Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Gani Mehmetaj:Shëngjini, autostrada dhe hekurudha

Shko poshtë

Gani Mehmetaj:Shëngjini, autostrada dhe hekurudha Empty Gani Mehmetaj:Shëngjini, autostrada dhe hekurudha

Mesazh nga Agim Gashi Sat Feb 28, 2009 1:30 am

Shëngjini, autostrada dhe hekurudha

Gani MEHMETAJ
Me ndërtimin e magjistrales Durrës-Prizren, dy portet shqiptare do të fitojnë shumë në peshë, ndërsa porti i Selanikut do ta humbasë rëndësinë që e kishte më parë.

1. Lajmi më i mirë i vjetëve të fundit pas pavarësisë është vullneti i mirë i kryeministrit shqiptar, Sali Berishës, që t’ia lë në shfrytëzim portin e Shëngjinit shtetit të Kosovës. Është ky njëri ndër hapat më të rëndësishëm kombëtar të fillimit të integrimit ndërshqiptar. Ky integrim po bëhet në baza shumë më të qëndrueshme, më të shëndosha dhe pa pompë të madhe. Së pari ka filluar mbi baza ekonomike, të shkëmbimit të mallrave e të qarkullimit të lirë, pastaj dalëngadalë do të fillojnë fazat e tjera. Pastaj do të vazhdojë në format e tjera, kryesore i gjithë territori shqiptar, andej dhe këndej kufirit do të ketë dalje në det, pra Kosova-kontinentale do të jetë me një port të rëndësishëm, kështu që do të fitojë në peshë jo vetëm brenda rajonit, por edhe më gjerë.
Brezat më të ri mbase nuk e dinë, fare pak e dinë edhe brezat më të vjetër, që Serbia, përkatësisht ish-Jugosllavia e kishte ëndërr më shumë se 100 vjet daljen në portin e Durrësit e të Shëngjinit. Në çdo projekt të tyre, në çdo libër shkollor e eufori shoviniste ata klithin për dalje në detin shqiptar. Kur këtë nuk mundën ta bëjnë me trupa, atëherë bënë projekte me ndihmën e qeverisë franceze për një depërtim hekurudhor në Shqipëri. Kështu në vitet e tridhjeta të shekullit të kaluar ndërtuan hekurudhën që u shtrua deri në Pejë e në Gjakovë, për të vazhduar sipas planeve franceze e serbe nëpër alpet shqiptare që të zbresin pastaj në det. Është menduar pastaj që një pjesë e mallrave të cilat prodhoheshin në Kosovë të shiteshin në Perëndim, kryesisht lëndët drunore dhe prodhimet bujqësore, krahas xeheve. Ishin edhe shumë ëndrra të tjera të tyre, të cilat fatbardhësisht nuk u bënë realitet. Kjo nuk do të thoshte se nga ky projekt do të përfitonte Kosova, apo shqiptarët, sepse Kosova ishte koloni e pushtuar nga Serbia atëbotë. Natyrisht qëllimi ishte që Serbia, përkatësisht ish-Jugosllavia të komunikonin me botën edhe nëpërmjet detit dhe të vazhdonin pastaj qarkullimin e mallit e të ndikimit edhe më tutje në lindje. Dhe kjo gjë nuk u realizua, sepse shpërtheu Lufta e Dytë Botërore, pastaj pas luftës gjendja gjeostrategjike ndryshoi, Franca më nuk e kishte sferë të interesit Serbinë, kështu që serbët nuk e realizuan ëndrrën e tyre. Kjo gjë mbeti në heshtje, mungonte kapitali perëndimor për këtë projekt të madh, ndërsa Serbia gjeti një zgjidhje tjetër: e bëri hekurudhën Beograd-Tivar, që ua siguroi daljen në det, tash përmes shtetit të Malit të Zi, por që nuk ishte e të njëjtit kapacitet që e kishin menduar sikur ta kishin Durrësin apo Shëngjinin.
2. Natyrisht ajo që ishte ëndërr serbe, e ndihmuar nga kapitali francez, nuk do të thotë se nuk duhet ta bëjnë realitet dy kryeqytetet shqiptare-Tirana e Prishtina, po ashtu të ndihmuar nga kapitali kombëtar e ndërkombëtar. Propozimit dhe tumirjes së pritur të shfrytëzimit të portit të Shëngjinit nga Kosova, i ka prirë një projekt tjetër madhor shqiptar: autostrada Durrës-Prizren, që do të bëjë bashkimin e natyrshëm të veriut me mesin dhe jugun shqiptar. Ishte kjo një ëndërr tjetër e shqiptarëve, e cila u shpreh nga presidenti i ndjerë dr. Ibrahim Rugova në fillim të viteve të nëntëdhjeta, ndërsa e përqeshnin më të madhe pinjojtë e së majtës së Kosovës dhe projugosllavët si një fantazi e parealizuar. Ishte proverbiale dëshira e Rugovës që kafen ta pinim të Durrës, ndërsa në mbrëmje të ktheheshim në Prishtinë. Ndërkaq, këtë vizion po e bën realitet Qeveria e Sali Berishës, që do të mbetet njëra ndër veprat më madhore të këtij kryeministri dhe që do të mbetet në histori me një vepër të këtillë. Fatkeqësisht, në anën e Kosovës, kjo gjë mbeti vetëm në nivel të përrallës politike, pa bërë asnjë përçapje konkrete.
3. Rrumbullakimi i gjithë kësaj do të ishte fillimi i punimit- jetësimit të hekurudhës po nëpër të njëjtën hapësirë- Durrës-Prizren, që do të bëjë një komunikim shumë më të shpejtë, më të dendur dhe që do të ketë ndikim të jashtëzakonshëm për bregdetin shqiptar, për ekonominë shqiptare të të dy shteteve. Në këtë mënyrë shqiptarët do të fitojnë peshë edhe në raportet rajonale e më gjerë, sepse shumica e mallrave të cilat janë shkarkuar apo ngarkuar në portin e Selanikut për Perëndim apo për Lindje, tash do të kalojnë nga porti i Durrësit a Shëngjinit. Magjistralen shqiptare e cila është në përfundim e sipër do ta ndihmonte shumë sikur të aktualizohet projekti i vjetër francez për zgjatjen e hekurudhës nga Peja a Gjakova më tutje drejt Kukësit e Durrësit, apo nëpër Luginën e Drinit të Bardhë.
Natyrisht kjo gjë kërkon mjete të mëdha materiale, kërkon kapital ndërkombëtar, dhe mbi të gjitha kërkon vullnet e dëshirë që të bëhen vepra të mëdha. Ky vullnet nuk ka munguar në realizimin e projektit të autostradës, e cila është në përfundim e sipër. Sikur të dëgjosh opozitën shqiptare dhe një pjesë jo të vogël të medieve elektronike të kontrolluara nga opozita, në autostradën Durrës- Kukës-Prizren kanë ndodhur vetëm skandale dhe asgjë tjetër. Madje sikur të dëgjosh reagimin e tyre, autostrada duhet të ndërpritet, apo të zvarritet ashtu sikurse bënë me vite opozitarët kur ishin në pushtet. Është fatbardhësi që kjo gjë nuk u bë, pra Berisha e ndoqi parimin: qentë lehin, karvani ecën përpara. Mirëpo, në këtë mes të vjen keq që gjërat e tilla nuk përcillen me dashamirësinë e punës që bëhet. Këtë fat e pati edhe lajmi për gatishmërinë e kryeministrit shqiptar që t’ia japë në shfrytëzim portin e Shëngjinit. Në vend se të plasohej në faqet e para të gazetave shqiptare në Kosovës, pjesa më e madhe e tyre e dhanë disi me druajtje, ashtu sikurse jo pak gazeta edhe në Kosovës veprën kapitale të autostradës shqiptare e plasuan sipas përcaktimit politik e jo sipas punës që bëhej.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi