Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Mirash Ivanaj i humbur në diktaturë

Shko poshtë

Mirash Ivanaj i humbur në diktaturë Empty Mirash Ivanaj i humbur në diktaturë

Mesazh nga Agim Gashi Sun Jan 04, 2009 1:42 pm


Mirash Ivanaj i humbur në diktaturë U1_MuirashIvanaj
Mirash Ivanaj, i ri
Mirash Ivanaj; I humbur në diktaturë


Nga Dr. Iljaz Gogaj


Mirash Ivanaj, personalitet i shquar shumëvlerësh i kombit shqiptar, fatkeqësisht i panjohur për brezat e sotëm, zë një vend të rëndësishëm në panteonin e personaliteteve më të shquar atdhetarë shqiptarë, deri në fund të Luftës së Dytë Botërore. Intelektual erudit, reformator i guximshëm i arsimit kombëtar shqiptar, jurist, pedagog, organizator dhe drejtues i talentuar i shkollës shqiptare, publicist, kronikan, filozof e poet, zell apostulli për të dhënë sa më shumë për vendin dhe për popullin. Asnjë shkollë, asnjë institucion kulturor, ose rrugë në Tiranë, apo në Shkodër nuk ka emrin e Ivanajt
Pesëdhjetë e pesë vjet më parë, në burgjet e skëterrshme të diktaturës shuhej jeta e Mirash Ivanajt, një prej figurave më madhore të kohëve moderne të kombit shqiptar.
Mirash Ivanaj, personalitet i shquar shumëvlerësh i kombit shqiptar, fatkeqësisht i panjohur për brezat e sotëm, zë një vend të rëndësishëm në panteonin e personaliteteve më të shquar atdhetarë shqiptarë, deri në fund të Luftës së Dytë Botërore. Intelektual erudit, reformator i guximshëm i arsimit kombëtar shqiptar, jurist, pedagog, organizator dhe drejtues i talentuar i shkollës shqiptare, publicist, kronikan, filozof e poet, zell apostulli për të dhënë sa më shumë për vendin dhe për popullin. Koha e njohu si atdhetar të flaktë dhe trimëror, demokrat të bindur të ndërgjegjshëm, përpjekës për mendim të lirë, karakter i papërkulur i gatshëm për çdo sakrificë.
Jeta e Mirash Ivanajt vijon rrjedhës së ngjarjeve të atdheut të tij në vitet ‘20-‘40 të shekullit XX, me kthesa dhe lëkundje tronditëse të shumanshme, deri edhe shkatërrimtare, të cilat sollën plagë të mëdha e të rrezikshme për vendin dhe popullin shqiptar,deri në ditët tona.
Mirash Ivanaj vjen në botën intelektuale shqiptare si një meteor dritëshumë nga trevat e pamposhtura shqiptare, që fati historik i la jashtë trojeve etnike të atdheut dhe që quhet Malësi e Madhe, i ngjizur me brumin e mbrujtur të maleve me popullsi të panënshtruar shqiptare, që u ngrit gjithnjë kundër pushtuesit, ai trashëgoi nga virtytet më të vyera të njëmendësisë malësore shqiptare.
Mirash Ivanaj u lind në Podgoricë. Të parët e tij nga fshati Bekaj i Trieshit (Malësi e Madhe) në Mal të Zi, për shkak të kushteve të vështira, rrjedhojë e qëndresës së armatosur kundër pushtuesit osman, kishin rënë në Podgoricë. Për qëndrimin dhe veprimtarinë atdhetare, i ati Doda, ishte dënuar tri herë me vdekje nga autoritetet osmane të pushtimit. I ungji Leka edhe më me emër në fushë të veprimtarisë aktive atdhetare shqiptare, ka një jetë shumë të vështirë, por të papërkulur, deri sa u bë viktimë e dorës së pushtetarëve malazezë. Ishin vitet e ngritjes së Lëvizjes Kombëtare Shqiptare të Rilindjes, sigurimit të Pavarësisë me të cilat përkon mosha e rinisë dhe e formimit të Ivanajt.
Nxitur nga zgjuarsia e veçantë e të bijve, duke ia ditur vlerën diturisë, falë edhe gjendjes ekonomike, i ati u kujdes dhe arriti t’i dërgojnë dy djemtë e tij, Martinin dhe Mirashin, deri në dyert e Universitetit Mbretëror të Romës.
Natyrë serioze i mënjanuar nga argëtimet e tepruara të moshës, zelltar i zjarrtë për studim, atje në Romën e madhe, Ivanaj u dha ngulshëm pas studimeve dhe shpejt, me rezultatet gjithnjë e më të mira në provime, ra në sy si një ndër studentët më të dalluar të Universitetit. Për një izraelit dhe për një shqiptar, flitej gjithandej në mjediset studentore. Pas dhjetë vjet studimesh serioze pasionante, ndonëse me një bursë të vogël, duke i plotësuar shpenzimet vetjake edhe duke punuar, Mirashi kreu lavdërueshëm dy fakultete, atë të letërsi-filozofisë dhe të drejtësisë. Me gjithë propozimet për të qëndruar asistent në Universitet. Ai nuk pranoi. E vetmja dëshirë e tij ishte të kthehej në Atdhe, “për shërbimin ndaj të cilit, deklaroi ai, nuk paraqes asnjë konditë”. Me dy laura të shkëlqyera universitare në xhep, me disa gjuhë të huaja dhe me ashkun rinor për punë intelektuale, në vjeshtën e vitit 1923, Mirashi kthehet në atdhe të punojë me përkushtim për zhvillimin dhe përparimin e atdheut, që priste shumë nga bijtë e tij, të cilët shkolloheshin në Perëndim. Vendoset në Shkodër dhe me ndihmën fillestare të kushëririt të tij, patriotit të njohur Nikolla Ivanaj, të dy nisën të botojnë në qytetin e veriut gazetën “Republika”.
Në vitet e studimit Ivanaj do të ushqehet me ide republikane dhe do të tërhiqet veçanërisht prej pikëpamjeve të republikanit të njohur Italian Xhuzepe Maxinit. Me nivelin e dalluar kulturor, me guximin qytetar dhe dëshirën për përparimin e atdheut, nga dora e Mirashit, e vëllait Martinit dhe Nikollës, dolën shkrime për çështje të arsimit e të shkollës kombëtare shqiptare. Pena më e fuqishme që e bëri të njohur “Republikën” në botën shqiptare, ishte ajo e Mirashit me artikuj problemorë, ku ra në sy, jo vetëm kultura e gjerë, aftësia për t’i paraqitur me nivel dhe kuptueshëm problemet që shtronte për zgjidhje, por edhe njohja shumë e mirë e historisë dhe e jetës bashkëkohore shqiptare, me tërë travajat e saj të vjetra e të reja. Porse problemi themelor për Ivanajn që kishte bota shqiptare, mbeti çështja e shkollës kombëtare dhe laike, ku të kishte tagër vetëm shteti mbi bijtë e tij, si garanti më i madh i unitetit kombëtar në një vend me tri besime fetare.
Gjatë punës në gazetë, u dallua jo vetëm publicisti dhe politikani, por edhe prirja letrare e spikatur, gjë për të cilën kishte dhënë prova që në moshën e shkollës së mesme në Pozharovac (Sërbi) ku kreu gjimnazin, gjithnjë së bashku me të vëllanë dhe ku në bashkautorësi me të, kishte botuar vëllimin poetik “Epopeja e njeriut”, si edhe në Universitet dramën “Zjarri i Shën Elmos”.
Kundërshtar i dhunës dhe posaçërisht i Kryengritjes së Qershorit 1924, Mirashi largohet nga vendi dhe vendoset në Mal të Zi te të afërmit, duke jetuar me shumë vështirësi, pa u futur në asnjë pellg politik. Pas vendosjes së pushtetit të ligjshëm politik, kthehet në atdhe, ku punon pak kohë si avokat, por puna ku do të gjente vetveten Mirash Ivanaj, do të ishte arsimi, prandaj shpejt e vështrojmë drejtor të gjimnazit shtetëror të Shkodrës.
Me aftësitë e jashtëzakonshme, energjitë e pashterura, kulturën e begatë, prirjet pedagogjike dhe gjithçka tjetër të mirë e të bukur si njeri, qytetar dhe edukator, që në fillim ai tërhoqi vëmendjen e nxënësve dhe të vetë popullit të Shkodrës myslimanë e katolikë pa përjashtim.
Njohës i 11-të gjuhëve të huaja, përveç muzikës, gjimnastikës dhe biologjisë, në postin e drejtorit, ai i dha të gjitha lëndët mësimore në gjimnaz. Më shumë shkëlqeu në latinisht dhe në matematikë, po më mirë e ndjeu veten në histori, ku bëri edhe punë kërkimore në autoktoninë dhe vijimësinë iliro-shqiptare. Po si drejtor, shembull unikal në tërë vendin, ai jepte orë suplementare pa shpërblim. Ministri i atëhershëm i arsimit, Hilë Mosi, në një qarkore të posaçme për tërë shkollat e vendit, sillte si shembull Ivanajn dhe vinte në dukje: “Asht nji shenj e bukur e nji detyre të kryeme me ndërgjegje e pa interes vetjak, që bahet shëmbull për çdo arsimtar që ka në zemër të mirën e përgjithshme të shkollës”. Gjatë viteve të punës së atjeshme në Shkodrën hokatare i kishin ngjitur nofkën “Harusha”, ku sintetizohej natyrshëm si madhështia e figurës së drejtorit më autoritar të kohës, por ngjizej njëkohësisht edhe dashuria dhe një lloj konfidence e pashpallur, për ata që e njihnin nga afër dhe e mbanin mbi krye si një personalitet të respektuar. Një nga nxënësit e tij, Veis Sejko, që do të bëhej një intelektual solid si avokat dhe si shkrimtar, duke pelemizuar ashpër dhe vendosmërisht me një kundërshtar anonim të Ivanajt, do ta merrte në mbrotje publikisht drejtorin e adhuruar edhe me këto fjalë: “Ky burrë ka qenë tmerri i studentëve, por edhe ideali i tyre. Dashuria që kemi pasur për zotin drejtor ka qenë kolosale. Ai ka qenë për ne krenari e prijësi”. Dhe më poshtë shtonte: “Sa mendje dhe urti dhe sa atdhedashuri ka ky burrë, zotnisë tuaj dhe mua, kishte me na qenë e mjaftë e një mijta pjesë ta ndanim bashkë”.
Pas një pune të gjithanshme shkollore dhe jashtëshkollore, ai ia ngriti lart emrin Gjimnazit të Shtetit dhe asisoj konkurroi me sukses në garën e pashpallur fisnike me gjimnazet autoritare të klerit katolik. Dhe në një kohë relativisht të shkurtër, puna e çmuar e Ivanajt bëri që ajo shkollë të ngrihej në nivel evropian e të vlerësohej nga bota shqiptare e më tej.
Falë gjithçkaje që përfaqësonte si intelektual e atdhetar i përkushtuar me botëkuptim shoqëror progresiv demokratik, Ivanaj vështronte tej kufijve të botës shqiptare. Ai ishte një personalitet i prerë për punë të mëdha e të rëndësishme. Muret e shkollës ishin parete të ngushta për përmasat madhore mirashiane. Prandaj erdhi dita që ai të vijë në krye të punëve të arsimit shqiptar. Mbreti shqiptar ishte dorëmbarë në përzgjedhjen e tij, kurse doktrinari republikan Mirash Ivanaj, e pranoi karrierën e ministrit në regjimin monarkist, sepse kishte besim te mbreti Zog, si një burrë shteti me autoritet e dorë të fortë në përshtatje me historinë dhe kushtet bashkëkohore shqiptare.
Ardhja e tij në krye të arsimit shqiptar gjeti një mirëpritje të jashtëzakonshme mbarëkombëtare, ku u vizatua profili i tij madhor shumëplanësh me një integritet moral të pakrahasueshëm. U fol shumë publikisht e privatisht për ardhjen e Ivanajt në krye të dikasterit të arsimit, por portretin më të goditur profilit të tij, ia bëri “Gazeta e Korçës”, ku u shkrua: “Një vullnet i patundur vullnet gjermani; një zell për punë i pakufizuar, zell amerikani; një mënyrë sjellje ndaj inferiorëve krejt demokratike, demokraci francezi; një gjakftohtësi tërheqëse që gëzon simpati, gjakftohtësi anglezi; dhe më së fundi, entuziazëm optimist që s’gabon kurrë në drejtim, entuziazëm italiani.” Duke përmendur programin e ministrit të ri gazeta shtonte edhe këto: “Programin e një ministri që e do Shqipërinë dhe shqiptarët e adhuron një djalëri e tërë e një brezi të ri”.
Të nesërmen e formimit të kabinetit të ri më 13 janar 1933, me kryetar Pandeli Evangjelin, ministri i ri me një telegram qarkor u parashtronte arsimtarëve të vendit kredon e tij: “Naltmadhnia e tij Mbreti pati mirësinë të më ngarkojë Ministrinë e Arsimit. Në këtë vepër të vështirë, që bateri kryesore e përparimit të përgjithshëm të popullit tone, duhet me përfundimin e vetë të gatuajë për Shqipni qytetarë të mirë e shqiptarëve një kulturë shqiptare, do të kem gjithnji pa u dridhë, pa u shmangë e pa u ndalë si prijës drejtësinë e ligjën. Si ushtar besnik i veprimeve ndërtuese të Naltmadhënisë së tij mbretit me atë ngulm në mision përpara të cilit duhet zhdukë çdo mendim tjetër, çdo prirje tjetër, kërkoj që tanë veprimi i arsimtarëve rreth brezit të ri në shkollë dhe jashtë saj, të përmblidhet në nji të vetmin kujdes: njerëzi e disipline; në nji të vetmin qëllim: bashkim e ndjesi kombëtare; nji të vetmen dashtëni në nji të vetmen besim: mbret e Shqipni”
I bindur në nevojën urdhëruese të reformimit të arsimit shqiptar i u fut punës me kompetencë e guxim të madh. Shumë shpejt përgatiti tezat e një reformimi rrënjësor të shkollës shqiptare, mbi baza moderne përparimtare dhe të mbështetur thellë dhe fuqishëm në tabanin kombëtar. Shtetëzoi të gjitha shkollat private vendëse dhe të huaja dhe nuk la drejtim dhe rrafsh tjetër të shkollës pa u përpjekur për t’i futur në udhën e modeleve më të përparuara dhe demokratike përparimtare botërore gjithnjë me frymë kombëtare.
Pa kopjuar dhe pa imituar asnjë sistem, gjithë puna e tij ishte origjinale dhe mund të quhet me plot gojën mirashiane. Ai i u fut punës për një thjeshtëzim të ri një përqasje të shkollave me nevojat reale të shoqërisë shqiptare dhe një forcim e plotësim të tyre në çdo pikëpamje.
Te arsimi kombëtar shqiptar Ivanaj pa mbrojtjen më të qëndrueshme ndaj çdo rreziku të huaj, që mund të vinte me flamurin paqësor të arsimitt dhe të kulturës. Në ditët e parashtrimit të reformës në Parlament Ivanaj deklaroi: “Jeta moderne e shteteve, ka prue me vedi një mënyrë pushtimi tjetër qi asht robnija mendore, vorfnija morale, me të cilën zhgatërrohen shtetet ma të fortë, racat ma konservative. Kësaj mënyre të kadalshme zhgatrrimi me të cilën krijohen njeri pas tjetrit brezat, gjithnjë ma të dobët e harrues traditash të popullit të vetë, kësaj mënyre të sigurt vdekje të nji kombi, mund t’i kundërvihet nji rezistencë vetëm me nji të gjajshme e kjo asht mësimi kombëtar, asht edukata kombëtare e bazueme mbi gjuhë, mbi burni e mbi traditat e përbashkëta mbi interesat e përgjithshme të popullit”.
Reforma e tij ishte radikale. Vështrimin e parë e hodhi tee mësuesit që mbajnë në këmbë shkollën dhe u kujdes për rishikimin e rrogave dhe pagesave, sepse ishin bërë problem i madh. Pastaj si intelektual solid që nuk i pëlqenin punët me andra, pastroi radhët e arsimit nga persona të pamerituar të cilët nuk mund të mbanin përsipër barrën e kërkesave të reformës. Dhe është me shumë interes të pohohet se megjithëse u larguan nga arsimi 41 arsimtarë, deri në fund të vitit shkollor 1933-1934 Shqipëria u gjend me 62 shkolla fillore më shumë. Ishte forca e argumentimit të tij që të bindë Parlamentin për shtimin e buxhetit të Ministrisë së Arsimit dhe për të gjetur mësues nga të rinj me shkollë të mesme që ishin pa punë.
Në treguesit e tjerë të Reformës ishte çështja e bursave të studimit ku shpata mirashiane preu 700 bursa nga ata që studionin jashtë në universitete dhe brenda vendit në shkolla të mesme, sepse zëri bursave ishte fryrë në buxhetin e Ministrisë së Arsimit. Pati shumë ankesa, por Ivanaj që operoi me kandarin e farmacisë, ndenji pa lëkundur në atë qetësinë e tij të njohur olimpike. Për herë të parë bursat e studimit u dhanë realisht me konkurs me kërkesa të rrepta ala Ivanaj. Të dymbëdhjetë bursat që u dhanë atë vit për jashtë shtetit u quajtën; “Bursat e Ivanajt”. Një nga fituesit tha se kur të kthehemi nga studimet do t’i bëjmë Ivanajt një bust.
vijon
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mirash Ivanaj i humbur në diktaturë Empty Re: Mirash Ivanaj i humbur në diktaturë

Mesazh nga Agim Gashi Sun Jan 04, 2009 1:43 pm

Mirash Ivanaj i humbur në diktaturë U2_MirashIvanaj
Mirash Ivanaj
Koha e tij, provoi bindshëm se ai qëndroi në krye të dikasterit arsimor si një personalitet i papërlyer të thuash si një shenjtor sa që në atë kohë thuhej se “Zoti mund të gabojë, po Ivanaj jo”.
Me punën dhe jetën e tij të dëlirë si njeri, si qytetar dhe si nëpunës shteti, emri i Mirash Ivanajt me kalimin e kohës u bë legjendë. I lavdishmi Mitrush Kuteli ka shkruar e botuar: “Dr.Mirash Ivanaj, emër i bardhë si dëbora të cilit rinia shqiptare i mban një emër, një vend mirënjohje, një predestinacion, them për të vajtur në emrin dhe për emrin e kombit”. Jeta e vetmuar prej beqari të përjetshëm, i kredhur në 3500 volume të bibliotekës vetjake (të cilën e mori lumi më vonë) përveç atyre të kabinetit, nuk e bëri kurrë të harrojë atdheun dhe detyrimet ndaj tij. Ashtu i lumtur në atmosferën e magjishme të librave i ngazëllyer në botën madhore të ideve dritëdhënëse, mjerimi i realitetit, nuk e bëri asnjëherë të rrinte mënjanë i shurdhër. Dhe ndoshta askush më shumë se, ky intelektual i tërhequr mënjanë, kaq i pabindur për t’u përzierë me turmat, nuk qe më afër halleve dhe derteve të popullit dhe detyrave urdhëruese ndaj atdheut. Origjinal si në çdo dukuri jetësore, patriotizmi i tij ishte i flaktë, por jo në ethe, ishte i vrullshëm, por me këmbët në tokë, ishte i përkushtuar, por pa deklarata. Ishte fanatik në doktrinën kombëtare, por në bërthamën e saj reale, të heshtur dhe jo në dukuritë e bujshme, nganjëherë mjerisht të rreme. Qendrën lëvizëse të përtëritjes dhe të shëndoshjes kombëtare ai e vështronte te kultura dhe mjeti kryesor që hidhte themelet e saj, arsimi të cilit iu përkushtua me dituri, pasion e mund të pashembullt.
Faktorë historikë aktual e tradicional si edhe marrëdhëniet tepër të vështira ndërkombëtare në të cilat u ndodh Shqipëria e vogël dhe e varfër në gjysmën e dytë të viteve ‘30, nuk lejuan që reforma të vijonte udhën e saj të plotë gjë që nuk varej as nga Ministri i Arsimit dhe në fund të fundit as edhe nga vetë shteti shqiptar në përgjithësi.
Në kushtet e pamundësive që u krijuan për vijimin e reformës, Ivanaj bëri dorëheqjen.
Ai dha kësisoj provën më të madhe të vlerave dhe cilësive morale për një burrë shteti model, për një misionar të kombit që, mbi çdo gjë, ka parimet. Ishte gati të shkonte mësues i thjeshtë, po jo për hir të interesave vetjake, të zvarritej rreth kolltukut ministerial.
Ahmet Zogu që nuk donte të nëpërkëmbte vlerat dhe për më tepër të vinte në punë efektive një mendje të fuqishme dhe kulturë të pasur e bëri Ivanajn anëtar të Këshillit të Shtetit e më vonë kryetar të atij organi të rëndësishëm. Në të njëjtën kohë, për të vjelë nga mençuria dhe begatia intelektuale e Ivanajt, posaçërisht në lëmin juridik, ku i interesonte më shumë, mbreti e thërriste për konsultim dy herë në muaj ditën e premte në orën 11:30. Edhe në detyrën e re të lartë mes shumë përgjegjësi që mori përsipër, Mirashi punoi gjithnjë me stilin e tij të njohur pa kompromise. Në atë kohë i kishin ardhur mjaft përshëndetje dhe urime. Një letër që i dërgonte një intelektual nga Korça i shkruante edhe këto: “Ju them opinionin e përgjithshëm të popullit. E gjithë bota shqiptare kërkon t’ju shohë në krye të kabinetit për të drejtuar atdheun në udhën e drejtë”. Por fati historik mori shtrembër në udhë tragjike për Atdheun dhe popullin e tij.
Në ditët e para të prillit të 1939-s braktisi zyrë, bibliotekë dhe rehati shtëpie, hodhi armën mbi sup dhe, së bashku me miqtë e tij Safet Butka e Qemal Butka, doli në rrugë të madhe, midis nxënësve të shkollave të mesme të kryeqytetit. Por realiteti ishte gjithanshmërisht fatkeq dhe i hidhur dhe ai duke mos bërë asnjë kompromis, as me Mbretin dhe as me veten e tij ato ditë, sidomos në kapërcyell të 6-7 prillit, ra në dëshpërim të thellë dhe në një hutim marramendës të papërshkueshëm. Me sa duket, kjo e bëri që edhe të mos marrë vesh për atë gjendje të dëshpëruar që u ndodh atdheu i tij i braktisur në rrafsh ndërkombëtar. E kush mund të dyshonte, se po të qëndronte Ivanaj në Shqipëri dhe të pranonte pushtimin e huaj, të mos i ofrohej një post me rëndësi, në mos edhe në krye të pushtetit ekzekutiv. Por kjo nuk ndodhi dhe nuk kishte asnjë gjasë që të ndodhte. Prandaj së bashku me të vëllanë Martinin, pas karvanit mbretëror u nis për udhë të paditur se ku. Qe një fatkeqësi e madhe ajo e tij, kur në kulmin e dëshpërimit iku vetëm me rrobat e trupit për në mërgim, kur për gjashtë vjet me radhë në Turqi hëngri bukën e hidhur të kurbetit. Atje, sidomos pas vdekjes së vëllait Martinit, të cilin e pati gjithë jetën shok e bashkëpunëtor të ngushtë, iu nxi jeta së tepërmi edhe ekonomikisht. Puna kishte shkuar deri aty, sa që ai hoqi dhëmbët e florinjtë për të përcjellë të vëllanë në banesën e fundit. Në këto kushte ata të cilët e njihnin mirë personalitetin e tij dinjitoz, i dërgonin shqiptarit të madh para në zarf pa emrin e dërguesit. Por në ditarin e tij ka emra huadhënësish nga mërgimtarë shqiptarë. Kur më në fund Lufta e Dytë Botërore mbaroi dhe atdheu ishte pastruar nga të huajt, pra Shqipëria ishte në duar të shqiptarëve, Ivanaj u nis me vërtikun e plumbit për në atdhe, sipër një kamioni me drithë të ardhur nga UNRRA. Me një valixhe kartoni të vjetruar në dorë u fut në tokën mëmë. Që nga Elbasani e deri në hotel në Tiranë Mirashi u shoqërua me roje të armatosur.
Në mes të haresë së kthimit në atdhe, ai u prit nga disa autoritete politike të kohës dhe nga vetë Hoxha. I dehur nga hipnoza e demagogut bizantin, i cili më vonë do të eliminonte edhe shokët e bashkëpunëtorët më të ngushtë, Ivanaj doli nga zyra e tij gjithë entuziazëm dhe shkroi në ditar fjalë vlerësuese për të. Mirëpo dardha e kishte bishtin mbrapa, se Ivanaj kombëtar demokrat, nuk mund të kuptonte këtë “demokraci popullore” pa një parti opozitare dhe të paktën pa një gazetë të pavarur, pa llogaritur sa e sa dukuri të dhunimit të drejtave elementare të njeriut që dukeshin vrazhdët në jetën e përditshme, të cilat shpirti demokrat dhe mendja ideale e Ivanajt nuk mund t’i duronte.
Po publikisht nuk e hapi gojën. Prandaj shpejt nisën zhgënjimet. Ai nuk shkonte në kursin e marksizmit të mësuesve të Tiranës. Nuk pranoi të vinte kandidaturën për deputet, sepse tha që “unë nuk kam luftuar dhe nuk kam se çfarë t’ju them zgjedhësve të mi”. Nuk para shkonte nëpër mitingje dhe në “punë vullnetare”. Por shkonte vullnetarisht për të ndihmuar nxënësit e tij me orë të zgjatura. Më në fund, ai nuk duroi dot arrestimin e kolegut të tij të dikurshëm Gjergj Kokoshi dhe shkroi në ditar: “Unë nuk besoj që Gjergji të ketë tradhtuar ato ideale për të cilat doli në mal”. Duke stisur gjepura të shpifura e të montuara, një ditë prej ditësh, miku i popullit Mirash Ivanaj e pa veten në pranga në burgun e “armiqve të popullit”. Pas sa e sa torturash nga më mizoret në trupin e tij të përvuajtur për muaj me radhë, u dha vendimi i paracaktuar nga organet speciale.
Ato çaste të trishtuara kur u lexua vendimi me shtatë vjet burg, Ivanaj ishte i tronditur keqas dhe ashtu i përhumbur nuk donte të dinte asgjë. Me atë rast prokurori i tha shtazërisht ashpër:
-A more vesh, mor ti?
-Jo mor zotni, ç’ka me marrë vesh?
-Je dënuar me 7 vjet burg!
-Për çfarë jam dënue mor zotni?
Për agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor!
-Po unë sa kam ardhë prej Turqie, s’kam folë me njeri, përveç punës mësimore.
-Po atë mendim ke ardhur që të bësh propagandë.-
-Po pse a ka ligjë në botë zotni, që të dënojë mendimin.
-Mbylle gojën se je i dënuar- i thirri egër prokurori.
Pas një jetese gjithanshëmërisht të stërmundimshme, në moshën 62 vjeçare, pak ditë para se të delte nga burgu, Ivanaj u shua në duart e Dr. Frederik Shirokës në spitalin burg të Tiranës. Si njeri pa njeri që ishte, trupi i tij u dërgua në morg për t’u përdorur pastaj nga studentët e mjekësisë. Më vonë përveç Novkës, shërbëtores së shtëpisë së tij të dikurshme në Tiranë, nuk u gjend njeri tjetër për ta përcjellë në banesën e fundit. U shua një jetë që me ato që i kishte falur natyra dhe me ato që i blatoi ai vetes, do të mbetet mësues i përjetshëm i brezave. Shqiptarët i kanë shumë borxhe të madhërishmit Mirash Ivanaj. Asnjë shkollë, asnjë institucion kulturor, ose rrugë në Tiranë, apo në Shkodër nuk ka emrin e Ivanajt.
G. Standard, 13/09/2008
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi