Qosja: Lulzim Basha është vrasës
Faqja 1 e 1
Qosja: Lulzim Basha është vrasës
Rexhep Qosja (Foto: Express)
Qosja: Lulzim Basha është vrasës
Nga Express më 19 prill 2011 në ora 15:42
Një kandidaturë dhe tri deklarata më kanë lënë pa gojë, por pas disa ditësh, kur një mik i çmuar dhe i dashur nga Tirana më tha të mos çuditem se në këtë kohë të gjitha, ama bash të gjitha, janë të mundshme, unë e mora veten dhe e bëra këtë shkrim me të cilin edhe më shumë do ta rris numrin e pretorianëve të sundimtarit të përtashëm, të cilët do të hudhin shumë shigjeta në kokën time.
Dhe, për titull të shkrimit e vura, pak të ndryshuar, pikërisht togfjalëshin ngushëllues të mikut nga Tirana: a është e mundshme? A është e mundshme të bëhet një kandidaturë e tillë dhe a është e mundshme të jepen deklarata të tilla?
Në vend se në hetime - kandidat për kryetar të kryeqytetit
Anëtari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, është njëri prej anëtarëve të rrallë të kësaj partie, ndoshta i vetmi anëtar i kësaj partie, i cili brenda pak vjetësh i ka ndërruar tri poste ministrore, kurse tani është kandidat edhe për postin e katërt pak më të rëndësishëm sesa postet ministrore që kishte. Herën e parë ishte ministër i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit; herën e dytë ishte ministër i Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë; mandej, herën e tretë, u bë ministër i Brendshëm; kurse tash, herën e katërt, është kandidat për kryetar të Bashkisë së kryeqytetit të Shqipërisë - Tiranës.
Në vendet e zhvilluara, sikundër janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shtetet e Bashkimit Evropian - Gjermania, Franca, Britania e Madhe, Spanja, Holanda, Suedia, Norvegjia, Danimarka, këto piruete nëpër poste të ndryshme ministrore prej të njëjtit person sidomos për një kohë ashtu të shkurtër, do të ishin të pamundshme. Në këto vende, me tradita shtetërore dhe demokratike, asnjë vetje politike nuk shpallet i aftë për punë ministrore në të gjithë sektorët shtetërorë. Jo. Atje shkollimi, profesioni, dhuntia politike organizuese dhe, para të gjithave, integriteti moral politik, e përcaktojnë kandidatin për post politik shtetëror. Atje nuk mund të ketë anëtar partie "të aftë" për të gjithë sektorët ministrorë, sepse atje as vetë individët nuk pranojnë të bëhen ashtu lehtë të përdorshëm për çdo gjë, as vetë partitë e tyre nuk i përdorim ata ashtu lehtë për çdo gjë! Kjo mund të ndodhë, siç po ndodhë, sot për sot, vetëm në Ballkan, ndoshta vetëm tek ne, ku përdorimi dhe poltronizmi janë taktika dhe etika e përparimit politik.
Edhe më e pakuptueshme sesa gatishmëria e Lulzim Bashës që brenda një kohe fare të shkurtër, brenda disa vjetësh, të pajtohet që të bëhet ministër "i aftë", i pazëvendësueshëm, në tre sektorë të ndryshëm shtetërorë, duke u bërë ashtu nuse për Stasin e Partisë Demokratike, është pajtimi i tij dhe i udhëheqjes Demokratike që ai tani të jetë i propozuar kandidat për kryetar të bashkisë së Tiranës!
Pse mund të thuhet kështu?
Në protestat e Partisë Socialiste dhe të qytetarëve të tjerë pas 21 janarit 2011 kemi parë më shumë se tri pankarta në të cilat shkruante Lulzim Basha - vrasës! Në mediat elektronike kemi dëgjuar dhe në disa gazeta të Tiranës jo njëherë kemi lexuar se si ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, akuzohej si fajtori kryesor për vrasjen e katër protestuesve në protestën e 21 janarit, të cilët, siç është dëshmuar tashmë, janë vrarë prej gardistëve jashtë perimetrit të ndërtesës së Qeverisë, në të cilën gjendej soditësi kryesor i protestës, kryeministri Sali Berisha!
T'i lëmë mënjanë për një çast ato që për ministrin e Brendshëm, Lulzim Basha, shkruante në ato pankarta dhe ato që për të dëgjoheshin dhe shkruheshin në mediat elektronike dhe në disa gazeta të Tiranës, t'i lëmë anash ato dhe të gjykojmë vetë.
Është e vërtetë se gjatë protestave të 21 janarit Lulzim Basha ishte ministër i Brendshëm i Republikës së Shqipërisë.
Është e vërtetë se ditën kur u vranë katër protestues jashtë perimetrit të ndërtesës së Qeverisë, Lulzim Basha ishte ministër i Brendshëm i Republikës së Shqipërisë.
Është e vërtetë se vrasja e atyre katër protestuesve jashtë perimetrit të ndërtesës së Qeverisë nuk ka mundur të ndodhë pa dijen e ministrit të Brendshëm i Republikës së Shqipërisë, Lulzim Basha e, meqenëse ministri të Brendshëm i Republikës së Shqipërisë, është treguar partiak shumë i bindshëm, shumë i dëgjueshëm, shumë i përkushtuar ndaj kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, atëherë mund të thuhet se vrasja e katër protestuesve nuk ka mundur të ndodhë pa qenë i vënë në dijeni edhe kryeministri se do të shtihej me armë ndaj protestuesve.
Këto të dhëna, që janë të vetmet të vërteta për mendjen objektive politike, deshëm s'deshëm ne, deshi s'deshi udhëheqja e Partisë Demokratike të Shqipërisë, deshi s'deshi kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, deshi s'deshi ministri i Brendshëm i Republikës së Shqipërisë, Lulzim Basha, e bëjnë ministrin e Brendshëm të Republikës së Shqipërisë, Lulzim Bashën, kandidat për hetim nga Prokuroria e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë në lidhje me vrasjen e katër protestuesve më 21 janar 2011.
Në vendet demokratike, në vendet në të cilat, si tha kryetari i Francës, Nikola Sarkozi, protestuesit nuk vriten prej policisë dhe gardistëve, domethënë prej shtetit, as kur bëjnë protestë të dhunshme, ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha, tashmë do të duhej t'i ishte marrë imuniteti i deputetit dhe do të duhej të ishte në dispozicion të Prokurorisë së Përgjithshme për hetime për shkak të vrasjes së katër protestuesve në protestën e 21 janarit. Mund të hamendjesohet se në një vend vërtet demokratik, në të cilin institucionet e pavarura janë vërtet të pavarura, hetimet ndaj ministrit të Brendshëm, Lulzim Bashës, tashmë do të duhej të ishin kryer dhe ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, tashmë do të duhej të ishte duke vuajtur fajin politik, juridik dhe moral për vrasjen e katër protestuesve në protestën e 21 janarit.
Por, shikuar nga ana morale dhe humane, ministri i Brendshëm i Republikës së Shqipërisë, Lulzim Basha, është fajtor jo vetëm për vrasjen e katër protestuesve dhe keqtrajtimin e shumë protestuesve të marrë në hetime a të burgosur, por edhe për vetëvrasjen e para disa ditëve të birit njëzetedyvjear të njërit nga protestuesit e vrarë.
Nuk ka dyshim se të gjitha këto të dhëna janë të mjafta, madje, më tepër se të mjafta, që në një vend demokratik evropian të mos i shkojë kujt mendja që një zyrtar të tillë ta propozojë për kryetar të bashkisë së kryeqytetit apo të cilitdo qytet tjetër të vendit. Në çdo vend demokratik evropian dhe joevropian, propozimi i një ish zyrtari të tillë për kryetar bashkie të kryeqytetit a të cilitdo qytet tjetër do të shikohej si provokim që u bëhet qytetarëve. Është fyerje për ndërgjegjen e tyre, për integritetin e tyre politik dhe moral, është fyerje për qytetarinë e tyre, që t'u nxirret përpara, për ta votuar a mosvotuar, zyrtari karriera politike dhe shtetërore e të cilit, ndërgjegjja njerëzore e të cilit, është e rënduar, shumë e rënduar, prej vrasjes jashtë perimetrit të ndërtesës së Qeverisë të katër protestuesve, prej keqtrajtimit dhe burgosjes së shumë protestuesve dhe, më në fund, prej vetëvrasjes së birit të njërit nga protestuesit.
Si qytetar i Tiranës, natyrisht, me nënshtetësi të Republikës së Shqipërisë unë, vetë, e përjetoj si fyerje të ndërgjegjes dhe të integritetit tim politik dhe moral kandidimin e ministrit të Rendit Publik, Lulzim Bashës,për kryetar të Bashkisë së Tiranës. Çka të them më tej? Të them: në jetën tonë politike e shoqërore, në totalitarizmin tonë partitokratik, ende të gjitha janë të mundshme, prandaj, ja, është i mundshëm edhe një kandidim i tillë!
Por, edhe diçka tjetër do të jetë e mundshme: kur një ditë Shqipëria të bëhet shtet vërtet demokratik dhe shtet i së drejtës, në të cilin do të funksionojnë të gjitha institucionet, prandaj edhe Gjyqësori, do të jetë e mundshme, madje, e domosdoshme, që Lulzim Basha të gjykohet për krimin - vrasjen e 4 protestuesve më 21 janar 2011.
Tri deklarata të gabuara
Së shpejti bëhet një muaj prej se zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Edmond Haxhinasto, ishte në Kosovë për vizitë zyrtare shtetërore. Gjatë kësaj vizite dyditore, përpos të tjerash, ai dha edhe tri deklarata, që nuk mund të harrohen. Në mediat e Prishtinës vetëm njëra prej tyre - ajo për mosndryshim të kufijve, u përimtua kujdesshëm në disa gazeta, kurse dy të tjerat po thuaj u heshtën.
Deklarata e parë: ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Edmond Haxhinasto, tha, te varri i ish kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ibrahim Rugova, se arrestimet e nëntë pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me vendimin e EULEX-it, u bënë në bazë të ligjeve të Kosovës dhe të ligjeve të Bashkimit Evropian! Nuk e di, nuk kam lexuar dhe nuk kam dëgjuar, se Bashkimi Evropian ka ligj të veçantë për arrestimin e pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por e di se Republika e Kosovës nuk ka ligj të tillë. Republika e Kosovës, si me Kushtetutën e saj, ashtu edhe me ligje përkatëse, ka bërë të mundshme që të nxirren në gjyq dhe të dënohen të gjithë ata që bëjnë krime dhe, ashtu, shkelin Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës. Por, si edhe shqiptarët e tjerë në Kosovë, ashtu edhe hartuesit e Kushtetutës dhe të ligjeve të Kosovës e dinë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë luftë çlirimtare, domethënë luftë të drejtë, prandaj pjesëtarët e saj nuk kanë bërë krime.
Duke mbrojtur familjen e vet, prindërit e vet, vëllezërit e motrat e veta, gruan dhe fëmijët e vet, duke mbrojtur shtëpinë e vet, duke mbrojtur Kosovën prej terrorit shtetëror të Serbisë, prej policisë, ushtrisë dhe paramilitarëve të Serbisë, ata vetëm sa i janë përmbajtur Kartës së Kombeve të Bashkuara, në të cilin flitet për të drejtën natyrore të popujve për vetëmbrojtje. Po të mos kishte bërë këso lufte, të drejtë, vetëmbrojtëse Ushtria Çlirimtare e Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do ta njihnin Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe nuk do të organizonin as Konferencën e Rambujesë në të cilën delegacioni i Kosovës ishte i udhëhequr prej përfaqësuesit politik të UÇK-së, Hashim Thaçi, as nuk do të bënin fushatën e bombardimeve ndaj objekteve ushtarake, policore të Serbisë dhe, në përgjithësi, të Jugosllavisë së mbetur.
Po, pavarësisht prej sa u tha, Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Edmond Haxhinasto, nuk do të duhej ta bënte deklaratën e sipërtheksuar edhe për një arsye tjetër, të cilën asnjë diplomat shqiptar a i huaj, si diplomat, nuk do të duhej ta pohonte. Para se të ishte nisur për vizitë në Kosovë ai do të duhej të ishte bërë me dije, prej bashkëpunëtorëve të vet në Tiranë, se në Kosovë i madh e i vogël, jozyrtar e zyrtar, shoqëri e parti, Kuvend e Qeveri janë kundër këtyre burgosjeve dhe në deklarata të veçanta apo në kumtesa institucionale i dënojnë ato, duke i quajtur ashtu edhe si duhet të quhen ato: të palejueshme dhe të papranueshme për Kosovën dhe për popullin shqiptar, sepse barazojnë të pushtuarin, viktimën me pushtuesin, agresorin, dhe synojnë të njollosin luftën çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Si shqiptar që është, Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm i Shqipërisë do të duhej ta dinte se çdo përndjekje, çdo ndëshkim, çdo gjykim të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës populli shqiptar e përjeton me indinjatë dhe pezëm. Si diplomat, ndërkaq, Edmond Haxhinasto, do të duhej të nderonte ndjenjat e këtilla të shqiptarëve të Kosovës e të numrit më të madh të shqiptarëve në përgjithësi dhe t'u shmangej deklaratave si kjo.
Për më tepër ai do të duhej ta dinte se populli shqiptar, jo vetëm në Kosovë, e përjeton me indinjatë dhe me pezëm të madh terrorizimin e dyfishtë dhe të dyhershëm që u bëhet sot dy luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që janë ndër luftëtarët më të merituar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës: Ramush Haradinajt dhe Fatmir Limajt.
Deklarata e dytë: Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Edmond Haxhinasto, tha, duke bërë nderime te varri i ish kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ibrahim Rugova, se Kosova është bërë shtet dhe po ndërtohet shtet mbi idenë e Ibrahim Rugovës për pavarësinë e saj! Nuk ka dyshim se kjo është një deklaratë që mund të quhet e pazakonshme për dy arsye: e para, mund të quhet e pazakonshme për arsye se, si e tillë, si deklaratë historike, me synim shkencor, bëhet prej një politikani, në të vërtetë diplomati që nuk ka të drejtë të marrë rolin e shkruesit të historisë. Diplomatët e vendeve me tradita shtetërore, politike e diplomatike, kurrë nuk mund të dëgjohen duke bërë hierarki të tilla në historinë e popujve e të shteteve që vizitojnë.
Ata nuk i lejojnë vetes të bëhen historianë duke mos qenë historianë; ata nuk i lejojnë vetes të bëhen historianë duke mos qenë historianë me deklarata të tilla, që tingëllojnë aq propagandistike. Dhe, nuk ia lejojnë vetes këtë rol jo vetëm pse janë diplomatë, por edhe pse nuk e dinë të vërtetën. E dyta, deklarata e Ministrit Edmond Haxhinasto është e pazakonshme edhe për arsye se ajo që pohohet në të nuk është e vërtetë. Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kryetari i Kosovës kur Kosova ende nuk ishte bërë shtet nuk është njeriu mbi idenë e të cilit është fituar pavarësia e Kosovës dhe me idenë e të cilit po ndërtohet shteti i Kosovës. Jo. Jo. Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ibrahim Rugova, në radhën e gjatë të atyre që kanë krijuar dhe kanë përhapur idenë e pavarësisë së Kosovës dhe në radhën e atyre që i kanë filluar përpjekjet politike për pavarësinë e Kosovës nuk është kurrkund, kurse në fund të këtyre përpjekjeve është njeriu i fundit. Kjo radhë e gjatë e luftëtarëve politikë për pavarësinë e Kosovës pas Luftës së Dytë Botërore fillon me Adem Demaçin, me organizatën ilegale të krijuar prej tij dhe vazhdon me të burgosur të tjerë politikë e me organizata të tjera ilegale deri në vitet nëntëdhjetë të shekullit të kaluar kur ideja e pavarësisë së Kosovës bëhet ide pothuaj e gjithë popullit shqiptar të Kosovës e kur fillon edhe krijimi i partive të para politike shqiptare.
Zëvendëskryeministri dhe ministri i jashtëm i Shqipërisë, Edmond Haxhinasto, do të duhej ta dinte se në programin e saj të parë politik, me të cilin është themeluar Lidhja Demokratike e Kosovës, nuk kërkohej pavarësi, por autonomi e Kosovës, madje një autonomi dukshëm më e ngushtë se ajo e vitit 1974 në kuadër të Serbisë e të Jugosllavisë. Më në fund, LDK-ja me kryetar Ibrahim Rugovën do të jetë parti politike shqiptare e regjistruar në Ministrinë e Drejtësisë së Jugosllavisë, me çka dëshmohet se ideja e pavarësisë së Kosovës dhe LDK-ja, se ideja e pavarësisë së Kosovës dhe Ibrahim Rugova atëherë, kur radha e ideologëve dhe luftëtarëve politikë dhe jo vetëm politikë për pavarësinë e Kosovës, ishte shumë e gjatë, ende përjashtoheshin mes vete!
Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Edmond Haxhinasto, si politikan dhe si diplomat do të duhej ta dinte: se te varri i ish kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të Kosovës kur ajo ende s'ishte bërë shtet, Ibrahim Rugova, atë nuk e çojnë meritat e vërteta të Ibrahim Rugovës për pavarësinë e Kosovës, por propagandat partiake që aq shumë janë duke e shtrembëruar, duke e falsifikuar, duke e zvetënuar dhe duke e vjedhur historinë më të re të popullit shqiptar në Kosovë dhe në Shqipëri; se nderime të shtira, si fryt i përkohshëm i këtyre propagandave dhe allishverisheve partiake para e paszgjedhore te varri i ish kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, janë edhe nderimet që i bëjnë te varri atij edhe disa vetje që shumëkush s'ka besuar se do të shiheshin aty ndonjëherë!
Por, Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Edmond Haxhinasto, do të duhej ta dinte gjithashtu se historia shqiptare, historia e Shqipërisë shtetërore dhe e Kosovës, një ditë, pashmangshëm, do të pastrohet prej gënjeshtrave, prej shtrembërimeve, prej zvetënimeve, prej ndotjeve të sotme partiake dhe politike. Për fat, kriteret partiake dhe politike kurrë dhe kurrkund nuk mund të bëhen kritere të përhershme të shkencës. Përpos në kokat e mediokriteteve të historisë!
Deklarata e tretë: zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Edmond Haxhinasto, tha, gjatë vizitës në Prishtinë, se ideja për bashkim midis shteteve apo ndryshimi i kufijve është e dëmshme për Ballkanin Perëndimor dhe idetë e tilla Tirana zyrtare nuk i mbështet! Edhe kjo është një deklaratë fatkeqe e Zëvendëskryeministrit dhe ministrit Edmond Haxhinasto.
Asnjë ndryshim i kufijve nuk mund të quhet i dëmshëm në qoftë se popujt që kanë kufij mes vete pajtohen me atë ndryshim. Për popullin shqiptar ndryshimi i kufijve midis Kosovës dhe Shqipërisë në asnjë pikëpamje nuk mund të quhet i dëmshëm as nuk do të duhej të quhej i papranueshëm nga Tirana zyrtare sepse është kufi midis dy shteteve shqiptare. Ideja për bashkim kombëtar të shqiptarëve, prandaj, jo vetëm se nuk mund të quhet e dëmshme - siç e quajti në Prishtinë Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto, por do të ishte shumë e dobishme. Vetëm ajo do të përfaqësonte zgjidhje të përhershme të çështjes shqiptare dhe vetëm bashkimi i Kosovës dhe i Shqipërisë do ta bënte të mundshme shprehjen e plotë të të gjitha potencialeve natyrore dhe krijuese njerëzore të Kombit shqiptar.
Nuk ka dyshim se të tri deklaratat e trajtuara këtu të zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, Edmond Haxhinasto, në Prishtinë, më 18 e 19 mars, pra, në prag të vizitës së kryetarit (të paligjshëm) të Kosovës në Shqipëri, Behgjet Pacolli, janë deklarata të paqëndrueshme, madje, të pavërteta, kundërhistorike, që nuk do të duhej të bëheshin. U bënë sepse zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Shqipërisë edhe ishte dërguar për t'i bërë ato në Prishtinë. Dhe, ishte dërguar prej kryeministrit të shumëfytyrshëm të Shqipërisë, i cili, edhe Kosovën e flijon për hir të mbajtjes sa më të gjatë në pushtet - në regjimin e tij autoritar!
(Shkrimi është botuar sot në Gazetën Shqiptare)
Agim Gashi- Administrator
- Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008
Similar topics
» LULZIM BASHA KRYETARI I RI I BASHKISE SE TIRANES
» Dimal Basha:Kur viktima bëhet vrasës
» Lulzim Basha, kryetari i ri i Tiranës
» Lulzim Basha: Unë do të jem kryetari i bashkisë që i dëgjon njerëzit
» KQZ: Lulzim Basha, kryetar i Bashkisë së Tiranës
» Dimal Basha:Kur viktima bëhet vrasës
» Lulzim Basha, kryetari i ri i Tiranës
» Lulzim Basha: Unë do të jem kryetari i bashkisë që i dëgjon njerëzit
» KQZ: Lulzim Basha, kryetar i Bashkisë së Tiranës
Faqja 1 e 1
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
Tue Mar 14, 2017 8:17 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ - SHIPTARËT NUK JANË "ME BYTHË NË PRUSH", PËR TË FALUR TOKAT
Mon Feb 27, 2017 6:54 pm nga Agim Gashi
» Akuzat kundër Shefqet Krasniqit Prokurorisë ia kishte konfirmuar edhe BIK-u (Dokument)
Mon Feb 27, 2017 5:20 pm nga Agim Gashi
» Aktakuzë kundër imamit Shefqet Krasniqi
Mon Feb 27, 2017 4:32 pm nga Agim Gashi
» Zbulohen tensionet gjatë dialogut në Bruksel, Nikoliqi Thaçit: Ti je kriminel
Fri Feb 03, 2017 7:40 pm nga Agim Gashi
» Faruk Tasholli - RJEPENI NANËN
Fri Feb 03, 2017 12:22 pm nga Agim Gashi
» FAMILJA E HAKI IMERIT: AI U VRA NË KOHËN KUR NË PUSHTET ISHIN HASHIM THAÇI E REXHEP SELIMI
Wed Jan 25, 2017 12:39 am nga Agim Gashi
» AGIM GASHI - O NE TREN PËR MITROVICË
Wed Jan 18, 2017 11:08 pm nga Agim Gashi
» Vëllai i tij u pajtua me Thaçin, por ja si ishte kidnapuar Haki Imeri në Brojë e më pas ishte vrarë
Wed Jan 18, 2017 8:13 pm nga Agim Gashi
» Fadil Maloku:Aferim, Prokurori e Kosovës!
Wed Jan 18, 2017 8:00 pm nga Agim Gashi
» Djali i Haki Imerit del kundër axhës: Nuk ia fali Thaçit, nuk dua drejtësi kanunore
Wed Jan 18, 2017 7:12 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ:Copëza biografike dhe kujtime për Ibrahim Rugovën
Wed Jan 18, 2017 5:13 pm nga Agim Gashi
» Presidenti Thaçi i “lahet me 124 pleq” Imer Imerit se nuk ka gisht në vrasjen e vëllait të tij
Wed Jan 18, 2017 4:00 pm nga Agim Gashi
» Adem Salihaj akuza të rënda ndaj Hashim Thaçit, ja si po mundohet të shpërlahet nga krimet e shumta që ka bërë
Wed Jan 18, 2017 3:53 pm nga Agim Gashi
» Ndodh edhe ky skandal: Njeriu që grisi fotografinë e Presidentit Rugova merr certifikatën e veteranit të UÇK-së
Tue Jan 17, 2017 7:55 pm nga Agim Gashi
» BERAT ARMAGEDONI:Lamtumirë, Joshua i Pejës!
Tue Jan 17, 2017 12:15 am nga Agim Gashi
» Biografia e Presidentit Rugova - Biografi e shkurtër
Mon Jan 16, 2017 10:32 pm nga Agim Gashi
» ILIR MUHARREMI : Treni provokativ, artistët në gjumë
Sun Jan 15, 2017 11:32 pm nga Agim Gashi
» Përveç ROSU-së, ky është shqiptari që rrezikoi jetën për ta ndalur trenin e Serbisë
Sun Jan 15, 2017 9:53 pm nga Agim Gashi
» ENVER PETROVCI - IN MEMORIAM SEFEDIN NUREDINIT- SEFA
Sun Jan 15, 2017 9:07 pm nga Agim Gashi