Dukagjin Hata: Bota çame, një rrëfim historiko-publicistik i shpirtëzuar
Faqja 1 e 1
Dukagjin Hata: Bota çame, një rrëfim historiko-publicistik i shpirtëzuar
Filati i Camerise i braktisur |
Bota çame, një rrëfim historiko-publicistik i shpirtëzuar
Ismail Kadare:
''Ky libër është i nevojshëm, i domosdoshëm, i moralshëm, si çdo botim i arrirë i kësaj natyre, siç janë të shumta arsyet që çamët nuk e harrojnë Çamërinë dhe, merret me mend, kjo është një e drejtë jo vetëm e tyre, por e drejta e të gjithë shqiptarëve. Për më tepër është një detyrë morale, sepse kurrë nuk mund të harrohet një plagë e vuajtur nga mijëra njerëz. Kurrë nuk mund të harrohet një shpërngulje, kurrë nuk mund të harrohet vendi ku ke lindur, ku ke shtëpinë. Kurrë nuk mund të harrohet Çamëria.''
]Nga Dukagjin Hata
Shkrimtari Shefki Hysa, një nga kërkuesit më të pasionuar të psikologjisë dhe shpirtit çam, në vazhdën e Bilal Xhaferrit dhe apostujve të tjerë të letrave shqipe, në atë cep të harruar të Iliriadës, ku perëndesha Dodona foli së pari shqip, jo një herë në shkrimet dhe librat e tij, i është drejtuar vetëdijes kolektive të një populli muhaxhir, atij çam, në dejet e të cilit rrjedh gjak i pastër i epirotasve të vjetër, që e shkruan historinë e fiseve krenare e të panënshtruar ndaj të huajve, në lëvoren e pemës vigane të kujtesës sonë kombëtare.
Shefki Hysa e ka shndërruar temën e fatit të Çamërisë në një metaforë universale të kërkimit të identitetit të bjerrun, ku fati individual dhe kolektiv ndërthuren në metafizikën e kohë-hapësirës së lirisë.
Pas një sërë rrëfimesh të mrekullueshme si tregime, romane dhe saga, ku bota çame lëviz në dritëhijet e kohës, Shefki Hysa i kthehet një historie të drejtpërdrejtë, por një "historie të shpirtëzuar nga uni poetik", siç mund të thoshte Umberto Eco, për kohën e ndaluar çame. Kjo kohë jepet në tredimensionalitetin e saj, në lidhje me ato ura të kujtesës shqiptare, ballkanike, evropiane dhe botërore, ku kalojnë faktet historike, të vërtetat e ndrojtura dhe ato të shpallura bujshëm, për te pema e dhimbjes dhe dashurisë së një populli të ndaluar.
Në këtë vazhdë, libri i tij i ri, "Diplomacia e vetëmohimit", është një përmbledhje publicistike me artikuj, ese, intervista, kujtime, mbresa, portrete, përshtatje, redaktime, replika, reportazhe, rrëfime, skica, në fokus të së cilës është zbulimi i botës shqiptare të Çamërisë, në atë vektor historik dhe aktual që quhet çështja çame dhe që përbën nyjën gordiane të historisë së re shqiptare.
Me një stil të ngjeshur e konciz, por njëherësh të ngrohtë e plot ngjyra, ku përzihen rrëfimi dhe investigimi, portretizimi e analiza, ngjyrimi letrar dhe tharmi gazetaresk, qëndrimi personal dhe qëndrimi komunitar e, më tej, qëndrimi kombëtar për këtë çështje kapitale të botës shqiptare, me një gjuhë të zhdërvjellët dhe elegante, ku kërkimi integral i gazetarit përzihet me tharmin estetik të shkrimtarit Shefki Hysa na sjell në këtë libër më shumë se një shqetësim për fatin historik të një populli ikanak, të sakrifikuar në rrugën e kalvarit të dyfishtë, atij greko-zervist dhe enveristo-komunist.
Autor i disa librave artistikë, si tregime dhe romane, ku herë pas here ka përcjellë hapësira narrative dhe dukuri të botës çame, (për romanin e tij të fundit, që trajton fatin dhe fatalitetin çam flet me admirim Kadareja), Hysa në këtë libër na sjell një vlerësim historiko-letrar dhe filozofik mbi një plagë të botës shqiptare, plagën çame. Kjo plagë, që vazhdon të na shkaktojë dhimbje të gjithë ne shqiptarëve, duhet operuar pa u kthyer në gangrenë dhe pa dëmtuar gjithë trupin e çështjes kombëtare shqiptare, pohon autori me sjelljen e fakteve dhe qëndrimin intelektual të tipit gandist të tij.
Autori nënvizon me forcën e argumentit, se në tunelin e errët të një të kaluare tragjike, e cila ende duket se mban peng kujtesën e të gjallëve dhe të të vdekurve, pas kaq kohësh heshtjeje, paragjykimi dhe dezinformimi, duket, më në fund, një fjollë drite. Autori na fton të rendim drejt kësaj fjolle, të shohim matanë saj, atë rrugë ku shpaloset vizioni dhe strategjia e ardhmërisë për atë tokë dhe popull të sakrifikuar.
Në këtë libër voluminoz lëvizin personazhe historikë dhe VIP-a, njerëz të thjeshtë dhe individë që e kanë mbartur barrën çame rrugëve të Gogoltës staliniste shqiptare, lëvizin Bilal Xhaferri, Ismail Kadareja, Namik Mane, Sabri Godo, Bedri Myftari, Ibrahim Hoxha, Pandeli Koçi, Pjetër Arbnori, Sali Berisha, vizioni politik dritëshkurtër që nuk prodhon asgjë përveçse koniunktura momenti për hir të mbijetesës së iks partie, apo ipsilon politikani, por dhe ai vizion që mbruhet në kudhrën e nacionalizmit real (jo të nacionalizmit folklorik) dhe gjeneron ide për të ardhmen e popullit dhe truallit çam.
Por këndvështrimit të gjerë, investigues, përqasës dhe polemizues nuk i shpëtojnë dhe figura të tilla ndërkombëtare si Hillari Klinton, studiuesja dhe diplomatja angleze Miranda Wickers etj., që në manastirin e zymtë të çështjes çame kanë ndezur qiririn e shpresës.
Universi i botëvështrimit të autorit është vetë universi i thyer dhe shumëplanësh i çështjes çame, e cila përbën një dimension ende të paeksploruar të çështjes kombëtare shqiptare.
Në thelb libri është një përvojë e jetuar nga autori dhe bashkëpunëtorët e tij, me fitoret e humbjet, me arritjet e shikuara, arsyetuara, argumentuara, paragjykuara e gjykuara nga këndvështrimi i syve të atyre, që në ëndrrën dhe vizionin e tyre ideal, Çamërinë e kanë pasur dhe e kanë në bashin e vendit.
Autori vlerëson botën diplomatike dhe reagimet e saj, që ndonëse të brishta, prapë kanë bërë të tyren për të sensibilizuar këtë hapësirë të trishtë të kujtesës kolektive të botës shqiptare, duke nënvizuar faktin se arritjet e diplomacive botërore janë shumë herë më të mëdha se ato të luftërave.
Dishepull i frymës gandiste dhe i atyre rrugëve që çojnë ujë në zgjidhjet efektive kombëtare nga mulliri i intelektualitetit, Hysa i bën apel elitës së shoqërisë shqiptare të bëjë atë që duhet për Çamërinë, të kontribuojë që vizioni çam të mos mbetet peng i një të kaluare të trishtë.
Autori nënvizon me dhimbje heshtjen thuajse apostolike të shtetit shqiptar, përballë një drame historike dhe aktuale, dramës çame, ndërkohë që diplomacia e huaj dashamirëse ndaj shqiptarëve u kujton politikanëve të vendit të shqiponjave, se Çamëria është një peng historik që duhet çliruar nga keqkuptimi dhe padrejtësia, duke e nxjerrë çështjen nga ngrehinat e mykura të arkivave në axhendën politike të ditës.
Autori përshkruan labirintet e një dosjeje sa të keqkuptuar, aq edhe befasuese, për nga shkalla e perceptimit të vetëdijes politike të shqiptarëve. Atë që nuk e bënte dhe vështirë se do ta marrë kurajon ta bëjë ndonjëherë politika e mefshtë dhe pritëse deri në penelopizim naiv, rreken ta bëjnë të huajt e përgjegjshëm, miqtë e këtij vendi me sytë nga Perëndimi. Kështu, në verën e vitit 2001, me ndërmjetësimin e Hillari Klintonit, çështja çame u paraqit në Senatin amerikan. Në një seancë dëgjimore, senatorët u informuan për marrëdhëniet shqiptaro-greke, për zhvillimet, acarimet dhe zbutjet e tyre, që nga vera e vitit 1944, kur ishte ushtruar gjenocidi mbi popullsinë myslimane, me kombësi shqiptare të Çamërisë, të quajtur ndryshe Thesprotia, duke e masakruar dhe dëbuar atë prej vendlindjes dhe vendbanimit, truallit etnik. Autori përshkruan reagimin e lobit grek të Amerikës dhe të politikës zyrtare të Athinës, kartat e justifikimeve të kësaj politike, mbyllja në një muranë të izoluar e këtij problemi, nxjerrja në pah e gjoja faktit se në Shqipëri nuk ekzistoka një organizëm që të përfaqësojë çamët, se shteti shqiptar e ngre këtë çështje vetëm si kundërpeshë në momente të acarimit të marrëdhënieve dypalëshe midis Tiranës së Athinës dhe se tek e fundit ky problem nuk ekzistonte dhe aty ku diçka nuk ekziston nuk ka asgjë për t‘u zgjidhur.
Si për t‘i bërë jehonë një realiteti të ri politik, që konturohej në Senatin amerikan për Çamërinë, diplomatja dhe studiuesja angleze, Miranda Wickers, i përcjell një tjetër sfidë politikës greke, kur ajo si përfaqësuese e Ministrisë së Jashtme angleze publikoi një studim të detajuar me të dhëna dhe fakte historike të pakontestueshme rreth tragjedisë së popullit çam dhe shkaktarëve të saj. Kjo i dha një shuplakë të fortë qarqeve politike të Athinës, vuri në lëvizje dhe disa nga deputetët e Parlamentit Evropian, si italianin radikal Marko Panela etj., të cilët ishin një zë proteste, që vinte në kohën e duhur dhe nga drejtimi i duhur kundër heshtjes deri në harrim të njërit prej problemeve më kardinale të historisë së kombit shqiptar.
Një vend të rëndësishëm në libër zë personaliteti letrar dhe intelektual i Bilal Xhaferrit, shkrimtarit elitar të Çamërisë, disidentit që e pagoi lirinë e krijimit me jetën e tij të re, amplifikuesit më të zellshëm dhe më të pasionuar të botës çame, të cilën ai e ngriti në qiellin e shtatë të një estetike brilante.
Shefki Hysa, me angazhimin e tij intelektual, ndikoi që figura e Bilal Xhaferrit të dilte nga pluhuri i keqkuptimit dhe falsifikimit pesëdhjetëvjeçar dhe të zinte vendin e merituar në panteonin e harruar të letrave të disidentëve.
Udhëtimi i Shefki Hysës në analet e botës çame është një udhëtim virtual, ku plekset fakti dhe detaji historik me impersionin e autorit, gjeopolitika ndërkombëtare me rrëfimin për heshtjen apostolike deri në naivitet politik të institucioneve të Tiranës zyrtare, investigimi në të vërtetat e mbuluara nga pluhuri i harresës me deduksionin për gandizmin intelektual, si mjet për identifikimin dhe përftimin e parajsës së ndaluar çame.
Ashtu siç thotë edhe shkrimtari ynë i shquar Ismail Kadare: "Ky libër është i nevojshëm, i domosdoshëm, i moralshëm, si çdo botim i arrirë i kësaj natyre, siç janë të shumta arsyet që çamët nuk e harrojnë Çamërinë dhe, merret me mend, kjo është një e drejtë jo vetëm e tyre, por e drejta e të gjithë shqiptarëve. Për më tepër është një detyrë morale, sepse kurrë nuk mund të harrohet një plagë e vuajtur nga mijëra njerëz. Kurrë nuk mund të harrohet një shpërngulje, kurrë nuk mund të harrohet vendi ku ke lindur, ku ke shtëpinë… Kurrë nuk mund të harrohet Çamëria".
Agim Gashi- Administrator
- Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008
Similar topics
» Luan Basha: Një rrëfim metaforik për Ushtritë Çlirimtare
» Kristaq Shabani:IDE TE REJA NE JETEN HISTORIKO -LETRARE E KULTURORE
» Pilo Zyba: NJË UDHËTIM I DETYRUAR - shkrim historiko analitik -
» Tropoja, rrëfim i madh, i pathënë
» Kristaq Shabani:Një shpalosje vlere e kreaturës së Kozeta Zavalanit nëpëmjet këndvështrimit poetik, publicistik, artistik, qytetar dhe përfaqësues
» Kristaq Shabani:IDE TE REJA NE JETEN HISTORIKO -LETRARE E KULTURORE
» Pilo Zyba: NJË UDHËTIM I DETYRUAR - shkrim historiko analitik -
» Tropoja, rrëfim i madh, i pathënë
» Kristaq Shabani:Një shpalosje vlere e kreaturës së Kozeta Zavalanit nëpëmjet këndvështrimit poetik, publicistik, artistik, qytetar dhe përfaqësues
Faqja 1 e 1
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
Tue Mar 14, 2017 8:17 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ - SHIPTARËT NUK JANË "ME BYTHË NË PRUSH", PËR TË FALUR TOKAT
Mon Feb 27, 2017 6:54 pm nga Agim Gashi
» Akuzat kundër Shefqet Krasniqit Prokurorisë ia kishte konfirmuar edhe BIK-u (Dokument)
Mon Feb 27, 2017 5:20 pm nga Agim Gashi
» Aktakuzë kundër imamit Shefqet Krasniqi
Mon Feb 27, 2017 4:32 pm nga Agim Gashi
» Zbulohen tensionet gjatë dialogut në Bruksel, Nikoliqi Thaçit: Ti je kriminel
Fri Feb 03, 2017 7:40 pm nga Agim Gashi
» Faruk Tasholli - RJEPENI NANËN
Fri Feb 03, 2017 12:22 pm nga Agim Gashi
» FAMILJA E HAKI IMERIT: AI U VRA NË KOHËN KUR NË PUSHTET ISHIN HASHIM THAÇI E REXHEP SELIMI
Wed Jan 25, 2017 12:39 am nga Agim Gashi
» AGIM GASHI - O NE TREN PËR MITROVICË
Wed Jan 18, 2017 11:08 pm nga Agim Gashi
» Vëllai i tij u pajtua me Thaçin, por ja si ishte kidnapuar Haki Imeri në Brojë e më pas ishte vrarë
Wed Jan 18, 2017 8:13 pm nga Agim Gashi
» Fadil Maloku:Aferim, Prokurori e Kosovës!
Wed Jan 18, 2017 8:00 pm nga Agim Gashi
» Djali i Haki Imerit del kundër axhës: Nuk ia fali Thaçit, nuk dua drejtësi kanunore
Wed Jan 18, 2017 7:12 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ:Copëza biografike dhe kujtime për Ibrahim Rugovën
Wed Jan 18, 2017 5:13 pm nga Agim Gashi
» Presidenti Thaçi i “lahet me 124 pleq” Imer Imerit se nuk ka gisht në vrasjen e vëllait të tij
Wed Jan 18, 2017 4:00 pm nga Agim Gashi
» Adem Salihaj akuza të rënda ndaj Hashim Thaçit, ja si po mundohet të shpërlahet nga krimet e shumta që ka bërë
Wed Jan 18, 2017 3:53 pm nga Agim Gashi
» Ndodh edhe ky skandal: Njeriu që grisi fotografinë e Presidentit Rugova merr certifikatën e veteranit të UÇK-së
Tue Jan 17, 2017 7:55 pm nga Agim Gashi
» BERAT ARMAGEDONI:Lamtumirë, Joshua i Pejës!
Tue Jan 17, 2017 12:15 am nga Agim Gashi
» Biografia e Presidentit Rugova - Biografi e shkurtër
Mon Jan 16, 2017 10:32 pm nga Agim Gashi
» ILIR MUHARREMI : Treni provokativ, artistët në gjumë
Sun Jan 15, 2017 11:32 pm nga Agim Gashi
» Përveç ROSU-së, ky është shqiptari që rrezikoi jetën për ta ndalur trenin e Serbisë
Sun Jan 15, 2017 9:53 pm nga Agim Gashi
» ENVER PETROVCI - IN MEMORIAM SEFEDIN NUREDINIT- SEFA
Sun Jan 15, 2017 9:07 pm nga Agim Gashi