Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

RAIMONDA MOISIU:"Punoni sikur do jetoni njëmijë vjet ....."( Intervistë me Vullnet Maton)

Shko poshtë

RAIMONDA MOISIU:"Punoni sikur do jetoni njëmijë vjet ....."( Intervistë me Vullnet Maton) Empty RAIMONDA MOISIU:"Punoni sikur do jetoni njëmijë vjet ....."( Intervistë me Vullnet Maton)

Mesazh nga Agim Gashi Wed Apr 07, 2010 10:21 pm

RAIMONDA MOISIU:"Punoni sikur do jetoni njëmijë vjet ....."( Intervistë me Vullnet Maton) Thumbnail.php?file=Vullnet_Mato_539234390
Vullnet Mato



INTERVISTË ME SHKRIMTARIN VULLNET MATO

RAIMONDA MOISIU:"Punoni sikur do jetoni njëmijë vjet ....."( Intervistë me Vullnet Maton) 7417_1250244895436_1208896826_30788981_4319619_n
Intervistoi:Raimonda Moisiu

-Në përjetimin tim të realizmit socialist, kritika ishte një shkop, i cili nga njëra anë kishte një topuz me thumba të mprehtë për të talentuarit dhe nga ana tjetër, një furçe me fije mëndafshi për mediokrit e indoktrinuar. Sot kritika letrare ka shkuar për pushime të gjata në ishuj e Paqësorit. Unë ndjeva kohët e fundit për herë të parë kritikën e vërtetë shkencore për prozën time, në shkrimin e akademikut Fatmir Terziu te fjala e Lirë e Londrës.

"Punoni sikur do jetoni njëmijë vjet ....."


INTERVISTË ME SHKRIMTARIN VULLNET MATO

Raimonda Moisiu

Peripecitë e hapësirave të largëta janë pjesë e natyrës njerëzore, gati në mënyrë të përafërt me trurin e krijuesit, nga e cila lind një poezi, prozë apo edhe një refleksion i çastit. Fakti që një krijues i hedh në letër, tregon pasionin, aftësinë për të vazhduar me fisnikërinë e një profesioni, kuptimi i të cilit është integriteti i asaj ç’ka të shtyn të shkruash. Në rastin konkret shkrimtari Vullnet Mato, për herë të parë botoi një poemë, të redaktuar nga i ndjeri Vath Koreshi, që e bëri të ndjehej si Juri Gagarini, që në ato ditë po i vinte botës përqark me raketë, duke përfytyruar ato hapësira të largëta të rrugës krijuese për t’u bërë shkrimtar. Pas saj vjen romani “Ujësinor”, duke na treguar detajet e rrugës së jetës. Fjalën njerëzore dhe edukuese të prindërve, mendimin se njeriu i mirë është thesar dhe virtyt ta fitosh, botimin i poemës dhe i romanit, profesioni e tij të mësuesisë, pasionin për të shkruar, si një vorbullë magjike që e tërheq, ai i sheh si përvoja të vyera, të cilat i kanë dhënë mundësinë për të promovuar karrierën e tij si shkrimtar. Në galaktikën e tij krijuese letrare numërohen plot gjashtëmbëdhjetë vepra. Ndërmjet të cilave shquhen romani “Damkosja e Engjëjve”, “Vajza e Kyçur”, “Marrëzia e madhe”, “Matura e paharruar”etj. I cilësuar dhe vlerësuar nga kritika e kohës si një shkrimtar cilësor që dallon me mjeshtërinë e penës së tij: “Është mjeshtëria e Matos që depërton deri thellë ngulmave vjetroshe të shkulë çibanë dhe mërzitma. Jeta e njeriut e deliri i tij, në sfilitën letrare të Bernard Show-t dhe të Matos gatuhet i tillë” (F.Terziu). Tani kontrastin e fortë të personalitetit të njeriut në dy kohë ai e shikon sa të rëndësishëm aq edhe me pozitivitet për ta krijuar. Shkrimtari dhe poeti Vullnet Mato, një nga zërat më të njohur në letrat shqipe, një njeri modest dhe shumë i sinqertë, na tregon për audiencën e lexuesve detaje të rëndësishmete jetes dhe krijimtwrise letrare, disa herë duke përdorur sqimën e batutës inteligjente, paksa sarkastike, por shumë popullore, këndshëm dhe me një emocion të papërshkruar.

-Keni lindur duke qeshur apo duke qarë dhe pse?

-Duhet të kem lindur duke qeshur, sepse ndjehem gjithmonë me humor të mirë. Ndoshta e kam kompensim për të mos i ndjerë vuajtjet e fatit, nga fëmijëria deri në vitet ’90, kur ngriu lufta klasore.

-Ku keni lindur? Jeni nga ku lindët, apo nga ku banoni? Po fëmijët tuaj nga e konsiderojnë veten dhe pse?

-U mbolla në Sarandë, lidha kokrra në Librazhd dhe do korrem në Tiranë. Fëmijët deklarohen sarandiotë, megjithëse Sarandën e kanë pare me sy në moshë madhore. U pëlqen shumë Saranda me det dhe me njerëz të qetë.

-Kush jua ka vënë emrin? Cili është mesazhi i emrit? Do donit ta ndryshoni?

-Emrin ma ka vënë gjyshi Xhaferr Mato. Me dëshirën, për të trashëguar vullnet të fortë, siç ka ndodhur. Djali i madh emigrant ka dashur ta ndërroj në Vasil, për të marrë pension në Greqi. Por unë preferoj të vuaj me pensionin e vogël shqiptar, duke menduar se vuajtjet në atdhe e fisnikërojnë shqiptarin.

-Ku e kaluat fëmijërinë?Cili është kujtimi më i bukur dhe më i shëmtuar?

-Fëmijërinë e kalova në Sarandë. Kujtimi më i bukur është kur nxora nga deti koshin prej teli me 12 peshq dhe gëzova nënën me vëllezërit e uritur. Kujtimi më i shëmtuar është, dënimi me vdekje, duke na hoqën triskat e bukës, se nëna me shtatë fëmijë nuk pranoi ta ndante babanë e burgosur për agjitacion dhe propagandë.

-Çfarë mbani mend se keni mësuar për herë të parë nga nëna, apo nga babai? Po nga mësuesi? Po nga shoqëria? Po në moshën e parë dhe të dytë?

-Nga nëna kam mësuar të bëhem memec para fjalëve politike, për të shpëtuar nga burgu. Nga mësuesi kam mësuar se në Australi ka më shumë lepuj se njerëz. Nga shoqëria kam mësuar se në botë ka më shumë hajdutë dhe kriminelë, prej të cilëve duhet ruajtur. Në moshën madhore kam kuptuar se një njeri i mirë është një thesar, të cilin duhet ta fitoj.

-Kush ka ndikuar më shumë në formimin tuaj, nëna apo babai, apo shkolla e shoqëria?

-Në edukimin tim ka ndikuar shpirtmadhësia e nënës, dhe intelekti i babait. Në formimin tim kanë ndikuar disa mijëra libra të lexuar. Shkolla dhe shoqëria kanë ndikuar pak. Më tepër kam ndikuar vetë mbi to, me profesionet dhe marifetet për të bërë ca gjëra që nuk i bënin të tjerët.

-Po në shkollë, cila ka qenë lënda që u ka pëlqyer më shumë?

-Më ka pëlqyer më shumë letërsia, psikologjia dhe astronomia.

-Cilat fenomene ndikuan në formimin Tuaj si shkrimtar e poet?

-E fillova me hartimet që lexonte mësuesi i shtatëvjeçares para klasës. Vijova me disa vjershëza, të cilat, si ato çupërlinat fanatike, nuk dolën nga dhomat e trurit për t’i parë djemuria. Pastaj u pllenova nga jeta ime me peripeci nëpër hapësira të largëta, ku në mënyrë të përafërt, truri i krijuesit mbetet shtatzënë. Dhe linda një poemë. Kur i ndjeri redaktor Vath Koreshi e lexoi dhe tha se do ta botonte menjëherë të nesërmen në një faqe të gazetës “Zëri i Rinisë”, dola në bulevardin kryesor të Tiranës, dhe ndjehesha si Juri Gagarini, që ato ditë po i sillej tokës përqark me raketë. Më pas botova romanin për sharrëtarët “Ujësinor” që u shtyp dhe priti tre muaj i paketuar, derisa nuk pati ndonjë vërejtje nga disa dhjetëra zyra të larta partiake e shtetërore, ku e çuan për verifikim.

- Më tej krijimtaria u diktua nga nevoja, koha apo dëshira për një të tillë?

-Syri i eprorëve diktatorial zbutej disi para atij që kishte fituar besimin e botimit. Ndonëse pati edhe ndonjë kapter ushtrie që më mori inat pikërisht për këtë fakt e tha: ”Sa di ti, më di mushka mua!” Por kryesisht pasioni ishte vorbulla magjike që më rrëmbeu e s’më lëshon, derisa të më çojë në thellësitë përfundimtare të jetës. Tani kur më pyesin, sa fëmijë ke? U them 19 dhe të gjithë të gjallë. 3 m’i ka bërë gruaja dhe 16 i kam lindur vetë.

-Si e keni krijuar familjen, me mblesëri, me rekomandim, apo me dashuri, apo u ka martuar shoqëria, partia policia dhe si ka qenë jeta juaj familjare?

-Jam martuar me dashuri të penguar, duke e rrëmbyer gruan si hajdut klasik. Partia dhe policia më kanë hedhur baltë, që të mos më afrohej grua nga sfera komuniste. Pastaj jetën familjare ma ka bërë gruaja të shkëlqyer, edhe kur kemi pasur në pjatë dy gisht bukë e një copë presh.

-Ç’është dashuria për Ju? Cilat janë dashuritë Tuaja? Sa i ruani ato brenda shpirtit e krijimtarisë Tuaj, si relikte të çmuara? Kur një njeri e ndjen se ka të tilla?

-Dashuria e vërtetë është si zanë, shumë flasin por pak e kanë parë dhe ajo të vjen një herë në jetë. Të tjerat më pas janë dashuri, po nuk ngjajnë me të, sepse janë iluzionet e saj. Unë kam rënë kokë e këmbë në dashuri qysh në moshën shtatëmbëdhjetë vjeç me vajzën që grabita. Tani më duket sikur kam lindur i martuar. Në krijimtarinë time dashuria është majaja që mpiks veprën. Ka në të ndjesi të ëmbla dhe pak humor. Sepse e tillë është vet ajo. Në kuptimin më të gjerë, njeriu në çdo paraqitje të tij, duhet të jetë vetëm fytyra e dashurisë. Ai që nuk ndjen dashuri për askënd, ka shpirt krimineli.

-Ç’punë të mira keni bërë? Po të liga, me dashje apo pa dashje?

-Kam bërë ca libra që m’i kanë pëlqyer, dhe ndonjë punë të “ligë” me konsensus.

-Pse nuk u bëtë jurist, mjek, apo inxhinier dhe pse u bëre mësues?

-U bëra ai që jam, se nuk do desha të bëhem si askush tjetër nga ana profesionale. Kam pasur parim të lakmoj ato profesione që nuk arrihen lehtë.

-Kur dhe ku e keni marrë rrogën e parë, si ju duk e si ju duket paraja?

-Jeta ka provuar se pas nënës dhe babait legal, vjen baba “Leku” i adoptuar, me të cilin kam ruajtur vazhdimësinë time jetësore, të gruas dhe të fëmijëve të mi. Rrogën e parë e kam marrë duke bërë e shitur krehra alumini për çmorritje. Pastaj si operator kinemaje.

-Ç’mendim keni për moralin, apo ai ka dalë jashtë mode? Cili është emëruesi i përbashkët që mban familjen tuaj të rregullt, të mirë?

-Morali ka vlerë vetëm kur e ke vetë. Kur ua rekomandon të tjerëve bëhesh Ufo.

-Po për karakterin çfarë opinioni keni? Jeni i ngadaltë, i nxituar, i qetë, nevrik, indiferent apo aktiv në jetë e shoqëri?

-I kam të gjitha cilësitë e karakterit, i qetë, i nxituar, nevrik, indiferent dhe aktiv, në rastet kur duhet me qenë patjetër një i tillë, për të mos qenë budalla.

-Ç’është familja për ju? Dhe kë doni më shumë nga pjesëtarët?

-Familja për mua është parajsa tokësore. Nipat, Rei dhe Agi, janë engjëjt e saj. Shoqëria dhe miqësia janë purgatori i përzier me të mirë dhe gjysmë të mirë. Ferri është mjedisi me njerëz të liq.

-Cili është opinioni juaj për shoqërinë e miqësinë dje dhe sot?

-Shoqëria e djeshme kishte më shumë servilë dhe miqësia qe më tepër një ombrellë biografike. Sot raportet kanë ndryshuar, me domosdoshmërinë për një shoqëri dhe miqësi të ndërsjellë pa paragjykime. Miq e shoke dashamires si në internet, rrallë kam pasur.

-Cili është koncepti juaj për kombin, pushtetin, partitë, dhe për demokracinë në vendin tonë?

-Kombi është për mua mitra nga kam dalë dhe guri i varrit ku do futem. Pushtetin historikisht e kanë marrë në dorë maskarenjtë dhe të paaftët. Partitë janë prostituta, për të shkuar me to kodoshët e politikës. Sa më pak të kishim, aq më i ndershëm do të ishte vendi ynë. Demokracia është një bukuroshe, së cilës ende nuk ia kemi parë mirë sytë.

-Kush u pëlqen më shumë liria, puna, apo qejfi?

-Më pëlqen liria brenda kufijve të mi, drejtësia e fituar me hak, puna që më jep kënaqësi dhe argetimi pas një pune të lodhshme.

-A e ndjeni veten të lirë e të qetë në punë, në jetë, në shoqëri e miqësi?

-Ndjehem i dëshiruar për lirinë me caqe, për qetësinë në lagje, për jetën në paqe dhe për shoqërinë e miqësinë intelektuale.

-Keni inat? Mbani mëri? Grindeni me shokët? Me gruan? Me komshinjtë?

-Kam inat dhe mbaj mëri me një spiun. Shokëve grindavec u shmangem me marifet. Me gruan jam brenda një rropullie, si stomaku me zorrët, që merren vesh pa e nxjerrë sherrin përjashta. Me komshinjtë, veç përshëndetjeve, urimeve dhe rasteve njerëzore, nuk shkëmbej fjalë të tepërta.

-Cilët janë miqtë tuaj më të mirë, të cilës moshë, dje dhe sot?


-Miqtë e mi më të mirë janë ata që më ndjejnë se më kanë mik. Dhe lexuesit kudo qofshin, të çdo moshe dhe të çdo kohe. Te miqtë dhe mikeshat e përveçme për talentin dhe mençurinë, bëni pjesë në rreshtat e pare ju, zonja Raimonda.

-A gatuan, çfarë gatuan vetë? Ushqimi i preferuar? Pija që u pëlqen?

-Gatuaj ca gjëra që më ka mësuar gruaja, kur ikën te njerëzit e saj në Korçë. Ushqimi im i preferuar janë barishtet, që, ndryshe nga kafshët, i dua të ziera. Më pëlqen pak raki pa hile nga ajo e Fterrës.

-Çfarë të gëzon, çfarë të mërzit a të bezdis?

-Më gëzon shëndeti i mirë, më mërzit gripi, më bezdisin llafazanët.

-Cilat janë raportet tuaja me shefin, ju pëlqejnë shefat, pse po pse jo?

-Kam shërbyer në disa punë, ku përgjithësisht, shef i punës sime, kam qenë vet. Shefat e mëdhenj i kam dashur pak, më kanë dashur më tepër se bëja punën.

-Krijon apo shuan konfliktet me shoqërinë, me kolegët, apo drejtuesit në punë?

-Konfliktet kanë qenë si meteorët, që janë djegur në atmosferën përqark, pa arritur deri te sipërfaqja ime, sepse jam rrotulluar në orbitat larg tyre.

-Kursen? Ke huqe? Qeras apo të qerasin më shumë?

-Si pensionist nuk kam ç’kursej, se harxhimi dhe çmimet janë mbi sasinë e lëmoshës shtetërore që më jepet. Kali i kuq e ka ndonjë huq. Qeras ata që më qerasin, për të mos mbetur borxhli.

-A lexoni dhe çfarë preferoni?

-Lexoj siç ha bukë i urituri. Kam intuitë për të zgjedhur ato libra që duhen lexuar.

-Kë ndiqni më shumë, lajmet, apo emisionet artistike?

-Ndjek lajmet flesh, pa komentet lesh e li. Ndjek të gjitha emisionet artistike që meritojnë të më cungojnë gjumin e shtrenjtë.

-Cili është momenti më i bukur i jetës suaj, po më i hidhuri?

-Momenti më i bukur është kur notoj në det dhe së fundi kur bashkëfshatarët e mi të prirë nga djaloshi Besmir Zani ma gdhendën emrin në shkemb... Më i hidhuri është kur s’kam para në xhep.

-Ambicia juaj për para, pushtet, qejf, apo ?

-Nuk kam pasur ambicie për para. Ambicien për pushtet e urrej si vet pushtetin, që të shumtën e herës na ka shtypur. Qejfin e quaj dhuratë qiellore, si kohën me diell. Kam ambicie vetëm me ata që u hipin raketave për në kozmos.

-Cilat këngë ju pëlqejnë më shumë, llojet, këngëtarët?

-Mund të duket e çuditshme, por më pëlqejnë të gjithë tingujt muzikor që nxjerr njeriu i globit. Më ka mahnitur kënga kineze “Fshatarja e bukur” dhe një këngë dasme eskimeze. Vdes për çiftelinë e Veriut dhe fyejt e barinjve të Jugut. Tallavaja më hedh përpjetë. Opera më lulëzon mendimet për madhështinë e botës njerëzore. Më pëlqejnë këngëtaret e veshura. Ato lakuriq më duket sikur janë larg këngës dhe fare pranë seksit.

-Cili shkrimtar e artist ju pëlqen dhe pse?

-Më pëlqejnë shumë shkrimtarë dhe artistë. Por njësoj si me lulet e një kopshti, nuk mund të them cila është më e bukur.

-Çfarë iu ka mbetur peng që dëshironi ta hidhni ne letër?

Kontrasti i fortë i personalitetit të njeriut në dy kohët e jetuara.

- Çfarë po shkruani aktualisht? Planet e së ardhmes?

-Po përgatis një përmbledhje me poezi të zgjedhura nga të gjithë vëllimet e botuar, duke i shtuar dhe shumë poezi të viteve të fundit. Gjithashtu jam duke shkruar një roman me temë aktuale për dinjitetin njerëzor.

- Ç’mendim keni për kritikën e mirëfilltë letrare?

-Në përjetimin tim të realizmit socialist, kritika ishte një shkop, i cili nga njëra anë kishte një topuz me thumba të mprehtë për të talentuarit dhe nga ana tjetër, një furçe me fije mëndafshi për mediokrit e indoktrinuar. Sot kritika letrare ka shkuar për pushime të gjata në ishuj e Paqësorit. Unë ndjeva kohët e fundit për herë të parë kritikën e vërtetë shkencore për prozën time, në shkrimin e akademikut Fatmir Terziu te fjala e Lirë e Londrës.

-Ku do të dëshiroje të jetoje, në Shqipëri, në Francë, në Amerikë apo?

-Do dëshiroja të jetoja në verë në Sarandë dhe në dimër në Tiranë. Jam një pemë që nuk mund të aklimatizohem në Francë, në Amerikë, apo gjetkë. Sepse do të thahesha shpejt për t’u kthyer në Shqipëri si trung i ambalazhuar.

-Çfarë mesazhi do u përcillni lexuesve tanë dhe çfarë do u këshilloni?

-Mesazhi që u përcjell lexuesve, shokëve dhe miqve nga përvoja ime është: Punoni sikur do jetoni njëmijë vjet dhe mundohuni të jetoni sikur pas një viti vjen apokalipsi. Mos u falni politikanëve dashuri dhe duartrokitje që nuk ua kthejnë kurrë. Mos kujtoni se ka idhuj dhe supernjerëz aq të mëdhenj sa t’u përuleni, përderisa ashtu si ju, të gjithë shkojnë në wc. Duajini fëmijët shumë, por mos i urreni aq shumë duke i përkëdhelur shumë. Mundësisht i puthni në gjumë. Ju përqafoj juve dhe te gjithë lexuesit dashamires në bote.

Intervistoi RAIMONDA MOISIU.

Botoi:Fjala e lirë

http://www.fjalaelire.com/index.php/http-www-fjalaelire-com-intervista-php/5282.html
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi