Beteja e gjigantëve botërorë/Strategjia kineze, vëzhgo armikun dhe mëso
Faqja 1 e 1

Konfrontimi i Shteteve të Bashkuara me Kinën spostohet në Paqësor. Ku do të jetë qendra e gravitetit e rendit të ri botëror? Ku do të jetë e përqendruar forca e superfuqisë së vetme në botë, Shteteve të Bashkuara?
Sipas thënies të shumë strategëve dhe ekspertëve ushtarakë dhe të gjeopolitikës, në të ardhmen e afërt ndeshja jetike për Shtetet e Bashkuara nuk do të luhet më në Lindje të Mesme, por në Paqësor. Dhe është aty që do të duhet të përqendrohet përpjekja e Pentagonit. Aktualisht, impenjimi ushtarak global amerikan artikulohet në një sistem të përbërë nga 5 komanda të unifikuara: Eucom (Europë, Rusi dhe 43 vende afrikane), Centcom (Afrika Lindore, Lindja e Mesme dhe Azia Qendrore), Pacom (Azia Lindore dhe Paqësori, të cilëve u janë shtuar Madagaskari dhe ishuj të tjerë në lindje të kontinentit afrikan), Southcom (Amerika Latine) dhe Northcom (Amerika Veriore). Spostimi në Paqësor i zonës strategjike për Uashingtonin do të sjellë edhe një riekuilibrim në disfavor të Centcom e Eucom dhe në favor të Pacom.
Elementi vendimtar në një skenar të tillë natyrisht që është Kina. Pavarësisht se për momentin ka mbetur prapa në planin ushtarak, Pekini është pashmangshmërisht i detyruar që ta forcojë kapacitetin ushtarak të tij, në mos për gjë tjetër për të mbrojtur rrjetin e raporteve tregtare në rritje që ka tashmë në të gjithë globin. Është lehtësisht e imagjinueshme që herët a vonë marina kineze do të jetë e ftuar që të mbrojë jo vetëm brigjet e vendit, por edhe rrugët kryesore përgjatë të cilave lundrojnë anijet e drejtuara ose të ardhura nga portet e saj, duke ndjekur në këtë shembullin e të gjitha fuqive ushtarake të mëdha, Shteteve të Bashkuara në krye. Por nuk bëhet fjalë vetëm për tregti. Kinezët synojnë që të bëhen fuqia rajonale referuese për ta transformuar kështu zonën më dinamike të botës në oborrin e shtëpisë së tyre. Siç e nënvizon një raport i brendshëm i Departamentit të Shtetit, i përgatitur nga International Security Advisory Board (ISAB), lidershipi komunist kinez në Kinë ndjek tri objektiva parësorë dhe të lidhur midis tyre: të sigurojë mbijetesën e regjimit; të arrijë dominimin e zonës aziatike e të Paqësorit së bashku me një influencë në rritje në nivel global; së fundi, por jo e fundit, të parandalojë pavarësinë de jure të Tajvanit. Në një vizion të tillë Shtetet e Bashkuara, të paktën duke i qëndruar raportit, perceptohen si kundërshtari kryesor strategjik dhe si sfida potenciale ndaj legjitimitetit të regjimit, sidomos në lidhje me çështjen tajvaneze. Por, paradoksalisht, kundërshtari është bërë një partner i domosdoshëm kur kalohet nga plani gjeopolitik në atë ekonomik. Në fakt, ekonomitë e të dy vendeve janë thellësisht të lidhur midis tyre në çdo nivel: Kina përfaqëson një prej blerësve dhe mbajtësve më të mëdhenj të titujve të borxhit publik amerikan, Shtetet e Bashkuara janë një prej tregjeve kryesore të destinacionit të eksporteve kineze, ashtu si Kina përfaqëson një treg të rëndësishëm destinacionit të produkteve amerikane dhe një prej destinatorëve kryesorë të proceseve të lokalizimit të industrisë amerikane. Është pikërisht një ndërvarësi e tillë që bën që, megjithëse Pekini po përgatitet për një përplasje ushtarake me Shtetet e Bashkuara (përmasat dhe cilësia e riarmatimit kinez në Paqësor dhe në Detin e Kinës Lindore dhe Jugore janë sinjal i qartë), është krejtësisht në ankth që ta provokojë. Gjithsesi, e provokuar ose jo, një përplasje duket gjithnjë e më shumë në sferën e mundësisë dhe në disa raste duket e pashmangshme, edhe pse për Shtetet e Bashkuara, në këtë zonë dhe tjetërkund, marrëdhënie ekonomike dhe strategji ushtarake janë të lidhura në mënyrë të dyfishtë, me të parat që shpesh drejtojnë të dytën. Në fakt, përjashto mbështetjen ndaj luftave në Lindje të Mesme, aktivitetet e Pacom-it synojnë parasëgjithash që të mbrojnë dhe shoqërojnë ekspansionin e lidhjeve ekonomike dhe tregtare në rritje me Azinë Lindore dhe Azinë Juglindore. Kështu, një skenar i tillë, që e bën të mundur, në mos probabël, një përplasje në rritje midis dy vendeve dhe forcave ushtarake respektive, sidomos atyre detare.
Një frenim i ri
Për të përballuar një Kinë në ekspansion në zemër të Paqësorit dhe të Azisë dhe për t'i penguar planet e projektimit rajonal, Pentagoni ka zgjedhur një strategji të politikës së jashtme tashmë të kolauduar dhe që duket në këtë situatë jashtëzakonisht kuptimplotë: frenimin. Frenimi i synimeve ekspansioniste dhe i ambicieve të Pekinit do të bëhej një lajtmotiv i ri, në një riedicion të azhornuar dhe të rishikuar të politikës së zbatuar në kohën e saj kundër Bashkimit Sovjetik dhe vendeve satelite të tij. Vetëm se kësaj radhe ajo që do të shërbente si shifër e përplasjes dhe të pengonte degjenerimin e saj në konflikt nuk do të ishte ekuilibri midis dy konkuruesve, por spuremacia e pastër e njërit ndaj tjetrit, natyrisht e Shteteve të Bashkuara ndaj Kinës. Në opinionin e Pentagonit, ruajtja dhe sidomos demonstrimi vazhdimisht i superioritetit teknologjik e ushtarak dhe vullneti për të mbrojtur interesat e veta në kuadrantin e Paqësorit është mënyra më efikase për të shmangur që kinezët të mund të shtyhen për të riskuar shumë, duke provokuar kriza që mund të degjenerojnë në konflikte më serioze. Një politikë e tillë supremacie do të mundësonte edhe për të qenë më komodë dhe fleksibël mbi çështje me rëndësi strategjike më të pakët, duke e zvogëluar kështu rrezikun dhe masën e fërkimit midis të dy vendeve. Superioriteti dërrmues teknologjik dhe ushtarak amerikan është premisë dhe kusht për të ruajtur një profil të ulët në rivalitetin në rritje me Pekinin në Paqësor.
Pacom: Sistemi i aleancave modulare
Instrumenti nëpërmjet të cilit Shtetet e Bashkuara kërkojnë që ta zbatojnë frenimin ndaj Kinës jepet nga Pacom-i dhe nga marrëdhëniet që komanda dhe Uashington kanë lidhur me vendet e tjera të zonës, në një politikë largpamëse të ushqyer nga bindja, sidomos në komandën e Paqësorit, se qendra e gravitetit e preokupimit strategjik amerikan është tashmë Paqësori dhe jo Lindja e Mesme. Kështu, larg nga vëmendja e mediave ndërkombëtare, Pacom-i ka negociuar një seri marrëveshjes bilaterale sigurie me vendet e zonës, vende që kanë marrëveshje të dobëta midis tyre, në mos edhe asnjë. Në këtë mënyrë, është krijuar një lloj aleance ushtarake faktike që e ka qendrën e saj në Camp Smith të Ishujve Havai (seli e Pacom-it nga viti 1957, shumë afër me portin e Pearl Harbour) dhe që përfshin shtete si Vietnami, Singapori, Tajlanda, Kamboxhia dhe Filipinet, natyrisht përveç Japonisë dhe Koresë së Jugut. Në ndryshim nga NATO-ja, që i ka dhënë jetë një pakti që bashkon të gjithë anëtarët e saj midis tyre, aleancat që lidhin Shtetet e Bashkuara me vendet e ndryshme të Paqësorit janë në pjesën më të madhe të tyre bilaterale dhe lidhin kështu çdo vend vetëm me Uashingtonin, pa pasur asnjë impenjim ndaj vendeve të tjera të zonës. Një model më pak i fortë dhe i strukturuar se NATO, i adoptuar nga Shtetet e Bashkuara pas rënies së Bashkimit Sovjetik dhe i zhvilluar në mënyrë gjithnjë e më të përmbyllur sidomos pas atentatit të 11 shtatorit 2001. Është doktrina Rumsfeld, e bërë një model i ri i mbrojtjes amerikane, në bazë të së cilës "është misioni që e përcakton koalicionin dhe jo anasjelltas". Një qëndrim i tillë përshtatet shumë mirë edhe në Paqësor, një zonë në të cilën Shtetet e Bashkuara mund të bëhen qendra e një serie aleancash që përfshijnë vende të cilët mund edhe të mos kenë asnjë raport midis tyre, aleanca modulare, për t'u aktivizuar në kohëra dhe mënyra të ndryshme sipas situatës. Objektivi i qartë është ai që t'i heqë aleatë të mundshëm Kinës dhe të krijojë një rrjet bazash mbështetjeje në të gjithë zonës (CLS-të, Cooperative Security Locations), duke forcuar si influencën amerikane, ashtu dhe aftësinë e lëvizjes e të veprimit të flotës së saj. Veç të tjerash, duke parë centralitetin strategjik të kuadrantit Azi-Paqësor, nuk habit fakti që Pacom-i është komanda e bashkuar që ka nën vete numrin më të madh të njerëzve: rreth 300000 ushtarakë, midis ushtrisë, aviacionit dhe marinës, pakashumë 20 përqindëshi i të gjithë forcës ushtarake amerikane, me baza të përhapura midis Shteteve të Bashkuara perëndimore, ishujve të Paqësorit (Guam e Havai), Japoni e Kore e Jugut. Jo vetëm kaq, por ka nën urdhërat e saj dy nga gjashtë flotat amerikane dhe katër forca ajrore. Një dislokim i tillë forcash ka qenë funksional për t'ia bërë të qartë dhe të pakontestueshme Kinës superioritetin teknologjik dhe ushtarak amerikan, dekurajues për çdo hipotezë serioze për hegjemoni rajonale të vlerësuar nga Pekini. Por nëse deri më tani skenari ka mbetur në thelb i qetë, duke pasur parasysh zgjedhjen prej profili të ulët të ndjekur nga Kina në planin ushtarak, kohët e fundit diçka po lëviz në ujërat e Paqësorit dhe të Detit të Kinës Jugore. Janë nëndetëset kineze. Dragoi ka filluar një armatim detar të konsiderueshëm dhe Pentagonit dhe niveleve drejtuese të Pacom-it nuk i shpëtojnë implikacionet mbi ekuilibrat delikatë të fuqisë që luhen në zonë.
Riarmatimi kinez. Vëzhgo armikun dhe mëso
Qysh prej disa vjetësh, për saktësi qysh nga viti 2004, raporte analizash të Departamentit amerikan të Mbrojtjes nënvizojnë sesi kinezët po impenjohen në një program riarmatimi detar të ethshëm që ka si objektiv të vetëm atë të afirmojë fuqinë e tyre edhe në det. Drejtuesit e Pekinit e dinë mirë se në mënyrë që të mund të ngjitet në rangun e fuqisë politike dhe jo vetëm ekonomike, Kina duhet të jetë në gjendje që ta bëjë vullnetin dhe forcën e saj të peshojë në kuadrantin e Azisë Lindore dhe Juglindore, gjë që do të thotë se mund ta bëjë edhe fuqinë e saj ushtarake të peshojë. Nga këtu nevoja për ta rinovuar thellësisht aparatin ushtarak të saj, sa në strukturë, aq edhe në konceptim dhe funksionalitet. Domethënë të kalojë nga një forcë e armatosur që mbështet thelbësisht mbi ushtrinë (1.25 milionë ushtarë, nga të cilët 400000 të dislokuar në tri rajonet ushtarake përballë Tajvanit) në një të bazuar mbi teknologjinë, profesionalizmin, efikasitetin. Dhe në këtë Kina ka lëvizur si nuk ka më mirë, domethënë duke kopjuar atë që e ka bërë më parë dhe mirë, domethënë Shtetet e Bashkuara. Strategët e Pekinit kanë mbetur të mahnitur nga operimi i forcave të armatosura amerikane në Pasluftën e Ftohtë - lufta e parë irakene, luftat ballkanike, pushtimi i Afganistanit, lufta e dytë irakene - nga aftësia e tyre për të ndërhyrë me shpejtësi në zona të largëta, duke përdorur një vëllim zjarri të madh, duke i arritur objektivat e tyre (të paktën ato më imediatet) në pak kohë dhe me humbje minimale. Dhe këtë në përgjigje të karateristikave të konflikteve thellësisht të ndryshme nga ato me të cilat qenë mësuar drejtuesit ushtarakë kinezë: tani bëhet fjalë për lufta lokale ose për më tepër rajonale, të kufizuara në hapësirë dhe në kohë, në të cilat teknologjia përfaqëson faktorin vendimtar. Kanë vërejtur tek kundërshtari kryesor global i tyre një forcë ushtarake në gjendje që të lëvizë me shpejtësi dhe zhdërvjelltësi, e aftë që t'i përdorë sa më mirë teknologjitë më moderne, në veçanti ato të informacionit dhe të pajisura me një aparat logjistik të integruar dhe efikas. Një model që u është dukur kinezëve shumë efikas për të përballuar botën e re dhe sfidat e reja të shekullit XXI. Objektivi i qeverisë dhe i hierarkive ushtarake të Pekinit, duke filluar nga viti 2000, është kështu ai i një transformimi radikal të ushtrisë, për të arritur brenda një kohe të shkurtër në një forcë të armatosur në gjendje që të luftojë dhe fitojë konflikte afatshkurtër dhe me intensitet të lartë ndaj kunërshtarësh, hi-tech. Një objektiv që kinezët e quajnë "të përgatitesh për të përballuar lufta lokale në gjendje informatizimi". Natyrisht që një proces i ngjashëm kërkon investime të konsiderueshme, por edhe në këtë kinezët nuk kanë rivalë. Në vitin 2000 bilanci zyrtar i mbrojtjes ishte 15 miliardë dollarë. Në vitin 2007 ishte trefishuar, duke arritur 45 miliardë dollarët (1.4 përqind të GDP-së). Në vitin 2008 vlerësimet janë prej 57 miliardë dollarësh, me një rritje prej 17.6 përqindësh se një vit më parë. Dhe pjesa më e madhe e analistëve bie dakord në përcaktimin e një shifre të tillë të nënvlerësuar. Në bilancin e mbrojtjes kineze nuk janë përfshirë në fakt shpenzimet për programet hapësinore, për blerjet jashtë vendit, kërkimi dhe zhvillimi lidhur me mbrojtjen, për forcat paraushtarake. Shpenzimi i përgjithshëm efektiv i vlerësuar në realitet është më shumë se dyfish, 122 miliardë dollarë, rreth 3.4 përqind e GDP-së kineze. Për të pasur një term krahasues, mjafton të merret parasysh fakti që shpenzimi ushtarak amerikan është aktualisht 4 përqind e GDP-së. Megjithë rritjen e investimeve dhe pavarësisht blerjeve masive të armatimeve teknologjikisht të avancuara jashtë vendit, hierarkitë ushtarake të Pekinit e dinë mirë se hendeku që e ndan nga fuqia dhe aftësia e forcave të armatosura amerikane mbetet akoma larg nga të mbyllurit. Dhe kështu, me realizmin, pragmatizmin dhe efikasitetin që karakterizon zgjedhjet e tyre strategjike, kanë vendosur të adoptojnë strategjinë e vetme ndoshta të mundshme që të mund t'i rezistojnë një përplasjeje eventuale ushtarake me Shtetet e Bashkuara: "Strategjinë asimetrike".
Zgjedhja strategjike e Pekinit: tek asimetria, forca
"Strategjia asimetrike" synon që të zhvillojë aftësinë e dominimit të kundërshtarit në zona të veçanta dhe vetëm për një hark kohor të caktuar, duke shfrytëzuar dobësitë e tij. Zvogëluar dhe kufizuar faktorët kohoro-hapësinorë të përplasjes për të reduktuar pabarazitë e forcës ekzistuese në terma të përgjithshëm. Në veçanti, të tre elementët e forcës të padiskutueshëm mbi të cilat bazohen prania dhe supremacia amerikane në teatrin e Paqësorit e të Azisë Lindore - aftësia për "power projection" e dhënë nga flotat dhe bazat e saj në zonë, arsenali bërthamor, përparimi teknologjik, sidomos me referim ndaj të ashtuquajturit C4I, domethënë aftësive të kontrollit, komandimit, komunikimit, kompjuterit, inteligjencës - mund të neutralizohen apo shfuqizohen fuqishëm, duke shfrytëzuar disa karakteristika të tyre. Për sa i përket flotës, megjithëse në fuqinë e saj, gjithsesi duhet të ketë parasysh problemin e madhësisë së zonës: teatri i operacioneve të Pacom-it është jashtëzakonisht i madh dhe pavarësisht tri bazave detare (Koreja e Jugut, Okinava dhe Guami) të ndodhura në zonë, anijet amerikane nuk arrijnë asgjëkundi në më pak se 8 orë dhe, sapo të kenë arritur në zonë, aftësia vepruese e flotës mund të jetë e reduktuar duke ia penguar hyrjen në zonën e operacionit ose duke i kufizuar lëvizshmërinë. Një objektiv i vështirë, por jo i pamundur për t'u realizuar me një flotë moderne nëndetësesh të armatosur me raketa, mundësisht bërthamore. Mbi bazën e këtyre konsideratave, Pekini po impenjohet në një riarmatim detar që synon të vejë në veprim strategji anti-access, domethënë strategji për të penguar hyrjen e forcave armike në teatrin e operacioneve dhe strategji area denial, që synojnë të pengojnë për një kohë të kufizuar lirinë e veprimit të forcave armike në zonën e konfliktit. Hierarkitë ushtarake kineze po e përqendrojnë kështu vëmendjen dhe investimet mbi zhvillimin e armëve konvencionale në gjendje që të pengojnë aksesin në teatrin e operacioneve: klasa të reja anijesh, nëndetëse moderne të zhdërvjella dhe me përmasa të kufizuara (3 me shtytje bërthamore dhe 17 me motor dizel të brezit të ri), avionë të armatosur me raketa antianije dhe municione me precizion, raketa kruiz të avancuara, raketa balistike dhe raketa me rreze të shkurtër apo të mesme në gjendje që të godasin anije amerikane, përfshi këtu edhe aeroplanmbajtëset. Veç kësaj, marina e fuqishme amerikane, sidomos të dy flotat e pranishme në zonë, është menduar si një forcë thellësie, blue-water, në gjendje që të spostohet me shpejtësi nga një pikë në tjetrën e oqeanit dhe të godasë me forcë: superioriteti i saj do të ishte dërrmues në rastin e një përplasjeje frontale me përmasa të mëdha, por jo në hipotezën e një guerriljeje detare dhe nëndetare, e përbërë nga inkursione, operacione klandestine, aksione shqetësimi dhe operacione ushtarake me shtrirje të reduktuar, domethënë një luftë me intensitet të ulët. Ja pika e dobët e superioritetit amerikan. Thembra e Akilit që bëhet objektiv strategjik i armatimit kinez. Të vetëdijshëm për këtë, disa zyrtarë të lartë, sa në Uashington, aq edhe në bazat Pacom, e konsiderojnë të domosdoshme që Pentagoni të investojë në krijimin e një force detare më të lehtë, për t'iu bashkangjitur asaj ekzistuese, në gjendje që të lëvizë e të operojë me efikasitet në detet e Juglindjes aziatike (dhe në mënyrë të veçantë në ujërat midis Malajzisë, Indonezisë dhe Filipineve) dhe të një tjetre në gjendje që të operojë në mënyrë klandestine për të patrulluar bregun kinez dhe Ngushticën e Tajvanit (të karakterizuar nga thellësi të ulëta, të papërshtatshme për mjete detare dhe nëndetëse me përmasa të mëdha). Edhe pika e dytë e forcës amerikane, arsenali bërthamor ose më mirë kërcënimi ekstrem i një përdorimi të tij, ka një pikë dobësie. Efikasiteti i kërcënimit bërthamor ka kuptim vetëm nëqoftëse ai është në gjendje që të garantojë një asgjësim total të vendit armik dhe nëqoftëse nuk ekziston kërcënimi i raprezaljes. Por nëqoftëse dhe pas një sulmi armiku është në gjendje që të përgjigjet nga ana e tij me një sulm bërthamor, atëherë gjërat ndryshojnë.
Vështirë se posti i lojës do të arrijë të jetë aq i lartë sa t'i bëjë Shtetet e Bashkuara të durojnë hipotezën e një holokausit bërthamor në territorin e tyre. Dhe jo rastësisht Kina ka ndërmarrë një përpjekje ekspansioni dhe modernizimi të arsenalit bërthamor të saj (vlerësohet se në vitin 2015 do t'i tejkalojë 120 raketat bërthamore, përveçse të disponojë qysh sot raketa balistike ndërkontinentale me rampa lëshuese të lëvizshme së bashku me nëndetëse të armatosura me raketa ndërkontinentale) që të jetë kështu në gjendje të godasë territorin e Shteteve të Bashkuara në çdo moment. Ky aspekt është një element qendror i strategjisë kineze: prioriteti i lartë i caktuar modernizimit të arsenalit bërthamor pasqyron rëndësinë që Pekini u jep forcave strategjike të tij si ombrellë nën të cilën të zhvillojë dhe mbrojtë interesat politike dhe ushtarake të tij në zonën aziatike dhe të Paqësorit. Siç pohohet shumë herë nga qeveria kineze dhe siç e konfirmojnë, veç të tjerash, raporte të ndryshëm si të inteligjencës, ashtu dhe të Departamentit amerikan të Shtetit, nga ana e Pekinit nuk ka as ndonjë vullnet armiqësor, aq më pak agresiv, por sa mjafton për të përjashtuar mundësinë e përdorimit të armës atomike dhe të futjes së konfrontimit dhe të një konflikti eventual të mundshëm në terrenin e armëve konvencionale. Me referim ndaj elementit të tretë, domethënë superioritetit teknologjik amerikan dhe në veçanti përdorimit të satelitëve, të teknologjive informatike e të rrjetit dhe integrimin e tyre në sistemin e armëve konvencionale, përbën në të njëjtën kohë thelbin e doktrinës Rumsfeld, por edhe pikën e dobët kryesore, atë më të vështirë për t'u mbrojtur. Në fakt, nëqoftëse armiku eventuale do të ishte në gjendje të errësonte satelitët amerikanë apo të lëshonte me sukses sulme informatike apo elektronike në gjendje që të bllokonin, edhe përkohësisht, komunikimet dhe transmetimin e të dhënave, atëherë aftësia operative e forcave të armatosura amerikane mund të rezultonte seriozisht e kompromentuar. Edhe njëherë akoma, nuk habit aftësia kineze për të lexuar situatat dhe adoptuar strategjinë më të mirë të mundshme. Prej disa vitesh Pekini është i impenjuar në një program hapësinor ambicioz, që ka implikacione të konsiderueshme në teknologjinë ushtarake: arritja e fundit ka qenë krijimi i raketave antisatelit (Asat), në gjendje të sulmojnë aparatura që operojnë në orbita tokësore të ulëta.
Evenimenti ka shkaktuar preokupime të forta në Uashington pasi në një konflikt eventual kinezët mund t'i godasin satelitët amerikanë me pasoja të rënda ndaj aftësive vepruese të ushtrisë amerikane. Përveç programit hapësinor, Pekini po rritë aftësinë mbrojtëse dhe sulmuese të tij edhe në frontin kibernetik dhe elektromagnetik: aftësi për të zhvilluar viruse informatike dhe përpunuar programe në gjendje që të errësojnë dhe ngatërrojnë aparaturat armike dhe nxjerrjen jashtë përdorimit të sistemeve të informacionit kundërshtare. Armatime të tilla mund të përdoren me dobi si në rastin e një lufte lokale, siç mund të jetë një konflikt me Tajvanin, hipoteza e vetme reale, megjithëse nuk ka shumë gjasa, e përplasjes së armatosur midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës në zonë, ashtu dhe si armë strategjike kundër Shteteve të Bashkuara. Kështu që mund të pohohet se objektivat e riarmatimit kinez janë thelbësisht dy: nga njëra anë të krijojë dekurajues ndaj një sulmi amerikan ndaj Kinës në rastin e një krize me Tajvanin dhe nga ana tjetër të reduktojë numrin e opsioneve në dispozicion të qeverisë amerikane në rast konflikti, duke e kërcënuar drejtpërsëdrejti popullsinë e Shteteve të Bashkuara dhe forcat e armatosura amerikane në Paqësor.
Thellësia strategjike kineze: mbrojtje e interesave tregtare dhe ripozicionim rajonal
Disa analistë dhe eksponentë amerikanë mendojnë se riarmatimi detar kinez, përveçse përfaqëson një ndryshim të madh në ekuilibrat e forcës në rajon prej më shumë se 60 vjetësh, ka avancuar me ritmet dhe me sukseset aktuale, do t'i jepte Kinës një pozicion strategjik të ri, jo vetëm prej raporteve të ndryshuara të forcës me Shtetet e Bashkuara, por edhe pse vendet e zonës aleatë të Uashingtonit, anëtarë të Pacom-it, mund të bëhen gjithnjë e më shumë skeptikë lidhur me aftësinë e qeverisë amerikane për të përballuar dhe dominuar kinezët dhe të shtyhen për t'i marrë parasysh pozicionet e Pekinit, në mos t'i pranojnë ato. Veç kësaj, për shumë prej vendeve të tilla Kina është partneri tregtar kryesor, gjë që e forcon në mënyrë të konsiderueshme influencën kineze dhe e bën më të vështirë adoptimin e një konfrontimi të ashpër me Pekinin. Këtu, ashtu si tjetërkund, nga një pikëpamje ekonomike dhe tregtare Kina është në gjendje që të ofrojë partneritet jashtëzakonisht fitimprurës. Dhe me krijimin e këtyre lidhjeve mbështet strukturën e hapësirës strategjike të saj, dimensionin e saj rajonal dhe global. Konfirmim i mëtejshëm i lidhjes midis armatimit detar kinez dhe strategjisë së re të ekspansionit të Pekinit jepet nga spostimi i kohëve të fundit i bazave të nëndetëseve bërthamore nga Gjiri Boahi në Detin e Verdhë, në lartësinë e Pekinit, deri në ishullin Hainan, shumë më në jug, në zemër të Detit të Kinës Jugore. Baza e re nëntokësore, në gjendje që të mbajë deri në 20 nëndetëse bërthamore, përfshi tipin e ri të nëndetëses të armatosur me raketa balistike bërthamore me të cilat është e pajisur flota ushtarake kineze, zëvendëson atë të Gjirit Bohai, ujërat e të cilit qenë shumë pak të thella për anijet e reja kineze. Por spostimi nuk është vetëm një çështje logjistike dhe vendi i zgjedhur nuk është i rastësishëm. Në fakt, është në detet e jugut që Pekini po e drejton strategjinë e ekspansionit të tij, me objektivin që të fitojë një hapësirë projeksioni rajonale të tillë që ta bëjë pol dominues të kuadrantit Paqësor - Juglindje aziatike. Nga Hainani kinezët janë në gjendje të veprojnë në zonën që ndodhet midis bregut kontinental të tyre, Filipineve, Indonezisë, Malajzisë dhe Gadishullit të Indokinës. Bëhet fjalë për një prej pjesëve të detit më të trafikuara të botës, nëpërmjet të cilës kalojnë rrugët që furnizojnë të gjitha vendet e zonës, jo vetëm Kinën, por edhe Japoninë, Tajvanin, Korenë e Jugut: mbi 80 përqind e furnizimeve me naftë e vendeve të tilla kalojnë nëpër Detin e Kinës Jugore, përveç pothuajse totalitetit të rrugëve tregtare. Në këtë optikë, armatimi detar kinez, që do të kishte si objektiv atë të pasjes së 3 flotave në det - një në ujërat rreth Koresë e Japonisë, një tjetër të projektuar në Paqësor dhe një të tretë midis Ngushticës së Malajzisë dhe Oqeanit Indian - merr një rëndësi akoma më të madhe, në funksion të mbrojtjes të interesave tregtare të Pekinit. Në një strategji të tillë do të futej edhe mbështetja financiare dhe projektuese e dhënë për krijimin e një porti në Pakistan, që në të ardhmen mund të presë anije kineze, duke u dhënë atyre akses në Detin e Arabisë dhe në Gjirin Persik. Do të instalonte edhe stacione përgjimi në Mianmarin jugor për të monitoruar trafikun detar nëpërmjet Ngushticës së Malajzisë. Kjo që zbulohet në lëvizje të tilla është harku kohor afatgjatë me të cilin Kina arsyeton në termat e strategjisë dhe që zbulon kompleksitetin e planit ekspansionist të saj. Dhe pavarësisht synimit të vendosur të niveleve drejtuese ushtarake amerikane për të mos e braktisur rolin e tyre në Paqësor, është evidente se Uashingtonit i duhet të përballojë sot dhe në të ardhmen një Kinë të vendosur ndaj ekspansionit dhe, për pasojë, i duhet të rimodulojë strategjitë e veta, ka mundësi në linjën e një bashkëjetese rajonale pakashumë të detyruar.
Përgatiti
ARMIN TIRANA

Agim Gashi- Administrator
- Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008
Similar topics
» Shënohet Beteja e Lavdishme, ''Beteja e Loxhës''
» Gruaja kineze ringjallet gjatë varrimit
» DERI KUR TË MIRREMI ME VETVETEN E JO ME ARMIKUN E VËRTETË..?
» REXHEP SHAHU:MIQTË KOSOVARË, VËLLEZËRIT KINEZË DHE EDI RAMA
» Aurel Dasareti:Shumica e tyre BASHKËPUNOJNË me Armikun

Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
Tue Mar 14, 2017 8:17 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ - SHIPTARËT NUK JANË "ME BYTHË NË PRUSH", PËR TË FALUR TOKAT
Mon Feb 27, 2017 6:54 pm nga Agim Gashi
» Akuzat kundër Shefqet Krasniqit Prokurorisë ia kishte konfirmuar edhe BIK-u (Dokument)
Mon Feb 27, 2017 5:20 pm nga Agim Gashi
» Aktakuzë kundër imamit Shefqet Krasniqi
Mon Feb 27, 2017 4:32 pm nga Agim Gashi
» Zbulohen tensionet gjatë dialogut në Bruksel, Nikoliqi Thaçit: Ti je kriminel
Fri Feb 03, 2017 7:40 pm nga Agim Gashi
» Faruk Tasholli - RJEPENI NANËN
Fri Feb 03, 2017 12:22 pm nga Agim Gashi
» FAMILJA E HAKI IMERIT: AI U VRA NË KOHËN KUR NË PUSHTET ISHIN HASHIM THAÇI E REXHEP SELIMI
Wed Jan 25, 2017 12:39 am nga Agim Gashi
» AGIM GASHI - O NE TREN PËR MITROVICË
Wed Jan 18, 2017 11:08 pm nga Agim Gashi
» Vëllai i tij u pajtua me Thaçin, por ja si ishte kidnapuar Haki Imeri në Brojë e më pas ishte vrarë
Wed Jan 18, 2017 8:13 pm nga Agim Gashi
» Fadil Maloku:Aferim, Prokurori e Kosovës!
Wed Jan 18, 2017 8:00 pm nga Agim Gashi
» Djali i Haki Imerit del kundër axhës: Nuk ia fali Thaçit, nuk dua drejtësi kanunore
Wed Jan 18, 2017 7:12 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ:Copëza biografike dhe kujtime për Ibrahim Rugovën
Wed Jan 18, 2017 5:13 pm nga Agim Gashi
» Presidenti Thaçi i “lahet me 124 pleq” Imer Imerit se nuk ka gisht në vrasjen e vëllait të tij
Wed Jan 18, 2017 4:00 pm nga Agim Gashi
» Adem Salihaj akuza të rënda ndaj Hashim Thaçit, ja si po mundohet të shpërlahet nga krimet e shumta që ka bërë
Wed Jan 18, 2017 3:53 pm nga Agim Gashi
» Ndodh edhe ky skandal: Njeriu që grisi fotografinë e Presidentit Rugova merr certifikatën e veteranit të UÇK-së
Tue Jan 17, 2017 7:55 pm nga Agim Gashi
» BERAT ARMAGEDONI:Lamtumirë, Joshua i Pejës!
Tue Jan 17, 2017 12:15 am nga Agim Gashi
» Biografia e Presidentit Rugova - Biografi e shkurtër
Mon Jan 16, 2017 10:32 pm nga Agim Gashi
» ILIR MUHARREMI : Treni provokativ, artistët në gjumë
Sun Jan 15, 2017 11:32 pm nga Agim Gashi
» Përveç ROSU-së, ky është shqiptari që rrezikoi jetën për ta ndalur trenin e Serbisë
Sun Jan 15, 2017 9:53 pm nga Agim Gashi
» ENVER PETROVCI - IN MEMORIAM SEFEDIN NUREDINIT- SEFA
Sun Jan 15, 2017 9:07 pm nga Agim Gashi