Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Puntorie Ziba:Poezi nga libri në botim: "Edhe qielli mbetet blu"

Shko poshtë

Puntorie Ziba:Poezi nga libri në botim: "Edhe qielli mbetet blu" Empty Puntorie Ziba:Poezi nga libri në botim: "Edhe qielli mbetet blu"

Mesazh nga Agim Gashi Wed Feb 09, 2011 1:19 am



Puntorie Ziba:Poezi nga libri në botim: "Edhe qielli mbetet blu" U1_PuntorieZiba
PUNTORIE ZIBA

Poezi nga libri në botim: "Edhe qielli mbetet blu"


Psalmë

Pinjolle e dhembjes jam
por,
nuk dua të vetëvritem,
si të vetëvritem,
si?
Më vrisni po deshët,
o më vrisni!
Ose:
ma leni vjershën dhe lirinë,
se do të mbetem cung
po m’i morët ato të dyja
ose:
ma thirrni vdekjen që sonte
e ju bëni sehir
sa t’ju dojë pika e qefit
kur unë të buzëqeshi para saj.
Njerëzit s’patën bezdi për ëndjen time
unë nisa të luaj me vetëtimën:

Nxorra sytë nga kafka
i hodha tej për tej
si dy kokrra dardha
kajkushka.
Plaçi ju që të dy
s’dini çka shikoni
e më rebeloni!

Nxorra zemrën si kokë pëllumbi
edhe asaj i doli flaka
e hodha lum më lum
nuk pati aspak fluid
në rrahjen e saj
plasi ajo,
plasi
si një gotë me verë
e stërkala gjaku mbuluan dynjanë.
Dhe:
Ngela e gjymtë
me ca gjymtyrë.
Eh,ç’më përcëlluan
në palc e damarë
kokë e këmbë
duke më shushuritur
sekondë më sekondë
se rreth e rrotull
ka mishngrënës të përjargur.

Mua më vriste
e më rropi vaji,
e u bëra shkronjë vajmadhe
qaj e qaj
e, qaj e qaj
në erë e në shi
as jetë as vdekje
as dasëm as mortje
as rob i zënë,
as liri,
as liri.


Fjala

Kur vjen ti moj fjalë e ngrathët
me avash
e me avash,
nga dritarja më
shikon
e më tërbon.
E çdo natë kur të teket ti,
tej për tej qiellit i bie
me një strajcë mbushur me llafe,
me avash më vjen në dhomë
me avash.
Çdo mesnatë më gjen vetëm
mes një ëndrre
aromë athët
si një foshnje mbytur n’ lot
më përgjëron,
dhe potera më frushullon
përmbi kafkë
më kthen në trajtë majmunësh
katërkëmbësh,
e unë besë nuk të zë
se ke humbur madhështinë,
ngrohtësinë
edhe luleve kundërmuese
mu aty,
nën strehën time
ua bjorre lulëzimin
pa nur i le.
Nuk i kungoje
kur pjalmonin
natën e parë
kur pranveronte.
Kur vjen ti moj fjalë e ngrathët
me avash,
e me avash
nga dritarja më
shikon
më frikon
e më tërbon.
Mua të gjorën
kur më fut në limonti
marr një pamje të përhumbur
për një ledhkë dashurie.
Me avash moj,
me avash
më çoroditë para vetmisë
kur
më rrethojnë vogëlimet
më bëjnë skllave
sensuale.
Vetëm një dritë vezulluese
ndahet nga tufa,
zbret nga qielli blu
një arkëmortje
afër krevatit të ngrohtë
si shtrat ma shtron,
për t’i ngrohur
këmbët e ftohta
që flirtojnë
mes errësirës
me vetminë.
Kur vjen ti moj fjalë e ngrathët
me avash,
e me avash
mu aty ku prehem unë,
mi hedh eshtrat tej për tej
në kupë të qiellit
dhe syrin pa gjumë
ma le.


Pritja 02.

Gratë strugane

(variant)

Dhe netët vinin e shkonin
buzë liqenit
e nën dallgëtrazuarat
digjej hiri i prushit
nga kurmi juaj.
Të vdesim që sonte,
uturuat
për kurbetqarët
që ua luanin syrin
perëndimeve të perëndimit.
Sytë tuaj të çakërdisur
s’e përgënjeshtruan qytetin
që gumëzhinte
dhe pickonte dritën e bebëzave
se gjoja gratë hundëshkaba,
të bukurat strugane
nuk dinë t’i presin
kurbetqarët.
Vaporët verë e dimër ,
në lundrim
nuk ua sollën
asnjë stinë
ashikët e utnuar.
E mjellmat e Drinziut
vajtuan:
Deri buzëvarrit
arritët moj luleshebojë,
duke i pritur
si pelegrinët,
duke i lutur
për pak dashuri liqeni
para se të mëkatonin
honeve.
Plagëve nisi t’ju vjen
era marxhë,
kurse ata
ah, ata
bënin xhiro
thimth më thimth
në pranverat njomake
epoheshin,ngatërroheshin
puthnin, thithnin
dhe lindnin foshnjat
vajmadhe
që nuk qanin shqip.
Ah, ju lulestrugane
zemërngujuara
përplaseshin dallgë më dallgë,
duke nuhatur
aromën e dashnisë nudo
që e sillnin erërat e vjeshtës
me ajër të huaj;
dhe mbeteshi pa ajër jete
duke ngarë breg pas bregu
pas arave të leskave,
për një kokërr gruri,
sa për ta mbajtur gjallë një shpirt
të pjellës suaj të vetme.

(Ato ende presin)

Ditët e netëpritjet
ua rropën lëkurën
ua tërbuan vdekjen,
u lanë gjallë e për sehir
me gishtërinj të ngatërruar
njësoj
si gratë e veja.
Në një mëngjes shëmitri,
porsa zdriti një gjysmë rreze
ju, bashkë me gratë
e futura në zi të thellë
i mallkuat burrat:
“Ju daltë shpirti në prehrin e liqenit!
Në këtë dhè mbetshi skurrjalë! “
Sa mllef patët ndaj zemërboshëve
pa nostalgji kënge valësh
që derdhet me harmoni
nga syprina e paqtë,
mbi kalldrëme.
Ah kur ia nisët këngëvajit:
Përse mbetëm
një jetë të tërë lulevenitura,
vetëm me nga një lulefoshnje në gji?
Klithmat tuaja i dëgjoi
këngëtarja në mejhane
dhe ndaloi tingujt e Boleros.
Ca copëza malli u shkulën
nga kraharorët
u përplasën me dallgë.
Oh, qafzgjatja juaj
tretej mbi gjurmët në rërë
që dukeshin
nëndritëhijen e hënës
dhe përngjanin në gjurmë shpendi
që shkon e s’vjen
stinë pas stine,
kur i le krahët udhëve të botës


Ethet e lindjes

(Lulefoshnjeve)

Pas shtërzimeve të shpeshta
kur therëthikat përçajnë eshtrat
e një shtati zane karafilor,
ditën e fundme të muajit të nëntë
të gjitha mëmat që bëhen mëma
çirren:
O zot, ma merr shpirtin!
Klithin ato lulekarafilet
dhe shpurdhin këmbë e duar
mes butaforisë së bardhë
para një gurgule grash tjera
me shtat prej zane,
duke ftuar ditëvdekjen
Oh,oh Zoti ynë!
Rrahin kofshët e tyre të bardha
shkulin flokëprishurat,
qajnë e thirrin:
Oh, mëma!
Mëma moj, mëma,
athua na kanë kafshuar nepërkat?!
Dhe,mos Zot më keq,
po të mos ju kujtoheshin atyre,
faqekarafileve,
lulefoshnjet që vijnë në jetë;
do ta merrnin veten më qafë,
do ta çaraveshnin zemërdashurinë
e do ta copëtonin atë copkë jetë,
copa-copa do ta hidhnin në bunacë.
Sepse,
edhe një pipth karafili hapet më lehtë
e luhatet me naze nga një fllad pranvere,
se një rrugëtim i një lulefoshnjeje
kur merr hov të del buzëvaj
nga ngrohtësia embrionit,
pa lënduar gishtërinjtë
petale karafilorësh,
që të kap pak dritë nga sy prej mëme
e të thith qumësht gjiri
pasi mëmat të bëjnë naze
me faqëza bojë purpuri
që ju mbetet nga shtërzimet.
Dhe mëmëzat hapin sytë
me një buzëqeshje
si ndër buzë,
dhe ato shikojnë
ah, mrekullohen duke shikuar,
gjakun e gjakut të tyre
në fytyrën kuq
prej bebeje,
duke lëvizur qepallat,
e duke hapur buzënjomat
se kërkojnë thimthat
për të shuar urinë
mu, aty te lulethimthat
ku zgjohet pikëjeta
e buron qumështi i bardhë
i përzier me aromë gjinjsh,
me aromën e diellit të kuqërremtë
dhe bukurinë e hënës së brishtë


Vaj për nënën

(Ditën kur më vdiq nëna)

O, nga mishi e mushkëria
dhembja flakë më del,
o, në muzg e në ag
o, kujtoj
gishtërinjtë e më të voglit vëlla
o,që lutej për shpirt nëne,
vezullimi i tespiheve
më njoftoi me heshtje nëne.
O, shikimi yt verbohej
o, përplasej në sytë tonë
o,ti heshtje
o,merrje nga një lugë frymë
dhe tërë fshati dëgjoi
një kujë zemre:
O ti nënë e butë,
o, e brishtë
o, punëtore
e nazike,
o, ku po ik, o ku na le !?
Kur bota e tërë lutej
para Perëndisë
ndër sytë tonë të tharë
vdiqe
o,o vdiqe...
O, gjithçkaja ime,
O, ku ta gjej zemrën tënde besnike
o për të qarë vaj e hall,
se gojëligët sedrën ma kafshojnë...
O nënë, nënë, nënë!
O, nga endjet e zemrës
o, ende varrin s’ta kam parë
o, një pëshpërimë të ngrohtë
o, dua ta them mbi varr :
O, mos ki bezdi, o nënë!
o, prehu e qetë
në parajsë,
sepse,
sedrën,bijës tënde poete
o, nuk ja kanë vrarë
jo,nuk ja kanë vrarë...
O lugetërit më hiqnin zvarrë,
o, nuk më lanë të të qajë,
o, doja të derdh lot gjaku
o, loti i kulluar mbi qerpik
o,o,o më është tharë.
O,u bëra foshnje që natën e shenjtë
kur ti para syve të djalit e vajzës
o, jepje shpirt.
O, pika më raft sa fortë ti doja sytë,
o, duart me atë lëkurë të rrjepur
nga drapri,
o, kur korrje në fushë
ooo, dhe të bardhën gushë.
O, vdekja jote si plumb më rëndoi
mbi qepallë.
O nënë,o nënë, o nënë
o, vaj e hall,
o, nga dhembja për ty,
bija jote në mesmoshë
o, është bërë lulefoshnje,
o, është bërë fëmijë,
me një krua lotësh të tharë .


Unë s’bëra gjë për atdheun

Asnjë varg nuk m’u bë lëkurë
të më ushqejë me ajër atdheu
të gjitha ikën
si fjollat nëpër erë fundmarsi
eter u bënë,
eter.
U bëfsha edhe unë që sonte eter!
Eter u bëfsha se s’bëra gjë prej gjëje:
vetëm tre fëmijë
me yll në ballë
që mi morën
nga sqetullat e ngrohta,
dy dhëndurë
e një nuse,
e mi lanë
udhëve të kurbetit
pa atdhe e katandi.
Tani rri si ujkonjë e shurdhuar,
nën gjerbë,
shikoj muzgjet dhe agun
me sy të shterur
vështroj nga dritarja
mos po më vjen
lirika ime e ngrohtë,
apo ndonjë zë fëmije
të më belbëzojë
vesh më vesh,
përse mbeta pa limonti.
Njerëzit më quajtën të mjerë,
të ndjerë
dhe;
pikë drite
s’mbeti brenda në gjelbërim sysh,
mbase edhe ju njësoj ju shikojnë,
të shurdhuar e të qorruar
pa atdhe.
Ah, njësoj ju shikojnë!
Jo,jo,jo,
unë s’bëra gjë
gjithë ky shekull më vajti kot.
Eh,eeeeh!
Kot u përpëlita mbi ca zanore,
asgjë s’pipëtinte.
Nuk më doli as nami i mire,
brenda kësaj gurgule me njerëz..
Të madhin atdhe s’e përkëdhela
as hijeshtatin nuk ia shikova
në embrion prej lulevargjesh.
Eh, më marrtë mortja, më marrtë
që vrava shpresën
se ajo hijeshi atdheu
ngadalë e me naze
po amshohet,
përtej fushe,
përtej mali e deti.


Ku është atdheu

Atdheu është atje ku dielli lind me bollëk
dhe njëmijë rreze mbeten për ta përkëdhelur
nervin e njeriut pa fron.
Atdheu është atje...
Ah,atje ku përthith ajër pa frikë,
e barku nuk të mbetet bosh
sepse njerëzit si zotat
të përshëndesin në një gjuhë
si gjuhë perëndie ,
atje ku asnjë fijez zanoreje
nuk përngjan
me melodinë e gjuhës tënde.
I bukuri atdhe
prehet këtu e atje
i shtruar me klorofil jete
dhe asnjë sy zemërak nuk bën magjinë
për mallkimin e stinëve,
dhe sërish vjen stina
sërish, sërish vjen
flladi
dhe asnjë fyerje nuk të zë
dhe përsëri për sëmbari
fillon lulenata
e luledita,
por ti nuk mbetesh pa sedër,
asnjë thashethemnajë
nuk të bëhet gur në fyt.
Eh, atdheu është atje
ah, atje, atje, atje
ku vjeshta e dimri zgjasin pak më shumë,
dhe ti ke zjarr,zjarr,
mall e zjarr
prush,prush e thëngjij
dhe bëhesh shkrumb
për aromën e kopshtit të mollëve,
gështenjave e ftonjve,
ku ferrë më ferrë
rendje, o rendje i harbuar
shpoje gishtërinj e thembra,
ferrë më ferrë.
Atdheu është gjithkund
ku, tutje vargmalesh
ka lule , lule ,lule
dhe zhurmë zogjsh.
Atje njerëzit nuk lëngojnë,
rrugë më rrugë
e gërdhatë më gërdhatë
as lugetërit nuk enden
kur murrëtohet
për të shkatërruar tek-tuk
ndonjë ëndërr të bardhë.
Atdheu është atje
ku rri zgjuar, e shtrinë këmbë e krahë
mbi divane të bardha,
duke trembur një mizë vere
me një lëvere pambuku te bardhë,
si bardhësi bore,
ku ti pa droje
ndez një puro të kuqe,
dëgjon lajme të reja
për dërdëllitësit e një politike
pa ligje, pa etikë.
Atdheu është atje,atje,atje...
në prag të një oqeani e një deti
ku freskon faqëzën, gishtërinjtë
me sapun aromë manushaqeje,
dhe përlotesh në kujtime
për njerëzit e lagjeve nga Skupi plak
ku ashikët e odave
thithin aromë myku dhomash të qullura
pa kulm.
Atdheu është në tërë dheun e tokës
ku mund të kesh një copë varr...
Edhe atje,atje larg,shumë larg,
ku shqiptarët e mi kërkojnë lëmoshë ndjenje
nga matrapazët që bëjnë pazar,
e luajnë kukafshehtas me shkjaun e zi.
Atdheu është atje ku shijon gjellë
me aromë peshku,
si ambrozi perëndish
dezerte me arrë kokosi,
ananasi e hurme,
pa u mrekulluar me sy nëne,
pa u mrekulluar me sy vëllai e motre
ah, atje ku mbetesh pa u mrekulluar...
Atdheu është atje, atje,atje...
ku shpirtit i del tymi
nga kandili i vjetruar
i mbushur me gaz toksik:
për liri,
për tufëzim
petalesh.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi