Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Arbnori, letrat e burgut - Ju rrëfej spiunët e dënimin e dytë

Shko poshtë

Arbnori, letrat e burgut - Ju rrëfej spiunët e dënimin e dytë Empty Arbnori, letrat e burgut - Ju rrëfej spiunët e dënimin e dytë

Mesazh nga Agim Gashi Tue Oct 13, 2009 3:34 am

Arbnori, letrat e burgut - Ju rrëfej spiunët e dënimin e dytë
Arbnori, letrat e burgut - Ju rrëfej spiunët e dënimin e dytë U1pjeterarbnori1
Nga Admirina Peçi

Çfarë i ndodhi Pjetër Arbnorit gjatë 29 viteve burg, në izolim të plotë, në qelitë e Burrelit? Çfarë mendonte? Cilat ishin kujtimet që i bënin shoqëri, dëshirat, njerëzit që mbante pranë zemrës, planet dhe detajet e vogla me të cilat përpiqej të zbukuronte ditët e errëta larg çdo shenje lirie? Cilat ishin fijet e padukshme të durimit ku ishte kapur fort për të mos rënë në krahët e dëshpërimit? Tre vjetët pas vdekjes, në papafingon e shtëpisë së tij, pranë stadiumit “Dinamo”, mund të gjejmë sot shumë përgjigje për këtë periudhë të pazakontë të jetës së shkrimtarit, politikanit, intelektualit dhe studiuesit Pjetër Arbnori. Bashkëshortja e tij, Suzana së bashku me studiuesin Nevruz Shehu, kalojnë shumë kohë në atë papafingo, ndërsa kalojnë dorë më dorë çdo dosje të arkivit të tij personal. Një projekt për të botuar gjithë veprën e tij epistolare, por edhe veprën e plotë letrare, i ka shtyrë të kërkojnë imtësisht në shënimet e tij. “Janë rreth 1500 letra, telegrame, e kartolina, që i përkasin viteve kur ai ishte në burg. Janë ruajtur me kujdesin më të madh nga nëna dhe motrat e tij, deri ditën kur Arbnori doli sërish në liri. Është një gjest i pazakontë dhe një pasuri e paimagjinueshme”, - thotë studiuesi Shehu, i cili prej disa muajsh ka nisur të përgatisë veprën e parë, pikërisht atë epistolare.
Suzana nxjerr një kuti të zverdhur nga arkivi. “S’kam pasur kurajë t’i shoh, t’i shfletoj. Vetëm tani po zbuloj pak nga pak çdo ditë copëza nga jeta e tij, përshkruar deri në imtësi, detaje që edhe pse ai mi ka treguar me gojë, disa herë nuk kam arritur kurrë t’i perceptoj deri në këtë masë”, - thotë ajo.
Kutia që sapo ka hapur mban brenda një pjesë të epistolarit të tij, vendosur me kujdes sipas rendit kronologjik. Janë letrat e viteve ’60-të. “Pikërisht ajo pjesë që mungonte deri më tani”, - saktëson studiuesi Shehu, ndërsa nis t’i rendisë të gjitha sipas viteve për t’ia bashkangjitur pjesës tjetër të veprës epistolare.
Periudha kur janë shkruar i takon viteve 1962 -1989. Vetëm viti 1961, nuk ka letra, pasi korrespondon me vitin kur ai u arrestua dhe ka qenë në hetuesi, vit ky kur ai nuk mund të komunikonte me të afërmit e tij.

Letrat optimiste e plot humor

Letrat që ai dërgon në familje kapin shifrën 500. Thuajse të gjitha nisin njëlloj. “…E dashuna Nanë, Netë e Margeritë…”. Nëna dhe dy motrat e tij Neta dhe Margarita janë personazhet që e shoqërojnë në të gjithë momentet e ditëve të tij në burg. Ju shkruan atyre për çdo gjë, për nevojat e tij personale, për veshmbathje e ushqim, për libra e fjalorë, për porosi të çfarëdoshme, këshilla e mendime. Nuk flet kurrë për momentet e vështira që kalon në burg. Nuk thotë kurrë jam sëmurë, jam i dëshpëruar apo i mërzitur. Përkundrazi. Shkruan: “…Unë jam shëndoshë e mirë…”, ose “Me shëndet jam krejt mirë. Megjithëse ka ra grip, mue s’më ka zanë, ene dhimbje trupi, nuk kam ndi sivjet…”. Madje, edhe kur ka probleme shëndetësore, mundohet t’i kalojë me dy rreshta dhe gjithmonë pasi ai shqetësim ka kaluar.
Është optimist dhe një humor i këndshëm i shoqëron të gjithë letrat tek ai kujton momente nga fëmijëria e tij, ditët kur ishte jashtë në liri, personazhe e ndodhi gazmore. Mundohet t’u japë forcë atyre e t’u dëshmojë se ai mundet të përballojë çdo sfidë e vështirësi aty brenda. Nga leximi i këtyre letrave duket sikur Arbnori i ka vënë një qëllim vetes. Ta mbajë nënën gjallë me çdo kusht, që ajo të ketë mundësi ta mbërrijë ditën kur ai të dalë nga burgu, e ta shohë djalin e saj të lirë.
Siç shpjegon studiuesi Shehu, “Arbnori e drejton familjen që nga burgu. Është në qendër të gjithë ndodhive dhe marrëdhënieve mes familjarëve të tij. Nëna dhe motrat e njoftojnë për të rejat që kanë ngjarë, i çojnë lajmet e fundit, i kërkojnë mendim vazhdimisht për çështje të familjes. Marrëdhëniet me motrat janë mjaft të veçanta, ai kujdeset për to dhe i këshillon, deri edhe për gjëra të vogla që kanë të bëjnë me shijet e leximit, të filmave dhe arteve të tjera. Nga ana tjetër ata i kërkojnë mendim atij për gjithçka, dhe sigurisht një moment i rëndësishëm është martesa e tyre, ku ato kërkojnë miratimin e tij. Pra, ai është vëllai i tyre, por është edhe babai, sepse babai kishte vdekur. Ishte vrarë që në 1942 nga komunistët, sepse ishte oficer i kohës së Zogut”.

Kartolinat, një mjet komunikimi

Pjetër Arbnori kishte krijuar një univers të tijin, një mikrobotë, përmes së cilës ai mund ti injoronte kufijtë e ashpër dhe izolimin e qelive. E kishte ndërtuar gjithë kujdes e nuk donte të pranonte se ishte në burg. Në çdo takim me nën dhe motrat kërkonte vazhdimisht ti çonin fotografi, apo kartolina të ndryshme nga Shkodra, Tirana, Durrësi dhe gjithë qytetet e tjera të Shqipërisë. Nuk ishte kjo vetëm një mënyrë për të ruajtur lidhjet me të afërmit dhe miqtë, një mënyrë për t’u uruar atyre festat dhe ditët e shënuara. Përmes tyre ai kërkonte të komunikonte me botën jashtë, të vinte re ndryshimet, detajet e reja, ç’kishte ndodhur në qytetin e tij të lindjes, në kryeqytet, ku ai kishte kaluar vitet studentore, e kështu me radhë. Lidhjen e pandërprerë me botën jashtë ai kërkonte gjithkund, deri edhe tek sendet që shiteshin e bliheshin në dyqane. “Janë më shumë se 600 kartolina që ai i ka koleksionuar në arkivin e tij dhe veç mesazheve e urimeve, ata mbartin edhe këtë linjë të fshehtë komunikimi më këtë botë të cilën nuk e mbërrinte dot fizikisht”, - thotë studiuesi Shehu.

Flora, një rreze drite…

Në vitin 1972, Pjetër Arbnori pati rastin të shihte për herë të parë Florën, mbesën e tij kur ajo ishte vetëm 13-muajshe. Ajo ishte një gëzim i veçantë në orët e tij të gjata të vetmisë e të izolimit. Që nga ajo kohë Flora do të ishte e pranishme në ditët e tij herë me vizitat, e herë me rrëfimet e motrave e të nënës, derisa ajo shkoi në shkollë e nisi t’i shkruajë vetë letra dajës së saj. Nuk ka thuajse asnjë letër që i takon periudhës pas 1972, ku të mos përmendet Flora. Ajo vogëlushe ka zaptuar tashmë të gjithë mendimet, ëndrrat, dëshirat dhe idetë e tij. Interesohet për edukimin e saj që kur Flora shkon në klasë të parë, i jep leksione gjuhe, këshilla leximi, e deri tek momentet kur ai interesohet për veshjet e saj, dhe kujdesin rreth paraqitjes. Nëna dhe motrat përpiqen ta marrin gjithmonë me vete vogëlushen sa herë nisen për në Burrel kur kanë ditën e takimit.
Ai vetë iu flet miqve të tij në burg për të, iu lexon letrat që ajo i shkruan. E sheh mbesën e tij si një rreze drite që ka mbërritur në jetët e tyre të trazuara, i vetmi gëzim në të gjithë dramën e atyre 29 viteve. Në vitin 1989, ditën ku Pjetër Arbnori doli nga burgu, Flora ishte aty duke e pritur. Kishin kaluar shumë vite dhe ajo ishte bërë tashmë vajzë e rritur 17 vjeçe.

Neta, lotët s’do të më reshtin kurrë

Në një prej vizitave që bëjmë në shtëpinë e Arbnorit, ndërsa fotografojmë letrat, kartolinat dhe fotografitë e tij ruajtur në dosje të veçanta, takojmë një ditë Netën, motrën e Arbnorit. Ajo vjen shpesh dhe takon Suzanën dhe fëmijët e vëllait të saj. “Kam pasur një lidhje të veçantë me Pjerinin (kështu e thërrasin të gjithë në familje). S’mund ta besoj ende sot, tre vjet pas vdekjes së tij, se ai nuk është më. Kurrë se kam menduar se ai do të ikte para meje…”. Neta mbytet në vaj tek përmend ditët kur shkonte në Burrel për ta takuar dhe kujton “lojërat e shpejtësisë” dhe gjuhën e fshehtë me të cilën komunikonin ata të dy. Kur thotë lojërat e shpejtësisë, ka parasysh një rreng që ata bënin sa herë Arbnori donte të nxirrte ndonjë dorëshkrim sekret nga burgu. “Përdornim dy trasta të zeza identike dhe i shkëmbenim aq shpejt, sa s’kuptohej cila ishte imja dhe cila e Pjerinit”, - thotë ajo.
Tek shfleton albumet e fotografive, Neta befas harron dhimbjen e saj dhe zë e buzëqesh tek kujton ndodhi e episode të ndryshme me të vëllanë. Ajo tregon se të gjitha albumet janë bërë me dorë nga Arbnori në burg. Ai u kërkonte familjarëve t’i çonin mjetet e nevojshme për t’i ndërtuar e mandej i mbushte me fotografitë e tyre. Sheh një foto të Arbnorit kur ishte fëmijë në Shkodër, e përmallet sërish. “Lotët s’do më shterin kurrë..., - psherëtin ajo, - kurrë... deri ditën kur edhe unë të shkoj atje. S’ishte jetë kjo, as për të, e as për ne. Diktatura rrënoi çdo gjë tonën…”
Gazeta Shqiptare, 11/10/2009
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi