Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Kristaq Shabani:RRUGËTIM PROFIL “PEGASI” INTERNACIONAL-E FOKUSUAR POETI DHE STUDIUESI BILALL MULLIQI

Shko poshtë

Kristaq Shabani:RRUGËTIM PROFIL “PEGASI” INTERNACIONAL-E FOKUSUAR POETI DHE STUDIUESI BILALL MULLIQI Empty Kristaq Shabani:RRUGËTIM PROFIL “PEGASI” INTERNACIONAL-E FOKUSUAR POETI DHE STUDIUESI BILALL MULLIQI

Mesazh nga Agim Gashi Mon Apr 04, 2011 9:48 pm

Kristaq Shabani:RRUGËTIM PROFIL “PEGASI” INTERNACIONAL-E FOKUSUAR POETI DHE STUDIUESI BILALL MULLIQI 49703_678723185_7208_n
Kristaq Shabani:RRUGËTIM PROFIL “PEGASI” INTERNACIONAL-E FOKUSUAR POETI DHE STUDIUESI BILALL MULLIQI

Kristaq Shabani:RRUGËTIM PROFIL “PEGASI” INTERNACIONAL-E FOKUSUAR POETI DHE STUDIUESI BILALL MULLIQI 208158_10150152324613186_678723185_6562403_1763503_n
RRUGËTIM PROFIL “PEGASI” INTERNACIONAL
E FOKUSUAR POETI DHE STUDIUESI BILALL MULLIQI , KRYETAR I KLUBIT LETRAR “FENIKS’ LUGINA E PRESHEVES
PJESËMARRËS DHE KUMTUES NË SIMPOZIUMIN NDËRKOMBËTAR “MUZA POETIKE PEGASI 2011” ME OBJEKT “ LIRIZMI NË LETËRSI” TIRANE- PRISHTINE
“LIRIZMI PATRIOTIK I POETËVE TË LUGINËS SË PRESHEVËS”



KËNDVËSHTRIM ORIGJINAL, VIZION, LIRIKË SOCIALE

Vështrim

ORIGJINALITETI I NJË VËSHTRUESI OBJEKTIV

(Bilall Maliqi “Hullive artistike”, Sh.b. “Kurora” Gjilan 2011, faqe 116).

Mr. Nazmi Beqiri

Vepra “Hullive artistike” e Bilall Maliqit, është një vepër brenda të cilës janë përfshirë njëzetë vështrime, afërsisht të po aq veprave letrare të një intervali kohorë të shkurtër (dy – tri vjet), të cilat vështrime i kishte botuar në revista e gazeta e që me shpërndarjen e tyre mbulojnë Kosovën Lindore, Republikën e Kosovës, Maqedoninë e më gjerë.
Para se t’i themi ca fjalë mbi vështrimet që u janë bërë veprave dhe çka kërkon brenda tyre autori i veprës “Hullive artistike”, para së gjithash do të përmendim zemërgjerësinë, guximin, interesin, dhe mos animet. Tek ai nuk mund të hasen fodullëqe dhe nuk është aspak kopjues e plagjiator.
Për derisa një punim mediokrish kacavirret e laviret para emrave të krijuesve të shumë njohur, brenda të cilëve vështrime mbi gjysma e asaj që e thonë në të është e marrur, huazuar, kopjuar e vjedhur nga kritik tjerë të njohur, autori i kësaj vepre është vështrimshkrues origjinal. Vepra e tij është shumëdimensionale. E para – Ai mbron, zhvillon dhe krijon lidhshmërinë shpirtërore të shqiptarëve të ndarë fizikisht, por i pa shkëputur në veprime e vlera të tjera të të gjitha fushave, e posaçërisht atë të informacionit dhe artit, ku duke i hapur “hullitë” e tija i bënë të paqena ndarjet e imponuara.
Natyrisht se autori, shumë më lehtë do ta kishte sikur t’i përvishej punës në një bibliotekë universitare apo të çfarëdo lloji qoftë, dhe ta jepte kontributin e tij mbi një grup shkrimtarësh të një lëmi apo gjinie letrare, me të cilin rast, ai jo që do të kishte bërë “hapjen” e përmendur, por do të mbyllte edhe veten brenda një çelësi shkencor. Ai gjithsesi e din edhe vet këtë, por e zgjodhi atë drejtim ku “me një gurë (të rënë), do të shkundte shumë arra”.
Çështja e dytë është se ai u bënë vështrime veprave të reja (të posa botuara) të krijuesve të rinj. Ai është kujdestar besnik i këtyre botimeve, duke u marrë me ta në mënyrë aktive, për t’u ndihmuar në përurimin e tyre, si dhe shpërndarjen dhe informimin e lulëzimit kulturor në fizikun e ndarë të shqiptarisë. E treta është se ai nuk del ndarës i kësaj vlere shpirtërore shqiptare duke u marrë vetëm me prozë apo poezi, por merr gjithçka që del e re, që shërben për ushqim shpirtëror, për lëvizje e takime të ndërsjella me regjionet e përmendura dhe brenda studimit (vështrimeve) të tij, ai merr poezi, prozë, frazeologji etj. Kështu, në veprën e tij ai i paraqet katërmbëdhjetë vështrime për poezi, në mesin e të cilave një prej këngëve popullore dhe gjashtë veprave me prozë. Në mesin e veprave autori i vështrimeve shndërrohet në një kërkues të gjërave, elementeve që atij i interesojnë më së shumti. Ai i përngjet një blete punëtore që vazhdimisht shëtit lule më lule, por merr vetëm atë kokërr poleni që i intereson apo që “prodhon mjaltë”. Me fjalë të tjera atij në çdo vepër të lexuar, e në veçanti të këtyre për të cilat ka bërë edhe vështrime, i intereson kulmi i vlerës së tyre që i kushtohet kombit shqiptar, pa të cilën vlerë veprimi shumëdimensional që përmendëm më lartë nuk do të kishte kuptim. Gjërat që i mbledh apo i veçon ai për citim janë me kuptim, me interes dhe me porosi të veçanta gjithëpërfshirëse. Madje i merr vetëm ato thënie nga vepra siç thotë ai vet “të cilat u bëjnë ballë edhe ndryshimeve të kohëve”. Ai edhe e gjenë vetën dhe tërësinë kombëtare brenda veprave të lexuara dhe i citon ato siç është rasti tek vepra “Kërkoj kohë të qetë” kur citon vargjet “nuk hesht edhe kur ndokush ma kthen tytën e pushkës”. Me të cilat vargje ai e përcjell porosinë e autores, se nga heshtja mund të del vetëm robëri e kurrë liri, dhe edhe pse ajo është me rrezik, por gjithsesi ia vlenë dhe menjëherë vazhdon me paraqitjen e lashtësisë kombëtare, i cili assesi nuk mund të mos ngadhënjejë dhe ajo do të vijë një ditë:


“Do të pres një ditë
Flamuri të valojë mbi kulla”.

Në këtë rast është interesant se ai me filozofinë e tij të pa zgjeruar në këtë vepër, përdor edhe terme të shumta me kuptime shumëdimensionale si për shembull “atdhemëmëdhedashuria”.
Ai shton, rritë e përcjellë porositë e marruara dhe jo vetëm këtë, por edhe i përforcon ato edhe me energji më të shumtë, të cilat porosi nuk mund të pranohen pa emocione, madje edhe me dhembje siç e thotë edhe ai vetë: “gjatë leximit, lexuesi do të ketë dhimbje siç pati poeti”.
Gjatë kësaj pune mbi librat që ai zgjodhi, nuk merret vetëm me atë se çfarë paraqesin ato, por bëhet edhe vet pjesë e tyre, madje nuk i mjafton që ato t’i vështrojë vetëm në tavolinën e punës, por të gjithë këto vepra të përmendura i shikon përnjëherësh në mënyrën imagjinative nga vështrime të llojit të shqiponjës e cila ngritet lartë dhe shikon çka don. Edhe autori i hullive ngritet edhe më lartë dhe shikon çdo “kënd të atdheut”.
Bilall Maliqi gjatë vlerësimit që u bënë këtyre veprave kryen shumë punë, ndër të cilat edhe atë të një kritiku letrar të mënyrës përcjellëse të botimeve kohore, që ndryshe quhen vështrime gazetareske mbi veprat, gjë që është e vërtetë ngase këto vepra nuk u studiuan në një moment ku mund të shtroheshin elementet e studimit, siç është krahasimi apo diç tjetër, me që të gjitha këto punime paraprakisht kanë qenë të gjitha të botuara nëpër gazeta e revista të kohës. Kjo as që i ikë autorit dhe duke qeshur me kritikët mediokër që mund të thonë ndonjë fjalë për këtë vepër, ai vë mbrojtjen e vet duke sqaruar shumë mirë se nuk kishte bërë lëshime, e as nuk i mungonte njohuria mbi kritikën letrare, dhe e quan veprën “Hullive Artistike”, i cili emërtim nga vet ai na bëhet me dije se libri e kishte kryer misionin e vet, madje edhe po jepte porosinë se mbi të gjitha “kullat” arbërore do të valojë një flamur, për të cilën punë duhet ta sakrifikojmë më të vlefshmen e më të dhimbshmen. Andaj autori ka bërë një punë të pamohueshme në drejtim të zbardhjes dhe ndriçimit të vlerave të pastra kombëtare dhe e presim me vepra të tjera.

Dr. sc. Faik Shkodra

PËRJETËSIMI I ÇËSHTJES KOMBËTARE NË VIZIONIN E STUDIUESVE DHE POETËVE

Shkrime të karakterit recensues

Bilall Maliqi, me veprën “Mbresa vrojtimesh”, paraqitet para lexuesve tanë si një vështrues i vëmendshëm, si një artist i kujdesshëm rreth dhënies së mendimeve dhe ideve mbi disa vepra të karakterit edhe shkencor edhe monografik, dhe të vëllimeve poetike të disa poetëve, disa prej të cilëve tashmë janë afirmuar e disa veç sa kanë nisur këtë rrugë, sa të vështirë aq edhe të rëndë për shumë arsye.
Gjatë leximit të librit “Mbresa vrojtimesh”, botim i Shtëpisë botuese “Kurora”, Gjilan 2010, me redaktor Nexhat Rexha e recensues Sinan Sadiku – kuptojmë kulturën dhe horizontin dituror të autorit, i cili në shpërfaqjen e mendimeve rreth përmbajtjeve dhe pikëpamjeve që autorët e veprave, si shkencore ashtu edhe poetike, kanë manifestuar brenda veprave të veta artin, që në mënyrën më të mirë dhe më të afërt të bëjë analiza dhe sinteza rreth fatit të njeriut, rreth të vërtetave që manifestohen rreth tij dhe për te. Natyrisht, në këtë punë kaq delikate duhet parë edhe realiteti i djeshëm dhe i sotëm, duhen parë dëshirat dhe vetëflijimet e njerëzve për lirinë kombëtare, dashuria për heronjtë, vetëbesimi i madh për gjuhën si shenjë e kombit, për vlerat e historisë, kulturën dhe traditën e popullit shqiptar nëpër kapërcyell të shekujve shumë tragjikë dhe të tmerrshëm për fatin e tij.
Të gjitha këto vlera Bilall Maliqi ka ditur t’i hetojë në shkrimet e tij, që, kuptohet, janë më tepër të karakterit recensues. Mënyra e trajtimit që u bën veprave të krijuesve na bën të kuptojmë se autori ka përgatitje dhe aftësi për t’i parë drejt e mirë vlerat e veprave si në rrafshin edukativ, arsimor, estetik, filozofik dhe gjuhësor të krijuesve, veprat e të cilëve i ka bërë objekt trajtimi e vlerësimi.
Libri “Mbresa vrojtimesh” është i mirëseardhur për lexuesit tanë, sepse brenda tij janë parë mjaft aspekte që lidhen me shumë çështje të artit dhe të riprodhimit të realitetit jetësor në realitetin artistik a shkencor.
Autori veprën e ka ndarë në pesë pjesë: Përsiatje vlerash, Hulli nëpër vargje I, Hulli nëpër vargje II, Muzikaliteti nëpër kohë, dhe Nevoja për zgjidhjen e dilemës. Të gjitha këto pjesë shquhen për karakteristikat e lëndës së trajtuar brenda 111 faqeve të librit.

Njohës dhe zbërthyes i matur i çështjeve qenësore

Bilall Maliqi, duke ruajtur kronologjinë e trajtimit të ngjarjeve ka bërë mirë që brenda vetë lëndës ka ndarë veç e veç veprat e studiuesve dhe veprat e poetëve dhe mbi këtë bazë ka arritur të krijojë hapësirë reale për shfaqjen e vlerësimeve dhe të mendimeve mbi temat, motivet, ngjarjet, personazhet dhe vizionet e krijuesve të vëllimeve.
Në veprën e Bilallit bëhet fjalë për këta studiues dhe poetë: Ali D. Jasiqi me veprat: “Pesëdhjetë shkrime për poezinë” dhe “Tridhjetë e një shkrime për prozën, “Studime e të tjera”, dhe autori vazhdon me veprat e këtyre autorëve: Sokol Demaku “Baladë e përflakur” (Antologji poetike – Bukuresht), Sabit Rrustemi, “Prekje hyjnore”, Nexhat Rexha “Dhembja kujtesë”, Hysen Këqiku, “Melodi e pritjes”, Lumnije Thaçi – Halili, “Mesudha”, Fehime Selimi, “Kohë shirash”, Adnan Mehmeti, “Deti në mes”, Haxhi Vokshi, “Liria këndon vetë”, Shqipe Hasani, “Premtimi i lënë peng”, Mexhid Mehmeti, “Pallati me yje”, Jonuz Fetahaj, “Nuk është jeta cimilim”, Demir Behluli, “Zogëza e gjyshit”, Xhemë Karadaku, “Nipi i Don Kishotit”, Demir Krasniqi, “Krenaria e Gollakut”, Dr. Jahi Staneci, “Fjalor i gjeomorfologjisë”, Prof. Dr. Ramiz Abdyli e Prof. Ismet Bajrami, “Fjalor historik” dhe vepra e autori i fundit Mr. Eroll Sejdiu, “Praktikum i gjuhës shqipe”.
Gjatë shfaqjes së mendimeve, dhënies së vlerësimeve dhe të gjykimeve për vlerat ideoestetike dhe tezave shkencore të veprave të sipërthëna, kuptojmë se autori në të shumtën e herës del konkret, del njohës dhe zbërthyes i matur dhe realist i çështjeve më qenësore që mbruhen brenda subjekteve të poezive a temave të karakterit shkencor.

Konstatime dhe vlerësime të qëndrueshme

Këto Bilalli i arrin duke iu referuar shembujve, argumenteve dhe të dhënave objektive që lidhen me lëndën, qoftë shkencore, qoftë poetike. Kujtojmë se Bilall Maliqi, përmes shembujve konkretë që i demonstron gjatë trajtimit të subjekteve të poezive a trajtesave shkencore, i bën më të qëndrueshme konstatimet dhe vlerësimet, ngase për këtë, siç është thënë nga një studiues me dije e përgatitje për poezinë shqipe, “Metoda e analizës është bashkëkohore, e kapshme dhe jep mundësi për një pikënisje shkencore duke zënë fill nga më thelbësorja e duke mbajtur gjithmonë parasysh se letërsia, si art i fjalës, do analizuar edhe si e tillë, me mjetet shprehëse, me funksionet e tyre, në lidhje të ngushtë midis përmbajtjes dhe formës”.
Vepra “Mbresa vrojtimesh” është realizim i suksesshëm dhe si e tillë vjen më e plotë e më e drejtpërdrejtë me vlerësime dhe konstatime të drejta, të qarta dhe të qëndrueshme si në aspektin teorik, ashtu edhe në atë kritik dhe estetik. Kudo në vargjet e poetëve të vëllimeve të tyre shihet bota e madhe dhe e pasur poetike, emocionale, imagjinative dhe mendore e tyre, qoftë ata që shkruajnë për të rriturit, qoftë ata për fëmijë. Për më tepër, Bilalli ka bërë përpjekje të hedhë dritë mbi frymëzimet, mbi përjetimet, mbi preokupimet, mbi botëkuptimet dhe mbi botën ndjenjore dhe mendore të poetëve, të cilët objektivisht në vargjet e veta kanë shfaqur qëndrimin ndaj realitetit, mallit për atdheun, vendlindjen dhe gjithçka tjetër që është e bukur, e dashur, fisnike, humane, për atë që është e lidhur me tokën, me gjakun e të parëve, me Atdheun, me historinë, me traditat dhe me gjuhën e bukur shqipe, me nderimin deri në amshim për heronjtë, martirët, për të rënët dhe për kujtimin e paharruar për të gjithë njerëzit tanë të afërt apo të largët!
Duke i lexuar shkrimet e bëra për krijuesit dhe studiuesit brenda këtij libri, mësojmë se Bilall Maliqi ka dije nga fusha e teorisë së letërsisë dhe historisë së letërsisë, ndaj di të inkorporojë edhe çështje që i përkasin fushës së estetikës si disiplinë e së bukurës, që rrezatojnë arti i fjalës dhe vargu poetik. Edhe nocionet shkencore di t’i përdorë drejt e me veçanti gjuhësore.
Themi kështu, se nga vështrimet dhe qasjet që u bën veprave dhe vëllimeve të krijuesve kuptojmë se, duke qenë vetë poet, e ka të qartë të vërtetën që e kanë pohuar shumë poetë të mëdhenj, edhe botërorë edhe të Rilindjes, se poezia aq sa do frymëzim spontan, aq do mjeshtëri, përkushtim, durim, përgjegjësi për ta shkruar, njësoj do njohje, mjeshtëri dhe aftësi për ta lexuar e për të hyrë në botën meditative komplekse të saj.

Vërejtje që sugjerojnë kapjen më me mjeshtëri të jetës

Këto fakte bëjnë që të konstatohet se poetët duhet të jenë sa më të thellë në ndjenja e mendime, ngase poezia në rend të parë duhet të mbruhet me lëndën e jetës që shpreh realitetin shoqëror dhe shpirtëror të njeriut. Jo rrallë poezitë e krijuesve tanë, sidomos atyre fillestarë, vuajnë nga eksperimentimi i vargut, nga mosnjohja e metrikës dhe ritmit, krijojnë paqartësi dhe përzierje metrash, e vrasin vargun me përdorimin e fjalëve të paqarta dhe të tepërta dhe për këtë arsye të tilla lëshime lidhen me retorizmin dhe publicistikën. Pra, shumë herë poezive u mungon ritmi i brendshëm, u mungon pasuria e imazheve dhe fuqia e mendimeve.
Kur lexojmë vështrimet e Bilallit, sikur ndeshim këto vërejtje të autorit të librit, vërejtje që sugjerojnë poetët për një punë më këmbëngulëse drejt kapjes më me mjeshtëri të jetës dhe të krajatave të njerëzve, psikologjisë së tyre dhe urtësisë së tyre të shprehur përmes trajtave të krijimtarisë popullore. Për këto fakte dëshmojnë fjalët e A. Shkrelit, se “Poezia vazhdimisht kërkon praninë tënde, nuk do ajo që ta lësh vetëm dhe do që t’i besosh, ta ndiesh. Poezia është vetëm rrëfim i gjendjes emocionale. Është e ndodhura brenda teje, atë të ndodhur duhet ta bartësh tek lexuesi, duhet ta dëshmosh, e pa këtë dëshmi, nuk ka besim mes lexuesit dhe poezisë”.
Marrë në përgjithësi, vepra “Mbresa vrojtimesh” e Bilall Maliqit është e rëndësishme dhe mendimet e gjykimet e dhëna mbi vlerat e aspeketet e shumta që ndërlidhen në veprat e karakterit shkencor dhe të vëllimeve poetike që janë bërë objekt trajtimi në vepër, flasin më së miri se autori ka mundësi dhe afinitet për t’u marrë me kritikën letrare, ngase prej punimeve të paraqitura në libër shihet se ka fantazi, ndjenja e intuitë poetike, ka edhe aftësi të tjera për të trajtuar aspektet ndër më të ndryshmet që frymojnë brenda veprave artistike.
Në fund, autorin e përgëzojmë për punën e bërë, duke i dëshiruar suksese të reja në punën hulumtuese shkencore dhe atë artistike, në nxjerrjen në dritë edhe të veprave të tjera, qoftë me trajtesa, qoftë edhe me vargje poetike!


NJË LIBËR I RRALLË ME LIRIKA SOCIALE
(Bilall Maliqi “Lutje të lagura”, botoi “Kurora”, Gjilan, 2009, fq. 54)

Nga Sinan Sadiku

Bilall Maliqi tashmë është emër i njohur nga pena e të cilit janë shkruar disa libra me poezi për të rritur dhe për fëmijë, por ai ka shkuar edhe libra me tregime edhe për të rritur e edhe për fëmijë, e ka botuar një libër me intervista me shkrimtarë, e të tjera. Me një fjalë Bilalli është krijues i gjithanshëm dhe produktiv që vjen nga Presheva, i cili tashmë ka bërë emër.
Libri poetik “Lutje të lagura” i autorit Bilall Maliqi në aspektin tematik-motivor është një libër i rrallë i shkruar në këto dy dekadat e fundit, në poezitë e të cilit shprehet dhembja e autorit për vuajtjet dhe sfidat shumëherë të pakalueshme nëpër të cilat kalojnë shtresat më të varfra të shoqërisë shqiptare. Edhe pse mbi gjysma e popullatës tonë jetojnë në varfëri, ndërsa një pjesë e madhe e tyre në varfëri të skajshme, të rralla janë librat me poezi të cilat ia kushtojnë ndonjë varg kësaj plage të rëndë shoqërore. Realisht ky është një absurd në vete të cilin e ka thyer Bilalli duke ia kushtuar të gjitha poezitë e librit kësaj tematike. Pasojë e varfërisë janë: vuajtja, mjerimi, mërgimi, sëmundjet dhe vdekjet e parakohshme, janë shumë e shumë tragjedi me të cilat po përballet një pjesë e kombit. Më e freskëta nga këto është tragjedia në lumin Tisa e cila megjithatë buron nga varfëria. Këtë lloj të tragjedive që jo rrallë po e përjetojnë njerëzit tanë na e përkujtojnë vargjet: “Uji/ rrëmbimshëm/ bartë ëndrrat e tyre” (Në perin e kohës, f 26). Të gjitha këto çështje të cilat shpeshherë rrjedhin nga varfëria nuk e ka lënë pa i prekë autori, herë në mënyrë të tërthortë e herë në mënyrë të drejtpërdrejtë, herë në mënyrë më të mbyllur e herë në mënyrë më të hapur, kuptohet me mjetet që ia lejon poezia dhe stili i tij, figuracioni dhe konteksti, si dhe gjuha asociative.
Përveç në aspektin tematik libri është i veçantë edhe në aspektin e shprehjes artistike, në aspektin e gjuhës poetike dhe në përgjithësi të figurave të cilat autori i ka zgjedh me përkujdesje dhe punë të durueshme për t`i shkruar vargjet, poezitë dhe librin në tërësi dhe për t`i shpreh ndjenjat, mendimet, vizionet dhe dëshirat e veta. Libri është një tërësi mirë e organizuar e pandarë në cikle, ku secila poezi është qenie në vete dhe të gjitha së bashku e bëjnë librin poetik. Pra nuk kemi të bëjmë me një përmbledhje të vjershave ku poezitë janë grumbulluar dhe janë përfshi pa ndonjë koncept, por kemi të bëjmë me një libër poetik në të cilin gjithçka është e vendosur në vendin e vet dhe nuk ka as teprica e as mungesa.

Vargje kushtuar shtresës më të varfër të shoqërisë

Siç shkrova më lartë poezitë e librit në tërësi i kushtohen shtresës më të varfër të shoqërisë, asaj shtrese e cila jeton në vuajtje dhe mjerim të plotë: lypësve, të cilëve “Vetëm rreze dielli/ ju mblidhen nëpër duar” (poezia “Zgjimi i molisur” faqe 33), ose “Në gropëza/ të lypsarit bonjak/ loti shumëzohet” (poezia “Lypsarit bonjak” f 28); fëmijëve të uritur: “Djepi me dërrasa/ (s)e rehaton/ fëmijën e uritur” të cilin “ninulla e përlotur/ për një çast e gjumos/ nga çastet e liga” (“Ninulla e përlotur” faqe 39); të uriturve në përgjithësi: “për gjëmat e ngrira/ e zërat që nga uria/ epokën e re shpojnë/ fjalët nuk mjaftojnë” (Dihatje të avulluara, f 14); të sëmurëve nga skamja, varfëria, mjerimi: “Eshtrat e fytyrës / mbështjellë/ me të verdhen lëkurë” (Panorama, f 22); atyre të cilët për shkak të mjerimit vdesin para kohe: “mjerimi shterr/ ofshamat e fundit/ rreth gurit/ sillet mordja” (Rreth gurit, f 16), ose “Prapë vdekja e sheh/ veten në pasqyrë/ trembet nga rrudhat/ që skamja ia stolis” (Ngushëllime, f 17), pastaj “Mordja me dhëmbë/ hap edhe një gropë/ e vet nuk bie” (Në zezënatë, f 19), për të vijuar “shpresat e ndukura/ ngadalë gërryejnë ashtin/ derisa vdekja/ lehtas t`i gëlltisë” (Shpresa të ndukura, f 30); si edhe fëmijëve të dëshmorëve të rënë në luftë me armikun: “Bonjakë të mbetur/ nga frontet e (I)lirisë/ gostiten me lot qielli” (Në harten e bamirësisë, f. 12).

Veçantia e shprehjes poetike

Siç e dimë për temën e mjerimit, të varfërisë, të skamjes kanë shkruar kaherë poetët tanë. Për këtë tematikë veçmas ka shkruar poeti ynë i madh Migjeni i cili nga disa studiues është quajtur “Poet i mjerimit”. Sado që tematika për të cilën shkruan Bilalli është e ngjashme me atë për të cilën ka shkruar Migjeni; edhe sa i përket shprehjes poetike, edhe sa i përket ndjeshmërisë dhe mënyrës së shprehjes së asaj ndjeshmërie, edhe sa iu përket bindjeve filozofike, edhe sa iu përket vargjeve, mund të themi se Bilalli është i veçantë, e ka stilin dhe natyrën e vet poetike e cila nuk është e ndikuar as nga Migjeni e as nga ndonjë poet tjetër. Gjuha poetike e Migjenit, ajo e pjesës më të madhe të poezive të tij është më e drejtpërdrejtë, më e hapur dhe më komunikuese edhe me ato shtresa të lexuesve të cilat me poezinë nuk merren në mënyrë më profesionale, ndërsa gjuha poetike e Bilallit është më e përmbajtur, më e mbyllur, më hermetike. Të mos keqkuptohemi, Migjeni ka qenë dhe mbetet njëri ndër poetët më të shquar shqiptarë i cili e ka individualitetin dhe stilin e vet, por kur e bëra krahasimin desha të them se Bilalli shkruan në një kohë tjetër, me një stil tjetër , apo më mirë të themi modeli poetik i Bilallit është krejt tjetër nga modeli poetik i Migjenit dhe nuk vërehen ndikime. Megjithatë, fatkeqësisht, duke e pas parasysh varfërinë dhe mjerimin që është shumë i pranishëm në shoqërinë shqiptare, poezitë e Migjenit edhe sot e kësaj dite tingëllojnë po aq aktuale sa edhe në kohën kur janë shkruar dhe në këtë aspekt (të aktualitetit) edhe për kohën në të cilën jetojmë ne, deri tani janë të pakalueshme dhe do të jetë vështirë të arrihen e edhe më vështirë të tejkalohen. Megjithëse e njëjta gjë mund të thuhet edhe për shumë aspekte të tjera të poezisë së tij.
Siç shkrova më lartë gjuha poetike me të cilën Bilalli i ka shkruar poezitë është në tërësi gjuhë figurative edhe atë gjuhë e një figuracioni të dendur, në të cilën barrën kryesore e bartin dy figura: metafora dhe personifikimi, të cilat janë të kombinuara dhe shpeshherë e pasurojnë njëra-tjetrën. Figurat shtrihen në tërë poezinë dhe në librin si tërësi dhe thuaja nuk ka mundësi të ndahen as për qëllime të analizës dhe studimit. Thjesht ato janë vet poezia.
Kur jemi te shprehja poetike të mos e lëmë pa përmend faktin se në vargjet e librit “Lutje të lagura” nuk sakrifikohet ana estetike në dobi të anës semantike, siç ngjan te shumë poet, por artikulimi i ndjenjave, mendimeve, mesazheve, dëshirave, vizioneve... bëhet me një gjuhë të ngjeshur figurative herë herë gati hermetike, gjë kjo që poezitë e librit i bënë jo aq komunikuese, gjegjësisht bënë që ato të shijohen vetëm nga një shtresë e njerëzve të cilët me poezinë merren më gjatë, të cilët poezinë e kanë pasion ose profesion. Në pikë të fundit, poezia e mirë sot thuaja çdo kund në botë, shkruhet për një shtresë të zgjedhur të lexuesve.

Mesazhi për barazi sociale

Poezitë e librit “Lutje të lagura” janë lirika sociale në të cilat shfaqet dhembja e autorit për mjerimin, vuajtjen e shtresave me të varfra të shoqërisë, dhembje kjo e përjetuar thellë dhe e shprehur me mjete të poezisë, pa atificializma e shtirje, në të cilat shfaqet dëshira e autorit që kjo plagë e shoqërisë të shërohet. Në shumicën e poezive shohim portrete të lypësve, të njerëzve të uritur, të njerëzve të sëmurë, të njerëzve me shpresa të humbura, të njerëzve të molisur, të njerëzve që i pret vdekja e sigurtë ose edhe të atyre që kanë vdekur para kohe, të cilat portrete poeti i ka pikturuar me mjeshtëri, me dashamirësi dhe me dhembje, fotografia e të cilëve na del përpara gjatë leximit sikur të ishin piktura. Sa do që poezia e Bilallit është figurative e në një masë bukur të madhe edhe e mbyllur, lexuesi i kujdesshëm nuk e ka vështirë ta zbërthej atë edhe sa i përket anës semantike dhe ta gjej mesazhin e saj dhe përveç dhembjes ta gjejë edhe pakënaqësinë, protestën dhe kërkesën drejtuar shkaktarëve të saj dhe njerëzve të tjerë që kjo gjendje, kjo situatë tejet johumane të ndryshohet.
Dëshirat e autorit shprehen shumë çartë në poezinë “Të zbresë mëshira”

E përflakura dëshirë
Lundron në kujtesën time

Shpirtave të molisur
Të shtegtojë gëzimi

Pikëllimi të ndërrohet
Me shpresën

Nga dora në dorë
Të zbresë mëshira…

Po ashtu autori nuk e lë pa i përmend edhe shkaktarët e mjerimit, çështje kjo që shihet qartë te poezia “Nëpër kujtesën time”

Notojnë duarshtrirët
E rrahur nga motet

Shpërthejnë lotët e dhembjes
Paria vë syzet e nxira – kotet

Kafshuar u janë fatet – medet
Kuçedra ua grisi ëndrrën

Barkmëdhenjtë pa mëshirë
Përbiruar kanë zhgjëndrrën

Edhe këtë ditë
Pëlhurën e vodhi era

Në njëfarë mënyre dhembja, pakënaqësia janë edhe një lloj i protestës ndaj gjendjes së mjerë të të varfërve, protestë kjo e cila bëhet më e qartë dhe më konkrete në vargjet “Shpërthejnë lotët e dhembjes/ Paria vë syzet e nxira – kotet”. Në këto vargje vihet në shënjestër shkaktari i mjerimit që shprehimisht thuhet se është Paria. Kjo çështje shprehet hapur edhe në poezinë “Ashtu si në vargjet e poetit”, njëra ndër poezitë më të drejtpërdrejta të librit së bashku me poezinë “Të zbresë mëshira”. Në të dy këto poezi shprehen hapur dëshirat e poetit në njërën, dhe pakënaqësia e cila kalon në protestë në tjetrën.

Hej, o ju që në arkat e mbushura
Me djersë skamnori e punëtori
Mbështilleni me dredha fjalësh
Lëkurën rjepur ua keni
Fatin ua keni varur n`litar


O ju barklëshuar
Ëndrrat pamëshirshëm ua përtypët
Mbi kurrizin e tyre ngarkuat
Dhembje e ofshama
E djersët e ftohta
Ua fshijnë vetëm muzat

Në një mënyrë mund të themi se në të gjitha poezitë e librit dhe nga libri si tërësi del mesazhi gjegjësisht kërkesa për një barazi sociale, për një ndarje më të drejtë të pasurisë nacionale, por edhe konstatimi se “shtresat i barazon/ hapësira bamirëse/ vetëm me ujë e ajër...” (“Vetëm ujë e ajër, f. 36) edhe pse kisha thënë se tashmë kjo nuk vlen për ujin e nuk di çka të them për ajrin!
Kur jemi te një lloj krahasimi midis poezisë së Migjenit dhe asaj të Bilallit, të mos lëmë pa e përmend se fajet për mjerimin Bilalli i gjen te udhëheqësit, apo më mirë të them te sunduesit tanë, ndërsa siç e dimë Migjeni përveç te udhëheqësit fajin e shihte edhe te kishat, te xhamiat dhe te vet Zoti. Pra derisa Migjeni ishte kundër mëshirës dhe kundër vet Zotit, Bilalli është me Zotin dhe kërkon që “nga dora në dorë/ të zbresë mëshira...” (Të zbresë mëshira, f. 27). Po ashtu në poezitë e Migjenit shpërthen një revoltë e hapur kundër autoriteteve shoqërore si shkaktare të mjerimit, ndërsa te poezitë e Bilallit vijnë në shprehje pakënaqësia dhe protesta, të cilat nuk kalojnë në revoltë të hapur, dhe duket se maturia dhe të përmbajturit janë karakteristika të natyrës dhe temperamentit të tij, të cilat e disiplinojnë edhe vargun, edhe shprehjen poetike.

Përmbyllje

Në fund mund të konstatojmë se libri “Lutje të lagura” i autorit Bilall Maliqi është një libër i suksesshëm, i shkruar me një gjuhë të mirëfilltë poetike, me figura të gjetura dhe të kombinuara me kujdes e shije të veçantë, në poezitë e të cilit shpaloset dhembja e përjetuar thellë e autorit për vuajtjen dhe mjerimin që e ka kapluar një shtresë jo të vogël të shoqërisë tonë; është një libër që dëshmon se autori tashmë e ka krijuar individualitetin poetik, e ka krijuar stilin e vet mjaft origjinal dhe ka shkruar poezi të cilat me vlerat e tyre poetike ia bëjnë një vend të mirë në hierarkinë e poezisë së sotme shqipe.

Poezi nga Bilall Maliqi

VETMIA JOTE

Ditët rrëshqasin nëpër damarë kohe
Stina e fillimit prekur kishte mallin

Shtigjeve të arnuara ngjitet shpresa
Hipur në kal të bardhë ashtu molisur

Pegasos prerë ia kishin krahët
S’ka më fluturim deri te vetmia jote

Në cilin vend ta kërkoj mbylljen tënde
Ta liroj gishtin e robëruar me atë rreth

Që vjedhur na i kishte buzëqeshjet
Fjalët ndërruar me heshtje memece

Lumdashurinë ma përbiu Korb(i)zi
Krrakama trembur kishte dhe ëndrrën

Tani dëshirat për ditën e Madhe
Derdhur ishin si uji nga shtamba …


I THASHË MALLIT

I thashë mallit dil prej Lumakelit
Shkundu mirë nga pluhurkoha

Legjenda e ëndërrimit të vardiset
Imi mall i shkapërderdhur ndër mote

Në pikalotin e plasur derdhet dhembja
Narcisi zgërdhihet me moton e urrejtjes

Në mes mëkatarësh dashuria pahitet
Lutjemirat futen në arkën e vjetër

Engjujt le ta shfletojnë libërshenjtin
Për t’ia larguar kurthin malldashurisë…


NË SHTIGJE TË HAKMARRJES
(Ruaju Fati im)


Sa shumë përplasur të kanë Fati im
Maratonë lehje ndarjezemrash

Në xingonë të errët mëkatarja
Me bohçe nusërie do përbirohet

Mallkuar do të jet nga engjujt
Klithmat e saj do trembin kohën

Vuajtjeshpirtin e gërryen me thonj
E me gjakdashurinë pikturon dhembje

Fati im ruaju nga shpirti që ndjell zi
Që dashurinë e peshon në kanarin e urrejtjes

E ti mbështjellur me lëkurë mëkatari
Do të futesh në shtigje të hakmarrjes…


DECENIET SHKUNDEN

“Dashuria është e shenjtë, mos e dëmto!...”)

Të njoh nga pëshpëritjet e para
Tek filloi fjalëmbla dashuri

Saherë afrohet kujtesa tinzare
Deceniet shkundin lotmallin

Tani mote(t)ona derdhen
Në librin e lashtë të kujtimeve

Kanuni do të shtrydhet
Në membranat o kohës

Përmes ëndrrës së djersitur
Dashuria shndrrohet në Feniks…


LISI PLAK

Sa thellë rrënjë lëshuar ke
Sa pashë stuhi munduar të kishin

Me sa gjuhë pushtuesish kuvendove
Lisi moçëm në degët tua korba s’durove

Lisi plak në Karadak çerdhe trimash
Halldupët i le jashtë tëndes ombrellë

Tëndin trung shekulli ta mbështjell
Me të ndryshme stuhi e lavdi

Lisi + plisi madhështi…


TOKA JONË

Në këtë stinëmot po të vdes
Kënga e pakënduar do më përcjell
I dashuruar në Ty atëmëmë(dhe)

Po të vdes pa mbaruar vargun
Do të shtrihem në bark engjulli
E vargu im do ta merr bekimin

Liria le ta mbyll gjakmarrjen
Pushkët le të varen në cep të motit
Kullat e errta t’i dritësoj koha

Me këto dallgë ëndrrash malli
Fluturoj në shpinë të Pegasos
Atëherë le të më merr vdekja

Vdekja le të më merr në krah
Të më futë thellë në damarët
E saj. Toka jonë, koka jonë…


NË KUJTIM TË SERTËS KOHË

Shpinën ia ktheva kohës së vrarë
Varret i lulova që hapur i kishte

Në mes të stinëve ngreha përmendore
E në të gërryejta të ligat e motit

Kohërat i këputën lulemirat
S’ka më erëlulekuqe për breznitë

Aromën e saj e treti erëzeza furi
Me këngën e zogut të plagosur

Tani krismat e kambanave tubojnë
Eshtravarret n’kujtim të sertës kohë…


AMANETI I PAKRYER

Rrëshqitën lindjevdekjet
Në akullin e kohës stuhi

Shndërrohej i ziu mot
Në mordje e hapjevarre

E në epitafe të gërryer
Amaneti i (pa)kryer

E jataku mbledh emrin liri
Inkarnuar në shpirt Atdheu…


Jatak-u-strehë për atë që fshihet
E që ndiqet nga autoritetet e një shteti


MAS HAPAT E MI

Në xhamat e djersitur
Ilustroj dhembjeshumë

Mas hapat e mi
Në relievin e prerë

Ofshamat i numëroj
E i peshoj n’peshore malli

Shtrihem qetë në ëndërr
Në skenë të përlotur

E në ballë bardhplisi
Shkrova fjalën bashkim…


RRËNJË TROLLI

O At edhe më tej i yni dhe
I ndarë është nga i madhi atdhe

Të parët Dardan në këto anë
N’arena të gjakosura jetën dhanë

Gjenealogji me rrënjë trolli
Frymë erëzeze nuk i drodhi

Sa lotgjak derdhur janë
Në rrënjë trungu pikuar kanë

Në këtë tokë me puçrra plot
Epitaf i gërryer nëpër mot…
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi