Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Nënë Tereza simbol i bashkimit kombëtar

Shko poshtë

Nënë Tereza simbol i bashkimit kombëtar Empty Nënë Tereza simbol i bashkimit kombëtar

Mesazh nga Agim Gashi Thu Aug 26, 2010 6:29 pm


Nënë Tereza simbol i bashkimit kombëtar


Nga Don Marjan Ukaj

Fundi i shekullit XIX dhe fillimi i shekullit XX karakterizohej me luftëra të paepura për çlirimin e trojeve shqiptare nga pushtimet e huaja. Në këtë periudhë nga trungu i popullit tonë të shumëvuajtur dolën Rilindës trima dhe mendjendritur, që me armë dhe penë i dolën zot Atdheut. Atëherë kur Qeveritë e Mëdha i coptuan trojet tona, ndërsa Kulshedra e kuqe po përgatitej ta vënte nën kthetrat e veta kombin tonë të lashtë, në një familje të tillë, në qytetin e Shkupit, me 26 gusht 1910 Zoti e solli në jetë Gonxhe Bojaxhiun, e cila më vonë u kuptua si më i madhi peshqesh për popullin tonë dhe botën. Kjo Gonxhe u qe besuar prindërve të përshpirtshëm, të cilët, përkundër urrejtjes dhe varfërisë së madhe të kohës, ditën ta rrisnin dhe ta edukonin bijen e vet në frymën e idealeve ungjillore, për të çelur më vonë dhe për ta mbushur botën me aromën e dashurisë, të përkushtisë dhe të shërbimit ndaj të varfërve ndër më të varfër fillimisht në Kalkutë dhe pastaj në mbarë botën.

Me 24 maj 1937 m. Tereza i bëri kushtet e përjetshme dhe e mori emrin Nënë Tereza. Ishte një ditë e veçantë për Të. Ja se çka shkruan me këtë rast: “Çfarë hiri i madh! Vërtet, s’mund ta falënderoj Zotin sa duhet, për të gjitha që bëri për mua. I Tij për amshim!” Me siguri nuk ka qenë krejt e vetëdijshme për peshën e këtyre fjalëve, por një gjë nuk e ka harruar kurrë: e kjo është besa shqiptare. E din mirë dhe e thekson edhe në letrat drejtuar Atit shpirtëror dhe Arqipeshkëvit të Kalkutës, se besa tek shqiptarët është e shenjtë dhe se shqiptari për besë jep edhe djalin. Nënë Tereza ishte një murgeshë e devotshme, bujare, e zellshme dhe e lumtur. Fliste rrjedhshëm gjuhën angleze, hindu dhe atë bengale. Ishte mësuese e talentuar dhe e lidhur ngushtë me nxënësit, të cilët e donin dhe e admironin. Veprimtaria e saj ishte krejt e thjeshtë dhe digjej pa u kursyer për ta dashur Jezusin sikur askush më parë.

Në vitin 1942 Nënë Tereza bëri një betim privat, për të mos i kundërshtuar Zotit në asgjë. Nuk zgjati shumë dhe Krishti e vuri në një sprovë të re duke i thënë: “Kam nevojë për murgesha indiane, viktima të dashurisë sime, të cilat do të jenë të lidhura ngushtë me mua për të rrezatuar dashurinë time në shpirtëra... Kam nevojë për murgesha të mbushura me dashurinë time në kryq.” Ndërsa Nënë Tereza e përvuajtur përgjigji: “O Jezui im, ajo që Ti kërkon i tejkalon forcat e mia. Unë nuk jam e denjë, jam mëkatare dhe e dobët. Shko, o Jezu, dhe gjeje ndonjë shpirt më të denjë dhe më bujar se mua.” Pasi Nënë Tereza kërkoi dritë për ta mësuar vullnetin e Zotit, krejt në fund, Jezu Krishti e garantoi duke i thënë: “Mos ki frikë! Gjithmonë do të jem me ty!”

Lufta e dytë botërore nuk e kurseu as kuvendin e Loretos në Kalkutë. Shkolla “St. Mary” u shndërrua në spital. Uria e pushtoi Bengalin Perëndimor dhe i mori më se dy milion jeta njerëzish. Me 19 gusht 1946 dhuna bëri që rrugët e Kalkutës të laheshin në gjak. Nënë Tereza nuk mund të rrinte e qetë. Ajo shkrihej në lutje dhe në punë për të tjerët. Kjo gjë i pëlqeu Jezusit, i cili me 10 shtator 1946 në një vegim gjatë udhëtimit për në Darjeeling, kërkoi prej saj ta linte rregullin e Loretos dhe ta themelonte një bashkësi të re, të cilën do ta quante me emër: “Misionaret e Dashurisë”. Nënë Terezës i duhej të luftonte me vetveten. Braktisja e kuvendit të motrave të Loretos ishte tejet e vështirë për Të. Ja si e kujton Loreton: “Në kuvendin e Loretos isha shumë e lumtur. Mendoj se isha motra më e lumtura në botë.” Gjatë muajve në vijim Jezusi ia zbuloi Nënë Terezës vuajtjen e vet për braktisjen e më të varfërve, keqardhjen dhe mjerimin e tij, dëshirimin, etjen dhe dëshirën për motra që do të jenë zjarri i dashurisë ndër më të varfërit, të sëmuarit, atyre që janë duke vdekur, fëmijëve të braktisur nëpër rrugë.

Tanimë është vërtetuar se Jezusi në Nënë Terezën gjeti shpirtin e zemrën më të pastër dhe trupin e mendjen më të dlirë për t’u rikthyer në botën e të mjeruarve. Përmes saj deshi ta nxjerrë njerëzimin nga errësira e mëkateve dhe të mbushë botën me dashuri. Ja si i drejtohej: “Vogëlushja ime, eja – eja – më dërgo në mesin e të varfërve! Eja, ji drita ime! Unë nuk mund të shërbej vetëm. Ata nuk më njohin, prandaj as nuk më duan... Eja dhe shko në mesin e tyre me flijimin dhe dashurinë tënde për mua. Ata duan të më shohin, të më njohin, të më dashurojnë!” Ky kryq dhe ky hir i takoi një bije të popullit shqiptar, e cila diti ta bartë dhe të kryqëzohej në të. Diti të nxjerrë hir për vete dhe për të gjithë botën. Diti të bëhej shembull i besimit të pakompromis në Zotin dhe duke flijuar gjithçka për Jezusin, dhe duke jetuar me një shpresë kundër çdo shprese lirisht mund të quhet Abrahami i Besëlidhjes së Re.

Nënë Tereza na mëson se: „Zoti na krijoi për të bërë vepra të vogla me dashuri të madhe.“ Gjithçka është e mundur, kur njeriu bëhet instrument i Dashurisë, apo “laps në dorë të Zotit”. Dashuria shkatërron kufij, ndërton ura dhe bashkon popuj. „Paqja dhe lufta fillojnë në shtëpi. Nëse, vërtet, dëshirojmë paqe në botë, le të fillojmë ta duam njëri-tjetrin në familje.“ Dhe “nëse, vërtet, duam të dashurojmë, duhet të mësojmë të falim.”

Nënë Tereza ishte motër e lutjes, e veprimit dhe e heshtjes së madhe. Ajo për model të heshtjes kishte Virgjëren Mari, ndërsa mëson se Jezu Krishti është gjithmonë i gatshëm të takohet me ne në heshtje të brendshme. Për të arritur një heshtje të tillë të vërtetë, duhet të vëmë në praktikë heshtjen e syve, heshtjen e veshëve, heshtjen e gjuhës dhe heshtjen e mendjes, sikurse Maria që i ruante në zemër mrekullitë e Zotërisë, dhe t’i shërbejmë Jezusit duke e ruatjur mendjen prej çdo mossinqeriteti, hutese, mendimi të keq, gjykimi të papeshuar, ndjenjeje dhe dëshire të turpshme.

“Sytë tanë janë si dy dritare, nëpërmjet të të cilëve mund të hyjë Krishti ose bota. Nganjëherë duhet të kemi guxim dhe forcë t’i mbajmë të mbyllur. Po e mbajtëm heshtjen e zemrës, mund ta dëgjojmë Zotin gjithkund: në derën që mbyllet, në personin që ka nevojë për ne, në këngën e zogjve, në lule, në shtazë. ... Heshtja ishte para krijimit. Qiejt ishin të shtrirë pa asnjë fjalë. ... Gjuha e Zotit është heshtja. ... Kemi nevojë për heshtje që të jemi vetëm me Zotin, për t’i folur, për t’i rimarrë fjalët e Tij në thellësinë e zemrës tonë. Kemi nevojë të jemi vetëm me Zotin në heshtje, për t’i rinuar dhe shndërruar zemrat tona. Në heshtje fitojmë një përceptim të ri të jetës. Në heshtje përmbushemi përplot me forcë të Zotit; kjo forcë na ndihmon t’i bëjmë të gjitha me gëzim. Heshtja është themeli i bashkimit tonë me Zotin dhe me njëri-tjetrin. Fryti i Heshtjes është LUTJA; fryti i Lutjes është FEJA; fryti i Fesë është DASHURIA; fryti i Dashurisë është HESHTJA.”

Heshtja dhe përsiatja e ngritën Nënë Terezën në piedestalin më të madh dhe e bënë të njohur në mbarë botën. Kjo Bijë shtatvogël e nderoi Kombin tonë shqiptar dhe i tregoi botës se para Zotit s’ka njerëz, apo popuj të vegjël. Ky ishte lajtmotivi i jetës saj: „Nëse dikush e shikon Zotin në mua, gëzohem. Unë e shikoj Zotin në çdo njeri, në mënyrë të veçantë në ata që vuajnë.”

Sot, kur mbarë bota kremton 100 vjetorin e lindjes së Nënë Terezës, me plot arsye mund ta falënderojmë Zotin për këtë dhuratë të paçmueshme që ia fali botës! Në Të ne u bashkuam si rrallëherë në histori e dhashtë Zoti që të përfitojmë nga filozofia e jetës saj e të mësojmë ta njohim dhe t’i shërbejmë Zotit në çdo njeri, në veçanti në ata që vuajnë! Së bashku me të varfërit e Kalkutes të gëzojmë dhe ta lusim Nënë Terezën që të ndërmjetësojë për Popullin tonë shqiptar dhe për mbarë botën!

Don Marjan Ukaj

Nënë Tereza simbol i bashkimit kombëtar Foto1

Nënë Tereza simbol i bashkimit kombëtar Foto2
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi