Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Zgjedhjet - lëvizje e sigurt për Thaçin

Shko poshtë

Zgjedhjet - lëvizje e sigurt për Thaçin Empty Zgjedhjet - lëvizje e sigurt për Thaçin

Mesazh nga Agim Gashi Thu Nov 22, 2012 12:21 pm

Zgjedhjet - lëvizje e sigurt për Thaçin


Zgjedhjet - lëvizje e sigurt për Thaçin Largea_pdk_foto-jpg1353541447
As imazhi i qeverisjes së tij dhe as zërat brendapartiakë që e kanë kritikuar hapur gjatë muajve të fundit, nuk ia rrezikojnë Kryeministrit Hashim Thaçi konfirmimin si kryetar partie. Ai është nisur për të hyrë në vitin e 14-të në krye të PDK-së, në një rrugë që duket e shtruar. Në PDK, mohojnë mundësinë e “revolucionit”. Janarin po e presin të qetë, sipas llogarive.

Zgjedhjet e brendshme në Partinë Demokratike të Kosovës, që pritet të kompletohen me kongresin e saj në muajin janar, nuk janë duke dhënë shenja serioze se ndonjë grupim synon dhe mund të lëkundë udhëheqjen aktuale të saj.

Një analizë e Gazetës Jeta në Kosovë - e koncentruar në procedurën e këtyre zgjedhjeve, vëzhgimin e votimeve në degët kryesore të PDK-së dhe matjen e disponimit të politikanëve të fuqishëm brenda saj - ka rezultar me këto gjetje:

• Kryeministri Hashim Thaçi është i interesuar dhe pritet të rizgjedhet kryetar, pa rivalitet serioz. Edhe po të ketë kundërkandidatë të interesuar, procedura e zgjedhjeve, duke nisur nga niveli më i ultë, e favorizon fuqimisht Thaçin.

• Kryeparlamentari Jakup Krasniqi dhe deputeti Fatmir Limaj nuk janë aktivë në këtë proces zgjedhor. Por, anëtarësia dhe drejtuesit e PDK-së presin që ata të mbesin në këtë parti edhe pas dimrit.

• Ish-shefi i Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK), Kadri Veseli, pritet të zgjedhet anëtar i Kryesisë së PDK-së.

Grafika: Votat e PDK-së nga komunat, bazuar në rezultatet e zgjedhjeve më 2009

Procedura e zgjedhjeve mbështet Thaçin

Kundërshtimi i hapur i Kryeministrit Hashim Thaçi nga kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi, njëherësh sekretar i përgjithshëm i PDK-së, dhe deputeti Fatmir Limaj nënkryetar i saj, duket se nuk ka pasur kohë të shnëdërrohet në një revoltë brendapartiake - edhe nëse do të kishte vullnet për këtë.

Vetëm dy zyrtarë tjerë të PDK-së, Xhevat Bislimi e Halit Krasniqi, janë paraqitur me opinione më të pazakonshme në gazetat kosovare. I pari ka nënvizuar se në këtë parti për vite bëhet “ashtu siç thotë shefi” ndërsa deputeti Krasniqi ka folur kundër ndarjes së privilegjeve për “prurjet e reja”. Pjesa tjetër e PDK-së ka ruajtur natyrën e saj konservative - atë të një partie që zyrtarët e saj e quajnë “të disciplinuar” në paraqitjet në opinion.

Por me të parë sinjalet e lëkundjes së mundshme, Thaçi, duke përdorur kritikën se kjo parti nuk kishte mbajtur kuvend si duhet që prej vitit 2005, e nisi PDK-në drejt zgjedhjeve. Kjo ishte koha më e sigurt për të.

Përveç se kundërshtimi ndaj tij nuk ka krijuar ndonjë grupim të qartë në strukturën e PDK-së, të paktën siç e konfirmojnë votimet e deritashme nëpër seksione që përmbyllen më 15 dhjetor, atij i krijon avantazh edhe procedura e zgjedhjeve.

Kryetarin e partisë e zgjedh kongresi i saj.

Nënkryetari Hajredin Kuçi i tha Gazetës Jeta në Kosovë se ky kongres pritet të mbahet në muajin janar.

Sipas sekretarit zgjedhor, Basri Musmurati, kongresi do t’i ketë 451 anëtarë.

Mirëpo, rreth 200 anëtarë të këtij kongresi do të shkojnë në të me automatizëm, pa pasur nevojë që t’i nënshtrohen procesit zgjedhor. Ata janë anëtarët e Këshillit Drejtues të partisë me 151 veta, kryesia me 29 anëtarë, 34 deputetët, ministrat e PDK-së në Qeveri, si dhe rreth 30 anëtarë të kryesisë së forumit të gruas dhe të rinisë së kësaj partie.

Kështu, struktura aktuale, që e ka zgjedhur Thaçin kryetar, do të ketë rol dominues në kuvendin e ri.

“E drejta për të marrë pjesë në këtë kongres për anëtarët e kryesisë, deputetët etj., është mëse normale. E si mund të kesh punuar për PDK-në në Kryesi, Parlament, Qeveri dhe të mos mund të marrësh pjesë në Kuvend?”, pyet nënkryetari Kuçi. “Ky përfaqësim është i merituar”.

Edhe në një rrafsh tjetër, këto zgjedhje përkrahin strukturën aktuale.

Në degën e Drenasit të PDK-së, rreth 40 anëtarë nga kuvendi prej 145 personash janë paracaktuar rreth dhjetë ditë më parë pasi anëtarët e kryesisë aktuale të degës, të gruas dhe rinisë kanë të drejtë të shkojnë pa iu nënshtruar zgjedhjeve.

Gazeta Jeta në Kosovë ka vërejtur se edhe në degët e Mitrovicës, Gjilanit dhe Ferizajt degët e PDK-së do të përcaktojnë një numër anëtarësh për kuvende pa iu nënshtruar fare votave nëpër seksione të partisë.

Të gjitha degët e PDK-së, më pas, do të dërgojnë delegatë për vendet që nuk janë të përacaktuara në kongresin e kësaj partie, varësisht prej numrit të votave që komuna ka fituar në zgjedhjet e fundit komunale.

Për shembull, Skënderaj që ka më së shumti vota për PDK-në nga zgjedhjet lokale të vitit 2009 - 22, 587 -- do të dërgojë rreth 30 delegatë.

Sipas orarit të zgjedhjeve në këtë degë, votimet nëpër seksione do të mbarojnë që më 25 nëntor. Mirëpo aq të parëndësishme janë këto zgjedhje atje sa kur gazeta e kontaktoi kryetarin e degës, Ramadan Gashi, ai tha se nuk gjendej në Skënderaj por në Prishtinë. “Dhe, nuk jam i interesuar të flas për zgjedhjet”, tha Gashi.

“Limaj e Krasniqi nuk janë aktivë në zgjedhje”

Nëse do të kishte lëkundje serioze në PDK, dega e saj në Drenas do të mund t’i reflektonte ato më së shpejti.

Prej andej vjen kryeparlamentari Jakup Krasniqi i cili bashkë me ish-komandatin e UÇK-së, deputetin Azem Syla, llogariten si dy nga figurat më me ndikim në këtë komunë. Syla është përmendur në procese gjyqësore për afërsi me SHIK-un por edhe njihet si i afërt i Kryeministrit. Po ashtu, një ish-drejtues i SHIK-ut, deputeti Fadil Demaku, e ka vëlla kryetarin e degës së PDK-së në Drenas, Nexhat Demakun.

Gazeta Jeta në Kosovë, në muajin qershor, ka shpërfaqur se dy biznese të cilat ishin të ndërlidhura me dy drejtues të SHIK-ut - Fadil Demaku e Ferat Shala - kishin përfituar rreth 1 milion euro kontrata nga prokurimet publike të Komunës së Drenasit.

Dhe ish-struktura e SHIK-ut - bazuar në numrin e votave që kanë marrë deputetët e dalë nga kjo organizatë - duket se ka ndikim në Mitrovicë, Podujevë, Ferizaj dhe Gjilan. Këto komuna sjellin secila mesatarisht 9 mijë vota për PDK-në.

Pesha e kësaj strukture është e dukshme, por ajo shfaqet se është më shumë e afërt me Thaçin sesa e interesuar për ta rivalizuar atë.

Kryetari aktual i Drenasit për një kohë ka punuar edhe si asistent për kryetarin e partisë. “A do të ishte PDK më mirë pa Thaçin? Unë nuk jam i sigurt”, thotë Nexhat Demaku. “Nuk shoh se ka interesim në parti për ta ndërruar kryetarin”.

Demaku thotë se kishte marrë pjesë në takimin e Këshillit Drejtues të PDK-së, më 12 nëntor, në Prishtinë, nën drejtimin e Thaçit, por aty nuk kishte marrë pjesë as Jakup Krasniqi e as Fatmir Limaj.

“Ata nuk janë aktivë në këto zgjedhje”, thotë Demaku. “Të paktën për Krasniqin, mendoj se ai është duke llogaritur më shumë për të ardhmen. Ai ka shumë krenari për atë që ka bërë në PDK, ai beson se e ka vendosur strukturën partiake, dhe kështu nuk e shoh jashtë”.

Limaj që prej të premtes po ashtu do të jetë i zënë sërish me gjykatën pasi një prokuror i EULEX-it ngriti akuzë për rastin e korrupsionit në ish-Ministrinë e Transportit dhe Telekomunikacionit. Ai dhe Krasniqi nuk i janë përgjigjur kërkesave të gazetës për të komentuar për procesin zgjedhor në PDK.

Mirëpo, tre zyrtarë të tjerë të lartë në qendrën e PDK-së - Hajredin Kuçi, Xhavit Haliti dhe Nait Hasani - të gjithë i thanë gazetës se i shohin Krasniqin e Limajn në PDK pas këtij procesi zgjedhor.

“Krasniqi dhe Limaj kanë dhënë shumë për PDK-në. Unë i shoh këtu dhe në strukturën drejtuese të partisë”, tha nënkryetari Kuçi.

“Të paktën deri më tash Limaj dhe Krasniqi, për aq sa di unë, nuk kanë shprehur interesim për të dalë nga PDK-ja por për të rregulluar procedurat e brendshme”, tha anëtari i kryesisë Xhavit Haliti. “Në anën tjetër, nuk është turp të kesh ambicje”.

“Për mua, edhe pse nuk kam parë kësi disponimi, shembulli i LDD-së ka treguar se nuk do të mund të bësh diçka edhe nëse del”, tha deputeti Nait Hasani. “Për ndryshim nga shumë vende tjera, në këtë hapësirë nuk është e lehtë të ndërrohen liderët”.

Kryetari i Drenasit, Nexhat Demaku, thotë se delegatët e kësaj dege normalisht votojnë “edhe për Thaçin edhe për Krasniqin”. Ai nuk është i sigurt se për këtë do të votonin ata nëse Krasniqi do të kundërkandidonte Thaçin.

Megjithatë, për shkak se ambicje të mëdha nga rivalët e mundshëm të Thaçit nuk janë prezantuar në këto zgjedhje, edhe lëkundjet në Drenas kanë reflektuar ato. Polemikat lokale janë kufizuar mes Demakut e Shemsi Elezit, i cili të mërkurën është zgjedhur delegat nga seksioni Drenasi 2. Elezi, ish-anëtar i AAK-së, nuk pritet të fitojë kontrollin në këtë degë.

Edhe udhëheqësi i Zyrës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Zyrën e Kryeministrit, Faik Fazliu, ka humbur në seksionin e Gradicës përball një drejtori të shkollës, javën e kaluar, dhe nuk do të jetë delegat. Por vota e tij nuk duket se do të jetë humbje e madhe në fund për Thaçin.

Siç tha Nait Hasani, “kundërkandidati i Thaçit është një X me 450 të panjohura”.

“Nuk mund të bëjmë dy karrige kryeministrash”

Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Xhavit Haliti, thotë se deri më tash askush nuk ka dalë zyrtarisht për tu ofruar si kundërkandidat për kryetar të PDK-së karshi Thaçit.

Ai thotë se PDK-ja do të duhej t’u jepte kohë njerëzve të përgatiten duke mos u ngutur me kongresin e partisë dhe duke rregulluar statutin. “Për shembull, statuti nuk sqaron se sa para do të kem në dispozicion për fushatën unë si kundërkandidat dhe sa kryetari aktual”, thotë Haliti.

Po ashtu, tha ai, statuti do të duhej të rregullonte që nënkryetarët dhe sekretarët të zgjedheshin me vota direkte. Aktualisht ata propozohen nga kryetari dhe votohen nga kryesia.

Për shumëkë nga jashtë, Thaçi shihet si një personalitet i rrallë në PDK që mund të bisedojë me të gjitha grupimet brenda kësaj partie - ish ushtarakë, ish të burgosur politikë, ish anëtarë të Lëvizjes Popullore të Kosovës, liderë të fuqishëm rajonalë si dhe të anëtarësuarit nga akademia ose shoqëria civile.

Por, Haliti e mohon këtë.

“Që të jem i sinqertë, ne shpesh kemi marrë vendime me konsensus në organet e partisë dhe i kemi dhënë qëndrimeve të kryetarit fuqi edhe më të madhe se që ka qenë ndoshta nevoja”, thotë ai. “Duke qenë kryetar normalisht që e ke obligim të bësh konsultime sa më të gjera”.

“Sikur të isha i sigurt se mund të fitoj, do të kandidoja”, shton ai.

Nait Hasani thotë se edhe pa Thaçin kryetar, PDK do të fitonte në zjedhje. “Pak a shumë, është ruajtur numri i njëjtë i votave në zgjedhje”, thotë ai.

PDK ka fituar 224,339 vota ose 32.11 për qind në zgjedhjet e 2010-tës, 196,207 ose 34.3 për qind më 2007 dhe 202.622 vota ose 25.7 për qind më 2001.

Është gati e njëjta masë e votuesve pavarësisht se çfarë ka bërë PDK-ja në qeverisje, çfarë oferte ka prezantuar në zgjedhje dhe sa njerëz i ka punësuar.

Por, ka zyrtarë tjerë që nuk pajtohen me Halitin dhe Hasanin. Sipas tyre, do të ishte e vështirë për një numër zyrtarësh që ta shihnin vetën pas dikujt tjetër nëse Thaçi s’do të ishte kryetar, se kryetari aktual i PDK-së ka punuar shumë në moskoncentrimin e votuesve të partisë duke zgjeruar përfaqësimin e saj nga struktura të ndryshme dhe se nuk ka kërcënim se ai mund të humbas qeverisjen në zgjedhje.

Prandaj, thotë nënkryetari Hajredin Kuçi, këto zgjedhje nuk do të ndryshojnë shumë PDK-në. “Nuk do të ketë revolucion”, tha ai.

Deputetja Flora Borvina, krahas Krasniqit dhe Limajt, kishte kritikuar mospërgjegjësinë e Thaçit ndaj organeve partiake. Nënkryetari Kuçi thotë se tani paraqitjet në Parlament të kësaj partie janë më të organizuara.

Më pak ka qenë i sfiduar kualiteti i qeverisjes së Qeverisë Thaçi. Krasniqi ka kritikuar sjelljet e policisë ndaj protestuesve të Vetëvendosjes, Limaj mënyrën e privatizimit ndërsa Kadri Veseli ka folur për orientim më pro-perëndimor ekonomik. Mirëpo debati nuk ka shkuar më thellë.

Në muajt e kaluar, përveç rasteve tjera që përfshijnë Qeverinë, Gazeta Jeta në Kosovë ka shpërfaqur ndërlidhje të vet Kryeministrit Thaçi me biznesin. Në prill, gazeta zbuloi se Blerim Thaçi, vëllai i Kryeministrit, ishte hisedar në kompaninë “Iliria Building” që ishte duke ngritur një kompleks banesor në Prishtinë, ndërtimi i së cilës mund të kushtonte rreth 4 milionë euro. Ortaku i Blerim Thaçit, biznesmeni Milaim Cakiqi, ishte fqinj i Kryeministrit tek shtëpia e tij e re në lagjen Perëndimi i Ri. Në korrik, gazeta zbuloi se me veturën e këtij biznesmeni Kryeministri kishte udhëtuar në një qëndrim të shumëpërfolur në Shkup.

Po ashtu, një firmë që punonte me vëllain e Kryeministrit ishte angazhuar në ndërtimin e selisë së agjencisë së intelegjencës në vend.

Në zhvillimin më të fundit të kësaj natyre, gazeta raportoi se një vendim i nxjerrë nga kabineti qeveritar e që është miratuar nga kreu i ekzekutivit ka bërë që Lulëzim Dragusha, dhëndër i familjes Thaçi, të caktohet drejtues i një komisioni qeveritar që do të organizojë regjistrimin e mërgimtarëve kosovarë.

I pyetur se a ka interesim në PDK për të ndryshuar imazhin e qeverisjes Thaçi, Kuçi tha se “imazhi për Qeverinë nuk krijohet në Strip Depot”, se ajo ka punuar shumë në infrastrukturë, se ka ngritur aftësitë e të qeverisurit dhe se në të ardhmen e afërt “patriotizëm do të thotë krijimi i sa më shumë vendeve të punës dhe zhvillimit”.

Të gjithë - Xhavit Haliti, Hajredin Kuçi, Nait Hasani dhe Nexhat Demaku - janë përgjigjur se e shohin Kadri Veselin anëtar të Kryesisë së re të Partisë Demokratike të Kosovës.

Ata, që të gjithë, minimizuan rëndësinë e deklarimeve të tij me rastin e anëtarësimit në PDK se ofron projekte zhvillimi.

“Si anëtar i Kryesisë, ai nuk i pengon askujt në PDK”, tha Demaku.
“Nuk mund të bëjmë dy karrige kryeministrash”, tha Nait Hasani.


BS
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi