Fotaq Andrea: Puthja e jetës…
Faqja 1 e 1
Fotaq Andrea: Puthja e jetës…
Triptik
Puthja e jetës…
Nga Fotaq Andrea
fotaq.andrea@wanadoo.fr
I dua holandezët. Kam njohur disa syresh dhe kam bashkëpunuar me ta. Në mënyrë të veçantë më ka mahnitur plaku i mirë Hondius që, rreth tetëdhjetë vjeç, edhe sot e kësaj dite i është qepur keq rusishtes, megjithëse përdor plot zhdëvjellësi pesë gjuhë të huaja*. Janë popull me kulturë dhe karakter fisnik, njohur historikisht si realistë, dhe tolerantë mbi të gjitha.
Në kontaktin e parë që pata me vendin e tyre, u magjepsa nga pamja që m’u shfaq para syve : deti si askund. Një masë e përhimtë opake, që më dukej sikur po qëndronte pezull në ajër, midis qiellit dhe vetë tokës. Masë uji në lëvizshmëri monotone, që për së larti e për së largu vinte të puthte e të lëpinte landet e ulta, tokën e dashur të holandezëve. Dhe m’u kujtua atë çast shpëtimtari i Harlemit, personazhi i vogël holandez, që shpëtoi qytetin e tij nga përmbytja dhe që ia kam bërë të njohur publikut të ri shqiptar me librin që mban të njëjtin titull**.
Duke ditur me mjeshtëri të mbrojnë tokën nga deti me digat e mirënjohura, ata ia njohin më mirë se kushdo vlerën tokës, dhe nuk kanë munguar në kësi rasti t’ia shpërblejnë të mirat që ajo u dhuron, duke ndërtuar parajsa tokësore në fusha të tëra të lulëzuara, plot tulipanë, zambakë e lule llojllojëshe. Por po aq mirë, ata dinë të duan detin, që u dhuron edhe ai të mirat e veta, e në radhë të parë atë dritare të përjetshme çelur drejt botës, drejt kontaktit me të tjerë. Dhe këta të tjerë i shohin gjithmonë pa paragjykime, pa rrudhje vetullash, por me buzëqeshje dashamirëse e miqësore.
Në fillim të qershorit 1998, në ato ditë të bukura plot diell shkëlqimë, por kurrsesi përvëlimë, u ndodha në plazhin Skeveningen, i njohur për festivalet e përvitshme të veprave skulpturore ndërtuar me rërën karakteristike të këtij plazhi. Krejt bregdeti, sa hanë sytë, është i veshur me brezarin e të bezhtë në të kafenjtë të kësaj rëre tepër të imët, me veti mahnitëse në duart e skulptorëve të vendit, por edhe të huaj. Duke qenë unë vetë prej vitesh pasionant i marrë pas gurit mineral e gemeve, por edhe krejt familja ime, domosdo do përpihesha i tëri nga magjia e kokërrizës së rërës, apo e vetë asaj qelize inerte të lëndës së fortë. Kishte aty skluptura gjigande deri në pesë metra të larta, me shpërthim të tillë fantazie dhe arti, sa ngeleshe gojëhapët. E megjithatë, kuturisa t’i bëj një çifti të ri që po ndërtonin veprën e tyre, çun e çupë tepër simpatikë, bjondinezë, një pyetje sa naive dhe admiruese :
- Po si arrini të bëni këto mrekulli, xhanëm ?!
- Shumë kollaj Zotëri, me zemër ! – qe përgjigja e thjeshtë, por edhe e përplotë njëkohësisht.
E të thuash që pas disa muajsh, ato vepra nuk do ekzistonin më, do përpiheshin nga valët ! Kalova mbi tre orë në soditje të plotë të teknikës së ndërtimit, të manipulimit të rërës në duart e shkathta, të sendërzimit të vetë fantaskes pleksur ethshëm me njerëzoren.
Në pasditen e vonë, mes një perëndimi të kuqëluar, shkova sërish në bregdet dhe këtë radhë, skulpturat e rrahura nga rrezet e fundit dukeshin sikur po kuvendonin tanimë me perënditë, në vetminë dhe madhështinë e tyre, si vetë skulpturat primitive të ishullit të Pashkëve.
Mora për nga buza e ujit, ku shiheshin pak njerëz, sa aty-këtu, si të mbjellë me kujdes në heshtje. Gjeta një stol, të zënë pjesërisht nga një çift të moshuarish, që po përfitonin nga rrezet e fundit, u kërkova në mund të ulesha, më krijuan gjithë mirësjellje hapësirën time jetike në anën tjetër të stolit, dhe si i falënderova, nxora nga çanta bllokun dhe zura të hedh rrëmbimthi në kartë përshtypjet e mia për skulpturat, mjedisin, njerëzit.
Rreth njëzet metra në krahun tim, një grup të rinjsh, dhjetë a dymbëdhjetë vetë, kishin krijuar një rreth, dhe qenë ulur mbi rërë, shumëkush këmbëkryq. Më shumë dukeshin sikur ishin aty për të përfituar në heshtje nga prania e shoshoqit, nga çuçurimat e ngadalta gjithë dashuri, sesa për të folur zhurmshëm, a grirë sallatë vetmburrëse mesdhetare. Ishin të rinj gjashtëmbëdhjetë-shtatëmbëdhjetëvjeçarë me shumë dinjitet, personalitet e siguri të tillë në vetvete, që të ngjallnin admirim. Kohë pas kohe, dikush syresh, i binte një xhambeje të vogël, me një ritëm të lehtë e të shkurtër, sikur të donte të trembte ndonjë përgjumje apo si t’i frynte ëmbël një flake vatre në venitje. Befas, ndjej gjallëri në rrethin e tyre dhe dëgjoj të lartohet që andej një thirrje e lehtë kolektive, një « jahhh ! » miratimi dhe… aty-aty, shoh një djalë e një vajzë të ngrihen, të heqin me shpejtësi dy-tre rrobe të tyre, një atletet, një xhins, një bluzë, mbathjet, dhe vajza sutjenat. U shfaqën mahnitshëm Adam e Evë, si në kopshtin e Idenit me të vetmin kostum të mishtë dhuruar nga Perëndia. Një mrekulli : silueta njerëzore në perëndim dielli, që u kapën për dore dhe u drejtuan me hap të lehtë nga deti, për të huazuar prej tij një kostum uji!
U befasova, dhe tek pashë të rinjtë që duartrokitën, ktheva kryet nga të moshuarit dhe disa njerëz të tjerë aty rrotull. Gjithkush qe strukur në heshtjen e vet, si të mos i kish bërë fare përshtypje ajo pamje e veçantë magjepse, madje dukeshin si të bezdisur nga brohorimat e lehta të të rinjve. Ndoqa me sy çiftin Adam e Evë që kishin filluar të notonin, por që shpejt u detyruan të kthehen, sepse me sa duket, uji qe i ftohtë brisk. Tek u ndodhën mbi rërën e bregut, lakuriqësia e të rinjve vetëtinte në funddiell si aureolë engjëjsh apo si aurorë meteorësh dhe atë hop, i pashë të dy si i dhanë shoshoqit një puthje në buzë: të ëmbël, të shpejtë, të lehtë, puthjen e thjeshtë të jetës e të mirënjohjes. Vajza, me trupin e përkryer dhe lëkurë mermeri bardhëllemë, të respektuar edhe nga vetë dielli, me qafën e hollë dhe supet e rrumbullta, dhe krejt ijet e këputura si mesi i një arëze, me kofshë gjatoshe që i jepnin gjithë trupit hajthmëri dhe një poezi lirike në pubisin e vet engjëlllikal, zgjidhi leshrat e veta verdhore, dy rrumbullake në anë të kryeve dhe i derdhi lumazi mbi gjinj të vegjël, të ngjeshur, si topthat e dikurshëm elastikë dyzet e pesë leksh, me të cilët luanim në fëmijërinë tonë. U drejtua për nga shoqet, që e prisnin të gëzuara, dhe njëra me peshqir të hapur e përfshiu në të, për t’ia shmangur morrnicat. U vesh, me thjeshtësi, por edhe me njëfarë krenarie. I njëjti skenar edhe te djemtë, veçse nja dy prej tyre po ngacmonin tanimë shoqet me gisht për t’i grishur të futeshin edhe ato në ujë.
Nga sa kuptova, ishte thjesht një bast, një sfidë për t’i bërë detit, ujit të tij të ftohtë, dhe kurrsesi për të sfiduar aty kureshtjen e njerëzve të paktë, për më tepër moskokëçarës për ato trille rinore e lodra shoqërore. Ishin krejt të çlirët, pa kurrfarë kompleksi, madje do thosha me pastërti virgjërore (në kuptimin e vërtetë dhe figurativ të fjalës). Mes tyre gëlonte jetë, jetësi dhe vetë puthja e lehtë ishte përcjellje e një energjie njerëzore dhe hyjnore. Nga buzët e tyre pashë Erosin të lartohej përpjetë me flatrat e veta përmbi Skeveningen, drejt së kaltrës përzier me atë përhimësi të veçantë.
… Puthja e vdekjes*
Para disa kohësh, lexoja i tronditur në mediat elektronike shqiptare një titull rrëqethës : « Puthja ma çoi gruan në varr ». I shoqi rrëfente skenën tragjike të vetëhelmimit të gruas, sepse qe puthur me të në sy të djalit pesëvjeçar.
I kërkoj ndjesë nga zemra të gjorit njeri, që po i rikujtoj këtu gjëmën e vet, dhe njëmijë herë jam me shpirt pranë tij për të ndarë së bashku me të dhimbjen e madhe që ndjen.
Gjithkush nga ne e merr me mend tanimë dramën që duhet të ketë përjetuar ajo nuse e re 26 vjeçare, që vetëvritet me dorë të ftohtë, duke pirë vovatoks para familjes. Të kish turp nga i biri, nga vetë fryti i saj, vetëm pse e pa tek u puth me babanë e tij dhe burrin e saj ? Të jetë vrarë aq shumë shpirtërisht nga pyetja naive e të birit : « O mami, pse e puthe ti babin, a nuk është turp ? » T’i ketë rënduar aq shumë gjesti i natyrshëm e i pastër vetëm e vetëm se aty ndodheshin të pranishëm edhe miq të tyre, ftuar për një drekë familjare ? Të tëra pyetjet tekefundit kanë vetëm një përgjigje dhe vetëm një emërues të përbashkët : turpi i puthjes shqiptare, në prani njerëzore, na paskërka goxha peshë, deri vrasëtare !
Pa e stërholluar episodin e mësipërm me ngjyrime të ethshme dramatizimi, kur vetë ngjarja e rëndë flet shumë, le të shohim elementin bazë të kësaj tragjedie, vetë nocionin e puthjes në një kontekst sa më të gjerë dhe kryesisht shqiptar.
Që në shekullin e XVI, Montenji, filozofi i madh francez, nënvizonte se « Duhet folur për puthjen pa turp : ndërkohë që ne guxojmë të themi me plot gojën fjalët vrasje, plagosje tradhti, për puthjen nuk bëjmë gjë tjetër veçse flasim nëpër dhëmbë ».
Nga ana tjetër, dihet që Volteri i ka bërë një zbërthim tërësor nocionit të puthjes në Fjalorin e tij Filozofik, duke e pasqyruar atë në etapa të ndryshme historike të zhvillimit njerëzor, madje që nga lashtësia, kur ka qenë një mënyrë e thjeshtë përshëndetjeje dhe një gjest për të adhuruar perënditë. Por ka qenë edhe gjest « i urryer për të tradhtuar duke puthur », si vrasja e Çezarit apo puthja e Judës. Më pas, në periudhën e krishtërimit, ai veçon puthjen në buzë, apo vaktin e dashurisë, krahas puthjes së shenjtë, puthjes së paqes, puthjes vëllazërore dhe motërore.
Në fund të fundit, kudo e në çdo kohë puthja ka pasur dy funksionet e veta të qarta : së pari është një shenjë ngrohtësie, që nxit dashurinë dhe besimin e ndërsjellë mes njerëzve, duke iu dhuruar të afërmve të familjes dhe miqve - brenda një konteksti kulturor të qëndrueshëm -, si provë afrie dhe mirënjohjeje ; së dyti, është një veprim i natyrshëm apo një prelud dashurie, (pasuar a shoqëruar me lojë intime, seksuale). Në këtë kontekst të fundit, Bajroni e ka cilësuar çdo puthje të dhënë një tërmet më vete, ashtu sikurse Volteri shihte në të nervin e palës së pestë që shkon nga goja në zemër, dhe që andej më poshtë.
Të dyja funksionet pra janë të ndara. Shkrirja e kufijve të tyre, sjell për pasojë edhe kalimin nga një funksion në tjetrin, ose bastardimin e qëllimeve fillestare.
Pa vijuar më tej në teorizim, apo shembuj e citime, le të shohim nga afër kontekstin shqiptar të puthjes. Në Fjalorin e Gjuhës Shqipe, puthja përkufizohet, citoj, “si prekje e dikujt me buzë, zakonisht të mbyllura në buzë, në faqe, në ballë, etj. në shenjë dashurie e nderimi, kur e takojmë pas një ndarjeje të gjatë, etj”. Siç shihet pra, me dy etj. brenda një fjalie, hiqet funksioni i dytë, « loja » apo preludi seksual (puthje me epsh, puthje me gjuhë në gojë, puthja e parë e dashurisë, etj.). Duke pasur frikë nga këto fjalë, si në kohën mesjetare të Montenjit, puthja vetvetiu do marrë në kësi rasti një karakter të njëanshëm, dhe funksioni i dytë struket në zhguallin e vet të turpit dhe krijon tabu. Fakti është që funksioni i parë i puthjes ka lulëzuar në mënyrë të tillë figurative e frazeologjike sa tashmë thuhen edhe shprehjet : ta puthsha grykën e pushkës, apo puthu me Milon, por kurrsesi nuk përmendet në Fjalor shprehja e bukur shqipe ta puthsha sinë e shkruar, etj. E çuditshme po ashtu edhe në Fjalorin Frazologjik të Jani Thomait, ku renditen 27 shprehje shqipe për fjalën pushkë, dhe vetëm 2 shprehje për fjalën puth. A thua se shqiptarët vetëm kanë luftuar e asnjëherë s’kanë puthur e bërë dashuri ! E njëjta gjendje edhe për Fjalorin sinonimik, ku fjala puth na paska për sinonimi prek, zë, puthit, puq dhe kurrsesi jo fjalët thith, përthith, rrufis, etj. Rrjedhimisht, nga sa më lart, u shprehka turp dhe frikë nga vetë fjala puth, duke e fetishizuar atë në një kuptim dhe duke e asgjësuar e vdekur në kuptimin tjetër. Puthja e epshit me një fjalë, në fjalorët shqiptarë na qenka puthur me vetë Milon, sepse s’iu gjendka as nami, as nishani !
Asgjë për t’u habitur po ashtu që fjala puthje nuk ekziston kurrkund në Kanunin e Lekë Dukagjinit të Xhemal Meçit. Dhe domosdo. Tradita etnokulturore juridike e shqiptarëve do t’i mëshonte nderit, turpit, punës së keqe, gjakut, etj. duke e zhdukur tërësisht nocionin e thjeshtë e të natyrshëm të dashurisë. Le të citojmë nenin 66, Detyra të veçanta të çikës, me përmbajtje tepër domethënëse, tepër tronditëse :
« Çikat 7 vjeçe e nalt kanë për detyrë me vue kapolen në krye. Ball e flokë mos me ja pa as rrezja e diellit. Sytë për tokë e kryeulët, në shpi, në punë, rrugë e kudo. Ndryshe koritet. Çika ka për detyrë me ruejt ftyrë e nder. S’i ruejti, ka çortim e dënim deri në vrasje prej babs, vllajt, shpisë, kushrinisë e shoqnisë rrethas katundisht ».
Shumëkush, tek lëçit këto rreshta, mund të pretendojë se ky konstitucion shpirtëror historik i shqiptarëve nuk ka më bazë e fuqi vepruese dhe se mund të hasen aty-këtu thjesht reminishenca nga e kaluara. Ashtu qoftë. Por ja që ato janë të gjalla e të fuqishme, pas kaq e kaq vjetësh, në vetëdije e pavetëdije, sidomos në opinion dhe në botëkuptimin tonë të ngushtë për jetën në përgjithësi dhe për vetë dashurinë në veçanti. Sa e sa vrasje e vetvrasje kanë ndodhur tek ne, thjesht në emër të turpit, të korisë, të shkeljes së nderit a kurorës ! Të gjithë jemi dëshmitarë të një tragjedie të tillë, sidomos vitet e fundit, kur hapja shpirtërore - a nuk është e tillë edhe ajo puthje e thjeshtë dhe e pastër e heroinës sonë ? - apo emancipimi i shpirtit përplaset egërsisht me hermetizmin tonë trandicional e kanunor.
Por kjo është vetëm njëra anë e interpretimit të gjërave, mbi bazën e së kaluarës të hidhur : nderi me çdo kusht, ndryshe paguhet me mbulim turpi, çnedrim, deri edhe në vrasje apo vetvrasje.
Problemi duhet parë edhe në anën tjetër të medaljes : ç’është ky « nder » i kërkuar aq ethshëm, në emër të të cilit u bëka hataja ? Kush e sulmon dhe cënon kaq ashpër këtë nder ? Të ketë qenë vallë dukuri problemore çnderimi, apo në thesin e tij futej edhe dashuria e pastër, përderisa në Kanun thuhet : « …burr e grue xehen në punë të keqe edhe kur burri kapet me tirq pa mërthye e me gruen e huej nëpër kamë » (neni 76). Që të kërkohet me kaq forcë e fuqishmëri ky nder kanunor, kjo do të thotë se edhe mëkati ndaj tij tradicionalisht na qenkësh brenda nesh, si krimbi brenda mollës së bukur ! Ose pasandaj, dashuria e pastër mban etiketimin punë e keqe !
Mund të pretendohet po ashtu se s’ka pse përgjithësohen gjërat dhe se është fjala për raste të rralla. Mirë, por, sado i rrallë qoftë rasti, ai mban në vetvete peshë opinioni real, ose më mirë të themi mentalitetin ç’do thonë të tjerët, komshijtë, lagjia, fshati, fisi, etj. Ja që rasti, në këtë rast, na dilka me peshë sociale, përgjithësuese, sepse po të ishte i rrallë, do ishte edhe i izoluar njëkohësisht, dhe ndoshta pa pasojën e vet tragjike. Rrjedhimisht, veprohet e vetveprohet tragjikisht në emër të këtij opinioni, dhe shi këtu flë lepuri. Përmasa dramatike e « shkeljes së nderit », që çon deri në krim, ka bazë sociale të gjerë dhe fuqi veprimi.
Në vitet e diktaturës, « dashuritë e pastra » të Zonjës së Qytetit (aq « të pastra » sa bëheshin guxhuvërave në emër të intimitetit !) dhe morali « i hekurt » i realizmit socialist nuk bënë gjë tjetër veçse përdhosën edhe më shumë nocionin e puthjes e të dashurisë. Në filma e teatër, aktorët, duke e kufizuar edhe vetë puthjen artistike, me një përqafje të thjeshtë, i linin spektatorit të kuptonte hapur se gjesti i puthjes në publik qenkej mëkat, veprim i turpshëm, gjithnjë i fshehtë. Domosdo, puthjes s’do t’i mbetej terren tjetër për të vepruar veç skuta e fshehuriçka.
Veç kësaj, streotipi i njeriut të « luftës », « punës », « idealit komunist », « njeriut të partisë » etj., nuk kish si t’i linte shteg të hapur lulëzimit të shpirtërores individuale, megjithë demagogjinë « të njihen e të dashurohen të rinjtë në punë, shkollë, aksione », etj. Fakti është se kërkohej « nderi me çdo kusht », ndryshe pasoja do të ishte katastrofale : turpërimi shoqëror, thashethemnaja, shtypja dhe etiketimi si njerëz « imoralë » e « dekadentë ». Ideologjia komuniste, zëvendësoi kësisoj Kanunin (megjithëse pretendoi se e luftoi këtë me sukses), duke u kthyer vetë në një kanun të dytë, më të egër. Ndërsa i pari luftonte në emër të nderit, i dyti luftonte në emër të « nderit komunist », për të sendërtuar kështu një « njeri të ri » mundësisht të zhveshur nga ndjenjat vetiake, një Lei Fen, apo larg qoftë një Portokall mekanik.* Që në vitet ’60, Kadareja, me poezinë Dashuria, do të jepte nga të parët alarmin për luftën frontale që po i bëhej ndjenjës së dashurisë :
« Kanë frikë prej teje. O sa kanë frikë./Pleq me fytyra plot rrudha, që s’i trembi as bisha, as plumbi,/Burra me borsalina e çanta, që thirren shpesh nëpër mbledhje,/Gra shamizeza, që përballuan trimërisht vdekjet ; kanë frikë prej teje./ Ç’i tremb ?/ Mos vallë mjegulla jote e bardhë spërkatur anëve me reflekse të çuditshme ?Ngrenë kundër teje/Pushkën, shkopin mallkimin. Duan të të shtypin/Me sënduqet e pajave, të të marrin frymën…/Hedhin baltën e zezë të shpifjeve mbi rrobën tënde të bardhë ».
Ndërsa luftohej dhe pengohej ndjenja e dashurisë së pastër, në dritën e diellit, prapaskenave nuk do mungonte të lulëzonte ndjenja e kundërt, ajo e punës së ligë, në krejt format e veta, pleksur me hipokrizinë dhe veset që e pasojnë. I tillë është rasti kur një botues francez, në vitet ’70, paraqiti në sytë e një ekipi partiak botime luksoze të veprave të artit të Luvrit. Njëri nga kuadrot, duke mos ditur gjuhën e vendit – të tillë çonin jashtë shtetit !- u zgërdhesh dhe bëri me gisht një gjest përçmimi, përbuzjeje dhe mohimi, se pa në to piktura nudo të klasiçizmit. Por po ky kuadër partie i kulluar, me moral « të shëndoshë », nuk do luante vendit para vitrinave të librarive të Parisit, tek shqyente sytë mbi kopertinat e romaneve policeske me heroinat gjoksjashtë e pistoletë në dorë. Me shumë humor në ato vite, miku im V. tregonte për një grup turistësh të huaj, nga të rrallët që vinin në vendin tonë, të cilët u zhveshën nudo në plazhin e Vlorës ; u lëshut mileti nga anë e anës, dhe i vunë në mes, si egërsira në kafaz njerëzor. U desh të vinin policët për të larguar mashkullorinë vlonjate - se vajzat s’kishin vend aty. Veçse policët, tek shtynin djelmurinë me një dorë për t’i larguar, duke u thirrur « Ikni mor kodosha ! », dorën tjetër e mbanin bllokuar në xhep, si të ishin doracë !
Ja deri ku u arrit : në atë që njeriu i sotëm shqiptar mbart tashmë në vetvete dy kanune, apo dy reminishenca kanunesh, për ta zbutur disi efektin e termave : të Lekës e të « o Lelesë shtetparti », gjë që e bëri edhe më të konsoliduar e të qëndrueshëm opinionin shoqëror, një forcë me veprim përherë ndërhyrës e agresiv në lirinë dhe jetën personale të individit.
…Puthja e rilindjes
Duke iu referuar rilindasve tanë të ndritur, do vëmë re një tablo shpalosur krejt ndryshe.
Te Naimi, princ i poetëve tanë të Rilindjes, ndjenja e dashurisë shpërthen me bukuri të rrallë në lirizmin dhe romantizmin e saj. Katër stinët apo Lulet e verësë pasqyrojnë ethet e shpirtit të djegur e përvëluar nga dashuria, ashtu sikurse vetë ëmbëlsinë e shijuar të dashurisë. « Ja, mu te ky vend, djaloshi shtrëngoi gishtrinjtë e brishtë të dorës së bukur të së dashurës dhe ia puthi ata kaq herë me të gjithë fuqinë që i falte dashuria. Ah, se çfarë çasti i ëmbël ». Më tej : « …ai u zhyt në një dëshirë të rrezikshme siç ishte ajo t’i ngulte sytë linjës bojëqielli që mbulonte gjitë e vegjël të vashës. Për hir të vështrimit jetëdhënës të dashurisë, linja u bë një trup i tejdukshëm. Tashti, kraharori i vashës ishte bërë qokë e shigjetës së dashurisë. Të gjithë shtatin ia përshkoi drithërima… ». Dhe më tej akoma : « Duke shkëmbyer ato të puthura aq të ëmbla të atyre dhe duke përhapur kohë pas kohe dhe si me tallje te njëri-tjetri jehonën e këtyre të puthurave, malet nxirrnin në shesh te fshehtat e dashurisë dhe të mallit të zjarrtë ». Por edhe më fuqishëm kumbojnë vetë vargjet naimiane : « Si kandili kur s’ka vaj,/Balt’ e pluhur/Do të bëhem,/Të më shkelnjë këmb’ e saj ;/E të prehem duke puthur/Atë këmbë pasandaj. As më thua,/ Ç’ke me mua ?/Pse të dua paskam faj ? »
Te Migjeni, ndjenja e dashurisë sublimohet tek poezia Dy buzë : « Dy buzë të kuqe,/Dy dëshira të flakta,/që afshin ma thithen,/gëzimin ma fiken,/si fantazma hiken/ndër do bota të larta… si dhe te proza poetike Puthja e Cubit, ajo dashuri e parë e ethshme e Diles 17 vjeçare, që mezi pret të dashurin e saj : « Ashtu e shtrime dhe n’andrrim, Dila nuk desht t’i çelë sytë edhe se ndjeu mbi trupin e vet një peshë dhe të dihatunit e një mashkulli e mbi buzët e veta të përvëlueme një njomsi ». Emancipimin e vajzës shqiptare* e ka kapur i pari Migjeni tek përmend në shkrimin Pak poezi vargjet e këngës popullore : « Kur del behari dhe qershijat, varzat e bukura, faqet paputhura, andej këndej kërkojnë djemtë… » Dhe jo pa qëllim : në këtë shkrim, Migjeni i madh, me një gjuhë alegorike për t’u admiruar, trajton po ashtu i pari problemin e nevojës fiziologjike, libidos, të homoseksualitetit, deri edhe të prostituimit si dukuri shoqërore, krahas forcës shtypëse të opinionit.
Në të vërtetë, nuk ka autor rilindas të mos e ketë trajtuar, në varg a prozë, me bukuri të rrallë, ndjenjën e dashurisë. Le të kujtojmë romancat dhe baladat e Lasgushit që, ashtu si në vargun popullor, e dashura e zemrës merr vlerësimet dhe epitetet më të larta, trajtohet me gjithë ëmbëlsinë e fjalëve, nga ku burojnë thirrjet e shpirtit të përflakur nga dashuria : « As eja motër, si ngahera !/As afromu të të çquaj/Nër mijë vashëza të tjera ! » E si ngaherë, përballë kësaj ndjenje të fuqishme, rri e kundron dhe vepron opinioni, thashethemnaja, që forcë e dashurisë arrin ta mposhtë : « Del ne porta nga mulliri/Vashë-leshëra-floriri./Dëgjo bota se ç’po thonë,/Vasha po na prish zakonë./Bota thotë atë që thotë,/Gojë-madhe-e-fjalë-kotë./Do të dalë përgjithmonë,/Ta prish ta shkretoj zakonë/ Atë trim të turpëruar/Ta mbaj udhës më të shkuar./Ta mbyll në shtëpi fare,/T’i rri pranë si manare. »
Pa dashur të hartoj këtu traktatin e dashurisë a të puthjes shqiptare të rilindasve tanë, nuk mund të rri pa përmendur De Radën me vargjet e tij : « Vallë është, o të dashuruar,/më t’ëmbël të puthurët ? » ; Pashko Vasën me poezinë Dashuri, ku i bën një trajtim hyjnor kësaj ndjenje, edhe vetë gëzimeve të jetës : Për dashurinë këndojnë/engjëjt atje në qiell/përpara Perëndisë ; Çajupin me poemën Dashuria : « E mba ment moj Marë/ Dashurin’ e parë ? …Digjem, përvëlohem/Se të dua shumë,/Ditënë mentohem/Natën rri pa gjumë ; Hil Mosin me një cikël të tërë vjershash Lule prandvere, ku pasqyrohet dhimbja e shpirtit për të mërguarin që lë vashën e tij : Ti do ngelesh larg prej meje,/ Filomenë ! / Por gjithmon’me mend ngjat teje/Kam me qenë ; e mbi të gjitha pafundësinë e vargut popullor për dashurinë. Vetëm në vëllimin e tretë të Institutit të Folklorit Mbledhës të hershëm të Folklorit shqitar (1653-1912) gjenden 131 këngë dashurie, pa përfshirë këtu këngë vallesh, këngë dasme, etj.
Nëse këmbëngula disi tek autorët tanë rilindas për pasqyrimin e fuqishëm të ndjenjës së dashurisë që ka portën e saj hyrëse, dy buzë që puthen, këtë e bëra vetëm për të treguar se, ashtu sikurse gjithë Rilindja evropiane, e cila iu shkëput Mesjetës duke vendosur njeriun në qendër të universit dhe të mendimit, në kërkim të harmonisë, bukurisë së natyrës dhe bukurisë së trupit të zhveshur, stilit antik dhe ideales së vetë bukurisë, edhe Rilindja shqiptare nuk do mungonte që, krahas rrënjosjes së shqiptarizmës dhe përgatitjes së lëvizjes së madhe politike e patriotike për pavarësi, të arrinte edhe një synim tjetër fisnik, të lidhur ngushtë me të parin: çlirimin botëkuptimor të popullit tonë, të ndjenjave dhe të botës shpirtërore të tij. Andaj edhe rilindasit tanë të ndritur, kur i këndojnë shqiptarizmës, së shkuarës së lavdishme të popullit tonë dhe lashtësisë së tij, nuk mungojnë t’i thurin vargjet më të bukura dashurisë, shpirtit të lirë e të dëlirë harbuar krejt në « marrëzinë » e dashurisë. Çlirimi shpirtëror i individit, me botë të pasur e të hapur është po aq i rëndësishëm sa vetë çlirimi politik, social, ekonomik, etj.
Ma ka ënda ta përfundoj këtë shkrim, si vetë ëmbëlsira pas një vakti të mirë, me Mitrush Kutelin, mjeshtrin e fuqishëm të penës shqipe, i cili, dashurinë e hovshme të zemrës së Etlevës dhe Enkeleut, e ndezi i pari në do kohëra të lashta shqiptare, Në një cep të Ilirisë së Poshtme, ku buzët e një bareshe e gjahtare mali shtatëmbëdhjetëvjeçare, me leshra ngjyrë ftoi të egër dhe sytë ngjyrë bari takoheshin zjarr më zjarr me buzët e një trimi të shkruar njëzetvjeçar, luftëtar i mbret Bardhylit.
Dhe duke i lënë ata në puthjen e zemrave të moçme rinore, ku shpaloset krejt Iliria e dikurshme, le të ndalemi pak në një kryevepër tjetër të letërsisë shqipe të po këtij autori, E madhë është gjëma e mëkatit, një përmendore e rrallë shqiptare për dashurinë, hyjnizuar mjeshtërisht, duke u lartuar edhe përmbi vetë Perëndinë. Në emër të dashurisë, të dhimbjes së thellë për humbjen e njeriut të zemrës, prifti Tat Tanushi, krejt në kundërshtim me përkushtimin e tij ndaj fesë, mëkaton me vetëdije të plotë dhe arrin t’i mbajë mëri e të kundërshtojë edhe vetë Zotin që e ndau nga e shoqja, të cilën e donte marrëzisht. Analiza e thellë psikologjike, shpirtërorja dhe sensualja shpalosen mbi tabanin e pavdekësisë të Këngës së Këngëve të Solomonit, ngërthehen e përplasen egërsisht me forcat shtrënguese e tëgjithfuqishme të fesë ortodokse, duke na shpënë në veprime vetdënuese e vetpranuese të vullnetshme të Tatës, deri në vetpërkulje për hir të besnikërisë ndaj Ungjillit.
Me një gjuhë të artë artistike, me një tingëllesë fjale antike dhe krejt origjinale, si vetë gurra e popullit tonë, gjen në këtë kryevepër të letërsisë shqipe përkufizime aforike mjeshtërore për dashurinë : Dashuri, (i drejtohet autori ndjenjës, si të ishte e gjallë), sa më shumë pi nga burimi yt, aq më shumë kam et ; apo krahasimi i harbuar uturitës: Dashuria është si era : fryn kudo vetë dhe ne i dëgjojmë buçimat. Apo më tej, krahasimi përvëlimë e flakadan : Sikundër drita e dy qirinjve të ndezur bashkohet për t’u bërë një e vetme, ashtu dhe zemrat e tyre digjeshin e bashkoheshin më një. Por edhe më shumë forcë e realizëm merr ndjenja e dashurisë në dialogun me përgjigje të heshtur varr midis Tat Tanushit mbetur i ve dhe së shoqes së vdekur kallur në dhé : « Kalije, - i thesh - a të rëndon shumë dheri ? » Dhe kur binte shi : « Zemra ime, a të lag shiu ? » Dhe kur kish hënë : » Shpirti im, a e sheh hënën mbi ujra ? ». Ja deri ku shkon forca e dashurisë kuteliane, në realizëm të përsosur gjer në pavdekësi, përtej kufirit të vetë jetës e të vdekjes.
Dhe meqë këtë shkrim e mbështetëm kryesisht te puthja, shtrati i lumit të brendshëm të dashurisë, le ta përfundojmë atëherë duke ruajtur edhe forcën, shijen e ëmbëlsinë e saj në vetë bukurinë e këtyre fjalëve të Tat Mitrush Kutelit : « Një re udhëtare i erri ballin Kalisë. Po atëherë buzët e tyre u takuan dhe reja u tret. Dhe kurmi i saj kish mbledhur gjithë erërat e dheut, të barit e të drurëve të Judhesë. Dhe buza e saj kish zjarrin e gjakut të Ilirisë ».
Maj 2004.
* E kam njohur nga afër në disa veprimtari të një OJQ-je ndërkombëtare që ai drejtonte për vite të tëra. Është plot vitalitet, përherë aktiv, me botë të pasur shpirtërore dhe shpirtgjerësi pa kufi. Interesohet për gjithçka, historinë, gjuhën, kulturën, muzikën, doket dhe zakonet e popujve, shoqërinë civile etj. Në maj 1999, më dërgon për kujtim himnin holandez me një letër të ngrohtë, ku nënvizonte se nga 15 strofat e himnit, “tërë holandezët njohin dhe këndojnë strofën e parë dhe të gjashtë, ndërsa nxënësit e fillores, kur i mësojnë përmendësh të 15 strofat shpërblehen me notë të mirë për përpjekjen e tyre”. Tepër domethënëse, dhe s’ka nevojë për koment. Por dhurata e himnit e ka një zanafillë. Në ato vite të ethshme të përplasjes së egër të klasës politike në Shqipëri, i përcillja mikut tim Frits Hondius shqetësimin e madh për mungesën e tolerancës nga të dy kampet e mëdha politike, pa munguar nga ana tjetër t’i japë shembullin kuptimplotë të shpirtgjerësisë dhe të tolerancës së Skënderbeut, përmendur nga Montenji që në shekullin XVI. Dhe ai në çast më foli për Princin e Oranzhës, Gijomin, kënga e të cilit është vetë Himni kombëtar i Holandës. Më shpjegoi se që në strofën e parë të Himnit, Princi i Oranzhës i thur lavde Mbretit të Spanjës, pikërisht kundërshtarit të vet, dhe e nderon siç i ka hije, duke i kërkuar të falur për fitoren që arriti ndaj tij në fushë të betejës ! Gjë e rrallë në histori, që të bën të kuptosh karakterin aq fisnik e tolerant të holandezëve.
** Shpëtimtari i Harlemit, botuar dhe shpërndarë nëpër shkollat e Tiranës atë vit të mbrapshtë 1997, kur njerëzit mallkonin fatin e tyre të mjerë.
* As që do doja të bëja këtu një antitezë të tillë, midis puthjes së jetës dhe puthjes së vdekjes, pas një endësie të veçantë që kisha shijuar ato çaste në Skeveningen, por jo pa njëfarë ndjenje “xhelozie” të them nga ana ime për krejt atë rini tonën mjerane, kur na rëndonte egër pesha e opinionit në ndërgjegje, peshë e tillë që edhe sot e kësaj dite vazhdon, me sa duket, të na viktimizojë dhe kur jemi ende larg emancipimit të përgjithshëm shoqëror e shpirtëror.
* Personazhi i filmit Portokallja mekanike (e regjizorit Stanley Kubrick, 1971), që iu nënshtrua një trajtimi çnjerëzor për larje të trurit.
* Që pasqyrohet edhe në Epikën tonë legjendare, ku vajza shqiptare, sipas konceptit të kreshnikëve mund ta zgjedhë vetë burrin, gjë që flet për një zanafillë të hershme, parafeudale, të këtij emancipimi.

Agim Gashi- Administrator
- Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008
Similar topics
» Fotaq Andrea:Puthja e jetës…
» Fotaq Andrea:Hija
» Fotaq Andrea: Moj shqiptarka këmbëlehtë
» Fotaq Andrea: Dine Doraci
» Fotaq Andrea: Guri i shpirtit

Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
Tue Mar 14, 2017 8:17 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ - SHIPTARËT NUK JANË "ME BYTHË NË PRUSH", PËR TË FALUR TOKAT
Mon Feb 27, 2017 6:54 pm nga Agim Gashi
» Akuzat kundër Shefqet Krasniqit Prokurorisë ia kishte konfirmuar edhe BIK-u (Dokument)
Mon Feb 27, 2017 5:20 pm nga Agim Gashi
» Aktakuzë kundër imamit Shefqet Krasniqi
Mon Feb 27, 2017 4:32 pm nga Agim Gashi
» Zbulohen tensionet gjatë dialogut në Bruksel, Nikoliqi Thaçit: Ti je kriminel
Fri Feb 03, 2017 7:40 pm nga Agim Gashi
» Faruk Tasholli - RJEPENI NANËN
Fri Feb 03, 2017 12:22 pm nga Agim Gashi
» FAMILJA E HAKI IMERIT: AI U VRA NË KOHËN KUR NË PUSHTET ISHIN HASHIM THAÇI E REXHEP SELIMI
Wed Jan 25, 2017 12:39 am nga Agim Gashi
» AGIM GASHI - O NE TREN PËR MITROVICË
Wed Jan 18, 2017 11:08 pm nga Agim Gashi
» Vëllai i tij u pajtua me Thaçin, por ja si ishte kidnapuar Haki Imeri në Brojë e më pas ishte vrarë
Wed Jan 18, 2017 8:13 pm nga Agim Gashi
» Fadil Maloku:Aferim, Prokurori e Kosovës!
Wed Jan 18, 2017 8:00 pm nga Agim Gashi
» Djali i Haki Imerit del kundër axhës: Nuk ia fali Thaçit, nuk dua drejtësi kanunore
Wed Jan 18, 2017 7:12 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ:Copëza biografike dhe kujtime për Ibrahim Rugovën
Wed Jan 18, 2017 5:13 pm nga Agim Gashi
» Presidenti Thaçi i “lahet me 124 pleq” Imer Imerit se nuk ka gisht në vrasjen e vëllait të tij
Wed Jan 18, 2017 4:00 pm nga Agim Gashi
» Adem Salihaj akuza të rënda ndaj Hashim Thaçit, ja si po mundohet të shpërlahet nga krimet e shumta që ka bërë
Wed Jan 18, 2017 3:53 pm nga Agim Gashi
» Ndodh edhe ky skandal: Njeriu që grisi fotografinë e Presidentit Rugova merr certifikatën e veteranit të UÇK-së
Tue Jan 17, 2017 7:55 pm nga Agim Gashi
» BERAT ARMAGEDONI:Lamtumirë, Joshua i Pejës!
Tue Jan 17, 2017 12:15 am nga Agim Gashi
» Biografia e Presidentit Rugova - Biografi e shkurtër
Mon Jan 16, 2017 10:32 pm nga Agim Gashi
» ILIR MUHARREMI : Treni provokativ, artistët në gjumë
Sun Jan 15, 2017 11:32 pm nga Agim Gashi
» Përveç ROSU-së, ky është shqiptari që rrezikoi jetën për ta ndalur trenin e Serbisë
Sun Jan 15, 2017 9:53 pm nga Agim Gashi
» ENVER PETROVCI - IN MEMORIAM SEFEDIN NUREDINIT- SEFA
Sun Jan 15, 2017 9:07 pm nga Agim Gashi