Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Kadri Mani:NËNË TEREZA E SHQIPËRISË

Shko poshtë

Kadri Mani:NËNË TEREZA E SHQIPËRISË Empty Kadri Mani:NËNË TEREZA E SHQIPËRISË

Mesazh nga Agim Gashi Fri Feb 05, 2010 6:20 pm



Kadri Mani:NËNË TEREZA E SHQIPËRISË U1_KadriMani
Kadri Mani

NËNË TEREZA E SHQIPËRISË

27 gusht 1910-6 shtator 1997

(kurorë sonetike)

SHTËPIA BOTUESE

"KOHA",Tiranë-1998

GONXHE BOJAXHIU, E RIPAGËZUAR ME EMRIN KISHTAR-TEREZA:

SINTEZË E MIKPRITJES DHE E TRIMËRISË TRADICIONALE SHEKULLORE SHQIPTARE
"Rreziku më i madh për paqe sot është abortusi (mbytja e fëmijës të palindur), sepse nëse nëna mund ta shkatërrojë jetën, nëse nëna mund të jetë gjakatare e fëmijës së vet, çka të themi atëhere për vrasjet e tjera të shumta në botë? Për këtë vrasja gjithnjë e më tepër përhapet në botë. Njerëzit sot në botë nuk e duan njëritjetrin, nuk kanë kohë për shoqi-shoqin, e shih këtu edhe është fillimi. Abortusi është fillimi i të këqijave në botën e sotme".
Nënë Tereza
"Nga të gjitha gjërat e bukura që ka bota, më e bukura është Nënë Tereza"

Parathënie
Kishin kaluar rrafsh gjashtë vjet nga botimi i librit "Nëna jonë Terezë"- nga pena e artë e zotit Dom Lush Gjergji- nga Prizreni ynë historik: kur i ra ndërmend (nën trysninë ndërkombëtare!) ta shkruaj recensionin te "Rilindja" kritiku ynë letrar, z. Vehap Shita. Edhe atëherë aty shprehej njëfarësoj vetëkritike, por absurditeti ishte tepër i madh për një vetëkritikë tepër të vonuar e tepër të përciptë!!??
Ky libër (që njëkohësisht u botua edhe në gjuhën kroate në Zagreb, po me atë titull: "Nasha Majka Tereza"), është pajisur me foto për zonjën Gonxhe Bojaxhiu, që nga mosha e saj e re, 16 vjeçare kur iu përkushtua Kishës.
Pra, libri na mësonte se Gonxhe Bojaxhiu është e bija e Kolë Bojaxhiut nga Prizreni, familja e të cilëve ishte shpërngulur në Shkup. Kolë Bojaxhiu ishte deputet i Shkupit, të cilin e helmuan në parlament, në Beograd. Dhe helmimi ishte aq i fortë, sa që vdes për katër ditë nga hemorragjia e brendshme, që ia kishin gri e shkatërruar rropullitë. Kjo mizori ishte në traditën e zezë serbiane ku, pësonin deputetët joserbë: shqiptarë, kroatë...
Për një Përvjetor të Ditës së Flamurit, Tribunët e popullit tonë: Isa Boletini, Bajram Curri, Hasan Prishtina..., e festojnë në shtëpinë e Kolë Bojaxhiut, në Kryeqytetitn e Vilajetit të Kosovës, në Shkup: duke hedhur në dysheme secili shkrepsën e vet, dhe me t’i ndezur, bënë një flakë deri në plafon!
Flaka e festës dhe dëshira e dashuria jonë për liri e pavarësi kombëtare, do të lëpinte edhe zenitin dhe shtatë kontinente: Nëna jonë Tereze, më 1997, merr çmimin e merituar "Nobel për Paqe". Për të janë botuar mbi 100 libra, në gjuhë të ndryshme të botës; dhe kjo grua shqiptare, misevogël(? – BV), u bë digë e pakalueshme për propagandën shpifëse e shfrenuese serbiane, se kinse shqiptarët na qenkëshin të egër e dhunues - kanibalë!!!
Gjysmë shekulli më parë, Nënë Tereza u bë mjeke e arsimtare në pjesën e varfër të qytetit të madh- Kalkuta.
Aty atëherë e deri në momentin e vdekjes, ushqeu dhe arsimoi të varfërit pa asnjë lloj pagese as shpërblimi. Të sëmurët, nga një sëmurje e rrezikshme- ngjitëse e lëkurës "gërbula", i merrte tok me motrat e veta të nderit, i lante dhe i mjekonte. Njëri i sëmurë, të cilin ua kishte rrëmbyer nga kthetrat e qenve, kur u gjet në spital i rrethuar me kujdes, pati thënë: Kam jetuar si qen, e po vdes si engjëll!!!
Gazeta e atëhershme kishtare maqedonase "Blagovest", duke tentuar që ta përvetësojë Nënë Terezën, e mbiquante Goxhe Bojaxhievski!!
Kështu, të huajt kanë tentuar që ta përvetësojnë edhe Migjenin...madje edhe Skënderbeun!!!
Është tejet interesante dhe pakufishmërisht e çuditshme, se pas atyre të huajve shkojnë edhe disa "tanët" me dashje e me qëllime të këqia antikombëtare, qoftë nga mosdija e mosinteresimi, apo injoranca idiotike: duke përkthyer tekste nga të huajt. Në këtë grackë ka rënë edhe zonja Mirela Zoto (a thua çka mund ta ketë Naim Zoto!?- një hiçgazetar...), duke marrë nga revista italiane "Gola" të l shtatorit 1996 e të botuar te "Revista familjare": Nr. 33 (100), në faqet 4-5, me mbititull: "Nënë Tereza e Kalkutës"!! Që do të ishte e barabartë me konstatimet arbitrare: Migjeni i Malit të Zi!! Skendërbeu i Stambollit apo i Anadollit!! As "Rilindja" e Prishtinës nuk ngeli prapa. Ajo konstatoi se Nënë Tereza është: "katolike romane"!!!
Kur unë po e përfundoja: "Kurorën sonetike", të burgosurit politik, me në krye mësuesin e tyre, Hydajet Hysenin (Esmeralda falltore!!), nuk lënin gjë pa e sha Gonxhe Bojaxhiun e pa më përbuzur mua që merreshkam(merresha – BV) me kotësira!!! Kurse Kadri Veselaj në Letrën, në 10 faqe, të shkruar me makinë, me rreshta të shpeshtë (të cilën po ia prezentoj Redaksisë), të datës 3.11.1996, shkruante tekstualisht, pa ia përmirësuar gabimet injorantit konservator-antikombëtar: "Te arritura e pluralizmit tënd mund t’i vëresh edhe në pullat postale që mi dërgove në zarfin e fundit. Tri pulla postale (...) kishte nënë Terezën (faqezezën) që si la asnjë të mirë populli i vet. Përmes dorës saj të zgjatur filantropia e agjenturave të huaja, të cilën e çmojnë dhe e përkrahin me zell në qëllimin e saj të ndytë. Nuk shërohen njerëzit me lëmosha ashtu si nuk hiqet uria me lutje e mashtrim".
Jo. Nënë Tereza nuk mund të ishte as maqedonase, as serbiane: se ato nuk janë mikpritëse as bukëdhënëse; madje edhe e shajnë bukën: "jebemti lebac"!! - shprehej shkina plakë e Leskovcit.
Atëherë vie konkluzioni ynë: Asgjë nuk lind rastësisht. Pra, Nëna jonë Tereze është një jehonë-sintezë e mikpritjes dhe e trimërisë tradicionale shekullore shqiptare.
Populli ynë duhet ta thadrojë në kokë se Prizreni dhe Shkupi i takojnë Vilajetit të Kosovës dhe tok me trevat tjera të pushtuara i takojnë Shqipërisë Verilindore dhe Toplicës.
Ajo nuk e kishte emrin- Anjeza!! As ishte bijë e një afaristi të thjeshtë!- sikur shkruan revista e huaj, e ne e marrim ashtu pa kriter: aty vetëm sa përmendet me majë të gjuhës: "vajza e vogël e një afaristi shqiptar"!
Vërtetë rezultate të mrekullueshme: Nënë Tereza me motrat e nderit, në historinë e urdhërit të "Murgeshave të Lira", sot kanë 537 filiala, 137 vende të botës.
Punë e madhe humanitare kjo, por edhe me rrezik, kartela e varur në mur paralajmëron: "Mos puth as mos përqafo fëmijët për arsye shëndetësore". Kurse kartela tjetër anash shkruan me shkronja të mëdha: "Nga të gjitha gjërat e bukura që ka bota, më e bukura është Nenë Tereza..."
Ndërsa për abortin e foshnjave, Nënë Tereza ka thënë: "Aborti është shenjë e qartë se vendi që e pranon, njerëzit të cilët e bëjnë, janë të varfër në shpirt: që don të thotë se njerëzit kanë frikë për të ushqyer edhe një fëmijë, prandaj më parë se të lindin, e mbysin.
Sot ka shumë vende në botë që e përdorin abortusin(abortimin – BV), sterilizimin dhe mjete të tjera, për t’iu shmangur jetës, për ta mbytur jetën në fillimin e saj: kjo është shenja me evidente se këta ajanë popuj më të varfër ndër të varfërit, sepse s’ka guxim ta pranojnë edhe një jetë më tepër.
Rreziku më i madh për paqe, sot është abortusi (mbytja e fëmijëve të palindur), sepse nëse nëna mund ta shkatërrojë jetën, nëse nëna mund të jetë gjakatare e fëmijës së vet, çka të themi atëherë për vrasjet e tjera të shumta në botë? Për këtë vrasja gjithnjë e më tepër përhapet në botë. Njerëzit sot në botë nuk e duan njëritjetrit, s’kanë kohë për shoqi-shoqin, e shih këtu edhe është fillimi. Abortusi është fillimi i të këqijave në botën e sotme...
Ajo familje, ai popull, i cili nuk frikohet prej fëmijëve, prej jetë së re, s’ka pse të ketë frikë prej ardhmërisë".
Kurse autori i librit në fjalë, zotni Lush Gjergji, vijon:
"Duke menduar mirë për këto fjalë profetike, duhet të pyetemi se çka është sot familja jonë: a është ajo burim-gurrë jete, lumturie, apo burim vdekjeje, shkatërrim dhe përçarje? Vatra e ditëve tona dhe lënia anash e të poshtëruarve; e margjinimi i fëmijëve, i pleqve dhe i plakave, është një shenjë-simptom i qartë i sterilitetit të familjes, një alarm i mahnitshëm se familja është në shkatërrim e sipër. Abortusi ka filluar shumë më parë, sa se është bërë, kryer, sepse më parë "abortohet" dashuria, nderimi reciprok, ndihma dhe pranim-pëlqimi, besnikëria e kurorës dhe shumë virtyte të tjera, e vetëm pastaj vjen deri te abortusi material, fiziologjik. Në familje më së pari burri "mbyt" gruan, apo gruaja burrin, në kuptimin shpirtëror, psikologjik, duke u larguar njëri prej tjetrit, duke u larguar gjithnjë një prej tjetrit, si të huaj. E kur janë "vdekur"-çka mund të komunikojnë, të japin, përpos vdekjes nëpërmjet abortusit. Pra, këtu edhe rrënja e kësaj plage të vështirë, e shkatërrimit të jetës, dhe këtu lypset kërkuar edhe shërimin, me një jetë dhe komunikim, bashkim të gjithanshëm, në dashuri dhe harmoni familjare.
Ndërkaq, me rastin e pritjes madhështore në Shkup, zotni Nikë Prelaj shkruan:
"O ti Shkup! Pas tërmetit të parë dhe sidomos pas tërmetit të dytë, që e lëvize ti Nëna Tereze, o ti komb, prej të cilit ke dalur ti, nuk je më më i vogli në botë, se mbarë bota të njeh përmes Nënës Tereze".
Dhe lajmi i gëzuar: Nënë Tereza Qytetare Nderi e Shteteve të Bashkuara të Amerikës!!
Dhe lajmi i hidhur: Nënë Tereza - vdiq!
Dita e shtunë, 6 shtator 1997: vdiq Nëna Tereze! Ajo nuk vdiq, por ndërroi jetë: Ajo vjen e na mbikëqyrë, pezullon dhe rrin mbi jetërat dhe sjelljet tona...
Mirëbërësja 87 vjeçare shqiptare: Hej Shqiptare! Mos u kalamendni, sikur që nuk u kalamend engjëllusha jonë! Një grua e zakonshme kur vdes dhe i lë një tufë fëmijësh, thonë se Hëna e Dielli ndalen për një hop! Po tash që vdiq një Nënë e Madhe, e jashtëzakonshme: do të shqetësohen hëna e dielli, yjet e qiellit e zogjtë e malit, fëmijët jetëdashës e njerëzit liridashës!
Vdiq Nëna Shqiptare! Vdiq Nëna e Shqipërisë! Por edhe e Kalkutës dhe e të gjithë Botës!
Në prag të Vitit të Ri Shkollor: zilet cingërojnë, por nëpër korridoret e shkollave as në pragjet e dyerve të klasave, nuk po shihej Mësuesja-Nënë e Nëna-Mësuese!! E nxënësit-varfanjakë shqetësohen, tamam sikur zogjtë e shpupluar, kur iu vonohet nëna-shpendi: ata shpresëthyer e sqephapur, kalamendshëm presin e dridhen mornicash!
Nuk po shihej Mësuesja...e syçkat e përlotura të foshnjave e të nxënësve e kërkojnë...Nuk duket engjëlli, por shihet hija e hetohet fryma - frymëzuese e afshit pranveror! Afsh ngrohtësie në gjirin Kombëtar!
Më kot fëmijët flokëshpupurishur do t’i sjellin kokat e vockëla andej-këndej e do të kërkojnë me sytë e do ta grishin me zemër e me shpirt: Mësuese e Nënën e tyre të dashur e të pazëvendësueshme...Ajo nuk i lindi, po i rriti!!! I rriti me bukë dhe i ndriçoi me rrezet e dritës së saj të pakufishme...Ajo nuk duket, po aty është! Është fryma e saj e dashurisë: në klasë, në kuzhinë, në sofër, në shijen e vezës e në afshin e çajit të nxehtë...është nëpër depotë e ushqimoreve të Kryqit të Kuq Kombëtar e Ndërkombëtar...në hartën gjeografike është...në zemrat e të gjitha ngjyrave e racave njerëzore... pa dallim e pa kufi, amshueshmërisht...nëpër saksia lulesh është... Në çdo syth mali, nëpër lule e nëpër lumaqe...Gonxheja: lëng jetëdhënës e çdo gonxheje në shpërthim pranverash... nektar në çdo lule e mbi krahët e çdo blete punëtore...
Sa herë do të bie shi e do të nxehë dielli: do të përpiqet të paraqitet ylberi-sar e sari -ylber, mbi fytyrën e Nënës së Botës...e të gjithë globit tokësor-njerëzor!!
Fytyrat e zemrat liridashëse do të galdojmë (tek-tuk shpendët e errësirës do të histerizojnë me këngët e shpendkeqeve...të lorëzave lozonjare...) me një emër në buzë e në gjuhë, në zemër e në shpirt...vlerat, virtytet e karakteret njerëzore, ishin trupëzuar në kurmin e saj: fryma e saj është midis nesh, ngrohje dhe mbrojtje, diell dhe ozon!! E kemi në vjershë sot e nesër...në Abetare e kemi...në Leksion e në Leksikon, në Enciklopedi-Nënën tonë Enciklopedike!!
Dhe kometa - ra! Po jehona e saj po buçet e po na ndriçon e do të na ndriçojë amshueshmërisht...
Vdiq Nëna e Shqipërisë, por JO -Nëna Shqipëri!! Me jetën dhe vdekjen e Nënës Gonxhe, Nëna Shqipëri u sforcua Kombëtarisht e Ndërkombëtarisht... Një minutë heshtje!-Përjetësisht dhembje e pakompensueshme...



NËNA JONË TEREZE

Nëna hirmadhe krijesë hosish pranvere

Bulbin e trurit Tënd me dituri gatove

Zemrat varfanjake-liridashëse galdove

O, e nënqiellit tonë, bukuri ylbere!

Shenja e shpresa e njerëzimit mbarë

Kur bota ishte e padrejtë për alarm

Vatra jote t’brumosi me të traditës tharm

Jobi i Dytë qëndrese, sot i trollit shqiptar!

Mbretëreshë bletësh që bën hoje dylli

Strofuj t’gërbulurish mbetur pa koshere

Dy duar bujare presin bukë e mëshere

I prinë Kashtës Kumtrit kah të grishi ylli

Gjenia njerëzore nëpër dyer heq reze

Është gonxhe nga Kalaja e Qytetit-Muze

----------------------------------------

Është gonxhe nga Kalaja e Qytetit-Muze

Ajo i referohet të Drejtës Hyjnore

Me dhembje jetimësh trupëzuar prore

Shemben paragjykimet qëllimkeqet-romuze

Gonxhja në një fotograf lamtumirëse

Majë Himalajës gjuan lart dy bebëza

Me vendosmëri per lumturi ndër breza

Me një zjarr në gji që të bëhet mësuese!

Dashuria e madhe dhe vrulli i pathyeshëm

Gëzimi busull për drejtimin e jetës

Kur nuk tëhuajësohesh e je i vetvetes

Historia zulmmadhe t’bën të shkëlqyeshëm

Ambasadore fisi Nëna jonë Tereze

Nënë-motër nderi, për kësollëtarë një rreze

-------------------------------------------

Nënë-motër nderi, për kësollëtarë një rreze

Kur kolonizuesit mbarojnë nga teprica

Ti çaje terrin pa pyetur as për sakrifica

Sot për zamër varfnjakët nganjë vezë-syze!

Ka vendosur t’shkojë motër n’misione

Thirrja jote ishte shërbimi i të varfërve

Je prodhim final i racës së të parëve

Rrip gjenealogjik ndër transmisione!

Sqota e botës smirëzezë qe ende s’viq,

Që na u sulën në qafë pse ishim modest

Me keqinformime t’lëpushkës "Bllagovest"

Pas traditës zezë t’mbiquajti - Bojaxheviq!

Që t’shuanin jehonën me t’njohura potere

Afsh lulesh amshimi, jo kurrë gallabere

---------------------------------------

Afsh lulesh amshimi, jo kurrë gallabere

Duke dashur t’i sjellësh botë aq të mira

çehre trëndafile t’errësuar nga e përhira

Ith i Jugës së Bardhë lajmëtare pranvere!

T’rrasur hosish vatani, shkojnë pak anamendas

Të djegur pa puhi ëndërrojnë buzë oazës

Me dhembje lindjeje nëpër Sheshin e Unazës

Të shpallur të huaj bijtë legjitim vendas!

Në vend të mirëseardhjeje marrin nganjë shuplakë

E për ulje të kokës në shpinë nga një grusht

Por trolli i njomi me një lëng magjik-musht

çatis shtresa manash degësh që janë plakë!

Tallazekuqe detesh e baticë shpëtimtare

Jehonë shekullore mikpritjesh shqiptare

-----------------------------------------

Jehonë shekullore mikpritjesh shqiptare

Në Tempull kemi një Hyjneshë prej guri

Një shpend paqeje vjen mbi fashat që vuri

Pe i kuq përshkues i jetës tonë krenare!

Kur koloni shtrëngon n’darë globin në shtrydhje

Nëna jonë s’na lë peshq-gojëhapur ndër zaje

As na lë n’uritje buzëdridhur t’prekur n’vaje

Një dorë çlirimtare na shkund nga çdo ndrydhje!

Jemi ulur n’sofrën e Dashurisë Njerëzore

Rreth Gonxhes me emër t’ri Marija Tereza

Në përqafim racash pa dallim nga gjeneza

Gri themeltar i ndërtesës shpirtërore

Shqiponjë sqepushqyes agmie shprese

O Hyjni tokësore dashuria tërheqëse!

--------------------------------------

O Hyjni tokësore dashuria tërheqëse!

Në Tempull e kemi një hyjneshë të gjallë

Që kund s’paska shoqe për virtyt të rrallë

Që arnon jetëra si petkat një rrobaqepëse!

Terezi precize ku vlojnë padrejtësitë

Bota e ndërkryer paska shumë jetima

Globi i trullosur paska shumë viktima

n’jetën e shfrenuar tek hovin parazitë!

Nënë çehrezbehte duart si krënde

Ti u bëre bukë fill për të uriturit

Ti u bëre ujë ori fill për të eturit

Preke të gërbulurit me mëshirën tënde!

Afërditë e Dytë jashtë atdheut mësuese

Nerv-shtanë e pashtershme e shëlbuese

---------------------------------------

Nerv-shtanë e pashtershme e shëlbuese

Në terr je e dro ke nga ndonjë qen i çartur

Vrik të vie e të nxjerr ty një krah i matur

Etjeshuar të përqafon agmia kuqluese!

Hap i parë kah shenjtëria është vullneti

Ndër labirinthe tundimesh të mos mashtrohesh

Vullneti i sforcuar që të shenjtërohesh

Fuqimisht riatdhesohesh me joshë nga kurbeti!

Fëmijëria e këputur pa cyle-kakuta

E thërrasin do zëra ndër hupshta mizore

Skamnorët të braktisur jonjerëzore

Skelete mjerimesh klithjes nga Kalkuta!

Jehonat kobëzeza të kolonës barbare

Ëmbëlsi fjalësh nurbardha jonë krenare

---------------------------------------

Ëmbëlsi fjalësh nurbardha jonë krenare

ferishtet tubon që të mos i shfarosë Herodi

Shpirtbegatshme filantrope qysh t’krijoi rodi

Kundruall botës shpirtshkretë lapërdhare

Në çdo anë ngërçe e vaj dhe kërcëllim dhëmbësh

Mafijat nxisin sherre edhe situatat dramatike

Ndaj shumë klithmash kushtrimore profetike

Populli n’tundim shpesh po merret nëperkëmbësh

Me duar tu shtrëngon zemrën e krisur si ve

Rropulli gjakosur lëngojnë e pështyjnë gjak

Me frymëmarrje t’vështirësuar hamenden për lak?

Të grushtuar n’tëhollët e brinjve pa një faj përbe!

Rinia liridashëse digjet zorrë ndër prushe

Tutje në histori shihet një gocë syrrushe

---------------------------------------------

Tutje në histori shihet një gocë syrrushe

Ndiejnë në kllapi kah fashat ua palove

Dhe plagët acaruese kah jua lezetove

Yenë(?) mbi çdo varrë e mbin si agnushe

Trupin djegin urnë, fjalët joshë melhemi

Vetëm ai që dro sall për dy gisht faqe

Ka në gji një zjarr për jetesë në paqe

Dhe provat e panumërta i di gjithë alemi

Llastarët harlisen ngaqë janë lëngëplotë

Të vdekurit shpirtësisht varrosin t’rënët fizikisht

Dhe çdo ligj barazie dredhojnë duke bërë bisht

Të tyret iu vyshkën ngaqë ishin jetëkotë

Ju kryeni detyrën dhe zbatoni amanete

Ecejaket nuk ndalen me forcë imanente

---------------------------------------

Ecejaket nuk ndalen me forcë imanente

Se ç’po vie joshë hosie nga trojet Ilirike

Prej natyrës idilike me nuset prej çike

Nga zemra myjore, të veçanta pigmente

Në gjoks dhe mbi supe mbuluar me sar

Pa rënduar globin nëpër meridiane

Trumcakët e botës me pupla t’një nëne

Lule kthyer kah dielli, shpresat n’të var!

Hapen çerdhe t’reja me motra shpëtimi

Dhe zogjtë pupëlohen, jeta është e ëmbël

Ripërtërihen skelet me ca pika tambël!

Dhe zëra protestash kundër çdo dëshpërimi

Drejtësi edhe barazi ama pa prepotente

Rend pas varfanjakësh nëpër kontinente

----------------------------------------

Rend pas varfanjakësh nëpër kontinente

T’shpëtojë pulëbardhat kishte prirje prore

Nga valët rrënimtare drejt një gjeratore

Për ata luftuar urinë atje tek do ta gjente!

Urinë e mërinë e për një ndarje të re

Asnjë fetë buke dëm të mos shkojë

Nga uria tanimë askush të mos drojë

Fëmijët le të rritën me gëzim e hare!

Joshë ilaç shurupi i nxjerrë nga Gentiana

Traditëlashtë nga Teuta edhe Brikena

Që të hapet qielli të ndryshohet skena

Tunde botën Loke n’këngëtimin ninanëna

Kupolë fluturake me një zemër prushe

Erdhi rrotull botës figura jar- hirushe

-------------------------------------

Erdhi rrotull botës figura jar- hirushe

Paska edhe krijesa pranë syve t’pa sy

Kush urren veten s’mund të të dojë ty

Pa me kokë ndë zaje rrinin di makushe!

Atë që s’arritën ta shkurtojnë me shpatë

Ta shkulin me dhunë ligje e dekrete

Ta zhbëjnë historinë tungji me dete

E trullosi për fare forca e vet e shtatë!

Atë që kërkonte ta zhduk epidemia

Ta lërojnë urithat ta përpijë shkatërrimi

Ta molisë lëngata, ta shthur infektimi

Të grishi në Stokholm njajo Akademia!

Gjurmë engjëllore nëpër t’ndryshme vise

Zemër e devotshme Ti rrugës paqes u nise

------------------------------------------

Zemër e devotshme Ti rrugës paqes u nise

Ti nuk mbete vetëm në rrugën e shpëtimit

Në shtigje të reja rrugës së njerëzimit

Përqafove popuj edhe përqafove fise

Drurët dhe shkurret sot të thërrasin nënë

Trolli ynë nën hije prej teje merr dritën

Njomëzave buzë vdekjes ua ktheve rritën

Dhe qielli i atdheut Ty të ka yll e hënë!

Andaj sot të grishin të vëjmë tek oxhaku

Pse të duam me afsh pse të kemi mall

Medalje në gjoks, diell të kuq në ballë

Ashtu sikur që vëhet në ballinë bajraku!

Kopshtin botëror me fëmijë pararëndise

Erzë shpirti kombëtar, atdheun qëndise!

--------------------------------------

Erzë shpirti kombëtar, atdheun qëndise!

Plagët ripërtërihen, çehret sikur mimoza

Ku pushojnë helmimet e vazhdohet loza

Trimëreshë malësore gërbulen gremise!

Dhe begati të madhe le për gjenerata

Kudo ato qofshin me qëllime humane

Sikur fisi yt qe edhe hanedane

Kur mësojnë për Gjyshen e përgjerata!

Kurora të thurëm, po jo me aq finesa

Duart të lidhura n’vargonj kyçur n’dryra

E me shpirt ndër dhëmbë gjymtyrët e mpira

Po me shumë dëshira, t’pakufishme shpresa!

Zemrat i shkrive, dimrin verë na bëre

Nënë hirmadhe krijesë hosish pranvere

MAGJISTRALI

Nënë hirmadhe krijesë hosish pranvere

Është gonxhe nga Kalaja e Qytetit-Muze

Nënë-motër nderi, për kësollëtarë një rreze

Afsh lulesh amshimi, jo kurrë gallabere



Jehonë shekullore mikpritjesh shqiptare

O Hyjni tokësore dashuria tërheqëse!

Nerv-shtanë e pashtershme e shëlbuese

Ëmbëlsi fjalësh nurbardha jonë krenare



Tutje në histori shihet një gocë syrrushe

Ecejaket nuk ndalen me forcë imanente

Rend pas varfanjakësh nëpër kontinente



Erdhi rrotull botës figura jar - hirushe

Zemër e devotshme Ti rrugës paqes u nise

Erzë shpirti kombëtar, atdheun qëndise!



Në Burgun Qendror në Beograd, brymor

1987-në Bern,1997, kryeqyteti i Zvicrës

O ti Shkup, pas tërmetit të parë dhe, sidomos pas tërmetit të dytë, që e lëvize Ti, Nëna Terezë, o ti Komb, prej të cilit ke dalë Ti, nuk je më më i vogli në botë, se bota mbarë të njeh përmes Nënës Terezë.

Imzot Nikë Prelaj

Në vend të pasthënies: kujtimet e vëllaut Lazër Bojaxhiu

"E di se Nënë Terezës nuk do t’i pëlqejë t’i lexojë këto gjëra nëpër gazeta", thotë Lazër Bojaxhiu. "Ajo ka qenë gjithnjë aq e përmbajtur e madje edhe është drojtur të flasë për familjen e vet. "E ç’janë ankthet tona të vogla përpara tragjedisë së miliona qenieve njerëzore të cilët vdesin çdo ditë për bukë?" më thosh gjithnjë. Për vite të tërë ia kam respektuar këtë dëshirë përmbajtje dhe ia kanë respektuar sidomos politikanët të cilëve Nënë Tereza u fliste për nënën e saj duke u kërkuar të bënin diçka. Dhe këta ishin Kenedë-t dhe De Golë-t. Asnjeri nuk ia doli dot. Ja, shkruaje këtë: motrës të vogël e të përulur e cila u pat ardhur në ndihmë miliona të braktisurve, ajo që u ka dhënë dashurisë dhe solidaritet njerëzor aq shumë njerëzve të dëshpëruar, u ndalua t’i qëndrojë mbi krye të shtratit të vdekjes nënës së vet. Dhe kjo grua e gjorë vdiq e dëshpëruar duke shtrënguar në kraharor një fotografi të vjetër të njomur me lotë. Shkruaje: kështu vdesin në një vend komunist, në Shqipëri".

"Nënë Tereza (kështu e quan i vëllai apo thjesht "nëna") i pati hedhur ndërkohë themelet e asaj që do të shndërrohej në "organizatën ndihmëtare më frytdhënëse në botë". Vetëm me forcën e saj të madhe që ish forca e dashurisë. "Përballë kësaj motre të përulur me zemër aq të madhe", pat thënë Indira Gandi, "të gjithë ndjehemi të vegjël e të turpëruar nga vetja jonë". Tashmë Nënë Terezës i hapeshin gjithë dyert: Kenedi, De Goli, mbreti Gustav Adolf i Suedisë, ishin jo vetëm përkrahës të veprës, por edhe miq të saj. Dhe atyre Nënë Tereza mundi t’u drejtohet për t’u kërkuar t’i shkëpusë motrën dhe të ëmën nga një regjim i pamëshirshëm, i cili ua bënte të dëshpëruar vetminë.

"U takuam në Romë më 1960" kujton Lazër Bojaxhiu. "Nënë Tereza kthehej nga Shtetet e Bashkuara dhe unë që nuk e shihja prej kaq vitesh pata dëshirë të shkoj e ta përshëndosh në aeroport duke u përzier me turmën e vogël të motrave që po e prisnin. U përqafuam gjatë-gjatë, me dashuri, po askush nuk na njohu për vëlla e motër: ajo aq e vogël dhe e hajthme, unë të paktën dyfish i gjatë. Me mua ishin edhe ime shoqe dhe ime bijë që nuk e kishin takuar asnjëherë.

"I thashë: "Nënë, duhet të bëjmë një gjë për këto gra të mjera që rrojnë aty në Shqipëri". M’u përgjegj: "Ki besim, tani diç mund të bëj. Kam shumë miq në gjithë botën që mund të më ndihmojnë".

"Ndenjëm katër ditë në Romë" kujton përsëri i vëllai. "Unë në hotel, ajo në kolegjin e motrave. Rrinim bashkë disa orë në ditë, hanim drekë në hotel dhe një herë edhe në kolegjin ku qëndronte. Ajo kish shumë punë, takime në çfarëdo orë. Nuk arrita të kuptoj kurrë ku e kishte aq forcë një grua e vogël me pamje aq të brishtë. Ajo thosh gjithnjë: "E kam nga Zoti këtë forcë". I ktheheshim bisedës për nënën. Shkruajtëm bashkë nga Roma. "Shiko se do t’ia dalim ta nxjerrim nga Shqipëria", vazhdonte të më siguronte. Dhe unë mendoja si do t’u përgatisja një qoshe në shtëpinë time në Palermo, ku mund të vendoseshin e të jetonin më në fund të qeta. Në Palermo Nënë Tereza do të mund t’i takonte shumë lehtë."

"GËNJESHTËR"

"Kaluan vite, u takuam edhe herë të tjera, përsëritëm të njëjtat biseda, ndërsa letrat që vinin nga Shqipëria kishin gjithnjë e më shumë ankth. "Dua t’u shoh përpara se të vdes: është e vetmja lutje që i bëj të madhit Zot", shkruante nëna. "Në jetë", më thoshte më pas Nënë Tereza në një nga takimet tona, "kam arritur gjithë ç’kam dashur vetëm me forcën e dashurisë; por ama ka pengesa të cilat mjerisht dashuria nuk arrin ende t’i kapërcejë". E hidhte fjalën tek përpjekjet e bëra nga Kenedi, nga De Goli, nga mbreti Gustav Adolf i Suedisë, të cilat dolën të kota.

"Di se në veçanti ministri i atëhershëm i jashtëm francez, Kuv dë Myrvil pat bërë hapa konkretë ndaj kolegut të vet të Tiranës: Shqipëria, asohere aleate e Kinës, synonte të hapej me drojtje ndaj Perëndimit dhe qeveria frënge dukej e prirur për të filluar dialogun. A nuk ishte pra rasti më i mirë për të zgjidhur çështjen e nënës dhe motrës të motër Terezës!?
"Por as kësaj here nuk u arrit ndonjë gjë. Ministri i jashtëm frëng pati këtë përgjigje nga kolegu i tij shqiptar: "Zonjat Drande dhe Agata Bojaxhiu nuk janë në gjendje fizike që lejon një udhëtim jashtë shtetit"


"TË DISH TË FALËSH"

Kujtime të tmerrshme, të cilat na u shfaqën në mënyrë dramatike edhe në mbrëmjen e ceremonisë për dorëzimin e Nobel-it në pallatin e madh të Stokholmit. "Isha gati duke i nxjerrë në shesh të gjitha me gazetarët", thotë Lazër Bojaxhiu. "U bllokova nga buzëqeshja e Nënë Terezës. Ajo është gjithnjë e prirur ndaj faljes dhe tashmë i ka falur".

Ju buzëqeshi të gjithëve motra e përulur, e cila as në ceremoninë zyrtare nuk hoqi dorë nga sari i saj i bardhë prej pambuku me anë ngjyrë qielli, kapur në supe me një kryq. I buzëqeshi mbretit të ri të Suedisë (nip i mikut të saj të madh Gustav Adolf), u buzëqeshi dinjitarëve të Oborrit, anëtarëve të Akademisë, duke i falenderuar për nderin e madh që i patën bërë. "E di mirë" e saktësoi "se ky nuk është çmim për mua, se gjithë këto miliona nuk di fare ç’t’i bëj, meqë gjithnjë kam jetuar në varfëri, po është për punën time, dhe për punën time këto miliona nuk mjaftojnë. Sidoqoftë unë do t’i shpenzoj shpejt, i kam bërë tashmë programet; e di se të tjera do të vijnë nga gjithë bota".

Nuk pranoi as drekën zyrtare. "Paratë që keni shpenzuar për darkë, në se doni, mund t’ua jepni fëmijëve të mij". Ia dhanë. Dhe doli nga skena buzëqeshur, si pati hyrë. Vëllait (dhe mbesës që e shoqëronte) para se të ndahen i tha: "Dashuria, kujtoje, do të thotë edhe, dhe mbi të gjitha, të dish të falësh".

PJESA E DYTË

KUR IME MOTËR ISH 18 VJEÇ

"Në këtë moshë Gonxhja vendosi të bëhet murgeshë: u nis për Irlandë dhe mbas një viti ishte në Indi, me emrin motër Tereza."- "Shembulli i nënës sonë ishte pa tjetër vendimtar për thirrjen që ndjeu Gonxhja: që kur ishte vajzë ndihmonte të varfërit, iu shpinte përditë për të ngrënë".

"Nënë Tereza", thotë i vëllai Lazër "i ka falur vrasësit e prindërve tanë, ndërsa unë nuk di në se do të mund t’i fal ndonjëherë. Ajo ka forcën e madhe të dashurisë që e mban, në saje të së cilës ka kapërcyer aq shumë çaste të vështira dhe fituar aq shumë beteja. "Të duash, kujtoje mirë o vëllai im" më thosh gjithnjë " do të thotë edhe të dish të falësh". Ma tha edhe mbrëmjen kur i dhanë Çmimin Nobel në Stokholm dhe unë pyes veten në se do të mund ta kem atë forcë. Do t’i kërkoj ndihmë asaj në se do që edhe unë t’i fal..."

Për Nënë Terezën e Kalkutës janë shkruar shumë libra: për punën që bën sot e 40 vjet ", në mes të më të varfërve, të të varfërve të botës"; për shtëpitë që ka hapur, të cilat nga Italia u shtrinë në gjithë kontinentet, për fjalimet që mban, letrat, meditimet, mësimet. Por ne kemi ditur shumë pak për jetën e saj. "Nënë Terezës nuk i pëlqen të flasin për të" kanë thënë gjithnjë biografët. "M’u lut të mos bëj asgjë që do të përfundonte si biografi", ka shkruar anglezi Malkolm Magerixh (Malcolm Muggeridge) në parathënien e librit Një gjë të bukur për Zotin.

"JETA E KRISHTIT"

Askush nuk ka cekur ndonjëherë "të vërtetat e tmerrshme" të cilat Nënë Tereza i ka ruajtur në zemrën e vet për kohë të gjatë, duke vuajtur në heshtje: vdekja tronditëse e babait, i helmuar nga jugosllavët dhe fundi i dëshpëruar i nënës të cilën regjimi komunist shqiptar nuk e lejoi të përqafonte bijtë para vdekjes. Për këtë për herë të parë foli i vëllai për revistën tonë. Dhe tani për shumë biografë do të jetë mbase më e vështirë të kuptojnë ku e gjen forcën e vet kjo "motër e jashtëzakonshme e vogël, e cila është zhytur aq shumë në tiparet e të përbashkëta të njerëzimit, sa që është identifikuar me vuajtjen njerëzore".

"Sipas meje bota sot është e pështjellur dhe vuan shumë", ka thënë shumë herë Nënë Tereza, duke iu folur misionareve të dashurisë, urdhër i krijuar prej saj më 1950 "sepse në vatrat e shtëpive dhe në jetën e familjes ka me të vërtetë pak dashuri. Nuk kemi kohë për fëmijët, nuk kemi kohë për njëri tjetrin, nuk kemi kohë as t’i gëzohemi njëri tjetrit. Mendoj se në se do të mundnim veç t’i sillnim përsëri në jetën përditshme, atë jetë që bënin Krishti, Maria dhe Josifi në Nazaret, në se do t’i bënim shtëpitë të tona tjetër Nazaret, në botë do të mbretëronin dashuria dhe gëzimi...".

(nga Gaetano Salimbeni, në bazë të bisedës me Z. Lazër Bojaxhiu në Palermo,

dhjetor, 1979; botuar në GENTE (NJERËZ) – dhjetor 1979 (nr. 52) dhe janar

1980 (nr.1) Përktheu shqip dhe pajisi me shënime Pandeli Pasko Kuteli)
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi