Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Sabit Rrustemi: Zjarrmi e kthjelltë (cikël poezish)

Shko poshtë

Sabit Rrustemi: Zjarrmi e kthjelltë (cikël poezish) Empty Sabit Rrustemi: Zjarrmi e kthjelltë (cikël poezish)

Mesazh nga Agim Gashi Sun Aug 23, 2009 12:14 am

Sabit Rrustemi: Zjarrmi e kthjelltë (cikël poezish) U1_SabitRrustemiSabit Rrustemi
ZJARRMI E KTHJELLTË (cikël poezish)

FURTUNË MBI TOKËN TIME

Zjarrmi e kthjelltë
reshë mbi Tokën time
Reshë e nuk pranë
as në ditët me diell
as në netët me hënë

Mali im nuk bën zë
ndrydh gjëmët nën dhëmbë
si ajo kodër përmbi
që digjet deri në hi

krojet struken në thellësi
lumenjtë kaplohen etjesh
avullohen treten ne eter
pllakos qetësi

Koha e Lules ikën
faqeve të internetit
dritaret ndizen prej vape
prej syve të këqinj

mbyll veten time nën lëkurë
natës së betontë
pa një pishë pa një bli
e një flatër zogu që miklon

se kah shfaqet një dredhë
një erë një gjarpër i zi
si në ëndërr
më përlanë mua ty

Kupa qiellore vërshohet
nga avujsh të ndezur toke
vlon prej majegishtash
në majekokë
nuk sheh më ngjyrë tjetër
vetëm zi vetëm zi
si mos më zi

shpërgjumem prej ankthi
fërkoj sytë
e nuk besoj
në atë që shoh
bëje zot ëndërr sërish
çirrem e lutem në zë

nis e fryn me furi
e bie bie shi
shi i akullt shi i zi

s' kam kohë as të dal
as të rri si të rri
ëndrra e jetës sime
vërshohet tërbohet
e thyhet përsëri

si më mashtroi kjo kohë
kjo kaltërsi
aq shpejt u mbyll nën re
vetëtoi e qëlloi syve të mi

nuk e shoh më portën
as rrugën

Tokës sime
si t'i dal përpara
më ka marrë mëri
e s'ma kthen më atë bukë
atë ngrohtësi e dashuri

Ngre kokën
çelë ballin zemrën
e nisem
ta shoh në sy furtunën
që i sulet
me atë që kam
me atë që di

edhe kur qëllohem
rrugën s'e kthej as kokën

vetëm e përgëzoj
që më zuri befas
dhe tallem me të
tmerrësisht tallem

sa të fortë e ka goditjen
kur qëllon krejt papritur
e ikë pahetueshëm

Toka ime prapë mbetet
në duart e mia
alfabet i jetës
duke pastruar
mllefin e zbrazur

dhe atë rrugë
kah Ëndrra Ime
që pres të kthehet sërish
Dashuri e Jetës

2 Gusht 2009 (Midis Vere, freski mëngjesi)

PRITJA ME EMRIN LULE

Ajo Lule Akulli
ngrehë kokë e nuk jepet

te rrënjët e një Çarri
në Rogat e Goclave
nuk shkrihet as në midis vere

Faqet jeshile
nëpër atë trup gjelbrak
pijnë ujin e zi të atij Çarri
mbledhur në një zgurë
që kurrë nuk shterron
si pritjet e mia
si udhët drejt teje
që s'mbarojnë
as këtë të diel
derisa ajo Pritje
në Lule të shpërthejë

ai emër i akullt
nga puthjet tua
në luleputhje
do buzëlulojë

POEZIA IME JE TI

Poezia është jeta ime e pajetuar
dashuria e munguar
ëndrra që vizatohet
deri tek Ti
Udha që kam trupuar
e shpesh më ka hidhëruar
sa e kam ecur përsëri

Mes vargjesh të çdo poezie
kam shpluar botën e palexuar
dëshirën time
të pashijuar

sa poezi e vargje
duarsh më kanë dalur
rrugëve botësh janë shkepur
e atë që kam ëndërruar
nuk e kanë gjetur

vetëm nuk janë kthyer
me ëndrrat e mia
diku kanë ngecur

poezia jetë
vuajtje ka sfiduar
me shpresën nën bebëza
kah ajo ëndërr
në të tjera poezi
deri në atë orë të lume
kur u shfaqe ti

dashuri e ëndërrt
këtu e në në përjetësi

Ti je Jeta
je Etja Ime poezi
Lehtas t'i afroj buzët
të shfletoj
në heshtje të lexoj

nëpër ecilën faqe
secilën fjalë
pushoj e shijoj
kënaqësinë e pafundtë
atë që je Ti
dashuria ime poezi

ME HËNËN N’PESËMBDHJETË

Kur e pashë Hënën e Re
Ju thashë miqëve të mi
Pa u bë e plotë
Nuk ka shi

Ata nuk më besuan
Qeshën pa zarar

Ndërkohë ecën ditët
Nëpër vapë e kaltërsi
Nuk ra asnjë Pikë Shi

As për dashuri

Me Hënën n'Pesëmbdhjetë
U mbarsën retë

Ra shi e shi
Tokës së etur gjithandej
Solli paqe

Dhe Ty
Mbi qiellin tim
Si Pogaqe

11 Gusht 2009, 21,58

KRECKA

Mbinë
Nën plasa guri
A rrënjëve të thella të çarrit
Aty ku ka pak vend për ty
E ka kush të mbanë në gji
Të falë dashuri

Bimë drunore e një vendi të thatë
Një mal zogjsh kërkojnë uratë
Pas atyre gjetheve
Që ngjyrë ndërrojnë
Nëpër stinë
Çmenden drenushat
Pa gjumë netëve me hënë
Mbesin dhe çunat

E bukur dhe e dashur
Nëpër rrëza are e mali
Thyhesh e përthyhesh
Na mbetesh nëpër duar


Shkrihesh e tëra
Duke na nxerë
Prej zjarrit sosesh
As hi lë në oxhak

II.

E lehtë je për krahët tanë
Si një pupël e ngazëllyer
Pas dashurisë

Të shëndrrojmë në shkallë
Deri te ajo dritare
Ku puthë dritë e hënës

Të bëjmë dhe shtizë
Për ta tjerrë pritjen e pasosur
Në sytë e Penelopës

Të zgjatim edhe si bishtkrrabë
Deri te ajo majë molle
Ku prêt e nuk jepet lehtë
Ajo faqekuqe fytyrmollë

Përmes teje
Dhe fatin tonë të jetës
Pijmë sofrave

Si lugë të lëpijmë
Përmes gjuhësh

Dhëmbët na i ruan prej hekuri

III.

Një erë e lehtë
Të dredh të përdredh
Sa lehtë
Oh sa lehtë
Dora e shkujdesur të thyen

Krëckë krëckë
Jehon dhembja jote
Vaji yt

E mali loton
Thellë në brendësi
Nis e shëron atë plagë
Atë gjëmë

IV.

Ti je e lakmueshme
Ëndërr e dëshirueme
Vetëm si e virgjër
Tek lahesh nën rrëke lotësh qielli
Shpupurishesh nga flatra zogu
Mbrëmjeve me puhi

E bukura e thyeshme e malit
Nën atë strehë të çarrit
Si të të ruaj
Dhe nga pesha e pamatur e fjalës

Dora ime
Mos qoftë thënë
Të ta nxjerrë ndonjëherë
Atë krëckamë

18 Gusht 2009
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi