Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Kristaq Shaban:RRUGËTIM PROFIL “PEGASI” INTERNACIONAL

Shko poshtë

Kristaq Shaban:RRUGËTIM PROFIL “PEGASI” INTERNACIONAL Empty Kristaq Shaban:RRUGËTIM PROFIL “PEGASI” INTERNACIONAL

Mesazh nga Agim Gashi Sun Apr 03, 2011 7:26 pm

Kristaq Shaban:RRUGËTIM PROFIL “PEGASI” INTERNACIONAL 207623_10150149793268186_678723185_6538817_5583938_n

RRUGËTIM PROFIL “PEGASI” INTERNACIONAL E FOKUSUAR POETJA ALISA VELAJ, PEDAGOGE NË UNIVERSITETIN “ALEKSANDËR MOISIU” DURRËS PJESËMARRËSE DHE KUMTUESE NË SIMPOZIUMIN NDËRKOMBËTAR “MUZA POETIKE PEGASI 2011” ME OBJEKT “ LIRIZMI NË LETËRSI”

KUNDRIMI I SYRIT TË VËMENSHËM NË “OPERACIONIN” KIRURGJIKAL POETIK
Kristaq Shaban:RRUGËTIM PROFIL “PEGASI” INTERNACIONAL 49703_678723185_7208_n
Nga Kristaq F. Shabani I.W.A, W.P.S

Aftësi e tejkaluar e soditjes qendërzohet, kur në një tablo fare të paqartë soditja e syrit dhe e mendjes të tregojnë sprovaitetin e vetë: të dallojë atë çka është fshehur në labirinthe të tablos errësirëshumtë me prezencë të hijezimeve të pleksuara në “binomin horizontovertikal” ... Vetëm kështu mund të legjitimohet soditja. Të ligjërosh me gjuhën e figurimit pasuron me kapilarë të ndritshëm shprehësinë e gjuhës dhe përcjelljen e saj në botën shpirtërore të njerëzimit, duke trokitur fuqishëm, duke ndezur dritat e mendimit vetiak original e duke llamburitur tërësinë e odave poetike… Figurimet poetike tejshkëndijëzohen nga precipitimi konciz i të thënurës poetike , ndjenjësore..,
Këndvështrimi i mendimit kritik duhet të mos niset nga “mosha” e krijuesit , por nga përsjellja e forcës dhe dinamizmit në poetizim. Shpërthesat talentore nuk pranojnë, shprehimisht mendimi im, që të krijohet ndarësi moshore dhe të trajtohet një kreaturë e arritur si një vëllimi parë i një krijuese te re në moshë, kur “phashi” i nivelit poetik është parametror dhe klorofila poetike shprehet autorishëm … Pjekuria poetike nuk varet nga vjetët që mbart krijuesi … në këtë kontekst “nivelues” harrohet prurja e spikatur dhe barazvlerësohen vlera me antin e saj…
Një tarjtesë e tillë të përsjell ‘teoritë” e cunguara të ndarësisë moshore… Poezia, vetëkuptohet që krijohet nga mosha të ndryshme dhe konkurrohet në “tapetin e vlerave “. Të shprehesh ndryshe do të thotë të marrësh pozicionimin e këndparjes nga lart, nga pika vrojtuese të situacionit poetik, kur syri yt dhe mendimi rrokatojnë dhe lëshojnë një vezullim dinamik…është i privuar për të lëshuar analitika të tilla. Lëvizshmëria në hapësirën e palëvruar, e cila, paçka nga eksplorimet, mbetet gjithmonë e virgjët në analitikë, madje do të thoja që në fushën poetike sa më shumë ta eksplorosh aq më shumë kjo hapësirë e shton virgjërinë e saj… Jo paqëllesë përzgjodha poezitë e mëposhtme të poetes Anila Velaj, të cilat shembëllëzojnë thënien time për koincizitet poetik, ku figurimi në “anatominë” poetike është i përzgjedhur me mendim të thellë dhe i përplotuar me mjete të atilla stilistikore që dritojnë “qiellin “poetik… E shpreh që Anlsa këtë e ka “pikë “ të fortë të kreaturës së saj… dhe i shkon për shtat krijimi në këtë dimension konciz të shprehuri, pastërtim nga tepëritë rrëfimore dhe i krijimit të situacionit mbërthyes dhe tejpërshkrues në botën shpirtërore të atij që i drejtohet krijimi… Marrja e pozave të analistikës së “shtirë” flet me gjuhën e tjetërsimit… Mundësia e poetes Velaj është e përmasave më të mëdha, pasi syri i saj mendimor dallon në krijimtarinë e saj dhe “pasaktësinë më të vogël” në arkitekturën poetike … Kjo vjen nga mosnxitimi, nga përzgjedhja dhe qëndrimi gdhendës i vargjeve, që nuk produktohen lehtë… Poetët e talentuar e krijojnë vetë emrin dhe nuk ndërvaren nga emrat e tjerë të “lakuar” në të gjtiha rasat… Ky deduksion është i përgjthshëm dhe nuk përligjnë këtë rast veçantinë.
Shpreh bindjen se poetja –pedagoge në të ardhmen do të sjellë prurje poetike niveli, të cilat do të shtojnë prezencën dhe konkurrimin në hapësirën eshkëmbimit universal të vlerave...


SHPIRTRA

Mbi ujëra
enden
pulëbardha të plagosura.

Trishtimi detar i qiellit!

JERMI

Ra shi me gjyma
e u derdh qielli në tokë.

Lulemëllaga s’di më kujt t’i lutet!


PUTRAT E VDEKJES

Vdekja i ka putrat e bardha
me push të butë lepurushësh
dhe bardhësi verbuese
si të dhëmbëve të tigrit.

Me push lepurushësh
fërkohemi butë-butë
nëpër gjithë lëndinat
ku çelin lulet narcise,
por liqeni mes lëndinës
s'na e shfaq kurrë
pasqyrimin e tigrit...


HËNA SOMNAMBULE

Herë shfaqesh
Herë zhdukesh
Herë-herë duke ngrënë vetveten.

Krejt e pavetëdijshme ndaj çdo orientimi,
Se nga të ndriçohet disku i pajetë.

Krejt e pavetëdijshme, krejt
Si një somnambule
në një rrugë të shkretë...


HUKAMË

Përzihet drita
Me rrymën e vështrimit
Ende të përgjumur
Për të krijuar
Molekula errësire.

Flutura-lule-drite
Avullojnë,
Si xixëllonja
Me fenerë në dorë
Nëpër natën e veshur me huk.


SHFAQJE

Si ujk i uritur
Nata
Përtypi
Çdo fashetë drite.

Qeni i shtëpisë
Trembur prej shfaqjes
I leh pa pushim hënës.


Agron TUFA
Parathenie e librit Themelet e eres
Apoteoza e lëvizshmërisë


Ndoshta gjithë trajektorja që lë një frymor mes kësaj bote, me dëshirat, pikëllimet, shpresat dhe ravgimet shpirtërore na paraqitet në trajtën e ornamenteve, lajleve, arabeskave apo shenjavepiktografike, të cilat e ruajnë mistikën e deshifrimit larg kuptimësisë së mendimit të arsyeshëm. Dhe lavdi Zotit që larmia e kësaj bote njeh një dimension tjetër përveç diellit, atë të dritës së hënës. Këtë trasfigurim të botës – apoteozë të lëvizshmërisë - në shfaqjen e saj të shumllojtë, është në gjendje ta bëjë poeti, si instrumenti më i ndjeshëm i gjuhës dhe si vazhdim i përjetësimit mimetik, të parë papërsëritshëm nga një subjekt i papërsëritshëm.
Apoteoza e njohur e Platonit mbi shumllojshmëritë e shfaqjeve dhe dukurive se “në gjithë botën nuk mund të gjesh dy gjethe një-soj”,do të kishte vlerë identike edhe për sytë që i kundrojnë këto shfaqje dhe, më së pari, për soditjen e kulluar poetike. Prandaj dhe origjinaliteti i një poeti që synon kthimin e jehonës së gjërave - në gjuhë, qëndron, në thelb, në “pastrimin e shikimit të tij”, që rrezja e pikëshikimit të tij të mos jetë e papastër, e huaj. Sa më e pastruar dhe individuale të jetë soditja, aq më i shëndetshëm dhe konceptual do të jetë ligjërimi. Duke lexuar poezitë e këtij vëllimi të parë poetik të Alisa Velajt, kam përshtypjen e fortë se ka ndodhur një pikëtakim fatlum i këtyre dy komponentëve vendimtarë, për të krijuar një formacion të qëndrueshëm në ligjërimin origjinal të poezisë. Prirja për të patur një pikësoditje autentike në marrëdhënien me botën e sendeve dhe dukurive, ka sjellë si rezultat një strukturë konceptuale dhe meditative në njësinë e poezisë së saj, duke ruajtur një ekuilibër “spartan” në procedimet me tropet dhe stolitë e tjera retorike të prozodisë. Përbërësit e kësaj poetike që na paraqitet e organizuar në tre nëndarje kompozicionale – lirikat meditative, lirikat intime dhe lirikat e pejsazhit – janë dy llojesh: detaji pamor dhe distanca meditative. Atmosfera e krijuar nga përplasja e detajit me meditimin krijon figurshmërinë dhe shkallën e ngjeshur semantike të tablosë, e cila, duhet thënë se krijon një perspektivë të brendshme, të maskuar si me retiçencë:
E unë si hëna...
zbardhur prej mendimeve
qëndroj pezull në hapësirat e dritë-hijes sate
pa mundur të pushtoj asnjërën kullë
Vetë ligjërimi i kursyer përcakton edhe tipologjinë e metaforës dhe metaforikës askete, për t’ia lënë të lirë recepientit përjetimin. Gjithçka që ofron poetja është një ashtnor i kushtëzuar vargjesh, ndërmjet të cilëve pulson një shtjellë e harlisur mendimesh hipotetike. Sepse gjurmët e soditjes së instrumentarit të saj ofrojnëvizatime efemere, ornamente e arabeska të ikshme si shkrimet mbi xhamin e avullt nga hukama.
Vetë titulli i vëllimit “Themelet e erës” na orienton se kuptimet dhe figurshmëria janë gjithnjë në evolucion të pasosur shpërrndërrimesh dhe se tufat e emocioneve mund të shpërngulen si popujt endacakë, aty ku plas sensacioni i marrëdhënieve me dukuritë dhe shfaqjen e ekzistencave. Në këtë libër të parë, lexuesi i vëmendshëm i poezisë e ka të lehtë të dallojë së paku një gjë: përkushtimin për të krijuar konstrukte konceptuale të ligjërimit poetik, një pjekuri e pazakontë kjo për librat e parë. Poezitë mjaftohen me ngërthimin miniaturesk të objektit, me pak vargje, sa për të skicuar paksa profilin e maskuar brenda dhe ndërmjet rreshtash. Ky shfrytëzim i efekteve të intonacionit nuk është dominues në traditën e poezisë shqipe, me përjashtim të Martin Camajt, i vetmi, me që ra fjala, i pranishëm, më tepër si erë respekti në poezinë e Alisa Velajt. Ndoshta fryma mbrojtëse e Camajt, prirja për kah ai gen i lirikës së freskët shqiptare, tregon se anija e Velajt është lëshuar me erë të mbarë nga kalthëron uji i ri i detit...


Ta shkruash poezinë edhe në verbëri
Nga nga Arian Leka


Dhe kështu pra, duke pranuar se Poeti është krijesa që, nga të gjitha funksionet që i mvishen gjuhës, zgjedh përdorimin e saj veçse për qëllime estetike, gjej rastin të shkruaj shkurt për Alisa Velaj dhe librin e vet të parë me poezi , “Themelet e Erës” (Ideart, 2007).
Po ndalem menjëherë tek gjuha poetike, tek ky element apo më drejt, tek ky instrument me të cilin thurim për vete dhe të tjerë petkun e përfytyrimeve dhe të botës sonë përsiatëse, pasi kjo është substanca lehtësisht e dallueshme me të cilat kjo autore mpiks marrëdhënien me veten dhe botën reale apo botën e krijuar prej asaj që mund t’i shpikë edhe shiun edhe tingujt si vetëdije e shkruar mbi qelq.
Them mpiks, pasi këto poezi, më tepër sesa lëndë, materie tingullore apo forma grafike, janë lirika të pastra, thurima imcake dhe gjendje poetike që mëtojnë të rivendosin një lidhje me më të rrezikshmen dhe më të rrezikuarën: asaj çka trashëguam nga “klasiko-romantizmi” ynë poetik dhe gjendjes tjetër, kryekëput të ndryshuar të natyrës së ligjërimit në poezinë e re shqipe, apo klasikes së gjallë siç edhe ka filluar të thuhet së fundi. Zakonisht këto sprova e sfida nuk vijnë që në librin e parë, sidomos në rastet kur poeti gëzon e rreket të nxjerrë në dritë sikur dhe ndonjërin prej atyre vezullimeve që sheh mënjanë dhe vetëm. Por Alisa Velaj ka pranuar ta bëjë këtë duke ndarë fillimisht gjuhën poetike si shenjë e madhe ndarjeje dhe afrimi njëkohshëm. Ndryshe nga mjaft autorë që në librat e tyre të parë të magjepsin me aftësinë e vetvetishme të fjalëve për ndenjur pranë, për të sajuar rima e asonanca, Alisa Velaj zgjedh për ndihmëse e shoqëruese të parë vijën, linjën e skicës, ngjyrat e peizazhit dhe jo ritmin e muzikën që të pëlqejnë vetiu e ta bëjnë më të lehtë rrugëtimin. Vargjet e saj thuajse janë ta “pakatalogueshëm” në metrikë e mjete prozodike, por edhe kësisoj ajo arrin të veçohet, të përftojë e të ruajë për veten një formë mes kësaj bote gjithmonë e më tolerant ndaj përdroimit të fjalës poet e që gjithmonë e më shumë quan poezi çdo performancë tingujsh të pranëvendosur e me prirje të thekshme për pavarësi kuptimore.
E kam dëgjuar shpesh mendimin se poezia është gjuhë. Thënies kokëfortë do t’i shtoja vetëm diçka: poezia është edhe gjuhë. Përtej kësaj poezia mbetet po ajo ëndërr që mund ta shohësh syçelët e nuk përjashtohet rasti ta shkruash edhe në verbëri. Alisa Velaj i vesh paksa me mug e vagulli përfytyrimet e veta, sajon sfonde e dekor ëndrre, gjendje opake gjithmonë qepur e prerë prej fjale ku jo çdo gjë shquhet mirë. Janë shëmbëlltyra që na ofrohen si simetri të rrejshme me gjethe që mbeten gjedhe, me pemë që duan të jenë veç pemë, ndërkohë që diku larg farfurijnë rrënjë e themele ere, mbase të re letrare të atyre që vijnë.
Titulli i librit është një përjashtim i thekur, krijuar po prej të njëjtës autore që ka zgjedhur dhe përcaktuar se si dhe për kë i shkruan poezitë e saj, së njëjtës autore ka zgjedhur mjetet vokale e shkrimore, që përdor mirë aftësitë e anzave të shqipes duke qenë gjithëpoaq asketike në mjete, një autoreje që ka përcaktuar shkollën dhe mjeshtrit e denjë për nderim që në librin e vet të parë, sidomos tani kur askush nuk merr mundimin ta dëgjojë edhe një herë prej fillimit rrëfenjën se si një vajzë, një ditë nisi të shkruajë dhe ia doli të shkruajë një libër të mirë me poezi dhe aq.
Gazeta “Tema” 31 Mars 2001
Nga Xheladin Mjeku, Prishtine
Alisa Velaj (1982) vjen në botën e letërsisë me përmbledhjen e parë të poezisë “Themelet e erës” pas një periudhe relativisht të shkurtër qysh se u paraqit në opinionin artdashës me krijimet e saja, të cilat i botoi në faqet e periodikut të kohës. Që me paraqitjet e para tërhoqi vëmendjen kurreshtare të aderuesve të poezisë, sidomos të asaj intime dhe meditative që pothuajse në tërësi e përshkon gjithë opusin e saj. Në fillimin e paraqitjes së kësaj poezie sikur u krijua bindja se po takojmë një pretendente të një krijimtarie të përkushtuar, me një mprehtësi vrojtuese të situatave, fenomeneve, karaktereve, dhe për një kohë të shkurtër nuk u zhgënjyem. Plejadës së krijuesve të poezisë së dekadës së parë të këtij shekulli po i shtohet edhe një zë, që me ligjërimin e saj nga brendësia e shpirtit do të nxjerr në horizont gjithë mllefin, brengat dhe veset që e preokupojnë poezinë e kësaj krijueseje.


Sprovat drejt ngritjes së stilit të veçantë

Që në fillim të vështrimit do të veçohet ndarja e vëllimit poetik në tre cikle, që të kujtojnë pretendimin e krijimit të një trilogjie poetike. Një shenjë paralajmëruese të këtij pretendimi e kuptojmë edhe nga fjala hyrëse e Agron Tufës ku do të veçoj “organizimin në tre nëndarje kompozicionale – lirikat meditative, lirikat intime dhe lirikat e peisazhit”. Por, edhe pse poezia e përfshirë në këtë vëllim kryesisht janë lirika të këtyre motiveve, ato jo gjithmonë kanë ruajtur një ndarje thjeshtë grupore sipas cikleve, ngase në rrugëtimin nëpër këtë organizim substancial të vëllimit poetik takojmë edhe format e poezive të tipit të përzier, si lirika meditative, intime, të peisazhit, e në ndonjë rast poezitë kanë krijuar një vartësi me motivin tjetër, duke arritur kështu një bashkëdyzim funksional të nëntekstit poetik. Organizimi në tre cikle: “E shkruar në qelq” me katërmbëdhjetë njësi poetike, aq sa ka edhe cikli tjetër “Tinguj në muzg” dhe cikli i tretë “Themelet e erës” me një ndryshim sasior në njëzetë njësi poetike gjithsej.
Teknika e organizimit të kësaj përmbledhjeje poetike, ku në çdo fillim të cikleve është dhënë edhe agjenda e lëndës poetike e përfshirë në brendinë e vetë ciklit, është një veçanti tjetër, ku për dallim nga praktikat e deritashme kryesisht përmbajtja e lëndës jepet si tërësi, në fillim apo në fund të librit. Edhe kjo flet për një formë ndryshe e ndërtimit të cikleve, që të kujton se po përballesh me tre njësi veç e veç, por në fakt poezitë brenda përbrenda cikleve, siç u tha një herë, ruajnë formën e një vëllimi si tërësi.
Poezia e Alisa Velajt kryesisht shquhet për çasjen nga prizmi i vrojtimit me thellësinë e të shprehurit të vargut si mjet komunikativ në krijimin e imazhit përceptues të fenomeneve që e provokojnë unin krijues të poetes. Edhe atëherë kur këndon në rrafshin e jetës intime, edhe në rrafshin e krijimit të peisazhit a meditacionit, autorja, ndonëse e re, gjithnjë hetohet prania e saj në ujërat që rrjedhin nga thellësitë shpirtërore të botës artistike letrare, që çojnë vërdallë majave të paarritshme me imagjinatën prej krijuesi dhe vrojtuesi të ngjarjeve dhe tematikës që atakon intuitën e saj krijuese.
Gjithnjë në këtë pjesë të lirikës ku janë më të theksuara çështjet e ndryshme të hapura, dilemat, udhëkryqet jetësore, duke insistuar vazhdimisht në pasurimin e spektrit meditativ me guximin intelektual, të heshtur, pa bujë, pa shantazhime, por duke nxjerr në sipërfaqe efektivat e mendimit filozofik në pasurimin kuptimor të të rrëfyerit tek lexuesi. Përmbajtja ndaj emocioneve, ndjenja ndaj fjalës së rrëmbyeshme dhe përkdheljet euforike, sidomos kur provon shkrimin e poezisë patriotike me petk baladesk për Prekazin “O moj hënë e vdekur!”, apo edhe poezia përkushtuese “Një plaku malësor”, e shquajnë vargun e Alisa Velajt, pothuajse gjatë gjithë rrugëtimit të saj labirintheve krijuese.

“Ngriti hënë e vdekur
Mbi kufoma burrash
Si një shpirt i tretur.

Natë e tmerruar
Nga vrasje vandalësh
Varr i pambuluar.

Larg troke kuajsh
Prej Prekazi gratë
Vijnë duke vajtuar”.

(“O moj hënë e vdekur!”, fq. 52)

Kjo, dhe ndonjë tjetër poezi si “Alkimi e heshtjes” dëshmojnë konkludimin e lartëtheksuar, për më shumë se shprehje emocionuese nga ndonjë qëndrim i autores në vendet që iu këndon, por gjithnjë duke qënduar larg fjalëve të rrëmbyeshme dhe euforike, të shprehura me guximin intelektual, të heshtura dhe pa bujë.
Studiuesi dhe kritiku Ali Aliu në një studim më të gjatë për veprën e Azem Shkrelit përveç tjerash deklaron se: “pas parapëlqimit të traditës ndremjediane (mbase edhe përmes Camajt më vonë), do të ecë edhe përvojave të poezisë së revoltës evropiane mes dy luftërave – edhe përmes Migjenit”. Një çasjeje krijimit të poezisë së Alisa Velajt hetohen elemente të këtij relacioni, që në fakt trimërojnë për forcën emocionale të kësaj krijueseje, që rrallëherë mund të takojmë në letrat shqipe, sidomos këtyre viteve, kur letërsia e viteve të shekullit të kaluar konsumohet pothuajse vetëm atëherë kur është obligative për studiuesit e letërsisë dhe si lekturë shkollore. Kjo afri me poetët e cituar nuk nënkupton ndikim të drejtpërdrejt në poezinë e Velajt. Përkundrazi trimëron guximi i autores në përkushtimin e saj në ndërtimin e një poezie me intonacione të mendimit në kuptimin konkret të shprehjes së folësit.
Një aromë e kësaj poezie veç sa e freskon lirikën shqiptare përgjithësisht. Vargjet e poezisë, sipas së cilës titullohet libri:
“Themelet e erës ç Gjenden në shtegtimet e Odiseut ç Pëlhura e shthurur ç Është ngrehina” argumentojnë bindshëm strukturimin e maskuar të objektivit me pak fjalë, por që shquhet për thellësinë e mendimit.
Ngjyrimi emocional dhe struktura e vargut janë të veçanta te poezia e Alisa Velajt, e cila është konceptuar si një rrëfim që rrjedh përnjëherë dhe vrullshëm, pa të lënë rast të marrësh frymë asnjë çast.

“Mbasditet e mia prej çaji
Avullojnë mes
tingujsh orientalë
Që gurmazi m’i
rrëkëllen
Në trallisje
epshi të përtej-etshëm”.

(“Mbasdite të avullta”, fq. 14)

Në këtë poezi nuk ka eufori, as përbetime të stërngarkuara patriotizmi. Poetja parapëlqen të tërhiqet tek hapësirat e pastra, të virgjëra, duke gjetur një strehim të çiltër shpirtëror për të krijuar imazhin e ndjenjës përceptuese. Elemente më të arrira të kësaj natyre që lidhen me trajtat e heshtjes, me ndjeshmërinë e tyre në kontekste të ndryshme sfiduese të përditshmërisë veçohen te poezitë: “Rrëfenjë pelegrinësh”, “Abstraksion”, “Pa kohë”, “Vezullime të heshtura”, “Tinguj në muzg” e ndonjë tjetër, që krijojnë një galeri të mirë krijimesh poetike me këtë tematikë, e që autores i trasojnë rrugën drejtë një stili të veçantë dhe premtues.


Dendësia e mendimit dhe strukturimi poetik

Veti parësore e kësaj poezie është dendësia e mendimit dhe ngarkesa emocionle, të cilat nuk janë sajime mekanike, thjeshtë grumbull fjalësh a përshkrime sipërfaqësore e një ambienti, peisazhi a fenomeni, por një angazhim i parreshtur në ndërtimin e vizionit krijues të saj.
Karakteristikë tjetër është edhe strukturimi mjeshtëror i vargut dhe i frazës poetike. Imazhi imagjinativ krijon thelbin e strukturës vargëzuese gjatë gjithë rrugëtimit krijues. Në lirikën refleksive mendimi udhëheq, ndërsa ndjenja emocionuese hetueshëm reflekton forcën shprehëse brenda vetë objektit poetik. Edhe shqetësimi më intim, shtrihet në hapësirën e lidhshmërisë universale, duke rrëshqitur vetvetiu në refleksionin e mendimit filozofik. Fjala e thënë si urti, si dhembje a ankth, si heshtje, në kontekstin e këtij projekti poetik, ngritet në lartësinë e artit komunikues – imagjinativ në tërë rrafshin krijues të kësaj materie në shqyrtim.
Që në nismë të këtij shkrimi është thënë se po takojmë një krijuese që synon majat e poezisë, me një mprehtësi vrojtuese të situatave, fenomeneve, karaktereve, që dëshmojnë edhe këto pak fjalë për përmbledhjen e saj të parë të poezive që tashmë disponojmë. Vazhdimi me përkushtim i kësaj krijueseje me ligjërimin poetik do të arsyetoj më bindshëm këtë mendim.

POEZI NGA ANISA VELAJ

RRËFENJË PELEGRINËSH

Askush s’merr mundimin
Ta dëgjojë rrëfenjën prej fillimit.
Gjethja është gjethe
Dhe pema është pemë.
E gjelbra prore mbetet
Iluzion pamor,
A shtrat i drunjtë i pavetëdijes.

Njëherë dashurova bredhin që s’ishte bredh
Dhe tremba vetminë me degë kaltërsie.
Pastaj aq shumë më lodhi pagjumësia,
Sa rashë e lehtë pupël mbi kurora pemësh.

E pikërisht këtu nis përralla,
E asaj ç’ka pelegrinët të thanë për mua;
Se njëherë paskam qenë krejt prej mishi,
Por më pas - thurinë gjethnaje,
Një natë shtatori humba aftësinë
Që të ndiej afshet e kurmit tënd.

E ftohtë si në genet e origjinës,
Frymoj netëve nën hije qirinjsh
Pa kuptuar kurrfarë gjëje
Nga loja e brishtë e flakëzës.

... Dhe rrëfenja mbaron çdo natë me hënë
Kur ti i dehur nga lëbyrje trupash
U falesh Venerave me fytyra të mjegullta.

Pelegrin i trishtë
I udhëve ku pemët s’kanë gjethe!

JERMI

Ra shi me gjyma
e u derdh qielli në tokë.

Lulemëllaga s’di më kujt t’i lutet!

PËRJETËSI

Edhe akulli u thërrmua mbi gur
Në cifla të panumërta kristalore.

Kokëfortësia mitike
Me limfë sizifi në asht
Lahet prore në djersë të ftohta.

Mos kaloi këtej qerrja e Heliosit?

PUTRAT E VDEKJES
Vdekja i ka putrat e bardha
me push të butë lepurushësh
dhe bardhësi verbuese
si të dhëmbëve të tigrit.

Me push lepurushësh
fërkohemi butë-butë
nëpër gjithë lëndinat
ku çelin lulet narcise,
por liqeni mes lëndinës
s'na e shfaq kurrë
pasqyrimin e tigrit...

MBASDITE TË AVULLTA

Parfum avujsh jasemini
Është prania jote e munguar.

Mbasditet e mia prej çaji
Avullojnë mes tingujsh orientalë
Që gurmazi m’i rrëkëllen
Në trallisje epshi të përtejetshëm.

Errësira shkrihet në dënesje violinash
Mbi drunajën që është Qenie
jashtë dhe brenda meje.

PASQYRIME ALTEREGOSH

Përherë i pakuptueshëm për mua mbete,
Si një gjurmë dëbore
Në lartësitë ku s’shkeli kush.

E unë si hëna
Zbardhur prej mendimeve
Qëndroj pezull në hapësirat e dritë-hijes sate,
Pa mundur të pushtoj asnjërën kullë.

Gjurmë e dëborës mbeti gjer në fund
Shëmbëlltyra ime në pasqyrën e hëntë.

HËNA SOMNAMBULE

Herë shfaqesh
Herë zhdukesh
Herë-herë duke ngrënë vetveten.

Krejt e pavetëdijshme ndaj çdo orientimi,
Se nga të ndriçohet disku i pajetë.

Krejt e pavetëdijshme, krejt
Si një somnambule
në një rrugë të shkretë...

THEMELET MBETËN HAPUR

-1- Shtëpia

Shtëpia që mend po shembet është e jotja
dhe drurët që rrëzoi mbrëmë stuhia
ishin të oborrit tënd.

Më lër të t’i konturoj përmasat
në një tjetër hapësirë,
ku trarët e çative janë më të sigurtë
dhe rrënjët kanë zënë vend
në dhera të parrëshqitshëm.

Pastaj, të të përqafoj pa pasur frikë nga asgjë.

-2- Nëntokësore

Asnjë tingull në muzg
s’e gërvisht dot heshtjen.

Asnjë kërcitje dere
s’më ngjall më parandjenjë.

Strukem kraharorit tënd
si pulëbardhë e plagosur
nga uturima erërash
që shurdhojnë dhe të marrët
e frikëra boheme
mos humbas gjërat
që kurrë nuk i pata.

-3- Koshiente
Më përhën kaq tepër pasiguria jote.
S’e erërat përherë i kanë përkulur pemët
e qyqja prore ka klithur nëpër degë.

Po gjethet kurrë s’u kthyen në tufë korbash.

-4- Karafila të kuq

Karafila të kuq
vetmojnë në vazo qelqi.

Përgjumur mbi nënkresë
frymon qenia ime.

E karafilat janë gjak
gjak të kuq po të them.

-5- Gjethe
Sërish gjethja ra
në të njëjtin vend.

Është dheu i shkrifëruar
punuar mbrëmë me lesë.

Themelet mbetën hapur
me ndonjë gur
të rënë s’di se nga
që tjetër brazdë
hapi në kujtesë.

-6- Miturake

Vogëlushi mërmërin një këngë të pakuptueshme
dhe pret që kërmilli të dalë prej guaskës.

Rreth tij thuret gardhi me bredha të lartë
aq pranë njëri-tjetrit sa kockat e rrashtës.

SHPIRTRA
Mbi ujëra
enden
pulëbardha të plagosura.

Trishtimi detar i qiellit!

VEZULLIME TË HESHTURA

Shndritën yjet!

Mbi syprinën ujore
Vezullime të heshtura
Dritash të largëta.

Ireal,
Deti i paqetë
Në këtë terr-rubin.

Qyteti mbi shkëmb
Nis ritualin e përnatshëm!

ANTINARCIZE

Rebelimet
Janë shpesh të denja
Për një djalë plangprishës,
Lule-kaktusi im!

Askush s’e lejoi
Vjedhjen e eliksirit,
Rrëkëllyer etshëm
Thatësirave zhuritëse...

Gjembat e tu janë devetë e një kohe
Kur oazet mërguan prej shkretëtirës!

HUKAMË

Përzihet drita
Me rrymën e vështrimit
Ende të përgjumur
Për të krijuar
Molekula errësire.

Flutura-lule-drite
Avullojnë,
Si xixëllonja
Me fenerë në dorë
Nëpër natën e veshur me huk.

SHFAQJE

Si ujk i uritur
Nata
Përtypi
Çdo fashetë drite.

Qeni i shtëpisë
Trembur prej shfaqjes
I leh pa pushim hënës.
ËSHTË GJARPËRI

Mermer i prekshëm
Në kufi trëndafilash.

Është gjarpëri
Krijesë pezull
Në pezullinë e ftohtë.
TË MBUSHESH ME TY

Të mbushesh me ty
është si te zbrazesh nga lulëzime kaktusesh
që prarojnë shkretëtirën
veç për një natë…

I kam parë ato lule të vogla, të ndrojtura
mëngjeseve në Arizona i kam pare,
tek çelnin kopshtijeve të verdha, te kuqërremta.
me petalet që varnin kokat herët në mëngjes
e më janë dukur kaq te ngjashme me ty.

Veteveten krahasoj me çdo kopsht shkretëtire
pa mundur te rroj dot as pa zbrazjen tënde.

Zbrazjen tëndë të etshme
të pangopur me ujëra si kjo rërë e verdhë
e të tronditur me kthime të prajshme
kthime të brishta…

Ajme kaktuset e mia të trishta!

KRYQ A SHPATË

Pranë Krishtit të kryqëzuar
Një qiri përpëlitet
Mbi tavolinë.

Në një kënd të dhomës
Një shpatë vetëtin.

Adhurim formash
Prej të përhënurish
Nga Xixëllonja të hënës.

Matanë gardhi
Një frymëmarrje meket...

E Qiriri ndrin
Nëpër tërë shtëpinë!
QIRINJ

Mbaj qiej më të ftohtë se të tutë mbi supe.
E plot qirinj të ndezur
për torta që s’di ku i humba.

Ti më thua të hesht sonte
në performancën e yjeve,
e të vështroj rënien e tyre
me të njëjtën uri
që lakmoja dikur
shkumëzime dallgësh.

Po tash qirinjtë më shkrinë ndër duar
dhe unë s’po di ku t’i vë…

GJURMË

Veç gjurma e ujkut
e vetmja shenjë jete
mbi dëborë.

MEFISTOFELIANE

Jam Orakulli i Delfit.

Me fjalët e mia të dykuptimta
Çorodis gjithë njerëzit.

Një mëngjes u thashë atyre
Se qielli është kthjelltësisht i turbullt
Dhe ata vranë mendjen për ditë me radhë
Të gjenin misterin.

Kur një mbrëmje njërin prej tyre
E gjeta të vetmuar ndanë lumit Leto,
I thashë se adhuroj meskinitetin.

QENIE

Qenia jam unë
dhe ti
dhe ai
që s’e njohëm kurrë.

Është Guri
mbi
gurë.

MONOLOG I ODISESË
(Para mbërritjes)
Do të kthehem një ditë
andej ku nuk u nisa.
Me sy të shqyer prej tmerrit
do t'ju vështroj
juve që iluzionin e ikjes
e ngatërruat përherë
me të vërtetën e kthimit.

Drejt viseve të huaja
unë nuk u nisa kurrë.
Veç ashti im lundroi ndër detëra
që shfaqeshin papritur në horizont.

Në të vërtetë nuk u nisa kurrë...

KËNGA E BRAKTISJES

E non sapeva
sciogliere
il canto
del suo abbandono
Giuseppe Ungaretti

Me shpinë në hon
ndiej tingujt të përplasen
pas kockave të mia.

Oj oj oj!

Të fundit që më braktisën
qenë orakujt.

Tokë me lule të thara këngësh
Atdheu…

HIJE

Hije të çoroditura
popullojnë netët tona.
Hije të trishta
që s’njohën kurrë trup.

E lindën qenie veç në përralla.

LOTOFAGËT
E shtruam gostinë
me viçin e artë.

Dhe folëm të gjithë
të njëjtën gjuhë.

Pas darke,
harruam krejt ç’hëngrëm.

Në kopsht këndesi ngjirej
për të tretën herë…

TEMJAN
Lutem sërish pas heshtjes ose hesht prore pas lutjes.
Zambaku i ëndrrave i është larguar prej kohësh ngjyrës së bardhë.
E bardha e borës, e bardha e petaleve… e deri tek e bardha e vezës.

Një korb më i zi se vdekja vjen rrotull zambakut dhe meket në krahët e shtrëngatës.

Era e temjanit të tejshpon nuhatjen…

MËSHIM
Klith
sa të duash
mbi ashtin tim.
Mbi kraharorin tim
sa të duash
klith.
E në muzg klithmën tënde
mbyte në ujërat e këtij deti.
Të qetohem kur më mëshon shpirti,
me shijen e klithmës
në qiellzë e në gjuhë.

KUR STIVOSET VDEKJA
Ne sheshin e pazarit stivojnë në turrë degë të thata
Silvia Plath

Këto degë të thata nuk duhej të ishin stivosur këtu.
Është mesditë dhe e gjithë turma
do të kalojë këtejpari.

Pyll-fantazma do ta tmerrojë të përhënurin
me atë palcë tharë në asht.

Pastaj, ai do t’ia përcjellë përhënien turmës,
(si tejçohet rryma në një përcjellës elektrik).

Stivosja mund të bëhej edhe në sheshin e pazarit.
Por kurrsesi
kurrsesi
në mes të ditës.

KUADRAT
Nga njëra trajtë në tjetrën
lënda tjetërsohet
me shpejtësinë e dritës.

Në sy feks shtangia.

UJANË

Portokaj më dhuruan netët.
Portokaj dhe forma te heshtura trupash
që u shtangën në të vetmen pikë uji
mbi frut,
si ne nje ujanë të dirsur
këngëzimesh epshore…

PA KURRFARË MUNDI
Naime Beqirajt

Asgjë nuk vlen më tepër se heshtja.

(Kanë mbirë lulet dhe aty ku nuk duhet).

Guri shpërtheu ujë
pa kurrfarë mundi.

(Kanë mbirë lulet dhe aty ku nuk duhet).

Moisiu rron përherë
në kujtesën e shkopit.

(Do të thahen lulet dhe aty ku nuk çelën).

16.10.2010, Tetovë
KTHJELLIM

Kthjellohem përherë
në çastin e mbramë
kur flutura rreth llambës
është bërë shkrumb
dhe kurmi i saj
i kthyer ne hi
bie si vesë pluhuri
mbi pëllëmbën time.

Aherë shuaj dritën
dhe ndez vetëtimthi një shkrepse.

Alisa Velaj u lind më 1982, në Vlorë. Ka kryer studimet në Fakultetin Histori-Filologji për Gjuhë-Letërsi. Më 2008 ka mbrojtur Master pranë departamentit të Letërsisë me temën: “Katarsisi në prozën Kuteliane”
Ka botuar librat poetike: Themelet e erës dhe Drejt ajrit Tiranë, 2007. Ka botuar poezi në gazeta e revista letrare si: “Fjala”, “Poeteka”, Albania, etj. Eshte pedagoge ne universitetin “Aleksander Moisiu” te qytetit te Durresit.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi