Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Nuhi Veselaj: Rreth identitetit të gjinisë asnjanëse në shqipen e sotme - Konstatime paraprake

Shko poshtë

Nuhi Veselaj: Rreth identitetit të gjinisë asnjanëse në shqipen e sotme - Konstatime paraprake Empty Nuhi Veselaj: Rreth identitetit të gjinisë asnjanëse në shqipen e sotme - Konstatime paraprake

Mesazh nga Agim Gashi Thu Nov 05, 2009 1:21 am



Nuhi Veselaj: Rreth identitetit të gjinisë asnjanëse në shqipen e sotme - Konstatime paraprake U1nuhiuveselajmehdiraci
Nuhiu me mikun e vet, Mehdi Raçi, i implikuar në Lëvizjen e Adem Demaçit
RRETH IDENTITETIT TË GJINISË ASNJANËSE NË SHQIPEN E SOTME


Nga Dr. Nuhi Veselaj










Konstatime paraprake



Historianët e gjuhës shqipe kanë konstatuar se në periudhën paradokumentuese, përveç emrit të gjinisë mashkullore dhe asaj femërore ishte shfaqur në gjuhën tonë edhe emri i gjinisë asnjanëse, i cili ka lindur sigurisht nga nevoja për t’i dalluar emrat përkatës nga dy gjinitë e tjera, ose për të plotësuar ndonjë vacuum në strukturën përkatëse gramatikore, ashtu siç ka ndodhur edhe në gjuhët simotra të familjes i.e.

Në të vërtetë, që në atë periudhë të dokumentimit në gjuhën shqipe dallohen tre tipa asnjanësish:

së pari, si më të hershëm konsiderohen, pa dyshim, emrat asnjanës të mirëfilltë (primitivë) të paparanyjëzuar, me të cilët emërtoheshin koncepte të fushës konkrete të spektrit të gjerë, megjithatë, mund të thuhet se, ndërkohë shihet njëfarë përqendrimi i tyre rreth emërtimit të lëndëve (ushqimore) më të përdorura të kohës, zakonisht jo të numërueshme, si dhe në disa emra të veçantë të pjesëve të trupit e të tjerë, shembuj këta, që disa prej tyre dalin të identifikueshëm edhe në gjuhën e sotme, siç janë emrat: mish-të. ujë-t, krye-t, anët(ë), e ndonjë tjetër;

së dyti, emrat asnjanës prejmbiemërorë të paranyjëzuar, të cilët u përftuan më vonë, jo ekskluzivisht për emërtimin e gjërave konkrete, por për koncepte të fushës abstrakte, siç janë konceptet e tipareve të veçanta të cilësisë, të gjendjes a të qenit (tipi: të mirë-t, të keq-të, të gjallë-t) dhe

së treti, emrat asnjanës prejpjesorë të paranyjëzuar, që edhe këta, duke ndjekur pas vijën e prejmbiemërorëve, u krijuan fillimisht për të mbuluar nocione abstrakte, siç janë në radhë të parë, emërtimet e proceseve të caktuara të veprimit e pastaj u shtrinë edhe në ndonjë nënfushë tjetër (tipi: të menduar-it, të dalë-t, të shkruar-it, të rrezatuarit).

Si duket, sipas gjase, asnjëherë në gjuhën tonë asnjanësi primitiv i mirëfilltë, nuk ka përfshirë, jo vetëm të gjithë jofrymorët, por as të gjithë frymorët, madje edhe ata që nuk dallohen sipas seksit, përkatësisht të gjithë ata emra që nuk tregonin gjini natyrore, prandaj termi gjini asnjanëse, sidomos sot, me treguesit përkatës, ka kuptim të karakterit thjesht gramatikor, ashtu si edhe shumica e dy gjinive të tjera. Siç dihet, në shqipe, gjinia e emrit përcaktohet zakonisht nga nyjë-mbaresa e njëjësit të shquar: –t(ë) për gjininë asnjanëse, -i,-u për gjininë mashkullore dhe –a, -ja për gjininë femërore; si dhe nyjë-treguesit paraprijës të emrit të caktuar: as. (një)këta, m. ky këta dhe f. kjo këto.

Thuhet në burime të caktuara se asnjanësi i të tre tipave në periudhat e mëhershme të para dokumentimit të shqipes, ka pasur shtrirje më të gjerë dhe njëherazi edhe përdorim më të dendur se në periudhën e më pasme, kur u bë i mundshëm teorikisht dokumentimi i tyre. Ne pa kundërshtuar tërësisht, supozimin e tillë, e marrim me rezervë për një pjesë të konstatimit, pikërisht atë që ka të bëjë me faktin se ndërkohë fushëveprimi semantik i tyre i të tre tipave, edhe i paranyjëzorëve, në vazhdimësi në rrjedhë të kohës, shkallë-shkallë paska pësuar tkurrje, që nënkupton edhe zvogëlim numri deri sa gjoja paska marrë edhe shenja shuarjeje ose karakteristika reliktore a mbeturinore ?!

Sidoqoftë, ne para se të shprehim mendimin tonë, në vazhdim po japim mendimet jo të padiskutueshme të disa gjuhëtarëve tanë me emër lidhur me këtë çështje dhe po fillojmë, së pari, me atë të prof. Sh. Demirajt.

Prof. Sh. Demirajt, si duket i përqendruar, kryesisht, në analiza historike, pa u thelluar në aspektin e përimtësuar sinkronik, për të tre tipat e asnjanësve shfaq mendimin, sot, pra, jo plotësisht të pranueshëm, sidomos, kur është fjala, për dy tipat e paranyjëzuar të asnjanësit:



Gjatë kësaj periudhe (periudha III, shek. XIV, XV – XVI, deri në fillim të Rilindjes Kombëtare n.v.) dobësohet gjithnjë e më shumë gjinia asnjanëse, e cila shndërrohet më në fund në një gjini mbeturinore, jo vepruese” ose “Gjinia asnjanëse ruhet ende sot te disa emra prejpjesorë si të folurit, të menduarit etj., te disa emra prejmbiemërorë: të kuq-të, të verdhë-t etj. e sidomos tek disa togfjalësha arkaikë (f. 198), sepse, emrat e asnjanës, të tipit ballë-të, ujë-t në njëjës janë integruar në gjininë mashkullore, ndërsa në shumës në gjininë femërore, kurse emrat prejmbiemërorë dhe ata prejpjesorë asnjanës, të tipit: të mirët, të qeshurit, si dhe dëftorët asnjanës: ata këta si në njëjës sot në shumës janë integruar në gjininë femërore”. (Shih Gramatikë historike e gjuhës shqipe, Prishtinë 1998, f. 57, 200.)



Me fjalë të tjera ky me plot bindje shprehet se te tre tipat e asnjanësve mund të konsiderohen, sot për sot, të pasivizuar, joveprues dhe se një çintegrim i tillë, sipas tij, është rezultat:

“i prirjes së përgjithshme të shqipes për të parapëlqyer emrat me prejardhje sintetike, përkundër tipit analitik, andaj prejmbiemërorët janë zëvendësuar gjithnjë e më shumë me emra të prejardhur me prapashtesat -i, -ë/ni -ëri, -si, ndërsa prejpjesorët me emra të prejardhur me –im dhe –je. (Aty, f. 204.)



Një qëndrim të tillë kategorik, pa koment a interpretim plotësues, e ndeshim, pothuaj edhe në Gramatikën e Akademisë (1976, 1995, 2002), ku shprehimisht thuhet:

“Gjinia asnjanëse në gjuhën e sotme shqipe përbën një kategori që vjen vazhdimisht duke u rrudhur. Ajo është reduktuar në një numër të kufizuar fjalësh dhe, me humbjen plotësisht të gjinisë asnjanëse të fjalëve përcaktuese (të mbiemrave, të përemrave dëftorë e pronorë), shfaqet vetëm morfologjikisht në tipin e lakimit të shquar (vetëm në rasat emërore e kallëzore njëjës), në disa emra edhe me praninë e nyjës –të, për rasën emërore njëjës dhe, të ndryshme nga ajo e gjinisë mashkullore –i dhe ajo e gjinisë femërore -a: krye-t, të ecur-it, të ri-të. Pra, gjinia asnjanëse në shqipen e sotme ka karakter mbeturinor”. (Aty f. 93.)



Një konstatim të tillë, përgjithësues rreth tkurrjes, shkrirjes a pasivizimit, madje edhe zëvendësimit a shndërrimit, pa bërë dallimin a shpjegimin e duhur se për cilin tip asnjanësish dhe për cilën nënfushë semantike është fjala, e ndeshim të theksuar jolumnisht, en bloc, pothuaj në të gjitha veprat tona gjuhësore që konsiderohen normëzuesedhe shkencërisht të drejta, siç janë Studime gjuhësore në fushë të shqipes (nga prof. I. Ajeti, Prishtinë, 1985), ku thuhet se “në gjuhën shqipe kemi edhe gjininë asnjanëse, megjithëse të sjellë në një numër të vogël emrash”. (Shih aty f. 96.), në Gramatikën praktike të gjuhës shqipe (grup autorësh), Tiranë 1998), ku konstatohet gjithashtu, se emrat asnjanës janë të paktë, përdoren kryesisht në frazeologji, në ndërtime të ngurosura, vetëm në njëjës, më shpesh në një trajtë... ata zakonisht të shquar përdoren edhe si terma. (Aty f. 15.) Edhe në Gramatikën e gjuhës shqipe për të gjithë (të B. Becit), Tiranë, 2004, thuhet shkurt se “janë në gjininë asnjanëse disa emra të prejardhur nga mbiemrat: të ftohtë-t, të zi-të, të kuq-të; disa emra të nyjshëm të prejardhur nga foljet (prejfoljorët): të folur-it, të shtypurit, të dalë-t, të qeshur-it”. (Aty f. 57.) Po ashtu, por edhe më shkurt del përcaktimi te Shqipja standarde (vepër e Rami Memushajt, Tiranë, 2005.), ku thuhet vetëm kaq se “Gjinia asnjanëse përfshin një klasë shumë të kufizuar emrash, kryesisht ata me nyjë të përparme”. (Aty f. 53.) Prof. Eqerem Çabej, në të vërtetë, pa e përmendur tipin përkatës, se cilit tip i referohet, shprehet se “në gjuhën e shkrimit (ashtu si te disa gjuhë të tjera i.e) është një tendencë që asnjanësi të zhduket”. (Shih Studime gjuhësore VII, Prishtinë 1986, f. 94.) Po këtij konstatimi, pa e përcjell me koment, sipas prof. R. Ismajlit, i bashkohet edhe Harvej Mayer me fjalët: “neutri anon të zhduket në shqip e në rumanisht”. (Shih: Seminari... 25/1, Prishtinë 2007, f. 52.) Edhe studiuesi ri N. Pajaziti, në një kumtesë te vepra Frang Bardhi - 400 vjetori i lindjes (përmbledhje kumtesash, botim i IAP-së, Prishtinë 2007.), pa e përcaktuar tipin përkatës, shpreh një kësi mendimi: “Emrat asnjanës që i hasim te këta shkrimtarë (Buzuku e Bardhi) në ditët tona janë integruar në njërën nga dy gjinitë, pjesa më e madhe në gjininë mashkullore, ndërsa një pjesë më e vogël në gjini femërore”. (Aty f. 155.)

Nuk po vazhdojmë me përmendje të tjera, sepse lista del e gjatë, por e shohim të arsyeshme që kalimthi të cekim edhe konstatimin e prof. L. Mulakut, i cili pajtohet me atë të prof. Sh. Demirajt se ”asnjanësit participorë dhe ata me prejardhje mbiemërore janë zëvendësuar thuajse plotësisht me emra prapashtesorë”. (Shih Seminari...25/1, f. 447.) Prandaj shikuar sipërfaqësisht e njëanshëm kjo gjini aktualisht gjoja mund të cilësohet si një formë joaktive ose si një relikt, i cili, siç e thonë disa, së shpejti si mbeturinë mund t’i takojë së kaluarës (!), andaj, edhe gjithnjë e më pak po shënohet subjektivisht te disa fjalorë që cilësohen edhe si burime normëzuese për shqipen e sotme letrare.

Ne, vërtet, pas analizës që i bëmë çështjes në fjalë, rreth verifikimit të pohimeve të mësipërme erdhëm në përfundimin se shikuar realisht disa nga konstatimet e mësipërme rreth pasivizimit, zëvendësimit a shuarjes si dhe rreth kufizimit të numrit të asnjanësve në përdorim e sipër, sidomos për dy tipat e paranyjëzuar, i marrim me shumë rezervë, madje si të tilla pa ndonjë sqarim plotësues, mund të cilësohen edhe si konstatime të guximshme, të nxituara, madje edhe si teprime a një sipunë me gjykime të pamatura mirë.

Ne, për rezervën a mospajtimin tonë gjejmë mbështetje në këta tre faktorë:

e para, nga nënteksti i konstatimeve të tilla kundërthënëse që u cekën më sipër,

e dyta, nga vërejtje- vlerësimet e dhëna në “Gjuha letrare shqipe për të gjithë” rreth kësaj teme dhe

e treta, nga realiteti që na ofrohet dhe imponohet përditshmërisht, ashtu siç mund të shihet qartë dhe siç ka filluar në të vërtetë të shihet në kohë të fundit edhe nga të tjerët. Ndonjë emër nga këta të fundit do të përmendet gjatë analizës në këtë punim.

Po i zbërthejmë paksa këto fakte në vijim:



1. Rreth kundërthënieve (nën)tekstore të sipërcekura



Në kuadër të konstatimeve, ndonëse fragmentare, të sipërshënuara prej nesh edhe lexuesi i rëndomtë mund të vërejë kundërthënie tekstore dhe nëntekstore, ngase:



e para, zëvendësimi (në proces e sipër) e integrimi janë dy procese të ndryshme me dallime të theksuara, sipas tipave përkatës;

e dyta, çdo prirje spontane nuk do të thotë edhe tkurrje e materialit të goditur dhe që kjo dukuri vlen për të tre tipat e asnjanësve;

e treta, kur pas shembujve jepet treguesi etj. (do me thënë e të tjerë) dhe jo pikë ose e ndonjë tregues tjetër, lë për të kuptuar se ka ose mund të ketë edhe raste të tjera, madje mund të ketë edhe shembuj potencialë;

e katërta, edhe nga kuptimi i pjesëz-ndajfoljes pothuaj mund të nënkuptohet se shembujt mund të mos jenë plotësisht të rrëgjuar, por mund të jenë në numër të konsiderueshëm, në përdorim e sipër, qoftë në cilësinë e termit, qoftë si fjalë aktive në ligjërimin e përgjithshëm dhe

e pesta, kur pranohet se një trajtë e tillë e ngurosur në shprehje frazeologjike dhe në fusha të caktuara terminologjike e stilistike, është normative, atëherë nënkuptohet vetvetiu se ajo fjalë assesi nuk del jovepruese, e shuar ose e gjykuar për mospërdorim, por del me gjallëri relative përdorimi me mundësi që në mënyrë analoge mundet me joshë edhe shembuj të tjerë.



Sidoqoftë, këto katër-pesë fakte na japin të drejtë që çështjen ta konsiderojmë si të diskutueshme dhe njëherazi shtrohet nevoja e verifikimit dhe të grumbullimit dhe të fakteve të tjera plotësuese, por, në këtë kuadër edhe për vërtetësinë e gjykimeve përkatëse.



2. Konstatime nga normativi “Gjuha letrare shqipe për të gjithë”



Kërkesën tonë rreth nevojës së verifikimit të qëndrueshmërisë së konstatimeve të lartpërmendura e mbështesim si të drejtë, madje me fakte bindëse, bazuar edhe në konstatimet e hartuesve të veprës normative: Gjuha letrare shqipe për të gjithë (Tiranë, 1976), vepër kjo, e cila pas Kongresit të Drejtshkrimit (1972), si me thënë, u paraprinte burimeve të tjera normative në frymën e Drejtshkrimit të gjuhës shqipe të vitit 1973. Pikërisht konstatimet nga doracaku Gjuha letrare për të gjithë, ne i shohim mjaft të arrira, të qëndrueshme dhe patjetër normativisht të mbështetura për kohën, vërejtje këto që kanë të bëjnë pikërisht me tre tipat e asnjanësve në shqyrtim. Andaj kërkojmë nga lexuesi, jo vetëm nga dashamirësit e rëndomtë të gjuhës shqipe, por edhe nga ekspertët përkatës që së bashku t’i ndjekim vëmendshëm konstatimet përkatëse nga ky burim sipas tipave të asnjanësve:



a) Aty thuhet me të drejtë se “kjo formë e asnjanësit (është fjala për tipin e parë n.v.) dëgjohet ende sot nëpër dialekte e në të folurit e brezit të vjetër” dhe menjëherë më poshtë theksohet e drejta e pamohueshme universale se “trajtat e asnjanësve të këtyre emrave mund të përdoren në vepra letrare për të karakterizuar gjuhën e një epoke të kaluar”. (Aty f. 12.)

Pra materializimi i trajtave të tilla në vepra letrare e shkencore (e drejtë kjo e padiskutueshme), gjithsesi jo vetëm nuk nënkupton zhdukjen e tyre, por në njëfarë mënyre parakupton këndelljen a jetëgjatësinë e tyre në vepra letrare, në kuptim të shfrytëzimit të vlerave trashëgimore, por, në rast nevoje, edhe mundësinë e krijimeve të vlerave të reja artistike nga mjeshtrit e gjuhës edhe për destinime të tjera po mbi këtë bazë. Po sipas kësaj logjike e quajmë shumë pa vend konstatimin e Seit Lilës, të shprehur ne Kongresin e Drejtshkrimit (1972), ku format ose trajtat gjalpët, mjaltët, ujët, sipas tij, konsiderohen tashmë të huaja për gjuhën letrare. (Shih: Kongresi i Drejtshkrimit, Prishtinë, 1974, f. 267.)



b) Edhe lidhur me asnjanësit e tipit të dytë (prejmbiemërorët), ndonëse nuk dalin plotësisht të qartë, aty jepen mendime të qëndrueshme. Aty, në të vërtetë, nga hartuesit e burimit në fjalë konstatohet mirë, kur thuhet se ka raste, që “emri asnjanës ose femëror pa prapashtesë dhe emri femëror me prapashtesë përdoren me kuptime pak a shumë të ndryshme, si p.sh. të bardhët me bardhësi, të ftohtët e ftohta me ftohtësi etj.” dhe njëkohësisht theksojnë në mënyrë të veçantë, gjë që nuk e mohojnë as të tjerët, se “emrat asnjanës të formuar prej mbiemrash përdoren dendur në një numër shprehjesh frazeologjike”, duke theksuar edhe një të vërtetë tjetër të padiskutueshme se “në këto shprehje përdorimi i tyre është normativ.” (Aty f. 238.)

Pra, siç po shihet nga formulimet e mësipërme dalin në shesh tri fakte të qarta që i bëjnë të rrëzueshme konstatimet rreth pasivizimit të asnjanësve në fjalë:

e para, aty pohohet qartë se në raste bashkëjetojnë trajtat e asnjanësve prejmbiemërorë, krahas atyre sintetikë me prapashtesim,

e dyta, kur thuhet se emrat e tillë përdoren dendur dhe

e treta, kur thuhet se trajtat e tilla e kanë bekimin e normës edhe në shprehje frazeologjike.



c) Edhe më qartë e më mirë se për dy tipat e parapërmendur autorët e tekstit në fjalë, shprehen lidhur me tipin e tretë, ndonëse, sipas nesh edhe kjo paraqitje e tyre nuk është tërësisht e plotë. Aty, ndërkaq, pasi ceken 34 shembuj nga ky tip, d.m.th. trajta asnjanësish nga emërzimi i pjesoreve “që shënojnë veprime abstrakte” tërhiqet vërejtja se “një pjesë e emrave prejfoljorë asnjanës përdoren me kuptime deri diku të ndryshme nga ato të emrave përkatës me prapashtesat –im ose –je, p.sh. të çmuarit – çmim, të kënduarit – këndim, të menduarit – mendim, të mësuarit – mësim, të punuarit – punim, të shkruarit – shkrim; të luturit- lutje, të ngjarët – ngjarje, të pyeturit – pyetje, të sharët- sharje etj.”, duke sqaruar më tej se ”pjesorja e emërzuar në këto raste e jep më të theksuar kuptimin e procesit të veprimit, ndërsa formimet me prapashtesa emërtojnë veprimin si nocion abstrakt dhe në mjaft raste emërtojnë rezultatin e veprimit. Pikërisht për këtë arsye në gjuhën e sotme letrare këta emra mund të përdoren me vlerat e tyre të veçanta, p.sh. arti i të kënduarit, por shkrim e këndim, të mësuarit – mësim, të menduarit – mendim të shprehurit, mënyra e të shprehurit, por shprehje, shprehja e bukur etj. (Aty f. 239).

Kështu, ndonëse fjalëzat sqaruese një pjesë dhe deri diku dalin pothuajse të panevojshme, nga teksti i mësipërm, sidomos aty nga fundi i formulimit nga vetë treguesi etj. (nxirë (bollduar) prej nesh) si dhe nga theksimi tjetër se “emrat prejfoljorë asnjanës kanë përdorim të gjerë e të qëndrueshëm në gjuhën e sotme letrare në një varg shprehjesh e mënyrash të thëni me karakter frazeologjik” si dhe përfundimi se “përdorimi i emrave të tipit të tillë të mësipërm në shprehje të tilla është plotësisht normativ” (Aty f. 239), kuptohet katërçipërisht se shembujt e tillë, varësisht nga konteksti mund të përdoren edhe sot e gjithë ditën, së të thuash, në numër të pakufizuar, duke i dalluar, pak a shumë, tri koncepte: 1) nënfushën semantike, 2) veprimin si proces abstrakt dhe 3) rezultatin e veprimit.

Pra, siç po shihet, konstatimet nga kjo vepër, d.m.th. nga “Gjuha letrare shqipe për të gjithë” janë të mjaftueshme sa për të sjellë në rishikim konstatimet en bloc, nga veprat e thëniet e paracituara, me të cilat, si të thuash, arsyetohej subjektivisht pasivizimi a zhdukja e asnjanësit në gjuhën shqipe dhe në këtë kontekst shprehim habi e keqardhje pse kjo lajthitje ndaj së vërtetës së pamohueshme nuk është vënë re më përpara nga studiuesit tanë apo nëse është vënë re, pse nuk është kërkuar të bëhej korrigjimi a

modifikimi i caktuar në burimet përkatëse normative?! Pra, një korrigjim i tillë, ndërkohë e me kohë, deri në ditët tona, nuk është bërë, edhe pse dihet se lënda e doracakut normativ “Gjuha letrare shqipe për të gjithë” nuk ishte e panjohur gjithandej e këndej dhe më gjerë, madje në hollësi, edhe si tekst shkollor a udhëzues për mësuesit e shqipes, nga të gjitha rrethet tona shkencore dhe arsimore përkatëse.

Sidoqoftë, vërtet, disa gjëra për ne mbesin të paqarta.



Konstatimet tona vetjake



Si tek çdo dashamirës i gjuhës, edhe te ne. pas një përvoje pune prej disa vitesh në arsim dhe në lëmin e krijimtarinë letrare, madje paksa edhe në atë hulumtuese shkencore-gjuhësore, sidomos gjatë dhe pas studimeve pasuniversitare (postdiplomike) dhe konkretisht gjatë hartimit të temës rreth emërtimit të proceseve tekniko-teknologjike në gjuhën shqipe, u rrit interesimi ynë, për ta njohur sa më të mirë dhe më në thellësi tërë sistemin ligjërimor të shqipe, si në fushën e konkretizimit, ashtu edhe në atë të abstraksionit. Në këtë kontekst hetuam tema që në gramatikat tona të normëzimit letrar, mbase të bazuara më tepër në fushën praktike të konkretizimit, ishin anashkaluar ose i kishin lënë nën hije, disa nga komponentet e rëndësishme të gjuhës sonë që i përkisnin më tepër fushës së gjerë të abstraksionit, dhe shikuar në tërësinë e saj si sistem gjuha jonë në trashëgimi ato komponente i kishte normalisht aktive, siç janë infinitivi i mirëfilltë edhe neutri i paranyjëzuar. Andaj këtu e ka fillin edhe interesimi dhe angazhimi ynë për shtjellimin e temave të tilla më në hollësi.

Pra, së këtejmi, për të harmonizuar sadopak të dhënat kundërthënëse teorike, në njërën anë dhe realiteti që na imponohej, në anën tjetër si dhe vetë nevoja që paraqiste gjuha për segmente të tilla, sidomos në fushën e abstraksionit, doli e nevojshme që mendimet dhe përvojën tonë mbi këto çështje dhe të tjera t’i shprehnim me shkrim, disa janë botuar e disa përpjekje tona ende kanë mbetur pa u botuar, madje janë disa raste që janë ende në fazën e përpunimit. Sidoqoftë, është e vërtetë se për hartimin e këtij punimi gjetëm mbështetje pragmatike dhe logjike, madje edhe në premisen intelektualisht të njohur se çdo bashkësi shoqërore e civilizuar, përkatësisht çdo gjuhë moderne, siç është kjo jona, në zhvillim e sipër, ka nevojë që t’i rrisë kapacitete e veta të mjeteve gjuhësore. Pra, t’i rrisë, nga gjerësia dhe cilësia e fushave kuptimore që i ka dhe t’i shfrytëzojë të gjitha ato mundësi kapacitetesh ekzistuese në të mirë të të shprehurit si në fushën e konkretizimit, ashtu e aq më tepër në atë të abstraksionit e jo t’i zhdukë a t’i shuajë ato që i ka, dhe së këtejmi arritëm në përfundimin se gjuha jonë, norma e saj do të jetë shumë më funksionale dhe më e kompletuar, njëherazi shumë më e fortë dhe e qëndrueshme, nëse me gjirin e vet në bazë të normës globale të natyrshme e mëkon edhemë si infinitivin ashtu edhe neutrin e vet, andaj këto dy tema që me kohë edhe i vumë në qendër të vëmendjes të hulumtimeve tona dhe më në fund doli edhe ndihmesa jonë që infinitivi i shqipes të rikthehet në tryezën e (ri)shqyrtimit me propozim rishikimi, andaj po të njëjtin synim e kemi edhe lidhur me asnjanësin e gjuhë shqipe, sepse kur diçka vendoset në tryezën e shqyrtimeve ajo edhe do të gjejë zgjidhjen fatlume.

Dhe në të vërtetë, gjatë verifikimit të fakteve arritëm në përfundimin se konstatimet e dhëna në “Gjuha letrare shqipe për të gjithë”, për asnjanësit ishin të drejta, por lypsej vërtetësuar (verifikuar) e sforcuar më mirë dhe më në hollësi edhe më tej. Dhe së këtejmi, gjatë këtij vërtetësimi, sigurisht duke e lidhur punën tonë edhe me realitetin tonë ligjërimor, zbuluam mrekullinë ekzistuese se trajtat e tilla (të asnjanësve të paranyjëzuar) jo vetëm nuk dilnin me prirje rrëgjuese nga pikëpamja e përdorimit të përditshëm, por dilnin të sforcuara atavikisht, madje të pozicionuara fort në përdorim normal po në fushën e abstraksionit, por jo kryekëput për konceptin e vetë veprimit, po në një nënfushë të përafërt me të, d.m.th. në nënfushën që ka të bëjë me konceptin e kuptimit të procesit të veprimit në shkallën më të lartë të abstraksionit, me një shtrirje të lehtë në tërë nocionin lidhur me atë proces.

Për t’u kuptuar më mirë ky formulim që ka të bëjë vërtet paksa me rrudhje ndaj fushës së gjerë që mbase mbulonin asnjanësit e paranyjëzuar në një fazë më të hershme, por njëherazi edhe me një përqendrim të ravijëzuar në një nënfushe semantike brenda saj, u desh që kjo çështje të vështrohet më në hollësi dhe thellësi, prandaj po i themi më poshtë edhe disa fjalë si sforcim lidhur me këtë “mrekulli” që na u zbulua dhe si njëzbulim fatlum na u imponua..

Sidoqoftë, gjatë analizës, siç u tha, doli në shesh e vërteta se asnjanësit e paranyjëzuar (prejmbiemërorët dhe prejpjesorët) tani dilnin si një organizën i gjallë gjuhësor me prirje të qartë specifikimi për të mbuluar një nënfushë semantike, e cila ka të bëjë me mbulimin e konceptit të procesit të cilësisë, të gjendjes a të qenit, përkatësisht të veprimit, por jo tani, për tërë nocionin përkatës të fushës së gjerë të abstraksionit, çka na jepet për të kuptuar, siç u tha, gjerësinë përfshirëse që mund ta kenë pasur më përpara, asnjanësit në fjalë për emërtimin e vetë procesit të cilësisë, të gjendjes a të qenit, ose të veprimit a të rezultatit të veprimit përkatës, që tani, me ndonjë përjashtim jo aq me peshë, këto nocione mbulohen kryesisht nga emrat e tjerë sinonimikë, qoftë me prejmbiemërorët me prapashtesat –si a –i , qoftë me prejpjesorët me prapashtesat –im ose –je, ose me emrat e nyjshëm femërorë, tipi e mira ose me prejpjesorët pandajshtesorë, tipi: shkojë-a, rritë-a ose nga ndonjë tjetër tip emëror.



Pra, duke u mbështetur në premisën e sipërpërmendur se çdo gjuhë e zhvilluar i ka të ravijëzuara konceptet e fushës abstrakte, përkatësisht termat e specifikuar përkatës që shprehin ato koncepte dhe të ndihmuar nga konstatimet kritike kundërthënëse që dilnin nga dy pikat e sipërcekura: a) e b) si dhe më fort, duke u bazuar në realitetin tonë gjuhësor, ne arritëm në konstatime të tjera më të modifikuara dhe me drejt-sofistikuara nga ato që u cituan fillimisht nga disa nga studiuesit tanë, të cilat (konstatimet tona) u përpoqëm t’i sqarojmë dhe argumentojmë sa më bindshëm në këta tetë krerët vijues të këtij punimi:



Prania e asnjanësve në shqipen letrare dhe grupimi i tyre sipas nyjë-mbaresave të njëjësit të shquar.

Nënfushat semantike, veçori dalluese sipas tipave të asnjanësve në shqipen letrare.

Faktografi rreth shtrirjes së asnjanësve të nyjshëm prejmbiemërorë e prejpjesorë në shqipen e sotme.

Vendi i asnjanësve të paranyjëzuar në kuadër të prejpjesorëve të tjerë.

Konstatime të tjera plotësuese rreth identitetit të asnjanësve të nyjshëm në shqipen standarde

VI Anashkalimi i vlerave të asnjanësit në shqipen e sotme

pasojë e konstatimeve të nxituara.

VII. Çështje të hapura rreth asnjanësit në shqipen e sotme

VIII Mendimi përgjithësues dhe përcaktimi i nënfushave

semantike të asnjanësve në shqipen e sotme.



Sidoqoftë, ne kemi bindjen se në këtë punim kemi paraqitur argumente të mjaftueshme nga jeta jonë gjuhësore, të cilat na japin të drejtë të konstatojmë që asnjanësit e tre tipave, jo vetëm mund a duhen përdorur pjesërisht, po me lëndën e trajtuar në hollësi e thellësi në tetë krerët e sipërshënuar, u përpoqëm me dhënë ndihmesën në të mirë të ndriçimit të problemeve të trajtuara jo mjaftueshëm në të kaluarën. Në këtë kontekst, ngase kemi të bëjmë me mjaft risime, kërkojmë nga lexuesi i nderuar jo vetëm të lexohen me vëmendje të veçantë konstatimet tona, por edhe të vlerësohen objektivisht, natyrisht duke mbajtur edhe qëndrim kritik.

Gjithsesi nga trajtimi i kësaj teme, shpresojmë se së paku, më mirë e më në thellësi se asnjëherë më parë do të qartësohen, jo vetëm nënfushat semantike që mbulojnë asnjanësit përkatës, sipas prejardhjes së tyre (emërore, mbiemërore dhe prejpjesore), por do të ndriçohen më mirë edhe çështje të tjera me interes për konsolidimin e shqipes standarde të sotme dhe të nesërme, të qëndrueshme për mot e vjet.

Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi