Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

UNMMIK-u, EULEX-i dhe vullneti i popullit

Shko poshtë

UNMMIK-u, EULEX-i dhe vullneti i popullit Empty UNMMIK-u, EULEX-i dhe vullneti i popullit

Mesazh nga Agim Gashi Tue Feb 09, 2010 11:10 pm

UNMMIK-u, EULEX-i dhe vullneti i popullit

Valon Murati

Në shumicën e rasteve misionet ndërkombëtare paqësore apo edhe ato që vendosin administrata të përkohshme qeverisëse fillimisht pranohen me entuziazëm nga popullsia vendëse. Me kohë dëshpërimi në to rritet dhe shpeshherë marrëdhëniet në mes këtyre misioneve dhe popullsisë përfundojnë gati në raporte armiqësore. Dhe kjo është deri diku normale. Këto misione zakonisht vendosen në zona të prekura nga luftërat dhe konfliktet, andaj vendosja e tyre nënkupton vendosjen e një paqeje së paku të përkohshme. Një proces i tillë ka ndodhur edhe në Kosovë me UNMIK-un. I ardhur në një moment të vështirë, pasi që shqiptarët në Kosovë i kishin përjetuar krimet më monstruoze nga regjimi i Millosheviqit dhe në masë ishin dëbuar nga Kosova, UNMIK-u që pasonte intervenimin ushtarak të NATO-s, si një administratë e përkohshme ndërkombëtare e OKB-së, u prit me entuziazëm nga shumica e qytetarëve të Kosovës. Mirëpo, , duke qenë i vendosur në Kosovë në bazë të një rezolute të njihte sovranitetin ish-Jugosllavisë së Millosheiviqit mbi Kosovën, ky mision shumë shpejt filloi t’i zhgënjente qytetarët e Kosovës. Me kalimin e kohës dallimi në mes të misionit politik të UNMIK-ut në Kosovë dhe dëshirës e vullnetit politik të shumicës së qytetarëve të saj - shqiptarëve, sa vinte dhe thellohej. Në thelb, UNMIK-u si i tillë nuk kishte faj; problemi qëndronte tek mandati që atij i ishte dhënë nga KS i OKB-së përmes Rezolutës 1244. Rrethanat politike në Kosovë ishin shumë komplekse dhe të tillë e bënin edhe misionin e tij. Ky mision që operonte me një rezolutë e cila e njihte sovranitetin e një shteti që kishte bërë krime në Kosovë e nga i cili shtet Kosova luftonte me dekada të çlirohej, ballafaqohej me një vullnet kolektiv për vetëvendosje. Njëkohësisht ky mision duhej të ndërtonte institucione vetëqeverisëse e demokratike në Kosovë gjë që qysh në fillim shkaktoi kokëçarje të mëdha se cili ligj duhej të zbatohej në Kosovë. Dhe ndoshta përcaktimi i ligjeve serbe (edhe i atyre të kohës së Millosheviqit) si valide në Kosovë, ishte fillimi i fundit të popullaritetit të UNMIK-ut në Kosovë. Me kalimin e kohës popullariteti i këtij misioni gjithnjë ishte në rënie e sipër. Mungesa e transparencës, mungesa e llogaridhënies ndaj qytetarëve të Kosovës, vendosja e standardeve të dyfishta në fushën e të drejtave të njeriut dhe të demokracisë (të tjera për institucionet e Kosovës dhe të tjera për vete dhe punëtorët e saj që kishin imunitet të plotë), problemet me mungesën e efikasitetit të sistemit gjyqësor hibrid (i përbërë nga ndërkombëtarët dhe vendorët, por me ata të parët me më shumë fuqi) si dhe pengesat që shkaktoheshin edhe në fushën e zhvillimit ekonomik (sidomos përmes politikave fiskale të pafavorshme për ekonominë vendore dhe problemet me procesin e privatizimit) ishin elemente përcjellëse të këtij misioni në Kosovë. Sidoqoftë, ngjarjet më të spikatura që e dëmtuan imazhin e tij, ishin ngjarjet e marsit të vitit 2004, si dhe reagimi i policisë së UNMIK-ut ndaj demonstratës së 10 shkurtit të Lëvizjes Vetëvendosje! kundër Pakos së Ahtisarit kur u vranë dy demonstrues, e që u pasua me fillimin e procesit gjyqësor kundër Albin Kurtit, liderit të Lëvizjes Vetëvendosje!. Për më tepër UNMIK-u filloi të shihej si një pengesë e procesit të pavarësisë së Kosovës si në prag të shpalljes së saj, e deri në ditët e sotme. Nuk ishte e thënë që "dashuria" e filluar në qershorin e vitit 1999 në mes të qytetarëve të Kosovës dhe të UNMIK-ut të zgjasë. Në vitin 2008 qytetarët e Kosovës nuk ishin ata të vitit 1999. Hallet dhe brengat e tyre kishin ndryshuar. Qytetarët e Kosovës tani besonin se meritonin më shumë se Rezolutën 1244 dhe UNMIK-un.
Misioni për sundimin e ligjit të BE-së i njohur si EULEX, në fillim u perceptua si një shpresë e madhe për Kosovën në periudhën e pas-pavarësisë. Më entuziastët besonin se të gjitha problemet që Kosova i ka në fushën e sundimit të ligjit, e posaçërisht në gjyqësi, polici dhe dogana do të zgjidheshin si me shkop magjik me vendosjen e EULEX-it në Kosovë si pjesë e mekanizmit ndërkombëtar për mbikëqyrjen dhe kontrollimin e shtetit të ri të pavarur të Kosovës. Madje edhe vetë integrimi i Kosovës në BE dukej për këta entuziastë si punë e kryer. Mirëpo edhe EULEX-i na doli që në fillim se i kishte kufizimet e veta. Duke qenë një mision i mandatuar nga BE-ja, ai do t’i bartë që nga fillimi edhe kufizimet që ka BE në raport me mosnjohjen e Kosovës si shtet nga pesë vendet anëtare të BE-së. Madje atij, për t’u vendosur në Kosovë, iu desh të pranojë të jetë neutral ndaj statusit të Kosovës. Njëkohësisht EULEX-i pranoi të operojë së paku formalisht nën UNMIK-un, për t’u vendosur në Kosovë si pjesë e marrëveshjes gjashtëpikëshe të UNMIK-ut me Serbinë. Kështu që në fillim ky mision nuk e nisi mbarë punën e tij. Neutraliteti ndaj statusit, nuk e entuziazmoi opinionin publik në Kosovë dhe qytetarët e saj. Më pas EULEX-i e nënshkroi marrëveshjen për bashkëpunimin policor me policinë e Serbisë që edhe më tej e rrënoi entuziazmin për të. Lënia anash e Kosovës në tërë procesin e liberalizimit të vizave nëpër të cilin po kalojnë vendet e tjera të Ballkanit edhe më shumë i frustroi qytetarët e Kosovës. Për qytetarët ishte e pakuptueshme sesi ne me një mision evropian në Kosovë që ka edhe fuqi ekzekutive në fushën e sundimit të ligjit, jemi në realitet aq larg BE-së në të gjitha proceset integruese. Dhe kapaku iu vu tenxheres këto ditë kur tërë opinioni publik ishte në pritje se kush nga peshqit e mëdhenj të politikës do të kapej për korrupsion e lidhje me krimin, siç ishte paralajmëruar, ndërsa EULEX-i deklaroi se do ta rihapë procesin gjyqësor kundër Albin Kurtit, liderit të Lëvizjes Vetëvendosje!, për përgjegjësinë e tij penale për demonstratat e 10 shkurtit, proces që UNMIK-u u pat detyruar me turp ta pezullojë disa ditë para shpalljes së pavarësisë së Kosovës në shkurtin e vitit 2008. Ky proces do ta fusë EULEX-in në një vorbull politike nga e cila vështirë se do të nxirret me fytyrë të larë e për më tepër e vendos atë në anën e atyre që ua mohojnë qytetarëve të drejtat themelore politike, ato të mendimit të lirë dhe të protestës. Për më tepër mosmarrja me vrasësit e demonstruesve të 10 shkurtit të cilët ishin nga radhët e policisë ndërkombëtare e bën edhe më të pabesueshëm misionin e EULEX-it për t’i ndihmuar institucionet e Kosovës në vendosjen e sundimit ligjit.
Në të vërtetë, ashtu siç thashë në fillim, këto misione fillojnë me entuziazëm e përfundojnë me dëshpërim. Sidoqoftë, për shkak të dobësive të brendshme dhe vështirësive që në këtë situatë t’i bëhet ballë Serbisë pa ndihmën ndërkombëtare, si UNMIK-u në vitin 1999 ashtu edhe EULEX-i (e posaçërisht KFOR-i) sot ende është i nevojshëm në Kosovë. Mirëpo ashtu siç u bë UNMIK-u këmishë e ngushtë për Kosovën, sepse Rezoluta 1244 nuk ishte në përputhshmëri me vullnetin e shqiptarëve për vetëvendosje, ashtu edhe EULEX-i së bashku me tërë kornizën që i është caktuar Kosovës përmes Pakos së Ahtisarit dhe Kushtetutës së saj, do të bëhen tepër të ngushta për t’i mbajtur në supet e saj. Si pasojë e një varg rrethanash, lufta çlirimtare e udhëhequr nga UÇK nuk përfundoi me çlirimin e Kosovës vetëm nga forcat e brendshme të popullit shqiptar. Për shkak të involvimit ndërkombëtar dhe dobësisë sonë politike, ne na u vendos jo vetëm UNMIK-u, por ne e kemi edhe këtë pavarësi (posaçërisht rregullimin e saj politiko-juridik) më shumë si një produkt të rrethanave ndërkombëtare e më pak si vullnet të popullit shqiptar. Është bukur absurde për fillimshekullin e 21-të, ta kemi një shtet në Evropë të cilit formalisht i njihet sovraniteti ndërsa në anën tjetër i mohohet vetëvendosja. Ky rast është Kosova, një rast vërtet sui generis, ku popullit të saj shumicë, shqiptarëve, duke mos i trajtuar si komb, me kushtetutë (në nenin 1.3) i ndalohet vetëvendosja. Shtet pa të drejtë vetëvendosjeje ka pasur në Evropë, por në atë të pas Luftës së Dytë Botërore, ku Austrisë si dënim për pjesëmarrjen në aleancën fashiste, që shkaktoi me dhjetëra milionë viktima në botë, iu pat ndaluar bashkimi me Gjermaninë. Të krahasohet Kosova me Austrinë është vërtet më shumë se cinike. Kosova prej vitit 1912 ka qenë në mënyrë permanente viktimë e regjimeve pushtuese shoviniste serbe dhe populli i saj kaloi një sërë synimesh për zhdukje. Dhe si shpërblim ky popull e mori pavarësinë e Ahtisarit, që ia mohon në thelb vetëvendosjen. Si rezultat i kësaj pavarësie, dhe për më tepër, si rezultat i komplikimit që pat edhe kjo pavarësi që nuk kaloi përmes KS të OKB-së, ne na u vendos edhe EULEX-i. Ne si shoqëri duhet ta kuptojmë një gjë: këto misione ndërkombëtare (që në të vërtetë janë produkte të balancës së forcës në mes të shteteve më të fuqishme në arenën ndërkombëtare) kanë mandat të kufizuar dhe nuk janë këtu dhe askund të botë për ta realizuar vullnetin e popujve. Vullnetin e tyre politik popujt duhet ta realizojnë vetë me punë e angazhim të vazhdueshëm e të përkushtuar. Në planin individual, këto misione përbëhen nga njerëz që nuk kanë ardhur këtu për t’ia rregulluar punët Kosovës, por për t’i rregulluar punët e tyre me paga të majme. Kjo gjithashtu është normale, sepse këto misione nuk përbëhen nga idealistë, por nga burokratë që punojnë për pagë. Problemi është që ne si shoqëri duhet t’i heqim iluzionet dhe naivitetin në raport me këta zyrtarë ndërkombëtarë. Për më tepër, në disa raste (jo në të gjitha!) edhe kapacitetet e tyre profesionale janë shumë të dyshimta. Në rastet kur kemi të bëjmë me profesionistë të vërtetë, ne duhet të dimë të mësojmë, që në një moment të bëhemi të aftë që ato punë t’i kryejmë vetë. Sidoqoftë, është e rëndësishme që ne të shkëputemi nga logjika e improvizimeve dhe nga pasivitetit që na është imponuar si popull nga lëvizja dominante politike që nga fillimi i viteve 90-të të shekullit të kaluar. Ne duhet ta kuptojmë se askush nuk na i kryen punët tona, por ato duhet t’i kryejmë ne, qytetarët e Kosovës. Dhe kështu duke i kryer detyrat tona, duke u nisur nga të voglat e deri tek më të mëdhatë, ne do t’ua krijomë rrethanat këtyre misioneve të shkojnë në shtëpitë e veta, e ne ashtu si çdo popull tjetër të tregojmë se jemi të aftë vetë të qeverisim dhe se me punën dhe veprimet tona politike e meritojmë përfundimisht të vetëvendosim. Normalisht, për këtë do ta na presin në të ardhmen një sërë betejash politike jo të lehta për t’u fituar, por të pashmangshme nëse duam të përparojmë si shoqëri. As luftën kundër korrupsionit, kundër krimit të organizuar, vendosjen e plotë të demokracisë, të sundimit të ligjit dhe respektimit të të drejtave të njeriut dhe atyre të pakicave, luftën kundër garniturave politike të kriminalizuara kokë e këmbë (e që janë edhe produkt i këtyre misioneve ndërkombëtare), përmirësimin e marrëdhënieve me serbët dhe me Serbinë, asnjërën nga këto nuk mund t’i bëjë asnjë mision ndërkombëtar. Këto mund t’i bëjmë vetëm ne me angazhim, me vendosmëri e përkushtim në punë, por edhe me qartësi politike, duke e ditur se çka duam dhe ku duam të shkojmë.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi