Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Dr. Enver Bytyçi - Në Ballkan po fryjnë erërat e ndryshimeve politike.

Shko poshtë

Dr. Enver Bytyçi - Në Ballkan po fryjnë erërat e ndryshimeve politike. Empty Dr. Enver Bytyçi - Në Ballkan po fryjnë erërat e ndryshimeve politike.

Mesazh nga Agim Gashi Fri Aug 21, 2015 1:39 pm

Dr. Enver Bytyçi - Në Ballkan po fryjnë erërat e ndryshimeve politike. 543875_10151775221937207_417302030_n

Dr. Enver Bytyçi


Në Ballkan po fryjnë erërat e ndryshimeve politike.

Turqia njoftoi zgjedhje të reja parlamentare për muajin nëntor. Rexhep Taip Erdogan për herë të parë në qeverisjen e tij të mbi një dekade humbi të drejtën e formimit i vetëm të qeverisë turke. Autoritarizmi I tij si dhe përfshirja e disa anëtarëve të kabinetit në korrupsion çuan jo vetëm në uljen e numrit të deputetëve, por edhe në refuzimin e partive të tjera për të bërë koalicion qeverisës. E vetmja zgjidhje mbetën të jenë zgjedhjet e reja. Erdogan beson se me këto zgjedhje do të mund të marrë mandatin e qeverisjes. Por kjo gjë me shumë gjasë nuk do të ndodhë. Kohët e arta të Erdogan dhe partisë së tij tashmë kanë perenduar dhe Turqia po shkon drejt adaptimit të një modeli të ri qeverisës, model që nuk do t'i ngjasojë autoritarizmit të Rexhep Erdoganit.
Në Greqi para shtatë-tetë muajsh erdhi në pushtet SYRIZA e problematikut, Tcipras. Alexis Tcipras pas një fushate disavjeçare antieuropiane, veçmas antigjermane e antiMerkel, i “bindi: zgjedhësit grekë që të marrë prej tyre mandatin e krijimit të qeverisë. Por vetëm disa muaj pas promovimit të tij në qeverisje ai dështoi në përpjekjet e tij për ta injoruar Europën e për t’u lidhur me Vladimir Putin. Në stilin manipulues Tcipras organizoi një referendum, me të cilin tentoi të marrë mandatin e grekëve për të kundërshtuar masat e kursimit të impunuara nga BE dhe donatorët e tjerë ndërkombëtarë për rimëkëmbjen e ekonomisë greke.
Por europianët i imponuan atij pas referendumit masa po aq të rrepta sa edhe para tij. I dhanë mesazhin se Tcipras, i vetëm nuk mund të luajë në fushën e tatrit europian të politikës. Kështu kryeministri grek duhej të përballej me pakënaqësinë e partisë së tij, përkrahjen e së cilës e humbi. Prandaj grekët në shtator do të drejtohen sërishmi drejt kutive të votimit. Rezultati duket së është i parashkruar. SYRIZA nuk do të ketë më shumicën absolute, pra, as mandatin e krijimit të qeverisë si forcë e vetme politike. Edhe nëse do të jetë forcë e parë, ajo domozdoshmërisht do të drejtojë vendin në koalicion me të majtën e moderuar greke. Ndryshe do të rikthehet koalicioni i qendrës së majtë dhe qendrës së djathtë. Shkurt, Greqia, ashtu si edhe Turqia, me zgjedhjet e reja është nisur drejt normalitetit.
Po Maqedonia? Në Shkup është nënshkruar një marrëveshje për zgjedhje të parakohshme, pa Nikolla Gruevskin kryeministër. Protestat e opozitës, me të cilat për herë të parë u bashkuan edhe shqiptarët, bënë që Gruevskit t’i imponohen kushtet e kryeopozitarit Zajev dhe vendi t’u drejtohet pranverën e ardhshme kutive të votimit. Të gjitha gjasat janë që të ketë një rrotacion pushteti. Nëse në Turqi dhe në Greqi pritet një rrotacion i modelit të qeverisjes, në Maqedoni pritet gjithashtu ndryshimi i kaptenëve të anijes maqedone. Kjo për shkak të aferave korruptive dhe politikave përçarëse të kryeministrit aktual.
Kohët e fundit ka filluar të flitet për zgjedhje të parakohshme parlamentare në Serbi. Edhe këtë radhë duket që Kosova të jetë shpikja si “molla e sherrit”. Presidenti Tomisllav Nikoliç vijon të jetë i pozicionuar pro vijës ruse të aleancave e të zhvillimit dhe kundër integrimit në BE e NATO. Kryeministri Aleksandër Vuçiç, pas disa kryeneçësive gjatë zhvillimit të bisedimeve midis Prishtinës e Beogradit kur ishte në postin e numrit dy të qeverisë, ka dhënë fjalën se do të jetë i përkushtuar në rrugën europiane të zhvillimit dhe integrimit të vendit. Por zevendësi i tij, Ivica Daçiç është bërë xheloz për protagonizmin europian të Vuçiç dhe kësisoj ka nisur konflikti midis dy aleatëve kryesorë në qeverisje. Daçiç po shfrytëzon në këtë rast sërishmi Kosovën, duke kundërshtuar ashpër anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare, gjë për të cilën Vuçiç ka një ujdi me Angela Merkel. Ky konflikt duket se ka marrë përmasa dhe po e çon koalicionin drejt krisjes. Krisje do të thotë zgjedhje të parakohshme. Edhe në këtë rast zgjedhjet do të jenë test në funksion të përforcimit të orientimi europian të Serbisë. Sa më shumë zgjedhje, aq më shumë do të ndryshojë kursi serb I zhvillimit, fillimisht në favor të integrimit europian e më vonë edhe të integrimit në NATO.
Mbeten Shqipëria, Kosova dhe Bosnjë-Hercegovina. Në Shqipëri dyshja Rama-Meta kanë krijuar një hendek më të madh sesa Tciprasi në Greqi dhe Gruevski në Maqedoni, sa i përket rezultateteve të qeverisjes dhe mbajtjes së premtimeve elektorale. Në historinë e pluralizmit shqiptar nuk ka ndodh që të krijohet kaq shpejt një humnerë kaq e thellë midis aspiratës dhe shpresës së shqiptarëve dhe modelit të qeverisjes sa në këto dy vitet e fundit. Po t’i shtojmë kësaj krize të thellë ekonomike, sociale e të mosbesimit edhe hendekun e krijuar midis lidershipit në qeverisje dhe partnerëve ndërkombëtarë, atëherë do të kuptojmë se zgjedhjet e parakohshme në ventin tonë jo vetëm janë të domozdoshme, por madje imperative. Këto zgjedhje ka shumë gjasa të vijnë si argument institucional nga një çarje e koalicionit midis partnerëve të majtë PS-LSI.
Por gjithësesi Shqipëria gjendet përpara një ndryshimi epokal në modelin e qeverisjes dhe në rikthimin e vlerave të demokracisë. Autoritarizmi dhe arbirtratiteti, njësoj si në Maqedoni e Turqi, është shkaku kryesor i ndryshimeve që duhet e pritet të ndodhin. Ndërsa këtij modeli autoritar mund t’i shtojmë dhe modelin e premtimeve të pambajtura dhe orientimit të gabuar, si Tciprasi në Greqi, drejt Lindjes. Pra, në Shqipëri janë kryqëzuar të gjitha dilemat ballkanike, sa i përket kërkesës për ndryshim. Vendi ka humbur shpresën e zhvillimit të mëtejshëm dhe për këtë arsye opozita duhet të nxitojë të japë alternativën e saj të besueshme. Opozita me Lulzim Bashën ka dhënë të gjitha shenjat se modelon një formë tjetër qeverisjeje, qeverisjen efektive dhe të moralit demokratik, qeverisjen e moderuar e larg konfliktit politik. Shqiptarët tashmë e përceptojnë faktin se kreu i opozitës i përket një epoke të re të zhvillimit politik dhe demokratik të Shqipërisë.
Por kjo nuk mjafton. Në radhë të parë duhet të largohet fryma e krahasimit të të dy palëve, “këta si ata e ata si këta”. Kjo do të ndodh vetëm nëse opozita do të kombinojë protestën e rëagimin qytetar me dhënien e alternativës së qarte, të lexueshme, të kuptueshme e të prekshme nga çdo qytetar i këtij vendi. Që do të thotë, një kombinim i përvojës së Berishës me modalitetet e politikës moderne të Bashës.
Qevesija Rama - Meta tashmë ka dështuar. Ajo është e dështuar edhe në mjeshtërinë e zbukurimit të gjërave, edhe në alibinë e slloganit “Fajin e ka Berisha”. Modeli ramizist i nxitjes së shqiptarëve "opozitarë" për të emigruar në botën e Perendimit vetëm se e thellon krizën politike e sociale të vendit. U bënë dy vjet qeverisje dhe rrukullisja e vendit drejt humnerës ekonomike e sociale si dhe drejt konfliktit politik të mpleksur me kriminalitet e mercenarizem banditesk ka shkuar në fundin e vet.
Në këto kushte opozita nuk duhet të presë, aq më pak të duartrokasë krisjen e koalicionit qeverisës. Ka mundësi që këtë krisje Rama ta shfrytëzojë për të hedh të gjitha përgjegjësitë e qeverisjes së dështuar te aleatët e sotëm të LSI-së dhe kjo do të ndikonte në ruajtjen e pozicioneve të PS-së, sidomos në rastin e joshjeve të opozitës për koalicione me pjesët e së majtës. Lojërat polliste të koalicioneve nuk i shërbejnë zgjidhjes, pra nuk sjellin ndryshimin e duhur, sepse qeverisja në të dy anët e koalicioni është implikuar keq në korrupsion, trafiqe dhe bashkepunim me krimin e organizuar, madje me bandat kriminale.
Nëse tek ne do të ndodhin zgjedhjet e parakohshme, ato duhet përfundimisht t’i japin fund politikës së vjetër të konfliktit e për më tepër politikës së sotme të bashkëpunimit me krimin e të keqen. Për këtë opozita duhet të punojë. Se ndryshimi politik në Shqipëri do ta sjellë vendin në normalitet të zhvillimit dhe integrimit të tij. Vetëm në këtë rast Shqipëria do të jetë në kohezion me frymën e re poltike të krijuar në Ballkan.
Ndërsa Kosova tash për tash duket stabile, por fillimi i punës së Gjykatës Speciale në janarin e vitit të ardhshëm dhe zgjedhja e presidentit, post i cili i është premtuar Hashim Thaçit, do të sjellin ndryshime dhe me shumë gjasë edhe zgjedhje të parakohshme.
Nga e gjithë kjo analizë, vijmë në përfundimin se një erë e re po fryn në Ballkan. A do të jenë ndryshimet politike të afërta çelësi i suksesit të vendeve të rajonit veç e veç e në tërësi, apo do vijojë modeli i sotëm i qeverisjes? Le të shohim në praktikë se çfarë do të ndodhë. Megjithatë ndryshimet politike duket se janë ndikuar nga kërkesa e brendshme dhe e ndërkombëtarëve për më shumë demokraci e më pak autoritarizëm, për më shumë drejtësi e më pak manipulime, për bashkëjetëse e kundër konfliktit etnik apo politik, për zhvillim e integrim dhe aspak izolim. Kjo do të thotë gjithashtu për stabilitet politik të orientuar qartë drejt integrimit euro-atlantik dhe kundër çdo përpjekje për aleanca fluide me Lindjen autoritare.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi