Bekim Tocani: Poshtërimi i dyfisht në shtetin qeveritar
Faqja 1 e 1
Bekim Tocani: Poshtërimi i dyfisht në shtetin qeveritar
Bekim Tocani: Poshtërimi i dyfisht në shtetin qeveritar
Në vend të një "sprove Kadare" për poshtërimin në Kosovë
Një brez tjetër është duke ardhur, me një mendje më të kthjellët e një shpirt më të pastër. Ende nuk kanë në dorë fuqi ekonomike e politike, megjithate fryma e tyre ndihet anekënd...është frymë tjetër, që kërkon një tjetër Shqipëri (Kosovë). Që refuzon varfërinë si fatalitet e imoralitetin si kusht. Që natyrshëm kërkon t'i kthejë nderin e humbur vendit të vet...kumt e premtim bashkë, i thjeshtë, i dhimbshëm, pa fjalë të mëdha...Flitet për Shqipërinë (dhe Kosovën) moderne, as etnike e as multietnike, e cila nuk mund të ekzistojë pa lënë pas varfërinë. E varfëria në këtë rast, është e lidhur me të gjitha: turpin, bjerrjen morale, poshtërimin...Asnjë popull s'duhet lënë të bjerë!
Ismail Kadare
Shkruan: Bekim Toçani
Dy vjetori i rishpalljes së pavarësisë, 17 shkurti 2010 Kosovën e gjeti nën petkun e verdhë, të ngjyrës vjeshtake të flamurit me yje dhe hartën e gjymtuar andej nga veriu, të cilit i është bërë një strategji, sikur edhe fushave tjera të jetës në vend. Ato që morën kohë dhe shpenzime, por mbeten ashtu të thata dhe anemike mu sikur ata që bëjnë politikën. Megjithate, dominimi i ngjyrave kombëtare, i shkabës dykrenare dhe flamurit shqiptar, më 17 shkurt, përsëritshëm reflektoi shpirtin dhe frymën e njerëzve që Kosovën shtet e kanë parë dhe e shohin ndryshe nga udhëheqësit e sotëm. Ky është një refleksion mitik i shprehjes së pakënaqësisë para se të sqarohet si një "mos mësim me simbolet shtetërore" siç e krrokasin analistë, historianë e politikbërës, një armatë e tërë pseudointelektualësh "proevropianë" apo "institucionalistë" post 17 shkurtit. Thënë shqip: Republika e 17 shkurtit u shpall ditën e diel, kur edhe Zoti pushon, ndërkaq që "arritjet dhe sukseset e fuqishme" qeveritare, nuk është rastësi që përkojnë me muajin SHKURT.
Dy vjet pas rishpalljes së pavarësisë, përveç "arritjeve e sukseseve" që publiku pati rastin ti dëgjojë nga goja e kryeministrit Keops, ndër sukseset që i atribuohen Hashim Thaçit është varfërimi ekstrem i familjeve shqiptare dhe mirëqenia e rrezikuar, institucionalizimi i krimit të organizuar e korrupcionit, ndarja e shtetit në tresh si dhe ndarja e politikës nëpër rajone të Republikës së Kosovës. Krejt kjo bashkë ka prodhuar politikë jo dinjitoze, udhëheqës të tëhuajësuar, karrieristë të sëmurë dhe getoizimin e të rinjëve e qytetarëve që përditë përballen me procesin e poshtrimit të dyfishtë; vendor e ndërkombëtar. Por, kjo gjendje e pa perspektivë, domosdoshëm po prodhon lëvizjen qytetare e cila pa tjetër do të hapër dyert e progresit, do të mënjanojë nga skena këtë kastë "elefantësh" të korruptuar dhe të padinjitet si dhe do të shpallë kreativitetin në politikë e do t'i kthejë shpirtin shtetit të brishtë! Pakënaqësia e madhe e qytetarit shqiptar të Kosovës përballë "diskrecionit" diplomatik dhe (mos)veprimit politik qeveritar po shndërrohet në një klithmë të gjeneratave që po vijnë. Zëri qytetar veç ka nisur të ngritet në forma a mënyra tejdimensionale komunikuese, por që e shprehu më së miri intelektuali dhe shkrimtari Rexhep Hoxha.
Lajmi ishte tronditës, por jo për vendin ku nuk lexohet libri në përgjithësi, veçant jo nga qeveritarë a parlamentarë kolltukësh e postesh të shumta. "Shkrimtari Rexhep Hoxha bëri me dije publikun se refuzon Çmimin Kombëtar “Azem Shkreli”. Ai ka pohuar se nga mjetet e informimit është njoftuar se i është ndarë Çmimi Kombëtar për vepër jetësore. "Mirëpo, duke qenë se çmimin e jep një qeveri servile ndaj të huajve dhe mashtruese ndaj te vetëve, me zyrtarë të lartë të pangopur për t'u pasuruar në kurriz të Kosovës së varfër, me deputetë rrogash shumëfish me të mëdha se mjekët, mësuesit, policët, gjyqtarët, pa i përmendur kategoritë më të ulëta të nëpunësve me rroga të mjerueshme, pensionistë lëmoshash, të kërkojnë edhe nga një veturë për kokë, shofer për vete dhe beneficione të tjera në një kohe varfërie të hatashme e papunësie të përvajshme, me vetëvrasje si kurrë më parë nga humbja e besimit në jetë, për t'u lënduar çdo zemër njeriu, këtë çmim e refuzoj", ka klithur në fakt Hoxha. Ai refuzimin e lidhi me njohjen e Azem Shkrelit dhe tha: shpirti, nderi dhe karakteri im nuk e pranon asnjë çmim me emrin e tij. "Me shkrimtarin merr frymë kombi. Ai për asgjë as nuk shitet as nuk blihet", ka deklaruar shkrimtari. Liderët dhe udhëheqja e shtetit të mbikqyrur, edhe një herë, vërtetuan se dinjiteti i qeveritarëve është mbyllur brenda kutisë mistike të pandorës, të quajtur Qeveri e 17 shkurtit!
Shkrimtari nuk e zgjodhi rastësisht muajin shkurt për një deklarim i cili kumbon sikur zani i Zotit para një kataklizme, por këtë vështirë ta kuptojnë prodhuesit e territ e të mjegullës!
Rikryqëzimi i qytetarit shqiptar nga Qeveria dhe poshtrimi institucional
Fundviti 2009 e deri te 17 shkurti i këtij viti u theksua me greva për pagat dhe kushtet e punës, krrokatjen qeveritare që përkon me përpjekjen për t'u bërë qytetarëve "lavazh truri" duke publikuar e deklaruar pa kurrfarë skuqjeje gënjeshtra publike, jo të pavërteta siç përpiqen të zbusin disa OJQ. Atmosfera para dhe pas festës fiktive u përshkua me dhjetra vetvrasje e tentim vetvrasje, lotë e ofshama familjarësh të pa shtëpi as bukë që lutin bamirësit për t'u ndihmuar deri te propaganda "e fuqishme" për shënimin e dy vjetorit të pavarësisë! Kjo ngjarje përsëritshëm iu besua një kompanie që edhe me "Young Europians" tregoi se si plagjiatura nuk dënohet në vendin ku aprovohen ligje dhe shkelen po nga ata që i kanë propozuar e miratuar. Anëtari i Gjykatës Supreme në administratën e Presidentit amerikan Woodrow Wilson, juristi Louis Brandeis ka deklaruar se Qeveria jonë mëson të gjithë njerëzit tjerë nga shembulli i saj. "Nëse qeveria bëhet ajo që i thyen ligjet, ajo ushqen mospërfillje të ligjit, ajo fton çdo njeri të bëhet vet ligji dhe kjo fton në anarki", ka deklaruar Brandeis. Qeveria aktuale e Kosovës, që nga ardhja në pushtet, në vazhdimësi ka ftuar qytetarët në anarki.
E gjithë kjo domosdoshëm, shprehur në gjuhën poetike, me ose pa metafora e simbolikë, ndrydhë e prodhon tragjikisht vetëm ngjyrën e verdhë. Thënë me sprovën Kadare, 6 vjet pas botimit, në Kosovë po ndodhë poshtërimi shqiptar dhe jo më i përmasave ballkanike (që tashmë i sprovuar prodhon mjegull dhe krizë), por i dimensioneve europiane. Fatkeqësia e madhe është se shqiptarët e Kosovës, nuk po i poshtron vetëm serbi a maqedoni, hiq vllehët apo romët a hashkalinjt, turqit apo egjiptianët. "Vështirë se mund të gjesh ndonjë zonë tjetër të botës ku vetmashtrimi i një kombi, bëhet pengesa kryesore për moskuptim", thotë Kadare duke shtruar atë pyetjen hamletiane: si ka qenë e vërteta në përgjithësi?Kanë qenë shqiptarët viktima të poshtërimit, apo dhe vetë ata kanë poshtëruar të tjerët?!
Shqiptarët në Kosovë po poshtërohen deri në fyerje nga Qeveria e Hashim Thaqit dhe kjo, fatkeqësisht, në mënyrë institucionale. Ata po poshtërohen nga misionet ndërkombëtare prezente që edhe për 11 vjet pas luftës dështuan të stabilizojnë një vend të cilit, në njërën anë ia njohin "përparimet", e nga ana tjetër e dijnë fare mirë sa është shkalla e korrupcionit qeveritar dhe krimit të organizuar. A thua mund të jetë e besueshme se ndërkombëtarët na kujtojnë debilë, moronë e idiotë?! Ashtu siç qeveria i trajton qytetarët duke u "qitë hi syve" çdo ditë!
Komuniteti ndërkombëtar në Kosovë tash e 11 vjet si duket pati vetëm një qëllim, Kosovën multietnike, që ishte një ide serbe e të gjithë viteve të pas Luftës së II-të Botërore. "Ide të ngjashme, të nxitura nga orekse të shtuara kohët e fundit, notojnë nëpër mjegull. Pavarësia e kushtëzuar e Kosovës, ose formula e Kosovës shumëkombëshe, kërkohet t'i kalojnë tinëzisht krejt Shqipërisë...Në vend të shtetit historik që po mbushë shekullin, të ketë një shtet të kushtëzuar shumëkombësh, thua se shiqptarët, ndryshe nga të gjithë popujt, nuk mund të kenë shtëpinë e vet...", ka shkruar Kadare më 2004 në librin "Poshtrimi në Ballkan". Ajo që nuk vërehet por mbet njollë e zezë, është krimi i organizuar dhe korrupcioni qeveritar. Këto dukuri reflektojnë poshtërim të vazhdueshëm që qeveritarët e Kosovës po i bëjnë komunitetit dhe miqve ndërkombëtarë, ata të cilët ndalën gjenocidin dhe krijuan kushtet për lirinë dhe shtetin gjysmak të Kosovës?! Poshtrim shumëdimensional paraqet edhe fakti se në Kosovë ka rreth 100 subjekte politike, afro 5 mijë OJQ vendore e ndërkombëtare dhe në të veprojnë dhjetra shërbime të fshehta zbulimi, ndërkaq që llogaritet të ketë mbi 2 milion banorë! A thua çka mund të reflektojë një shtet i tillë përveç se një kaos politik i gatshëm të shpërthejë?! A thua kjo qeverisje po vërteton proverbin se zjarri, uji dhe Qeveria nuk njohin mëshirë?! Nëse ju kujtohet Qeveria e përkohshme e 1999 dhe kryeministri aktual, atëherë edhe krimi i organizuar e korrupcioni, zhvatja e parasë publike duken të jenë "normale" për Qeverinë e hijeve. "Çdo gjë që ndodhë një herë, nuk mund të ndodhë përsëri. Por çdo gjë që ndodhë për herë të dytë, do të ndodhë sigurisht edhe herën e tretë" ka pohuar shkrimtari Paulo Coehlo. A janë të vetëdijshëm qytetarët e Kosovës për këtë edhe pas zgjedhjeve vendore të vitit të kaluar?! Apo si ndodhi që qytetarët në një mënyrë sërish votuan për krimin dhe korrupcionin!? Në shtetin ku kryeministri ka premtuar 100 njohje vetëm në muajin e parë, pra në shkurt 2008, gënjeshtra i ka zgjatur më shumë se aq, tepër shkurt! Nga 65 njohje ndërkombëtare, vitin e kaluar ishin vetëm 11. Ai pati premtuar poashtu dritë 24 me 0, por reduktimet ende po vazhdojnë. Kryeministri ka premtuar 0 tolerancë ndaj korrupcionit dhe krimit të organizuar, ndërsa nuk ndalojnë raportet e organizmave ndërkombëtarë për këtë armik të demokracisë dhe lirisë. Intenca e Thaqit për të mashtruar opinionin vendës e ndërkombëtar me dyfishimin e institucionit antikorrupcion duke krijuar njëfarë Departamenti ku zyrtarët do t'i zgjedhë ai vet, më shumë perceptohet cinizëm deri në poshtrim që Keopsi po ju bën qytetarëve!
Poshtrimi qeveritar përmes varfërisë
Nëse do të radhitnim poshtërimin e trefisht e të paturpshëm ndaj qytetarit shqiptar të Kosovës, që bën Qeveria e Republikës së një të dieleje, atëherë atë banalitet nuk do ta përthekonte as territori i tkurrur i vendit. Ti rikujtojmë vetëm disa dimensione të poshtrimit me të cilat që qytetari shqiptar i Kosovës po përballet përditshëm, 24 orë pa ndërprerë.
- A nuk janë poshtrim premtimet shterpe të kryeministrit për mirëqenie dhe vende të reja të punës? Deklarimet 100% të gënjeshtërta të zv. kryeministrit i cili mban një titull akademik, pa llogaritur uzurpimin e hapësirës universitare për ndërtimin e shtëpisë private!
- A nuk është poshtrim dhe fyerje premtimi për rritjen e pensioneve apo të ndihmave sociale, ndërkaq që pensioni aktual nuk i mjafton pensionistit as për barërat e nevojshme, kurse ndihma sociale është turp dhe fyerje për familjet që i marrin?!
- A nuk janë poshtruar qytetarët e Kosovës nga një Kuvend i cili ka miratuar Kushtetutën dhe qindra ligje, por ato i shkelën të parët Qeveria dhe udhëheqësit?!
- Shqiptari i Kosovës, duke qenë se i përket shumicës, përditë e tash e 11 vjet i nënshtrohet një poshtrimi praktik që me gjuhën diplomatike europiane quhet "diskriminim pozitiv". A nuk mund të quhet poshtrim i dyfisht, i qeverisë dhe i misionit të BE në Kosovë, fetishizimi i dëmtimit të një varri serbeje në Gjilan, pavarësisht se nuk dihet kush mund ta ketë kryer një akt të tillë që nuk ka fare të bëjë me traditën apo kulturën shqiptare?! Thaqi, Faith dhe EULEX do të duhej të kenë njohuri se varret e kishat serbe janë ruajtur me shekuj në Kosovë, edhe para se ata të jenë shndërruar në kreatorë të politikës standardesh të dyfishta?!
- A nuk mund të perceptohet poshtrim i qytetarit shqiptar të Kosovës ndërtimi i shtëpive dhe banesave për serbët e kthyer, ndërkaq që ka me mija familje shqiptare që nuk kanë kulm mbi kokë? Përfshirë këtu familje rastesh të rënda sociale, familje dëshmorësh, invalidësh dhe familje të luftëtarëve të lirisë dhe veprimtarëve të çështjes kombëtare, por që nuk i takojnë kastës udhëheqëse aktuale?!
- A nuk paraqet poshtrim ndarja e hartës politike të Kosovës në 3 rajone ku "pronare" janë tri subjekte politike?! Rajonin e Drenicës e mbanë PDK-ja, kurse partia e cila po bashkëqeveris duke amnistuar krimin dhe korrupcionin dhe e cila është duke u tkurrur nga tëhuajësimi, LDK, mbanë Prishtinën dhe disa komuna periferike, ndërkaq që Dukagjini mbështetë AAK, partinë opozitare e cila përditë e më shumë po shtrinë zgjerimin e saj dhe po absorbon anëtarësinë e pakënaqur të partive në pushtet. (Poshtrimi ka nisur më 1999 kur Prishtina ishte ndarë nga Zonat e UÇK-së sikur edhe bizneset e paligjshme dhe haraqi i vënë nga disa komandantë)!
- A nuk është poshtrim institucional papunësia prej mbi 40% dhe një armatë vjetore prej mbi 20 mijë të të rinjëve të gatshëm për tregun e punës të cilët nuk kanë kurrfarë perspektive punësimi as jete?!
- A nuk është poshtrim ndarja e shtetit në 3 grupime?! Shteti i Hashim Thaqit, Qeverisë së tij dhe subjekteve politike pjesëmarrëse në Kuvendin e Kosovës i cili sipas kryeministrit po përparon "aq fuqishëm". Shteti i OJQ-ve dhe Sindikatave, shumica vasalë të Qeverisë. Dhe shteti i qytetarëve, që është aq i vogël në krahasim me dy shtetet tjera! Shteti i Kosovës, 2 vjet pas 17 shkurtit, nuk dihet në është i Hashim Thaçit, i subjekteve politike e OJQ-ve apo do të duhej të jet i qytetarit. Ky shtet i ndarë në 3D, po pëson ndarje të përditshme. Ndarja e qeverisë nga qytetari, ndarja e subjekteve politike nëpër rajone të vendit, ndarja e hendekut në mes të varfërisë dhe mirëqenies, ndarja e të së djathtës nga e majta. Ndarja e ndarje nga më të ndryshme që mbetet prodhim ekskluziv i Qeverisë e cila doli nga hija 2 vjet më parë duke sjellë mbi qiellin kosovar dhunën psikopatologjike të vitit 1999 kur ishte Qeveri e përkohshme, por tashmë me SHIK-un në sistem e dhunën e institucionalizuar?!
Qeveria aktuale flet për sukseset sasiore-Cilësia pre e tenderëve
- A nuk është poshtrim adresimi i paturpshëm para publikut, mediave dhe qytetarëve që kryeministri, zv. kryeministrat e ministrat bëjnë tash e 2 vjet. Disa prej arritjeve, kryeministri i paraqet në atë formë sa të bën të kujtosh se ai jo se i flet qytetarit shqiptar të Kosovës, por injorantëve. Thaqi kumton gjatësinë e rrugëve të asfaltuara, por nuk flet për cilësinë e tyre dhe as për përqindjen e tenderëve me të cilën jipen. Ai numëron shkollat e ndërtuara duke paraqitur numrin e ndërtimeve të objekteve, por nuk ka kurajo të flasë për rënien e cilësisë si dhe rritjen e analfabetëve akademikë që marrin diploma "express" sikur që bënë shumë ish bashkëpartiakë të tij pas lufte! Kryeministri flet për gjoja rritjen e pagave në arsim e shëndetësi, por nuk e sheh anën tjetër të jetës! Ai nuk e thotë dot pse ka aq shumë vetvrasje dhe pse ka rënie të natalitetit, pse braktisja e shkollës është rezultat i ikjes së familjeve nga Kosova për shkak të paperspektivës dhe ardhmërisë së dyshimt?! Keopsi i Qeverisë piramidale korruptive, e ka gojën plot mirëqenie e siguri dhe nuk sheh rrezikun për shpërthime sociale dhe nuk e brengosin grevat as të ploicëve e as të punëtorëve shëndetësore...Thaqi flet paturpësisht për "miqt ndërkombëtarë" por i quan "historike" raportet që e radhitin Kosovën si vend ku po lulëzon krimi i organizuar. Ai predikon "lirinë e shprehjes" por i kontrollon mediat me reklamat milionëshe qeveritare...ai ka kurajo të flas për Universitetin e Prizrenit si sukses të tij, ndërkaq dihet se vendimin për hapjen e tij e mori Qeveria e kryeministrit Agim Çeku...oh o Zot ai flet për diçka që nuk e posedon dot, edukimin! Madje as ate primar, të komunikimit me qytetarin, votuesin, atij që i dha votën e së këndejmi "fuqinë" për zhvatje dhe zhvillim të korrupcionit!
- A nuk është poshtrim fakti që Rektori aktual i UP, Mujë Rugova, punëson dhe shkollon të birin dhe renë?! Ky farë rektori është i njohur si një nga zhvatësit e Fondit "Vendlinjda thërret"(!) Ai do të mbetet njolla më e zezë e arsimit të lartë pas luftës së fundit, sepse paturpësisht e në bashkëpunim me Enver Hoxhën e ministrisë së arsimit, u jep bursa dhe i shkollon djalin dhe nusen e tij.
Poshtërimet si proces janë të shumta. Ato ndodhin në ditë me diell e edhe netëve pa dëshmitarë! E vetmja pyetje së cilës nuk i përgjigjem dot është a thua si ndihet Kryetari Sejdiu kur ka mundësi të lexojë shtypin e të shohë këto banalitete që po ndodhin në Republikën e tij!
Poshtrimi evropian e ndërkombëtar
Poshtrimi si proces që thyen dinjitetin e qytetarit deri në vetvrasje, mbase do të pranohej si normal sepse vjen nga njerëz që nuk njohin kurrfarë etike! Por pikërisht poshtrimi vendor i ka hapur dyert poshtrimit ndërkombëtar! "Pse të mos poshtrojmë këtë kope injorantësh kur ata poshtrohen pa ndërprerë nga ata që i votuan", do të ishte një pyetje logjike e secilit ndërkombëtar prezent në Kosovë. Do doja të gabojë me shembujt në vazhdim, sepse ishin dhe janë SHBA dhe vendet mike të BE-së që parandaluan pastrimin etnik dhe ndihmuan në krijimin e shtetit të njohur ndërkombëtarisht. Por kjo nuk paraqet mosmirënjohje për çka akuzohen shqiptarët. Është një krahasim nga i cili shpresoj të nxirren konkluzione të duhura, para se qytetari i Kosovës të mendojë për kërkesë ultimative të largimit të misionit të BE!
- Si mund të quhet më butë se poshtrim i BE-së ndaj qytetarit shqiptar, fakti i përfshirjes së Serbisë në liberalizimin e vizave (lëvizjen e lirë) duke ditur se ajo mbetet fajtori kryesor i luftës së përgjakshme jo vetëm në Kosovë?! Si mundi BE të lë jasht këtij procesi Bonsjën dhe Kosovën, ku ndodhën masakra si ajo e Srebrenicës, e Reçakut...ndërkaq shpërbleu atë shtet që vrau dhe shkatërroi?!
- Si të emërohet më pak se poshtrim fakti që EULEX dhe BE mbështesin një Qeveri që nuk po ndalet së cilësuari korruptive dhe e cila krimin e organizuar e ka institucionalizuar!
- A nuk qenka fyerje në dinjitet e shqiptarit të Kosovës, premtimi i EULEX për luftimin e korrupcionit dhe dukurive tjera negative, e në anën tjetër zyrtarë të misionit deklarojnë se "nuk janë përmendur peshqit e mëdhenj" (qeveritarë e politikanë të nivelit qendror e lokal)?!
- Si mund të gjendet një cilësim më i butë se poshtrim ai zotim që EULEX e deklaroi edhe si mision për vënien e rendit dhe të ligjit, kur amniston "peshqit e mëdhenj", ndërkaq kjo lë hapësirë spekulimi se EULEX dhe ICO më parë do të merren me "peshqit e vegjël" si Albin Kurti?!
- A nuk gjasojnë poshtrim reklamat e KFOR-it që na përkujtojnë politikën sllave të "vllazrim-bashkimit" çdo natë dhe kudo ku ka tabela reklamash?! Si të quhet fakti se Raportet e BE-së dhe të organizmave ndërkombëtarë ende shohin rrezik nga ndonjë shpërthim potencial në Kosovë dhe i frikohen gjendjes sociale, e nga ana tjetër, në emër të sigurisë, zvoglojnë trupat duke propaganduar "numrin më të vogël dhe forcën më të madhe"?!
- A nuk është poshtrim i bombardimeve të NATO-s mbi forcat serbe politika aktuale e EULEX dhe e KFOR-it që deklarojnë publikisht neutralitetin ndaj pavarësisë së Kosovës?!
Funjda a është poshtrim rasti "Bllaca" dhe a thua si mund të quhet politika evropiane karshi Kosovës?! Është e njëjta Evropë e cila sipas Kadaresë, përdorë dy kute për atdhetarizmin dhe nacionalizmin. Ato që me aq përkushtim diplomatik po zëvendësohen në Kosovën me hymnin pa tekst dhe flamurin me 6 yje. "Në Evropën e sotme, ndonëse gjëkund nuk shprehet qartë, nënkuptohet përdorimi i dy kuteve për këto dy nocione. Ndërsa pranohet heshturazi një lloj nacionalizmi tek disa vende të mëdha e të stabilizuara, duke e pagëzuar si patriotizëm, e njëjta ndjesi, në të tjera vende, damkoset si nacionalizëm. Me fjalë të tjera, këtyre vendeve u thuhet se patriotizmi është për ne, por jo për ju. Janë për ne moria e shënjave kombëtare, e emblemave, e simboleve, e shtatoreve, e kujtimeve historike, etj., etj., kurse për ju kurrsesi...", thotë Kadare në librin "Poshtërimi në Ballkan" botuar para 6 vjetësh.
Në rastin e Kosovës sot, pyetja që do duhej shtruar mbetet: Cila është e vërteta në shtetin që shprehur virtualisht ka marrë përmasat e një brishtësie tabloike të formatit 3D. Shteti i Kosovës, i projektuar dhe i ndërtuar me vizionin e breznive e gjeneratave të tëra, tashmë është "privatizuar" nga qeveria dhe kryeministri. Mu sikur bëri Ahmet Shala me ndërmarrjet publike dhe askush nu e kthen kokën pas për të hulumtuar të gjitha prapësitë e shitjes së pasurisë publike të Kosovës. Poshtrimi në Kosovë është meritë e udhëheqësve të shtetit që është përkufizuar si i "mbikqyrur" me një pavarësi që ka prodhuar politikëbërës të padinjitetshëm jo vetëm përballë qytetarit që u ka besuar votën, por edhe ndaj miqve ndërkombëtarë, ata të cilëve ua gjuajmë dështimet tona, sa herë u teket kryeministrit dhe udhëheqësve përgjithësisht.
A mund të poshtrojnë qytetarët Qeverinë me greva dhe protesta kundër "Thaqi & Company"
Klithja e shkrimtarit Rexhep Hoxha, papërgjegjësia, joprofesionalizmi dhe amoraliteti politik, politika thellësisht johumane e udhëheqësve të pas 17 shkurtit, domosdoshëm po hapë dyert që qytetarët e Kosovës, të zhveshur nga organizimet që do të duhej t'i mbronin interesat e tyre (sindikatat janë vasalë të qeverisë , AKR nëndegë e PDK-së, etj.), që pranverën e 2010 t'ua bëjnë me dije udhëheqësve se durimi ka kufij dhe se nuk durohet më me varfërinë e cila prodhon krizë gjithare e kjo tjetërsimin e njeriut deri në stërkeqje.
Fryma e ndryshimeve rrënjësore që nuk është leht të mposhtet nuk është njësoj sikur ana shtetërore që Kadare e thotë se është aq e sipërfaqshme, sa mund të vendoset e zhvendoset lehtë. Prandaj shenjat tregojnë se qytetarit po i vjen koha kur do të detyrohet të poshtërojë udhëheqësit, për ta ribërë shtetin e zhvatur e lënë kockë e lëkurë. "Ky vlerësim e radhitë Kosovën në listën e vendeve që kanë integritet të dobët dhe që janë të ndikuara nga korrupsioni, papërgjegjësia dhe jollogaridhënia. Një vit pasi shpalli pavarësinë, Republika e Kosovës është një demokraci e brishtë, e cila vuan nga qeverisja me dobësi, papërgjegjshmëri dhe jotransparencë", thotë organizata amerikane "Global Integrity". Kjo organizatë ka pohuar se shumica e vlerësuesve të dobësive janë në nivelet dhe fushat të cilat kanë përgjegjësinë politike dhe financiare të Qeverisë. Raporti thekson se anëtarët e ekzekutivit dhe të legjislativit kanë imunitet nga ndjekja penale dhe qytetarët kanë qasje të kufizuar në shpalosjen e të dhënave dhe aseteve të zyrtarëve.
Mënyra se si njerëzit në Kosovë e kanë menduar Qeverinë në demokraci, që ajo është e ndryshme nga vet qytetarët, përkundër se paraqet një hendikep, 2 vjet pas e ka konfirmuar një gjë të tillë. Shën Augustini ka paraljmëruar se në mungesë të drejtësisë, sovraniteti është veç një vjedhje e organizuar. Këtë pohim askush më mirë se kjo qeveri Keopsiane nuk e ka provuar praktikisht. Me zgjedhjet e fundit vendore që nuk kanë përfunduar edhe tre muaj pas mbajtjes, qytetari bëri një veprim i cili e zhvesh ate nga përgjegjësia. Pushteti sërish u la krejtësisht në ata që për mbi 10 vjet prodhuan terr, varfëri, krizë morale e ekonomike. Kjo shenjë, shikuar me dioptrinë paralajmëruese ka një mesazh që nuk po e dëshifrojnë dot udhëheqësit e Kosovës. A thua si mund të vlerësohet ideja e qytetarit se duhet lënë përgjegjësinë pushtetarëve që kaosin në të cilin e kanë zhytur vendin ta qojnë deri në fund!? E kjo të prodhojë domosdoshëm ndryshimin radikal e të heqë terrin dhe mjegullën, diçka që përveç asfaltit e ndërtimeve të egra, ka prodhuar më së shumti kjo qeveri donkishoteske. Ajo që duhet thënë e përsëritur ka të bëjë me qytetarin e Kosovës, me mua e me ju! "Çdo Qeveri është një parlament prostituash. Problemi është në demokraci, se prostituat jemi NE", ka deklaruar gazetari, shkrimtari dhe satiristi i politikës, amerikani Patrick Jake O'Rourk.
Poshtrimi si akt që karakterizon Ballkanin me luftra e konflikte tash e qindra vjet, me vjedhje mitesh e legjendash dhe falsifikim historish, po duket se në vend të evropianizimit të Ballkanit, ka nisur ballkanizimin e Evropës. Duke vepruar me dy kute për atdhetarizmin dhe nacionalizmin, duke mbyllur sytë për esencën e problemeve në Evropën plot diversitete, në Kosovë ka gjasa që të dështojë misioni i saj më i madh i quajtur EULEX. Cili do të jetë dallimi në mes të UNMIK-ut dhe EULEX-it nuk është vështirë të predikohet. Gjithçka po mbetet tek NE. Ndryshimi i brezave. Atë që Kadareja e thotë se kohërat janë duke u ndërruar në Ballkan e në Evropë. "Një brez tjetër është duke ardhur, me një mendje më të kthjellët e një shpirt më të pastër. Ende nuk kanë në dorë fuqi ekonomike e politike, megjithate fryma e tyre ndihet anekënd...është frymë tjetër, që kërkon një tjetër Shqipëri (lexo edhe Kosovë). Që refuzon varfërinë si fatalitet e imoralitetin si kusht. Që natyrshëm kërkon t'i kthejë nderin e humbur vendit të vet...kumt e premtim bashkë, i thjeshtë, i dhimbshëm, pa fjalë të mëdha...Flitet për Shqipërinë (dhe Kosovën) moderne, as etnike e as multietnike, e cila nuk mund të ekzistojë pa lënë pas varfërinë. E varfëria në këtë rast, është e lidhur me të gjitha: turpin, bjerrjen morale, poshtërimin...Asnjë popull s'duhet lënë të bjerë, do të thotë shkrimtari ynë i madh. Në Kosovë duhet të kuptohen shkrimtarët dhe libri i ri të rrëfejë për Republikën e Kosovës me dinjitet për të gjithë qytetarët pa dallim. Përndryshe, qeveria e sotme e Kosovës ka thelluar skajshmërisht hendekun në mes të qytetarit-njeriut dhe institucionit-pushtetarëve. Makina e quajtur Qeveri e Hashim Thaqit ka nisur të ecë mbrapsht që në fillim. "Nëse makina fillon të ecë pa ndihmën e njeriut, është koha të hudhet në mbeturina-pavarësisht nëse është makinë apo qeveri", ka thënë gazetari amerikan Alexander Chase. E qeveria aktuale dhe kryeministri i saj, që 17 shkurt 2008 e ka nisur mekanizmin e shtetit pa qytetarin. Letra dërguar kryetarëve të komunave nga të cilët atëbotë kërkoi që programi festiv i pavarësisë të mos ketë përmbajtje "nacionaliste" siç e ka shkruar Thaqi, jo vetëm që indinjoi qytetarin shqiptar, por hapi hendekun i cili sot ka arritur kulminacionin deri në poshtrim!
Agim Gashi- Administrator
- Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008
Similar topics
» Poshtërimi i dyfishtë në shtetin qeveritar
» Bekim Tocani: POEZI - Ditëplakja
» Bekim Toani:Dëshmimi - një proces që do ta shpëtojë lirinë e Kosovën…!
» Bekim Tocani:Letra përtej jetëvdekjes
» Bekim Toçani:Qeveritarët kosovarë - arti i të mashtruarit apo “con artists”
» Bekim Tocani: POEZI - Ditëplakja
» Bekim Toani:Dëshmimi - një proces që do ta shpëtojë lirinë e Kosovën…!
» Bekim Tocani:Letra përtej jetëvdekjes
» Bekim Toçani:Qeveritarët kosovarë - arti i të mashtruarit apo “con artists”
Faqja 1 e 1
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
Tue Mar 14, 2017 8:17 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ - SHIPTARËT NUK JANË "ME BYTHË NË PRUSH", PËR TË FALUR TOKAT
Mon Feb 27, 2017 6:54 pm nga Agim Gashi
» Akuzat kundër Shefqet Krasniqit Prokurorisë ia kishte konfirmuar edhe BIK-u (Dokument)
Mon Feb 27, 2017 5:20 pm nga Agim Gashi
» Aktakuzë kundër imamit Shefqet Krasniqi
Mon Feb 27, 2017 4:32 pm nga Agim Gashi
» Zbulohen tensionet gjatë dialogut në Bruksel, Nikoliqi Thaçit: Ti je kriminel
Fri Feb 03, 2017 7:40 pm nga Agim Gashi
» Faruk Tasholli - RJEPENI NANËN
Fri Feb 03, 2017 12:22 pm nga Agim Gashi
» FAMILJA E HAKI IMERIT: AI U VRA NË KOHËN KUR NË PUSHTET ISHIN HASHIM THAÇI E REXHEP SELIMI
Wed Jan 25, 2017 12:39 am nga Agim Gashi
» AGIM GASHI - O NE TREN PËR MITROVICË
Wed Jan 18, 2017 11:08 pm nga Agim Gashi
» Vëllai i tij u pajtua me Thaçin, por ja si ishte kidnapuar Haki Imeri në Brojë e më pas ishte vrarë
Wed Jan 18, 2017 8:13 pm nga Agim Gashi
» Fadil Maloku:Aferim, Prokurori e Kosovës!
Wed Jan 18, 2017 8:00 pm nga Agim Gashi
» Djali i Haki Imerit del kundër axhës: Nuk ia fali Thaçit, nuk dua drejtësi kanunore
Wed Jan 18, 2017 7:12 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ:Copëza biografike dhe kujtime për Ibrahim Rugovën
Wed Jan 18, 2017 5:13 pm nga Agim Gashi
» Presidenti Thaçi i “lahet me 124 pleq” Imer Imerit se nuk ka gisht në vrasjen e vëllait të tij
Wed Jan 18, 2017 4:00 pm nga Agim Gashi
» Adem Salihaj akuza të rënda ndaj Hashim Thaçit, ja si po mundohet të shpërlahet nga krimet e shumta që ka bërë
Wed Jan 18, 2017 3:53 pm nga Agim Gashi
» Ndodh edhe ky skandal: Njeriu që grisi fotografinë e Presidentit Rugova merr certifikatën e veteranit të UÇK-së
Tue Jan 17, 2017 7:55 pm nga Agim Gashi
» BERAT ARMAGEDONI:Lamtumirë, Joshua i Pejës!
Tue Jan 17, 2017 12:15 am nga Agim Gashi
» Biografia e Presidentit Rugova - Biografi e shkurtër
Mon Jan 16, 2017 10:32 pm nga Agim Gashi
» ILIR MUHARREMI : Treni provokativ, artistët në gjumë
Sun Jan 15, 2017 11:32 pm nga Agim Gashi
» Përveç ROSU-së, ky është shqiptari që rrezikoi jetën për ta ndalur trenin e Serbisë
Sun Jan 15, 2017 9:53 pm nga Agim Gashi
» ENVER PETROVCI - IN MEMORIAM SEFEDIN NUREDINIT- SEFA
Sun Jan 15, 2017 9:07 pm nga Agim Gashi