, ndjenë një kërcëllimë fatale hekuri që burgosi betonin. Përpara tyre u shua gjithçka, u shua dielli, u shua qielli, krejt natyra. Porta e tunelit qe mbyllur rrëmbimthi, shulosur përgjithnjë.

Pas një çasti hutimi fatal, ata u hovën drejt portës, zunë t’i bien me grushta, ia dhanë klithmave e ulërimave :

- Hej, hape ! hape, hape, hapeeee !!!

Po kujt i binin se ! Nuk ishte më portë, por masë betoni gjysmë metër trashësi, mizore si vetë lufta, që i bënte grushtet e tyre të pambukta dhe klithjet e tyre të shurdhëta. Nuk reshtën gjysmë ore së brituri e së godituri mbi portë, me lotë e klithma, vajtime e përgjërime. Luteshin me aman e derman « Hape, hape, o none, hape ! » sa të këpusnin shpirtin…

Domosdo, edhe ju, të befasuar e kureshtarë, do dëshironit një përgjigje për pyetjen që po ju djeg tashmë majën e gjuhës : « Çfarë ndodhi ? »

Ndodhi ajo që s’duhej kurrsesi të ndodhte : një çast i pandreqshëm, i kobshëm, i lemerisshëm. Ushtarët kishin marrë, atë ditë, urdhër nga eprorët, dhe këta nga lart, nga vetë Makinë e Luftë-Mbrojtjes, të mbyllnin tunelet me portat e rënda hermetike, përllogaritur shkencërisht që edhe gazin e shpërthimit bërthamor të mos e filtronin ! Flitej se bunkerët dhe tunelet e shumtë, si mizë lisi gjithandej, në male, fusha, kodra, qytete, fshatra, varreza, fabrika, rrugë, bregore, gjer edhe te vetë Truri Qendror, po frekuentoheshin në atë kohë, shpesh e më shpesh, nga njerëz për do punë personale, por sidomos nga çifte të dashuruarish, dhe kish rrezik në atë rast se mos nevojtorizoheshin apo çnderoheshin bunkerët dhe përdhosej ushtria.

Fjalët mbase s’do mjaftojnë këtu për të përshkruar tragjedinë që sapo kemi nisur të rrëfejmë, por kur një nga ushtarët e gjorë që mbylli atë portë makabre aq vetëtimthi, mori vesh se kish murosur për së gjalli dy të rinj, luajti nga mendja dhe u lirua parakohe, si i paaftë për ushtri. Por sot e kësaj dite është i paaftë edhe për jetën e tij !

Besoj do më besoni tani se ç’barrë të rëndë mora përsipër nga çasti që u mbyll njëherë e përgjithnjë bota para tyre.

Si u rraskapitën e dërrmuan grushtet dhe krahët mbi portë, si u ngjirën e u mbytën në lotë, kërkuan në çdo qosh të territ, në mund të gjenin diçka të fortë. Gjetën vërtet një shufër hekuri dy pëllëmbë të gjatë, mbetur nga saldimi, një arkë ushtarake shkatërrinë, ca gjethe të thara që kish kuturisur aty era, nja dy bishta cigareje dhe… asgjë tjetër. Zunë t’i bien me shufrën e hekurt çivive të mëdha, duke dashur të jepnin kësisoj alarmin. Po ç’të thuash : a mund të japë një mizë alarmin duke u rrekur të tundë çokun e rëndë të një kambane të madhe majë një kulle të lartë ? Shqyen atëherë arkën, rrëmbyen dërrasat e saj kalbësirë dhe zunë t’i bien betonit shurdh e memec. Ishin egërsuar në mënyrë të tillë sa pandehnin se vërtet do t’i shqyenin, dërrmonin e copëtonin ato mure gjysmë metri të trasha, por shpejt u copëtuan e u thërrmuan vetë dërrasat e ata u pëgjakën nga duart. Nuk përmbaheshin më, edhe pse forcat po u shternin, dhe nisën asohere të vërvitnin vetveten mbi portë, tek përplaseshin e rropateshin ta lëviznin nga vendi, ta shkulnin, ta shpërthenin.

U shembën nga mishtë, u shembën nga kockat dhe… e para u zalis vasha. Ai e rrëmbeu në krahë, e shtrëngoi në pëqi, e puthi dhe e shkundi disa herë për ta sjellë në vete. Me njëmijë të thirrura, me njëmijë lot e të lutura, e përmendi. Nisi të qante e të qeshte njëkohësisht, mes gëzimit e hidhërimit.

Vetëm në atë kohë, mes demonëve agresivë të shkretëtirës beton dhe demonëve të marrëzisë njerëzore, m’u dha rasti të ndërhyj. Deri atëherë, e kisha të pamundur të veproja për t’i qetësuar sadopak. Kishin kaluar mbi dy orë dhe, me sa duket, të lëshuar krejt, djaloshi, i pari, kërkoi t’i thërrasë arsyes.

- Mos u mërzit Mira, mos u bëj merak, do dalim, ke për të parë ! Do vijnë prapë ata dhe do e hapin portën. Mbase na kanë parë, dhe po bëjnë shaka, sa të na trembin një çikë. Me siguri na kanë dëgjuar ! Sa të mbarojnë drekën dhe do vijnë. Këtej, ata bëjnë stërvitjen, nuk i vure re transhetë ? Hë, më thuaj ? – Mundohej kështu ta bënte të fliste, tek e puthte dhe e përkëdhelte në faqe, flokë dhe mbi kapakët e rënë të syve.

Ajo rënkoi, ndjeu dhimbje në tërë trupin, dhe zu një hop të dridhet, pa thënë një fjalë. Ai sërish u tmerrua, tek pandehu se Mira e tij do përpihej në humnerë të kllapisë.

- Kam ftohtë ! – foli ajo me zë të hollë, si të kish frikë se mos nxiteshin e i hoveshin përsipër demonët e zinj të tunelit.

Ai hoqi trikon e pambuktë dhe ia veshi shpejt e shpejt, duke u munduar ta ngrohë sa më parë me afshin e parë të trupit të tij të sapozhveshur. E puthte dhe e puthte, për t’i përcjellë tërë ngrohtësinë e qenies së vet, e përkundte dhe s’reshte një grimë së foluri :

- Po Lumes, i the që do vinim këtej ? Mbase do vijnë e do na kërkojnë ata !

Ajo tundi kokën në shenjë mohimi, psherëtiu thellë dhe zu të qajë në heshtje, në prehër të tij. Ai i rrufiste lotët, tek e puthte lehtë, pa kuptuar tashmë në pinte nga lotët e saj apo të tijtë. Ajo e kish mbërthyer nga qafa dhe e mbante shtrënguar, si të mbahej fort pas një direku anijeje të mbytur në atë oqean errësire e guri. Një Zot e di, ndonëse unë vetë jam edhe hija e Perëndisë, sa ndenjën ashtu të lidhur, për t’i përcjellë shoshoqit sadopak forcë, besim e shpresë.

Tashmë mund të ndërhyja tërësisht, e t’u ndihja aq sa mundja. Rrëshqita përtej tunelit dhe i nxorra jashtë mes ëndërritjes. I shpura turrazi, atë pasdite të vonë, secilin në shtëpi, ku u përligjën te mami e babi për vonesën, (megjithëse të sharat, të bërtiturat e kërcënimet nuk munguan). I ula në tryeza, njëra tek përlau tre copa byrekë, racionin e saj që nga dreka (se mami çdo të diel bënte byrek), dhe tjetri tek hëngri një pjatë gjelle dëng me patate e mish, si gjella më e mirë e javës për familjen. I kish marrë uria, ndaj dhe u përcolla fragmente të tilla vatre të ngrohtë familjare. Si hëngrën, (atë hop kur zorrët kishin nisur tashmë t’u ulërinin egër), i çova nëpër shokë e shoqe të klasës, ku nuk munguan të tregojnë ndodhinë e tyre të tunelit, por jo pa një çikë humor, për të mos e bërë tragjike. I shëtita rrugëve me diell të qytetit, i shpura për të blerë akullore dhe i ula në një stol të parkut të vetëm buzë bulevardit, ku bënin shëtitjen dhe parakalimin e gjatë darka me darkë…

Atë çast, e para u hov sërisht Mira, tek iu shkëput djaloshit nga krahët dhe u lëshut drejt portës për ta shtyrë me gjithë marrëzinë e vet, me klithma tejshpuese të shpirtit por jo të betonit të pashpirt. Nuk donte, nuk pranonte kurrsesi të kalonte natën aty, e bindur tashmë që muzgu kish rënë në jashtësi dhe terri po e tmerronte më shumë se kurrë. Zu të përplasë kokën pas betonit, të shkulë flokët, të çjerrë veten dhe t’i vërvitet Mirit si skifter me kthetrat hapur, për t’i rrëmbyer nga gjoksi shpresën dhe lirinë në ekzistonin në qetësinë e tij ende të paçmendur. E akuzoi atë, akuzoi dhe vetveten : « Pupu ç’bëra ! pupu ç’bëmë ! Ti e ke fajin ! Pse hymë këtu ? Ç’deshëm që hymë ? Po tani ? S’do dalim më ! Si do dalim që këtej ? » dhe njëmijë pyetje e përgjigje bashkë, tronditjeje e llahtare njëkohësisht. Ai mundohej ta mbërthente nga krahët, t’ia mposhte djajtë e skëterrës dhe ta sillte në vete, akoma i fuqishëm për t’iu lutur e përgjëruar :

- Aman të keqen, mos bëj kështu ! Mendo më mirë si të dalim që këtej !

Si u lodh nga ulërimat e u dërrmua nga dëshpërimi, ra në gjunjë, pa bëzajtur më. Heshtja e saj tashmë ndezi Mirin, tek u ngrit dhe iu vërvit edhe ai errësirës me zë buçimë :

- Po ne jemi gjallë, jemi gjallë, do dalim se s’bën ! Më kupton ? Më kuptooon !…

Dhe ra mbi të për ta mbërthyer fort në gjoks. Vijuan të rrijnë kështu të lidhur një trup, me të vetmen kohëmatje, rrahjet e forta të zemrës dhe vërshimin e gjakut tëmthave.

Sërish m’u dha mundësia të ndërhyj, t’i përkundja në djep të ëndërritjes. Mund edhe t’i nxirrja përsëri jashtë, por do ishte vegim shkatërrimtar, si radhën e parë. I lashë atëherë të ruanin baraspeshën në njëfarë qetimi. Shpirti m’u bë copë tek i shihja në zi për së gjalli. Dhe shihja rrezik të madh tek demonët e brendshëm të betonit, vërtet në mbretëri të tyre, por që vetëm rastin prisnin të hidheshin në mësymje përfundimtare.

E pafuqishme për të luftuar këta demonë të luftës, duhej doemos të bëja diçka, qoftë edhe një gjest të vogël, për t’i neutralizuar sado pak.

Jashtë, ishte natë kur dola e vetme për të biseduar me mikeshën time, hijen e eprorit të repartit ushtarak, ndonja pesë kilometra larg që andej. I qava hallin për dy të mjerët e betonuar për së gjalli dhe ajo më premtoi se do të më ndihmonte me sa të mundte...
Mikesha ime, duhej ta kish ngacmuar me siguri në vesh atë komandant bunker, me ndonjë nga mesazhet tona ekstra të vullnetshme e të pavullnetshme, sepse nuk vonoi dhe ai dha urdhër (sipas urdhrit që kishte marrë, për më tepër !), të ndizeshin dritat e zbehta të tuneleve që kishte në vartësi. Të bëhej një veprim i tillë, kur popullata e qytetit më të afërt vuante për mungesë energjie elektrike, ishte gjëja më e zakontë për një vend të bunkerizuar. Duhej zbatuar urdhri nga lart që fortifikatat të mbaheshin herë pas here të ndriçuara dhe të pastra, në gatishmëri të plotë, e sidomos për t’iu « ruajtur nderin » nga dashnorë çamarrokë. Sepse jo të gjitha fortifikatat qenë të pajisura me dyer të blinduara.

Tek ra befas drita e zbehtë në tunelin e tyre, Miri e Mira shqyen sytë mes dënesës e lotëve. Ç’të qe vallë ajo ëndërr torturuese që po tallej me ta ? U hovën përpjetë në gaz e vajtim, tek pandehën një hop se qe shpërthyer vetë tuneli.

- Shpëtuam, shpëtuam ! – ulërinë me sa në kokë.

Të gjorët ata ! Atë dritë fijehollë e morën për vetë yllin polar, që krejt errësirë e mendjes ua përflaku në mijëra yje të tjerë. U turrën nga porta për ta shtyrë, por veç kur e panë veten të shtyrë egërsisht drejt thellësisë së tuneltë.

Tani, nuk përmbaheshin më. Gjithë djajtë të bashkuar zunë të kërcejnë një valle të shfrenuar, kush e kush t’i shkulte nga flokët, t’i shqyente nga rrobat, t’i çirrte nga mishtë. Kaluan kështu një orë të tërë të demonizuar, aq sa të shkrehur në vaj, u zalisën përdhe. Nuk i lashë shumë kohë në prehjen zali, por i vura në gjumë të rëndë. Ndonëse shpesh djajtë u suleshin dhe ua copëtonin gjumin, sepse i pashë të shkretët si hoveshin përpjetë të lebetitur dhe si përplaseshin të dehur e të shkrehur mbi ftohtësi të mureve…

Në zgjim, që për ata qe mëngjes i ditës së re, por që në fakt kishte kohë që qe thyer edhe dita e re, iu sulën sërish portës më me shpresë, por më pak të fuqishëm. Lutjet e klithmat e kishin humbur forcën e tyre, tek shndërroheshin në rënkime e belbëzime, gati në fikje, të ngjirur siç qenë. Burimi i shpresës së re qe tanimë drita e pafikur, që kish filluar t’u bëhej hyjnore, edhe pse asnjëherë s’e kishin shkuar nëpër mend të kundronin hyjnitë e thellësive të qiellit. E mbanin vështrimin ngulur mbi të, duke kërkuar telin e korrentit në thellësi të kubesë, po as edhe një gjurmë nuk dukej. Ai qe betonuar si vetë ata. Kërkuan për çelës, por kurrkund as çelës : vetëm ca pezhishka, që vishnin paretet e mureve. Zunë të zvarren e të rrëshqasin përgjatë betonit, dhe tmerroheshin nga unë, hije e tyre, që isha bërë tanimë zot i vendit. Kërkonin me sy një të çarë, një të plasaritur, si të kërkonin ndonjë galeri nëntokësore, u binin mureve me grusht, por hasnin kudo vetëm jehonë të thellë mali, që kumbonte mbytur, beton e ashpërsi betoni.

Një hop, Mirit i vetëtiu në mendje një ide : i tha Mirës të ngjitej mbi supet e tij dhe të mundohej të thyente me shufrën e hekurt xhamin e trashë që kish murosur llambën nën kube. Pa e kuptuar gjer në fund mendimin e tij për të bërë qark të shkurtër e për të dhënë kësisoj, në njëfarë mënyre alarmin në repart, ajo rifitoi një energji të re, tek pandehu se çdo thyerje qe për ta një dalje, një shpërthim, një shpëtim. Nisën aherë të akrobatohen mbi shoshoq, me këmbët që u merreshin, kush e kush më lart, e kush e kush në majë të gishtërinjve, të mbajtur nga ftohtësi akulleme e mureve, për të arritur më në fund llambën. Përpjekje e dështuar foshnjarake, se duhej edhe një gjysmë metri, ai gjysmë metër fatal, për të arritur të paktën në pikën më të lartë të kubesë. Ajo vërtiti atëherë, me gjithë fuqinë e pafuqisë, hekurin mbi xhamin e trashë telëzuar nga brenda, që bëri një zhurmë të mbytur, sikur të donte ta qesëndiste, tek ia ktheu mbrapsh, si të papranueshëm, copëzën e hekurt. U shembën të dy përtokë, të ekzekutuar nga vetë mendimi i tyre, me sytë e shqyer në drejtim të tavanit.

Tashmë, ishin telendisur aq keq, në shterje të plotë të çdo energjie, sa ua mblodha mendjen me të vetmen fijeshpresë e mendim të ngulët në kokë : « Do vinë…, do vinë se s’bën…, po kur do vinë…, do vinë …, po pse s’po vinë…, do vinë », si goditje të buta çekani, në lëshim të plotë të muskujve e nervave.

Ishte e vetmja mënyrë të mos epeshin, të mos shkëputeshin nga ata, nga mami, babi, motrat, vëllezërit, nga shkolla dhe shoqëria, e vetmja mënyrë për të mos këputur fijet me jashtë, fijet me konkreten. Këtë herë, në krahë të shoshoqit, me zë të mekur, nisën të kujtojnë të shkuarën, për t’iu larguar të tashmes së egër.

- Të kujtohet aksioni në Lukovë, deti, dielli, gruri, plazhi ? Të kujtohet si të ngacmoja me guralecë që t’i bëja kosh tek rrobat e banjës ? Po mbrëmjet ? – e pyeste Miri, dhe ajo tundte kokën në heshtje e pikëllim.

Ai i foli për xhirot, për fustanin e bukur që i kish qepur asaj mamaja me një copë turke, i kujtoi kur vajtën në estradë dhe panë Skënder Sallakun, që i shkriu me lot, kur kishin ngrënë po atë natë trigona me lekët që ai të nesërmen do blente bukën e shtëpisë, i kujtoi bile edhe këngët e Luçio Dalës e të Adriano Çelentanos, që ajo i kishte aq qejf. Madje, me zë të mekur, zu t’i këndojë, me gojën te veshi i saj « Chi non lavora, no fa l’amore », këngën më të dashur të tyre.

Ajo i vuri dorën te goja, që ai të heshtte, mos vazhdonte më tej, dhe lotët u shkuan çurg. Kishin etje të marrë, uri të tërbuar, ftohtësi kallkan. E ç’u kish mbetur tjetër veçse të dorëzoheshin para urisë, etjes, torturës, burgut ! E ç’u kish mbetur tjetër veçse të pinin lotët e tyre për të shuar etjen, të kafshonin mishrat për të shuar urinë, të shkulnin flokët për të torturuar fizikisht vetveten, që të paktën të mund të qetësonin torturat mendore ! Por përsëri, shumë u kish mbetur, u kish mbetur shpresa gjer në fund, edhe vetë shpirti i gjallë.

- O zemra ime, o shpirti im, të dua, të dua, mbahu, mos e lësho veten ! – i përsëriste pareshtur ai, shkrirë në vaj…

Deri atë hop, më kishin parë përgjatë mureve, dhe qenë tmerruar nga unë. As që e merrnin dot me mend se unë isha hija besnike e tyre, tek kisha shpalosur krejt krahët mureve për të penguar sulmin e demonëve të betonit. Vërtet kisha mposhtur djajtë e errësirës, por e dija që betoni të ha pak nga pak, të përpin pak nga pak, të kallkanos pak nga pak, siç hëngri dhe rrënoi pak nga pak, për pesëdhjetë vjet me radhë, një vend të tërë, aq të pasur në krejt potencialet e veta. Por edhe më shumë më mbetej për të bërë, që të shmangia gjer në fund demonët e marrëzisë, sepse ishte krim i pafalë që ajo pafajësi e dëlirë, pa kurrfarë mëkati, të gllabërrohej nga çmendësia. Jo, kurrsesi, ata ishin engjëllorë, ishin « për t’i pirë në kupë », sipas shprehjes së tyre të bukur. Dhe duhej t’ua ruaja mendjen të pastër e të pacenuar. Ky ishte misioni im kryesor për t’i përjetësuar e përtejësuar në mënyrën më fisnike. Duheshin pra, marrë në mbrojtje nga marrëzi e betonit, nga marrëzi e të Marrit…

I vura sërish në gjumë, për të dytën, për të tretën, për të katërtën e të pestën herë, gjithnjë duke ua zgjatur edhe më shumë mpirjen dhe dobësimin fizik e duke përdorur fuqimisht narkozën e ëndërritjes dhe të vegimit. Ishte e vetmja mënyrë për t’i mbrojtur nga kthetrat gërryese të stomakut, nga eshkësimi i gjuhës dhe grykës, nga çujësimi i trupit, por edhe nga vetë marrëzia. I përkundja në djep të shpresës së paktë për t’i vënë në gjumë, por më zgjoheshin, më kërcenin përpjetë, hoveshin, nga frika e vdekjes. Ishte një lojë e tmerrshme, mes jetës e vdekjes, mes arsyes e marrëzisë. E kisha të pamundur të vija këtu baraspeshën, kur fataliteti peshon me tërë egërsinë e vet në njërën anë të peshores. Ishte një mision torturues edhe për mua vetë, sepse kurrë s’e kisha parë veten aq pisk. Kurrë s’ma priste mendja që ata bunkerë të arrinin të torturonin e terrorizonin edhe vetë perënditë dhe hijet e tyre !…

U detyrova atëherë t’u shfaqem, t’u konkretizohem në materie të gjallë, për të mos i lënë të vuanin gjatë, për të mos i braktisur në çastet më kritike, ndërkohë që vetë realiteti i kish zbuar e jashtëqitur, për t’i varrosur barbarisht.

Tek po endej mureve me duar, ditën e tretë, a të katërt, ndoshta - se për mua koha dhe hapësira janë tërësisht relative dhe s’kanë rëndësinë që u kushtojnë njerëzit -, ajo e gjorë Mira më dalloi në një qoshk pezhishke, merimangë të vogël, të bardhë, siç isha, dhe shtangu : një gjallesë në atë tunel varr ! Dhe që lëvizte. Dhe që bënte punën e vet. Shqeu sytë, vështroi duart e veta nga ku i vareshin nëpër thonj e gishta flokë të shkulur nga të vetat, vështroi sërish pezhishkën, u bind se kishte përpara një rrjetë me merimangë brenda, dhe aty-aty, i vetëtinë në mendje fjalët e përhershme të mamasë, sa herë që pastronin bashkë muret e shtëpisë : « Merimanga e bardhë sjell fat ».

- Fat…, fat..., faaat ! – mundi të belbëzojë.

U çel një dritare shprese e re në trurin e saj të mpirë dhe, ashtu këmbadoras, me eshtra të copëtuara e me plagë të vetëbëra gjithandej trupit e në kokë, u përmbys mbi Mirin, u mundua ta shkundë e ta nxjerrë nga kllapia që e kish mbërthyer. Ia doli mbanë tek e zgjoi :

- Fat…, fat..., faaat ! përsëriste me frymë gati të sosur dhe me gishtin, mbi mua, si shpëtimin e tyre.

Po nga ta dinin, të zinjtë ata, që unë vërtet isha shpëtimi i tyre i fundit, i përjetë !

Arriti të më shohë më në fund edhe i miri djalë, tek ngriti mundimshëm nga sytë varr rrasën e qepallave. Më buzëqeshi ëmbël e hidhur, me atë buzëqeshje mbinjerëzore që mund t’i bëhet dhuratë vetëm vdekjes, i buzëqeshi edhe asaj, me shumë ëmbëlsi të syve, por me ëmbëlsi tashmë të vrarë, me vështrim gati të fikur, të asgjësuar. Ishte krejt i bindur që ky qe mbarimi i tyre, por të paktën një mbarim i qetë. Rrëmoi në vetvete për të rigjetur forcat e fundit, dhe e mbërtheu atë në krahë, e shtrëngoi për të mos e lëshuar më kurrë, duke e puthur e puthur, dhe duke i pëshpëritur në vesh, me zë të mekur :

- Fat, shpirti im, fat !… Do vinë…, nuk do vonojnë…, do vinë…Fli tani, zemra ime !

Dhe ashtu të lidhur, në gjoks të shoshoqit ranë në gjumë të thellë, në martesë të përjetshme.

Dhjetor 1999.





POST SCRIPTUM

Kjo rrëfenjë, si një relikte e regjimit totalitar, flinte në sirtar, apo në disketë më mirë të them. E solla ndërmend një ditë, gjatë një bisede në lokalin përballë Galerisë së Arteve, ku ndodhesha me tre-katër shokë. Shkak u bë një bunker që qëndronte si objekt arti në një qosh të mjedisit të jashtëm të Galerisë, me rastin e një bienaleje apo ekspozite që qe organizuar atë periudhë.

- U bë bajate fare kjo temë e bunkerit, sikur u teprua, - foli një prej nesh. - Gjithandej bunkerë : në pikturë, në film, në estradë, ku s’e gjen ! Edhe kështu s’ka lezet !

- S’ka ndonjë gjë të keqe – ndërhyra – pse jo ! Është një temë që nuk shter kollaj, një e shkuar e tërë.

- E ç’mund të bëhet tjetër, – vijoi bashkëbiseduesi – edhe në poezi e art na e kanë futur. Na tani edhe në qendër të Tiranës !

- E po për « bunker seks » për shembull, s’është folur ndonjëherë, apo jo ? – fola disi me ndrojtje.

- Si është puna e këtij muhabeti « bunker seks » ? – u intrigua miku im, piktori Ziso Kamberi i pranishëm në tavolinë.

- Histori e vjetër, - shmanga shpjegimet e tepërta - desha vetëm të them se asnjë teme nuk ka si t’i shkohet gjer në fund…

Në librin Kënga e Këngëve, shkruar me një gjuhë lirike të rrallë dhe poeticitet plastik, Moikom Zeqo bën një shqipërim tepër king të Këngës së Këngëve të Solomonit, « më e fuqishmja dhe triumfuesja apoteozë poetike e dashurisë në të gjitha kohërat », siç shprehet ai. Dhe ka të drejtë kur të gjitha simbolet e poezisë i sheh këtu të burojnë nga Adami dhe Eva, nga ajo Dashuri e pashtershme që baraspeshon ethet e trupit dhe të shpirtit.

Pa kaluar nëpërmjet simboleve frojdiane, apo ironisë së Moikom Z. për klonim të dashurisë në epokën e sotme të monetarizmit e të marketingut, pa kaluar nëpër skenarët fshikullues për realitetin tonë të të ndjerit Teodor Keko, fare lehtë simbolet e larta poetike të Dashurisë (në kuptimin që mbart fjala kur shkruhet me germë të madhe), mund t’i shohim në antitezë me një kategori tjetër simbolesh halushinantë e tërësisht represivë e ndrydhës të regjimit dikatorial, që e varfëronin dhe e torturonin shpirtin, duke e sendëzuar krejt trupin dhe epshin, si në poezitë erotike të Burgim Patës.

Në kushtet e diktaturës, kur edhe mendjet u bunkerizuan ethshëm me ideologji hermetike e voluntariste, doemos që vetë koncepti i dashurisë do të njihte dhunim, kufizim, plagosje e prangosje, kallëpe kallpë, etj. dhe në ato kushte, trupi dhe shpirti do t’i përkisnin në fakt një realiteti pervers, me një fantazmagori erotike dhe epshore të papërmbajtshme, duke mos i kursyer dramat individuale.

I tillë është fati tragjik i Adamit dhe Evës shqiptarë të periudhës diktatoriale, në dashurinë e tyre më sublime, por përfunduar, mjerisht, në gojën e lubisë beton.
19 shtator 2005
Dërgoi:Kadri Mani
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi