Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Mr.sc. Sadri Ramabaja:Alternativa ose humbja kolektive

Shko poshtë

Mr.sc. Sadri Ramabaja:Alternativa ose humbja kolektive Empty Mr.sc. Sadri Ramabaja:Alternativa ose humbja kolektive

Mesazh nga Agim Gashi Thu Oct 15, 2009 9:12 pm

Alternativa ose humbja kolektive


Mr.sc. Sadri Ramabaja:Alternativa ose humbja kolektive N550797056_646
Mr.sc. Sadri Ramabaja

Zgjedhjet e 15 nëntorit në Kosovë, për gjithë spektrin politik që vepron brenda këtij sistemi, ka gjasa reale të hyjnë në histori si dështim kolektiv. Arsyet janë shumëdimensionale. Ajo çka do të mund të venerohet në prag të fushatës, qoftë edhe pa farë analize të thellë, është fakti se shoqëria jonë vazhdon të jetojë shthurjen morale të shumëanshme, që po i pamundëson rikëndelljen e duhur politike si parakusht i domosdoshëm për çlirim dhe vënje në veprim të energjive të reja.

Gati një dekadë jetë në liri, duket se nuk u shfrytëzuan sa e si duhet për të promovuar politikanë me vizion. Elektorati ndjehet jo vetëm i lodhur, por edhe i fyer. Një shtresë e mirë e idealistëve, që dhanë çdo gjë për Kosovën, tashmë janë tërësisht të zhgënjyer me politikanët që u katapultuan në skenën politike në emër të luftës titanike të UÇK-së. Kjo shtresë idealistësh dhe një pjesë e mirë e popullit nuk arrijnë dot ta marrin me mend metamorfozën e bashkëluftëtarëve të tyre nga „luftëtarë idealistë“, në arrivistë politikë plangprishës e tërësisht të pangopur. Një lagje politikanësh pragmatist, duke njohur rrethanat politike të imponuara edhe nga faktori ndërkombëtar, bëjnë prokopi të jenë aty ku mirren vendime për këtë vend dhe të ndikojnë aq sa munden për shtyrje të procesit në drejtimin e duhur. është vështirë ët gjykohet se sa po arrinë kjo shtresë të pengojë procedimet e vendimeve me përmasa katastrofale për të ardhmen e vendit, sidomos në lëmin e ekonomisë dhe sigurisë. I mbetet kohës të jetë dëshmitari më real i suksesit, respektivisht i dështimit të mundshëm të radhës.

Ndërkaq shndrrimi i një kategorie poltronësh të të gjitha pushteteve në kamelon shumëngjyrësh, duke vazhduar si të tillë të jenë në pozicione të rëndësishme shtetrore (deputet, anëtar kryesish partiake, gjykatës në gjykata të larta etj...) është në përputhje të plotë me interesat afatshkurtëra dhe afatgjata të zotërve të tyre të djeshëm dhe të Qendrave të ndryshme të vendosjes, që tashmë janë instaluar në forma të ndryshme në gjithë piramidën pushtetore të Republikës sonë.

Republika e Kosovës vazhdon të jetë edhe më tej shteti i vetëm i ish hemisferës lindore ( e mbytur nga ndikimi dhe kontrolli rus), ku në pushtet ishin partitë komuniste, që nuk ka aprovuar Ligjin për lustrifikim të figurave publike. Kjo nuk kaloi as në sprovën e bërë kohë më parë, meqë Kosova është githashtu entiteti i vetëm shtetror në gjithë hemisferën lindore ku shtrihej plafi i natës së gjatë ruse, në të cilën partia -shtet, Lidhja Komuniste e Jugosllavisë, nuk është shpallur asnjëherë si formacion politik zyrtarisht i shpërbërë! Në gjykatat tona vazhdojnë të „ndajnë drejtësi“ po të njejtit gjykatës që shqiptuan me qindra e mijëra vite burg për ata që ishin në frontin e luftës për Republikën që tashmë e gëzojmë!

Kryeqendrën tonë, pa ndërprerje, e qeverisë po i njëjti klanë politik që e ka „qevirisur“ atë që prej viteve `70-ta të shekullit të kaluar! Por nëse gjatë epokës së robërisë ky klan mbuikqyrej dhe urdhërohej rreptë nga shërbimet dhe struktuart e pushtetit serb, tashti ai është kapur nga mafia, sidomos ajo e ndërtimit. Për brezin më të ri ia vlenë të rikujtojmë një fakt: po ky klan, me përjashtime fare të vogla, pas luftës i ka ndrydhur energjitë e cilitdo që ka tentuar t`i jap identitet dhe pamje të re kryeqendrës sonë. Madje arkitekti i mirënjohur Rexdhep Luci, përpjekjen e tij për t`i vënë ledh kaosit urbanistik, e pagoi me kokë. Ndërkaq produkti real i qeverisjes së kryeqendrës është vet kaosi, që tashmë është shndrruar në emblemë qeverisëse. Shih për këtë, nuk është habi që në syrin e arkitektëve evropianë që herë-herë na vizitojnë dhe nuk ngurrojnë të flasin, kryeqendra jonë ravijëzohet si katastrofë e lloit të vet.

Këto dy shtresa uzurpuesish dhe dhunuesish politik, përjashto kategorin e mesme që zumë në gojë, tashmë të mbledhur tok, për jo më shumë se një dekadë, shitën tërë pasurinë e Kosovës që nuk e mirrnin dot me vete falangat serbe në qershorin e 1999-ës! „Strategët“ partiak të të „djathtës“ sonë (e të tillë janë më se 98% e spektrit politik!) nuk çajnë kokën as për brezin e sotëm, e mos të flasim për brezat që vijnë. Në fakt këta as nuk janë të djathtë e as politikanë – përfaqësues të frymës tradicionale a radikale kombëtare. Larg saj! E djathta reale kudo në Europë dhe botë është dëshmuar si forcë që lufton për themelim dhe ruajtje të tregut kombëtar, pasurive nacionale... Ajo, fundja, është vet themeluesja e shtetit-komb.

Ndërkaq politikanët tanë të ashtuquajturit djathtistë, përmes politikave neoliberale, ka shndrruar jo vetëm kryeqendrën, por tërë Kosovën në treg të hapur të Serbisë dhe koncerneve të mëdha që pretendojnë të inaugurojnë monopol në sektorët më profitabil të Republikës. Ndërmarrjet publike të kryeqendrës, që do të duhej të ishin në ballë të punës për të vënë farë rendi në kaosin urbanistik, që do të duhej t`i ofronin shërbimet më të domosdoshme qytetarëve tanë...tashmë janë në procesin e shpërbërjes.

Në emër të të ashtuquajturës filozofi postmoderniste, tërë ky spektër i politikës sonë të vetquajtur djathtistë, po i zë frymën çfordo përpjekjeje për promovim të vlerave të demokracisë sociale si mekanizëm i domosdoshëm politik për arritjen e njëfarë drejtpeshimi mes tregut dhe shtetit, respektivisht mes individit e bashkësisë.

Në anën tjetër e majta vazhdon të mbetet, mjerisht e padefinuar sa duhet. Duke mbetur e tillë, ajo ka mundësi që të bëhet pre e neoliberalizmit. Partia Socialdemokrate duke u shndrruar në strumbullarë dhe definues i këtij spektri në formim, do të mund ët bënte shërbime historike për demokracinë dhe vet sistemin politik që po pretendojmë të ndërtojmë.

Në këto rrethana, përballja me këtë lukuni politikanësh, merr përmasat socipolitike që kishte vet beteja e Prometheut me Zeusin, duke shpërfaqur me këtë rast edhe përmasat e fisnikrisë qytetare, përmes së cilës unë pretendoj të trokas parasëgjithsh në ndërgjegjen e intelegjencies së re dhe më pas edhe tek ndërgjegjia e çdo qytetari të kryeqendrës sonë. Natyrisht unë vë veten në dispozicion të qytetarisë idealiste, që nuk ka hequr dorë ende nga dëshira për ta shndrruar Prishtinën në një metropol të mirëfilltë, e denjë për t^u krahasuar me simotrat e saj europiane. Krejt këtë duke ofruar alternativën që do t`na bënte qytetarë të dinjitetshëm përmes shmangjes së mundshme të humbjes kolektive.

(Autori është kandidat i Partisë Socialdemokrate për kryetar të Prishtinës)
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi