Baki Ymeri: Me lirën shqiptare në kështjellen e përjetësisë
Faqja 1 e 1
Baki Ymeri: Me lirën shqiptare në kështjellen e përjetësisë
ME LIRËN SHQIPTARE
NË KËSHTJELLËN E PËRJETËSISË
Nga Baki Ymeri
Poezia është një çështje magjike që lidhet me perjetësinë, me emocionet, me peshën e mendimit, me zjarrin i zemrës dhe gjallërinë e fjalës. Në këtë kontekst të afirmimit të vlerave shqiptare në diasporë, këto ditë, në kuadrin e Shtëpisë Botuese Amanda Edit dhe Bibliotekës “Letërsi shqiptare”, e pa dritën e botimit në Bukuresht, vëllimi i dytë i poetit Neki Lulaj, “Në kështjellën e përjetësisë”. Në ballinë: një panoramë e vjetër e Gjakovës me Kishën katolike të apostujve Shën Pjetri dhe Shën Pali. Edhe ky libër del në dritë në bashkëpunim me Bashkësinë Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë, duke patur për këshilltar editorial Nexhat Rexhën, ndërsa për recensentë zotërinjtë Skënder Zogaj dhe Dr. Zenun Gjocaj. Libri i Neki Lulajt strukturohet në tre cikle: Mbretëria e fjalëve, Ikona e shqiptarisë dhe Dashuria Dardane, ndërsa në faqet e fundit jepen tre vlerësime kritike: Shkalla e admirimit dhe dinjitetit për origjinalitet dhe vertikalitet kombëtar, Zjarri i zemrës, qartësia e mendimit dhe fshehtësitë e shpirtit, Një vullkan i pashuar ndjenjash patriotike.
Në kuadrin e parathënies së autorit të këtij shkrimi “Forca magjike e vargut”, theksohet se Neki Lulaj është njëri nga poetët më të frymëzuar të lirikës shqiptare në trojet gjermane. Ai është poeti që qan shekullin në ikje, poezia e të cilit sipas Driton Fetajt, “ka vlerën e një Himni e të një Kushtrimi, dhe të një ndërgjegje të vetëdijësimit kombëtar, me emra dëshmorësh që kanë lavdinë e padiskutueshme, e që do mbeten të pavdekshëm në histori dhe në tingujt e këngëve dhe bisedave të odave të burrave.” Duke deshifruar misionin e diskursit të tij, kuptojmë se forca magjike e vargut dhe magjia e fjalës së gjallë krijohen me punë, talent dhe dhunti. Fjala është për një zë të ri që premton vlera reale në kontekst të dhuntisë poetike, vargjet e të cilit kërkojnë të shenjtër dhe martirë, jo vetëm si do relikte për përkushtim, por edhe përralla, mite dhe legjenda që parakalojnë “nëpër shekujt e robërisë sllavjane”, me bjeshkët që e ruajnë thellë historinë, me “mitet e ritet e misterit të vjetër”. Në trojet e librit të tij defilon Dardania me kështjellat e besnikërisë dhe vatrat e legjendave të trimërisë: ”Zogjtë thërrisnin për rikthim,/ Që t’u rikthehet gjallëria/ Kullave të Gurit në Dukagjin”.
Tematika e këtij vëllimi shëmbëllen me librin e parë, edhepse në një numër të konsideruar vargjesh, kësajhere poeti ka bërë një kërcim të madh përpara, falë metaforave që e shndërrojnë vargun në dritë. Autori shkruan për diellin e lirisë, për mrekullitë e dashurisë, për gjallërinë e Dardanisë. Imagjinata e tij është e bujshme dhe kreative: “Unë nuk do të fluturoj kurrë mbi gjithësi/ Që ta zë vetëtimën me dorë/ Nuk do të bëhem as roje e yjeve/ Zemrën tënde s`dua ta takoj as në përrallë.” Jeta në mërgim është një fluturim permanent nga vendlindja në mërgim dhe nga mërgimi në vendlindje. Sipas Xhavit Gasës, poezia e Neki Lulajt është “poezia që flet, poezia që ligjëron në çdo zemër që troket. Frymëzimi i tij është një thesar që dhuron emocion.” Autorit i përkujtohet fëmijëria e baballarëve tanë „me rroba të leckosura” dhe “me duar e këmbë të çara”. Atë e mundojnë rrugët e mbushura me dëshprim: „Sa herë kam dalë t’i kërkoj/ Gjurmët e zogjve shtegtarë/ Por askund s’i gjeta/ Se edhe çerdhet/ Me vehte i patën marrë.” Poeti digjet për të parët tanë, për sinqeritet dhe besë, për “Ata që më nuk janë,/ Por shumë porosi neve na lanë.” Sipas tij, vetmia shungullon „larg atdheut e zjarrit tim”, në mërgim, atje ku “Jeta ka e çka nuk ka/ Si deti me batica e zbatica”, atje ku „Zemërimi ma kafshon durimin/…/ Në pleqërinë e brengave të mia”.
Duke shfletuar këtë album perlash lirike, konstatojmë se jemi një popull fisnik, besnik dhe i veçantë, ngase kemi një histori të lashtë, një kulturë të bukur dhe një gjuhë të bekuar, ngase dimë t’i çmojmë të tjerët dhe të përvetësojmë gjuhë të huaja, ngase shqiptarët e njohur për guxim, mençuri dhe trimëri, përveç lojalitetit, respektit, sinqeritetit dhe modestisë, kanë nevojë edhe për organizim. Dinjitetin dhe identitetin e kemi, por na mungon organizimi, ngase po të ishim të organizuar si gjermanët dhe popujt e tjerë, nuk do të kishim varfëri sociale dhe „tradhëti shekspiriane”, siç shprehet autori, dhe nuk do të toleronim që korbat e kombit të gëzojnë lirinë që s’e meritojnë: „Kosova lëndinë e plagosur/ Hienat zgërdhihen mes turmës/ E koloneli nga të çarat arkivolit/ Tinguj kushtrimi lëshon:/ Kapni kusarët, kriminelët,/ Skuadra vrastare mes turmës/ Çfarë kërkon!”
Duke qenë pronar i një morali ideal, vargjet e Neki Lulajt kanë një substrat të thellë dhe një substancë të mirëfilltë lirike. Në to shpërthen zëri i ndërgjegjes së një bote të përbujshme, e ngarkuar me kuptime që e përcjellin komunikimin përmes një përjetimi autentik, duke instaluar atje një gamë subjektesh romantike, erotike, sociale dhe patriotike, një spektër sentimentesh të prekjes së absolutes ekzistenciale, një revoltë e mundësisë dhe pamundësisë së zgjerimit të shpresës që të fton për ditë më të mira dhe për një perspektivë optimiste. Autori është një realist që s’i duron intrigat dhe padrejtësitë. Ai gjykon dhe hap shtigjet e njohjes duke implikuar vlerën. Rudolf Eisler konsideron se „një gjykim me karakter vërtetësie, një gjykim i drejtë nga pikëpamja e përmbajtjes, është i vlefshëm për një gjykim të shëndetshëm me përmbajtje reale”.*
Edhe në këtë vëllim vlerash të veçanta, defilon lirika patriotike e mërgimit si një murmurimë heroike me zërin e dëshmorëve që prehen në Parajsën e pavdekësisë. Autori depërton në botën e letrave tona me lirën shqiptare në kështjellën e përjetësisë. Ai është shqiptari që digjet për gjuhë, shkollim, kulturë, flamur, dinjitet dhe identitet. Vargu i tij kërcet si një krismë pushke për të krijuar qetësi dhe paqë në një vend të prekur nga zullumi osman dhe inkuizicioni serb. Kosova e tij është Dardania e zemrave tona, një vend i bekuar që e ka mbrujtur autorin me një bagazh të pasur ideshë, njohurishë, frymëzimesh dhe bindjesh personale me konotacione kombëtare dhe ndërkombëtare. Në vargjet e tij parakalon historia shqiptare me hijet e kullave dhe ushtrimet e vetmisë: “Jeta ime në mërgim/ E përkëdhel vetminë/ Vetmia përkëdhel ndjenjat e mia në rrugëtim.” Muza e tij është vetë mrekullia të cilën e fton në kështjellën e lirës për të jetuar së bashku. Neki Lulaj është një sokol Kosove me cilësi të larta morale, intelektuale dhe patriotike. Nga vargjet e tij kuptojmë se Kosova është një vatër e trimërisë dhe besnikërisë, një vend i bekuar nga Zoti, të cilin e mbrojnë bijtë e shqipeve me energji titanike që e kanë “gjoksin bjeshkë e medjen shkëmb”.
Poezia duhet të ketë diçka hyjnore dhe misterioze në vargun e saj. Mu këtu qëndron fshehtësia e dëshirës për të mbetur i pavdekshëm. Në bazë të kësaj konstatojmë se Neki Lulaj është një shtyllë graniti e atdhetarizmit shqiptar në mërgim. Përveç idealit kombëtar dhe bukurive të natyrës, në spektrin e vargjeve të tij dëgjohen edhe tingujt e dashurisë ndaj Dardanisë, zemra e zhurritur për komb e atdhe, madje edhe një dhembje e thellë ndaj atyre që kanë vajtur në botën e engjëve. Në kontekst të inspirimeve të tij dëgjohet edhe muzika e sferave të dashurisë. Zemra e zhurritur e Penelopës besnike dhe Muza e idealit të tij tij është e bukur, e ndjeshme dhe sublime. Etja e shëndetshme për dashuri dhe atdhedashuri ndërlidhet me etjen e pashuar për punë, kulturë, dritë, vullnet, guxim dhe shpresë. Në këtë vëllim, imagjinata e tij kaplon edhe konotacione kosmogonike: “Dielli dhe Hëna janë deshmitarë”, se sekretin “do ta nxjerrin një ditë në shesh.” Autori shkuan për energjinë shqiptare në “stacionet e jetës” dhe “qendrat e qëndresës”, duke e ditur se dashuria e mund çdo gjë, dhe se energjia shpirtërore është çelsi i ardhmërisë. Pse? Ngase, përveç skllavërisë dhe rinisë së degdisur në pleqërinë e brengave tona, “Rrënjët i kemi tejpërtej/ Matanë Diellit e matanë Hënës/ Në Karadak, Tomor e Drenicë/ Gjithandej e gjithkëndej”.
Fjala është ajo që e zbukuron veprën e njeriut dhe kështjellën e përjetshme të pavdekësisë. Fillimisht ka qenë Fjala dhe Hyjnorja për krijimin e botës. Fjalët i ka krijuar njeriu për mosbezdisjen e netëve të ndritura, së bashku me zjarrin e shpellave primitive. Fjala është lundra e poetit tejmatanë diellit dhe hënës: “Kur i puth engjëlli me flatra/ bekimi bëhet përjetsësi.”. Poeti ka lindur në dimrin e egër, në epokën e netëve pa dritë, pa zjarr, pa gjumë, pa liri, mënjanë, kurse në anën tjetër, shqiptari ka lindur në epokën e netëve me krismë: “Në epokën kur kërkohej mëvehtësi/ Në epokën kur u lindën burrat/ Që Kosovës i sollën Liri.” Në këtë fushë frymëzimesh hyjnore defilojnë edhe motive biblike me të shenjtër e zana, ku “bekimi bëhet përjetësi”, “nëpër qendrat e qëndresës” dhe “nëpër orbitat e pritjeve shekullore.”
Përmes fjalës së saj, poezia zotëron zemrat dhe ndërgjegjen tonë. Poeti ka qenë gjithmonë ai që mund të lexojë dhe dëgjojë kohën kosmike dhe historike: “Mos pritoni yllin më të bukur në qiell ta shikoni/ Mbi atë yll unë qëndroj me krenari.” Duke e parafrazuar njeriun që zgjon fjalët nga gjumi kosmik, ai shikon nga një e shkuar e largët apo nga një ardhmëri e afërt, duke e dëgjuar zhaurimën e fjalëve me tingujt e një kohe që dëgjon përralla mbi njerëzit që kanë qenë dhe legjendat e të cilëve fillojnë të jenë gjithnjë më të harruara nga kohërat moderne, dhe atëherë ai e ndjen shkrimin si një obligim, jo vetëm si një dhuratë, por edhe si një detyrim historik që tenton ta përjetësojë “Në Kështjellën e Besnikërisë/ Në monumentin e miteve/ Në vatrën e legjendave të trimërisë.” Kjo dëshmon se poeti është një ndërlidhje e realitetit me historinë: “Unë e kam edhe një ditar tjetër/ Që ka vlerë sa një Meshar i vjetër/ Ka shkrime të vjetra të vjelura për mrekulli/ Gjëra të ndodhura, të vlefshme dhe histori.”
Sipas Emersonit, njerëzit e pajisur me karakter e pasqyrojnë ndërgjegjen e shoqërisë. Përveç karakterit, autori ka dinjitet dhe identitet. Dinjiteti është një virtyt dhe vlerë morale që përfitohet gjatë jetës. Po të kishin dinjitet disa pushtetarë të azdisur, qytetari i rëndomtë nuk do t’i përjetonte prangat e varfërisë. Në veprat e Neki Lulajt gjëmon historia shqiptare. Dashuria e poetit është Shqipëria historike në totalitetin e saj etnik, gjeografik dhe patriotik, ashtu siç e ëndërronin rilindësit tanë. Autori shkruan për qindra intelektualë e mijëra atdhetarë të Kosovës kreshnike që e mahnitën botën me numrin e panumërt të martirëve dhe lumenjtë e gjakut të derdhur për liri dhe pavarësi. Duke deshifruar shpirtin e njeriut të prekur nga flatrat e engjëllit, përfundimisht mund të themi se Neki Lulaj është një zë i veçantë i lirikës shqiptare në trojet gjermane. Kështjella e përjetësisë së tij është një mbretëri vlerash shpirtërore që duhet të konsiderohen si thesarët më të çmuar.
________________
* Rudolf Eisler, Einfufrung in die Erkenntnistheorie, Leipyig, 1907, f. 26.
VLERËSIME KRITIKE
Shkalla e admirimit dhe dinjitetit për origjinalitet dhe vertikalitet kombëtar
Dinamika e pandërprerë dhe fryma atdhetare ka mundur të mbijetojë nëpër këto katrahura kohësh. Mirëpo, shpirti i atdhetarizmës intelektuale ka qenë sferë e ndjekjeve nga pushtuesit dhe kolaboracionistët, të cilët me predispozita të padukshme kanë kryer veprimet më makabre për atdhetarët e këtij nënqielli. Nëpër këto vargje dominon arsyeja për tokën Dardane dhe njerëzit e saj në të gjitha vlimet historike, duke qenë gjithmonë pranë portreteve të tyre. Në tërësinë artistike të kësaj vepre përkushtuese zotëron tematika e zgjedhur dhe identifikuese për të ruajtur me shenjtëri verdiktin në muzeun kombëtar. Vargjet poetike të Neki Lulajt në lexim të parë të krijojnë përshtypjen e shpirtit të trazuar nëpër ecejaket, si dhe në tragjikën e përditshmërisë sonë kombëtare të krijuara në hapësirën a pa fund të qiellit Dardan. Brendia poetike e veprës shpalos dhe krijon dimensionalitetin si formë artitistke me tonalitet dhe individualitet edhe si poezi edhe si dokumetaritet i shfaqjeve të gjata nëpër labirintet e kohëve. Neki Lulaj, fjalës gjithnjë i ka dhënë ngjyrim real për ta saktësuar individualen në vargje dhe në personazhe të zgjedhura edhe si element artistik edhe si realizim e përjetim i të ndodhurave nëpër dekada e shekuj. Dinamika e pandërprerë dhe fryma atdhetare ka mundur të mbijetojë nëpër këto katrahura kohësh. Mirëpo, shpirti i atdhetarizmës intelektuale ka qenë sferë e ndjekjeve nga pushtuesit dhe kolaboracionistët, të cilët me predispozita të padukshme kanë kryer veprimet më makabre për atdhetarët e këtij nënqielli. Kujtesa dhe njohja me optikën e përjetimit gërshetojnë mospajtimin e autorit me zhvillimin e shumë proceseve, që padrejtësisht kanë instrumetalizuar kuptimin domethënës të idealit për liri, e këto figura ndër më të ndritshmet kanë zënë vend në poezinë e këtij vëllimi. Kronologjia dhe qëndrimi glorifikues, komunikojnë në shkallën e admirimit dhe të dinjitetit drejt një fokusimi sa më origjinal për tërësinë artistike të kësaj vepre përkushtuese me tematikën e zgjedhur dhe identifikuese për të ruajtur me shenjtëri verdiktin në muzeun kombëtar. (Nexhat Rexha)
Zjarri i zemrës, qartësia e mendimit dhe fshehtësitë e shpirtit
Ja një gjerdan lirik me vlera aktuale, herë të përlotura, herë të mëndafshta e herë paksa të ashpra, varësisht nga shtrati i frymëzimeve të tij poetike, për hapësirën kosovare dhe bukuritë e saja natyrore e shpirtërore, duke pikturuar tema e motive ndër më të ndryshmet lidhur me realitetin kombëtar, përgjithësisht jetësor të kohës. Me poezitë e tilla, edhepse i mërguar, poeti dëshmon se është i lidhur me mish e me shpirt me fatin e atdheut të vet, duke paraqitur frymëzimet në prizmin e të vërtetës së hidhur, sa edhe krenare, varësisht nga këndshikimi shpirtëror, në qasje nga rrethanat kohore. Këtu shkrihen harmonishëm vargjet e dhembjes krenare, të përmallimit, dritës dhe errësirës, por edhe rrjedhat e furtunës shpesh magjike të stuhive dardane. Ndoshta, padashtas poeti i skalit me mjeshtri poetike bredhjet e tija sentimentale, qoftë edhe atëherë kur arrin të rikthehet përmallshën në atdhe, në vendin e tij të zhuritur për liri, të shkrumbuar e të shkretuar, por si me inat të shpërlarë nga përgjakja e përlotja dhe të pertërirë me shpejtësi marramendëse, pas çlirimit të Kosovës e armikut tashmë të përzënë me bisht nën këmbë, duke lënë prapa lirinë e sjellur nga çlirimtarët me ndihmën e ndërkombëtarëve. Janë këto vlera lirike të përjetuara nga vetë poeti, kryesisht si zëdhënës e sinonim i mërgimtarëve të kohës, por edhe i vetë përjetimeve të tij. Në këtë amulli, sa mjegulluese, po aq shkëlqyese, autori është zëri i atdheut në mërgim, që bredh sa nëpër re të vrugëta, aq edhe nëpër tymnaja të përflakura, të mbetura nga shkrumbosja e tmerrit luftarak. Megjithatë, guximi fisnik i ndjenjave dhe fryma atdhetare e poetit, si vullkan i pashuar, arrin t’i rreshtojë në vargje aq harmonishëm e aq llojllojshëm, sa formon një kopsht poetik të vlerave atdhetare me buqeta shumëngjyrshe poetike të një lirizmi të vaçantë drejt një individualizmi poetik, që premton. Për poetin, gjaku i dëshmorëve buroi nga zëri i kushtrimit dhe u shndërrua në ushtimë ndër male, u materializua në besë atdhetare, vesë trëndafili, në krenari përmendoresh e në altar lirie. Është poezi e dalë nga zjarri i zemrës, qartësia e mendimit dhe fshehtësitë e shpirtit, ku poetin e mundon historia dramatike e brendshme dhe e jashtme e jetës kosovare. Shpresohet se Neki Lulaj nuk do të ndalet me kaq, duke u përpjekur që talentin e vet poetik ta thellojë e ta zgjerojë me mjete shprehëse e tematikë më të përgjithësuar përmes një pune të përkushtuar vetëmohuese, një talenti e një vullneti të fortë, duke u përforcuar edhe me përvojat e poetëve bashkëkohorë, pos tjerësh, edhe me ata të rrethit mërgimtar ku jeton. (Zenun Gjocaj)
Një vullkan i pashuar ndjenjash patriotike
Intelektualët tanë që emigruan në diasporë, aktivitetin atdhetar e patriotik ndaj çështjes kombëtare kurrë nuk e ndërprenë. Neki Lulaj është njëri ndër ta, një poet i një kalibri të lartë të brezit të tij. Ky shkruan ate që e prokupon, ate çka e ndjen dhe mundon. Shkruan për atë që duhet shkruar, për ta njohur lexuesin me realitetin në të cilin kalonte Kosova. Poezitë e tij kanë forcë dhe vrull të madh. Fjala e tij i ndez zemrat e lexuesisit, nxit ëndërrat e tyre, është zëri i lirisë që e përshkon dhe që e bën të hyjë në ndërgjegjën e kombit. Në vargun e tij ndjenja e lirisë shfaqet e gjithëpushtueshme, e thellë, e butë, dhe herëpashere e sertë dhe drithëruese, por përherë e pashtershme. Këto tregojnë qartë se poeti shpirtërisht e ka përjetuar luftën dhe së bashku me popullin ka ndarë dhembjen. Poeti e kuptoi herët se situata për çdo ditë shkonte duke u keqësuar në Kosovë, dhe ky vendosi t'i bëjë një rezistencë të fuqishme pushtuesit serb. Ky motiv i Nekiut në vargjet e tij tingëllon fuqishëm edhe atëherë kur ai kriojon tabllonë e zymtë dhe të frikësuar, sidomos në vëllimin e parë, kur në mënyra realiste dhe tronditëse e përjeton shpirtërisht robërinë, por pa u dorëzuar para saj. Te ky njeri, guximi fisnik i mendimit dhe fryma patriotike nuk do të shuhen kurrë. Pra me plotë të drejtë mund të themi ate që e ka thënë parathënësi i librit (B. Y.), se Neki Lulaj është një burim i pashterrshëm energjishë krijuese, një vullkan i pashuar sentimentesh morale dhe patriotike. (Ramiz Dërmaku)
Agim Gashi- Administrator
- Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008
Similar topics
» Baki Ymeri: Revistat rumune të vlerave shqiptare
» Baki Ymeri:Koha shqiptare e një kosovari
» Baki Ymeri: Mirënjohje shqiptare në trojet rumune
» Baki Ymeri: Shkëlqimi dhe rënia e një gazete shqiptare
» Baki Ymeri:Kështjella shqiptare e ëndrrave mërgimtare
» Baki Ymeri:Koha shqiptare e një kosovari
» Baki Ymeri: Mirënjohje shqiptare në trojet rumune
» Baki Ymeri: Shkëlqimi dhe rënia e një gazete shqiptare
» Baki Ymeri:Kështjella shqiptare e ëndrrave mërgimtare
Faqja 1 e 1
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
Tue Mar 14, 2017 8:17 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ - SHIPTARËT NUK JANË "ME BYTHË NË PRUSH", PËR TË FALUR TOKAT
Mon Feb 27, 2017 6:54 pm nga Agim Gashi
» Akuzat kundër Shefqet Krasniqit Prokurorisë ia kishte konfirmuar edhe BIK-u (Dokument)
Mon Feb 27, 2017 5:20 pm nga Agim Gashi
» Aktakuzë kundër imamit Shefqet Krasniqi
Mon Feb 27, 2017 4:32 pm nga Agim Gashi
» Zbulohen tensionet gjatë dialogut në Bruksel, Nikoliqi Thaçit: Ti je kriminel
Fri Feb 03, 2017 7:40 pm nga Agim Gashi
» Faruk Tasholli - RJEPENI NANËN
Fri Feb 03, 2017 12:22 pm nga Agim Gashi
» FAMILJA E HAKI IMERIT: AI U VRA NË KOHËN KUR NË PUSHTET ISHIN HASHIM THAÇI E REXHEP SELIMI
Wed Jan 25, 2017 12:39 am nga Agim Gashi
» AGIM GASHI - O NE TREN PËR MITROVICË
Wed Jan 18, 2017 11:08 pm nga Agim Gashi
» Vëllai i tij u pajtua me Thaçin, por ja si ishte kidnapuar Haki Imeri në Brojë e më pas ishte vrarë
Wed Jan 18, 2017 8:13 pm nga Agim Gashi
» Fadil Maloku:Aferim, Prokurori e Kosovës!
Wed Jan 18, 2017 8:00 pm nga Agim Gashi
» Djali i Haki Imerit del kundër axhës: Nuk ia fali Thaçit, nuk dua drejtësi kanunore
Wed Jan 18, 2017 7:12 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ:Copëza biografike dhe kujtime për Ibrahim Rugovën
Wed Jan 18, 2017 5:13 pm nga Agim Gashi
» Presidenti Thaçi i “lahet me 124 pleq” Imer Imerit se nuk ka gisht në vrasjen e vëllait të tij
Wed Jan 18, 2017 4:00 pm nga Agim Gashi
» Adem Salihaj akuza të rënda ndaj Hashim Thaçit, ja si po mundohet të shpërlahet nga krimet e shumta që ka bërë
Wed Jan 18, 2017 3:53 pm nga Agim Gashi
» Ndodh edhe ky skandal: Njeriu që grisi fotografinë e Presidentit Rugova merr certifikatën e veteranit të UÇK-së
Tue Jan 17, 2017 7:55 pm nga Agim Gashi
» BERAT ARMAGEDONI:Lamtumirë, Joshua i Pejës!
Tue Jan 17, 2017 12:15 am nga Agim Gashi
» Biografia e Presidentit Rugova - Biografi e shkurtër
Mon Jan 16, 2017 10:32 pm nga Agim Gashi
» ILIR MUHARREMI : Treni provokativ, artistët në gjumë
Sun Jan 15, 2017 11:32 pm nga Agim Gashi
» Përveç ROSU-së, ky është shqiptari që rrezikoi jetën për ta ndalur trenin e Serbisë
Sun Jan 15, 2017 9:53 pm nga Agim Gashi
» ENVER PETROVCI - IN MEMORIAM SEFEDIN NUREDINIT- SEFA
Sun Jan 15, 2017 9:07 pm nga Agim Gashi