Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Dy tregime nga libri “Fluturimet i korbave në netët pa hënë” të Adem Zaplluzhës

Shko poshtë

Dy tregime nga libri “Fluturimet i korbave në netët pa hënë” të Adem Zaplluzhës Empty Dy tregime nga libri “Fluturimet i korbave në netët pa hënë” të Adem Zaplluzhës

Mesazh nga Agim Gashi Sun Nov 04, 2012 11:06 pm

Dy tregime nga libri “Fluturimet i korbave në netët pa hënë” të Adem Zaplluzhës ADEM-ZAPLLUZHA

Dy tregime nga libri “Fluturimet i korbave në netët pa hënë” të Adem Zaplluzhës

POETI

Kishte kohë që iku . Nuk la asnjë pinjoll . Ishte , nuk di se sa vjetori i vdekjes. Ishin mbledhur në sallën e teatrit , njerëz të çdo kallëpi, ata të mençur dhe ata të tjerë, që kishin nga një cilindër në kokat e tyre tullace.
Kjo ditë e diel nuk i përngjante ditëve të tjera të viti , ishte e diela e vitit të brishtë, dita e prerë në cung me një sëpatë të ndryshkur, dita që i mbante rropullitë nën sqetull dhe largohej nga vetvetja.
Salla e teatrit gumëzhinë përplot me njerëz mondan . Kishte edhe nuse sapo të dala nga duart e floktarit, ose floktari kishte shkuar nëpër shtëpia të klientëve të rëndësishëm , po mendoj për nga xhepi.
Asnjë re në qiellin e kristaltë të Kryeqytetit .
-Sot qenka dita e mrekullueshme zonjë,-i tha një poet një gruaje të moshuar që turfullonte si pela e egër.
Po dita e mirë zotëri, por nuk kemi ardhur këtu pse është e mirë kjo ditë, këtu jemi as vet nuk di pse, por ja, kemi ardhur një grumbull njerëzish të veshur me leckat e fundit të modës, e të ngjeshur me çmendinë e paparashikueshme- the zonja nën hundë dhe u largua pa asnjë fjalë kurse zotëriu mbeti si një koçan lakre në shi.
Pas pak na doli para mikrofonit poeti i dehur,duke folur nën hundë vazhdoi në mënyrën e vet të dikurshëm alla komuniste.
Një minutë heshtje për të gjallët në këtë sallë se ky poet për të cilin jemi këtu nuk ka vdekur, të vdekur jemi ne, që nuk kemi as një fjalë, jemi njerëz pa fjalë, sepse poetët nuk vdesin ashtu si nuk vdesin fjalët.
Një heshtje e pllakosi sallën me zymtësinë e fjalëve , askush nuk tha asnjë fjalë, vdiqën fjalët para poetit, para se të dalin nga dhëmbët artificialë të folësit.
Nuk kishte më kuptim kjo mbledhje përkujtuese, çdo gjë e humbi kuptimin, ndoshta është edhe më mirë që ndodhi kështu...
Deri sa ishte gjallë poeti, kalonte rrugëve të Prishtinës pa e vërejtur askush, pinte kafen e mëngjesit me vetminë e vet.
Vetëm atëherë kur iku, ne filluam ta ndjejmë boshllëkun që na la pas. Filluam ta ndjejmë se edhe ne do të ikim një ditë pa pritur e pa kujtuar.
Vetëm në faqet e fundit të gazetave do të lexojmë se vdiq filan fisteku, poeti i skamjes, i dashurisë së metropolit, poeti i mjerimit dhe i gotës, poeti që përpos fjalës që pat dhe librave asgjë tjetër nuk la në këtë botë të pshurrtë, asgjë përpos njerëzve mondanë që bredhin si koçan të lagur nëpër asfaltin me përplot shiringa dhe qeska najloni...

ËNDRRA E DITËS

Disa gjëra na rrjedhin para hundëve, i shtrijmë duart por s’mund t’i zëmë, tentojmë të ikim, nuk na lëshojnë, na mbajnë peng, ku ta dimë se për çfarë qëllimi.
Kurse ne edhe ashtu jemi peng i kokës tonë, çdo gjë pa dashje ndalojmë ashtu është kurdisur koka e jonë, ose nuk dimë të mendojmë pakëz më ndryshe se mushkonjat kur lahen në va.
Dalim në rrugë na pengojnë kalldrëmet që dikush i ka ndërtuar para shumë e shumë viteve, na pengon fluturimi i mizës mbi tepsinë e palarë kurse nuk na pengon aspak ai kundërmim i rëndë i tepsisë.
Shohim vlerat dhe kundërvlerat në fytyrat e njerëzve, na pengon çdo gjë që nuk jemi ne, nuk mund ta durojmë gërhitjen e gjyshit, vetëm se vetëm e ka shkelur shumë thellë në gjumin e moshës.
Pa vetëdije e fusim gishtin tregues në hundët e ditës, ja kruajmë trurin dhe më vonë po me atë gisht i pastrojmë dhëmbët. Ç’po ndodh kështu me ne? Kush jemi? Kah po shkojmë? Cila rrugë po shtrihet para nesh? A jemi duke ecur apo duke vendnumëruar si çdoherë? Ku po na bredhin këto mendime që nuk mund t’i quaj mendime por pikëza të tepërta që na pikojnë nga truri...
Të gjitha këto pyetje mbesin pa përgjigje. Kur na lodh etja, ulemi mbi një kërcu të kalbur dhe e kthejmë kokën kah e kaluara, thua se jemi pa të ardhme.
Pastaj kur na humbin fjalët i fusim duar në xhepin e ditës dhe e arnojmë kujtesën , me atë lecka që ka mbetur pas nesh.
Kur përfundojnë këto ngjarje, ulemi diku në një kafene dhe ja nisim të tjerrim thashethemet, ky mik i joni është prej mishi e ai tjetri ka kokë viçi dhe kështu mbërrijmë deri te shkallët e ndërgjegjes dhe ulemi kacule, ja nisim këngës majëkrahut...
Këta jemi ne, me të gjitha të mirat dhe të ligat tona, i qesim të pamirat përpara virtyteve, çdokujt ja veshim këmishën e të çmendurit, kapërthejmë të kaluarën me disa komça të alumintë dhe qeshim me vetveten.
Kur dehemi nga kënaqësia kur e arnojmë lëkurën e gjarprit posa të veshur,dalim në qytet, e varim diku në kujtesë varkën prej letre dhe rrimë me miq që nuk i kemi takuar me vite, i ndërrojmë disa fjalë sa për me thënë se u takuam.
Me fol të vërtetën as që kishim për çka të flasim, ishim të huaj për njeri tjetrin, koha e kishte bërë të vetën, as mua e as miqve të mi nuk na mungonte mirësjellja dhe kështu përfunduam takimin tonë me nga një përqafim të akullt.

Nga libri me prozë poetike “Fluturimet i korbave në netët pa hënë”
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi