Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Adelina Dardha: Tregim " Dashuri zemre"

Shko poshtë

Adelina Dardha: Tregim " Dashuri zemre" Empty Adelina Dardha: Tregim " Dashuri zemre"

Mesazh nga Agim Gashi Fri Jan 29, 2010 10:05 pm

Adelina Dardha: Tregim " Dashuri zemre" 17063_1190156198878_1377540732_519267_948281_n
Adelina Dardha: Tregim " Dashuri zemre"



(Pjesa e pare)

Ajo kaloi përmes turmës së turistëve që sapo kishin zbritur nga anija e madhe gjigande me mijra dritare të vogla dhe kate të panumërta. Ishte ndalesa e radhës për këta turistë të ardhur nga të gjitha anët e botës në vendin e quajtur Hoboken. Me aparatet fotografike dhe me kamerat e tyre ata fiksonin pamjen e magjishme që të jepte panaroma e kullave të larta të Nju Yorkut. Shumë prej tyre e kishin herën e parë që e preknin NY kaq afër. Kurse ajo pothuajse të gjitha vitet e saj.

Bora ecte duke i shmangur vështrimet e turistëve të huaj që e shikonin me admirim dhe dukej sikur pyesnin njëri-tjetrin: Po kjo nga doli në këtë orë të vonë të natës? Dukej si sirena e detit me bukurinë e saj, me trupin e bukur si ato aktoret e Hollivudit. Flokët e saj të gjatë, të zezë lëkundeshin mbi supet e zhveshura. Kishte veshur një kanatiere ngjyrë të kuqe, të puthitur pas trupit, ku i dilnin në pah beli i saj i hollë dhe gjokset e saj të rrumbullakta si dy molla që rriteshin bashkë me trupin e gjatë si lastar. Kurse pantallonat ishin një palë xhinse të vjetër dhe të gërrisur tek kupa e gjurit. Ishte moda e re që sapo kishte dalë. Ishte vetëm 16 vjece dhe cdo ditë bëhej edhe më e bukur. Në shkollë të gjithë e thërrisnin më e bukura e shkollës.

Ecte duke prekur me atletet e saj dërrasat e lyera me bojë, që shkëlqenin nga hapat e tërhequr zvarrë nga lodhja në punë. Në sup kishte hedhur cantën e bardhë që e kishte kombinuar me atletet. Përvec celularit që sot nuk pushonte nga zilet e panumërta dhe mesazhet që merrte nga shokët dhe shoqet e saj që i uronin ditëlindjen, kishte edhe shkëlqyesin e buzëve dhe një foto ku kishte dalë bashkë me njeriun që dikur ishte i dashuri i saj dhe sot i mungonte kaq shumë.

Ishte vendi i saj i preferuar këtu në këtë pistë të gjatë që shtrihej si gjarpër përmes ujit. Në mes të pistës shtriheshin stolat e drurit që zgjateshin pafund. Midis tyre vazo të mëdha me lule shumëngjyrëshe, që kishin mbledhur petalet e tyre nga vesa e mëngjezit që hidhte nata mbi këtë agim qershori. Dritat e gradaçelave jo vetëm që shponin qiellin e errët por i pasqyronin ato në thellësitë e ujit dhe të jepte përshtypjen e një qyteti nën ujor, ku jetonin në harmoni të plotë peshqit dhe delfinët. Mrekullia e këtij vendi gjithmonë e kishte mahnitur dhe sa herë ndihej e lumtur apo e mërzitur ajo gjithmonë ato çaste kërkonte t'i kalonte aty. Ishte e lumtur që pikërisht këtu në këtë vend magjik, ku ngrohtësia e natës zbukurohej nga dritat e pallateve të larta ajo kishte marrë puthjen e parë nga njeriu qe i kishte rrëmbyer zemrën e saj të vogël.

Ashtu siç ishte në këmbë e mbështetur pas hekurave mbrojtës, një lot u rrokullis nga sytë e saj të mëdhenj e të zinj. Para se të shkëputej, ai lagu bishtin e syrit dhe qerpikët e gjatë si gjethet e pishës, pastaj u drejtua drejt qoshes së syrit. Aty u mblodh si lëmsh i lëngët mblodhi gjithë dhimbjen dhe mallin dhe u vursul si shigjetë poshtë faqeve duke fshirë edhe makeupin. Pastaj u dëgjua një trokitje si pikat e shiut mbi sipërfaqen e gjirit të oqeanit. Aty u tret bashkë me kripën e ujit dhe formoi një dallgë me shkumb të bardhë që u përplas në themelet e drunjta të pistës. U drodhën edhe algat e myshqet nga dhimbja e atij loti të freskët. Ishte lot dashurie. Ishte lot dhimbje. Ishte lot zemre.

Ku ishte tani ai shoku i saj që i kishte rrëmbyer ëndrrat dhe dashurinë ?
Ndoshta e kishte harruar nëpër kujtime. Pyeste veten dhe trishtimi i ulërinte në kraharor.
- Ku je ? Cila hënë është duke të vështruar ty sot, kush t'i përkëdhel flokët ngjyrë gruri, kush t'i zbukuron me dritë sytë e tu, kush t'i puth buzët e tua? Kush......

Sirena e anijes oshëtiu para syve të saj. I kishte mbledhur të gjithë turistët brenda gjoksit dhe ishte bërë gati të dilte në oqean. Disa prej tyre në kuvertë përshëndesnin sirenën e detit dhe i uronin asaj lumturi. Edhe ajo ngriti dorën e saj duke e valëvitur, për t'i kërkuar ndoshta falje që nuk u kishte dhënë rëndësi atyre mysafirëvë të ardhur nga bota, që Zoti i kishte bashkuar në këtë natë, lumturinë e udhëtimit të tyre me dhimbjen e kujtimeve të dashurisë së saj.

(vazhdon)
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi