Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Fabula nga Sazan Goliku

Shko poshtë

Fabula nga Sazan Goliku Empty Fabula nga Sazan Goliku

Mesazh nga Agim Gashi Wed Mar 18, 2009 1:46 pm

Fabula nga Sazan Goliku



Nga Sazan Goliku



UJKU DINAK DHE DHELPRA E MENÇUR

Një Ujk plak, një ujk dinak
kur e ndjeu se s’gjuante dot
hyri brenda në një shpellë,
ulërinte, fliste kot:
“Unë po ngordh vetëm këtu,
jam sëmur, kini mëshirë.
Do t’jua fal të gjitha fajet,
ujë më sillni për të pirë.”
Ditë për ditë nga një kafshë pylli
hynte brenda pa menduar,
po në grykë i mbyste ujku
dhe i hante i gëzuar.
Aty pari shkoi një Dhelpër,
e dëgjoi çka Ujku foli,
por pa gjurmët, ato shkonin
drejt në shpellë, po asnjë s’doli.
I thotë Ujku: “Moj kumbare,
eja shpejt se unë po ngordh!”
Ia kthen Dhelpra: “Falemnderit,
po shoh gjurmët dhe s’vij dot.
Ti je mirë atje ku je,
unë po shkoj në shtëpinë time.
Ti gënje gjithë budallenjtë
që s’kanë mend asnjë thërrime.”
DHE MISTREC DHE FODULL
Hop këtu e hop atje
Plesht mistreci s’ka fole.
Hop mbi mace, mbi krevat,
hop mbi qenin, i pi gjak.
Hyn e fshihet nëpër lesh,
kurrë nuk del te lozë në shesh.
Iu rrit mendja edhe tha:
“Më të zot se unë nuk ka!”
Po së fundi përfundoi -
ra mbi stufë, u dogj e shkoi.
QESHI BRESHKA ME TË MADHE
Kur e pa që dot s’e hante
i tha Breshkës një Skifter:
“Eja mike bëjmë garë,
jemi shokë e miq përherë.
Ja, shiko majën e malit.
Kush atje do shkojë i pari,
para gjithë kafshëve të pyllit
do fitojë medalje ari.”
U nis Breshka dalëngadalë…
Herë përmbysej, herë rrëshqiste,
po nuk ndali asnjëherë;
maj’ e malit po e priste…
Hapi krahët ky Skifteri;
lart u nis për fluturim.
Sytë i zunë një lepurush,
shpejt e kapi me tërbim.
E copëtoi, të gjithë e hëngri
dhe u ngop, dhe ra në gjumë.
Sa u zgjua, çau një pulë
dhe iu duk e shijshme shumë.
Pastaj rendi pas një gjarpri,
po më kot – ai u fsheh.
Kur arriti majë malit,
Breshk’ e urtë ishte atje!
Tha Skifteri i zemëruar:
“Ti ma hodhe kësaj radhe!”
“Unë çdo herë do të fitoj” –
qeshi Breshka me të madhe.
UNË PA BUKË, TI PA LIRI
Kone Bela bor’ e bardhë
ecte udhës kaq krenare.
Pas e ndiqte me zinxhirë
Zonjë e saj që ka shumë pare.
Ja, aty kaloi një qen
i uritur, i palarë,
nga ata që enden rrugëve
të plagosur dhe të sharë.
Kone Bela e pështyu:
“Ik largou, o pisanjoz!
Shoqëri me ty nuk bëj,
mik nuk kam, por me ty s’los”
I nxjerr dhëmbët Qeni i rrugës
si të qeshte me pahir:
“Mos më sha, më mirë tall veten
që na mbahesh kaq e dëlirë.
Unë vërtet nuk kam të ha,
vetëm shiu mua më lanë,
porse ti nuk je e lirë
se zinxhiri rob të mbanë.
Unë pa bukë, ti pa liri,
pra, të dy jemi njësoj.
Ti tund bishtin pra zonjës,
unë me fatin po luftoj.”
MENDJELEHTI I KËNAQUR
Krokodili nën ujë
priti, priti, priti gjatë…
Më në fund iu sos durimi;
i tha barku: Prit dhe pak.
Ja, në breg u duk një Dre,
zgjati qafën ujë të pinte.
Krokodili, fap, në grykë
e kafshoi dhe zu të ikte.
Përpëlitej Dreri i shkretë
nëpër lumin e gjakosur,
por më kot, se fati i tij
nga përbindëshi ish vulosur.
Po në ujë nuk mund ta hante
Krokodili prenë e vet.
Matanë lumit doli zvarrë
ta përtypte qetë-qetë.
Para kohe u gëzua
Krokodili i uritur,
se një tufë me hiena
iu vërsulën të babëzitur.
E rrethuan, e copëtuan
(edhe Drerin bashkë me të).
Mendjelehti i kënaqur
nga uria s’jetoi më.
FITORJA E MILINGONAVE
Një luan me kriftë të artë,
ku po shkon kështu rëndë-rëndë?
Milingonat këmbëshpejta
pa mëshirë i shkel me këmbë.
Në liqen për të pirë ujë
ky Luani shkon çdo ditë,
ndaj u mblodhën milingonat,
rreth e qark dhe i zunë prit.
Dhe iu turrën e mbuluan
kokë e këmbë po e pickonin,
dhe në vesh, në sy, në gojë
me tërbim po e kafshonin.
Ulërinte… bulurinte…
Mbreti i kafshëve s’duroi dot,
ia dha vrapit…në liqen,
u krodh brenda, por më kot.
Përpëlitej…shkumëzonte…
Ra në fund në llum aty.
Triumfuan milingonat –
një mësim i dhanë atij.
UJKU PA DHËMBË
Një Ujk mendjevogël
ra në dashuri
me dhelprën dinake
që s’kishte shtëpi.
I tha kjo bishtgjata:
“Edhe unë të dua!
Martohemi bashkë
rrojmë si burrë e grua.
Po unë kam një kusht,
se kam frikë nga ty.
Shkuli të gjithë dhëmbët
që të fle aty.”
Ujku i dashuruar
nuk ngurroi fare,
një nga një gjithë dhëmbët
i hoqi me pare.
Menjëherë dinakja
e nxori në udhë:
“Shporru Ujk i plakur,
këtu s’ke më punë!
Në këtë shtëpi
tashti jam unë zot,
ti një fije bari
nuk e përtyp dot.”
Gojëhapur mbeti
Ujku mendjelehtë:
“Dhelpra ma punoi,
fajin e kam vetë.”
Me bishtin në shalë
shkoi në një lëmë,
por ujqërit e tjerë
copë-copë e bënë.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi