Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Akademik Fehmi Agani, promotor i doktrinës për liri dhe pavarësi të Kosovës

Shko poshtë

Akademik Fehmi Agani, promotor i doktrinës për liri dhe pavarësi të Kosovës Empty Akademik Fehmi Agani, promotor i doktrinës për liri dhe pavarësi të Kosovës

Mesazh nga MEDALIM Fri Jan 23, 2009 10:19 am

Akademik Fehmi Agani, promotor i doktrinës për liri dhe pavarësi të Kosovës

23-01-2009 / Nga Prof. Dr. Jusuf Bajraktari
(23.1.1932-6.5.1999; në 77- vjetorin e lindjes)

Në plejadën e dijetarëve të shquar me emrin dhe punën të cilëve është i lidhur ngushtë zhvillimi i gjithmbarshëm i Kosovës, në periudhën e pasluftës, pa dyshim se shquhet akademik Fehmi Agani. Ai zë vend të spikatur në piedestalin e kësaj plejade intelektualësh të merituar.
Fehmi Agani lindi në një kohë kur varfëria dhe terrori serb mbi popullin shqiptar po bënin kërdi. Rrjedh prej një familjeje patriotike nga Plava, e cila si pasojë e dhunës dhe gjenocidit serb si mijëra familje shqiptare, detyrohet të lëshojë vendlindjen e të bëhet jabanxhi në tokën e vet. Edhe një nga pasardhësit e tij të shquar, Mulla Agani qe vrarë e masakruar si pjesëtar i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”. Të gjitha këto e peripeci e të tjera jetësore lanë gjurmë të pashlyeshme në formimin e karakterit të këtij personaliteti ndër më të merituarit e më të fuqishmit që nxori Kosova. Fehmi Agani lindi, më 23 janar 1932, në Gjakovë, në një familje tradicionale shqiptare me gjendje të dobët ekonomike. Në Gjakovë mbaroi shkollën fillore, ndërsa gjimnazin e kreu në Prishtinë. Studimet për filozofi i mbaroi në Beograd në vitin 1959. Po kështu në Beograd më 1965 i kreu me sukses studimet pasuniversitare në shkencat politike, dhe magjistroi në temën Participimi i punëtorëve në qeverisjen e ndërmarrjeve në Gjermani. Gradën doktor i shkencave të sociologjisë e mori në Fakultetin Filozofik të Prishtinës më 1973, me tezën ”Partitë dhe grupet politike në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore”. Fehmi Agani një kohë punoi si profesor i shkollave të mesme në Prishtinë, ndërsa më vonë si gazetar dhe redaktor i politikës së jashtme në gazetën “Rilindja”. Në vitin 1965 u zgjodh ligjërues i sociologjisë në fakultetet e Prishtinës. Në vitin 1967 u zgjodh drejtor i Institutit Albanologjik të Prishtinës. Më vonë u zgjodh prodekan dhe dekan i Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës. Ishte themelues i Degës së Sociologjisë dhe Filozofisë, pastaj i Institutit të Sociologjisë, kryeredaktor i revistave “Studia Humanistica” dhe “Thema”. Pas vitit 1981, në valën e diferencimeve ideo-politike (1984), profesor Fehmi Agani u përjashtua nga procesi mësimor. Ai nuk hoqi dorë nga qëndrimet e veta,duke qëndruar gjithnjë në mbrojtje të çështjes kombëtare. Profesor Fehmi Agani që nga viti 1993 ishte anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.
Në saje të përgatitjes teorike nga sociologjia, politologjia dhe filozofia, profesor Fehmi Agani ishte ndër njohësit më të mirë të rrjedhave shoqërore dhe të proceseve politike në përgjithësi dhe në botën shqiptare në veçanti. Studimet e tij brilante për teoritë shoqërore, për kombin, vetëvendosjen dhe demokracinë janë frymëzim dhe armë e fuqishme për gjeneratat e reja të dhe inteligjencën kosovare. Ai gjithnjë me vizionin dhe konceptin e qartë teorik, ishte në funksion të mbrojtjes së kërkesave themelore të shqiptarëve dhe të drejtave të tyre legjitime, duke e vështruar çështjen e Kosovës dhe mëvetësinë e saj si komponentë të çështjes së përgjithshme shqiptare. Në procesin e emancipimit social dhe kulturor të popullit, shqiptar akademik Agani luajti një rol të madh në krijimin, ngritjen dhe pavarësimin e institucioneve shkencore, kulturore e kombëtare të Kosovës, nga Instituti Albanologjik e deri te formimi i Universitetit dhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës. Nëpër duart e profesor Fehmiut kaluan breza të tërë studentësh dhe nën drejtimin e tij u formuan shumë kuadro shkencore nga disiplina të ndryshme të shkencave shoqërore. Në veçanti duhet theksuar se profesor Fehmi Agani luajti rolin vendimtar në formësimin e filozofisë së politikës argumentuese e të padhunshme figure prominente e artikuluese e kësaj filozofie u bë Dr. Ibrahim Rugova tashmë President historik i Republikës së Kosovës. Funksionalizimi i këtij tandemi si kreatorë të një politike me bazament kombëtar dhe me një mbështetje të fuqishme të kreacioneve dokrinare të politikës bashkëkohore do të bëhen emblema më dalluese e Çështjes Shqiptare në fund të shekullit njëzet që natyrisht mori edhe tipare tjera në hap me momentin historik.
Akademik Fehmi Agani ishte pjesëmarrës aktiv në jetën shkencore, politike e kombëtare dhe prijës i shumë proceseve progresive me rëndësi historike për Kosovën e më gjerë. Së bashku me akademikët Ali Hadrin dhe Gazmend Zajmin, që nga viti 1968, ishte ideolog i projektit për Pavarësinë e Kosovës, për të cilin punoi me tërë qenien deri në minutën e fundit të jetës së tij. Profesor Fehmi Agani këto dhjetë vjetët e fundit ishte koka e lëvizjes politike shqiptare. Nuk kishte dokument, deklaratë, program apo platformë politike ku ai nuk ishte hartues. Si nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës dha kahet dhe orientimet ideore jo vetëm të saj si partia më e madhe në Kosovë, por me urtësinë e tij drejtonte tërë logjistikën e partive politike në Kosovë, duke prezantuar ato para botës demokratike në mënyrë të denjë. Me formimin teorik dhe përvojën e tij të begatë jetësore e politike që dispononte, ishte negociatori më i fortë shqiptar, që nga Konferenca e Hagës deri tek ajo e Parisit. Profesor Agani ishte njëri nga politikanët më të respektuar shqiptar te diplomatët e huaj. Ai nuk lejonte të cenoheshin qëllimet bazë të lëvizjes politike shqiptare dhe objektivat e çështjes kombëtare. Profesor Agani duke i shërbyer kësaj ideje fisnike është njëri ndër frymëzuesit dhe përkrahësit më të shquar të rezistencës së armatosur - Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Profesor Fehmi Agani në kohën e bombardimeve të NATO-s ndaj caqeve ushtarake serbe nuk dëshironte ta braktisë Kosovën. Pas një muaji e gjysmë qëndrimi në Prishtinë, nga 24 marsi e deri më 6 maj 1999, duke mos pasur mundësi veprimi, vendosi të kaloi në Maqedoni. Ai ishte i bindur se nga jashtë do të mund të kontribuonte më shumë. Por kurthi i përgatitur nga autoritetet serbo-maqedone, me mbylljen e kufirit, rezultoi me ekzekutimin e tij, në çastet kur ai protestoi kundër ndarjes së të rinjve nga turma. U pushkatua nga eskadronët speciale serbe pas urdhrit të marrë nga eprorët e Beogradit. Fehmi Agani e dha jetën burrërisht ashtu siç e kishte jetuar, për rininë, për lirinë e Kosovës, për popullin shqiptar dhe idealet e tij. Pas vdekjes, më 2002, studentët dhe bashkëpunëtorët e tij e botuan një pjesë të trashëgimisë shkencore të profesor Fehmi Aganit në 8 vëllime, që padyshim është Monumenti më i bukur që e lartëson emrin e këtij Vigani Liberator.
Në këtë përvjetor të lindjes (77 vjetori) së këtij ideologu e veprimtari të madh të Pavarësisë së Kosovës, indiferenca e institucioneve të Kosovës, sidomos e MASHT dhe Universitetit të Prishtinës ndaj Kompleksit Memorial të Fehmi Aganit është jo vetëm shqetësuese por edhe turpësi e fyese. Në vitin 2004 Presidenti Historik i Kosovës dr. Ibrahim Rugova, profesor Fehmi Aganin e ka shpallur e nderuar me titullin “Hero i Kosovës” ndërsa sot e asaj dite Qeveria e Kosovës atë e trajton si viktimë civile duke mos i dhënë familjes së tij tretmanin e duhur. O tempora o mores thoshin latinët e vjetër!!!

gazeta 55
MEDALIM
MEDALIM

Numri i postimeve : 23
Registration date : 18/12/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi